Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“AEROPORT LUFTARAK 1997” 5 MARS 1997, PILOTËT E BAZËS AJRORE TË KUÇOVËS PROTESTOJNË: NUK NGRIHEMI NË FLUTURIM


Urdhri për të arrestuar komandantin e bazës ajrore

Shkrimi i tetë

Ishte ora 9.00 e 5 marsit 1997. Biseda ndërmjet tyre kishte qenë në pamje të parë e vetëpërmbajtur. Shefi i shtabit shprehu vetëm shqetësimin se gjendja morale e pilotëve ishte jo vetëm e rënduar, por edhe në prag të ndonjë shpërthimi. Komandanti i bazës pati tkurrur vetullën e majtë dhe nuk e kishte pranuar përcaktimin e tij. I kishte thënë se e kuptonte tronditjen e tyre psikologjike. \"Jo psikologjike\" pati ndërhyrë shefi i shtabit, \"por morale\". Komandanti kishte vijuar “Trupa e pilotëve është e shokuar vetëm psikologjiksht, sepse e kanë vënë papritur përballë detyrash luftarake të papërfytyruara ndonjëherë\". Dhe kishte shtuar se kjo ishte edhe arsyeja përse nuk shihte mundësinë e një \"shpërthimi\" të gjendjes në bazë.
Në të vërtetë koloneli mendonte saktësisht si shefi i shtabit, por po e kundërshtonte për të mos e shndërruar në një të vërtetë që do të ndikonte edhe tek vetë grupi drejtues I bazës ajrore. Aviacioni luftarak mbetej shpresa e fundit e pushtetit politik në Tiranë për të realizuar epërsinë mbi kryengritësit e armatosur të jugut. Në duart e këtyre të fundit tashmë paten rënë armë e deri topa të të gjitha kalibrave. Dy-tre ditët e fundit edhe tanke e anije luftarake. Avionët kishin mbetur arsenali i paprekur i trupave qeveritare. Njëkohësisht arma e tyre e tmerrshme. Ndoshta edhe ajo që do të vendoste me kë do të qe fitorja.
“Pilotët më dërguan t’ju them se ata nuk duan të fluturojnë”, shqiptoi shefi i shtabit dhe vijoi: “Më janë lutur t\'ju them se kanë marrë vesh që në qytetin e Fierit janë vrarë njerëz të pafajshëm”. Pas një çasti të shkurtër, kur pa se komandanti po heshte: “Ata thonë se edhe posta e Fierit për informacion ajror nuk po u jep më të dhëna për fluturim”.
Ministri i Mbrojtjes për padëshirën e pilotëve të bazës ajrore të Kuçovës për t’u ngritur u njoftua në orën 9. 30. Argumentet që i paraqiti Vendkomanda Qendrore ishin “kanë dëgjuar që ushtria po vret popullin, se teknikën nuk e kemi mirë dhe nuk kemi siguri në pirofishekë”. Dhjetë minuta më vonë Ministri urdhëroi me telefon bazën ajrore të Rinasit të ngrihej një avion Mig i këtij aeroporti, të fluturonte mbi Delvinë, afër batalionit, të bënte 3-4 kalime ulët dhe të hapte zjarr paralajmërues me top.
Në orën dhjetë erdhi urdhri tjetër: Të goditen me bomba tanket që kanë marrë civilët në rajonin e Finiqit dhe Vllahatit. Për të kryer këtë detyrë të ngrihej një Mig 19.
Një çerek ore më vonë u urdhërua edhe baza ajrore e Kuçovës të ngrinte një avion tjetër Mig 19 që të realizonte të njëjtën detyrë: goditjen me zjarrin e topve të tij tanket e rrëmbyera nga civilë në rajonin e Finiqit dhe Vllahatit. Ministrit të Mbrojtjes iu raportua se të dy avionët qenë gati në orën 10.30. Njëzetë e pesë minuta më vonë iu raportua shefit të Shtabit të Përgjithshëm se pilotët nuk kanë parë gjë në territorin e thënë dhe as në rrugëkalimin Delvinë-Sarandë.

Polemikë mes komandantit të bazës dhe drejtuesit të shërbmit të fshehtë ushtarak të saj

Shefi i SHIU-t i bazës ajrore rrinte para tij dhe puliste sytë e gjelbër. Bëri disa herë të hapte gojën, por vetëm nxori majën e gjuhës së kuqe, e spërdridhte atë, e fuste brenda dhembëve dhe sërish e vërtiste jashtë. Pastaj nisi të flasë.
-Nuk vepruat mirë që iu bindët dëshirave të pilotëve. Vendi po digjet dhe atë nuk po e djeg populli i thjeshtë, por një grup rebelësh e banditësh politikë. Edhe mafia e njerëzit e saj të krimit. Janë bashkuar me ta edhe agjentura të huaja.
Vështrimi i tij ngjyrë lëmyshku xixëlliu.
-Përse të mos i shtypim ata? Ata nuk janë ngritur kundër nesh me banderola parrullash, me grushta të ngritura përpjetë apo me fjalime tribunash. As vetëm me gazeta dhe radio të huaja. Ata kanë në duar armë, pushkë e automatikë, mitraloza e topa, tanke dhe anije. Dhe po na luftojnë me to. Mos pushteti i ri demokratik duhet t\'u përgjigjet me fjalime dhe lutje? Armës i duhet përgjigjur me armë, automatikut me automatik, topit me top, tankut me tank, plumbit me plumb.
I ndalur para tij komandanti i bazës nuk arrinte dot të përballte të gjithë atë përmbytje fjalësh. Shefi i SHIU-t e hapte dhe e mbyllte gojën ritmikisht, por për çudi kur fliste nuk i dukej më maja e kuqe e gjuhës. I zbardhëllonin vetëm dhembët. Dukej sikur me to kapte, shkëpuste dhe hidhte drejt tij grumbujt e parreshtur të rrokjeve.
-Ne po ngrejmë në ajër vetëm një apo dy avionë e u themi pilotëve tanë që të shtjenë në ajër, në gërxhe malesh apo edhe mbi ndonjë makinë autokolone, të mbushur gjer në fyt me armë kundër nesh. Dhe ky qenka veprim kundër popullit?
Sytë e njeriut të shërbimit të fshehtë ushtarak tashmë qenë zvogëluar dhe futur brenda zgavrave.
-Në rast se banditët politikë dhe mafia e tyre po hedhin kundër nesh miliona fishekë e predha, ne nderim duart e xhveshura apo ngrejmë nëpër qiell për t\'i paralajmëruar dhe përmbajtur dy avionë. Vetëm dy avionë që nuk kanë me vete më shumë se njëqind predha, bomba dhe raketa.
Shefi i SHIU-t i çoi duart lart dhe pastaj i rrëzoi poshtë.
-Dhe për kaq gjë pilotët nuk duan më të ngrihen!? Për kaq gjë edhe teknikët duan të kryqëzojnë krahët!? Bravo, bravo!
Kreu i shërbimit informativ të bazës ajrore përplasi pëllëmbët. Fjalët i kishin mbaruar. Goja i ishte mbyllur e dhembët tërhequr brenda saj. Doli vetëm maja e kuqe e gjuhës.
Komandanti, i cili deri ato çaste e kishte ndjekur me një vështrim ngulmues, ia flaku drejt për së drejti fjalët e para: More ti, kujt i bën propagandë?
Tjetri ende lëvizte për inerci duart e spërdridhte majën e kuqe të gjuhës.
-Më dëgjo mirë, i thirri, mua si komandant i këtij regjimenti ajror nuk më duhet fare në diku demonstrojnë apo sulmojnë depot e armëve. Unë nuk jam polic, as trupë speciale dhe e ligjshme për mbrojtjen e rendit. Unë jam ushtri. Madje aviacioni i tij luftarak. Përdorem vetëm për mbrojtje të sovranitetit territorial të vendit nga një pushtim i huaj.
Përballë tij njeriu me barkun e rrumbullt qe zbehur, goja i kishte kapërdirë edhe majën e kuqërremtë të gjuhës.
-Jam ushtriiiii!, i sokëlliti sa tjetri u tkurr dhe u zvogëlua sa një iriq dhe pas pak iku duke u rrokullisur si topth.
Në orën 12.15 nga baza ajrore e Kuçovës iu raportua shefit të Shtabit të Përgjithshëm se nuk kishin benzinë B-70 dhe se pilotët kërkonin që për shqetësimet e tyre rreth detyrave luftarake që po u vinin, të vinte për t’i dëgjuar zëvendësministri i Mbrojtjes. Ndërkaq në bazën e Rinasit mbërriti urdhri për të çuar nga Tirana në Gjirokastër bateri me peshë 1.5 ton. Pas kësaj u bë gati menjëherë një helikopter.

Shefi i SHIU-t bëri disa përpjekje për të dalë pa u vënë re nga baza ajrore

Por në të gjitha rastet e pa më të arsyeshme që të kthehej mbrapsht pa rënë në sy. Megjithatë raportin sekret mbi atë ç\'ka kishte ndodhur atë pasdite duhej ta dërgonte sa më shpejt në Tiranë. Nëpërmjet telefonit nuk mund të bënte as edhe një bisedë të shkurtër, qoftë edhe me nëntekst. Në pultin e ndërlidhjes të aeroportit do ta kishin interceptuar menjëherë. Atje të gjithë ishin njerëz të komandës.
Atëherë kishte shkuar ndërmend daljen nga baza, duke e marrë raportin me vete. Në fillim atë e kishte futur në xhepin e brendshëm të xhakaventës, pastaj brenda çorapes, më vonë nën astarin e kapeles dhe më në fund në këpucë, ku e kishte shkelur mirë e mirë me këmbë. Por megjithatë druhej se rojet e përforcuara që vëzhgonin çdo gjë, me siguri do t\'i kërkonin lejedaljen, e cila sipas urdhrit të brendshëm, duhej të qe me shkrim dhe e firmosur nga vetë komandanti.
Raporti fare shkurtimisht thoshte: Në orën 12.00, pasi ishte bërë edhe fluturimi i fundit, komandanti i bazës njoftoi Vendkomandën Qendrore se gjëndjen e kishte shumë të rënduar dhe se pati marrë vendim të mos ngrinte asnjë avion. Tha se nuk do të fluturonte për çdo lloj detyre, as për zbulim. Ai vuri këtë kusht: \"Nuk zbatoj asnjë urdhër për t\'u ngritur pa na ardhur një përfaqësues nga lart e që të na sqarojë detyrën\".
Në këto kushte, në orën 15.00 erdhi në repart nënministri i Mbrojtjes. Qe i shoqëruar nga një veteran i aviacionit. Takimi u bë vetëm me pilotët, ndërsa efektivi priste jashtë. Disa ndenjën edhe nëpër vendet e punës e të shërbimit.
Atmosfera e mbledhjes ishte e acaruar. Komandanti përpiqej të mos dukej që përkrahte rebelimin e pilotëve. Shefi i shtabit rrinte mes tyre dhe nuk e fshihte këtë përkrahje. Komandanti i krahut ajror që është edhe zëvendëskomandant i bazës ajrore, duket në mëdyshje, por mund të jetë kundër revoltës.
Me forcë pilotët që folën, i kërkuan nënministrit: Të ndërpriten veprimet luftarake, të fillojë bisedimi ndërpartiak dhe kapërcimi i krizës nëpërmjet zgjidhjes politike, nuk zhvillojmë më fluturime jo vetëm për arsye teknike, sepse për mbrojtjen e hapësirës ajrore, tokësore dhe detare, për atdheun, në sulmohet, ngrihemi edhe fare pa pirofishekë (ky është mjet që shpërthen katapultën e shpëton jetën e pilotit) por për arsye morale dhe politike të gabuara nga dikasteri e lart. Disa diskutantë përsëritën fjalët \"për karrigen e një personi nuk gjakoset populli\".
Gjatë gjithë mbledhjes u fol me ton. Zëvendësministri tha se \"Ju po ngrini probleme politike, unë nuk kam ardhur për këtë punë...nuk kam punë me to..\". Disa pilotë iu përgjigjën me fjalët se \"kur nuk kupton as këtë gjë, pra se çfarë po bëhet, atëherë përse ke ardhur? Kjo që po ndodh është diçka politike, vetëm politike\".
Disa persona të bazës, të njohur për pikëpamjet e tyre të kuqe, mendoj me nxitjen e shefit të shtabit (njeri tepër i dyshimtë e mbase në shërbim të agjenturave të huaja) dhe jo pa përkrahjen e tërthortë të komandantit, janë shkaktarët kryesorë të rebelimit në bazë. Ngjarjet po ecin me aq shpejtësi në favor të tyre sa sot ose e shumta nesër baza ajrore do të bjerë në duart e këtij grushti bolshevikësh. Kjo do të thotë se avionët shumë shpejt do të ngrihen në ajër për t\'u nisur drejt Tiranës dhe kundër qeverisë demokratike. Prandaj situatën e gjykoj alarmante dhe të nevojshme për ndërhyrje.
Shënim: Pilotë që marrin detyra luftarake e pastaj ulen në bazë u thonë shokëve të tyre se të dhënat që u jepen nga Vendkomanda Qendrore nuk janë reale. Ata dyshojnë e thonë shpesh \"Nuk e kuptojmë nga u vijnë këto të dhëna\". Në biseda me ta unë kuptoj dhe shpreh dyshimin se ka dizinformim të qëllimtë ose nga disa oficerë të Vendkomandës Qendrore ose nga njësitë speciale të jugut rebelët kanë plaçkitur edhe radio komanduese. Qëllimisht apo jo, nga maniakë apo profesionistë për diversion, nëpërmjet tyre bëhen në qendër raportime false. Kështu ata provokojnë devijim dhe shkatërrim të efektshmërisë së veprimeve ushtarake kundër rebelimit”.

Dy pilotët shqiptarë të arratisur në aeroportin ushtarak të Galatinës në Itali

Folësja në studio e kanalit të parë të Tevizionit Italian, ora 20.20: \"...Dhe tani në lidhje me uljen në bazën ajrore të Galatinës të dy pilotëve shqiptarë. Ju kujtohet ngjarja? Ajo ka shkaktuar reagime, kritika. Ridimensionohen tashmë polemikat mbi sistemin tonë të mbrojtjes ajrore. Autoritetet kompetente përgjigjen se \"nuk mund të shmangnim uljen e Mig 15 në tokën italiane, sepse në fund të fundit nuk po vinte me ndonjë qëllim armiqësor. Edhe nga ana e pilotëve shqiptarë nuk u vu re një gjë e tillë\".
Ndërkaq studioja e Raiuno u lidh me gazetarin e terrenit. Ky nisi të thotë “Është i parkuar në hangarin e bazës ajrore të Galatinës avioni shqiptar Mig 15, në pritje të vendimit të qeverisë italianë që t\'u japë apo jo azilin politik të kërkuar nga dy pilotët. Këta janë dëgjuar sot për një kohë të gjatë nga hetuesit në kuesturën e Leçes. Sapo kanë kaluar njëzetë e katër orë nga ngjarja e shpërthejnë polemikat mbi sistemin tonë të mbrojtjes ajrore.
Flet një oficer i lartë: Nga vëzhgimi me mjete pasive dallohej që ishte një avion pa synime armiqësore në mos ishte edhe në kërkim të një vendi për t\'u ulur. Deri sa më në fund u kap një sinjal i dobët i ndihmës që avioni kishte kërkuar. Në rastin me Shqipërinë, po qe se nuk ke të dhëna të mëparshme ose gjëndje paragatishmërie për kërcënim, është shumë e vështirë. Duhet ditur se mjaftojnë vetëm gjashtë minuta që një avion të vijë nga Shqipëria.
Flet vetë komandanti i bazës së Galatinës: Ata nuk kishin as frekuencat e zakonshme që ne përdorim për komunikim, as mjete të tjera. Ndoshta përdornin frekuenca e mënyra që ne nuk i njohim.
Pas pak gazetari vendas i Raiuno-s e pyetI “Ka të ngjarë që në ditët e ardhme të përsëriten ngjarje si kjo e djeshmja?” Përgjigja e komandantit të bazës: Është e përjashtuar mundësia të vijnë në masë nga Shqipëria Mig 15. Ajo nuk ka shumë avionë.
Pastaj kronika e kanalit të parë të televizionit italian u mbyll me pamje të avionëve modernë italianë të bazës ajrore të Galatinës, të cilët ngriheshin vrulltazi në qiell.

Urdhri për të arrestuar komandantin e bazës ajrore

Baza ajrore e Kuçovës, ora 9.25. Komandanti i raporton Vendkomandës Qendrore: Pilotët nuk lejojnë teknikët të përgatisin avionët, teknikët nuk pranojnë të përgatisin avionët dhe të firmosin, pilotët nuk duan të ngrihen. Kërkoj që të fus avionët në tunel.
Ora 9.30: U hap fjala se do të arrestohej komandanti i bazës. U muarr vesh rastësisht, ndërsa disa pilotë po pinin kafe para postobllokut. Disa policë të qytetit fqinj i pyesin \"A ua arrestuan komandantin?\". Pilotët shtangën. \"Dimë që në komisariatin tonë ka dalë urdhri për ta arrestuar\", shtuan policët. Atëherë grupi i aviatorëve u ngrit dhe shkoi në shtab. Me zor e morën komandantin dhe e vendosën mes të gjithë pilotëve dhe teknikeve. Ai nuk dinte gjë dhe as e kuptoi për një kohë të gjatë se përse vepronin ashtu njerëzit e tij. Herë bënte shaka dhe herë brengosej. Vetëm kuptonte se po vepronin në të mirë të tij. Shumë vonë, në fund të asaj dite, u konfirmua se kishte patur një urdhër të vërtetë për ta arrestuar”.

(Vijon)

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com