Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“AEROPORT LUFTARAK 1997” “DËGJO DHE MBA VESH MIRË, KOMANDANT: PO U NGRIT QOFTË EDHE NJË AVION DO TË VRASIM GRUAN DHE FËMIJËT”


(Botuar në “Shqiptarja.com” më 26 shkurt 2017)

Shkrimi i gjashtë

Fletorja e trashë e ditarit të bazës

Telefonata ishte prej prefekturës së Beratit. Komandanti në fillim u habit. Prefekturë!? Ishte gati të thoshte \"ku e kam dëgjuar këtë fjalë?\" Mbase ajo vinte prej një bote tjetër. U përgjigj me një \"po\", gati si klithmë. Matanë receptorit i thanë me një zë të zvargur e monoton se duhej të vinte në mbledhjen e këshillit të mbrojtjes.
Ai mezi mbajti klithmën tjetër të habisë: Këshilli i Mbrojtjes!?
Përtej e pikasën se komandanti i bazës nuk po i kuptonte. Shpjeguan: Sipas vendimit të parlamentit për situatën e jashtëzakonshme në çdo rreth ngrihej këshilli i mbrojtjes, i cili merrte përsiper detyrat e organit suprem për drejtimin e situatës.
Atij i shpëtuan fjalët: Po unë ç\'hyj këtu? Jeni anëtar i këtij këshilli, i derdhi përgjigja. Unë duhet të jem në çdo çast në aeroport, u përpoq të sqaronte, por zëri në receptor të telefonit tha prerë: Kemi biseduar edhe me eprorët tuaj. Kur duhet të vij, pyeti komandanti. I thanë: Sa më shpejt. Mbledhja është lënë në orën 23.00.
U rikthye në aeroport pas mesnate. Trupi i ziente nga lodhja, por çuditërisht nuk i dukej i rënduar. Kapi me majat e gishtave fletoren e trashë të ditarit të bazës ajrore. Ngriti kapakun e kartontë. Kishte gjithnjë emocion kur i avitej asaj fletoreje. Sot pati dashur të hidhte disa fjalë, por u tërhoq. Në të vërtetë ditarin e bazës ajrore nuk e mbante komandanti i saj. Qe bërë zakon ta mbushte me shkrimin e tij të imët shefi operativ. Ndonjëherë hidhte mbi letrën e bardhë shkrimin e vet të shpejtë edhe shefi i personelit.
Nisi ta shfletonte. Rreshta të shkruara në orë të mbrëmjes, në pasdite me re, natë me hënë, mesditë e nxehtë, pistë me borë, shi i rrëmbyer, vetëtima në lartësi të ulta, rezervë karburanti që po mbarohet, tre predha mësimore, parashytë e hapur përgjysmë, katapultë, qafë mali e mbuluar nga mjegulla, det i kthjellët e pa anije, urdhër i orës 21, 6.40, 11.55, anulim i urdhrit....
Tani po i vinte të vinte kokën mbi kapakun e rëndë të asaj fletoreje dhe të flinte një çast. U përhumb, por qe zilja e telefonit që e zgjoi pas pak minutash. Ngriti receptorin dhe shqiptoi fjalët \"Po dëgjoj\". Një zë i panjohur u kollit pak, si të pastronte fytin: “Dëgjo e mbaj vesh mirë, komandant! Po u ngrit edhe një avion, do të vrasim gruan dhe fëmijët”.
Ai u përpoq të gjente qoftë edhe një fjalë të çfarëdoshme për t\'i kthyer përgjigje, por përmatanë doreza e telefonit ishte ulur dhe nëpër natë nuk vinin veç pickimet e sinjalit të ndërprerë.
E uli dorezën dhe pastaj vetëtimthi e ngriti. Pastaj shtypi furishëm tastet. Në shtëpinë e tij u përgjegjën menjëherë. Fjalët e para ishin si të përçartura, si jeni, përse nuk keni fjetur, po dy çunat aty janë, aha, po flenë. Po ti përse nuk fle? Unë jam mirë, e thashë njëherë. Ju si jeni?
Gjuha po i trashej, fjalët po i bëheshin plumb. Ato binin mbi njëra-tjetrën, shtypeshin, rënkonin.
Mirë, mirë jemi, po ti si je? Të duam pranë, kemi nevojë për ty, kemi mall...
Fjalët e së shoqes për një çast reshtën. Heshtja e beftë, si të ishte gropë, u mbush me një vërshim ngashërimi.
Çfarë ke, përse qan, më thuaj, ç\'janë këto lotë?
Dënesa përtej u shndërrua në gulç.
Kanë gjithë pasditen dhe natën që na marrin në telefon. Thonë që ti nuk duhet të ngresh më avionët, ndryshe...
Komandanti i bazës ajrore arriti vetëm të bërtasë thekshëm: Kush janë ata?

Përgjim me përparësi i komandantit të bazës

Shefi I SHIU-t kishte mbyllur sy vetëm dy orë. E kishin ngarkuar për të dytën herë të përgjonte komandantin e bazës. Urdhri erdhi drejt për së drejti nga qendra e shërbimit të tij në kryeqytet. Kishte kaluar nëpër drejtorinë e shërbimit informativ në Ministrinë e Mbrojtjes, por patjetër duhej të ishte nisur nga selia misterioze e SHIK-ut në periferi të Tiranës.
Të ndiqte komandantin!? Urdhëri surprizë në fillim e kishte shushatur. Gjithë kohën e kishte pritur, por nuk kishte shpresuar shumë se do të ekzistonte një ditë që ai do të vinte. Ai ishte një ushtarak i rangut të mesëm, në mos të ulët dhe jo fort të përfillur në Ministri. Krejt ndryshe ishte një komandant baze të madhe ajrore. Ai ishte nomenklaturë e ministrit dhe më tej nga ai. Një toger si ai varej dhe emërohej thjesht nga një drejtori i kësaj ministrie.
Megjithatë e kishin ngarkuar përsëri ta përgjonte. Urdhëri kishte mbërritur pak para se të binte nata e shkuar dhe para mesditës së të nesërmes i kërkohej raporti i parë. Urgjentisht.
Edhe kur ishte vetëm komandant i krahut ajror e kishte ndjekur, por atëherë me iniciativën e tij. I sigurtë që kishte nën përgjim një oficer të së majtës. I patundur në idenë se pas një lidhjeje të tij të vjetër me një ish-pilot të bazës, të ikur jashtë shtetit, do të zbulonte dorën e një agjenture të huaj. Por pas disa muajsh eprorët i thanë të hiqte dorë e nuk donin më raporte për të.
Tani urdhri mbërriti tepër urgjentisht: Përgjim me përparësi!

Arratisja në Itali e dy pilotëve të bazës ajrore të Rinasit

Ndërkaq në orën 12.22 Vendkomanda Qendrore ngriti në ajër çiftin e gatshëm të bazës ajrore të Kuçovës për arsye se avioni i ngritur nga aeroporti i Rinasit nuk përgjigjej në radio. Në 12.35 gjeneralmajori dha urdhër që pavarësisht se nuk përgjigjeshin, dy pilotëve t\'u jepej komanda të hidheshin me parashutë. Megjithatë në 12.45 Vendkomanda Qendrore raportoi se nuk kishin lidhje me avionin. Pesë minuta më vonë gjeneralmajori e informoi shefit të Shtabit të Përgjithshëm se Mig-u nuk përgjigjej në ajër dhe se koha e fluturimit pati mbaruar.
Në orën 13.15 gjeneralmajori i raportoi Ministrit të Mbrojtjes se ende nuk dihej fati i avionit me pilotët Arian Elezi dhe Agron Daci, të cilët ose qenë rrëzuar ose kishin ikur në drejtim tjetër. Dhjetë minuta më vonë ai u tha shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrit të Mbrojtjes se avioni qe ulur në Brindisi të Italisë.

Prefekti: na jepni armë për t’u shpërndarë në “popull”! Komandanti i bazës: Nuk jap.

Komandanti hyri në zyrën e prefektit dhe e kuptoi se ishte i fundit. Anëtarët e tjerë të këshillit të gjendjes së jashtëzakonshme kishin ardhur që më parë. Që të gjithë ja hodhën ftohtësisht vështrimin. E mbylli pas vetes derën ngadalë, me shpresë se kjo do t\'i jepte kohë të frenonte atë dallgë të beftë përskuqjeje. Dhe të mblidhte veten. Kur u kthye nga njerëzit e heshtur përreth tavolinës pati përshtypjen se diçka kishte arritur të ruante nga dukja e tij prej ushtaraku. Me shpejtësi të habitshme u bë hijerendë.
I pari vuri buzën në gaz prefekti. Pastaj i zgjati dorën. Ajo ishte e thatë, si copë druri. Komisari i policisë ja hodhi pëllëmbën tërë shkujdesje. Ajo ishte paksa e djersitur dhe e nxehtë. Kryetari i bashkisë një çast e tërhoqi dorën dhe u duk se do ta fshihte pas shpine apo në një nga xhepat e pantallonave, por, si të kishte kthyer mendje, e lëshoi atë rrëmbyeshëm drejt komandantit të bazës. Si një copë hekur. Shefi i SHIK-ut u çua nga karrigia, por vetëm aq sa u kuptua që nuk ishte shumë entuziast nga ardhësi i ri. Të dyja pëllëmbët i mbajti të lidhura me njëra-tjetrën, sikur të desh të mos i linte të shkëputeshin në se ndonjëra nga ato kuturiste të zgjatej. Kryetari i rrethit kishte kohë që e mbante nderur pëllëmbën e tij të rrumbullt. Komandanti i bazës ja mori atë në duar me dëshirë dhe e shtrëngoi fort. Ajo qe e butë dhe miqësore.
Më në fund u ul.
-Fillojmë- tha prefekti. Pastaj shtoi: Është fjala për armatosjen e popullit. Një çast bëri pause e vijoi: Ju tashmë e dini se një rebelim i kuq po rrezikon demokracinë e brishtë shqiptare. Ata po përdorin armët. Atëherë edhe ne do t\'i përdorim. Rebelët për të na luftuar, ne për t\'u mbrojtur.
Prefekti krejt papritur e përplasi grushtin mbi tavolinë: Do të mbrohemi dhe do të fitojmë!
Hej, hej!, shqiptoi prefekti, por komandanti këtë thirrje e dëgjoi si të kishte ardhur që jashtë asaj zyre.
Komandant, komandant!, u përsërit dhe ai tashmë u bë i vëmendshëm. Të gjithë njerëzit rrotull tij po shihnin nga ai. E kemi fjalën për ty, foli bulas prefekti.
Përse?, zëri i tij kishte dalë i dobët.
E kemi fjalën për t\'i dhënë degës së rendit ca armë- fërkoi tjetri fjalët. Ndërkaq komisari i policisë i ra me majat e gishtave mbi pëllëmbë: Shumë armë dhe ca njerëz.
Komandanti çoi sytë nga prefekti. Ky po e shihte lutës: Unë nuk mund të jap...unë nuk kam...baza ka vetëm sa për vete dhe për një kompani rezervistësh.
Komisari i ra sërish me majat e gishtave: Ne vetëm ato duam, armët e kompanisë.
Prefekti ende vijonte ta vështronte me lutje: Ato do të mjaftonin. Duam të armatosim disa njerëz të besuar për të ruajtur institucionet.
Komandantit të bazës nuk ja përmbajti dot rradha e dhembëve kërcimin e pafre të fjalëve: Po si do të zgjidhen këta njerëz të besuar?
Pas këtyre fjalëve përreth gjithë të tjerët qenë ngurrosur e në pak sekonda tharë si mumje. Komandanti i thirri vetes të përmbahej: Ne jemi ngritur në gadishmëri luftarake dhe kjo do të thotë se mund të vijë çasti që të urdhërohemi të mobilizojmë edhe vullnetarët.
Ne e dimë që jeni ngritur në gatishmëri, kërciti fjalët shefi i SHIK-ut. E dimë që në orën 09.30 nga shefi i shtabit i Vendkomandës Qendrore, një kolonel i nderuar, u është vënë detyrë reparteve 4010, 4020, 4030, 4040 të kenë në gatishmëri teknikën fluturuese.
-ǒrëndësi kanë edhe numrat e reparteve... apo kush i ka nisur urdhrat!, tha komandanti, por njeriut të shërbimit të fshehtë i ishin bërë sytë të gjelbër: Kanë rëndësi, kanë. Kjo nuk do të thotë se ju përgjojmë. Aspak. Kjo do të thotë se kemi një komandë unike dhe për rrjedhojë dimë diçka më tepër. Për shembull ne dimë që ju kanë kërcënuar deri edhe familjen me vdekje në rast se lejoni ngritjen e avionëve.
Unë nuk kam mundësi t\'u jap armë, vijoi të flasë pa e fshehur dot zemërimin komandanti i bazës ajrore, megjithatë unë do të vë në dijeni ministrinë e Mbrojtjes.
Zoti kolonel, shqiptoi butë prefekti, jemi shumë dakord. Bisedoni, bisedoni me eprorët tuaj! Ne duam armë dhe njerëz për të mbrojtur rrugët, depot, institucionet, udhëkryqet. Gjithçka që është jetike për stabilitetin e vendit tonë. Por edhe po qe se nuk jep dot armë, edhe ruajtja e fuqishme e aerodromit hyn në stabilitetin e prefekturës sonë.
Në dhomë pickoi tingulli i një zileje. Komisari nxorri menjëherë radion. Ajo ishte e heshtur. Prefekti e hodhi vështrimin tek dy telefonat e tij. Duhet të jetë tek ju-iu drejtua kryetari i rrethit komandantit të bazës. Ky futi menjëherë dorën në xhepin e brendshëm të xhupit dhe nxori radion. Ishte ajo që thërriste. E ndezi marrjen dhe për pak kohë dëgjoi. Në fund shqiptoi vetëm fjalët \"i thoni të më marrë në telefon në numrin...\". Pastaj i u drejtua menjëherë prefektit \"Ju lutem, cili është numri juaj i telefonit?\" Ky u hutua, por komandanti nuk i la shumë kohë: \"Kërkon të flasë urgjentisht me mua komandanti i Vendkomandës Qendrore. Ka një mesazh\".
Vetëm atëherë prefekti filloi të shqiptonte ndaraz e gati duke bërtitur numrat e telefonit të tij.
Komandanti sapo e kishte mbyllur radion, kur ra zilja e telefonit në krye që tavolinës së gjatë. Prefekti e kapi dorezën dhe dëgjoi zërin përtej. Pastaj ia zgjati komandantit të bazës: Është për ty.
E rrëmbeu dhe dëgjoi në receptor për një kohë të gjatë. Në fund tha vetëm \"Po shkoj menjëherë dhe po veproj\".
Nuk ishte më shumë se shtatë kilometra distanca deri në aeroport dhe e shumta dhjetë minuta do të mjaftonin për të mbërritur, por shoferi i tij, pa ditur asgjë pse po nxitonin, po i jepte makinës me aq shpejtësi sa thua se vetëm dhjetë minuta i ishin lënë në dispozicion për kapërcyer një hapësirë dhjetë herë më e madhe.
Komandanti i Vendkomandës Qendrore i kishte thënë se dy pilotë ishin arratisur dhe ndodheshin në aeroportin Galatina të Brindisit. Eprori u kishte përmendur edhe emrat. Ai i njihte nga pak që të dy. Me të mbaruar akademinë ata ishin emëruar instruktorë fluturimi e nëpër vite kishin përgatitur shumë breza pilotësh. Njëri prej tyre më pas provoi edhe karrierën e shefit të shtabit të aeroportit ushtarak të kryeqytetit, por më pas u shkarkua. Më vonë u vesh përsëri.
Kur mbërriti në aeroport po e pritnin dy makinat e njerëzve të shtabit. Ai urdhëroi shoferin të ndalte dhe, siç asnjëherë nuk e kishte bërë, kërceu nga makina dhe gati vrapoi drejt tyre. Gjymtyrët e krahëve iu duk sikur iu hapën. Si të deshte të çohej në ajër nga gëzimi apo të sulej në gjokset e tyre e t\'i përqafonte, por e ndali klithma e kushtrimit e radios. Shefi i shtabit po i thoshte se nga Vendkomanda Qendrore kishte marrë në telefon gjeneralmajori dhe kishte lënë urdhrin që, në rast se shtabi i gjendjes së jashtëzakonshme kërkonte armë, t\'i jepej. Por në asnjë mënyrë forca në njerëz.
As njerëz, as armë, thirri brenda vetes komandanti I bazës ajrore të Kuçovës.

Ora 12.22, MIG-u shqiptar u ul në pistën e aeroportit italian të Galatinës

Në Itali ajo ikje nga Shqipëria qe bërë kryelajm. Avioni Mig 17 ishte ulur në një ditë meteorologjike të përsosur për të kryer këtë veprim: shumë pak erë, dukshmëri totale. Vetëm pak minuta pas mesditës radari përcolli në Qendrën Rajonale Operative në Rok di Martina Franka, seli e komandës për operacione të Rajonit të Tretë Ajror, se një MIG kishte shkelur hapësirën ajrore italiane. Ai pati fluturuar shumë ulët drejt bregdetit, por radari në tokë e kishte “kapur”. Praninë e tij e kishte sinjalizuar edhe një avion luftarak italian, F-104, i skuadriljes 36 të bazës ajrore Xhoja del Kole, i cili ndodhej ato çaste në fluturim mbi Adriatikun e Poshtëm.
Kur MIG-u shqiptar u ul në pistën e aeroportit të Galatinës ora qe 12.22. Ky aeroport ndodhej 30 kilometra larg qytetit të Leçes. Kur zbritën nga avioni të dy pilotët, Arian Elezi, 35 vjeç, pohoi se qe me origjinë nga Elbasani, kurse ndihmësi i tij, kapiteni Agron Daci, edhe ai me të njëjtën moshë, ishte nga Tirana.
Të dy pilotët e ardhur nga Shqipëria patën kërkuar menjëherë azil politik. Qeveria italiane qe rezervuar të merrte një vendim për këtë kërkesë, kurse disa orë më pas ishte qeveria e Tiranës që kërkoi kthimin e avionit të arratisur.

(Vijon)

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com