|
NJË LAMTUMIRË PIKËLLUESE NË SARAJEVË
(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 21 gusht 2014)
Lajmin për vdekjen e Fuad Shehbajraktareviçit agjencitë e lajmeve të Bosnjë-Hercegovinës nisën ta shpërndajnë masivisht në mëngjesin e hershëm të 14 gushtit. Ajo pati ndodhur para mesnatës, në 23.05. Udhëheqësin e Xhamisë “Bakije” të Sarajevës e kishte goditur një infarkt i miokardit. Gjithë ditën, siç bënte përherë, pati takuar miq, bashkëpunëtorë dhe pasues deri mbasditen e vonë. Me t’i ngjarë goditja e papritur, ndërsa më parë nuk vuante fizikisht nga ndonjë sëmundje jetërrezikuese, ekipi mjekësor ndërhyri menjëherë, por nuk mundi t’ia shkëpusë vdekjes nga duart.
E kishte thënë me kohë mes njerëzve të shtëpisë dhe shokëve, duke cituar poetin e tij të shumëpëlqyer, Omer Khajamin: “Njëherë do të vdes, unë këtë nuk e vë në dyshim. Dhe ja pra për këtë aspak vdekjes nuk i frikësohem. Në këtë botë si amanet shpirti më është dhënë. Kur të dëshirojë, unë ja kthej”.
Gazeta e madhe “Dnevni Avaz” titullonte “Umro Fuad Šehbajraktarević, jedan od najpoznatijih i najomiljenijih Sarajlija” (“Vdiq Fuad Shehbajraktareviçi, një nga më të njohurit dhe fisnikët...”. Të tjerat e përditshme: “Iku pika e referimit intelektual dhe politik të Bosnjés”, “Vdiq njeriu që kurrë nuk kishte asnjë post politik, por që kishte ndikimin më të madh në politikën e Bosnjës”, “Ndërroi jetë simboli i Çarshisë dhe i Sarajevës”, “Shkoi njeriu për të cilin nuk u dëgjua asnjëherë ndonjë fjalë e keqe”...
Në mëngjesin e 14 gushtit edhe ambasadori shqiptar në Bosnjë-Hercegovinë, Flamur Gashi, shpërndau në fb këtë njoftim: “Ike nga ne dhe nga kjo botë, miku im i shtrenjtë (Otisao si od nas i sa ovog svijeta, prijatelju moj dragi). Falënderoj Zotin që në Sarajevë njoha një njeri si ti (Zahvalan sam Bogu sto sam u Sarajevu upoznao osobu kao sto si ti). Për mua ishe dhe do të mbetesh SHEHU im, ashtu siç e thërrisnim njëri-tjetrin (Za mene si bio i zauvjek ces biti moj ŠEJH, kako smo se međusobno zvali). Lamtumirë miku im, lamtumirë miku i shqiptarëve, lamtumirë, o njeri i mirë! (Zbogom prijatelju moj, zbogom prijatelju Albanaca, zbogom dobri covjece). U prehsh në paqe! (Pocivaj u miru!).
Fuad Shehbajraktareviç pati shprehur dëshirën që në tetor të vinte në Shqipëri dhe në Kosovë. Qe ndër më të palodhurit boshnjak që përhapte kudo thirrjen për të vizituar viset e bukura turistike, ku historikisht banonin shqiptarët, populli mik i tyre.
Varrimi i Fuad Shehbajraktareviçit u bë më 15 gusht. Ishte dita kur në botën e krishterë, prej të cilëve ka shumë besimtarë jo vetëm në ish-Jugosllavi, por edhe në Bosnjë e deri brenda në Sarajevë, kujtohet dhe nderohet ditëlindja e Shën Mërisë.
Arkivolin e të ndjerit e mbajtën në duar që nga sbtëpia e tij, pastaj tek xhamija “Bakije” dhe deri sa grumbulli i madh i njerëzve mbërritën në varreza. Pjesëmarrës qenë me mijëra, veprimtarë të politikës, të bashkësive fetare. Ra në sy prania e shumtë e intelektualëve elitarë të kryeqytetit boshnjak: aktorë, regjisorë, profesorë universiteti, gazetarë, mjekë...
Ministri i kulturës i Kantonit të Sarajevës, Ivica Shariç (Ivica Šarić), serb, këngëtar i njohur i operës, e quajti Fuad Shehbajraktareviçin “Njeri të vlerave të mëdha. Nga takimet me të asnjëherë nuk jam ngopur”.
E kisha takuar edhe unë dy herë, në korrik të vitit të shkuar, në Sarajevë, brenda në xhaminë e tij, në “katedrën” e vet, siç do të qe fjala më e saktë për të shprehur dhe kuptuar sadopak çdo të thotë një faltore e tillë në trojet tona dhe një simotër në kryeqytetin shumetnik e me famë botërore të boshnjakëve.
Për një rastësi të favorshme për autorin e këtij shkrimi besimtarët e Sarajevës ndodheshin në respektimin e festës së shenjtë të Ramazanit.
Besimi i vërtetë fetar është antidhuna
Fuad mund ta njihje shpejt jo sepse duhej të kishe patjetër ndonjë dhunti të veçantë depërtimi në personalitetin dhe karakterin e tij, por sepse ai qe tërësisht i hapët, i tejdukshëm, transparent. Kjo ndodhte falë sinqeritetit dhe mënyrës së tij të shprehurit, të jetuarit dhe të vepruarit. Ta përcaktoje këtë si sinqeritet qe fare pak, sepse nuk ishte e gjitha. E tërë e vërteta qe se Fuad Shehbarjaktareviç ishte një mendje e çelur. Mendjehapja tek ai qe lulëzim. Shtypi i vendit të vet, në kujtim të veprës së tij, tek ia vizatoi portretin dhe i theksoi forcën dhe autoritetin e lartë të ndikimit, karakteristikën e frymës novatore ia shoqëroi edhe me nxjerrjen në pah të një cilësie tjetër të tij: energjisë pozitive.
Nuk mund të thuhet se ata bashkëkombës myslimanë nga trojet tona që, vullnetarë në luftimet siriane, në emër të Kuranit, po therin me kamë koka njerëzish, janë njerëz pa energji. Zotërojnë shumë më tepër nga sa janë të zotë të administrojnë. Veç e kanë negative. Operacioni goditës, ditët e fundit, ndaj rrjetit të tyre në Kosovë, nuk ishte aspak gjest i kryer për hir të politikës amerikane në Ballkan, siç e pati kohët e fundit një interpretim prej një autori të dëgjuar, por në favor të vetë besimit autotentik mysliman.
Baza e ideve të Fuad Shehbajraktareviçit, për të cilin ambasadori ynë në Sarajevë shprehet se përfaqëson një guru i fesë islame, në të dy bisedat që korrikun e kaluar bëmë, nguli këmbë se si themel i besimeve fetare është përdorimi i paqes dhe asnjëherë i dhunës. Ai, ndjesë pastë, thoshte: “Kjo është liria, kushdo të besojë apo të mos besojë. Nuk ka me dhunë. Zoti të ndalon për dhunën. Atë që nuk e pushton me mirësi, nuk e bën dot me forcë”.
Refuzimit ndaj forcës dhe imponimit të fesë myslimane Fuad Shehbajrakareviç i përkushtohej me aq shumë zjarr sa dukej sikur ajo qe për të kredoja më e parë e të gjithave. Me siguri këtë e bënte jo vetëm për t’i mbyllur çdo shteg dogmës vrastare pseudoislame të binladenizmit, por edhe për të bërë të nënkuptohej se i tillë qe agresioni serb i viteve 1992-1995, kur Sarajevën dhe shembullin e saj të bashkëjetesës së etnive dhe feve u përpoqën ta vrisnin në emër gjoja të besimit të krishterë.
Kur pas vizitës së punës në Sarajevë u riktheva në Tiranë, ditën e diel të 19 gusht, në meshën rituale të sheshit Shën Pjetër, Papa Françesko e përsëriti para gjithë botës: “Feja dhe dhuna janë të papajtueshme. Bibla nuk autorizon përdorimin e dhunës për të mbrojtur fenë. Është krejtësisht e kundërta. Forca e vërtetë e të krishterit është forca e të vërtetës dhe e dashurisë, e cila të largon prej çdo përdorimi të forcës”.
E përsëriti këtë edhe pak ditë më parë, në 18 gusht 2014, kur shqiptoi edhe fjalët nderuese për shqiptarët dhe vizitën që do të bëjë në Tiranë në 21 shtator (“Shkoj në Shqipëri për dy arsye të rëndësishme. E para sepse kanë arritur të krijojnë një shtet dhe të mendojnë për Ballkanin, unitetin kombëtar mes islamit, ortodoksëve, katolikëve me një këshill ndërfetar që ndihmon shumë në ekuilibrim. Kjo është gjë shumë e mirë, sepse ka harmoni. Dhe prezenca e Papës është për t’i thënë të gjithë popujve se mund të punohet bashkë dhe unë e kam ndjerë si të ishte një ndihmë për atë popull fisnik”).
Hoxha i rinisë dhe i diskotekave
Pse ishte Fuad Shebajraktareviç një ngjarje befasuese dhe që duhej mbartur, si shembull, nga Sarajeva në Tiranë? Të paktën për lexuesin, sepse për institucionet fetare ato kanë autoritetin dhe mendësinë e tyre, janë fare pak të ndikueshëm prej artikujve.
Të linte mbresa pikëpamja e tij se feja islame duhet të bashkëjetojë me një shoqëri të të drejtave të njeriut. Kjo donte të thoshte se ekzistenca e saj normale nuk mund të qe në asnjë shoqëri të mbyllur apo jo pluraliste. Biseda mes nesh, kur u prek tema e viteve komuniste në ish-Jugosllavi, edhe pse në krye të atij modeli politik pati qenë një simpatizant i hapjes ndaj Perëndimit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Josif Bros Tito, në analizën e Shehbajraktareviçit gjithsesi u përshkrua si periudhë me vite të zymta ndaj besimit islam dhe fesë në përgjithësi. Titistët nuk i kishin penguar pak myslimanët, shpesh edhe për t’i hapur rrugë epërsie totale krishtërimit ortodoks, në një farë mënyre edhe feja zyrtare e nacionalizmit sllav dhe posaçërisht atij serb.
Fuad Shehbajraktareviçi, udhëheqësi i xhamisë “Bakije”, kësaj selie të spikatur në Sarajevë të përpunimit dhe rinovimit të mendimit mysliman, qe një hoxhë i rinisë.
E quajtëm, në një përpjekje për ta tipizuar, si “hoxha e diskotekave”.
Ai jo vetëm e pëlqente poetin persian Omar Khajam, po ashtu e deklamonte, por nuk gjente asgjë me herezi tek vargjet me kënaqësi jete si “hidh kupa dhe puth çupa”.
Fuadi nuk qe aspak për jetë të shthurur, por as që ajo të ishte askete, e futur ngushtas vetëm nëpër faqe librash, madje edhe sikur ky të qe vetë Kurani.
Besimi mysliman dhe rinia e fejsbukut, e tuiterit apo e blogjerve, e ajfoneve dhe e diskotekave tek ky klerik ishte i pajisur me shpejtësinë dhe fuqinë e të menduarit të vitit dymijë. Dhe patën gjetur tek ai shprehësin e tyre, gurunë, udhëheqësin.
Shtatëdhjetë e tre vjeçari Fuad Shehbajraktareviç, që në rini kishte luajtur shumë futboll dhe pati qenë i dashuruar deri edhe prej aktoresh, celularin e përdorte me hobin e një djali të ri. Po ashtu, si djelmosh, i fuste apo i nxirrte duart nga xhepat. Në të vërtetë lëvizjen e tyre e kishte ndihmë për t’u shprehur me sa më shumë dhunti oratorike.
Të bënte për vete jo duke të të hutuar, magjepsur dhe mpirë, por duke të të çliruar dhe çmpirë mendjen.
Pse jo edhe hoxhë i politikës
Në takimin e parë gjetëm rreth tij shumë miq dhe ndjekës, por veçanërisht mjaft interesant qe kryetari bashkisë së Bashçarshisë, asaj i cila quhet Qyteti i Vjetër (Stari Grad). Është ajo pjesë e Sarajevës, e cila përfaqëson traditën arkitekturore osmane, realisht edhe më tërheqësen për turistët nga e gjithë bota, Lindja dhe Perëndimi.
Bashçarshia përbën një të tretën e banorëve të Sarajevës.
Kryetari i bashkisë së saj quhet Ibrahim Haxhibajriç. Të gjithë të pranishmit e thërritnin përkëdhelshëm me emrin e presidentit amerikan Obama. Ibrahimi qe një lëkurëbardhë mjaft simpatik dhe gojëmbël. Do të ishte një ndër më të pikëlluarit në ditën e varrimit të gurusë Fuad, mikut dhe këshilluesit të tij të paharrueshëm.
Aftësia e gjykimit politik ishte tek Shehbajraktareviç “sensi i gjashtë”, pas atyre që njeriu i ka nga natyra: vështrimin, dëgjimin, instiktin e mbrojtjes....Nuk kishte ngjarje të rëndësishme politike në Sarajevë dhe në Bosnjë-Hercegovinë që të mos nxiste shumë prej shtetarëve vendas të kërkonin një mendim prej tij. Këtë këshillim Fuad e kryente pa u përzierë në punët e shtetit të vet. Doemos edhe pa përfituar.
Ai nuk ia falte vendit të vet që nuk po ja delte dot të njihte si shtet të pavarur Republikën e Kosovës. Kur në një rast ambasadori Gashi ia pati dalë të sillte miqësisht në Tiranë një delegacion të madh të parlamentit të Republikës Serbe (Serbska Republika bën pjesë në shtetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe për pasojë të presionit të saj po pengohet njohja nga BH e Kosovës), Shehbajraktareviçi këtë gjest diplomatik e kishte vlerësuar me një fjalë: Mudrost. Përkthehet “Urtësi e madhe”.
Në identitetin e tij aftësia politike dëshmonte fare qartë se një klerik i suksesshëm, i çdo besimi fetar, këtë dhunti duhet ta ketë për t’u orientuar pozitivisht në problemet më kryesore të shoqërisë, ku bën pjesë. Një udhëheqës mysliman apo i krishterë pa aftësi politike e dënon me lënien mbrapa masën e besimtarëve. Por në jetën e tij liberal Fuad Shehbajraktareviç kishte edhe momente “radikale”. Në vitet 1972-73, kur regjimi komunist titist (me Rankoviçin në krye) deshi t’i shkatërrojë fare institucionet fetare islame, në shenjë proteste, vuri në kokë kapelën tipike myslimane (të cilën, pohoi, nuk e kishte aspak qejf) dhe me nallane druri në këmbë (çfarë si tip modern që ishte, nuk ia kish ënda) dhe shkonte demonstrueshëm çdo ditë në xhami.
Shqiptarët, dashuria ime!
Papa Françesko në bisedën e tij me gazetarët të datës 18 gusht 2014 i quajti shqiptarët një popull fisnik. Ndokujt mund t’i duket se ky ishte një kompliment, pra një e vërtetë e paktë me shumë zbukurim. Fjalën e bukur “fisnik”, me të cilën lideri i Selisë së Shenjtë formuloi mos përplasjen e dhunshme brenda popullit dhe besimtarëve tanë, pra bashkëjetesën dhe dashurinë ndërmjet tyre, e meritojmë.
Kur bashkë me ambasadorin Flamur Gashi biseduam dy herë me Fuad Shehbajraktareviçin ai na mbushi me optimizëm për ekzistencën e disa cilësive pozitive të shqiptarëve, të cilat, për shkak se tek ne ka edhe mjaft të meta, patjetër edhe rutinë të ambientuari me defektet, nuk bjenë në sy. Duke qenë të shpërfillura dhe të harruara, vlera gabimisht të mohuara, ato janë edhe shkaktare të një pesimizmi të panevojshëm.
Fuad qe i bindur se ne ishim në Ballkan një popull i jashtzakoshëm, të cilin nuk kishte forcë në botë t’ia shuante identitetin dhe ta mpakte numerikisht, ta shtypte politikisht e mendërisht dhe ta nëpërkembte lehtë.
Fuad Shehbajraktareviç i donte kaq shumë shqiptarët sa që disa herë i vuri mbi vetë bashkëkombësit, boshnjakët.
Dashuria e tij për ne kishte edhe një pikë të ngrohtë referimi. Qe një emër, një hoxhë nga Gjakova. E përsëriste pa u lodhur: Hafiz Fahri Efendi Iljazi. Ngulte këmbë: “Nuk e merrni dot me mend sa njeri i ditur ka qenë ai. Në fushën e legjislacionit islam qe më i miri në Ballkan”. Pastaj shtonte “Më ka pritur, sa herë kam shkuar, me shumë dashuri. Atëherë kur nuk isha askushi”.
Shehbajraktareviç tregoi se kur i pari i Kosovës në kohën e ish-Jugosllavisë, Fadil Hoxha, takoi në Marok mbretin Hasani i Dytë, ky një moment e pati pyetur “A e njeh Hafiz Fahri Efendiun, është nga vendi i juaj?” “Po, iu përgjigj tjetri, bile jemi nga i njëjti qytet, nga Gjakova”. Atëherë monarku i qe shprehur: “Një kokë si e tij, plotë urtësi, i mjafton vendit tuaj!”
Fuad Shehbajraktereviç mbase kishte qenë nxënës i klerikut të madh shqiptar, ndërruar jetë në 1985, por ithtar i tij me siguri. Nuk e fshihte udhëheqësi i institucionit të shumënjohur në Sarajevë dhe Bosnjë-Hercegovinë, xhamisë “Bakije”, se prej bashkëkombësve tanë kishte marrë frymëzim për të formuar personalitetin e tij.
“Studjoje atë njeri, mu lut një çast, e do të shihni se është një nga krenaritë më të mëdha të diturisë shqiptare!”
Kur për Hafiz Fahri Efendi Iljazin kërkova të dhëna në internet, gjeta edhe shumë prej urtësive të tij. Njëra thoshte ”Të zhvillohemi në pikëpamje shpirtnore, intelektuale dhe atdhetare”. Kjo nënkuptonte se pa dashurinë për mëmëdheun një popull apo një klasë udhëheqëse e tij nuk mund të ketë ngritje shpirtërore dhe rritje intelektuale. Pra, me pak fjalë, pa dashurinë për kombin shqiptar nuk bëhesh dot asgjë.
Fuad Shehbajraktareviç në respektin e tij për popullin tonë kishte edhe mjaft pika të tjera referimi, shumë përtej fesë myslimane. Në katër vitet e rrethimit të Sarajevës, 1992-1995, kur ndodhi që ushtria serbe u mundua ta asgjësojë, prej kodrave rrethuese, duke ia vrarë jetën ditë për ditë, me predha topash e plumba snajperash, dëshmori i parë i kësaj rezistence heroike është një shqiptar: inxhinieri i stacionit të radiotelevizionit të qytetit, inxhinieri Bajram Zenuni.
Sarajevasit kanë të gdhendur në kujtesën e tyre, mes shumë bashkëkombësve tanë që nuk iu dorëzuan gjenocidit të Karaxhixhit, Mlladiçit dhe të Sllobodan Millosheviçit, edhe emrin e një gjenerali: Halil Bicaj.
Qoftë i paharruar!
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|