Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“AEROPORT LUFTARAK 1997” KOMANDANTI I BAZËS AJRORE PILOTËVE: NË RAST SE U JEPET URDHRI TË QËLLONI KUNDËR OBJEKTEVE TOKËSORE NË ASNJË MËNYRË MOS HAPNI ZJARR!


(Botuar në “Shqiptarja.com” më 25 shkurt 2017)

Shkrimi i pestë

Fluturimi i rrezikshëm mbi Vlorë

Ora ishte 21.11, 2 mars 1997. Fasha e dritës para tyre po fërgëllonte lehtas. Pas pak do të krijohej një gjiratore e madhe ajri dhe sa të hapje e mbyllje sytë ajo do t\'i përpinte drejt qiellit të errët. As komandanti i bazës dhe as nënkomandanti i saj nuk dinin asgjë çfarë i priste. Qe dita e tretë që në Vlorë njerëzit ishin të armatosur. Flitej se ishin në duart e tyre edhe bateritë kundërajrore.
Shtypi butonin dhe avioni iu vërsul qiellit. Pastaj kreu rrotullimin djathtas dhe mori kursin drejt qytetit të Fierit. Po fluturonin në katër mijë metra. Të dy aviatorët e kishin ngrirë vështrimin në horizont, atje, ku pritej të ishte Vlora. Pikërisht atje qielli përflakej. Mijra predha turreshin, fishkëllenin, klithnin, hungërinin, plasnin.
-Po i afrohemi Vlorës- raportoi ende i nemitur nga pamja e papritur.
Nga toka fjalët u erdhën njëherësh, si t\'i kishin bërë gati me kohë: Kapni lartësinë dymijë metra!
Komandanti nuk e gjeti dot fjalën e duhur të përgjigjes. Në rast se avioni do të fluturonte në lartësinë e urdhëruar, atëherë vetëm pas një gjysmë minute do të hynte në mes të ferrit të predhave dhe do të bëhej copë e çikë.
Ai shkeli mashën e ngritjes. Pesëmijë metra.
Nga toka u hodhën sërish fjalë.
-Na raportoni çfarë shihni!
Komandanti kafshoi pjesën e sipërme të buzës.
-Po na qëllojnë.
Nga poshtë tyre erdhi rrëmujë fjalësh.
-Qielli është i mbushur me mijëra predha. Nga të gjitha anët vetëm na qëllojnë.
Zërat e tokës ishin të hutuar.
-Çfarë shihni?
-Nuk shohim asgjë. Vetëm plumba.
Morën përgjigje heshtjen. Ai e ktheu Migun majtas për të dalë në periferi të qytetit, ku dukej një copë qielli e patrazuar nga përflakja e predhave. Por sapo mbërriti atje befas nga toka u ngrit një re e kuqe zjarri. Bëri edhe më majtas, në një copë tjetër qielli të qetë. Edhe atje, sa i dëgjuan gjëmimin, i ngritën tymin e përflakur të plumbave.
-Po na qëllojnë!- thirri.
Një zë i vetmuar u erdhi i fortë në kabinë.
-Jam gjeneralmajori. Ngrihuni në lartësinë e parrezikshme!
Komandanti I bazës tha \"si urdhëron, zoti gjeneralmajor\" dhe bëri një gjysmë rrotullimi. Kishte dalluar një kënd tjetër të qetë të qiellit.
-Me çfarë tipash predhash qëllojnë?
Pyeste një zë tjetër. Ai heshti. Copa e patrazuar e horizontit mund të shndërrohej në një grackë.
-Predha të të gjithë armëve të këmbësorisë. Përfshi edhe mitralozë kundërajrore 12,7 milimetërsh.
Po i afrohej skajit të qetë të qiellit. Prej andej mund ta vrojtonte më mirë qytetin.
-Qëllojnë me topa kundërajrore?
-Nuk dalloj predha të tyre.
-Shumë mirë.
Më në fund e arriti atë kënd parajse. Tani mund ta kundronte qetësisht qytetin e rebeluar. Ai ishte një gojë gjigande që nxirrte vetëm zjarr. Bëri rrotullimin e plotë dhe mori kursin e kthimit. U deshën vetëm pak sekonda për të parë se pas tyre, edhe ai kënd i patrazuar, ku kishin fluturuar vetëm për njëzetë sekonda, u përvëlua nga klithja e tymtë e plumbave.
Pas pak raportuan kthimin dhe uljen.

Euronjuz, Rai

Euronjuz: \"Rebelët do të njohin shpejt forcën e shtetit\" ka thënë presidenti i vendit Sali Berisha në një diskutim televiziv, në të cilën ka akuzuar bandat terroriste komuniste, të ndihmuara nga shërbime të huaja sekrete\"... \"Ndërkohë manifestuesit, të cilët prej dy orësh kontrollojnë qytetin e Vlorës, kanë kërcënuar se \"do të marshojnë të armatosur mbi Tiranë\" në qofte se qeveria brenda mbrëmjes nuk pranon te shlyejë kursimet e rënuara nga falimentimi i shoqërive huamarrëse...”
Rai, ora 22.50: \"Shqetësim i madh midis gazetarëve, qofshin shqiptarë dhe të huaj, për përhapjen e fjalëve për mbylljen, gjer në një urdhër të dytë, të të gjitha organeve të shtypit. Disa gazetarëve si BBC dhe të rrjetit televiziv TV Wnt janë sulmuar nga civilë me shkopinj gome\".
\"Ultimatum i parlamentit për rebelët e armatosur. Parlamenti shqiptar hartoi një rregullore...Ajo parashikon që \"rebelët e armatosur duhet të dorëzojnë armët brenda mesditës së sotme\". Me mbarimin e këtij afati mund të vriten pa paralajmërim. Shtyhet në një afat të pacaktuar shërbimi ushtarak dhe mobilizimi i rezervistëve. Në të parashikohen edhe dënime për dezertorët...\"

Sinjali i alarmit bie në orën 7.48 minuta

U zgjua. 3 mars 1997. Sa kishte fjetur? Kishte hequr vetëm këpucët e ishte mbështjellë me dy batanijet e leshta si të mundte. Rreth orës tre të mëngjesit. Me shpresë që ta kapullonte gjumi sa më shpejt. Tani që u zgjua, akrepat shënonin 5.49. Çuditej se si vetëm disa orë më parë se të riniste kjo ditë e stërmundimshme, kishte fluturuar mbi një qytet shqiptar dhe i kishte parë plumbat e predhat të shkrepnin para kabinës së avionit. Disa prej tyre ishin të ftohtë e, po të nxirrte dorën, disa syresh mund të kapte lehtësisht.
Jashtë më në fund mund të merrje fryme. Tek çifti i avionëve roje patrullat e ushtarëve bënin ec e jake të zvargura. Ai e shmangu takimin me ta dhe shkeli ngadalë mbi barin e tharë në brinjë të pistës. Në mesnatë, ndërsa ishte kthyer nga fluturimi i dytë, thirri në zyrën e tij shefin operativ të bazës. Ai ishte specialist i artilerisë kundërajrore.
-Çfarë baterish kundërajrore ka në Vlorë?
-Janë 57 milimetërshe.
Komandanti kafshoi anëbuzën.
-Kjo pesëdhjetë e shtatë milimetërshe çfarë të bën?
Tjetri bëri pauzë. Heshtja e saj i ngjau një grope, ku ranë njëherësh të gjitha fjalët e përgatitura. Oficeri u gëlltit dhe pastaj tha “Deri në katër e pesë mijë metra të grijnë”.
Kur shefi operativ i bazës u largua mori porosinë prej komandantit që, në rast fluturimi të urdhëruar nga qendra, pilotët t’i mbanin avionët mbi Vlorë dhe madje edhe mbi Tepelenë, në pesëmijë metra.
Sinjali i alarmit ra në orën 7.48 minuta. Pilotët e gatishmërisë vrapuan drej çiftit të Migëve roje. Të gjithë e dinin se ngritja me sinjal alarmi të komanduar drejt për së drejti nga Vendkomanda Qendrore do të thoshte se detyra do t\'u jepej pilotëve në ajër. Rregullorja ishte e qartë. Kishte tre mundësi. Urdhri mund të ishte për zbulim, për kapje avioni armik apo për të qëlluar e bombarduar tokën.

Qëllohet mbi mal me raketa të padrejtuara

Deri sa çifti i avionëve u ul, ai u nuk e fshehu për asnjë çast nervozizmin. Në vendkomandë qendra e vuri në dijeni se dy Migëve u ishte dhënë urdhër të qëllonin në ajër. Ai kishte arritur të mblidhte të gjitha forcat e të bënte pyetjen \"në ajër?\" Nga Vendkomanda ishin përgjigjur me zë të trazuar: Po, vetëm në ajër.
Por komandanti i bazës nuk besonte. Fluturimi po bëhej në rrugëkalimin Përmet-Tepelenë. Ndoshta krismat nga ajri njerëzit do t\'i ndienin mbi vendin e quajtur Uji i Ftohtë, një qafë mali e përshtatshme për t\'u zënë pritë nga grupe të armatosura.
“Do të qëllohet me raketa të padrejtuara”. Kështu kishte shtuar zëri i largët nga qendra.
Raketa!?
Ai ishte mpirë. Pastaj kishte dëgjuar pilotët që i kishin raportuar Vendkomandës Qendrore: Qëlluam mbi faqet e maleve. Në radio ai dëgjoi se ata i raportuan lartësinë 1500-2000 metra, por në të vërtetë shpresonte të ishin mbi 4000. Kjo donte të thoshte se raketat, edhe po të ishin hedhur drejt tokës, nuk mund ta mbërrinin dot atë. Ato ishin pajisur me një djegore, e cila sapo i kalonte të dhjetë sekondat, po të mos arrinte objektin për ta goditur, shkaktonin vetëshpërthimin.
Sapo dy avionët u ulën, me radion e dorës ai i urdhëroi pilotët të paraqiteshin tek ai menjëherë: \"Urgjent tek unë, asnjë fjalë rrugës lart e poshtë!\"
Ata kishin mbërritur në vendkomandë me një frymë dhe ai, i mbyllur në zyrë me ta, kuptoi se Vendkomandës Qendrore nuk i ishte thënë e vërteta. Ishte qëlluar drejt tokës, por në lartësi të tillë që siguronte plasjen e raketave në ajër.

Shfaqet dhe zhduket befas shefi i SHIU-t

4 mars. Shefi i SHIU-t i doli befas përpara dhe komandanti i bazës gati u përplas vrulltaz me të. Njeriu i zbulimit shtriu buzët si t\'i kishte prej llastiku dhe vetëtiu dhembët.
-Ke filluar të nxitosh- hodhi fjalët e mbledhura me të shpejtë komandanti.
Tjetrit i mbeti goja e shtrembëruar.
-Pse?- tha me zë të mekur.
Ai e pa pjerrtas. Vetullat e holla të oficerit të informacionit u tkurrën dhe u duk sikur majat e tyre, si koka nepërkash, u çuan dhe pastaj u ngulën në fund të tëmthave.
-Sepse të gjithë nxitojmë për të përballuar gjendjen e re. Të gjithë së bashku. Kurse ti veças.
Fytyra e shefit të SHIU-t u tejhollua poshtë syve dhe lëkura u bë e verdhëremtë. Përtypi disa copëra fjalësh, por ato më shumë rënkuan nga kafshimi i dhëmbëve. Komandanti i bazës çoi hapin dhe e hovi trupin përpara. E përplasur fort nga një duf zemërimi, këpuca kërciti mbi asfaltin e rruginës. Po ikte, kurse tjetri, mbetur në vend, ngjante si i ngulur në tokë.
Ka kontrolluar incizimet, mendoi ai dhe u përpoq me këtë hamendje të justifikonte gjestin e tij nervoz. Në të vërtetë shefi i shërbimit informativ ushtarak të linte përshtypjen se po vinte nga zyra operative e ndërlidhjes. Komandanti gjithnjë druhej se mos njeriu i shërbimeve të fshehta e kishte shtrirë rrjetin e tij deri tek kjo pikë nevralgjike e aeroportit. Por kur më në fund mbërriti në selinë e ndërlidhësve, inxhinierët dhe teknikët e saj dukeshin të përpirë në punën e tyre. Shefi i SHIU-t nuk dukej gjëkundi të kishte lënë ndonjë gjurmë të pranisë së tij.
Për një çast komandantit të bazës iu duk sikur pak minuta më parë, në rruginën me asfalt, kishte parë vetëm një fantazmë.
Ndërkohë kërkoi të dëgjonte incizimet. Tashmë e dëgjoi me veshët e tij urdhrin e Komandës Qendrore që pilotët të qëllonin me raketa. Megjithatë ishte gati të mos besonte. Në fillim iu bë dyshim, më pas, në çdo minutë që shkonte, iu shndërrua në bindje se urdhri i hapjes së zjarrit në drejtim të tokës nuk kishte ekzistuar kurrë. Por kur e ridëgjoi në shirit magnetofoni, u zbeh i tëri.
Urdhëroi t\'ja përsëritnin e përsëritnin. Nuk kishte më asnjë mëdyshje, urdhri ishte i qartë, i bërë me zë të fortë, pa asnjë brerje ndërgjegjeje apo lëkundjeje: Hap zjarr në faqet e maleve...Hap zjarr në rrugëkalimin...Hap zjarr...
Komandanti doli me nxitim nga selia operative e ndërlidhjes. Distancën deri në komandë e bëri me një frymë. Pothuaj me vrap dhe duke thirrur brenda vetes “Të çmendurit, të lajthiturit, të pamendët!”
Në shtabin e tij të vogël, sa vuri këmbë në prag, të gjithë e kuptuan menjëherë se në ç\'gjendje humori ishte eprori i tyre. Ky vetëm me tre hapa dhe u gjend tek tryeza e tij e punës. Kapi vrulltas dorezën e telefonit dhe formoi numrin.
-Jam komandanti i bazës ajrore të Kuçovës. Po na vijnë detyra të paqarta, krejtësisht konfuze.
Përmatanë receptorit, nga Vendkomanda Qendrore, dikush po kundërshtonte.
-Dakord, le të dalë gjeneralmajori, shqiptoi komandanti i bazës.
Bisedoi me të pak fjalë dhe më në fund e uli dorezën e telefonit. Vështroi nga bashkëpunëtorët e tij. “Të mblidhen pilotët! Menjëherë!”, urdhëroi.
Ai më shumë nga çdo gjë kuptonte sytë e pilotëve. Të ulur nëpër karriget e thjeshta prej druri të riguar, ata rrinin në rreshta të rregullt dhe me kokën paksa lart e majtas. Si në drejtqëndrimin gatitu.
-Po ju tërheq vëmendjen në katër probleme. E para: Në rast se do të na urdhërojnë të fluturojmë, si ushtarakë që jemi, ne do të zbatojmë urdhrin, sepse ai nuk është në kundërshtim me betimin që kemi bërë.
E dyta: Në rast se do të jepet urdhri për të hapur zjarr në ajër...E përsëris: në se do të jepet urdhri për të hapur zjarr në ajër zemrën dhe trurin i keni me vete, vërini në dispozicion të ndërgjegjes!
Komandanti i bazës po fliste me kodin dhe të fshehtat e punës së aviatorëve. Ata kanë në dorë më shumë se çdo profesion tjetër ushtarak të mos bëjnë atë që nuk e dëshirojnë. E kryejnë aksionin luftarak dyqind e treqind kilometra larg komandës dhe askush nuk i sheh në qëlluan në ajër apo në tokë. Madje në qëlluan me të vërtetë. Mjafton të thonë se iu bllokua topi.
-E treta, mëshoi fjalën komandanti: Në rast se u jepet urdhri që të qëlloni kundër objekteve tokësore në asnjë mënyrë nuk do të hapni zjarr! Të jemi plotësisht të vendosur për këtë gjë.
Së katërti: Pavarësisht çfarë lartësie fluturimi do t\'ju japin, mbi zonat e mëdha të banimit nuk do të uleni poshtë katërmijë metrave, sepse mund t\'ju qëllojnë nga poshtë.
Pilotët këtë herë vunë buzët në gaz. Pak çaste më vonë do ta riprovonin të vërtetën e kësaj porosie. Në orën 19.00 nga Vendkomanda Qendrore gjeneralmajori, në zbatim të një urdhri të Ministrit të Mbrojtjes dhe pasi u këshillua me komandantin e bazës së Kuçovës, vendosi ngritjen e një avioni Mig-15 dhe fluturimin e tij në rrugëkalimin Fier-Vlorë-Himarë-Sarandë-Gjirokastër-Tepelenë-Ballsh.
Aeroplani luftarak u ngrit në 19.34 dhe u ul në bazë në 20.30. Komandanti i raportoi gjeneralmajorit se nga të dhënat e pilotit rezultoi se në jug të Vlorës avioni ishte qëlluar nga toka me breshëri 8-9 fishekë gjurmëlënës, kurse nga zona juglindore e qytetit qe qëlluar me një municion me ngjyrë të kuqe. Në zonën e qyteteve të Himarës, Sarandës, Gjirokastrës e Tepelenës nuk pati zbuluar gjë.
Ndërkohë sipas një urdhri tjetër të gjeneralmajorit në orën 21.03 një Mig u ngrit nga aeroporti i kryeqytetit në rrugëkalimin Fier-Vlorë e kthim. Kishte vetëm detyra zbulimi. Ai u ul në 21.40. Dy pilotët e avionit raportuan se nga pesë zona të periferisë së Vlorës qëllohej me armë.

(Vijon)

Ylli Polovina







Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com