|
Foto: .jpg | VJESHTË 1968: TITO DHE ENVER PËRBALLË SOVJETIKËVE
Qendresën tonë ndaj Traktatit të Varshavës na e kanë thënë, por si është ajo e jugosllavëve?
(Pjesa e dytë e ciklit)
Shkrimi i parë
(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 3 shkurt 2016)
Në ciklin e mëparshëm me pesë shkrime, të botuar në “Shqiptarja.com” në fund të dhjetorit 2015, ndoqëm fillin e një një të fshehte të ballistit kosovar gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hysen Tërpeza, i cili në krye të vitit 1977 pranoi të bashkëpunojë me Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun për të shkaktuar kryengritjen ose më saktë përfituar e në mos krijuar pretekstin e një ndërhyrjeje të ushtrisë shqiptare për të çliruar Kosovën.
Duke qenë se Tërpeza, që prej vitit 2002 jetëndërruar, në 24 korrik 1999 e pohoi dhe e rrëfeu publikisht këtë bashkëpunim, saktësuam për lexuesin se ballisti i dikurshëm nuk tregoi asgjë rreth veprimtarisë konkrete që kreu në këtë rol.
Në vijim të rrëfimit të kësaj historie të mbajtur ende kyçur edhe prej atyre pak personave që e dinë, vumë në dukje se Hysen Tërpeza në 24 korrik 1999 gjithsesi një gjykim për bashkëpunimin e tij të fshehtë me qeverinë komuniste shqiptare e dha.
Sipas tij përpjekja për një kryengritje popullore në Kosovë si një shkak për t’i dhënë arsye Tiranës zyrtare që të ndërhynte ushtarakisht, pati dështuar nga që ishte tradhëtuar po në Tiranë.
Po ashtu në pesë shkrimet e mëparshme hamendësuam se kjo përpjekje e tradhëtuar ka të ngjarë ta ketë pjesë të intrigës së saj edhe ngjarjen e demonstratave kosovare të mars-prillit 1981.
Për të shkuar më të motivuar drejt kësaj hipoteze dhe duke ndjekur e nxjerrë në pah cila qe dinamika e platformës së Enver Hoxhës për çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, iu kthyem një dallgëzimi të mëparshëm protestash: atyre të vitit 1968.
Ato më shpërthyeset ndodhën në disa qytete të Kosovës si edhe në Tetovë të Maqedonisë.
Pasi të dyja këto demonstrime me frymë të ndezur revolte për drejtësi nacionale deri tani janë interpretuar si pjesë e atmosferës së përgjithshme të vitit 1968, të njohur nëpër botë si mot demonstratash të nisura fillimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me përfshirje të gjerë pothuaj tërë europerëndimin, jemi në të drejtën tonë të riinformojmë lexuesin se në biografinë e tyre ka një veçori që duhet ngulitur mirë në kujtesë: ato u zhvilluan pas agresionit të Bashkimit Sovjetik dhe të trupave të Traktatit të Varshavës në Çekosllovaki, më 21-22 gusht.
Sidomos pas mes shtatorit 1968, moment kur Shqipëria e denoncoi dhe me këtë rast doli edhe juridikisht nga kjo aleancë ushtarake.
Kjo karakteristikë i ndan ato prej tërë ciklit të protestave studentore në Evropë, ku pika më e nxehtë e vitit 1968 dhe më e njohura në kontinent u bë “maji francez”.
Prandaj në ciklin e mëparshëm parashtruam dhe sërish shtrojmë pikëpyetjen mos pas protestave të bashkëkombësve në Kosovë dhe në Maqedoni, shkaktuar kryesisht prej një zemërimi të ligjshëm kundër gjendjes së tyre të nëpërkëmbur nga pushteti qendror jugosllav, kishte edhe duar të huaja nxitëse?
Ose së paku, që përfituan posaçërisht edhe pse nuk qenë organizues të drejtpërdrejtë?
Aeroporti i Çikagos: Xhafer Deva kthen shpinën dhe ikën
Ndërkohë, gjatë ciklit të mëparshëm, vështruam ku ndodhej dhe çfarë po bënte, kur ngjanë këto demonstrata, bashkëpunëtori i mëvonshëm i Mehmet Shehut dhe i Kadri Hazbiut, Hysen Tërpeza, i cili deklaronte po ashtu se paralelisht me shërbimin e fshehtë shqiptar qe edhe një bashkëpunëtor i afruar me CIA-s.
Ky, pasi në 28 nëntor 1968 priti në aeroportin e Çikagos avionin e vonuar, nisur nga Kalifornia, me të cilin erdhi Xhafer Deva, kryetari i Lidhjes (së Tretë) të Prizrenit, pasi për mbrojtjen fizike të të cilit nga vrasës të vënë prej UDB-së Tërpeza kishte marrë masa, pohon se po atë pasdite qe kryer edhe veprimtaria e planifikuar: konferenca nderuese për Ditën e Flamurit.
Por atentati, siç e pati siguruar paraprakisht informatën, nuk ndodhi as brenda në konferencë dhe as jashtë saj. Kështu të nesërmen Xhafer Deva mori rrugën e kthimit për në Kaliforni.
Ndërkohë mes të dyve u zhvillua edhe një dialog, të cilin edhe ne vitet e mëpastajme e kujtonin. Hysen Tërpeza në statusin e nënkryetarit të Lidhjes së Prizrenit, i propozoi Devës një veprim, sipas tij, të domosdoshëm: për ta denocuar shtypjen e dhunshme të demonstratave në Kosovë të bënin një protestë para Lidhjes së Kombeve.
Kryetari nuk qe shumë entuziast për rezultatin e një nisme të tillë dhe, pa i premtuar mbështetje, i hipi avionit për të shkuar në shtëpinë e vet. Ishte një moskuptim mes të dyve, si fillimisht një e krisur e lehtë që më pas shndërrohet në një të çarë të madhe.
Tërpeza megjithatë mbeti këmbëngulës në idenë e tij dhe bashkë me një grup shokësh u nis pa u vonuar për në Nju-Jork. Në këtë kohë këtu po mbahej një kuvend i Partisë së Legalitetit.
Mbretërorët e kishin bërë një protestë kundër dhunës së re jugosllave në Kosovë, madje që në fillim të mbledhjes së tyre patën mbajtur edhe një minutë heshtje për një demonstrues, nxënës 17 vjeçar, të vrarë në Prishtinë nga trupat qeveritare jugosllave.
Letrën e protestës për kryetarin e OKB-së U Tan (U Thant) e hartuan pasi qenë të sigurt se kishin një bashkëkombës, i cili e përktheu mjeshtërisht në anglisht. Ish-diplomati dhe nënsekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara nga viti 1959 deri në 1962, pas këtij moti i zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm dhe i rizgjedhur në këtë post në 1966, u ktheu një përgjigje të sjellshme.
Madje shumë shpejt, pas nëntë ditësh.
Pasi thoshte se e kishte marrë letrën protestuese dhe se e konsideronte dërgimin e saj tek ai si një të drejtë të pamohueshme të çdo grupi shqiptarësh nga Kosova, shkruante: “Mirëpo ne nuk mund të përzihemi në çështjet e brendshme të Jugosllavisë”.
Por ndërkohë U Tan pati kryer një gjest që e ndihmonte qëndrimin denoncues kundër qeverisë së Beogradit. Ai ua kishte postuar letrën të gjithë ambasadorëve të vendeve në ndryshme pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Supermiting proteste në Beograd
Në 22 gusht 1968, kur u përhap lajmi turbullues i pushtimit të rrufeshëm të Çekosllovakisë nga trupat e Bashkimit Sovjetik dhe të Traktatit të Varshavës, nuk u alarmuan vetëm në Tiranë apo edhe në Bukuresht. Madje këtu mobilizimin publik për ta denoncuar këtë agresion para se të ndodhte, e patën nisur që në 17 gusht. Rumunët u bënë bashkë me çekët menjëherë sapo këta vunë re se një ditë më parë të gjitha gazetat e Moskës shpërthyen një sulm të papërmbajtur ndaj asaj që po realizonte Aleksandër Dubçeku në vendin e vet.
I rrufeshëm qe edhe Beogradi. Në 23 gusht në kryeqytetin jugosllav u mblodh një turmë aq e madhe sa që numri i pjesëmarrësve prej korespondentëve të shtypit të huaj u vlerësua në rreth dyqind mijë. Me thirrje të papushuara u shpreh solidaritet me popullin çek dhe u shpall se të gjithë popujt e Jugosllavisë qenë gati, në rast se vendi i tyre sulmohej, të luftonin për vetëmbrojtje.
Këtë ditë nëpër gazetat beogradase u shpërnda lajmi se vetë presidenti Josip Broz Tito po ndihmonte rreth pesëdhjetë mijë turistë çekë që kishin ardhur për pushime në bregun adriatikas të federatës dhe tashmë, me atdheun e tyre të pushtuar, nuk dinin si të vepronin. Askush nuk bëri ironi me shifrën, e cila qe tepër e ekzagjeruar.
Po atë ditë të manifestimit mjaft sfidues ndaj Moskës dhe ku enkas u dëshmua se Jugosllavia do të qe për Bashkimin Sovjetik dhe Traktatin e Varshavës, në rast agresioni, një kockë shumë mbytëse, Tito u takua edhe me ambasadorin amerikan.
Josip Broz kërkoi t’i jepej ndihmë materiale, pse jo edhe me armë, por të paktën këto çaste nuk dëshironte të ndihej i vetmuar politikisht dhe moralisht nga Perëndimi. Këtë përkrahje të fundit e lypi menjëherë, kurse për armatimin la të kuptojë se priste aq sa të mblidheshin provat e sigurta se Moska do ta godiste vërtet.
Ndërkohë në Greqinë e pakërcënuar prej ndonjë plani rus për pushtim, qeveria e ashpër dhe totalitare e kolonelëve pesë ditë para sulmit sovjetik mbi vendin e çekëve dhe të sllovakëve, nisi një fushatë ndalimesh të komunistëve. Më i shquari i atyre që u prangosën, ishte kompoziori Mikis Teodoraqis. I arrestuar në 17 gusht, në 23 u internua në një fshat të vogël të Poleponezit
Si analizon logjika e Enver Hoxhës
Gazeta gjermane “Der Spiegel” e 23 shtatorit 1968 mes të tjerash do të shkruante se “Në Evropën Qendrore sovjetikët arritën të rifitojnë një aleat të kuq, duke e futur sërish në vathë. Në Mesdhe ata humbën përgjithnjë një tjetër: Shqipëria e kuqe përdori si shkak marshimin e tankeve sovjetike mbi Pragë për të bërë me sukses ndarjen përfundimtare nga Pakti ushtarak i Varshavës, duke qenë kësisoj edhe vendi i vetëm që e ka bërë këtë akt deri tani”.
E përditshmja gjermane, si edhe mjaft simotra të saj në Perëndim, shoqëruar me një heshtje totale të shtypit të eurolindjes socialiste, pati reaguar menjëherë pas vendimit unanim të parlamentit të Tiranës, në 16 shtator, për dalje përfundimtare nga aleanca ushtarake e Traktatit të Varshavës.
Porse Enver Hoxha dhe parti-shteti i tij kishin kundërvepruar që në 3 shtator me një mbledhje të Byrosë Politike dhe pastaj dy ditë më vonë me anë të një komunikate të plenumit të Komitetit Qendror të PPSH-së. Në fjalën që Hoxha mbajti në çelje të tij e persëriti tri herë, si të qe një ankth që nuk po e largonte dot, hamendjen se Shqipëria ishte larguar prej traktatit agresiv të Varshavës vërtet që në 1961, por ndërkohë në shtatë vitet që kishin pasuar mundej që edhe vetë kjo aleancë ta kishte përjashtuar atë juridikisht, sigurisht pa e njoftuar. Mundej, këmbëngulte Enver Hoxha po ashtu, që ky vendim i saj të qe i brendshëm, i mbyllur hermetikisht vetëm për Traktatin.
Tani që ne do të marrim vendim ta denoncojmë atë para gjithë botës, pyeste ai, a ka të ngjarë që ky veprim të na kthehet kundër? Apo në të vërtetë është në dobinë tonë?
“Ne themi, mëshoi fjalët ai, se ky denoncim është në favorin tonë”.
Në diskutimin e tij orientues për plenumin Hoxha, i cili nismëtarin e pranverës çeke, Aleksandër Dubçekun, e konsideronte si antimarksist, vuri në dukje se “Klika revizioniste e Beogradit është treguar aktive në mbrojtjen e revizionistëve çekosllovakë dhe ka kundërshtuar okupimin e Çekosllovakisë”. Më tej shtonte se “Sot Jugosllavia gjendet e rrethuar nga revizionistët sovjetikë, të cilët diktojnë çdo gjë me forcën e armëve....prandaj udhëheqjes jugosllave, sikundër deklaruan zyrtarisht vetë, u ka dalë si detyrë urgjente çështja e mbrojtjes së kufijve veriorë dhe lindorë të tyre”.
Në vijim Enver Hoxha arsyetoi kështu: “Organizimi i mbrojtjes jugosllave kundër çdo tentative invadimi të Jugosllavisë nga ana e sovjetikëve, janë për ne favor...Këto konjuktura ne duhet t’i ndjekim me kujdesin më të madh”.
Pastaj bëri një këtë hipotezë: “Është fakt se kërcënimi i kufijve të shtetit jugosllav nga ana e revizionistëve sovjetikë po bëhet më i dukshëm. Në rast se vërtetohet edhe invandimi i Rumanisë nga ana e sovjetikëve, atëherë kërcënimi për Jugosllavinë shtohet”.
Arsyetimi i tij qe shumë këmbëngulës dhe i bindej logjikës së mëposhtme: invandohet Rumania apo sovjetikët hyjnë në të në mënyrë paqësore, gjithsesi Jugosllavia është shumë e kërcënuar.
Për pasojë edhe Shqipëria, sepse rusët na vijnë në kufi.
Analiza e Enver Hoxhës në plenumin e KQ të PPSH-së të mbajtur urgjentisht në 5 shtator 1968, dy javë pas pushtimit të Çekosllovakisë, do të përfundonte me argumentimin se Jugosllavia jo vetëm politikisht, por edhe nga ana strategjike, për NATO-n dhe planet e saj strategjike, edhe pse pa qenë e anëtarësuar në të, konsiderohej si një pjesë e hapësirës mbrojtëse të kësaj aleance.
“Ky kufi, paralajmëroi ai, tani rrezikohet dhe ka mundësi që dispozitat luftarake, strategjike, ofensive dhe të mbrojtjes së NATO-s për sektorin jugosllav, grek, të Mesdheut dhe të Adriatikut, të precizohen më shumë”.
Kjo donte të thoshte, sipas tij, se gjendja rajonale mund të ndërlikohej aq shumë sa Shqipëria rrezikonte të ndodhej jo përballë një armiku të vetëm, por të dyve, ose së paku në mes të një përplasjeje të madhe të armatosur të dy bashkimeve luftarake më të mëdha të globit.
Prandaj bëri thirrje: “Këtu del çështja e përhershme e mbrojtjes së atdheut tonë”.
Por mos Enver Hoxha, ndërsa ngriti në alarm të gjitha strukturat e armatës, partinë e vetme në pushtet, qeverinë si dhe opinionin brenda vendit, në denoncimin politik ndërkombëtar të agresionit sovjetik në Çekosllovaki po ngurronte dhe për rrjedhojë po vonohej?
Ai kishte arsyet e tij përse përgatitej aq shumë së brendshmi para se të kryente aktin e denoncimit përtej kufijve, por gjithsesi mund të përfundonte në një pafavor për të fakti se të tjerët, sidomos të kërcënuarit e mundshëm, po lëviznin më shpejt.
(Vijon)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|