Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

KËMBËT E FSHEHTA TË “KAPROLLIT”, MIT’HAT FRASHËRI DHE VORIO-EPIRI


(Botuar nè gazetèn “Shqiptarja.com”, mè 3 korrik 2014)

(Vijon nga numri i kaluar)

Kur në kongresin e Beratit direktiva e Mit’hat Frashërit për pezullim të përkohshëm të luftës kundër trupave ushtarake gjermane dhe domosdoshmërinë e përgjigjes zjarr për zjarr të çdo atentati apo sulmi që njësitë partizane do të kryenin ndaj atyre balliste, u shndërrua në një thellim të saj, pra armiku qe Fronti Nacionalçlirimtare dhe PKSH, ai realisht u bë më antikomunist se Çërçilli, i shumënjohur botërisht si i tillë.
Në dy qarkoret e 7 tetorit 1943 ai e kishte premtuar mundësinë e një direktive të dytë, çfarë mund të qe edhe zbutje. Rezultoi e kundërta. Ishte në fakt PKSH dhe këmbëngulja e emisarëve jugosllavë pranë saj që për kërkuesit e bashkimit të Kosovës me shtetin shqiptar, nacionalistët, jo vetëm të mos vinin pas lufte në pushtet, por edhe të likuidoheshin fizikisht dhe të persekutoheshin pambarimisht.
Po ashtu është e vërtetë që nga tetori 1943 deri në janar 1944 Lëvizja Nacionalçlirimtare, e prirë prej Partisë Komuniste Shqiptare, nuk i bëri asnjë ofertë zbutjeje Ballit Kombëtar. Ka një tentativë në nëntor nga BK dhe anglezët, por pa asnjë dëshirë të sinqertë.
Siç shkruan edhe Hasan Dosti, emigruar në SHBA në gazetën “Illyria” të Nju Jorkut, në numrin 1363, datë 30 korrik 2004, në rastin e Mukjes “Hezitimi i BK për marrëveshje mbështetej në kundërshtimin e Mid’hat Freshërit, ma i vendosuri kundër çdo marrëveshje me komunistët”.
Siç vumë në dukje në shkrimin e parë të këtij cikli, mbështetur mbi studimet e dy historianëve bashkëkohorë, Stavri Dajo në Universitetin “Aristotelis” të Selanikut dhe Sonila Boçi në Qendrën Albanologjike në Tiranë (Instituti i Historisë), Mit’hat Frashëri sipërmori nismën për një marrëveshje me qeverinë greke bashkëpunuese me gjermanët për një shtet dualist midis Tiranës dhe Athinës, ku në thelb sovraniteti kombëtar cenohej rëndë.
Ajo tentativë falimentoi në prill-maj 1944.
Balli Kombëtar tashmë, për të mos thënë se po ecte kuturu, e kishte humbur plotësisht busullën dhe këndvështrimin e gjykimin realist të situatës. Antikomunizmi ideologjik tashmë po i çonte tërësisht kundër aleancës anglo-sovjeto-amerikane dhe asaj që donin popujt e mes tyre shqiptarët. Këta nuk e dinin se pas 29 nëntorit 1944 do t’u zinte rrugën një sistem shoqëror absurd dhe i dhunshëm, prej të cilit do të vuanin për një gjysmë shekulli, por në pranverë 1944 masivisht qenë përkrahës të Frontit Nacionalçlirimtar.
Arsyeja e këtij adhurimi ishte fare e thjeshtë: ata i luftonin ashpërsisht dhe pa pushim pushtuesit.
Në këtë Ball Kombëtar properëndimor që në fillesat e tij, i cili po shkonte në të kundërt të rrjedhës së dobishme të realizimit të nevojave të demokracive perëndimore, erdhi si bumerang, vetëgoditja e fundit, fillimi i operacionit gjerman të qershorit. Ky zhvillim e vuri përfundimisht para historisë së Luftës së Dytë Botërore “me shpatulla për muri”.
Për shpjegimin profesional ushtarak të kësaj ngjarjeje do t’i drejtohemi materialit të pabotuar të ish-partizanit, oficerit të lartë dhe interpretuesit të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, Naxhi Zhupa (“Thyerja e mësymjes së dytë gjermane të qershorit 1944”, Tiranë 2005).
Sipas tij në fillim të pranverës 1944 komanda e trupave gjermane të pushtimit në Shqipëri, ajo e Armatës s dytë të tankeve në Selanik nga varej edhe korpusi 21 në Shqipëri si edhe komanda e grup armatave të juglindjes në Beograd “nga të dhënat që kishin grumbulluar qenë më se të bindur dhe prisnin nga dita në ditë që në qershor-korrik 1944, do të kryhej një zbarkim i mundshëm në hapësirën bregdetare shqiptare midis Durrësit e Vlorës nga anglo-amerikanët...”
Shkruan më tej Naxhi Zhupa: “Dinin edhe këmbënguljen e Çërçillit për krijimin e një kryeure zbarkimi të frontit të dytë në Durrës për të depërtuar në Evropën juglindore dhe për të mos lejuar depërtimin e Ushtrisë së Kuqe në Ballkan”.
Prandaj, sipas interpretuesit Zhupa, të tre komandat gjermane morën këtë masa: afruan trupa në drejtimin bregdetar si edhe sollën këtu 27 bateri artilerie; drejtimet dhe kryeurat kryesore të zbarkimit anglo-amerikan i minuan me 25.000 mina kundër këmbësorisë, kundër tanke dhe mina detare; në shtetet fqinj u caktuan dy divizione për të qenë gati të ndërhynin në Shqipëri; u morën masa për të mbajtur hapur të gjitha rrugët e komunikacionit nga thellësia drejt bregut dhe ruajtjen e tyre me disa garnizone të vendosura rishtas nga Korpusi 21 në Tiranë; më 20 qershor hodhën në erë portet e Durrësit dhe të Shëngjinit, në 9 korrik 1944 edhe atë të Vlorës.
Sipas ish-partizanit dhe oficerit të lartë të Ushtrisë Popullore Naxhi Zhupa, “për Werhmahtin këto qenë të pamjaftueshme pa zhdukur në shpinë thikën e Ushtrisë Nacionalçlirimtare”.
Urdhrin për këtë operacion në Shqipërinë e Jugut e pati dhënë vetë Adolf Hitleri.
Ideja e operacionit mbytës për Lëvizjen NÇl, siç e shënojnë edhe me dhjetëra tekste historie të para dhe pas vitit 1990, lindi në ditët e para të prillit, kohë kur dokumentet gjermane shënojnë “rritje të paparë të forcave Komuniste në jug të Shqipërisë, të cilat tani për tani duken sikur mbijnë nga dheu...”
Sipas punimit studimor të Naxhi Zhupës, kjo gjendje e rënduar për pushtuesin u diskutua në 11 prill në një mbledhje të tre komandantëve gjermanë në Shqipëri (Josef Fictum gjeneral i plotfuqishëm i Himlerit pranë qeverisë shqiptare, Teodor Gaib, po përfaqësues pranë qeverisë dhe ministrit gjerman të Juglindjes Herman Nojbaher, i cili kishte ardhur posaçërisht nga Beogradi, dhe komandanti i korpusit 21, Feni). Idenë e një operacioni të madh në prefekturat dhe zonën Korçë-Berat-Vlorë-Gjirokastër e paraqiti Feni. Që në fillim të mbledhjes të tre krerët e rëndësishëm gjermanë, për arsye demagogjike dhe që të bënin për vete sa më shumë shqiptarë, si edhe bashkëpunues me ta, i vunë emrin “Skanderbeg”.
Nën mëngë fshehën edhe “asin”: likuidimin e komunizmit. Ata e dinin që krerët e Ballit Kombëtar dhe mjaft prej simpatizantëve të tyre për hatër të antikomunizmit lidheshin edhe me vetë djallin.
Gjatë mbledhjes së 11 prillit doli problem pjesëmarrja e forcave aktive luftarake. Komandanti i korpusit 21 i përjashtoi të vetët, sepse, siç nguli këmbë ai, ata nuk i dilnin as për vetë objektet e rëndësishme që aktualisht po mbronin.
Përfundimi: operacionin “Skanderbeg” duhej ta kryenin forcat e qeverisë shqiptare bashkë me të Ballit Kombëtar, atje ku ata pranonin të angazhoheshin. Por planifikuan bashkëpunim edhe me krerë të Veriut, me legalistë, në rast se mundeshin. Pra ata dëshironin një pjesëmarrje masive të forcave antikomuniste, pa u bërë merak se ashtu po i komprometonin dhe tërhiqnin zvarrë pas fatit të tyre, tashmë qartësisht i falimentuar.
Në mbledhjen e 11 prillit në parim u vendos që operacioni antipartizan të përfshinte sa më tepër shqiptarë, por planëzimin ushtarak dhe udhëheqja e drejtpërdrejtë do të kryheshin nga komanda e korpusit 21. Veprimet luftarake të nisnin urgjentisht: më 17 prill. Sipas interpretuesit të kësaj ngjarjeje, Naxhi Zhupa, oficeri i lartë Fictum, pranë qeverisë së Rexhep Mitrovicës, u caktua të merrte të gjitha masat për krijimin shpejt e shpejt të një xhandarmërie dhe ushtrie mercenare shqiptare prej 10.000 vetësh, me komandant të përgjithshëm monarkistin Hysni Dema.
Kjo çështje u shtrua në qeveri, të paktën formalisht. Qenë aty të tre komandantët si edhe konsulli i përgjithshëm nazist Shlip. Kabineti Mitrovica u shpreh dakord dhe qe entuziast se me këtë rast do të shkatërronin komunizmin. Por më pas doli se duheshin para për këtë ushtri dhjetë mijëshe, po kaq uniforma, armatim dhe ushqime si edhe 200 kamionë të rinj me furnizim pa kufi. Bëhej fjalë për 6 batalione rrogëtare shqiptare si edhe grupe të armatosura të Ballit në jug. Nuk do të mungonte edhe një batalion gjerman me 1000 ushtarë.
Fakt është se operacioni u shty për në fillimin e muajit maj dhe se Hysni Dema qe i ngazëllyer prej mundësisë së fitores. Sipas ish-partizanit Naxhi Zhupa ky prijës i operacionit antikomunist, por në thelb që të pengonte zbarkimin anglo-amerikan në bregdetin shqiptar, në përgatitje të operacionit “Skanderbeg” mori disa masa përgatitore: ndaloi lëvizjen e civilëve nga një qytet në tjetrin, mbledhjet publike apo private me më shumë se dy veta. Deri edhe funeralet nuk bëheshin po qe se nuk kishe marrë leje 12 orë më përpara. U shpallën edhe zonat e operacionit: prefekturat e Korçës, Elbasanit, Vlorës dhe Gjirokastrës.
Në 30 prill Hysni Demës iu shter entuziazmi dhe bëri një raport forcash dhe llogaria i doli keq: “Fuqitë komuniste në zonat e Operacionit janë shumë të forta dhe të armatosura mirë, se në të gjitha zonat ku zotërojnë ata kanë rekrutuar fuqi të shumta dhe se fuqitë që disponojmë janë krejt të pamjaftueshme...”
Në 3 maj këtë dëshpërim të tij e hodhi në letër dhe e nisi tek kryeministri i vet dhe krerët gjermanë. Kështu u vendos edhe një shtyrje tjetër. Hysni Dema dhe shqiptarët e tjerë zyrtarë u thirrën para gjeneralit të shumëfuqishëm Fictum, ku qe edhe Feni, ku u paditën për frikacakë. Dy nazistët nuk harruan të konsumonin edhe kartën e tyre të fundit. U thanë shqiptarëve se po të vazhdonin kështu “do t’u lëmë të merreni vetë me problemin komunist..”
Po ashtu u komunikuan se operacionin do ta merrte përsipër vetë Komanda e Lartë e Trupave të Pushtimit.
Kështu nisi plani tjetër operacional: “Skanderbeg-2”. Sipas tij parashikohej pjesëmarrja e forcave të Divizionit 297 dhe e tre batalioneve me xhandarë shqiptarë, plus grupet balliste të krahinave ku ai do të vepronte. Veprimi luftarak antipartizan do të niste në 23 maj.
Erdhi kjo datë dhe ai nuk qe gati. Në të kundërt Fronti Nacionalçlirimtar dhe PKSH mbajtën në 24 maj Kongresin e Përmetit, ku shpallën qeverinë e tyre dhe armatës së tyre u dhanë grada.
U dha urdhri për kundërveprim sa më të shpejt. Operacioni, tashmë pa emrin demagogjik “Skanderbeg”, do të niste në 28 maj. Ndërkohë i ndërroi përfundimisht emri. U kodua “Gemsbock” (“Kaprolli”).
Gjatë periudhës katërmbëdhjetë mujore të pushtimit gjerman ai ka qenë edhe operacioni më i rrezikshëm ushtarak. Ai i vuri si qëllim vetes të mbyste të gjithë rezistencën antifashiste nacionalçlirimtare në jug të Shqipërisë, ku ndodheshin maja e diamantë e kësaj qëndrese: plot nëntë brigada dhe vetë Komanda e Përgjithshme. Bëhej fjalë për afro 30.000 partizanë.
Për t’ia dalë këtij misioni, pasi shpinën nga anglo-amerikanë gjermanët e kishin siguruar me masat e marra në bregdet, nga Jugosllavia erdhi Divizioni i Parë Malor, një njësi elite me shumë përvojë lufte ndaj guerilierëve, e cila gjatë shtator-nëntorit 1943 pati qenë në jug të Shqipërisë, gjatë pushtimit të territorit dhe masakrimit të italianëve të kapitulluar. Po ashtu do të angazhoheshin edhe forcat kryesore të divizionit “Jaeger”, plus edhe regjiment “Brandenburg” i divizionit 297. Nuk do të mungonte edhe një njësi e flotës detare të Egjeut si edhe aviacioni luftarak me detyra zbulimi, por edhe mitralimi, bombardimi dhe desantimi.
Trupat gjermane bëheshin rreth 40.000 vetë.
Do të merrnin pjesë në operacionin “Kaprolli” edhe deri 10.000 mercenarë shqiptarë. Ata do të mbyllnin hapësirat midis trupave gjermane në mësymje.
Sipas ish-partizanit, oficerit të lartë të Ushtrisë Popullore dhe studiuesit Naxhi Zhupa, kjo masë e madhe mësymëse do të lëvizte, si akrepi, fillimisht nga drejtimi Elbasan-Korçë, në një krahëmarrje rrethuese, e do të dilte në Vjosë. Detyra më e afërt qe depërtimi në një brez 30-40 km dhe thellësi 120-130 km. Detyra më e largët, pas shkatërrimit të lëvizjes partizane, ishte dalja në bregdetin Jon. Të mbërritur këtu operacioni “Kaprolli” do të kishte përballë vetëm forcat zbarkuese anglo-amerikane, të cilat i priste nga dita në ditë dhe që, sigurisht, e dinte, se po të ndodhte ngjarja, ato do të qenë të shumta dhe të pajisura me mjete të fuqishme luftarake. Me Ushtrinë e Kuqe që në drejtimin jugor të mësymjes së saj po i afrohej Beogradit dhe Ballkanit dhe anglo-amerikanët e futur në portet e Durrësit, Vlorës dhe Sarandës, do të gjendeshin në një darë asgjësuese jo vetëm forcat gjermane në Shqipëri e Maqedoni, por sidomos ato të ndodhura ende në Greqi. Asnjë nuk do të shpëtonte i gjallë e jo më të tërhiqej drejt Berlinit.
Këmba tjetër sfurk e “akrepit” nazist do të lëvizte nga Janina, prej Korpusit gjerman atje. Ai do të hynte menjëherë në territorin shqiptar dhe do të ngushtonte nga jugu qarkimin e forcave partizane, të cilat duhej t’i kishte vënë përpara, për t’i shtyrë e mbyllur afër bregdetit, forcat që vinin nga Tirana dhe bënin krahëmarrjen e Korçë-Berat-Kolonjës.
Këtu bie në sy një veçanti e studimit ushtarak të Naxhi Zhupës. Ai vë re se në operacionin gjerman të qershorit 1944 vija kufitare midis korpusit gjerman të Tiranës dhe atij të Janinës kalonte jo në vijën kufitare shtetërore, por në linjën Pogradec-Çorovodë-mali i Këndervicës (Tepelenë)-Himarë (Palermo).
Zhupa këtu ndalet dhe ngul këmbë: kjo është vija kufitare e pretendimeve greke të “Vorio Epirit”.
Ja pse në ecurinë e operacionit antipartizan dhe antikomunist “Kaprolli” janë pleksur rrethana që i vënë në pozitë delikate komprometimi jo vetëm njerëzit e qeverisë legale bashkëpunuese me pushtuesit fashistë si edhe mijëra xhandarët shqiptarë, por edhe ata të Ballit Kombëtar, të cilët nga njëra anë angazhohen për të kryer marrëveshje të pabarabartë me homologët e Rexhep Mitrovicës në Athinë (Joannis Ralis), por edhe të mos pengojnë shumë nga njësitet e tyre që të marrin pjesë në operacion përkrah gjermanëve.
Tashmë Mit’hat Frashëri qe në cepin më të skajshëm të largësisë nga interesat jetike të aleancës së madhe antifashiste, por edhe prej demokracive të Perëndimit, SHBA dhe Angli.
Nuk kishte më hapësirë apo edhe një shteg i vogël që të kthehej mbrapsht, të vetëmbronte para historisë sjelljen politiko-luftarake të lëvizjes së tij, apo nuk dëshironte ta bënte këtë përpjekje?
Urdhri i operacionit të “Gemsbock” u firmos nga komandanti i korpusit XXII, gjenerali Hubert Lane, në 26 maj 1944, por udhëzimet reparteve, shkruan Naxhi Zhupa, paraprakisht u kishin vajtur edhe më parë. Në urdhrin e luftimit ishin me përparësi edhe këto dy detyra: “...trupat të mos tregojnë asnjë mirëbesim ndaj popullsisë të ndikuar nga Komunistët...” dhe “Trupat operuese të pushkatojnë në vend Partizanët e të dy sekseve që do të kapen....” Po ashtu këto pushkatime do të bëheshin ndaj partizanëve me moshën nga 15 vjeç deri në 60 vjeç. Do të digjeshin e të shkatërroheshin shtëpitë e të gjitha fshatrave brenda zonës së operacionit. Do të rrëmbeheshin të gjitha bagëtitë dhe do të çoheshin në pikat e furnizimit të trupave.
Me pak fjalë do të qe “tokë e djegur”.
Realisht mësymja e plotë, pra kur hyri tërësisht në veprim njësia elitë kundërpartizane dhe antikomuniste Divizioni i Parë Malor, filloi në mëngjesin e 5 qershorit. Përleshja mes trupave gjermane dhe atyre mercenare të qeverisë Mitrovica me Brigadën e Parë, të Katërt, të Pestë, të Tretë, të Shtatë, të Dytë, të Dymbëdhjetë etj, ishte masive. Më 11 qershor “Kaprolli” gjerman pati përparuar rreth 40-50 km dhe kishte dalë në bregun lindor të lumit Vjosa, prej Përmetit deri në Tepelenë. Por pati ndodhur çudia: partizanët qenë tërhequr, por nuk ishin asgjësuar. Njësitë e tyre kishin manovruar dhe patën dalë në krah dhe në shpinë të gjermanëve.
Siç dihet paralelisht me operacionin gjerman të qershorit Lëvizja Nacionalçlirimtare filloi mësymjen e saj të madhe për të çliruar veriun e vendit, duke e bërë kështu zero të gjithë objektivin e “Gemsbock”-ut gjerman.
Enver Hoxha veçanërisht pas çlirimit të vendit do të grumbullojë rreth vetes peshën e rëndë të mjaft gabimeve dhe fajeve politike, por këtë kohë, në qershor 1944, qe fare i qartë. Kthjelltësinë e tij e ndihmonte vendimi taktik i shkëlqyer i respektimit të aleancës anglo-sovjeto-amerikane dhe i realizimit deri në një të objektivave të saj luftarakë.
Në mëngjesin e 5 qershorit mori vrull “Kaprolli” gjermano-nazist, por nëpër orët e para të mëngjesit të së nesërmes, 6 qershorit, filloi “Overlorg”, zbarkimi gjigand anglo-amerikan në brigjet franceze të Normandisë.
Ndërkohë në 14 qershor Enver Hoxha dha urdhrin e mësymjes partizane për në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Veriut.
““Gemsbock” më kot përpëlitej, duke ripushtuar në 11 qershor Përmetin dhe deri në datën 15 edhe një nga bazat mbështetëse të lëvizjes partizane, Zagorinë. Gjermanët hynin në “tokën e djegur”, por nuk gjenin rreth e rrotull asnjë qenie të gjallë, civile apo ushtarake. Dihet që ata, makina të vërteta luftarake dhe që nuk e lëshonin kurajën edhe në rrethanat më të pashpresa, i nervozonte dhe i hutonte nata dhe mosgjetja përballë e kundërshtarit.
Ata donin objektiv material që të funksiononin.
Kështu para historisë vetë dokumentet gjermane të kësaj kohe shënojnë frazën “Në Shqipëri operacioni “Gemsbock” nuk solli asnjë shpartallim të çetave, kurse në Shqipërinë e Jugut nuk u vendos qetësia”.
Të nëntë brigadat partizane në dhjetëditëshin e dytë të qershorit kishin nisur misionin e çlirimit të qyteteve të Jugut dhe, kudo ku marshonin apo kryenin luftime, vunë re se nuk ndeshnin përballë me njësi të Ballit Kombëtar. Ato qenë shkrirë si borë mëngjesi.
Lëvizja politike e udhëhequr nga Mit’hat Frashëri pati falimentuar.
Në 28 korrik (1944) një komando anglo-amerikane zbarkoi në Spile të Himarës, më pas një tjetër edhe në Sarandë, në bashkëpunim me forcat partizane për ta çliruar këtë qytet.
Historia e raporteve të mëpasshme të komunistëve shqiptarë dhe të Enver Hoxhës me dy demokracitë e mëdha të Perëndimit dihet sa negativ qe. Ndodhi që Mit’hat Frashëri, pas dy viteve të tij dhe të krerëve të Ballit Kombëtar mbyllur nëpër kampet e grumbullimit dhe burgjet e Perëndimit, taktikisht dhe strategjikisht kapën më në fund orientimin e mbarë: aleancën dhe bashkëpunimin me anglo-amerikanët. Duke shënuar, këtë herë, një faqe të mbarë në biografinë e tyre politike dhe të lëvizjes që përfaqësonin.
U mbyll e kaluara e tyre e luftës, kur në shpirt antisovjetikë e kundërkomunistë, u distancuan dhe u larguan edhe prej anglo-amerikanëve.
Që ta plotësojmë këtë gabim të Mit’hat Frashërit edhe me një të dhënë tjetër, po i paraqesim lexuesit edhe një të fshehtë që e zbulon në studimin e tij ish-partizani i Brigadës së tetë, Naxhi Zhupa.
Ai nuk e gjen rastësore rrethanën që, ndërsa politikisht trupat pushtuese gjermane patën shpallur pavarësinë e Shqipërisë, madje edhe me ca bashkim tokash nga Kosova, ushtarakisht territorin tonë e kishin ndarë sipas pretendimeve grekomëdha të Vorio-Epirit. Korpusi i Janinës ushtronte fuqi veprimesh luftarake deri në vijën e njohur të pretendimeve të fqinjëve.
Por Zhupa nuk e lë me kaq vërejtjen dhe akuzën e tij. Ai shkruan se operacioni gjerman i qershorit nisi realisht në datën 5 qershor, saktësisht në 100 vjetorin e shpalljes së Megaliidesë.
Kjo platformë nacionaliste helene qe miratuar në parlamentin grek në 5 qershor 1844.
Antikomunisti i rreptë Mit’hat Frashëri këtë kombinim rrethanash antishqiptare nuk do ta dëshironte kurrë, por ja që ra brenda tyre.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com