Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“AEROPORT LUFTARAK 1997” 6 MARS 1997, MUNDËSIA E NJË SULMI TË TRUPAVE SPECIALE TË SHTETIT PËR TË PUSHTUAR BAZËN AJRORE TË KUÇOVËS. E CILA NUK PO BINDEJ Por presidenti Sali Berisha u takua me përfaqësues nga partitë politike


Shkrimi i nëntë

Në orën 9.35 komandanti i bazës ajrore të Kuçovës bisedoi sërish me Vendkomandën Qendrore. Më në fund mori përgjigjen se nuk do të kishte ngritje në ajër, veç kur të shkelej hapësira ajrore e vendit. Pesë minuta më vonë filluan rifutjen e disa avionëve në tunel.
Në 9.45 Vendkomanda Qendrore kërkoi që katër pilotë të shkonin për bisedime në Tiranë. Nuk e tha, por urdhrin epror e kishin marrë prej shefit të Shtabit të Përgjithshëm. U thanë edhe emrat e tyre. Tre qenë me origjinë nga Tepelena. Që të katër ishin me gradë të lartë. Komandanti i bazës ajrore u përgjigj: \"Do të bisedoj me pilotët, unë nuk jam dakord\".
Kur ua thanë urdhrin e Vendkomandës Qendrore edhe katër pilotët kishin mendimin se kjo thirrje urgjente nuk bëhej për gjë të mirë. Mbase edhe donin t\'i arrestonin.
Pas një ore koloneli, këtë herë me gjuhë raportuese, e njoftoi komandantin e Vendkomandës se nuk do t\'i dërgonte pilotët. \"Kush të dojë le të vijë të bisedojë këtu\", qenë fjalët e tij të fundit. Tjetri ia ktheu: \"Do të vij vetë\". Pas kësaj, në orën 10.50 ai i tha sekretarit të Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes se pilotët e bazës ajrore të Kuçovës, edhe pse patën biseduar me nënministrin, e kundërshtonin ngritjen në ajër për të kryer detyrat e zbulimit. “Për këtë, nguli këmbë drejtuesi i Vendkomandës Qendrore, mendoj që karshi atyre, të cilët nuk zbatojnë urdhërin, të zbatohet edhe të veprojë ligji”. Nga sekretari i Shtetit u kthye përgjigja se për këtë do të bisedonte me Ministrin e Mbrojtjes. “Megjithatë, shtoi tjetri, unë do të shkoj vetë në Kuçovë bashkë me dy bashkëpunëtorë, eprorin ushtarak dhe atë teknik, kryeinxhinierin e aviacionit, dhe do të bisedoj me efektivin fluturues. Atje do të shikoj gjëndjen dhe do t\'ju raportoj”.

Lajme, lajme, lajme

Në orën 12.15 shefi i Shtabit të Përgjithshëm i pati kërkuar Aviacionit Luftarak sqarim për avionin \"UT-Mig\" që u ul në Itali. Pesëmbëdhjetë minuta më vonë komandanti i bazës ajrore të Rinasit informoi se avioni kishte topin e tij 23 mm si edhe 80 predha. Për këtë u vu në dijeni edhe zëvendës ministri i Mbrojtjes.
Ndërkohë në mënyrë të përsëritur televizioni francez njoftonte opinionin e vet publik se \"Që prej të premtes së kaluar, kur rebelët sulmuan depot, në Vlorë prej kaosit që mbjell vdekjen, ka 25 të vrarë\"; \"Kryengritësve u është kërkuar dorëzimi i armëve\"; \"Në Sarandë më qetë sot. Është ngritur shtab nga populli, e drejton kryetari i këshillit të rrethit. Saranda refuzon dorëzimin e armëve\"; \"Vlora në protestë të fuqishme, qeveri teknike dhe zgjedhje për 45 ditë\".
Paralelisht televizioni informativ i Bashkimit Evropian, Euronjuz, spikaste lajmet \"Po vjen në Shqipëri ish-kancelari gjerman Franc Vranicki\"; \"Një udhëheqës i opozitës ka akuzuar se agjentë të infiltruar në turma kanë provokuar atë për të justifikuar dhunën\"; \"Vatra e re e revoltës shfaqet në Tepelenë\"; \"Sot Berisha ka mbledhur të gjitha partitë politike\"; \"Shtatë qytete jashtë kontrollit të shtetit\"; \"Emergjenca shqiptare alarmon Evropën\".
Euronjuz njoftoi po ashtu se \"Nga Shqipëria kërkohet ekstradimi i dy pilotëve që ikën të martën në Itali\".
Në 17.43 teleteksti i televizionit publik italian nxirrte në pah: \"Shqipëri, arritje e parë qeveri-opozitë. Presidenti shqiptar Berisha arriti një marrëveshje të parë me opozitën e udhëhequr nga ish-komunistët. Do t\'i bëhet një thirrje popullit që duke filluar nga nga ora 7 e së nesërmes dhe për 48 orët e mëpasshme, të dorëzojnë të gjitha armët. Qeveria po angazhohet të pezullojë operacionet ushtarake në jug të vendit. Është parashikuar amnisti për të gjithë pjesëmarrësit në revoltën e armatosur me përjashtim të atyre që kanë kryer krime kundër personit. Po bëhen bisedime për një qeveri koalicioni\".
Ndërkaq nga Vendkomanda Qendrore, duke lënë të kuptohej se çfarë po u komunikonin qe direktivë nga lart, iu propozua bazës ajrore të Kuçovës që, për shkak se vala e rebelimit po afrohej, të dërgoheshin nga kryeqyteti trupa speciale për të përforcuar ruajtjen e saj. Koloneli kundërshtoi. Telefonuesi nga qendra i kujtoi se me forcat dhe armatimin që kishin, nuk do t\'ja delnin dot dhe do të binte prehë e bandave një nga aerodromet më të mëdhenj të vendit dhe të vetë rajonit. Pesëdhjetë avionë luftarakë, gjysma e të cilëve mbanin edhe bomba të kalibrit të mesëm, përbënte një kërcënim për stabilitetin jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të shteteve fqinj.
Pas kësaj komandanti i bazës nuk qe përgjigjur menjëherë. Zëri në telefon vazhdonte të këmbëngulte se rasti i kalimit të një avioni në Itali vetëm brenda gjashtë minutave nga dy pilotë të papërgjegjshëm, e bënte shumë të qartë se sa i rrezikshëm ishte pushtimi i bazës ajrore nga forcat antiqeveritare. Atëherë koloneli ndërhyri me fjalët \"Nuk po kuptoj një fakt, zotërinj të komandës: forcat e pritshme që mund të pushtojnë bazën janë rebele, janë banda apo forca antiqeveritare\"?
Zëri përtej ishte nemitur, por përgjigjen e pati shprehur menjëherë: \"Përse merresh me lojra të tilla fjalësh? Rebelë, banda apo forca qeveritare?!\" Komandanti ishte bërë papritmas nervoz: \"Sepse në janë banda unë do t\'u jap urdhër njerëzve të mi që t\'i djegin të gjallë. Në janë rebelë le të bëjnë çfarë të duan nëpër male e gërxhe, por po iu afruan deri njëqind metra kufirit të bazës do të qëlloj pa mëshirë. Në janë forca antiqeveritare do të dal vetë nga baza dhe do t\'u them që të shkojnë në Tiranë si njerëz dhe të bisedojnë me qeverinë dhe presidentin. Kur të bëhen votimet, në rast se fitojnë, ministrin e tyre të mbrojtjes do ta pres duke rreshtuar për nder të tij të gjithë regjimentin\".
Përmatanë telefonit lëshuan fjalët e rrëmujshme \"Dakord, dakord, na hutove! Nuk e kishim fjalën se do ta dorëzoje bazën, ne e dimë cili je ti dhe kemi besim të plotë. Pra, jemi të sigurtë që nuk e lë bazën në duart e sulmuesve. Vetëm se nuk kemi besim se me forcat njerëzore, armatimin dhe municionin që ke në dispozicion mund t\'ia dalësh që kur janë banda t\'i djegësh të gjallë, kur janë rebelë të mos i lësh të afrohen edhe një centimetër nga kufiri prej njëqind metrash që ke vënë përtej periferisë së bazës dhe po të jenë forca antiqeveritare e komuniste siç janë, të të lënë të flasësh shumë për votimet”.
Zëri epror nga Vendkomanda Qendrore vijoi me zë më të fortë: “Ata janë mësuar me revolucion dhe marrja e një baze të pambrojtur mirë është një lodër për parimet e përvojën që kanë”.
\"Baza nuk do t\'i dorëzohet kurkujt, tha me ton koloneli, ca më tepër avionët. Banda e stërrebelë, antiqeritarë e bolshevikë qofshin, nuk dinë t\'i ngrejnë Migët asnjë milimetër nga toka. Avionët nuk janë automatikë kallashnikovë, as tanke, madje as anije. Janë avionë dhe në ajër mund t\'i ngrejnë vetëm pilotët, njerëzit që kam këtu, të cilët janë patriotë. Janë e mbeten përherë shqiptarë nga ata që nuk ngrejnë as gishtin më të vogël dhe jo më një aeroplan me bomba kundër shqiptarëve të tjerë. Betejën politike në Tiranë e kudo ta bëjnë me fjalë, sepse me avionët e bazës ajrore të Kuçovës nuk kanë për ta bërë kurrë\".
Përmatanë telefonit bëlbëzuan diçka të tillë si \"Ju kuptojmë, ju kuptojmë, por edhe ju duhet të na kuptoni. E kishim fjalën se rrezikut duhet t\'i dalim përpara...\" Komandanti nuk u përgjigj. \"Na vjen keq që nuk u kuptuam, tha zëri i qendrës, mund të gjenim një zgjidhje racionale. Fundi nuk po dërgojmë forca speciale të ruajtjes së rendit, po ju sjellim vetëm ushtarë\".
\"Unë nuk isha kundër policëve apo specialëve, e dërgoi komandanti i bazës menjëherë përgjigjen, unë mendoj dhe kam besim të palëkundur që, në rast se në qendër kanë shqetësimin për mospërdorimin e bazës për veprime luftarake kundër vendit tonë dhe atyre fqinj, kjo gjë nuk do të ndodhë kurrë\".
Matanë fillit telefonik u dëgjuan fjalët \"Dakord, dakord, po e besojmë, po ju besojmë. Thjesht po na vjen keq\".
\"Keq më vjen edhe mua\".
\"Mund të kishin gjetur një rrugë më të arsyeshme dhe që na siguron...\".
\"Rrugën e gjetëm dhe më duket se është më e sigurta\". \"Më vjen keq\", përsëriti eprori nga Vendkomanda Qendrore.
\"Edhe mua\", tha koloneli. Pastaj e uli dorezën e telefonit dhe thirri me zë të lartë “Rrugëzgjidhjen e gjetëm, zotërinj! As policë dhe as policë të veshur si ushtarë!”
Ishte vetëm dhe nuk e dëgjoi askush. Prandaj thirri sërish: “Më vjen keq, zotërinj, ne kishin nevojë për mbrojtjen tuaj edhe dy ditë më parë, edhe javën që shkoi, edhe dhjetë ditë të shkuara. Përse kur ju lajmëruam se pilotët nuk ngrihen më për të qëlluar apo kryer zbulim, se teknikët nuk dëshirojnë t\'u shërbejnë avionëve të urdhëruar për fluturime në jug, kur nuk pranuam logjikën e nënministrit dhe urdhrin e Vendkomandës për të dërguar katër pilotë në Tiranë, ju u alarmuat dhe kërkoni të na mbroni. Të na mbroni apo të na sulmoni?”
Vetëm pak minuta më vonë nga ky çast, kush e di prej kujt hamëndjeje apo thashethemnaje, nëpër aviatorë dhe teknikë u përhap parandjenja se pas refuzimit të fundit që iu bë komandantit të Vendkomandës Qendrore, baza do të sulmohej nga trupat e shtetit. Me një urdhër që nuk u muarr vesh se nga erdhi, filloi hapja e llogoreve.
Për natën që po binte u vendos të montohej edhe një projektor i fuqishëm për ndriçimin e pistës. Teknikët propozuan që ai të vendosej në kështjellën e qytetit të Beratit, shtatë kilometra larg në vijë ajrore.

“Sot u zhvillua takimi i presidentit Berisha me përfaqësues nga partitë politike”

Televizioni Shqiptar: \"Mirëmbrëma të dashur teleshikuesë, fillojmë edicionin e lajmeve të orës njëzetë. Sot u zhvillua takimi i presidentit Berisha me përfaqësues nga partitë politike. Në përfundim të këtij takimi u miratua kjo deklaratë e përbashkët nga të gjitha forcat pjesëmarrëse: “Partitë politike të ftuara në takim nga presidenti i Republikës Sali Berisha për të diskutuar lidhur me situatën në vend (Partia Demokratike, Partia Socialiste, Partia Republikane, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partia Balli Kombëtar, Partia Socialdemokrate, Partia Aleanca Demokratike, Partia Bashkimi Socialdemokrat, Partia Lëvizja e Legalitetit, Partia Demokristiane) deklarojnë:
Partitë politike mbështesin rivendosjen e rendit kushtetues, garantimin e rendit publik në të gjithë vendin. Ato u kërkojnë të gjithë qytetarëve, anëtarëve, simpatizantëve të forcave politike të dorëzojnë armët dhe të gjitha armatimet në afatin kohor 48 orë, duke filluar prej orës gjashtë të mëngjesit të datës 7 mars 1997 ose të ndihmojnë dhe të influencojnë në grumbullimin e armëve brenda këtij afati kohor si edhe në rivendosjen e rendit dhe të qetësisë. Ato i kërkojnë presidentit të Republikës të dekretojë sonte faljen e të gjithë atyre personave që dorëzojnë armët gjatë këtij afati kohor dhe që nuk kanë kryer drejt për drejt krime.
Ato i kërkojnë Këshillit të Mbrojtjes të urdhërojë ndërprerjen e operacioneve ushtarake sulmuese goditëse në zonat ku janë parashikuar për dyzetë e tetë orë, duke filluar nga ora gjashtë e mëngjesit e datës 7 mars 1997.
Presidenti i Republikës të fillojë konsultimet për emërimin e kryeministrit të ri, duke synuar një konsensus sa më të gjërë të mundshëm.
Të krijohet një komision me ekspertë të të gjitha partive politike për të realizuar transparencën e plotë të skemave piramidë.
Partitë vendosën të mbajnë të hapur dialogun.
Tiranë, më 6 mars 1997\"

Ikje bashkë me dosjet e përgjimeve

Shefit të SHIU-t tashmë i kishin mbirë pikëla djerse mbi ball dhe ai i fshiu menjëherë me shpinën e dorës. I kishte akull të ftohta. Para tij dosjet qenë të pafund. “Sa paskam shkruar, u habit ai, sa shumë!”
Vazhdonte të hapte fletë e të griste, të shfletonte e të zhubroste, të kapte e të flakte. Televizorit i kishte kthyer kurrizin dhe nuk po e dëgjonte më. Pushteti e kishte lënë në baltë. Tani ishte e qartë që udhëheqësi i tyre, Presidenti, qe mundur dhe fitimtarë ishin ata që për pesë vjet i patën ndjekur e përgjuar. “Na tradhtoi, bëlbëzoi, na tradhtoi!” E sërish hapte fletë dhe i zhubroste, i griste, i flakte. Pas pak do t\'i digjte, do t\'i përvëlonte. “Oh, sa dosje paskam mbushur”, rënkoi. Pas shpinës së tij telelolësi vijonte shkundjen e fjalëve nga majat e dhembëve: \"Pas miratimit nga Gjykata e Kasacionit e kërkesës së prokurorit të përgjithshëm për transferim gjykimi nga gjykatat ushtarake të shkallës së parë Vlorë dhe Gjirokastër në gjykatën ushtarake të shkallës së parë Tiranë prokuroria ushtarake Tiranë po ndjek me përparësi kryerjen e veprimeve hetimore për ushtrimin e ndjekjes penale të subjekteve ushtarake të të gjitha niveleve si edhe për ngjarjet e ditëve të fundit të ndodhura në repartet ushtarake të rretheve jugore të vendit, ku nuk kanë zbatuar kërkesat e ligjit dhe të rregulloreve ushtarake, duke lënë në duart e bandave të armatosura armatimet e municionet e llojeve e kalibreve të ndryshme, teknikat luftarake si edhe materialet e tjera, pasuri ushtarake. Konkretisht në gjendje arresti ndodhet i pandehuri Mitat Islami, kapiten i rangut të dytë, me detyrë komandant i distriktit detar Vlorë. Po kështu ndodhet me gjendje ndalimi dhe është kërkuar në gjykatë vendosja e masës së arrestit ndaj të pandehurve Edmond Lubani, kundëradmiral, me detyrë komandant i Flotës së Mbrojtjes Detare dhe Roland Nasto, kapiten e rangut të dytë, shef operativ në komandën e kësaj flote. Nga hetimet e deritanishme rezulton se të pandehurit e larpërmendur, duke qënë në pozitën e kuadrove komanduesë kanë shkelur rregulloret ushtarake për mbrojtjen e armatimeve, teknikës luftarake dhe të repartit ushtarak duke lejuar kështu vjedhjen e sasive të konsiderueshme të armatimit, municionit dhe pajisjeve të tjera luftarake. Përveç sa më sipër në gjendje ndalimi ndodhet dhe është kërkuar vendosja e masës së arrestit edhe ndaj të pandehurit Shahin Muhaj, major, me detyrë komandant i repartit ushtarak 6623, Vlorë, i cili ashtu si të pandehurit që u përmendën më lart, nuk ka kryer asnjë veprim për të mbrojtur armatimin luftarak të repartit. Në momentin e ndalimit këtij të pandehuri dhe dy ushtarëve që ndodheshin me të iu gjetën dy automatikë dhe dhjetë granata luftarake\".
Shefi i SHIU-t e fshiu sërish ballin me shpinën e dorës. Nuk po arrinte dot të gjente disa raportime të tij për komandantin e bazës, ku shkruhej për një bisedë për veturë a ikje jashtë shteti. Pikëlat e djersës së ftohtë i ridolën dhe po i futnin ftohmën në zemër.
Pas kurrizit të tij spikeri vijonte derdhjen e fjalëve: \"Zëdhënësi i prokurorisë bën gjithashtu të ditur se prokuroria ushtarake Tiranë ka filluar menjëherë proçedimin penal në ngarkim të ish-pilotëve Ardian Elezi dhe Agron Dajçi, me gradat major, për krimin ushtarak të dezertimit në gjendje të jashtëzakonshme. Veprimet fillestare hetimore tregojnë se dy të pandehurit ishin ngritur në fluturim me avionin Mig 15, në zbatim të detyrave të lëna për të vëzhguar bandat e armatosura në zonën Tepelenë-Gjirokastër, por kanë devijuar kursin e fluturimit dhe janë larguar për në Itali. Prokuroria ushtarake ka dërguar në gjykatë vendosjen e masave të arrestit si edhe po ndjek proçedurat e përshpejtuara për të kërkuar ekstradimin e tyre\".

(Vijon)

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com