|
VITET DYMIJË: LUIS DE ROZA, HISTORIA E NJË ARBËRESHI TË RIKTHYER NGA ITALIA NË SHQIPËRI
(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në datat 24 dhe 25 dhjetor 2016)
Shqiptarët e tokën amë kanë shumë kohë që më mirë njohin italianët se bashkëkombësit e tyre të mërguar në gadishullin Apenin pesë shekuj shkuar. E ndjejnë vërtet ekzistencën e tyre, por si diçka romantike, si të jetë një ngjarje e rrëfyeshme që të ngjall mallëngjim, por, e përsëritim: i njohin konkretisht arbëreshët fare pak. Përveç ndonjë individi apo grupi modest studiuesish, ndonjëherë edhe këta më tepër tipa ceremonialë, shqiptarët e tjerë mund ta vizitojnë Italinë në grumbuj të mëdhenj të hipur mbi autobuzë, përherë për të qënë të pranishëm midis magjepsjes arkitektonike të Venecies apo mes historisë botërore të Romës. Veç të shkojnë në qytezat arbëre në Italinë e jugut, në Kalabri, ku ndodhen më e shumta numrikisht e arbëreshëve, dhe në Siçili, ku përndritin për nga tradita pesë nga fshatrat më përfaqësues të historisë së tyre, as që ndodh.
Nëpër to ka vazhdimisht turistë gjermanë dhe anglezë, madje jo pak edhe prej vendeve të tjera të globit, por nga dheu autokton i etnisë mungojnë.
Kur e mendon se shqiptarët e kanë aq fare afër strehën pesëshekullore të gjakut të tyre, pra mjafton të kapërcesh pesëdhjetë e pesë miljet e Kanalit të Otrantos, çfarë do të thotë shumë më pak se njëqind kilometra!
Ndërkohë tek mënyra e tyre e jetesës, tek mendësia, sjellja, kultura e ruajtur nga e shkuara dhe këmbëngultësisht e zhvilluar në kohët moderne, ka kaq shumë shqiptarizëm sa mbetesh i pagojë.
Ne atje, matanë Adriatikut, në vendbanimet arbëre, kemi identitetin, kemi vetveten, sidomos në cilësinë më karakteristike dhe shprehëse, më të jashtëzakonshme: qëndrestarinë nacionale.
Për ta kuptuar sadopak këtë ndonjëherë mjafton të njohësh edhe vetëm njërin prej arbëreshëve.
Kjo është edhe arsyeja përse do t’ju përcjellim, nëpërmjet këtij shkrimi në dy numra pasues të “Shqiptarja.com”, portretin e Luis de Rosa, ose Luixhi de Roza (Luigi de Rosa).
Posaçërisht për ta këndvështruar më qartë shpirtin stoik abëresh nuk e kemi zgjedhur këtë “kampion” apo model referimi, prej territorit me banimin më intensiv të tyre: Kalabrinë dhe Siçilinë.
Luis de Rosa (de Roza), është prej krahinës së Molises, në Italinë qëndrore. Shpesh kjo hapësirë mbijetimi e shqiptarëve të moçëm anashkalohet apo edhe harrohet.
“Fshati im arbëreshë”, një fotoekspozitë e çelur vetëm njëherë
Patjetër për këtë arsyes Luis de Roza kreu një veprim të zgjuar. Në fund të janarit 2013 çeli në Galerinë e Arteve Pamore të Durrësit një ekspozitë informative për katundin e tij të lindjes, Ururin, po ashtu edhe krahinën e Molises me të gjitha vendbanimet arbëre.
Po pse e çeli në Durrës dhe jo, për shëmbull, në Tiranë?
Sepse në kryeqytetin e shqiptarëve, nisur prej metodës së thjeshtë të paraqitjes prej tij (gjashtëdhjetë copë kartoni standart me në secilën prej tyre dy apo tre foto tematike të shoqëruara me shkrim shpjegues ose në një farë mënyre një lëndë sa broshurë me përmasa të mëdha), institucionet qëndrore të shtetit nuk kanë ndonjë joshje për ta sipërmarrë. Nëpër kthina të dorës së tretë apo të katërt, sallë e vogël e ndonjë mjedisi bashkie apo hoteli, partie politike pse jo, nuk kanë dhënë shenja përvoje të tillë.
Luis de Roza e çeli ekspozitën e tij informuese për Ururin dhe krahinën arbëreshmbajtëse të Molises në Durrës, sepse që prej vitit 2011 jeton aty. Por për këtë rikthim të këtij arbëri të vjetër në tokën e të parëve do të flasim më vonë.
“Fshati im arbëreshë” e quajti de Roza ekspozitën e vet në atë janar 2013 dhe duhet thënë se media tregoi menjëherë vëmendje si edhe i dha hapësirë. Po ashtu mbështetje morale, inkurajim.
Qe i vetmi institucion gjithkombëtar që iu gjend afër.
Shpjegoi atëherë Luis de Roza: “Ekspozita flet për historinë e fshatit tim arbëresh, Ruri, që në italisht ndryshe quhet Ururi, e cila ndodhet në krahinë e Molisë. Hulumtimi im kthehet pas ndër vite, që kur Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka bashkëpunuar më Mbreterinë e Napolit të Arangonëve. Gjithashtu tregoj momentin kur na dogjën fshatin tim, ku shumë arbëreshë u detyruan të largohen për tu shpërngulur në një vend tjetër. Gjithashtu tregoj përpjekjet, peripecitë e shumta që ka kaluar populli im, pra shqiptarët arbëreshë”.
Sipas de Roza datimi i Rurit (Ururit) është i motit 1465, çasti kur baroni vendas u dha leje banimi të gjithë arbërve të emigruar nëpërmjet detit, sepse duhet thënë që ky katund ndodhet pothuaj në buzë të Adriatikut. Tërë krahina e Molises në Itali gjendet gjeografikisht midis Foxhias dhe Peskarës dhe deri në vitin 1811 i përkiste rajonit të Puljes (historikisht thirrur “Apulia”).
Atëherë kishte si qendër administrative një tjetër qytet, kurse tani ka Foxhian.
Moti regjistrues 1465, provë e pakundërshtueshme prej dokumentit të shkruar dhe të paraqitur në fotoekspozitë nga Luis de Roza, dëshmon se arbërit e ardhur në atë territor nuk përfaqësojnë atë shpërngulje të madhe të shkaktuar pas vdekjes së Skënderbeut (1468) dhe pushtimit total osman të Krujës, Lezhës dhe të Shkodrës (përfunduar në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të bëmës së Gjergj Kastriotit).
Në botën arbëreshe në Itali kjo karakteristikë, ngulitje para vitit 1468, vlerësohet posaçërisht për të provuar vjetërsinë e banimit në trojet italiane. Po ashtu kjo cilësi është mjaft e dobishme për studjuesit që analizojnë valët e shumta të shpërnduljes dhe të diasporës së vjetër shqiptare jashtë kufijve të saj.
Ururi (në variantin italian dhe Ruri në atë arbëresh) nuk është gjë tjetër veç një shqiptarizim i emërtimit të mëparshëm vendas të fshatit. Ai quhej Aurora. Një apo dy dhjetëvjeçarë para motit 1500 nëpër dokumente ndeshet për herë të parë, në vend të Aurora, fjala Ruri dhe disa herë edhe varianti Urure.
Ka edhe një variant tjetër shpjegimi, edhe ai sipas ligjësive të gjuhës shqipe, i cili është më emocionant dhe befasues. Ka lidhje me fjalën arbëre “huri”, hu ose flakadan i ndezur, që përdoret për t’u vënë zjarr banesave. Rrëfimi i vërtetësisë së kësaj teze kërkon hapësirë më të madhe shkrimi. Çfarë nuk e kemi mundësi këtë herë.
Me pak fjalë katundi italian u arbërizua edhe në emrin e tij. Ardhësit qenë të shumtë, por mbi të gjitha plot vullnet të fortë për të mos e zhbërë identitetin e tyre.
Ruri tani ka afërsisht tremijë banorë. Më parë kanë qenë jo më pak se 5000 vetë. Aty ka shumë ullinj dhe duhet thënë se edhe vetë Luis de Roza ka njëzetë rrënjë të kësaj peme të shumuar aq tepër në Arbëri në periudhën e rezistencës së Skënderbeut.
Këtë vit, në tetor, Luis që prej Durrësit shkoi në katundin e tij arbëresh për t’i vjelë, por na tregoi se kishte mbledhur fare pak. Ullinjtë e Rurit nuk kishin bërë si përherë.
Për të spikatur, mes disa dhjetrave fshatrave arbëreshë, rolin e veçantë të katundit Ruri, ai thotë se kur erdhi vala e fundit e madhe e shpërnguljes së shqiptarëve, asaj të vitit 1990 dhe në vijim, në fshatin e tij si edhe në vendbanimet e njëllojta të tjera në rajonin e Molises u bënë afro pesëmbëdhjetë martesa vajzash të vendit, arbëreshes, me shqiptarë. Ngulmon se ndërkaq nuk ngjau e anasjella. Asnjë arbëresh nuk lidhi kurorë me ndonjë emigrante shqiptare (Me ndonjë përjashtim të rrallë kjo dukuri u vu re, sipas përvojës dhe njohjes së autorit të këtyre rradhëve, edhe kudo tjetër në Itali). Luis de Roza i gëzohet shumë martesave brendakombëtare, sepse është i bindur sa ashtu nuk ruhen vetëm zakonet e jetës nacionale, por mbi të gjitha gjuha shqipe, një perlë e rrallë e burimit të lashtë indo-evropian.
Nënkryeministri arbëresh i arrestuar për korrupsion
Luis de Roza ndihet krenar që Ruri i tij i ka dhënë politikës italiane tre deputetë, vërtetë një përqindje befasuese, e jashtëzakonshme, e papërsëritur kund, por ai hesht për një fakt tjetër: që prej katundit dhe krahinës së tij arbëreshe ka pasur një pushtetushtrues të lartë, i cili në historinë e Italisë ka fituar titullin e “kampionit” si i pari politikan i arrestuar dhe i burgosur për korrupsion. Ishte viti 1979.
Ky është Mario Tanasi (Thanasi në shqip).
Mario i përkiste Partisë Socialiste Demokratike Italiane dhe arriti njëri pas tjetrit postin e Ministrit të Industrisë, Ministrit të Mbrojtjes (dy herë) dhe të Financës si dhe të zv.kryeministrit të Italisë.
Në strukturat socialdemokrate qe edhe bashkëkryetar i partisë, shef i grupit parlamentar të saj. Ai u njollos në skandalin e çështjes “Lockheed Corporation”, duke përfituar një bakshish prej pesëdhjetë mijë dollarësh nga porosia blerëse për Ushtrinë Italiane të 14 avionëve të transportit “Hercules C-130”.
Duke qenë se qe ministër dënimi iu bë prej vetë Gjykatës Kushtetuese të Republikës Italiane. I kaloi katër muaj në burg.
Ishte një ndëshkim shëmbullor dhe me këtë rast u tha se Mario Tanasi qe një arbëresh.
Albanolog me jetë profesionale të patundshme dhe jetë personale nën tërmet lëkundjesh
Luis ka lindur në 5 tetor 1944 dhe si shtatëdhjetë e dy vjeçar mbahet mjaft mirë, pothuaj është tip atletik. Në dhjetë shtator të këtij viti e kaluam bashkë një bisedë të gjatë buzë detit, në të djathtë të portit, në një mol që hyn thellë në ujrat e Adriatikut dhe të cilit vendasit i kanë vënë emrin “Koka”. Sigurisht e kanë fjalën për mbiemrin e familjes së njohur durrsake që ka nxjerrë dekadën e fundit një bashkiak si edhe ministër.
De Roza është jo vetëm një i njohur dhe miku im, por kur në vitet 1997-2003 punova në ambasadën shqiptare në Romë, edhe bashkëpunova zyrtarisht me të. Qe mjaft i vendosur në çështjen shqiptare, sidomos gjatë luftës së Kosovës, por edhe pasionant për ruajtjen e gjuhës arbëreshe.
Luis de Roza është gjuhëtar dhe jo vetëm autor i një Abetareje për mësimshqipen e moçme të krahinës së Molises (konsiderohet një nga abetaret më të vjetra të publikuara në Itali), por edhe të një libri shumë cilësor, afro dyqind faqesh, me titullin “Elementi di gramatica albanese, variante arbëreshe del Molise” (“Elementë të gramatikës shqip, varianti arbëresh i rajonit të Molises”), botuar në 2005.
Këtë herë takimi ynë ishte përtej rregullave dhe detyrimeve të punës shtetërore, shumë i lirë, për pasojë edhe më i thellë në depërtimin e të pathënave të dikurshme.
Ai mburret me aftësinë e tij për të gatuar makaronat, cilësi e të gjithë italianëve, sepse në thelb Luis de Roza dhe identiteti i tij kanë një gjysmë mijëvjeçari që jetojnë dhe përshtaten në gadishullin Apenin.
Pastaj tregon për divorcin që pa pasur me të shoqen, duke manifestuar edhe në këtë rast se më shumë nga arbëresh mbetet një latin. Kishte qenë një ndarje pa ndonjë problem të madh, ndërsa ish-bashkëshortja pas kësaj ishte rimartuar.
Kështu Luis mbeti beqar dhe qenë të gjitha mundësitë të vazhdonte këtë status familjar, i lidhur fort pas dy fëmijëve të tij, një djali dhe një bije, por qe Shqipëria që ia pati përmbysur të gjitha.
Vizitën e parë në të e kishte kryer në motin 1990, të dytën në 1997 dhe të tretën, vendimtaren, në 2008. Këtë herë, pra tek “e treta e vërteta”, vendosi të banonte në tokën e stërgjyshërve. Në fillim këtë e bënte për vetëm disa muaj dhe pasi në vitin 2011 mori leje qëndrimin e përhershëm, raporti i zgjedhjes u përmbys: pothuaj tërë motin rri në Shqipëri, në apartamentin e tij në Durrës, që sheh nga deti (Rruga Taulantia) dhe disa javë në shtëpinë e familjes së vet në Rur (Via Marina 93).
Me bashkëshorten e re ka një histori të thjeshtë. E kishte njohur në qytetin e Durrësit në shtator të vitit 2011, madje fillimisht prej rrjetit social fejsbuk. Ajo qe me prejardhje gorane. Për ta saktësuar këtë identitet të saj Luis de Roza plotëson se e shoqja vjen prej viseve të Namik Dokles, por me vetëm një ndryshim të vogël. Dokle, thotë, ka lindur në Mborje, ime shoqe në Shishtavec.
“Shqiptarët nuk dinë të kërkojnë falje”
Jeta me shqiptaren autoktone i ka sjella disa surpriza, që të gjitha të llojit profesional, pra gjuhësisë. Një nga këto ai e shpjegon me humor. E thotë saktësisht “Erdha në Shqipëri për të mësuar sa më mirë shqip, por këtu po mësoj turqisht”.
Të ikur para pushtimit përfundimtar osman, pra kur gjuha qe arbëre, ai e toleron një prani relative të fjalëve turke, por ato që ka mbartur shqipja realisht nëpër pesë shekujt e sundimit të Portës së Lartë, i duken mjaft të tepruara. Shumë i quan të panevojshme dhe urgjente një aksion kombëtar për të përdorur në vend të tyre variante shumë të bukura të gjuhës amë.
Ndërkaq për mënyrën e jetesës së bashkëkombësve të vet ai sërish përdor humor. E përsërit disa herë se “nuk kam parë një shqiptar që të kërkojë falje”. E shpreh këtë habitje edhe në fytyrë. Ajo një çast i bëhet si pikëpyetje.
Luis de Rozën e ka shtangur periudha e komunizmit të zbatuar nga Enver Hoxha. Ai vetë është eurokomunist i vjetër dhe për këtë arsye në Itali ka pasur ndonjë telash, histori për të cilën gjë do të flasim në shkrimin e të nesërmes.
Por de Rozën e ka lënë pa mend edhe koha tjetër, ajo që thirret “e demokracisë”. Ngul këmbë se pasarbërit, pra shqiptarët e paemigruar prej viseve të tyre, autoktonët, e kanë ngatërruar atë me gjendjen e kaosit. Me pak fjalë, thekson Luis, ju nuk keni kaluar as komunizëm dhe nuk po jetoni as në demokraci.
Thekson se kyçi i jetës së një njeriu është puna, raporti që ai ka me të. Në Itali ne themi kështu, shpjegon Luis. Banori i veriut ndryshon prej atij të jugut, sepse i pari e kërkon punën, i dyti e pret. Ju, shqiptarët, shpotit de Roza, zakonisht e prisni punën. Mbase e keni ves prej periudhës komuniste, ku gjithçka i merrte përsipër shteti. Kjo dukuri e pritjes së punës dhe jo e kërkimit, e krijimit të saj, vihet re në të gjitha vëndet e tjera ish-socialiste.
Mëma dhe tata, dy prindërit pa shkollë që ia mësuan arbërishten si të qenë profesorë
Luis de Roza është bir i vetëm. Që kur mbushi shtatë vjeç dhe shkoi në klasën e parë ai nuk dinte as të shkruante dhe as të fliste një fjalë italisht. Përdorte dhe kuptonte vetëm arbërishten. Dy prindërit e tij i kishin mësuar vetëm gjuhën e origjinës nga vinin gjysmë mijëvjeçari më parë.
I ati, Mili de Roza, është dhe mbetet udhëheqësi i tij shpirtëror. E ka përmendore. Me krijime të tij, poezi, në vitin 2007 ai ka publikuar një vëllim të titulluar “Mjeshtri dhe burri i dheut”, “Il maestro e il contandino”. Libri ka përfshirë edhe një autor tjetër, Nikolli Muzaqin, i cili në Ruri ka qenë një “figurë poliedrike, këngëtar, piktor, rapsod. Veprën e tij Luis de Roza e konsideron “një thesar të madh për kulturën arbëreshe të horës së Molizit”.
Për të atin, Milin, de Roza shkruan se është “i njohur si Ylluçi” dhe se krijimet e tij janë bërë vjersha popullore. I lindur në 1916 ka jetuar gjatë “tata”, siç e thërret arbërisht. Mbi të nëntëdhjetat. Në këtë rrëfim Luis përdor fjalë arbëre si mëmëmadhe (gjyshe), joshi ose tatamadhi (gjyshi). Por tatajoshi, sqaron, i themi bubullimës.
Ndërkaq të ëmën e kishte të pashkollë, por ndërkohë mësuesen më të rreptë dhe të ditur të arbërishtes. Nuk i bënte asnjë lëshim në numrat njëjës dhe shumës, në gjininë, në kohën e foljeve. I vogli de Roza bënte shumë kujdes të mos gabonte, sepse e ëma, e cila ishte me origjinë prej një familjeje të pesëqind viteve të shkuara nga Lëkurësi i Sarandës, nuk vononte të ndërhynte për të bërë korigjimin.
VITET DYMIJË: LUIS DE ROZA, HISTORIA E NJË ARBËRESHI TË
RIKTHYER NGA ITALIA NË SHQIPËRI
1968, pesëqind vjetori i vdekjes së Skënderbeut e shndërron arbërishten në revolucion kulturor.
Por jo të ngjashëm me atë të Mao Ce Dunit në Kinë, shkruan gazetarja italiane Klara Falkone.
(Vijon nga numri i djeshëm)
Arbëreshi Luis de Roza, prej tetë vitesh ardhës në qytetin e Durrësit prej katundit Rur të krahinës së Molises në Italinë qendrore dhe prej pesë motesh me leje të përhershme qëndrimi në Shqipëri, u largua për herë të parë prej familjes së tij kur qe në moshën njëmbëdhjetë vjeçare. Vijoi shkollimin në një kolegj fetar dhe prej doktrinës së idesë besimtare që merrte përditshëm dhe në mënyrë aspak zbavitëse, shumë shpejt u ndje si i veshur me këpucë shumë të ngushta. Qe tepër më i lirë në mendësinë dhe temperamentin e vet se ajo mënyrë jetese dhe të menduari.
E kuptoi më mirë se çdo herë tjetër se ia zotëronte tërë qenien vetëm një pasion: gjuha arbërisht, shqipja e hershme dhe ajo e shekullit ku jetonte.
Kështu pas dy vitesh iku. Më saktë ja mbathi. Në të vërtetë në këtë çlirim të vetvetes prej fesë si dogmë, bashkëpunëtor I zellshëm iu bë i ati. Qe ai, me mirëpritjen e tij të largimit prej kolegjit, që i ndryshoi në mënyrë përfundimtare rrjedhën e jetës.
Një prej episodeve më shprehëse dhe përcaktuese të këtij momenti kyç Luis de Roza paraqet një dialog me të atin, Milin. Ndryshe kur Luis qe shtatë vjeç dhe në klasën e parë fillore italiane hyri pa ditur e shqiptuar asnjë fjalë në këtë gjuhë, por vetëm arbërisht, kur trembëdhjetë motesh u kthye nga shkolla fetare, ndërsa i ati këmbëngulës, si përherë, i fliste në gjuhën e moçme të të parëve, Luis i përgjigjej italisht.
“O bir, i tha, ke harruar gjuhën tënde!”
Dhe i dha fletore e libër të shkruajë arbërisht. Në fillim Luis de Roza eci me vështirësi, duke ngatërruar edhe theksin e fjalëve. Jo rrallë gabonte edhe në kuptimin e tyre siç qe lidhësja “dhe” dhe emir “dhe”, dheu, toka.
Në 1960 Luis shkoi për studime në manastirin e Grotta Ferratës, në periferi të Romës, i cili qe institucioni më i madh arbëresh i ritit fetar bizantin. Atje ndodhej edhe biblioteka më e madhe e shqiptarëve të emigruar prej shekujsh në trojet italiane. Luis de Roza u vendos jo tek seksioni i priftërinjve, të krishterë ortodoksë, të cilët kishin rregulla më liberale dhe të drejtën të martoheshin, por tek ai i murgjëve, të cilët jetonin pa këto liri.
Kaloi një vit atje dhe në 1961 Luis u rikthye në Rur. Ishte me një cikël shkollor të pambyllur mirë, pra me të mesme (media superiore) të paplotësuar, kur e thirrën të kryente shërbimin ushtarak. Sipas rregullit nuk duhej, pa këtë nivel arsimimi, të vishej me uniformë, por “më morën gabimisht”, bën shaka ai. Kujtuan se e kisha shkollën e mesme deri në vitin e fundit, e vijon humorin Luis de Roza.
Ndërkaq në 1965, kur qe 21 vjeç, pati botuar vjershën e tij të parë në arbërisht në Revistën “Shejzat” të Ernest Koliqit. Profesorin e njohur antikomunist e pati takuar në Universitetin e Romës, ku ai drejtonte degën e shqipes. Do të publikonte tek “Shejzat” gjashtëmbëdhjetë poezi.
Në vitet 1966 deri në 1968 de Roza qe anëtarësuar në AIDCLM (Shoqata Ndërkombëtare Mbrojtje e Kulturës dhe Gjuhëve të Kanosura).
Në vitin 1967 në Rur erdhi papritur një gazetare e të përditshmes së njohur “Il Tempo”. Quhej Klara Falkone (Clara Falcone). Ajo mblodhi të dhëna për një shkrim të gjatë dhe e botoi në të gjithë faqen e tretë të gazetës. Titullohej “Revolucioni kulturor në arbëreshët e Ururit”. Fliste për mëkëmbjen e vrullshme të përhapjes së gjuhës së lashtë të shqiptarëve të emigruar herët në krahinën e Molises. Qe koha kur nëpër glob jehonte revolucioni kulturor kinez i Mao Ce Dunit.
Në 1968, një vit më pas, Klara Falkonte do të botonte në Milano librin e saj “Vetmi e ëmbël e Molises”.
Po këtë mot, në 1968, Luis pati themeluar në Rur “Komitetin për të ruajtur gjuhën arbëreshe në krahinën e Molises”. Këtë vit krijoi bashkë me Gjon Janaçin revistën dygjuhëshe “Gjellë” (Jeta) me drejtor Gustav Buratin. Në motin 1968 organizoi po ashtu të parin Karnaval Arbëresh në Rur.
1968-ta qe një vit i shenjtë për tërë shqiptarët kudo ndodheshin: ishte pesëqind vjetori i lindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Për këtë festim të rrallë dhe të hareshëm një delegacion i Komitetit për të Mbrojtur Gjuhën Arbëreshe në Molise shkoi në Romë. Mori pjesë tërësisht në ceremonitë përkujtuese të heroit kombëtar shqiptar prej Selisë së Shenjtë dhe një grup më i vogël prej tyre shkoi edhe në ambasadën shqiptare. Republika Popullore me kryeqytet Tiranën ishte majë më majë me Papatin dhe kush shkonte për ta nderuar Skënderbeun në Vatikan shihej shtrembër prej selisë diplomatike të qeverisë komuniste. Jo më pak vepronte edhe e anasjella: cili merrte pjesë në festimet zyrtare të ambasadës kundrohej vëngër prej Selisë së Shënjtë.
Në vitet 1969-1970 Luis de Roza themeloi revistën e dytë të emërtuar “Gjuha jonë e bukur”, gjithmonë me drejtor Gustav Buratin. Në mot më pas mori diplomën e mësuesit pranë Institutit Magjister të Gujonezit (Kalabri).
Albanolog, por edhe bashkëpunëtor i shërbimeve të fshehta italiane
Por jeta e Luis de Roza, me kthesa të papritura në profesionin e gjuhëtarit albanolog, por gjithsesi në vijim triumfues, ka pësuar tërmet pas tërmeti në jetën si ushtarak. Sepse ai për 33 vite, deri sa doli në pension, shërbeu në Aviacionin Italian.
Ishte i specializuar për meteorologji dhe vendpuna më kryesore e tij qe aerodromi ushtarak i Termolit. Kjo nyje strategjike vëzhgonte nëpërmjet aparaturave të posaçme edhe lëvizjet e aviacionit luftarak jugosllav dhe shqiptar, madje edhe më thellë në Ballkan, atje ku ndodheshin gjymtyrët e Traktatit të Varshavës.
Por edhe pse ishte nënoficer i besuar në flotën ajrore ushtarake të vendit të vet, për shkak se paralelisht dhe ngulmësisht merrej me gjallërimin e identitetit arbëresh, iu prish humori policisë lokale. Tetarin Luis e thirrën në një bisedë, e cila përfundoi në tërheqje vëmendjeje. Nga qortimi që po i bënin rendruajtësit me uniformë, ai një çast protestoi dhe u tha se e habiste shumë kjo trysni mbi të, kur me arbërishten në rajonin e Molises interesohej edhe ndonjë deputet, madje si veprimtar i spikatur qe edhe një kapiten i Ushtrisë. Por policët i vunë në dukje se ndryshe nga ata që citoi, Luis ishte edhe komunist dhe se nuk dëshironin aspak të kishte lidhje me komunistët e Tiranës.
Ca kohë u duk sikur kjo rrethanë vëzhgimi policor u la pasdore prej vrojtimit të policisë, kur, ndërsa po bëhej reshter dhe kjo donte të thoshte se paga mujore do t’i shtohej edhe me 10.000 lireta, para Luis de Roza u shfaqën vrojtues të tjerë të shtetit. Këta qenë pa uniforma.
Ishte Shërbimi i Fshehtë.
Nuk kishin asgjë për ta kritikuar, përkundrazi. I kërkuan të bashkëpunonte. Qielli i tërë Rurit dhe i Molises i ra mbi kokë. U gëzua që, ndryshe nga policët, agjentëve nuk u krijohej bezdi që merrej me arbërishten, por u trishtua sepse e parandjeu që e donin të ishte i tillë për të grumbulluar informacion.
Pas një reflektimi dhe bilanci që i bëri jetës së tij dhe rrethanave, prej të cilave njeriu shpesh nuk e ka të lehtë t’i bëjë sikur nuk e rrezikojnë, pranoi bashkëpunimin. E kishte gjetur “mesin e artë”. Ai ishte me dy atdhe që nuk mund t’i ndante nga njëri-tjetri: Shqipërinë dhe Italinë. Do të jepte vetëm atë informacion që i mbante pranë njëri-tjetrit, miqësisht, këto dy shtete.
Kështu studiuesi i traditës arbëreshe në Itali, nënoficer i Aviacionit, u bë edhe zbulues i fshehtë. Shpejt u kuptua se për Tiranën eprorët e tij nuk kishin ndonjë zell të madh të mblidhnin të dhëna. Nuk e konsideronin kanosje. Sigurisht edhe Beogradin, por këtë e vrojtonin si rrezik potencial shumë të afërt në rast se Jugosllavinë e sulmonin sovjetikët. Shërbimi i fshehtë italian qe sy e veshë çfarë ndodhte në Prishtinë. Aty, në disa seminare gjuhësie, por edhe letërsie, të cilat i organizonin vendasit, mblidheshin studiues të shumtë edhe prej eurolindjes, vendeve të kampit socialist. Një pjesë e tyre e përdornin statusin e profesorit si mbulesë për shërbim agjenturor.
Luis de Roza qe pjesëmarrës në disa prej këtyre takimeve ndërkombëtare (1977, 1978, 1987). Në atë të për Gjuhë dhe Letërsi për të huaj, në mbrëmjen letrare të organizuar pas seancave të diskutimeve profesionale, atij iu ndalua prej autoriteteve politike të lexoheshin pjesa e parë e vjershave kushtuar Prishtinës. Cikli e kishte titullin “Erdha ku ti banon, moj mëmë shqiponjë!”
De Roza prej ditëve të Prishtinës ka edhe ndonjë episod të përjetuar, të cilin, siç edhe e ka për natyrë të vet, e rrëfen enkas me mjaft humor. Një çast thotë se aq të shumtë qenë profesorët-zbulues sa ato seminare ishin me të vërtetë mbledhje spiunësh të ardhur nga Budapesti, Praga, Sofja, Varshava, Bukureshti, por edhe nga Tirana. Njërin prej tyre, vijon shakanë e tij de Roza, e ka parë të jetë deputet i parlamentit shqiptar.
Kush do ta vriste?
Papritur një ditë eprorët e tij të Shërbimit të Fshehtë i komunikojnë një vendim të parikthyeshëm që porsa patën marrë Për disa kohë, duke u justifikuar se herë ndodhej në gjendje gatishmërie të lartë ushtarake në aerodrom dhe herë në katund, në Ruri, do ta transferonin në një vend sekret, i cili mund të ishte në rrethinat e Romës. Do të qëndronte atje me identitet të maskuar deri sa të kalonte një rrezik. “Përse është”, pyeti Luis de Roza. I thanë: “Një burim ngul këmbë se një agjenturë e huaj kërkon të të vrasë”.
Luis de Roza i kapërceu me durim dy-tre muajt e fshehjes dhe, kur i thanë se më në fund qe i lirë për t’u rikthyer në jetën e dukshme, nuk i zbuluan ndonjë hollësi nga misteri i vrasjes së mundshme. Mbeti enigmë. As sot nuk ka gjetur ndonjë shpjegim. Gjithsesi njerëzit e shërbimit inteligjent, nga përvoja e bashkëpunimit me të, duhej të kishin mbetur të kënaqur, sepse, ndërsa roli zbulues i Luis qe “djegur” dhe për pasojë të dy palët do të ndaheshin, në aerodrom atë, prej shërbimit meteorologjik, e caktuan në detyrën e përgjimit të hapësirës ajrore të Ballkanit.
Nëpër çështjen e të refugjatëve Popa, të futur në ambasadën italiane në Tiranë
Në 31 maj 1983 Luis de Roza fitoi diplomën universitare për gjuhë dhe letërsi të huaj pranë Universitetit “La Sapienza” të Romës. U vlerësua me maksimumin e pikëve: “110 e lodi”. Po këtë mot nisi të frekuentojë Shoqatën e Miqësisë Itali-Shqipëri dhe u zgjodh në Këshillin Kombëtar të saj.
Viti 1985, 12 dhjetori, solli për raportet mes Italisë dhe Shqipërisë një rëndim të papritur të tyre për shkak të futjes në mjediset e saj, si refugjatë politikë, të gjashtë pjesëtarëve të familjes Popa. Kriza zgjati një pesëvjeçar dhe në për zgjidhjen e saj, mes veprimtarëve të Shoqatës së Miqësisë, të drejtuar nga profesori Xhuzepe Katapano, qe edhe Luis de Roza. Acarimi mes dy vendeve ishte aq i madh sa u reduktua numri i italianëve dhe madje i arbëreshëve që deri ato çaste vizitonin për punë Tiranën.
De Roza në një shpjegim të tij për këtë ngjarje na shkruan se “Në atë kohë frekuentoja Ambasadën Shqipëtare në Romë dhe bashkëpunoja me Prof. Giuseppe Catapano. Kemi biseduar disa herë me Ambasadorin Bashkim Dino-n dhe Profesor Catapano i kërkoi që autoritet shqiptare të lejonin ikjen e familjes Popa nga Shqipëria sipas Konventës së Drejtës Ndërkombëtare, ku apelohej Italia. Unë nga ana ime kam këshilluar që Shqipëria t’i hiqte nënshtetësinë shqiptare gjithë anëtarëve të familjes dhe t’i bënin ekspulsë ashtu që Shqipëria të dilte me një vendim sovran dhe Italia të mos vrojtohej nga Perëndimorët. Ambasadori Bashkim Dino ishte shumë i zëmëruar dhe kërkonte një rrugëdalje nga kjo ngjarje që ndalonte marrëdhëniet italo-shqiptare, por kishte edhe vështirësitë e veta. Më radikal ishte Sekretari i Parë Qazim Tepshi, i cili kërkonte dorëzimin i menjëhershëm të të ngujuarve tek autoritet shqiptare (në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë mund të dallosh lehtë se qëndrimi i Tepshit ishte i njëllojtë edhe me të Dinos dhe që të dy, diplomatë mjaft profesionistë) mbeteshin në përputhje me vijën zyrtare të qeveri-partisë shqiptare).
Vijon shpjegimin e tij Luis de Roza: “Sa ka ndikuar ndërmjetësimi ynë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes nuk e kemi në dijenin tonë, por në vitin 1987 mora pjesë në grupin e parë që u pranua në Shqipëri mbas kësaj ngjarjeje dhe shkela për herë të parë Tokën e paraardhësve të mi”.
Në 2 qershor 1988 de Rozës i ndodh një ngjarje mjaft e rëndësishme: nga presidenti i Republikës Italiane Françesko Kosiga mori medaljen e lartë nderuese “Kavalier i Urdhërit për Merita të Republikës Italiane”. Në protokollin e Presidencës dhe në origjinalin e sah mban numrin 16117.
Komunizmi dhe pluralizmi çfarë bënë për çështjen arbëreshe
Luis de Roza, për sa i përket çështjes themelore të jetës së tij, asaj të ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës dhe traditës arbëreshe në Itali, nuk dallon ndonjë ndryshim aq sa ta shohë si problem të pakapërcyeshëm kufirin mes periudhës moniste dhe asaj pluraliste Dekadat e realkomunizmit i vlerëson për nxitjen dhe mbështetjen e shumtë që i dha kauzës arbëreshe. Po ashtu ai spikat edhe grupin antikomunist të prirë në Itali nga Ernest Koliqi. Këtë të fundit e konsideron të palodhur për çështjen arbërore.
Pra vetë jeta e Luis nuk është ndarë mëdysh në fund të vitit 1990, kur në Shqipëri nisi shëmbja e diktaturës. Ai e ka përjetuar si vijim normal hapjen politike të atdheut të të parëve të tij. Në katundin e vendlindjes, në 1990, de Roza shpalli një manifestim veror-lodro-kulturor-sportiv të emërtuar “Hora ime Hare Rur” (“Qyteti im Gëzim në Ururi”). Kjo veprimtari vijoi për 13 vite rresht, deri në 2010.
Në 1991 bën një hap më kërcyes në pasionin e vet të albanologut: mori autorizimin për të mësuar lëndën “Gjuhë dhe Civilizim i huaj- Arbërisht/shqip”. Nga komisioni u vlerësua me 78/80 pikë. Ky forum që i dha notën, ishte i Katanzaro-s, i përbërë nga shumë të njohurit Prof. Francesco Solano, Prof. Francesco Altimari dhe Prof. Elio Miracco.
Në 1992 Luis de Roza themeloi Shoqatën Sportive të Çiklizmit “Aurora Bike”, e cila rreth një dekadë më pas u shndërrua në “A.S. Rur”. Atletët visheshin gjithmonë me fanella me simbol shqiponjën dykrenare dhe Skënderbeun.
Në motin 1997, kur erdhi për herë të dytë në Shqipëri, Luis de Roza vendosi që t’i kalonte në Shqipëri për vit festat kombëtare të Nëntorit. Ashtu ndodhi që prej atëherë deri më sot.
Që nga 1999-ta deri në vitet e fundit de Roza drejtoi kurse vullnetare për arbërishten në institucione publike dhe private. Kursi i fundit falas u zhvillua në Rur nga shkurti deri me 21 korrik 2012.
Në 1999, gjatë luftës së Kosovës, kur u shpërgull populli i saj në Shqipëri, Luis de Roza dhuroi, për kosovarët, shumën e një milion liretave në fondin qeveritar shqiptar. Ato çaste kryeministër qe Pandeli Majko.
Në 2001 de Roza krijoi Shoqatën Kulturore Arbëreshe, një vit më pas mori pjesë me grupin e vet të Rurit në Festivalin XXI të këngës arbëreshe në Shën Mitër të Kalabrisë. Ndërkohë pati themeluar dhe botuar revistën mujore “Kumbora”, e cila qe edhe buletini zyrtar i Shoqatës Kulturore Arbëreshe të drejtuar prej tij. Në 2006 kjo shoqatë në sektorin sportiv, me fanellat me simbolet arbëreshe me shqiponjën dykrenore dhe portretin e Skënderbeut, fitoi kampionatin krahinor të Molises për kategorinë e fëmijëve.
“Nonno, Albania un bel paese! (“Gjysh, Shqipëria qenka një dhe i bukur”)
Luis është i bindur se pesëqind vite të shkuara të parët e tij kanë emigruar prej territorit ku ndodhet Kruja dhe Petrela, dy kalatë e mëdha të rezistencës antiosmane. Mbiemrin e tij de Roza e interpreton sipas një dinamike fonetike të fjalës Driza, fshat në këtë hapësirë. Pra “di riza-di roza-de roza”.
Emrin e nënës së vet e përmend në formën Nata, por jo në kuptimin që ka sot në shqip (arbëreshët e përdorin mjaft emrin Diella, pra ditë me diell). Luis thotë se e ëma thirrej Incoronata, e kurorëzuara. I pëlqen t’i gjejë një lidhje anësore me familjen e Kastriotëve.
Por e ka thjesht romantizëm shqiptar për të shkuarën e ndritur të etnisë së tij, aspak të fisit apo të vetvetes.
Prej të birit, Emilios, Luis de Roza ka një nip. Quhet Emanuele dhe është, si edhe emri i të atit, një ringjallje e gjyshit, Milit. Emanuele i vogël është vetëm dhjetë vjeç. Para se për herë të parë ta sillte në Shqipëri, ky e pyeti Luis-in sa kasolle kishte në këtë vend. Pasi erdhi dhe shëtiti për herë të parë në bregdetin durrsak, kërkoi ta përsëriste këtë “xhiro”. Herën e trete të shëtitjes nuk e mbajti brënda vetvetes atë që ato çaste po mendonte: “Gjysh, Shqipëria vërtet qenka tokë e bukur”.
“Bel Paese” (“vend i bukur”), italianët i thonë vetëm gadishullit të tyre.
Ylli Polovina
Tiranë, më 22 dhjetor 2016
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|