Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“AEROPORT LUFTARAK 1997” GJËNDJE E JASHTËZAKONSHME APO GJËNDJE E ÇMENDUR: TËRË FORCAT E ARMATOSURA I JEPEN NË KOMANDË SHEFIT TË SHËRBIMIT TË FSHEHTË


(Botuar në “Shqiptarja.com” më 24 shkurt 2017)

Shkrimi i katërt

Sali Berisha në Berat. lajmet gumëzhijnë

-Në rast se presidenti ka ardhur dhe ne nuk na kanë lajmëruar, kjo do të thotë se duhej të ishte pikërisht kështu- foli komandanti pa e parë në sy shefin e shtabit.
Në Berat kishte kryer një vizitë të shpejtë kryetari i shtetit dhe baza ajrore qe mbajtur e mënjanë nga ngjarja. Në dy herët e mëparshme të vizitës së Presidentit aty kishin zbarkuar njerëz të stafit dhe të sigurisë, mjete të shumta, madje njëherë edhe vetë ai i hipur në një helikopter ushtarak.
Shefi i shtabit mendonte që mosangazhimi i bazës nuk ishte veç një shenjë se shteti nuk kishte më besim tek ta.
-Është e sigurt që tashmë është larguar?
-Po, pasi ka mbajtur një miting në kinemanë e qytetit...
-Mosnjoftimi ynë është një veprim i mençur- tha komandanti. Ai provon të kundërtën: respektimin e ushtrisë si institucion jashtë politikës.
-Në fjalimin e mbajtur në sallën e kinemasë Presidenti kishte thënë se godinat në qytet nuk ishin djegur nga socialistët- lëshoi pas pak grumbullin e fjalëve shefi i shtabit.
Komandanti e pa ngultas.
-E nga e di ti?
-E kanë dëgjuar shumë . Jashtë sallës qe vendosur një altoparlant dhe dëgjohej çfarë thoshte.
-Ti merresh shumë me politikë , tha komandanti i bazë s. Shefi i shtabit u nemit.
Por të nesërmen në skaj të dhomës së madhe të shtabit u tërhoqën tre oficerë dhe filluan të dëgjonin një radio të vogël. Komandanti nuk u tërhoqi vëmendjen, megjithëse kjo gjë ndodhte për herë e parë. Mjedisi i shtabit nuk ishte guxuar ndonjëherë të dhunohej nga dëgjimi i lajmeve prej ndonjë agjencie të huaj.
E gjithë ajo ditë kishte qenë e ankthshme. Herë nga një pilot e herë nga disa djem të shërbimit të ndërlidhjes, më pas nga dy teknikë e pak më vonë prej një komandanti skuadriljeje, duke u rrokullisur si një shpatull mali me dhe gurë të rendë, u përhap rrapëllueshëm lajmi se në Vlorë kishin filluar të shtënat me armë mes demonstruesve dhe policisë. Flitej se kishte edhe shumë të vdekur.
Komandanti u tërhoq i heshtur në dhomën e tij të ngushtë, ku përveç një shtrati portativ, kishte montuar edhe një aparat të vogël televiziv bardhë e zi, dhuratë e një ish-ushtari emigrant. Me një mundim rënkues e hodhi trupin mbi krevat, si të flakte prej vetes një pjesë të tepërt e që po i rëndonte shpirtit.
Për mjaft kohë ndenji ashtu, pa e kuptuar në merrte frymë apo jo. Kur çeli sytë iu duk çudi që mund të rishihte si më parë po ato orendi: dy karrige druri, foton e gruas me dy djemtë, një xhaketë të uniformës, varur në një kunj prapa derës, perdet e pambukta gjysëm të hapura, televizorin e vogël.
Këtu i mbetën sytë. I ngrinë.
Në mënyrë ta pavullnetshme mori telekomandën dhe e ndezi. Kërkoi teletekstin e kanalit më të parë dhe nisi të lexonte: \"Manifestues të armatosur në Vlorë... Më shumë se 20.000 njerëz manifestuan për të njëzetë e tretën ditë në Vlorë. Ata si gjithnjë protestojnë kundër qeverisë shqiptare, e gjykuar përgjegjëse për dështimin e shoqërive financiare spekulative që kanë shkaktuar rrënimin e mijëra njerëzve”.
Pastaj: “Që në agim rreth 6000 njerëz u mblodhën para universitetit, ku rreth 40 studentë po bëjnë që prej një jave greve urie. Ata kishin reaguar prej fjalëve, sipas të cilave policë po vinin nga Tirana për të evakuar me forcë studentët. Shumë manifestues mbanin armë zjarri, duke bërtitur \"Vlora është e jona\".
Komandanti i bazë s ajrore ngriti sërish duart dhe i vërtiti furishëm para syve, si për t’i dëbuar ato lajme, që i dukeshin si djaj. Në vesh i buçitnin fjalët “Shumë manifestues mbanin armë...armë...armë...\".
Në orën 23.30 të natës erdhi fonogrami për kalimin njëqind për qind në gatishmëri të bazës ajrore.
Ndërsa mugullonte dita e re e l marsit u nxorrën nga tunelet edhe avionë të tjerë. Drita e lodhur e mëngjesit kaloi lehtas mbi krahët e tyre. Si t\'i përkëdhelte.
Tashmë në buzë të pistës ishin njëzetë e dy Migë.

Sulmohet pa paralajmërim ndërtesa e Shërbimit Informativ Kombëtar për degën e Vlorës

Radio BBC në shqip njoftonte se në pikën kufitare të Kakavijës punonjësit e doganës shqiptare thonë se është rritur së tepërmi fluksi i shqiptarëve që largohen për në Greqi dhe ulur ndjeshëm hyrja e automjeteve me mallra...
Agjencitë e huaja njoftojnë se së shpejti do të mbërrijë në Tiranë një delegacion i Fondit Ndërkombëtar Monetar për të biseduar me qeverinë për kapërcimin e krizës së huave...
Në qytetin e Vlorës gjendja ka kaluar tërësisht jashtë kontrollit të shtetit. Qindra njerëz janë me automatikë kallshnikovë, të cilët i kanë rrëmbyer në depot e armatimit të qytetit. Korrespodenti ynë në këtë rajon thotë se me armë janë pajisur edhe fëmijët. Të gjithë shtien në ajër dhe duket sikur ka filluar lufta...Në spitalin e Vlorës ndërkohë janë regjistruar katër të vdekur, midis tyre njohin edhe punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar, SHIK…
Në spital janë shtruar disa dhjetëra të plagosur dhe gjashtë prej tyre ndodhen në gjëndje të rëndë. Greva e studentëve vazhdon në ditën e saj të dhjetë....
Sapo ka përfunduar një mbledhje e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, e nisur në orët e paradites. Kryetari i PD-se tha se, siç po duket, debati do të zgjasë edhe më. Deputetë të kësaj partie njoftojnë se po fiton terren varianti i zgjidhjes politike të krizës që po kalon vendi....
Zëdhënësi i Ambasadës së SHBA në Tiranë deklaron: Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë shpreh shqetësimin e vet të thellë për raportimet për dhunë në Vlorë dhe tjetërkund ditët e fundit. U përcjellim ngushëllimet tona viktimave të kësaj dhune si edhe familjeve të tyre. Udhëheqësit e të gjitha forcave politike duhet të mblidhen së bashku për të ndërtuar një dialog racional, i cili të zhvillojë zgjidhjen realiste të krizës, me të cilën Shqipëria përballet. Ndërsa qeveria ka një përgjegjësi të veçantë për të siguruar të drejtat civile, të gjitha palët duhet të tregojnë përmbajtje si në fjalë ashtu edhe në veprime për të pakësuar mundësitë për dhunë. Ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë interes të fortë për përparimin e demokracisë në Shqipëri, zhvillimi i kësaj demokracie është përgjegjësi e vetë shqiptarëve. Dhuna dhe gjuha ekstremiste nuk kanë asnjë rol në këtë proçes...
Edhe Papa Gjon Pali i Dytë i kërkoi sot qeverisë shqiptare që të vendosë një dialog me të gjitha forcat e përgjegjshme të Shqipërisë për të zgjidhur krizën aktuale që po përjeton vendi. Kreu i Selisë së Shenjtë foli kështu gjatë pritjes së veçante që i rezervoi ambasadorit të ri shqiptar në Vatikan. Për dorëzimin e letrave kredenciale Papa citohet nga agjencia spanjolle e lajmeve të ketë thënë se kompromisi politik është një kërkim për të mirën e përbashkët\".
Televizioni shqiptar, ora njëzetë: \"Lidhur me ngjarjen e djeshme në qytetin e Vlorës Shërbimi Informativ Kombëtar njofton se mbrëmë rreth orës njëzetë e një banda terroriste, me mbi njëzetë e shtatë automjete me afërsisht gjashtëdhjetë deri shtatëdhjetë vetë të armatosur, sulmuan pa asnjë paralajmërim ndërtesën e Shërbimit Informativ Kombëtar për degën e Vlorës, duke i hapur zjarr nga të katër anët me armë automatike dhe granata eksplozive, nën thirrjet \"do t\'ju djegim të gjallë këlyshët e demokratëve\". Punonjësit e Shërbimit Informativ Kombëtar, vazhdon zëdhënësi, reaguan me armë zjarri. Pas një shkëmbimi zjarri për më shumë se dy orësh hodhën mbi ndërtesën lëndë djegëse dhe nëpërmjet një shpërthimi shumë të fuqishëm i vunë zjarrin godinës. Sipas të dhënave paraprake të Shërbimit Informativ Kombëtar në këtë përleshje humbën jetën dy punonjës të SHIK-ut, nëntë të tjerë...
Sipas zëdhënësit të Shërbimit Informativ Kombëtar është zbatuar i njëjti skenar si dy netë më parë, kur radio BBC tha se drejt Vlorës janë dërguar tanket për të nxjerrë grevistët. Edhe mbrëmë u tha se forcat e SHIK-ut do të nxirrnin grevistët. Pas kësaj e gjithë beteja u zhvillua në ndërtesën e Shërbimit Informativ Kombëtar për Vlorën. Forcat terroriste u vërsulën me armë. Grupi vendosi si pritë një makinë riportabël, u mbrojt pas saj duke sulmuar me disa gryka zjarri kundër ndërtesës si edhe me bomba dhe dinamit deri sa iu vu edhe flaka. Tre punonjës e SHIK-ut u kapën të gjallë, u rrahën, u përdhosën dhe i çuan para universitetit, ku edhe atje u rrahën deri sa humbën ndjenjat. Sipas disa burimeve jo të konfirmuara zyrtarisht bëhet fjalë për nëntë të vdekur. Shërbimi Informativ Kombëtar disponon gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të përgënjeshtruar lajmin e agjencisë Reuter, sipas të cilit punonjësit e SHIK-ut kanë vajtur për të nxjerrë studentët nga greva e urisë....
Gazetari i Reuter-it...Stefan...sipas të cilit në Tiranë është urdhëruar nxjerrja e tankeve që do të nisen drejt Vlorës. Ky është një variant i lajmeve të falsifikuara...”

Me rast të cenimit të rëndë të rendit kushtetues dhe publik

Komandanti i bazës ajrore e ndjeu zhurrmën e çuditshme sapo e ngriti dorezën e telefonit. Bisedoi në dukje qetësisht, veç nervozizmi po ja lodhte durimin. E mbylli telefonatën shpejt, por e mbajti edhe pak kohë receptorin në vesh. Uturima e njohur nëpër linja i ngjante vërshimit në një grykëderdhje. Po më përgjojnë telefonin, mendoi. Po më përgjojnë, përsëriti me vete. Dhe si të lëshonte një gur, e la dorezën të binte me krismë mbi aparat.
Ai nuk e dinte që ndërkohë në bazën ajrore kryesore, atë të Rinasit, po kryheshin veprime të paimagjinuara ndonjëherë mes pilotëve shqiptarë. Në orën 14.00 ministri i Mbrojtjes pati urdhëruar gjeneralin e brigadës... që të bëhej gati avioni me bomba për të bombarduar urën e Mifolit në Vlorë.
Veprimin do ta kryente vetë komandanti i bazës, kolonel.... Do të përdorej një avion \"Jak\". Ndërkohë në 14.15 dejtori i Drejtorisë Operative urdhëroi që të mos veprohej deri në ardhjen e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Aviacionit Luftarak, i cili ndodhej në Presidencë.
Në 14.39 iu vu detyrë kolonelit të përgatiste çiftin roje me bomba, por të mos ngrihej pa urdhër. Gjashtë minuta më vonë iu sugjerua ministrit të Mbrojtjes se bombat e kanë rezen e veprimit 500 metra plus probabilitetin e goditjes, gjë që krijon rrezikshmëri. Në 15.04 nga konsulta në shtabin drejtues në Aviacionit Luftarak doli se ishte me rrezikshmëri përdorimi i bombave dhe se duhej më parë të bëhej pastrimi i zonës. Në 15.20 koloneli njoftoi se po bëhej gati çifti roje, por kishte reagime nga pilotët. Në 17.00 çifti i bombarduesve qe në gadishmëri.
Televizioni Shqiptar në lajmet e orës 20.00 njoftoi se \"Sot pasdite, në orën 17.00, Kuvendi Popullor zhvilloi punimet në seancë plenare. Në këtë seancë u shqyrtua ligji mbi gjendjen e jashtëzakonshme në rast të cenimit të rëndë të rendit kushtetues dhe publik. Në fillim u bënë disa diskutime, por deputeti Aleksandër Meksi kërkoi që të fillojë menjëherë shqyrtimi dhe miratimi i këtij ligji, sepse çdo vonesë, theksoi ai, shton numrin e viktimave të tjera nga bandat e armatosura terroriste që po veprojnë në disa rrethe të vendit.
Mbasi u votua nen për nen, ligji mbi gjëndjen e jashtëzakonshme në rast të cënimit të rëndë të rendit kushtetues dhe publik u miratua nga 118 deputetët e pranishëm në sallë. Mbas miratimit të këtij ligji, gjithashtu me miratimin e të gjithë deputetëve, Kuvendi Popullor vendosi shpalljen e gjëndjes së jashtëzakonshme në Republikën e Shqipërisë, duke filluar qysh nga momenti i këtij vendimi, në orën shtatëmbëdhjetë e tridhjetë e pesë minuta të ditës së sotme.
Gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në fuqi deri në vendosjen e plotë të rregullit dhe të qetësisë publike, e cila do të ndërpritet nëpërmjet një vendimi tjetër të Kuvendit Popullor.
Pastaj Kuvendi Popullor vendosi bashkimin e Shërbimit Informativ Kombëtar me Ministrinë e Brendshme për shtypjen e veprimtarisë së bandave të armatosura terroriste. Forcat e armatosura të Ministrisë së Brendshme dhe të Shërbimit Informativ Kombëtar ngarkohen nga parlamenti për shtypjen e bandave të armatosura terroriste gjatë gjendjes së jashtëzakonshme dhe vendosjen e rendit kushtetues dhe publik...\".

Shefi i SHIU-t lëviz nëpër natë

Komandanti ja kishte qepur syte shefit të SHIU-t. Njeriu i shërbimit të fshehtë ushtarak të bazës po delte nga prapa një pozicioni strehimi të një Migu.
Nxitonte.
Ndoshta e ndjeu nëpër terr ngulmimin e vështrimit të tij dhe, në ikje e sipër, ktheu rrëmbyeshëm kokën.
Ai nuk i fshehu sytë.
Si të kishte ndjerë rrezik, shefi i Shiu-t e riktheu po aq rrëmbyeshëm kokën dhe streha e kasketës së tij ushtarake ngjau me një thikë që preu ajrin. Tani gati po vraponte. Ikte. Errësira e përpiu shumë shpejt.
Komandantit të bazës radioja e ndërlidhjes i kuisi në xhep: Zoti komandant, ka ardhur urdhër për fluturim!
Ai pa instinktivisht orën. Akrepat fosforike shënonin 19.52.
Urdhri ishte i prerë: të bëhej gati një avion mësimor Mig për të fluturuar me detyrë zbulimi në rajonin bregdetar Fier-Vlorë.
Kishte kapërcyer ora njëzetë dhe komandanti ende vazhdonte t\'i shpjegonte komandës se ai fluturim natën nuk mund të bëhej. Matanë telefonit e dëgjonin butësisht, por nuk tërhiqeshin. Atëherë ai nisi t\'i hidhte argumentet e tij njëri pas tjetrit,. I sigurtë se do t\'i lodhte dhe thyente: Pilotët i kam të pastërvitur rishtaz për fluturime natën, po kështu edhe teknikët.
Në receptor zëri i vinte qetësues: E dimë, por zgjidh më të mirin!
Ai u lëshonte të dytën: Teknika është e papërgatitur për fluturime natën.
Nga Komanda Qendrore jepej kurajë: Mjaftojnë dy orë për të bërë një minimum të arsyeshëm gatishmërie.
Komandanti i bazës ngrinte zërin: Sistemi i ndriçimit të pistës ka shumë të meta.
Dakord, i përgjigjeshin, riparoni diçka! Në dy orë mund ta shtoni këtë ndriçim. Përdorni edhe makinat e ndriçimit!
Ai tashmë nuk përmbahej dot dhe e çonte zërin tërë nervozizëm: Nuk janë në gjendje të mirë makinat me projektorët e uljes së avionit.
Përtej receptorit zëri bëhej më i butë dhe miqësor: Nuk ka gjë. Ato janë katër. Edhe sikur të japin ndriçim sa për tre një pilot me përvojë e ndjek i sigurt fluksin e dritës së tyre dhe kështu mund ta shohë pistën në mesnatë si në mes të ditës.
Komandanti i bazës e ndjeu zemërimin t\'i thërrmohej: Mirë, dakord, do të fluturojmë. Sepse është urdhër. Detyra është vetëm për zbulim. Dakord.
Pastaj shtoi: Do të fluturoj vetë, bashkë me zëvendëskomandantin e bazës.
“Atëhere me të mbarë!”, i erdhi përgjigja.

(Vijon)

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com