Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

NJË AMBASADOR ITALIAN NË SHQIPËRINË KU SHUMICA DËSHIRONIN TË IKNIN


Xhorxho De Andreis, diplomati në Tiranë i krizës së Popajve

Shkrimi i parë

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com në 27 prill 2016)

Në 23 shtator 1987 një informacion i nënministrit të Punëve të Jashtme Sokrat Plaka për numrin një të partisë së vetme në pushtet dhe të vetë shtetit, Ramiz Alinë, si edhe për kryeministrin Adil Çarçani, thoshte se ambasadori italian në Tiranë, Françesko Karlo Xhentile (Francesco Carlo Gentile), “në një takim në Ministri sot njoftoi transferimin e tij dhe se parashikon të largohet rreth datës 14 tetor”.
Më pas: “Gjithashtu ai kërkoi agrimentin për ambasadorin e ri italian në vendin tonë, Giorgio De Andreis dhe dorëzoi Curriculum Vitaen e tij, e cila bashkëlidhet”.
Sipas asaj që në biografinë e Xhorxho De Andreis ishte shkruar nga vetë Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Italiane, ai pati lindur në Krakovia të Polonisë më 8 korrik 1934. Pasi në 13 mars 1957 qe diplomuar për shkencat politike në Universitetin e Romës, kishte hyrë në karrierën diplomatike të profilit konsullor në 31 dhjetor 1959. Punën konkrete e pati filluar në 11 janar 1960 në Shërbimin e Punëve Private dhe në 31 dhjetor të atij viti u bë atashé legate.
Në 2 shkurt 1962 De Andreis ishte me gradën sekretar i tretë legate dhe katër vite më pas, në 12 shkurt 1962 u ngrit në pozicionin e zëvendës konsullit të parë në Marsejë të Francës. Në 7 korrik të të njëjtit vit u bë sekretar i dytë e legatës italiane në Varshavë dhe më 17 mars 1967 qe sekretar i parë.
Nga çfarë për Xhorxho De Andreis në paketën informative i kishte përcjellë Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, ambasadori italian ende në detyrë, Françesko Karlo Xhentile, kolegu i tij që pritej të vinte së shpejti në 27 shtator 1967 qe emëruar në ministrinë e vet në Shërbimin e Shtypit, kurse në 26 dhjetor 1969 ishte bërë sekretar i parë tregtar në Ravalpindi. Në 31 dhjetor 1969 qe me gradën e lartë diplomatike këshilltar legate dhe në 1 korrik 1973 këshilltar ambasade.
De Andreis në 7 janar 1974 ndodhej në funksionin e konsullit të përgjithshëm në Jeruzalem dhe i rikthyer në Romë, në 19 qershor 1978 ishte bërë shef i Zyrës V-të në Drejtorinë e Përgjithshme Kulturore Shkencore Teknike të ministrisë. Në 22 shkurt 1980 qe në lartësinë e përfaqësuesit të jashtëzakonshëm dhe të ministrit fuqiplotë të klasit të dytë. Në 2 tetor 1981 ishte bërë ambasador i vendit të vet në Wellington, në shtetin-arqipelag Tonga në Paqësor. Në 24 shtator 1986 ishte akredituar në qytetin port Apia të ishull-shtetit të Samoa Perëndimore.
Jo vetëm kaq, por në informacionin njohës të ambasadorit Xhentile thuhej se De Andreis në vitin 1982 qe dekoruar me Urdhrin e Meritave të Republikës Italiane.
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë nuk u përpoqën shumë të kuptonin përse po ndodhte ai ndërrim i ambasadorëve italianë në Tiranë, sepse kjo që po ngjante, sadopak, ishte pasojë edhe e presionit të tyre ndaj qeverisë së Romës për ta larguar aktualin. Françesko Karlo Xhentile kishte qenë me mjaft pasion dhe dogmatizëm faktor pengues në zgjidhjen sa më të shpejtë të mosmarrëveshjes së rëndë, të krijuar mes dy shteteve, prej futjes si refugjatë politikë në mjediset e ambasadës Italiane të gjashtë pjesëtarëve të familjes Popa.
De Andreis ishte emëruar në Tiranë patjetër për ta mbajtur të hapur shtegun e një dakordësie në një prej krizave më të mëdha që Italia kishte ato çaste në marrëdhëniet e veta ndërkombëtare.

“Popa”, një histori e ndërlikuar refugjatësh politikë

Ngjarja pati ndodhur në funddhjetor 1985. Familja Popa nga regjimi komunist akuzohej se gjatë Luftës së Dytë Botërore pati kryer veprën e bashkëpunimit, me fashistët italiane. Pikërisht për këtë arsye ajo qe internuar jashtë qytetit të Durrësit, në një fermë bujqësore, në punë krahu.
Prej kësaj jete të mundimshme vajza e vogël e familjes, Zhaneta, nisi të nxirrte gjak nga goja. Atëherë një ditë të 12 dhjetorit dy prej motrave të tjera, Teano dhe Lineano, e morën prej dore dhe e dërguan në spitalin Sanatorium të Tiranës, i cili kuronte sëmundjet e mushkërive.
Në një nga këto ditë, ndërsa shëtitnin nëpër kryeqytet të gëzuara se u kishin ardhur nga vend internimi edhe dy vëllezërit, Akili me Rolandon, mbërritën tek kangjellat e Ambasadës Italiane. Këtu nis edhe enigma e të tërë asaj që pasoi dhe e cila shkaktoi jo vetëm debate, por edhe hetime dhe hamendjeje të pafundme, në Tiranë dhe në Romë, se mos e tëra kjo ishte një vepër shumë dinake, pra jo e drejtpërdrejtë por e tërthortë e zbulimit politik jugosllav, UDB-së, temë që ky cikël prej tre shkrimesh kushtuar ambasadorit italian Xhorxho De Andreis nuk e ka aspak përparësi.
Pra, ndërsa motrat e vëllezërit Popa, në “shëtitje”, qenë tek godina e ambasadës italiane, e cila ndodhej në rrugën “Labinoti”, vunë re se porta e hekurt e saj qe plotësisht e hapur. Dhe jo vetëm kaq? Polici shqiptar i ruajtjes, fare i shkujdesur, po bisedonte me një djalë.
Sipas variantit më të thjeshtë të shpjegimit të krizës më të madhe diplomatike italo-shqiptare të gjithë periudhës së Luftës së Ftohtë, tek vunë re këto rrethana fati, Popajt panë njëri-tjetrin në sy dhe vendosën menjëherë të hynin brenda. Në të vërtetë vrapuan aq furishëm sa u duk sikur kërcyen nga trotuari jashtë ambasadës brenda në oborrin e saj.
Të gjithë që panë këtë skenë ngrinë. U ngurosën kalimtarët, u murros edhe polici. Ato çaste në oborr, bashkë me një zyrtar tjetër, shëtiste vetë ambasadori italian, Françesko Karlo Xhentile.
Sa i pa të porsaardhurit u tha “Kush jeni ju?” dhe pa pritur përgjigje edhe “çfarë kërkoni?”. Popajt u përgjigjën se qenë të përndjekur se kërkonin strehim politik. Xhentile në fillim u hutua, por pastaj e mblodhi shpejt veten dhe iu drejtua me fjalët “prisni pak”.
U kthye pas tre minutash dhe shqiptoi frazën magjike: “Rrini, ne do t’ju strehojmë!” Më pas u komunikuan porosinë se duhej të rrinin të veshur, sepse dërgimi i tyre për në Itali do të bëhej menjëherë. Kështu të veshur dhe pa gjumë ata kaluan dy ditë. Ditën e tretë e kuptuan se nuk do të ishte aq e lehtë të dilnin nga muret rrethuese të asaj ambasade, tashmë e qarkuar me kordonë policësh, njerëzish të Sigurimit, ushtarë të Trupave Speciale dhe mjete të motorizuara.
Në tetor 1987 jo vetëm të gjashtë pjesëtarët e familjes Popa nuk qenë larguar dot nga Shqipëria, por edhe kriza mes dy vendeve, me gjithë përpjekjet e dyanshme për t’i gjetur një zgjidhje, ishte rritur.
Në 24 shkurt 1987 marinari Igli Tom Presi, i ndodhur në anijen shqiptare të ankoruar për punë në portin e Ravenës, iku dhe nuk u kthye më. Në 5 mars 1987 një arratisje e ngjashme brenda territorit të shtetit italian pati ngjarë edhe me marinarin e ekuipazhit të anijes “Korabi”, Sami Xhunga.
Edhe kjo ikje pati ndodhur në portin e Ravenës.

Arratisje e bujshme në Han të Hotit

Xhorxho De Andreis nuk do të gjente në Tiranë vetëm çështjen e nxehtë të refugjatëve politikë brenda ndërtesës së ambasadës së tij. E tërë Shqipëria kishte hyrë në fazën e përballjes me dukurinë e arratisjes jashtë vendit. Dukej sikur kjo gjë përbënte një strategji të atyre shteteve në Perëndim dhe Lindje, të cilat kishin nga një hesap për të larë me grupin udhëheqës stalinist të pas Enverit.
Ndryshe nga modeli i tij i mëparshëm, Hoxha, Alia bënte gjeste të ndryshme të uljes së tensionit të brendshëm politik dhe social, por prirja për t’ia mbathur nga ai vend i mbyllur vetëm shtohej.
Në 17 janar 1988, ndërsa në Tiranë u mbajt heshtje e plotë, agjencia jugosllave e lajmeve, TANJUG, njoftoi nga Titogradi se “Një grup shtetasish shqiptarë u arratisën dje pasdite në Jugosllavi. Ndërmjet tyre ka edhe fëmijë. Ata kaluan në territorin jugosllav në pikën kufitare të Bozhajt me një kamion me targë shqiptare, duke thyer postbllokun. Organet kompetente filluan hetimet dhe morën masa në përputhje me dispozitat ligjore dhe detyrimet ndërkombëtare, thuhet në njoftimin e Komitetit republikan të Malit të Zi për Informacionin, që citon një njoftim të Sekretariatit të Punëve të Brendshme të kësaj republike”.
Të nesërmen punonjësi i Ministrisë së Jashtme te Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Mirosh Sako, hartoi një informacion mbi bisedën e Sokrat Plakës me ambasadorin jugosllav në Tiranë Novak Pribiçeviç.
Takimi qe bërë po atë ditë dhe sipas Sakos zëvendësministri Plaka i komunikoi diplomatit të lartë jugosllav se “Ju kam thirrur lidhur me një incident të papëlqyeshëm që ka ndodhur ditën e shtunë, datë 16 janar 1988, në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit. 12 qytetarë shqiptarë pasi vodhën armë dhe një automjet u larguan nga territori shqiptar me dhunë në pikën e kalimit Hani i Hotit, duke shkelur kufirin shtetëror të RPS të Shqipërisë dhe të RSF të Jugosllavisë. Rojet tona të kufirit bënë përpjekje t’i ndalojnë dhe për këtë qëlluan një herë me armë brenda territorit tonë, por ishte e pamundur t’i ndalonin për shkak të dhunës që ata përdorën në momentin e kalimit të kufirit me automjetin e rrëmbyer dhe përdorimit të armëve. Në momentin e largimit, nga territori jugosllav kanë hapur zjarr me armë, automatikë, pistoleta dhe bomba dore në drejtim të objekteve të postës sonë kufitare dhe edhe vendqëndrimit të rojës së kufirit në pikën e kalimit shtetëror duke vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e rojeve kufitare në shërbim të qytetarëve që ndodheshin në momentin e incidentit. Dhuna e tyre u drejtua edhe kundrejt shenjave të rëndësishme të kufirit shtetëror, duke i shkatërruar ato. Kjo gjë e vrojtua edhe nga rojet e kufirit jugosllav. Ky ishte një provokim i rëndë i bërë prej tyre me qëllim që të krijojnë probleme mes dy vendeve tona. Prandaj kërkojmë nga organet kompetente jugosllave të tregojnë mirëkuptim dhe të marrin masa të menjëhershme që këta elementë t’u dorëzohen menjëherë organeve tona përkatëse. Me këtë rast shtojmë se nuk është fjala për një kalim të thjeshtë të kufirit, por për një shkelje të rëndë të tij, prej 12 personave...”
Sipas informacionit të Mirosh Sakos “Ambasadori jugosllav tha: Lidhur me ngjarjen për të cilën më folët jam vënë në dijeni nga Beogradi, por nuk di hollësira. Personat janë nën mbikëqyrjen e organeve kompetente jugosllave dhe për këtë është vënë në dijeni edhe zyra e OKB-së për refugjatët. Njëkohësisht për këtë është njoftuar në Sekretariatin e Jashtëm Federativ dhe i ngarkuari me punë i ambasadës së RPSSH në Beograd, dhe ai ka kërkuar që ata t’u dorëzohen organeve shqiptare. Nuk jam në dijeni të vendimit përfundimtar të zyrës së refugjatëve. Sa sipër e kam të qartë se jemi përpara një veprimi me dhunë. Gjithçka do t’ua transmetoj menjëherë organeve tona, jo më vonë se dy orë, dhe me të marrë përgjigje do të kërkoj takim për t’ua transmetuar atë”.
Pak më pas Novak Pribiçeviç shtoi: “Kisha ndërmend të bëja një takim tjetër gjatë javës në Ministri për të informuar lidhur me përgatitjet e mbledhjes së ministrave të Jashtëm, por siç jeni në dijeni u sëmura. Dëshiroj me këtë rast të falënderoj për kujdesin e treguar nga mjekët tuaj për kurimin e shpejtë timin, si edhe për interesimin që u tregua nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ndonëse nuk jam përgatitur posaçërisht për këtë takim shkurtimisht do dëshiroja t’ju informoj edhe për përgatitjen e mbledhjes së Beogradit. Tani jemi në fazën përfundimtare. Kemi marrë pëlqimin nga të gjithë pjesëmarrësit lidhur me datën, 24-26 shkurt 1988...”.
Në vijim mëshoi idenë se mbledhja e ministrave të jashtëm të rajonit do të mbahej në Beograd dhe se “pala jugosllave do të japë vetëm ndihmën teknike”. Pastaj pohoi: “Jemi shumë të kënaqur nga përgjigja pozitive e palës shqiptare”

Radio “Jugosllavia” bën një pasqyrë të ikjeve nga Shqipëria

Ndërsa takimi i mësipërm pati ngjarë në 19 janar, të nesërmen, në 20 janar 1988, ATSH, Agjencia Telegrafike Shqiptare, sektori i përgjimit të radiove të huaja, kapi, regjistroi dhe përktheu një emision të Radios “Jugosllavia”.
Ai thoshte: “Nja 10 shqiptarë ikën para disa ditësh nga Shqipëria në Jugosllavi. Në vendkalimin kufitar Hani i Hotit ata me kamion thyen postbllokun kufitar, kaluan në vendin fqinj dhe iu drejtuan për ndihmë organeve jugosllave. Fjala është për një ikje në vargun e ikjes së shtetasve të Shqipërisë të pakënaqur nga rrethanat në vendin e tyre, shkruan Aleksandër Popoviç. Dihet se kufiri i Shqipërisë është njëri nga më të mbyllurit në botë, madje në të dy drejtimet. Të rrallë janë ata që kanë mundur të vizitojnë këtë vend ballkanik dhe kryesisht tani kohët e fundit fjala është për vizita të organizuara turistike nga Perëndimi. Për sa i përket qytetarëve të Shqipërisë, numri i atyre që mund të udhëtojnë legalisht në botën e jashtme, përpos personave zyrtarë, mund të numërohet me gishtërinj.
Mirëpo, edhe përkundër kufirit të ruajtur rreptësishtë, kalimet ilegale nuk janë aq të rralla. Për këtë zakonisht gjenden vendkalime të fshehta malore. Ka pasur raste të kalimit me not të Liqenit të Ohrit apo të Shkodrës. Kurse kalim si ky i fundit gati nuk është shënuar.
Përveç kësaj, numri më i madh i emigrantëve nga Shqipëria, deri tani ka kërkuar se pari strehim në Jugosllavi ose nëpërmjet territorit të saj ka shkuar diku në Perëndim. Sipas disa të dhënave, shpëtimin nga ndjekjet në Shqipëri e kanë kërkuar, nëpërmjet Jugosllavisë, rreth 8.000 veta prej fëmijëve e deri tek pleqtë. Më së shumti ka pasur kohën e fushatës informbyroiste kundër Jugosllavisë në vitet 1948-1953. Atëherë në territorin jugosllav kaluan mbi 5.000-6.000 njerëz për shkak të mospajtimit me politikën e Enver Hoxhës. Një numri të vogël prej tyre u është njohur statusi i emigrantit, ndërsa 1300 prej tyre morën shtetësinë jugosllave.
Shumica e tyre u vendosën në krahinën Socialiste Autonome të Kosovës, mbi 700 veta. Përveç kësaj, emigrantëve nga Shqipëria u sigurohen kushte normale të parashikuara nga konventat ndërkombëtare. Shumica nga ata kanë pasur qëndrim luajal ndaj realitetit jugosllav. Por disa kanë marrë pjesë në aktivitetet e grupeve separatiste gjatë ngjarjeve kundërrevolucionare prej vitit 1981.
Të themi në fund se emigrantët nga Shqipëria përbëjnë grupacionin më të madh midis atyre, të cilët, nëpërmjet territorit të Jugosllavisë, kanë kërkuar të shkojnë në botën e jashtme. Gjatë 10 vjetëve të shkuar 16 mijë qytetarë të vendeve fqinje dhe eurolindore kanë kaluar ilegalisht kufirin jugosllav dhe me ndihmën e komisariatit të lartë për emigrantët të OKB-së, u vendosën përgjithmonë në njërin nga vendet perëndimore ose tej oqeanike”.

(Vijon)

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com