Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Panajoti Koliomihalis ne Institutin Kombetar te Diaspores, ne Ministrine e Puneve teJashtme te Shqiperise
Foto: Panajoti Koliomihalis ne Institutin Kombetar te Diaspores, ne Ministrine e Puneve teJashtme te Shqiperise
Perse edhe njehere tjeter per Panajoti Koliomihalis?

“Korrieri”, 30 mars 2007

Shija e helmët e asaj videoje me atë kengën e marrë të një njësiti special grek që stërvitej në buzë të kufirit tonë akoma shumë shqiptarëve u ka mbetur në buzë. Do të duhet edhe ca kohë që ajo shije e hidhët të zëvendësohet nga një lajm apo kumt i mirë. Të tilla i pritnim që të nesërmen e asaj që ndodhi, ose të paktën disa ditë më pas. Mirëpo hë për hë nuk ngjau asgjë e tillë. Më 27 mars pothuaj të gjitha faqet e para të të përditshmeve tona bënin të ditur se në një bazë ushtarake greke, të quajtur Araksos, gjer në kufi të vitit 2001 ishin vendosur njëzetë bomba atomike gjithsecila me fuqi shkatërruese pesëmbëdhjetë herë më të madhe se ajo që u hodh në Hiroshima. Këto mjete të përbindshme vrastare ishin drejtuar ndaj vendeve komuniste të para vitit 1990, mes tyre edhe kundër Shqipërisë.
Tani, mund të arsyetojë me të drejtë shqiptari i thjeshtë që brenda dy javëve sulmohet nga lajme të tilla të paimagjinueshme, kobe të cilat për herë të parë i bën të ditura jo shtypi i Tiranës, por ai i Athinës, grekët na paskan dashur të pjekur së gjalli. Mbase kjo çështja e bombave atomike të dikurshme pak nga pak do të tretet e konsumohet në luftën e brendshme politike të vendit fqinj dhe atje do të mbetet pjesë e arkivës. Nga masat që u morën prej vetë qeverisë greke në arkivë duhet të futen edhe ato kengët me zorrët tona. Mirëpo problemi është që të arkivohet në historinë e të shkuarës mendësia e vjetër, ajo që ka të ngulur si gozhdë në tru idenë e Luftës së Ftohtë dhe ca më shumë me ne shqiptarët atë të Gjendjes së Luftës. Patjetër me të gjithë raportet tashmë dydekadëshe të bashkëpunimit të qendrueshëm mes dy vendeve dhe një traktati miqësie ai ligj anakronik është juridikisht inekzistent. Mbijeton formalisht. Veçse këtu nuk është fjala për të shkruarat e shfuqizuara tërthorazi apo të mbajtura vepruesë vetëm për të justifikuar pronat që iu morën bashkëkombasve çamë. Çështja tashmë nuk është se ky ligj lufte duhet fshirë përfundimisht edhe nga copa e letrës ku fshihet, por mbi të gjitha për mendësinë. Zorrët tona që do të bëheshin lidhëse këpucësh ushtarake për disa “rambo” greke dhe të paktën nja tre a katër bomba atomike nga njëzetë që ishin në gatishmëri në Araksos dëshmojnë se Ligji i Luftës me Shqipërinë është akoma në disa koka të nxehta dhe të dy popujt si edhe elitat e tyre udhëheqëse duhet të bëjnë tashmë një përpjekje të posaçme dhe të bashkërenduar për t’i shkulur njëherë e përgjithmonë.
Koha jo vetëm ka ardhur, por në të dy anët e kufirit këta progresistë tashmë janë të shumtë e ndikuesë. Ata kanë autoritetin dhe forcën për t’ja dalë mbanë. Ose reformohen përfundimisht tani nga çdo hije të shkuarës marrëdhëniet tona shpirtërore ose çdo ditë e shtyrë më tej e bën koston më të rendë.
Kur ende ishim të tronditur nga ajo kenga ushtarake e skërmitur në buzë të kufirit tonë dhe para se e përditshmja greke Tanea të publikonte shkrimin për bombat atomike me destinacion Bullgarinë, Jugosllavinë dhe Shqipërinë komuniste, në Tiranë kaloi tre ditë pune njeriu me emrin Panajoti Koliomihalis. Për praninë e tij shkroi vetëm “Korrieri”, madje me frymëzim. E vendosi titullin edhe në faqen e parë që t’i jepte edhe peshën e një lajmi të posaçëm. Duke menduar se prania në Tiranë e Koliomihalisit peshon edhe më shumë se aq sa u informua opinioni ynë, po i rikthehemi atij nëpërmjet vështrimit nga një kend tjetër: nga ai i rolit të elitave për t’i dhënë fund këtij tensioni të panevojshëm shpirtëror mes dy popujve dhe dy klasave udhëheqëse.
Panajoti Koliomihalis, siç “Korrieri” e bëri qartë të ditur, e ka patur të jatin shqiptar nga Lunxhëria, emigruar në Greqi në fillim të viteve njëzetë. Nëna e tij është helene, jeton akoma nentëdhjetëvjeçare. Vetë Panajoti, 61 vjeçar, është drejtues departamenti në spitalin “Ipokratios” të Athinës. I jati Koliomihalisit i ka lënë amanetin “Nëse ndonjëherë Shqipëria do të ketë nevojë për ndihmën tende, mos ngurro dhe për këtë do të kesh bekimin tim!” dhe ai deri tani si mjek ka ndihmuar pothuaj gjashtëdhjetë mijë shqiptarë, një shifër kjo që përbën popullsinë e një qyteti të tërë. Aq emër i bekuar ishte Panajoti Koliomihalis sa në fillim të viteve nentëdhjetë numuri i telefonit të tij hyri në tregun e zi të disa bashkëkombasve tanë të paudhë. E “shitnin” atë numër për ata që kishin nevojë për një ndihmë jo vetëm mjekësore.
Por vizita e grekoshqiptarit Koliomihalis në Tiranë nuk kishte të bënte me gjeste të tilla humane që do ta mbajnë të lartuar përherë, por kishte një objektiv tjetër. Ai është koleksionist i çdo gjëje që lidhet me historinë e Shqipërisë. Panajoti mbledh fotografi e kartolina të vjetra e të reja, libra të vjetër në shqip, harta dhe gazeta të fillimshekullit të shkuar e më tej. Pasuria dokumentare që ai zotëron tashmë e ruajtur në një bankë në Athinë, kapërxen çdo fantazi. Ky muze kombëtar shqiptar gjendet në zemër të kryeqytetit grek dhe autori ka në projekt të afërt publikimin e këtij thesari në një cikël albumesh, që financiarisht do t’i kushtojë fort, por e ka marrë vetë përsipër.
Pikërisht kjo vetnismë e ky projekt bëri që Panajoti Koliomilhalis të gjendet në një takim pune në një nga zyrat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, saktësisht tek Instituti Kombëtar i Diasporës. Përveç drejtorit të tij Flamur Gashi ishte në takim edhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Beqir Meta, një nga studjuesit më të mirë të historisë së marrëdhënieve greko-shqiptare. Nuk mungonte edhe Thimi Nika, edhe ai një nga koleksionistët më në zë të fotografive dhe kartolinave të vjetra me temë Shqipërinë.
Panajoti Koliomihalis në shkembim të mendimeve përsëriti po ato ide të tij që kishte bërë publike nëpërmjet “Korrierit”: “Le të shohim ato që na bashkojnë dhe jo ato që na ndajnë, pasi janë më shumë këto të fundit”; “Të ecim përpara jo si fqinjë, por si vëllezër”; “Ai që ecën e sheh mbrapa, bie”; “Të kapemi përdore, sepse kush lidhet dorë për dorë nuk ecën pas, por vrapon përpara”. Porse Koliomihalis në takim rrëfeu edhe një urtësi. Ai tha se me shqiptarët dhe grekët ndodh si me dy iriqë. I morën dy iriqë njëherë, tregoi ai, dhe i mbyllën në një kuti të vogël. Nga hapësira e ngushtë për shumë kohë ata gjakosën me gjembat e tyre njeri-tjetrin. Mirëpo nga dhimbjet që pësonin nisën të tregonin kujdes kur lëviznin, deri sa lëkura ku fërkoheshin të dyve iu bë e butë dhe e palenduar më nga gjembat e njeri-tjetrit”. Më pas këtij kumti, për të cilin ishin të njëmendjeje të gjithë të pranishmit, pa i hyrë llogarive se cili nga dy “iriqët” çponte më shumë, porse duke dashur që të marrin fund njëherë e mirë “gjembat” që tregon vetë Tanea, u ra dakort në parim që në Qendrën e Kulturës së Bashkisë së Athinës dhe në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë të çelen ekspozita me koleksionet e bashkuara të Panajoti Koliomihalisit dhe të disa kolegëve të tij shqiptarë. Ngjarje shumë e dëshiruar dhe interesante për kryeqytetin shqiptar (ata që kanë parë pjesë të thesarit të Koliomihalisit, por edhe të disa tanëve bashkëkombas, shqipton si vlerësim fjalën “mahnitje”) ajo ekspozitë në Athinë do të ketë një efekt mjaft afrues mes dy vendeve. Gjithsecili grek kur të shohë fotografitë e kartolinat nga Shqipëria, do të kuptojë dhe ndjejë nga afër se një shekull më parë ky vend e ky popull kishte shumë hijeshi njerëzore dhe mjaft shpirt artistik.
Me grekët kemi të përbashkët historinë dhe kulturën, por pikërisht për këtë njohje ne punojmë shumë më pak nga sa i kemi mundësitë. Ndërsa historia herë na nxit për të qënë sa më pranë njeri-tjetrit dhe herë na hedh mornica akullimi (porse që pikërisht për këtë gjë duhet njohur sa më mirë reciprokisht), kultura përhap te grekët e shqiptarët vetëm afërsi. Kultura ka një energji të madhe për rigjenerimin e miqësisë. Deri tani në televizionet greke nuk dëgjon një kengë shqiptare moderne. Përse kjo gjë të mos bëhet? Në ato ekrane filmat me temë shqiptarët janë vetëm krijime vendase me subjekt emigracionin, por sa mirë do të ishte që televizioni publik të transmentonte sipas një marrëveshjeje reciproke disa filma shqiptarë që i qendrojnë kohës? A nuk duhet më shumë që edhe në ekranet tona të ketë më tepër filma të popullit fqinj, që këtu në Tiranë e gjithkund në Shqipëri të vijnë shumë më shpesh kengëtarë e sportistë, shkrimtarë e aktorë. Po ashtu edhe nga Tirana në qytetet helene më shumë kolegë të këtyre fushave duhet nxitur e mbështetur të shkojnë.
Nga ndokush mund të thuhet se këto mënyra janë të stilit propogandistik, krijesa e fantazi kohësh të shkuara dhe se demokracitë që i besojnë lirisë, nuk merren me planifikime të tilla. Megjithatë ne besojmë se vendet e popujt e lirë duhet të kërkojnë e gjejnë çdo mjet që i bën të ndihen miq me njeri-tjetrin. A nuk e kini vënë re se janë të gjalla vetëm vizitat e vajtje-ardhjet e politikanëve dhe kjo gjë akoma është tepër pak? Duhet të hyjnë më fort në punën e bukur të miqësimit njerëzit e kulturës. Kjo që themi sigurisht është një punë individësh inteligjentë këtej dhe përtej kufirit, të aftë e të dëshiruar ta bëjnë, protagonistë të një politike miqësie pa asnjë kompleks superioriteti dhe të të qënit inferiorë. Dhe me që patjetër në Athinë të tillë ka, ne e dimë shumë mirë se edhe në Tiranë janë të shumtë.


Ylli Polovina






Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com