Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

RAMA SA NJËZETË VITE BASHKË


(Botuar në gazetën “Shqip” më 22 maj 2016)

Kur kryeministri aktual e shqiptoi për herë të parë thënien se qeveria e tij po bënte punë “sa të gjithë njëzetë vitet e kusur” të pluralizmit të dytë shqiptar, ke prirjen të besosh se ky formulim është elektoral, i konsumueshëm në pak çaste të nxehtë gare politike dhe si çdo mjet i tillë i përkohshëm, zakonisht përherë pendëfryrë si kacagjel, do të lihet mënjanë.
Por kjo nuk ndodhi kurrë, asnjëherë, deri edhe dy-tri ditë më parë, kur në faqen e tij në fb kryeministri e ripërsëriti fjalë për fjalë. Nuk i ka bërë as edhe ndonjë përshtatje si shef i një kabineti që po shkon drejt mbylljes së një trevjeçari dhe gongu po bie për atje ku nuk bëhet shaka: ballafaqimin me vota.
Në një rast të tillë stërpërdorimi mendon se ky nuk është një slogan elektoral, as propagandë qeverisëse, por diçka më shumë se kaq.
Përse?
Sepse deklarata këmbëngulëse, por edhe kuti matës, se Edi Rama dhe qeveria e tij po punojnë dhe realizojnë në Shqipëri më shumë se kabinetet Meksi, Nano, Meta, Berisha apo tranzitorët Bufi, Ahmeti, Fino, Majko, përmban brenda vetes, më së paku, një ekzagjerim të madh, pse jo edhe një fakt antihistorik.
Po ashtu këtë gjykim të prerë nuk mund ta japë për Edi Ramën vetë Edi Rama. Më së pari, është tepër mburrës.
Pa asnjë etiketë mirësjelljeje politike, të paktën ndaj Ilir Metës, të cilin e ka aleat, ndaj Pandeli Majkos, që e ka ndihmës të papërtuar në situata të vështira, ndaj Fatos Nanos, me të cilin duhet, i pëlqen apo jo, të gjejë një status mospërplasjeje. Sidomos këtë qershor, në këtë njëzetë e pesë vjetor të partisë rozë, të themeluar prej tij.
Ka shumë pak mirësjellje, në shpalljen se është kampioni i qeverisjes së pas komunizmit, ndaj kaq shumë të tjerëve, ministra apo punonjës të administratës shtetërore, të cilët kanë punuar me disa prej qeverive dhe krahasimet mund t’i bëjnë fare thjeshtë.
Madje kanë qenë ata që kanë punuar në kontribute konkrete dhe nuk mund tua zerosh apo zvogëlosh.
Që në çastin kur ngul këmbë se brenda ca javëve, disa muajve apo afro tre moteve, po u jep shqiptarëve sa tërë periudha e pluralizmit mbi njëzetë vjeçar, forca e ndikimit të këtij mesazhi zvogëlohet dukshëm dhe kap pikën kur është kundërprodhues, pra kur shndërrohet në bumerang.
Ndryshe do të qe në rast se këtë vlerësim do ta shpallnin institucione të rëndësishme punëmatëse të Bashkimit Evropian, në kuadër të të cilit funksionojmë. Ose edhe të botës, ku japim e marrim. Ose së paku të ndonjë godine statistikore në Tiranë, e cila varet nga qeveria. Pse jo edhe prej ndonjë sondazhi të brendshëm.
Veç asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Askush mbi tokë nuk ka thënë e shkruar se në dheun e shqiptarëve që prej vitit 2013 po ngjan një çudi e hatashme, një ndodhi për çmimin Gines: një kabinet qeveritar që në ditën e parë të punës së vet, pra kur sapo kishte nisur të hidhte hapat e fillimit të ndikimit përmirësues në jetën e vendit, nëpërmjet shefit të vet, njoftoi se po realizonte sa për më shumë se dy dekada jetë të një populli, sa bashkë tetë qeveri të tij.
Me gjithë kufizimet në mjetet financiare, thekson kryeministri herë pas here, ne po bëjmë...dhe përsërit sloganin e tij të çuditshëm, i cili në çdo njëzetë e katër orë që shkon, humbet edhe sensin me elementar logjik. Nuk është më as në vlerën minimale të një pikëpamjeje apo ideje sipërfaqësore, siç është në të shumtën e herës propaganda.
Tashmë, e konsumuar pothuaj përditshëm, ajo nuk ka as, të paktën, një lloj muzikaliteti tingullor. Nuk i ka mbetur asgjë për ta kapur, është krejtësisht zhele.
Qeveria Rama është plot probleme, por do të mbetet në historinë tonë si mjaft origjinale dhe si një përpjekje e habitshme e një bashkëkombësi me të kaluar anarkiste, për të forcuar pjesët e ndryshkura të administratës shtetërore. Edi Rama është realizues, punëbërës edhe pse fjalët e tij të shumta gjithandej, sidomos nëpër konferenca apo intervista, ta mërzisin kontaktin mediatik me të.
Me pak fjalë, thjesht sipas mendimit tonë, Rama ka vlerë tek cilësia e punës së tij, e sjelljes qeverisëse, e cila është shumë qytetare dhe me shije, ai ka frymë moderne. Fryti i kontributit të kryeministrit aktual nuk është aspak tek e përgjithshmja, atë të njëllojtë me qeveritë kolege të së kaluarës.
Slogani bezdisës dhe ireal se karakteristikë e qeverisjes Rama është volumi, mbetet lodhës dhe i pakuptimtë, fare i padobishëm dhe, mbi të gjitha, nuk duam të besojmë se, i zhveshur prej çdo lloj vlere të qenësishme, mund të jetë thjesht delir.
Po të jetë kështu, për një njeri pushteti paralajmëron riciklimin e një slogani të Enver Hoxhës, sipas të cilit Shqipëria, pra personalisht ai, ishte fener ndriçues në të tërë botën.

Ylli Polovina

Tiranë, më 19 maj 2016


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com