Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Torta e pavarësisë

Botuar në gazetën “Shqip” më 29 shkurt 2009

Në festën e pavarësimit të Kosovës mjaft nga gjetjet e saj të ceremonialit mbartnin jo vetëm mesazhe politike kuptimplota për shqiptarët, rajonin, Evropën dhe gjithë botën, por edhe ishin krijuar si edhe u ekzekutuan me mjaft shije e bashkëkohësi. Gjithçka ishte moderne, e njëllojtë sikur festa të bëhej në mes të Parisit, Londrës apo Nju Jorkut. Ishte një festë që nëpërmjet ekraneve më të njohur të globit e ndiqte e gjithë bota. Më 28 nëntor 1912 u bënë tre-katër foto dhe lajmi, i përcjellë me telegraf, mezi depërtoi në ndonjë gazetë të kontinentit. Si i gëzoheshin një shteti të tyre bota për herë të parë i pa shqiptarët më 17 shkurt 2008.
Ishte një festë e denjë. Nga që shqiptarët e Kosovës atë gëzim e kishin të merituar edhe mund t’u lejohej më shumë. Megjithatë nuk e kaluan masën. Kësaj rradhe edhe masa ishte mesazh, madje më kryesori. Për fat të trishtë në të njëjtën kohë grupe e shtresa radikale serbe nuk mundën dot ta kapërxejnë pa përhapur gjithkund, nëpër mediat botërore, një imazh që i dëmtoi.
Shtatëmbëdhjetë Shkurti dhe ditët e mëpastajme, ato që kaluan, por edhe ato që do të vijnë, janë e do të mbeten mesazhe. Sytë e vëmendja e opinionit publik ndërkombëtar mbeten të ngulur në Kosovë, në sjelljen e qeverisësve dhe politikanëve të saj, madje të vetë njerëzve të thjeshtë, pa përjashtuar edhe shqiptarët tanë bashkëkombas të shpërndarë në të gjithë botën. Në testim para opinionit ndërkombëtar do të qendrojnë edhe shtetet e shumta të Bashkimit Evropian që e mbështetën këtë pavarësim. Në bankë provimi do të jenë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në provë do të mbetet edhe vetë Perëndimi e mënyra se ai ky qytetërim kthen demokracinë, e mëkon dhe e zhvillon atë, mbi të gjitha si e përhap dhe e mbron.
Kosova sot nuk është shpallja e një shteti të pavarur dhe kaq. Të tillë akte vazhdimisht kanë ndodhur dhe do të ngjajnë edhe në të ardhmen. Kosova sot është një model. Nuk e besuan shumë në vitin 1999, kur NATO ndërhyri më në fund ushtarakisht, se një nga veçantitë e asaj lufte ishte karakteri humanitar: mbrojtja e popullsisë civile nga dhuna e verbër e pastrimit etnik. Kur thuhet se rasti i Kosovës është “sui generis” në historinë e botës kjo karakteristikë nuk do të mbesë vetëm për raporte e përmasa historike, politike, kulturore apo gjeostrategjike, se nuk ngjan me rastin e Abhazisë, të Transdnistrias apo të Osetisë së Jugut, por pikërisht se për herë të parë atje Aleanca Atllantike kreu një vepër të drejtëpërdrejtë humanitare dhe se po ato forca që përbëjnë demokracitë më të fuqishme të Perëndimit po ngrejnë sot një shtet demokratik model.
Kujtoni, ju lutem, se një dyzinë e më tepër vite më parë, kur Perëndimi mbështeti krijimin e shtetit të Maqedonisë, nuk pati të gjithë këtë angazhim e përgjegjësi para të gjithë botës!
Duke qënë se bashkëkombasit tanë kanë para tyre tashmë jo një festë, por një detyrim gjigand që, po nuk e çuan gjer në fund me sukses, do të përbëjë një nga bumeranget më të rëndë jo vetëm për ta, për të gjithë ne shqiptarët, por edhe për vetë promovuesit e demokracisë dhe të lirisë së popujve, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ja përse gjithçka që ndodh e vjen si lajm nga Kosova shihet “me lente”, gjer në imtësi. Nuk vështrohet ashtu vetëm nga studjuesit, nga opinionbërësit, nga rrethet e fuqishme politike, vendet kujdestare apo edhe nga dyshuesit. Ky proçes, pavarësimi i Kosovës, duke realizuar mrekullisht një rreth mjaft të gjërë dashamirësish, ka po ashtu qarqe mjaft solide dashakeqe. Nuk është fjala këtu për antishqiptarë, sepse të tillë për fat të keq akoma gjenden. Fjala është për vende e elita politikanësh që për arsye jo posaçërisht etnike duan që ky model pavarësimi shteti të falimentojë.
Kjo situatë përballjeje do të zgjasë jo me muaj, por me vite.
Sot nuk ka një shtet që ndodhet në gjendje totale provimi si Kosova. Një pjesë nga ne këtë gjë nuk e dinë, të tjerë e kujtojnë të lehtë, jo pak se është provim nga ata që merret me “mik”. Kosova shtet i pavarur dhe me dinjitet e standarte evropiane, shumë e përparuar dhe demokratike në sjelljen ndaj etnive të tjera dhe veçanërisht serbëve, nuk duhet të pësojë asnjë krisje. Po të jenë ndjekur me kujdes veprimet e Hashim Thaçit, që nga vajtja në një nga bashkësitë serbe, me tufë lulesh tek varri i Ibrahim Rugovës dhe më pas në Raçak, gjithsecili prej nesh e ka më të kuptueshme se sa rëndësi kanë marë tani mesazhet që i shkojnë botës nga Kosova.
Dhe pikërisht këto çaste shumë të brishta është shfaqur torta.
Për herë të parë ajo u duk në sheshin qendror të Prishtinës më 17 shkurt. Nuk doli para kamerave të televizioneve të huaja në fillim të ceremonisë, por në fund të saj, gati duke lënë përshtypjen se ishte jashtë protokollit zyrtar. Ishte një tortë shumë e madhe dhe njerëzit filluan të prisnin prej saj nga një copë. Gjer këtu nuk mund të bësh ndonjë vërejtje, dita e gëzimit e kërkon një ëmbëlsirë. Mirëpo shumë nga kamerat fiksuan një hollësi: torta ishte gatuar me formën e hartës së shtetit të Kosovës. Thikat e buta, thjesht për të prerë nga një copëzë, shkëputnin pak nga pak pjesë të këtij imazhi shteti. Me siguri një pjesë e bujtësve mbi tortë e kanë ndjerë këtë nonsens pamor, por duke qënë se ajo ëmbëlsisë ishte gatuar sinqerisht dhe po aq sinqerisht qe plazmuar me formën e Kosovës, nuk e kanë vrarë shumë mendjen. Duket kryeministri Hashim Thaçi psikologjikisht nuk e duroi dot pamjen e prerjes së tortës-Kosovë dhe nuk erdhi, duke e shprehur qartë këtë ide.
Megjithatë ajo tortë në fund të ceremonive festive të ditëpavarësimit u duk sikur u la pas dhe në Kosovë rinisi puna. Bashkëkombasit tanë tashmë presin ndryshimin dhe kjo gjë bëhet vetëm me punë. Por ja që torta u shfaq sërish. Ishte e madhe edhe kësaj here. U pre në buzë të kufirit mes dy shteteve tona, në një pikë doganore, me rastin e vendosjes së flamurit të ri të shtetit të veçantë fqinj.
Ndërkohë me shumë intervista, banderola, deklarata e manifestim në portin e Durrësit e më pas në sheshin e Tiranës dhe në Prishtinë mbërriti një grup përfaqësues nga diaspora kontinentale. Të tjerë gjithkund po lajmërojnë njeri-tjetrin për darka gëzimi, me kaq apo aq dollarë dhe euro çifti.
Gëzimi i 17 shkurtit edhe mund të vazhdojë. Nuk është koha e qeverisë së Ismail Qemalit, e cila nuk kishte para as për të paguar modestisht ministrat. Po ashtu mund të priten e përcillen në Prishtinë edhe shumë të gëzuar të tjerë, për ndjenjat fisnike të të cilëve nuk ka asnjë dyshim. Mund të rishfaqet edhe një tortë e tretë, një e katërt.
Pas rezistencës paqësore tërë madhështi të udhëhequr nga Ibrahim Rugova, pas epopesë gjer në legjendë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas punës nëntëvjeçare në një status të kufizuar për të marrë me meritë të drejtën e krijimit të shtetit të mëvetësishëm, tani, këto ditë e më pas, bën mot i mirë edhe për patriotët e pilafit.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com