Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ÇFARË FSHIHET PAS MUNGESËS SË FOTOS PËR NGRITJEN E FLAMURIT NË 28 NËNTOR 1912?
AMERIKË, PSE TË DUAN KAQ SHUMË SHQIPTARËT
FLAMURI QË U NGRIT NË VLORË DHE KASTRIOTI I PESTË, ALEANDRO
22 NËNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBËTAR NËPËR NJË DET TË MINUAR
PASARDHËSIT NË ITALI TË SKËNDERBEUT NË KRYE TË MBROJTJES SË PAVARËSISË SË PORSASHPALLUR
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“AEROPORT LUFTARAK 1997” KUÇOVË, 4 MARS 1997, URDHRI NGA LART PËR TË QËLLUAR ME AVION MBI NJË AUTOKOLLONË QË GRABISTE ARMË


Dhe për të bombarduar burgun e Bënçës, ku mund të ndodhej Fatos Nano

Shkrimi i shtatë

Në orën 13.40 të 4 marsit 1997 shefi i Shtabit të Përgjithshëm urdhëroi me telefon që të ngrihej një avion luftarak për të fluturuar mbi rrugën Vlorë-Tepelenë. Në fshatin Arëz duhej, për ta nxjerrë jashtë përdorimit, të godiste makinën e kreut, të fundit dhe të mesit të një autokolone.
Katër minuta më vonë u vendos që nga baza ajrore e Kuçovës të ngrihej një Mig 19, tip aeroplani, i cili ishte i pajisur me raketa ajër-tokë. Në 13.50 qe shefi i shtabit i Vendkomandës Qendrore që saktësoi se piloti do ta godiste autokolonën në dalje të Tepelenës, në rrugën që shkon në Vlorë, në fshatin Turhan. Ai tha se ajo po ngarkonte ilegalisht armatim dhe municion dhe se kamionët nuk kishin njerëz brenda.
Koloneli komandant i bazës ajrore të Kuçovës gjykoi se urdhri ishte më së paku absurd. Makinat nuk mund të qenë pa njerëz, të paktën dy-tre veta secila. Kishte dhelpëri brenda, por edhe paligjshmëri të madhe. Tërthorazi qe dhënë urdhri për të vrarë njerëz. Kjo donte të thoshte se në atë pasmesditë të 4 marsit ngjarjet paten marrë një kthesë të rrezikshme.
Vendimin e mori në ecje e sipër. Nuk u kthye për në zyrë, por i la këmbët të rendnin drejt vendkomandës. Porsa hyri aty kërkoi me sy shefin operativ të saj. Ky, me një fletë të shpalosur harte, ishte murrosur në drejtqëndrim.
-Të regjistrohen në manjetofon të gjithë urdhrat që jep Vendkomanda Qendrore dhe çdo komandë tjetër eprore!
Oficeri vartës në fillim bëri një lëvizje konfuze duarsh, pastaj u duk sikur deshi të shqiptonte fjalë. Në këtë grimë kohe midis lëvizjes dhe fjalëve copa e hartës bëri një kërcitje dhe pastaj ra përdhe.
-Si urdhëron!
Komandanti i bazës instiktivisht po vështronte hartën e rrëzuar. Dikush nga oficerët e tjerë u përrul dhe e ngriti.
-Të regjistrohen edhe të gjitha bisedat e pilotëve në ajër!
-Si urdhëron!
-Po kështu të shkruhet gjithçka që thonë piloti dhe Vendkomanda Qendrore!
-Si urdhëron!
Shefi i vendkomandës së bazës ishte përgjigjur me një zë si të largët. Koloneli ia nguli vështrimin për ta hetuar përse po reagonte duke u nemitur.
-Duhet të më kuptoni- shqiptoi komandanti - Pak ditë më parë na thanë \"Ngrihuni dhe shihni pak se çfarë po ndodh në Vlorë\". Ne u ngritëm. Pastaj na thanë të ngriheshim përsëri e të shihnim çfarë bëhej në Përmet. Fluturuam edhe gjer atje. Më vonë na treguan Tepelenën, Sarandën, Gjirokatrën. Fluturuam edhe për atje. Pamë, raportuam dhe u kthyem. Nga toka edhe na qëlluan me predha, por ditëm t\'u shpëtojmë. Komandanti i bazës ajrore fliste dhe oficerët e shtabit heshtnin. Dukej sikur të dy palët rrinin në dy brigje të largëta të një lumi plot rrëmbim dhe dallgët sillnin vetëm jehonën e thirrjeve që niseshin nga përtej.
Komandanti mëshoi fjalë “Kaluan vetëm një dyzinë orësh dhe na urdhëruan të qëllojmë në ajër. Dhe ne qëlluam. I pari unë”.
Prej diku, ndoshta nga rradhët e fundit të oficerëve, u përgjegj një \"po\" fare e dobët.
-Përsëri nuk kishin kaluar as pak orë të tjera e na erdhi urdhri i prerë: \"Qëlloni mbi shpatet e maleve\"! Ne përsëri e zbatuam urdhrin e drejtuam grykat e mitralozave dhe të topave mbi shpatet e maleve. Sot na thanë qëlloni autokolonën! Pra, njerëzit. Sepse një autokollonë nuk vihet në lëvizje nga jashtëtokësorë.
Komandanti bëri pauzë dhe papritur, si t\'i thoshte diçka qiellit apo të binte në gjunjë një fuqie të përtej kozmosit, ngriti duart drejt tij.
-Por ne nuk mund të shtjemë drejt njerëzve, më së pari sepse ata janë njerëz, së dyti se janë shqiptarë. Janë nga po ky gjak dhe nga po ky mish që kemi edhe ne.
Ai fliste dhe fikthi i hovte. Si të ishte ai që i nxirrte fjalët nga thellësia e gjoksit.
-Po qëlluam mbi njerëzit, kjo do të thotë se filloi lufta. Të gjitha të tjerat janë llafe.
Komandanti mezi po merrte frymë dhe fjalët po delnin si gurë të rëndë. Zorshëm.
-Po shtimë mbi shqiptarët, kjo do të thotë se nisi lufta civile. Të tjerat janë demagogji.
Nuk kishte më fuqi. Ndjehej sikur në gjoks i kishte mbetur vetëm zbrazësi. Nuk kishte më në të as ajër për të formuar fjalë të tjera.

Pse nuk e zbatoj urdhrin tuaj

Zyrën e tij koloneli e mbërriti ngutshëm dhe menjëherë çoi lart dorezën e telefonit.
-Vendkomandën Qendrore!
Në degën e ndërlidhjes u bë pak zhurrmërimë dhe menjëherë në receptor u dëgjuan goditjet e sinjalit thirrës. Zëri nga larg hyri i zvargur: Jemi Vendkomanda Qendrore.
-Dua komandantin.
Zëri përmatanë u gërvish.
-Unë jam zëvendëskomandanti.
Komandanti i bazës ajrore të Kuçovës u përmbajt: -“Zoti zëvendëskomandant, jam...”. “Të njoha nga zëri”, tha tjetri. “Duhet të më kuptoni...Unë nuk mund ta zbatoj një urdhër të tillë. Nuk mund të qëllojmë mbi autokolonën”. “Avioni është në fluturim?”, shqiptoi zëri përtej. “Po. Ndoshta tani ndodhet në afërsi të objektivit”.”Një urdhër i tillë moralisht, por edhe teknikisht është i pamundur. Ju e dini fare mirë se Mig-19 duhet të shkojë në 600-700 metra që të qëllojë në shenjë”. “E di, e di”, tha zëvendëskomandanti i Vendomandës Qendrore, Në grykën e Turhanit dhe të Bënçës nuk mund të qëllosh në shenjë pa u ulur gjer sa ta kapë shenjestra. Një ulje e tillë aty është e pamundur për shkak të relievit. Megjithatë nuk është kjo kryesorja. Kryesorja është të kuptojmë se kështu është urdhëri: të qëllohet”.
Pasi bëri një pauzë sa një marrje fryme eprori nga Vendkomanda Qendrore shtoi: “Por ju në asnjë mënyrë nuk do të qëlloni kundër objekteve tokësore”.
Koloneli u emocionua. Trupi iu mbush me mornica.
-Lajmëro menjëherë pilotin!- vazhdoi zëri i largët.
Koloneli pa sërish orën. Ishte 14.50.
Dhjetë minuta më pas nga Vendkomanda Qendrore iu telefonua Ministrit të Mbrojtjes dhe iu tha: “Avioni i bazës ajrore e kreu detyrën, fluturoi në rrugëkalimin Berat-Tepelenë, në kuadratin 54-14, nga Tepelena në Qafë-Dushë, kontrolloi depot e municionit në Turhan, ku u panë 2-5 vetura në rrugën nacionale dhe një makinë ushtarake tip \"Gaz\" që dilte nga depot për në rrugë, kontrolloi depot në fshatin Arrëz si edhe ato të Tërpanit dhe nuk pa gjë”.
Tjetri nuk këmbënguli fare përse nuk u qëllua.

Fluturim në mbi tremijë metra, drejt Bëncës

Komandantit të bazës ajrore të Kuçovës urdhri për të fluturuar drejt Bënçës i kishte ardhur kaq papritur sa nuk po i linte kohë të kuptonte përse nga autoritetet eprore, patjetër përtej Vendkomandës Qendrore, ishte zgjedhur pikërisht ai. Me emër. Si sfidë sepse pak më parë sapo kishte kundërshtuar?
Teknikët bënë shenjën se çdo gjë qe në rregull dhe avioni mund të ngrihej. Urdhri kokëfortë i komunikonte ta mbushte rezervuarin plot me karburant, topin me të gjitha predhat, barkun me të njëzetë raketat ajër-tokë dhe të godiste një autokolonë. Por të mos qëllonte mbi njerëzit!?
Ai mbylli kabinën. Pas xhamit të plastmastë gjithçka rreth e rrotull u bë më e mveshur dhe opake. Ndezi motorrat dhe Migu filloi të dridhej. E kishte vendosur: do të ngrihej. Do të shkonte në drejtim të objektivit të urdhëruar, por nuk do të qëllonte drejt tokës. Predhat dhe raketat do t\'i hidhte në ajër.
U nis drejt startit. Ora ishte 16.16. Katër mars 1997.
Një minutë më vonë ishte në ajër.
Kolonelit qielli i u duk i zbardhëllyer, i pangjyrë, i xhveshur nga retë, pa diell e pa një reze drite. Bosh. Edhe pa ajër. Avioni i dukej pa peshë. Pa rëndesë e ndjente veten edhe ai. Po të mos hidhte sytë përtej xhamit opak të kabinës e të shihte poshtë tokën do të kishte menduar se ishte në kozmos. Diku mes Hënës dhe Marsit. Në një ikje të pazhurrmë, të padëshiruar, të pashpresë për t\'u rikthyer.
Po e futnin në grykën e një lugine, ku trupi i Migut mund të shtypej si nën një presë. Do të përplasej nëpër faqet e maleve dhe do të thyhej. Tashmë në kufjet e radios qenë tretur edhe zërat e fundit nga vendkomanda e aeroportit dhe ajo qendrore.
Piloti i dërguar më parë ishte kthyer në bazë e kishte raportuar në vend të konfirmonte praninë e autokolonës që në Turhan po rrëmbente municion prej depove ushtarake, raportoi “nuk shoh grumbullime\". Tashmë ajo fantazmë autokolone qe rishfaqur në alarmin e drejtuesve të rangut qeveritar. Ishte shndërruar në ide fikse.
Po fluturonte në tre mijë metra. Po rrëshqiste, po hiqej zvarrë. Përse vallë kishin kërkuar që të ngrihej pikërisht ai? Përse po e dërgonin drejt Bënçës?
Migu nuk ndihej. Dukej sikur i kishte fikur motorrat dhe fluturonte vetëm për inerci. Në kufje u bë zhurrmë, por fillimisht nuk u dëgjua asnjë zë. Ai mbërriti pas një grime: “Ku je?”. Iu përgjigj: “Shoh kështjellën e Tepelenës”. Ato çaste para syve iu shfaq gryka e Bënçës. Gjysmë e errët. Vrimë ku, po të futej, do të humbiste. Gropë fatale. “Tani duhet të jesh mbi objektiv”, u dëgjua në kufje prej Vendkomandës Qendrore. “Po”. “E dallon autokollonën?” “Jo, nuk shoh asnjë autokolonë. Dalloj vetëm një “Tojota\" të bardhë që vrapon për në Tepelenë”. “Vetëm kaq?”
Komandanti i bazës ajrore të Kuçovës vazhdonte në ndiqte me sy makinën e bardhë dhe të vetmuar iu duk se ajo pamje qe përpjekja e fundit e dritës për të përballuar muzgun. Poshtë “Tojota” iu bë si makinë dasme. Po ku ishte vallë nusja? Ndërkaq Migu bëri poshtë dhe vrima e luginës së Bënçës u duk sikur e thithi trupin e tij të imët. Njëmijë metra lartësi fluturimi qenë kuotë e rrezikshme. Duhej të fluturonte më sipër. Të paktën në njëmijë e pesëqind. Ndërkohë \"Tojota\" e bardhë nxitonte dhe ai nuk kishte më asnjë grimë kohe për të parë në vërtet mbi të kishte një nuse dhe nëse vellon e saj po e gufonte era. Iu duk se në të ndodheshin edhe dy fëmijë.
“Nuk sheh gjë tjetër?”, dëgjoi në kufje. “Jo”. Ndërkaq Migu kaloi furishëm mbi grykën e zezë të Bënçës. Qielli po trazohej si të ishte në prag të një stuhie. Retë u bënë shtjellë e u zymtuan. “Pyesin nga lart, u ridëgjua zëri prej Vendkomandës Qendrore, se çfarë sheh poshtë”. “Pashë vetëm një °Tojota\" të bardhë dhe dy fëmijë që tundin duart”. “Asgjë tjetër?”. “Asgjë. Autokolonë nuk ka”.
Në kufje nuk u dëgjua zë tjetër. Pas kësaj koloneli u ndje më i lehtë, gati si pa kokë. Por e gjithë kjo gjendje zgjati vetëm një sekondë. Menjëherë, sikur të kishte hyrë në kabinë prej atij qielli që po mugej, një alarm ja hovi trupin: mos duan të qëlloj burgun e Bënçës?
U rrënqeth i gjithë. Atje ishte mbyllur nga shteti shefi i opozitës së majtë. Mos po e vërtitnin nëpër këtë qiell në errësim vetëm për t\'i gjetur rastin, para se të rikthehej në aeroport. t\'i jepnin urdhrin \"hap zjarr mbi burg\".
“Të kthehem në bazë?” pyeti me ngut Vendkomandën Qendrore. Donte t\'i shpëtonte hatasë që po ia hamendësonte turbull truri i nxehtë. “Jo. Kalo edhe njëherë mbi Bënçë!”
Koloneli nuk mundi të përgjigjej. “Dyqind e katra, dëgjove?, e thërritën me indeksin e tij ushtarak. Po e kanosnin me thyerje disipline. U ktheu përgjigjen “Si urdhëron, të kaloj edhe njëherë mbi Bënçë”. “Në rregull”.
Mig 19-ta nisi ngadalë rrotullimin. Ai po dridhej shumë. Lëkundej si të kishte humbur ekujlibrin dhe nga çasti në çast do të rrëzohej. “Futu në luginë!” e urdhëroi papritur një zë i panjohur. “Si urdhëron!” Tashmë komandanti i bazës ajrore të Kuçovës po mendonte me shpejtësi se në cilën pjesë të shpatmalit duhej të hidhte raketat. Ndodhej pothuaj mbi grykën e mesmaleve. Në anë të një rruge të pluhurt dhe mes pemëve të xhveshura u shfaq struktura e godinave të burgut. Si të strukura brenda luginës. Që ta qëlloje atë grumbull grehinash të ndërtuara rrafsh me tokën, duhej të ulte avionin në gjashtëqind-shtatëqind metra. Buzët e ishin tharë. Nëpër mjegullim iu kujtua se në aeroport mëngjezin e vonë të asaj dite kishin mbërritur fjalë se drejtuesin e opozitës e kishin larguar nga burgu me njërin nga helikopterët e bazës ajrore të Rinasit.
“Qëllo!” i gërvishën në kufje. “Ku?” “Në shpat të malit”. “Si urdhëron, në shpat të malit!”
Në Vendkomandën Qendrore nuk kishin ndërmend të futeshin në grackën që politika po ngrinte përtej tyre
Koloneli e ngriti Migun në 6000 metra dhe tërhoqi këmbëzën. Furia e raketave iu vërsul qiellit që po errej, duke lënë pas drithërima ajri, vija tymi të bardhë dhe buçima të largëta shpërthimi.
“Qëllova”, raportoi. “Në rregull. Merr urdhrin tjetër! Shefi i Shtabit të Përgjithshëm urdhëron që të kalohet me avion në drejtimet Delvinë-Bistricë dhe të bëhet zjarr paralajmërues, sepse në drejtimin e Bistricës po bëhet tentativë për shkatërrimin e hidroçentralit”.
Në 16.38 koloneli e informoi Vendkomandën Qendrore se në drejtimin Bistricë-Delvinë nuk kishte asgjë të veçantë.
Kur zbriti në bazë komandantit të saj iu bë se sapo kishte parë silhuetën e shefit të SHIU-t. Lëvizte nëpër gjysmëerrësirë, pas çiftit të avionëve roje. U përpoq ta largonte sa më shpejt atë haluçinacion.
Në vendkomandë, në orën 21.00, teleteksti i Rai-t shkruante: \"Një avion ushtarak shqiptar, një Mig 15, dyvendësh, është ulur në bazën ajrore të Galatinës (Leçe). Është një avion stërvitor, pa armë në bord. Të dy pilolët, pasi u çuan në kuesturën e Leçes, u kanë kërkuar autoriteteve italiane azil politik.
\"Ikëm sepse na dhanë urdhër të qëllonim mbi një kolonë me mjete civile afër Gjirokastrës\" tha njëri nga dy pilotët. Urdhri për të qëlluar u është dhënë kur dy ushtarakët ishin ndërkohë në fluturim.
Ministria Italiane e Mbrojtjes tha se ishin hetime në vazhdim\".

(Vijon)

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com