|
Foto: .jpg | 1956, HRUSHOVI NË NJË VIZITË INKONJITO NË BEOGRAD
(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 22 mars 2015)
(Pjesa e dytë: Rivaliteti Tito-Enver).
Në të vërtetë Shqipëria në prag të letrës denoncuese të Informbyrosë dhe të Stalinit për Titon, verë 1948, ishte jugosllavizuar në mënyrë të mjaftë për të hequr qafe Enver Hoxhën. Këto çaste ky, njeriu që vuri bark dhe shëndet të hatashëm gjatë viteve të luftës, jo vetëm ishte tkurrur në forcën e pushtetit, por dobësuar fizikisht aq shumë sa në qafë i dukeshin edhe enët e fryra të gjakut. Për fare pak kohë Koçi Xoxe, shqiptari i parapëlqyer për të qenë miqësori (kanakari) me Josip Broz Titon, me siguri do ta çonte para skuadrës së pushkatimit. Ja njëra prej arsyeve (politike dhe jo), sipas të cilës mund të shpjegohet irritimi i përhershëm i Hoxhës ndaj Jugosllavisë dhe çdo ndërhyrjeje, që nga Nikita Hrushovi në 1955 e më pas ajo e kinezëve, për t’u miqësuar me Beogradin.
Me mbijetimin e tij të vështirë deri në vitin 1948, më pas Hoxha i siguruar prej mbështetjes së Stalinit, iu imponua Titos dhe planit të tij për ta likuiduar. Kështu nisi një periudhë e re raportesh mes të dyve, e ekuilibruar, më jep të të jap, më mbro të të mbroj, mos më sulmo mos të trazoj me shqiptarët që ke brenda tokës së shtetit tënd.
Gjithçka tjetër është legjendë pseudoballkanase. Për shembull që Enver Hoxha e tradhtoi Kosovën, sepse nuk deshi që ajo të bashkohej me Shqipërinë. Më së pari nuk e kishte të përfshirë në shtetin e vet që ta jepte, siç me këtë rast shprehet një opinion, por as mundej edhe sikur të përpiqej ditë e natë. Pas Luftës së Dytë “Karta e Atlantikut”, e cila prej aleatëve antifashistë pati premtuar vetëvendosje popujsh, pothuaj nuk bëri asnjë ndryshim kufijsh. Ndërkohë në 1975 e autoritetshmja OSBE, bashkë me vendimin e prerë për mbrojtjen e të drejtave njerëzore, bllokoi çdo projekt për kufij të plotësuar me territore të tjera. Në fillim të vitit dymijë, edhe pse për ta shpëtuar Kosovën nga qeverisja sunduese serbe luftoi me armë pothuaj e tërë bota demokratike, sërish asnjë centimetër kufi nuk u ndryshua. Ajo u bë shtet i pavarur (e ka apo jo këtë kapacitet autoformues dhe vetëkzistues), por bashkimi me Shqipërinë as u shkua ndërmend.
Me këtë rast “Do të bashkohemi në Bruksel” është formula e vetme shpjeguese, edhe pse për mjaft bashkëkombës jo aq fort mbushëmendëse. Ndërkohë është edhe justifikuese. Po ashtu edhe garantuese që kjo nuk do të ndodhë as në të ardhmen.
Ana Lalaj gjatë bisedës që bëmë me temë nëse Tito ishte një djall vetëm i zi apo nëpër të edhe me ndonjë pullë të bardhë, tregon se, sipas dokumenteve të shfletuara prej saj, amerikanët jo vetëm njëherë e kishin provokuar Josip Brozin nëse, në rrethana të caktuara, do ta sulmonte Shqipërinë.
Përgjigjet e tij kishin qenë gjithnjë të njëllojta: Jo.
Në vjeshtë të vitit 1968, kur Çu En Lai i kërkoi Enver Hoxhës të bënte një traktat miqësie me Jugosllavinë, nëpërmjet Beqir Ballukut të pranishëm në Pekin, ky refuzoi. Ndërkohë Hoxha vetë, që nga Tirana, bëri një deklaratë të bujshme, sipas të cilës në rast se do të sulmohej Jugosllavia nga sovjetikët, megjithëse Republika Socialiste Federative dhe Republika Popullore Socialiste ishin të ndryshëm ideologjikisht, kjo e fundit do ta mbronte popullin fqinj.
Kur në 1972 qeveria kineze nuk ia pranoi Enver Hoxhës kërkesat për armatim dhe Pekini në të njëjtën kohë priti Henri Kisingerin, Hoxha luajti kartë tjetër. Shqiptoi pak a shumë: Ne nuk do të lejojmë që Ballkani të bëhet bazë e një superfuqie kundër një tjetre. La të nënkuptohej se i kishin bërë presion që Shqipëria të bëhej bazë e Kinës kundër Bashkimit Sovjetik. Paralajmëronte edhe Beogradin të mos dëshironte të luante me këtë kartë.
Por Tito heshti, kurse Çu En Lai dhe Mao Ce Duni nuk ja falën. Ia prenë të gjitha burimet e mbajtjes ekonomike dhe ushtarake në këmbë.
Megjithatë Hoxha e kishte gjetur me kohë një mjet për të shpëtuar veten dhe poltronin: shtrëngonte edhe më fort regjimin e tij të vetëmbylljes. Ndërkohë Josip Broz Tito, i cili vijonte regjimin e tij të hapjes, nuk duket aspak se ia mbylli edhe ai kordonin e furnizimit. Këto kohë Jugosllavia bëhet përfundimisht shteti numër një në shkëmbimet tregtare me Tiranën. Familjet shqiptare edhe frigoriferin e kanë të markës “Obodin”.
Kështu të dy rivalizonin, konkuronin, ruanin dhe mbronin njëri-tjetrin. Dhe po ashtu e qesëndisnin. Kur Millosheviçi tha se Shqipërinë e pushtonte vetëm me shoqatën e gjahtarëve të Jugosllavisë së mbetur, një krekosje të ngjashme në kohën e vet e kishte bërë edhe Tito. Ky qe shprehur se për të hyrë në Tiranë i duhej vetëm një gjysmë ore. Megjithatë, ndryshe nga mburraveci i mëpasshëm, Sllobodani, Josip Brozi kishte shtuar pak a shumë edhe këto fjalë: por nuk e duam këtë gjë, nuk na intereson.
ooo
Në librin “Shtegu njëqindvjeçar i lirisë” në afro njëqind faqet e veta, sepse më e shumta e botimit parashtron punime mjaft informuese dhe të interpretuara thellësisht prej studiuesit boshnjak Ekrem Avdiç, Azem Vllasi shkruan: “Deri me ardhjen e Millosheviçit në pushtet, nacionalizmi serb, si edhe çdo tjetër, trajtohej zyrtarisht si dukuri e papranueshme për marrëdhëniet ndërnacionale dhe për barabarësinë nacionale”. Dy paragrafe më pas ai nënvizon: “Pas vitit 1981 janë shkruar një mori librash në Serbi, me të cilat sërish u mori flakë miti mbi Kosovën si “djep serb”, të cilin gjoja po e rrezikojnë shqiptarët”.
Siç dallohet edhe njëherë tjetër Vllasi e ndan prerë periudhën e Titos nga ajo e pas tij. I ngjajnë si dy botë të kundërta. Mbetet i palëkundur tek vlerësimi për Josip Brozin si njeri i pushtetshëm që brenda federatës frenoi me sa mundi ambiciet sunduese serbe dhe se për këtë, mendojmë ne, i duheshin patjetër edhe shqiptarë kosovarë të fortë në këtë shpirt qëndrese. Në Beograd apo kudo në vilat e tij të shumta, ku duhet thënë se jetonte si mbret, Tito nuk e shihte Shqipërinë, të rrethuar nga Italia dhe Greqia (NATO), si rrezik të jashtëm, por për nevoja të brendshme si nevojë. Mund ta japin vetëm njohës shumë të mirë të Jugosllavisë komuniste përgjigjen nëse Josip Broz kërcënim më të madh gjatë pushtetushtrimit të tij kishte Serbinë apo Shqipërinë, ultranacionalizmin serb apo separatizmin prishtinas.
Sidoqoftë Azem Vllasi ngul këmbë në pikëpamjen e vet, çfarë është e konfirmuar edhe prej zhvillimeve konkrete historike, se Mareshalli nuk ia pakësoi, por përherë e më shumë ia zgjeroi të drejtat shqiptarëve të Kosovës. Prandaj edhe tani, gjashtëdhjetë e shtatë vjeçar, ai ka një lidhje shpirtërore simpatie për të, të cilën nuk e fsheh. Jo më kot një media e huaj në frëngjisht e ka cilësuar si “Delfini i Titos”. Njeriut të lindur në 1948 në Kamenicë, duke ia rreshtuar postet politike në shkallë Jugosllavie e në Kosovë (i pari shef i rinisë federative socialiste që u rizgjodh për një mandat të dytë, anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të të gjithë vendit, në maj 1986 edhe kryetar i kësaj partie për Kosovën), shkrimi i vinte në dukje se “Në fillim të viteve 1980 ai e dënoi regjimin e Enver Hoxhës dhe pohoi se shqiptarët e Jugosllavisë jetonin në kushte më të mira se ata të Shqipërisë”.
Ndërkohë ka ndodhur edhe kështu: gazeta serbe \"Vreme\" kur publikoi disa kujtime për Titon nga nipi i tij Josip (Joshka) Broz (i biri Zharkut, djalit të parë të Titos nga martesa që pati me një ruse të viteve 40-të), ky rrëfeu edhe një episod. Sipas tij në 25 maj 1975, “kur Vllasi ishte i ulur me Titon në tribunën solemne për ceremoninë e dorëzimit të stafetës në Beograd...në një moment Vllasi papritur iu kthye Titos dhe e pyeti: Pse shqiptarët nuk mund të kenë republikë? Përnjëherë u shtangëm të gjithë dhe për një moment sundoi qetësia. Tito i befasuar ju kthye Vllasit me këto fjale: \"Ti voglush, ta mbyllësh gojën dhe kurrë më të mos përmëndësh marrira të këtilla\".
ooo
Në librin e saj të fundit “Dosjet e Luftës” mes të tjerash Ana Lalaj tregon se anëtari i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave, Zvetozar Vukmanoviç Tempo, në pranverë 1943 u dërgua nga Josip Broz Tito në Maqedoni me mision krijimin e një shtabi ballkanik. Me të do të hapeshin rrugët që pas lufte të krijohej një Konfederatë Ballkanike. Shqipëria dhe Kosova më në fund do të bashkoheshin, por me kryeqendër Beogradin.
Në 20 qershor të atij viti këtë marrëveshje e ka firmosur në Kucakë edhe Enver Hoxha, gjë që në librin e tij “Titistët”, dëshmon Lalaj, ai e mohon. Por këtë projekt e kundërshtuan vendosmërisht sidomos komunistët bullgarë dhe po ashtu ai nuk solli humor të mirë as në Londër dhe as në Moskë. Për këtë shkak u la mënjanë. Ndërkohë që në shtator 1943, shkruan Ana Lalaj, pranë shtabit të Josip Broz Titos pati mbërritur, si përfaqësues personal i kryeministrit britanik, gjenerali Fitzroy Maclean, një vit më pas, nga 21 deri 28 shtator 1944, i takuar në Moskë me Stalinin, Dimitrovin dhe udhëheqës të tjerë të lartë të BRSS-së, Tito dëgjoi nga Josif Visianoroviçi, se “në lidhje me Shqipërinë duhet menduar. Duhet pritur, duhet të mendojmë mirë për çështjen e marrëdhënieve me Shqipërinë”. Sipas Stalinit pozita gjeografike e Shqipërisë qe delikate. Ajo ishte “një vend mesdhetar që përfshihej në zonën, ku interesat britanike historikisht kanë qenë të forta”.
Ky kyç sekret për zhvillimet e mëpastajme duhet ta ketë vënë në alarm Josip Brozin për të sabotuar me çdo mjet ndikimin e anglezëve në Shqipëri dhe më në fund, pas lufte, edhe në rrënimin total të marrëdhënieve të Londrës me Tiranën. Kjo e fundit, sipas Titos, i takonte të qe zonë e influencuar prej Beogradit.
Për planin e tij ai përfitoi prej mjegullës që tek fuqitë e mëdha antifashiste u krijua për pozicionimin politik të Shqipërisë. Sovjetikët u çinteresuan, amerikanët qenë larg, anglezët gjithnjë e më shumë kërkonin një Greqi të fortë, mundësisht edhe me kufij të zgjeruar në kurriz të Shqipërisë. Kështu Enver Hoxha, i pëlqente ose jo, u la në krahët e jugosllavëve. Në 25 dhjetor 1944, pa u mbushur asnjë muaj nga çlirimi i vendit, u nënshkrua në Beograd (prej Koci Xoxes, Sejfulla Malëshovës dhe Bedri Spahiut), traktati mbi “Aleancën dhe Ndihmën Mutuale midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë”. Në kartë, për të maskuar pushtimin e ri, formalisht ajo mban një datë të mëvonshme, të 20 shkurtit 1945.
Ndërkaq pas ndarjes së vitit 1948, në raportet Enver-Tito ka edhe një tjetër moment të koklavitur, të ngatërruar me shumë pabesi, të fshehta dhe goditje të ndërsjella. Atmosfera e re e zymtë për Hoxhën dhe e një shkëlqimi të ri e konkurrentit të tij politik në Ballkan, nisi me vdekjen e Stalinit dhe prej vitit 1953 u zgjat, si ankth i përditshëm, deri në motin 1961, kur Enver Hoxha i këputi lidhjet me Hrushovin dhe sovjetikët.
Në bisedën që bëmë Ana Lalaj u përqendrua tek viti 1956, muaji prill, kur në Tiranë ndodh e famshmja konferencë e partisë për kryeqytetin dhe në Budapest në tetor përpjekja paqësore për të ndryshuar regjimin dhe pastaj e armatosur. Historiania vazhdimisht, prej shumë kohësh, mbron pikëpamjen, sigurisht të dokumentuar, se në këtë konferencë nuk pati ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Jugosllavisë dhe se historia e implikimit të ambasadës së këtij vendi është sajesë e Hoxhës. Lalaj bën gjykimin se në ato që ndodhën brenda kësaj mbledhjeje ndikimin e kishte liberalizimi i komunizmit sovjetik passtalinist, por pse jo edhe Josip Broz Tito. Ky i fundit jo nëpërmjet diversionit agjenturor, por me anë të përhapjes dhe sugjestionimit prej modelit të socializmit të tij.
Porse Hoxha pikërisht këtë shembull nuk dëshironte ta spikaste, çfarë, po ta bënte, do t’i hidhte poshtë modelin e vet. Njëzetë e më tepër vite më pas, i preokupuar prej konkurrencës titiste, ai (apo të ngarkuarit prej tij) shkroi librin “Vetadministrimi jugosllav-teori dhe praktikë kapitaliste”, çfarë megjithatë nuk i dha asnjë ndihmë për të shpëtuar nga falimenti i rëndë ajo që për një gjysmë shekulli i kishte imponuar vendit dhe popullit të tij.
Në çfarë ngjau në Budapest në fundvjeshtë të vitit 1956 Ana Lalaj, duke mëshuar tek roli i depërtimit në Hungari të shembullit titist, thotë se “Në Institutin “Petëf” shkonin e jepnin leksion pedagogë jugosllavë”, çfarë doemos shkaktonte në këtë vend përhapjen e modelit të Josip Brozit. Por asaj përpjekjeje për t’u shkëputur nga Moska po i kapërcenin limitet e tolerimit nga kampi socialist dhe Hrushovi kundërveproi: afroi tanket në kufi. Të njëjtën lëvizje, por në anën tjetër të Hungarisë, kreu edhe Tito. Ky kishte vendosur që në rastin e një sulmi sovjetik drejt Budapestit, jo vetëm ta mbështeste vetëmbrojtjen e hungarezëve, por të bënte gjithçka që tanket e superfuqisë sa një e gjashta e botës të mos hynin në kufirin jugosllav.
Në Budapest vetë fryma tradicionale hungareze e liberalizimit plus modelin titist, bëri më në fund që të kapërcehej vija e kuqe. Komunisti Imre Nagi, njeriu që në pushtet qe vënë nga Moska, me në biografinë politike edhe një shtojcë agjenturore (ishte antar i KGB-së), dha deklaratën se donin të dilnin nga Traktati i Varshavës. Po ashtu se “ne duam pluripartizmin”.
Nga kjo, tregon Lalaj, Tito u zemërua. Ai tha se këtë gjë e kishte prerë që në 1954 me ndëshkimin e Gjilasit. Atëherë Hrushovi, thotë historiania, i ndau të gjithë njerëzit e tij kryesorë që shkonin nëpër kryeqytetet e vendeve të kampit socialist dhe të bisedonin për të qenë të gjithë të një mendjeje: ta shtypnin këtë përpjekje. Të veçantat e këtij operacioni ishin se nuk u dërgua asnjë përfaqësues i Hrushovit në Shqipëri dhe se të tëra vizitat do të bëheshin të fshehta.
Vetë Nikita, për të kryer “inkonjiton” e tij, zgjodhi Beogradin. Takimi u bë në Bled. Ishte 2 nëntor 1956. Tito qe i një mendjeje me ardhësin e rëndësishëm: Unë jam për të mbrojtur komunizmin dhe rrugën e ndërtimit të tij sipas kushteve të gjithsecilit vend, por jam kundër pluripartizmit. Prandaj mos ndërhy, i tha Hrushovi. Dakord, u përgjigj tjetri.
Tanket sovjetike e shkelën dhe e kaluan kufirin hungarez në 4 nëntor. Në datën tetë, me ide të Hrushovit, Enver Hoxha botoi një artikull të faqes së parë në “Pravda”. Ishte 15 vjetori i krijimit të PKSH. Në të kryekomunisti shqiptar nguli këmbë se ata që kërkonin të ndërtonin socializmin specifik (e kishte fjalën për Josip Brozin) nuk qenë komunistë të vërtetë. Gjithçka tjetër për sa kishte ndodhur, Hoxha e pati pranuar, por revanshin në prestigj ndërkombëtar të shemrit të tij nuk e honepste dot. Asnjë afrim me të, ca më tepër që i shumëfuqishmi i Beogradit ishte për rehabilitim të Koçi Xoxes dhe bashkë me të të një mali të tërë me të dënuar, të vrarë apo ende të mbetur gjallë.
Kështu Enver Hoxha zbatoi modelin e tij të socializmit real: ashpërsoi edhe më masat e brendshme shtypëse.
Josip Broz Tito iu përgjigj me një fjalim të mbajtur në qytetin Pula. Qe 11 nëntor. Kumti i tij ishte: nuk rregullohet sistemi duke u nisur prej demaskimit të kultit të Stalinit, sepse në Shqipëri fajin e ka ai sistem që kanë pjellë Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. Nuk demokratizohet Shqipëria me këta dy.
Kjo donte të thoshte përmbysini. Ishte një lloj thirrjeje për kryengritje. Si në rastin hungarez për Titon jo të vendosej në vendin e shqiptarëve shumëpartitizmi dhe shoqëria e hapur, por ai, i shumëdëshiruari, “miku i Jugosllavisë”.
Ta rregulloj unë, tha me vete Enver Hoxha. Në 11 nëntor foli Tito, në 21 nëntor kapi në një fshat të Peshkopisë Dali Ndreun, Liri Gegën dhe Petro Bullatin, ndërsa ishin gati për t’u arratisur. I solli urgjent në Tiranë, u bëri gjyqin e komanduar dhe në 23 nëntor u pushkatuan. Liria qe shtatzënë.
Nuk thonë kot që mes tmerreve të shumta ka edhe një të llahtarshëm: të dridhet foshnja në bark të nënës.
Pasi kjo skenë rivaliteti të egër u mbyll, në 29 nëntor u bë mbledhja jubilare dhe Beqir Balluku, i cili kishte fjalën e rastit, shqiptoi “Ne pushkatuam ata armiq të popullit që ishin në shërbim të një shteti të huaj°. Në këtë moment ambasadori jugosllav doli nga salla.
Vetëm pak kohë më pas në Tiranë ambasadorët jugosllavë u ndërruan. I riu, në takimin e zorshëm me Mehmet Shehun, ku sipas rrëfimit të tij të mëvonshëm, gotat e verës mbetën të paprekura, i tha se shefi i tij, ministri i jashtëm, i pati thënë se “Tito më ka kapur prej xhakete dhe më ka thënë të zbutësh marrëdhëniet me Shqipërinë”.
Kështu nisi një periudhë tjetër e paqeluftës së tyre.
Në librin e saj “Dosjet e Luftës” Ana Lalaj tregon po ashtu se kryeministri britanik Uinston Çërçill, i alarmuar nga rreziku i komunistizimit të Ballkanit në pasluftë, më 12 gusht 1944, kur u takua me Titon në Napoli, e pyeti nëse ky qe i prirur për ta vendosur këtë lloj regjimi në Jugosllavi. Josip Brozi u përgjigj se komunizmin “nuk e kishte fare ndërmend”.
Në 28 nëntor 1944, ndërsa në Tiranë po mbyllej dita e parë e festimeve të pavarësimit dhe çlirimit të Shqipërisë, Enver Hoxha në darkën festive të organizuar në hotel “Dajti”, në një rreth të huajsh shqiptoi pak a shumë të njëjtën hile.
Ylli Polovina
Tiranë, më 20 mars 2015
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|