|
HABER SARAJ
Agjencia Telegrafike Shqiptare, pjesa e parë për ta njohur.
(Botuar nè gazetèn “Shqip” mè 26 dhe 27 mars 2016)
Tek “Blloku” i kinezëve
Republika Popullore e Kinës së udhëhequr nga Mao Ce Duni, kur ndërkohë në Pekin po shfaqej në horizont kursi i ri i drejtimit prej Ten Siao Pinit, në një nga kurizet e buta ku është populluar Tirana (të cilën syri i kalimtarit nuk e dallon lehtë si reliev tokësor të ngritur), buzë lumit Lana, në bulevardin “Marsel Kashen”, pati një territor, në të cilin kishte ngritur “bllokun” e vet.
Këtu qenë tre godina shumëkatëshe.
Do të ishin ambasada kineze, dega për tërë Evropën e HSINUA-së, agjencisë së lajmeve të këtij vendi, si edhe hoteli që do të banohej nga personeli.
Në 1978 marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe republikës komuniste gjigande të Azisë së Largët do të prisheshin dhe të tre ndërtesat do të merrnin një funksion tjetër. Ish-ambasada dhe hoteli, i cili ishte pranë saj, do të shndërrohej, pas disa përshtatjeve të brendshme, në selinë e re të Ministrisë e Punëve të Jashtme, kurse godina e HSINUA-së në seli të ATSH-së, Agjencisë Telegrafike Shqiptare.
Pas çlirimit ajo ndodhej me zyra, siç e shpallte në krye të buletineve të saj të lajmeve, tek “Tirana e Re, në të djathtë të Pallatit Kongreseve”. Numri i telefonit qe gjashtë shifror. Para se ATSH të transferohej tek dikur HSINUA për Evropën, në bulevardin “Marsel Kashen”, me një central telefonik me numër katër shifror, gjendej në një godinë para redaksisë së gazetës “Zëri i Popullit”, në skajin verior të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Deri para një viti ajo ndodhej ende atje, në “Marsel Kashen”, sepse tashmë, sot, e futur në një ndërtesë të vogël, por mjaft elegante, gjendet pas kompleksit të ndërtesave të RTSH-së, radio-televizionit kombëtar.
Në këtë rrëfim ne do të përpiqemi të rikthejmë në vëmendjen e lexuesit të sotëm, atij të vitit 2016, siluetën e një pjese të historisë së Agjencisë Shqiptare të Lajmeve, të cilën po e quajmë, thjesht për figuracion, edhe Pallati i Lajmeve, një lloj Haber Saraj.
Doemos që nuk është ndonjë lakmi apo kokëkrisje letraro-publicistike për të pasur një variant të dytë të Tabir Sarajit, “Pallatit të éndërrave”, veprës madhështore të Ismail Kadaresë. Haber Saraji ynë është një gjë krejt modeste, por, duke u njohur përditë e më shumë me historinë e ATSH-së, nuk i shkonte fare përshtatja gjuhësore dhe konceptuale e termit Pallati i Lajmeve, në asnjë gjuhë europerëndimore. “Kostumi” që i rrinte më mirë në trup, në përpjekje për ta shpjeguar çfarë çudirash kanë bërë jetë në të paktën shtatë dekadat e saj të pas luftës, qe ajo e veshjes kuptimore turke, madje ajo e vjetër, e periudhës otomane.
Pesë ATSH, një për kohë paqeje dhe katër për mot lufte
Kur në prill 1992, pas nxjerrjes elektorale nga pushteti të qeverisjes së mëparshme, gazetarin Ilir Zhilla e thirri nënkryeministri i qeverisë së re, Rexhep Uka ky u hutua pak kur i komunikuan zyrtarisht lajmin se qe emëruar drejtori i ri i Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Dialogu mes të dyve u mbush vetëm me shprehjet e rrumbullakta, pothuaj rutinë, “Nuk kam asnjë porosi të posaçme për t’ju thënë” dhe “Puna do t’ju mësojë”.
Kur Zhilla shkoi në ndërtesë, drejtori i mëparshëm, Petraq Zoto, e shoqëroi mirësjellshëm në të katër katet e ndërtesës e deri në grehinën e laboratorit që ndodhej në oborrin e agjencisë. Por doemos nuk e futi në nëntokë, sepse pikërisht në këtë oborr gjendej një vendstehim antibërthamor prej treqind metrash katrorë, ku, në rast luftimesh kundër një pushtimi të huaj, do të strehohej tërë personeli operativ i ndodhur në agjenci.
Ilir Zhilla atë ditë mësoi se ATSH kishte 202 punonjës. Pak vite më parë, për të paktën dy dhjetëvjeçarë rresht, ajo pati pasur të punësuar dyfishin.
Drejtorit të ri i bëri përshtypje, në ndarjen e funksionit të kateve, rregulli që tek i treti nuk mund të hynte kushdo punonjës i të parit dhe i të dytit, si edhe një derë e hekurt që e veçonte dukshëm katin e katërt nga gjithë të mëposhtmit.
Pastaj pa me sytë e tij dhe mësoi se tek “superkati” i tretë punonin non stop, njëzetë e katër orë për njëzetë e katër, në tre turne, afro gjashtëdhjetë përkthyes të gjuhëve të ndryshme. Atje ishte si Kulla e Babelit.
Në katin me portë të hekurt ndodhej, përveç aparaturës dhe antenave, reparti i madh i teleshkruesve, secili prej tyre i lidhur me një agjenci të huaj lajmesh. Në një pjesë të këtij kati gjendeshin edhe radiopërgjuesit, gazetarët që ndiqnin, tërë kohën me kufje në vesh, secili një radio të jashtme. Pasi dëgjonin dhe regjistronin rregullisht radion “Zëri i Amerikës”, Radio Vatikanin, Radio Moskën, atë të Beogradit, të Athinës, të Sofjes, të Titogradit, të Prishtinës dhe të jo pak të tjerave, e përkthenin apo e zbardhnin lëndën e shkruar, duke ia dorëzuar dy herë në ditë shefit të sektorit. Vetëm pas këtij, çfarë qe bërë tekst i shkruar nga çfarë patën folur radiostacionet e huaja, mund ta merrte rrugën për t’u ngjitur nëpër shkallët më të larta të hierarkisë së administrimit të lajmit, deri tek pika kulmore: drejtori i madh. Ishte ky që jepte vendimin nëse çfarë ishte interceptuar mund apo jo të dilte jashtë mureve të godinës.
“Haber-Saraj” i trashëguar nga koha e komunizmit kishte edhe katër “binjake” të veta. Qenë ATSH të tjera, me përmasa më të vogla, katër ndërtesa për në rastet kur kryeqyteti do të merrej nga armiku pushtues dhe lufta e ushtrisë së rregullt nga niveli i përballjes frontale do të kalonte në shkallën e dytë, në nivelin partizan, atë të quajtur lufta popullore.
Dy nga këto ATSH binjake qenë vendosur jo shumë larg Tiranës, në Plloskë dhe në Bizë të Martaneshit. Dy të tjerat gjendeshin në Gramsh dhe më thellë jugut të vendit, në Tepelenë.
Godina qendrore e agjencisë kishte po ashtu në vartësi edhe një stacion antenor të madh, i cili më parë pati qenë i kinezëve. Ndodhej në Fllakë, në veri të Tiranës.
Katër godinat e ATSH-ve për kohë lufte, grehina pjesërisht mbi tokë dhe nëndhe, të pajisura me aparaturat përkatëse për të funksionuar normalisht marrja dhe dhënia e lajmit, bashkë me radiostacionin e Fllakës përbënin një territor prej njëqind hektarësh tokë.
Heqja e tetë familjarë të Byrosë Politike
Që në ditët e para Ilir Zhilla e kuptoi se në Agjencinë Shqiptare të Lajmeve nuk duhej të hiqte profesionistët. E drejta për t’u vetëdemokratizuar qe e të gjithëve, pa asnjë përjashtim. Gazetarët apo përthyesit mendërisht nuk qenë e shkuara, por edhe e nesërmja, pse jo, bashkë me të rinjtë që do të vinin, edhe e ardhmja. Gjatë tranzicionit nga diktatura në shoqëri të hapët prej ATSH-së shtetit dhe kombit shqiptar nuk kishte ndodhur asnjë gjest i rëndë deformimi politik apo partiak i lajmit, ca më shumë nuk pati ngjarë, nëpërmjet shpërndarjes së diziinformimit, asnjë diversion ndaj sovranitetit dhe qendrueshmërisë së rendit publik të vendit.
Për arsye politike Zhilla largoi që në fillim shtatë punonjës, që të gjithë pjesëtarë të familjeve të grupit të ngushtë udhëheqës të Partisë së Punës. Kështu në agjenci nuk mund të punonin më dhendëri i Hekuran Isait, djali i Gogo Nushit, nusja e Hysni Kapos... Nusja e vogël e Enver Hoxhës, Liljana, e cila pati qenë nëndrejtore e ATSH-së, qe vetëlarguar dy javë më parë se të emërohej drejtori i ri. Ndërkohë Ilir Zhilla largoi edhe dy dyzina me të emëruar politikisht dhe qëllimisht gjashtë muajt e fundit.
Këto veprime në personel shkaktuan zemërimin e gazetës “Zëri i Popullit” si edhe një artikull kritik të saj, por pa u vonuar ndërhyri me një deklarim qetësues Dritëro Agolli dhe vëndin e polemikës e zuri pjesërisht heshtja për çfarë po ndodhte në ATSH dhe ndonjëherë edhe mirëkuptimi.
Njeriu i qeverisë së dalë nga zgjedhjet e marsit 1992, duke u mbështetur tek inxhinierët që gjeti, për nga natyra i prirë nga ekonomia e tregut, rinovoi me sa mundi teknologjinë, futi internetin dhe e bëri të shitshëm lajmin. Do të arrinte në këtë mënyrë të siguronte deri në gjashtëdhjetë për qind të buxhetit financiar të agjencisë.
Lajmin e ATSH-së qenë të detyruar të gjithë mediat, kur e merrnin dhe e publikonin, ta paguanin. “Gazeta Shqiptare” ishte më e rregullta. Drejtorit të emëruar prej vetë partisë antikomuniste të ardhur në pushtet iu desh në një rast të blokojë për dyzetë e tetë orë furnizimin me lajme të “Rilindjes Demokratike”, sepse bënte shkujdesje dhe indiferencë për ta cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Ilir Zhilla me bashkëpunëtorët e vet botoi edhe një gazetë. Quhej “Lajmi i ditës”. Me tirazh 3500 kopje dhe njoftime që nga politika deri tek ekonomia, kultura po ashtu dhe me mjaft të dhëna nga sporti të hartuara prej gazetarit të talentuar Besnik Dizdari, kjo e përditshme vijoi të jetonte normalisht për dy vite rresht.
Ftesa për Thanas Nanon, ndërsa i biri qe në burg
Kur në 1994 ATSH festoi përvjetorin e themelimit të vet dhe për nevoja të ceremonisë duhej të ekspozoheshin edhe fotot e të gjithë drejtorëve të mëparshëm, Ilir Zhilla i dërgoi në shtëpi një gazetar “afër të majtës” Thanas Nanos që ky t’u jepte një pamje të portretit të tij. Nanua u ktheu përgjigje të tërthortë hatërmbetjeje, duke thënë se “nuk paska mbetur në ATSH asnjë foto imja!?”
Fatos Nano gjendej në burg dhe Thanasi dyshoi se ajo lojë me fotot qe, në vijim i persekutimit politik të të birit, një hipokrizi.
I shpjeguan se dëshironin të kishin një pamje siç e pëlqente ai. E ftuan edhe në festimet e përvjetorit, ku nuk do të mungonin as ish-drejtorët e tjerë, sigurisht prej atyre që ende jetonin.
Fiqiri Vogli, Arqile Aleksi dhe Petraq Zoto, drejtues të para nëntëdhjetës, erdhën, por Thanas Nano jo. Gjithsesi fotografinë e tij e dërgoi dhe ajo u vendos në vendin e vet, publikisht.
Mehmet Shehu në Berat huton agjencitë e huaja të lajmeve
Aljosha Keko është njëri prej gazetarëve të vjetër të ATSH-së. Ka nisur punë në këtë agjenci në vitin 1976, sapo përfundoi studimet në Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës. E emëruan shumë shpejt në Berat, si një ndër dymbëdhjetë korespodentët që ATSH kishte nëpër rrethe. Do të përjetonte në këtë qytet një nga ngjarjet më të veçanta. Ajo kishte të bënte me një deklaratë të papritur të Mehmet Shehut.
Qe 22 tetori i vitit 1977, përvjetor i shpalljes nga PKSH i asaj që e emërtuan në historinë e tyre si Qeveria Demokratike dhe pas pranisë zyrtare në këtë ceremoni, kryeministri kërkoi të bënte një takim pune me kuadrot kryesore të qytetit. Duke qenë se numrin më të madh të tyre e kishte Kombinati i Tekstileve, një ndërmarrje me dhjetë mijë punonjës, në tribunë, ku në qendër u vendos Shehu, kishte të ulur edhe dy specialistë kinezë.
Ata rrinin si mbi gjëmba. Parandjenja e shqetësimit iu vërtetua. Një çast kryeministri tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës në pamje të parë dukeshin si një mollë e kuqe, por në të vërtetë brenda kishte hyrë krimbi.
Kjo deklaratë, e bërë për herë të parë nga një përfaqësues i rëndësishëm i Shqipërisë për ekzistencën e një krizë mes Tiranës dhe Pekinit, ra si bombë, çfarë në sallë shkaktoi hutim dhe tek kinezët në tribunë pikëllim të qartë. Gjithsesi Aljosha Keko ia dërgoi menjëherë agjencisë tekstin e lajmit, sepse, ndryshe nga korespodentët e tjerë, kishte një aparat teleshkruesi. Ky e ndihmonte që njoftimi të shkonte në qendër në çast.
Në Tiranë drejtori Arqile Aleksi e mori menjëherë në telefon dhe kërkoi nëse kjo gjë qe e vërtetë. Pra patjetër duhej t’ia provonte. Keko u përgjigj se gjithçka e kishte të regjistruar me zë. Megjithatë shefi i tij nuk dukej i sigurt dhe lajmi-bombë, që do të “rrëmbehej” menjëherë nga agjencitë e huaja të lajmeve, u mbajt pa u dhënë një orë të tërë. Në verifikimin nga burime të tjera, prej rrethit të bashkëpunëtorëve të ngushtë të Enver Hoxhës erdhi porosia që çfarë Mehmet Shehu pati thënë në Berat duhej të shpërndahej menjëherë. Në radiotelevizion dhe nëpër gazeta do të ishte në formën konkrete si qe shqiptuar: marrëdhëniet mes Kinës dhe Shqipërisë i ngjanin në pamjen e jashtme një molle të kuqe, e cila brenda po mbushej me krimba.
Si punonte në komunizëm
Pallati i Lajmeve, Haber Saraj, me mbi katërqind punonjës, funksiononte si një fabrikë e madhe, ku çdo proces qe nën një rregull të hekurt. Tërë lajmet e prodhuara, ato të grumbulluara prej korespodentëve në rrethe apo të hartuara nga redaksia qendrore, të mbledhura prej agjencive të huaja, nga radiot në vendet fqinje e deri thellë në lindje dhe në perëndim të kontinentit, ato të përpiluara nga sektori i cili quhej Kartoteka (këtu vinin me postë ajrore të gjitha gazetat apo revistat e domosdoshme të vendeve të tjera), paketoheshin në buletine të llojeve të ndryshme.
Pasi shumoheshin nëpërmjet daktilogafimit, por më shpesh me anë të shaptilografimit (agjencia kishte në ndërtesë edhe një shtypshkronjë të vogël), buletinet shpërndaheshin çdo dymbëdhjetë orë, në drekë dhe mbrëmje, me anë korierësh. Në fillim këta qenë me biçikleta, pastaj nisi lëvizja e tyre me motora dhe vijoi me një makinë të ngarkuar posaçërisht.
Këta buletine, tregon Aljosha Keko, kishin emërtime të ndryshme: lajmet nga vendi, ato të jashtme, për ekonominë, kulturën apo shkencën, e deri tek të Posaçmet, specialet. Të parët, kundrejt një pagese, u shpërndaheshin gazetave të kohës si edhe RTVSH-së, organizatave të ndryshme ndihmëse të PPSH-së apo institucioneve të shumta të monizmit. Në çdo publikim apo citim qenë të detyruara me ligj që të citonin burimin prej ku pati ardhur lajmi, pra ATSH-në.
Buletinet e posaçme qenë të ndara në tre nivele. Numrin një, të quajtur prej Agjencisë Telegrafike Shqiptare edhe si “Buletini i Verdhë”, e merrnin Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. Vitet e fundit qe shtuar edhe emri i Ramiz Alisë. Në atë paketë ishin të përkthyera të gjitha shkrimet e medias së huaj, pa asnjë censurë, përfshi edhe më antikomunistet dhe kundërenveristet.
Me këto të fundit, artikujt apo emisionet radiotelevizive posaçërisht kundër Enver Hoxhës, u përfol që të paktën pas vitit 1980, kur vështrimi i tij u dobësua gjer në pamundësi të plotë leximi, po ashtu edhe gjendja shendetësore prej diabetit iu rëndua, lajmet nga buletini tepër special ia kumtonte e shoqja. Ajo prej tyre zgjidhte ato që vetëm sipas saj, qenë më të rëndësishmet. Për të mos i krijuar emocione negative, të cilat ia përkeqësonin gjendjen, një pjesë ajo i shmangte.
Nuk dihet sa informacion të nevojshëm Enver Hoxha ka humbur me motivin “të mos e shqetësojmë”.
Doktor Zabit Brokaj lexon fshehtas Buletinin e Posaçëm
Por kjo historia e buletineve superspeciale të ATSH-së që vinin tek Enver Hoxha, ka edhe një kuriozitet. Doktor Zabit Brokaj, mjeku i tij personal për zemrën, na ka thënë në mirëbesim se atë paketë për vetëm tre më të mëdhenjtë e shtetit e lexonte edhe ai. Mundej fshehurazi edhe ndonjë mjek tjetër i grupit kurues të Hoxhës. Veprimin tërësisht të ndaluar për këdo Brokaj e kryente duke përballuar një vështirësi jo të vogël.
Siç ai tregon, shefi i truprojave të Enver Hoxhës, Sulo Gradeci, pasi Nexhmija ia lexonte pjesërisht lajmet e pacensuruara të shoqit, ky tufën me letra të specialbuletinit e lagte me formalinë dhe i linte në një skaj, ku më pas do të merrnin për ta asgjësuar. Mirëpo të prekësh e jo më të shfletosh dhe lexosh fletë të njomura me formalinë, pra të durosh marramendjen që të krijon era mpirëse që ajo lëshon, sytë që t’i përlot, është një stërmundim i vërtetë.
Gjithsesi Zabit Brokaj ia delte. E kishte kaluar për vite e vite të tëra stazhin e punës me formalinë në morgun e spitalit të Tiranës.
Agjencia Telegrafike Shqiptare, pjesa e dytë për ta njohur.
Kur një lajm është si plumbi dum-dum
Në fund të vitit 1992 agjencia shtetërore e lajmeve qe mpakur më shumë se dy herë: kishte vetëm 170 punonjës. Ndërkohë edhe lehtësim në procedurat e mëparshme të kërkimit, të formulimit dhe të transmentimit të lajmit për opinionin publik.
E organizuar tashmë mbi një sens të zhvilluar të ekonomisë së tregut, kundrejt pagesës, ATSH jepte, në një farë mënyre shiste, çdo ditë, mbi katërqind lajme. Shtypi i brendshëm i merrte dhe e citonte burimin, radiotelevizioni po ashtu, madje në vitin 1996 ATSH ia doli të përpilojë dhe kishte pronë të saj të gjitha lajmet e shkruara në teletekstin e ekranit të vetëm publik.
Bashkë me aftësinë profesionale, traditë e vjetër e institucionit, këtë kohë mori jetë dhe pasion gjurmimi i fenomeneve të reja sociale. Mbahet mend një njoftim dhe pastaj enkas një reportazh për varrezën e parë të makinave, dukuri as e imagjinuar në Shqipërinë e dikurshme me ndalim të përdorimit të automobilave privatë.
Nuk harrohet gjithashtu lajmi i ATSH-së, sipas të cilit në Korçë ish-sekretari i dytë i komitetit lokal të dikur Partisë së Punës pati ndikuar në heqjen e bustit të Koci Bakos, komunistit të parë dëshmor, të vrarë prej pushtuesve fashistë italianë. Njeriu që shumë herë kishte folur me krenari para atij busti, tashmë nuk e donte më, sepse kishte zbuluar që ishte vendosur në tokën e tij pronë.
Po ashtu në ATSH kujtohet herë pas here tensioni i krijuar në 1993, në orën gjashtë të mëngjesit të një dite, prej një njoftimi të DPA-së, agjencisë gjermane të lajmeve.
Ai thoshte se tanke shqiptare qenë nisur drejt verilindjes së vendit, për në Kukës dhe në Tropojë, çfarë nënkuptonte qartë lëvizje ushtarake në territorin e kufirit të Shqipërisë me Kosovën. Ndërkohë ky lajm i përcjellë që pa gdhirë dita prej DPA-së drejt të gjitha agjencive të lajmeve të botës, mbushi me germa të mëdha faqen e parë të gazetës “Koha Jonë”.
Duke qenë se korespondenti në Tiranë i Agjencisë Gjermane të Lajmeve ishte një person që nuk zgjohej aq shpejt në mëngjes, prej vëzhgimit të kohës së qarkullimit të këtij “haberi”, rezultoi se qe “KJ” burimi i DPA-së dhe jo e kundërta.
Pa shkuar ora shtatë e mëngjesit në ATSH u kuptua se DPA-së ia kishte dhënë “lajmin-bombë” që nga redaksia e gazetës apo larg (ose afër) saj i njëjti person apo burim. Siç qe formuluar Sllobodan Millosheviçit në Beograd i jepte argumentin për ta akuzuar Tiranën si destabilizuese të Jugosllavisë dhe të të gjithë gadishullit.
Presidenti i vendit, Sali Berisha, në orën tetë ndodhej i qetë në tryezën e vet të punës dhe lajmin që ishte si plumb dum-dum, ia thanë të tjerët. Shpërthimi i tij zemërak qe menjëherë i fortë.
Në një komunikatë të rrufeshme Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë bëri të ditur se lajmi i mësipërm për gjoja armatë tankesh që shkonte drejt kufirit me Kosovën, ishte i rremë. Sqaroi se patën qenë vetëm tri tanke të hipur mbi kamionë dhe që dërgoheshin për riparim mekanik.
Ndërkohë, nisur patjetër edhe për motive politike, prokurorë të shtetit e akuzuan penalisht sidomos gazetarin e “Koha Jonë” Aleksandër Frangaj, më pas duke e mbajtur edhe në gjendje arresti.
Sot prej njerëzve që kanë punuar atë kohë në ATSH të thonë me bindje, se për aq sa dinë, provokuesi i atij lajmi nuk qe i sipërcituari.
Megjithatë nuk thonë se cili ishte realisht personi apo dora, e cila deshi ta vendosë nën dinamit qendrueshmërinë e rendit publik të Shqipëri.
1997, batanije të lagura mbi kompjutera
Por ndërsa ngjarja e mësipërme pati në përfitim një, dy apo e shumta tre ditë kohë për të bërë diversion, në motin 1997 qe më tepër se një gjysmë viti e mbushur me rreziqe të tilla. Lajme plot barot destabilizimi i prodhuan, herë qëllimisht dhe herë për shkak të mosnjohjes, disa agjenci të huaja.
Punonjësit e ATSH-së gjatë natës i mbulonin kompjuterat me batanije të lagura që të mos dëmtoheshin në rastin e ndonjë zjarri të shkaktuar prej dorës së njerëzve të trazirës apo nga ndonjë predhë fluturake ose bombë dore e hedhur mbi agjenci posaçërisht.
Përkthyesit, të cilët prej ngarkesës së ngjarjeve punonin orarzgjatur, pas mesnate, veçanërisht femrat, përcilleshin deri tek dera e shtëpisë me makinë apo shoqërues.
Gjatë trazirës disa mujore në të vërtetë për të kryer diversion vetë ATSH apo edhe ndonjë punonjës i veçuar i saj e kishin një rast shpërdorimi: rezultatin e referendumit nëse Shqipëria do të qe në të ardhmen republikë apo monarki.
I kryer bashkë me zgjedhjet politike, jo vetëm prej veriut, por edhe nga jugu, disa komisione zonale njoftonin me gojë dhe në disa raste edhe patën firmosur, se alternativa e mbretërisë qe në epërsi. Nga Fieri, për shembull, fillimisht mbërriti shifra dyzetë e katër për qind për ta prishur republikën.
Lajmi fals: Sali Berisha ka humbur jetën në një aksident automobilistik
Në 13 shtator 1998, të nesërmen e vrasjes së Azem Hajdarit, në orën 10.20, në rrjedhën e lajmeve elektronikë të Agjencisë Telegrafike Shqiptare mbiu si fantazmë edhe ky titull: \"Aksident i liderit të PD-së\". Në tekst thuhej se \"Berisha ka humbur jetën në një aksident automobilistik\".
Pikërisht këtë çast para selisë së Partisë Demokratike mbi dymijë ndjekës të saj, shumë të revoltuar, pasi patën marshuar drejt sheshit qendror të kryeqytetit, qenë ndalur para Ministrisë së Brendshme. Ishin kërcënues dhe të ndezur ta sulmonin.
Në mungesë të drejtorit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare iu desh të priste një nga drejtuesit e PD-së zëvendësi i tij. Funksionari partiak qe i shoqëruar prej një grupi të armatosur. Për ta tha se ishin vetëm truproja të tij. I la në paradhomë dhe hyri në zyrën e drejtuesit të dytë të ATSH-së. Para këtij e ngriti menjëherë zërin dhe kërkoi përgjegjësinë e kujtdo që kishte shpërndarë lajmin e gënjeshtërt.
I shpjeguan se ai njoftim qe i piratuar dhe nuk kishte burim agjencinë. Por funksionari i lartë i Partisë Demokratike nxorri menjëherë nga xhepi i brendshëm i xhaketës në letër me mbi të lajmin. E kishte marrë nga interneti. Në fund të tekstit pati emrat e hartuesve të tij. Qenë dy, një gazetare dhe një përkthyese e ATSH-së.
Zëvendësi i drejtorit, gazetari Ylli Pata, sqaroi se “Që të dyja nuk kanë qenë në punë. Njëra është me raport mjekësor dhe tjetra me leje të zakonshme”.
Tjetri u bë më i qetë. Pasi e përcolli për të ikur, njeriu dy i agjencisë tentoi të depërtojë në misterin e diversionit që pati ndodhur. Formoi në kompjuter fjalën \"ALBANEWS\" dhe shtoi tekstin \"Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës\". Pastaj vijoi: \"Është krejt e qartë se lajmi ka hyrë nga një dorë jashtë ATSH-së, në rrugën e përshkuar deri në shërbimin tuaj ALBANEWS...Nuk besojmë se është e pamundur të gjendet dora...”
Përgjigja nuk vonoi: \"Desha t\'ju njoftoj se mesazhet e falsifikuara që u shpërndanë në ALBANEWS e kanë burimin në Universitetin Amerikan në Bullgari...duket se kompjuteri në pyetje është në ndonjë laborator (ose librari) dhe do të jetë e vështirë të gjendet personi që ka dërguar mesazhet e falsifikuara. Dihet se në këtë universitet ka mjaft studentë shqiptarë dhe çdokush ka patur mundësi të bëjë një gjë të tillë\".
Atë ditë të 13 shtatorit mes njerësve që kishin sulmuar e pushtuar Kryeministrinë dhe Radio-Televizionin publik, u përhap fjalënaja se njeriu që kishte stisur lajmin diversionist qe i biri i presidentit në detyrë.
Në të vërtetë përfolja ashtu siç lindi edhe u zhduk, si mërmërimë turme të inatosur.
Gëzim Podgorica
Me 130 punonjës në 1997 një dekadë më pas ATSH ka vetëm dyzetë pesë të tillë. Pra një të dhjetën e kohës kur funksiononte në “socializëm”. Kishte pasur diçka më tepër se tetëdhjetë para se të vinte kabineti qeveritar i Edi Ramës. Me një vendim të Këshillit të Ministrave nr. 31 të datës 22 janar 2014, gjysma e personelit qe marrë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe dhënë një simotre të saj të re.
Kjo kishte inicialet e porsaformuara AKB. Quhej Agjencia Kombëtare e Bregdetit. Ndërkohë shteti kishte një Agjenci Kombëtare të Turizmit, me një fjalë një AKT.
Tani në ATSH përpiqen të rigjejnë vetveten, pra të kuptojnë në cilin kënd duhet të rrinë dhe të shohin më mirë fushëpamjen e profesionit të tyre me histori që nga viti 1928, viti 1928, kur kjo agjenci u krijua, nën tutelën e asaj italiane Stefani. U drejtua atëherë prej Sergej Shefkos, një bashkëkombësi nga diaspora e shqiptarëve të Ukrainës.
Të mos përhumbesh në mizërinë e agjencive dhe të ruash vetveten do të thotë të mos humbasësh prestigjin e traditës, prodhimin e papushuar të lajmit depërtues. Në vitin 2016, mes gëlimit të medias së shkruar dhe asaj elektronike, ku të punësuar veprojnë me qindra e qindra, nën kufizimin drastik të numrit të gazetarëve nga qeveria, për ATSH-në ka edhe një frenues tjetër. Kur merr lajme nga kjo agjenci, shtypi dhe radiotelevizionet prej shumë kohësh nuk e citojnë atë kurrë si burim.
Me pak fjalë Agjencinë Telegrafike Shqiptare e kanë dënuar me heshtje, në një konkurencë, sigurisht, të padrejtë. Sepse po të veprojnë në mënyrë normale, siç nëpër Evropë dhe botë janë standartet më minimale të respektimit të pronësisë mbi lajmin, prej bashkëpunimit përfitojnë perspektivë të dy palët.
Me një ndërtesë modeste, por të re, ATSH, për publikun pothuaj emërzhdukur jo për faj të saj, drejtohet tani nga një njohës i mirë i medias e mbi të gjitha i veprimit manovrues: Gëzim Podgorica.
Ka qenë kryediplomati i parë i Shqipërisë në Kosovë menjëherë pas çlirimit të saj.
Ky ambasador është i qartë në misionin e vet në fushën e punës me lajmin, ndërsa 45 punonjës, ku vetëm pak janë gazetarë dhe të tjerë hyjnë në shërbime, nuk i mjaftojnë për të vënë në jetë as ambicien profesionale më të vogël. Por një reze drite Gëzim Podgorica e ka dalluar dhe po mbahet fort pas saj: shpërndarjen e lajmit jashtë, nëpër botën e madhe, tek një treg që i respekton më shumë dhe ku vendit të tij, imazhit të Shqipërisë, mund t’i kryhen shërbime të vyera. Ai dhe bashkëpunëtorja e tij, Edlira Petrela, përgjegjëse për marrëdhëniet me jashtë, mësyjnë pikërisht këtu.
Eksportimi i lajmit deri në Japoni
Petrela të thotë se ATSH është anëtare e Katër Aleancave. Këto përfshijnë bashkimet e agjencive të lajmeve të Ballkanit, të Detit Mesdhe, të Detit të Zi dhe të Evropës. Të katër blloqet informativë, kundrejt marrëveshjeve, pa pagesë, shkëmbejnë njoftime mes njëri-tjetrit. Marrin dhe japin tekste të shkruara, foto dhe video.
Tregu i jashtëm për lajmet e ATSH-së shtrihet jo aq thellë në Perëndim, duke mos e kaluar dot oqeanin Atllantik, por depërton fort në Lindje. Shkojnë me sukses në Jordani dhe në Kuvait madje deri në Korenë e Jugut dhe në Japoni. Me koreanojugorët marrëveshja e bashkëpunimit u firmos vitin e shkuar, japonezëve ATSH sapo u ka dërguar një draft-projekt.
Agjencitë e huaja nuk kanë asnjë interes për lajmin politik shqiptar. Duke qenë të ftohtë ndaj tij, ato shfaqin interesim ekskluziv për turizmin, por edhe për ekonominë dhe historinë tonë kombëtare.
Imazhi pozitiv duhet siguruar vetëm këtu, në këto tre fusha. Disa qeveri të pasnëntëdhjetës, në të gjitha legjislaturat dhe mandatet e kaluara dhe tani, për të arritur një rezultat tërheqës kanë paguar redaksitë e jo pak gazetave të njohura të Perëndimit, po ashtu edhe të televizioneve. Kanë shpenzuar shuma jo të vogla, por ndërkaq dihet që edhe një lajm me vetëm disa rradhë, kur është i vërtetë dhe ka fuqinë të përhapet në çdo skaj të globit, krejt gratis, pra pa asnjë para publike, kryen të njëjtën dobi si edhe reportazhet apo artikujt e superpaguar.
Këtu është përqendruar ATSH. Në muajin shkurt një prodhim i saj mediatik, në video, për ishullin e Sazanit u përthith menjëherë nga mjaft agjenci, përfshirë edhe ato italiane dhe turke, boshnjakët dhe maqedonasit, po ashtu edhe Azerbaxhanin.
Komunikimi me Ballkanin
I pajisur me përvojën e diplomatit të parë të Shqipërisë në Kosovën e porsaçliruar Gëzim Podgorica dhe bashkëpunëtorja e tij Edlira Petrela, i kanë intensifikuar raportet e komunikimit me Bosnjë-Hercegovinën. Në tetorin e kaluar u firmos edhe marrëveshja e fundit. Vizitën në Tiranë, në 14 shkurt, të Xhon Kerrit, Sekretarit Amerikan të Shtetit, ata qenë të parët që e morën dhe e vendosën në faqen e tyre. E shoqëruan me foto dhe video, duke shënuar në fund se i tërë informimi qe marrë nga ATSH.
Për vizitën e Kerrit hapi vend të dukshëm edhe agjencia e lajmeve të Rumanisë. Në gadishull Greqia tregohet më e baraslarguar prej ndonjë afrimi të posaçëm, por në ATSH kanë krijuar një traditë: në ditët e festave kombëtare u bëjnë nga një intervistë ambasadorëve. Me këtë rast ai grek është tepër i ngrohtë.
Me agjencinë BTA, bullgarët, entuziazmi i bashkëpunimit është frymëzues. Po ashtu edhe intervistat e radhës me ambasadorin.
Me MIA-n, agjencinë simotër të Maqedonisë, ku nëndrejtori është një shqiptar, raportet e bashkëpunimit janë mbresëlënëse. Në këtë rezultat pozitiv ndikon edhe vetë drejtori i saj, i cili është maqedonas sllav.
Edlira Petrela pohon se me Malin e Zi komunikimi i ndërsjellë mbetet i mirë, por në mes ka hyrë një mosangazhim i mjaftueshëm për të dhënë e marrë intensivisht lajme.
Me Kroacinë është krejt ndryshe, mjaft i frytshëm.
Bashkëkombësit e Kosovës dhe të republikës së tyre ende nuk kanë një agjenci shtetërore lajmesh, por funksionon me ritëm të plotë ajo private, Kosova Press.
Para nëntëdhjetës në një lloj gjysmëilegaliteti, në mjediset e katërkatëshit të ATSH-së, punonte edhe një person i palodhur. Quhej, thonë, Ramadan Shala. Ndërkohë lajmet për Kosovën Agjencia Telegrafike Shqiptare i merrte edhe prej TANJUG-ut.
Pas vitit 1992 në agjenci nisën të punonin, si korespodentë të Prishtinës, në më të shumtën e herës vullnetarisht dhe pa pagesë, dy kosovarë. Por edhe ATSH kishte ngarkuar për të mbuluar këtë territor me shumë risk, në formën e një sektori, gazetarë të saj. Pëllumb Tabaku qe njëri prej tyre.
ATA-TANJUG
Agjencia e dikurshme jugosllave e lajmeve, për shkak se ndodhet në një proces të paqartë privatizimi, pra me një qeveri që kërkon ta mbyllë kur para se të prishej Federata e gjithë media ishte e detyruar me ligj t’i merrte informacionet nga ajo dhe t’ia paguante, të dyja palët, TANJUG dhe ATSH, shkëmbejnë normalisht lajme.
Kur në maj 2015 erdhi në Tiranë kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, të gjithë paketën informative mbi vizitën, në tekst, foto dhe video, TANJUG e mori nga ATSH, duke i vendosur inicialet e të dyja agjencive në fund të çdo lajmi.
Kjo simbolikë nënshkrimi bashkëpunues, ATSH-TANJUG, u shfaq edhe kur në Elbasan, në tetorin e shkuar, ndodhi ndeshja e futbollit mes ekipit serb dhe atij shqiptar.
Në Agjencinë Telegrafike Shqiptare të thonë se drejtorja e TANJUG, Branka Gjukiç, është një grua mjaft e zonja në profesion, e zhdërvjellët në komunikim dhe dashamirëse me shqiptarët.
Rusët tërë vëmendje
Që kur vepronte koha e “Haber Sarajit”, para nëntëdhjeta, në Agjencinë Telegrafike Shqiptare nuk rrinte i heshtur kurrë teleshkruesi i lidhur me Agjencinë Sovjetike të Lajmeve, TASS. Tani ajo quhet ITAR TASS.
ATSH me të është në procesin e lidhjes së marrëveshjes. Rusët janë të interesuar shumë për turizmin. Ambasada e tyre në Tiranë dëshmohet mjaft e vëmendshme që ky pakt të përfundojë sa më shpejt, madje kryediplomati i saj në kryeqytetin tonë një vit më parë dërgoi një paketë të plotë me lajme, mes tyre edhe ndonjë të llojit politik. Në ATSH përderisa nuk eksportojnë zhvillime politike nga Shqipëria edhe nuk marrin prej Rusisë.
Më në fund: rikthimi tek kinezët
ATSH e para nëntëdhjetës për lidhje profesionale me HSINUA-në kishte një gazetar të posaçëm, i cili pati shkuar në Pekin për të mësuar anglisht dhe me këtë rast përvetësoi edhe gjuhën kineze.
Por gjithsesi kjo urë komunikimi, të cilën politika e të dy vendeve, megjithë ndërprerjen e çdo miqësie të mëparshme, nuk e mbylli asnjëherë, ka në historinë e saj një gazetar simbol: Vanin.
Emri origjinal i këtij përfaqësuesi të HSINUA-së është Uang. Tek ne ai, folës i përkryer i shqipes, ka që prej motit 1969. Për pothuaj dy dekada qe drejtor i kësaj agjencie për Evropën me qendër selie në Tiranë.
Shumë i dashur jo vetëm për gazetarët e ATSH-së, tashmë ai është zëvendësuar prej kolegut të tij të ri Liu Lihang.
Një vazhdimësi dhe kembëngulje që duhet ta kenë zili tërë profesionistët e tjerë të huaj të lajmeve. Në Pekin, përveç agjencisë kineze HSINUA, tregohet mjaft e interesuar për të marrë lajme nga Tirana, sigurisht edhe për të dhënë, Radio e Jashtme e këtij vendi. Mes ATSH-së dhe saj ka shkëmbim informacioni çdo ditë. Non stop.
Tashmë tri ndërtesat e mëdha të dikur “bllokut” kinez në kryeqytetin tonë, pjesë e historisë së përbashkët, mund pas ca kohësh shqiptarëve të mos u kujtohen, por Tirana e pas vitit dymijë ka edhe një tregtore të madhe të menaxhuar prej kinezëve. Ata, me qindra, kanë shtëpitë e tyre private, fëmijët e vegjël që i mbajnë për dore...
Globi rrotullohet rreth boshtit të vet. Edhe Shqipëria. Edhe Kina. Përderisa ka një rikthim të ëmbël të njerësve të tyre të lajmeve dhe mikprije të patundur prej vendasve.
Ylli Polovina
Tiranë, më 23 mars 2016
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|