Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Halil Bicaj, gjenerali shqiptar që mbrojti aeroportin në luftën e Bosnjës


(Botuar në Gazeta Shqiptare në 17 gusht 2013)

Hyrja në Sarajevë, nëpërmjet “portës” së jugut, pra andej ku treqind e tetëdhjetë kilometra më poshtë gadishullit ndodhet Shqipëria, na lë një mbresë të paparashikuar. Qyteti duket shumë më i vogël nga sa e patëm përfytyruar. Është i qetë dhe i pa zhurmë, ndoshta duke përjashtuar vetëm tramvajin, i cili në kthesa, tek fërkohet nëpër shina, bën një si fishkëllimë, gjithsesi të këndshme. Vagonët janë butësisht të shumëngjyrshëm. Për një rastësi të bukur një nga brylimet e tij ndodh para ambasadës shqiptare, të hapur vetëm tre vite shkuar, në 2 qershor 2010. Tramvaji i Sarajevës është më i vjetri në Evropë. Kur vendi ndodhej nën Austro-Hungari, më parë se të bëhej në Vjenë apo Budapest, vagoni i tërhequr nga kuaj u eksperimentua këtu.
Kangjellat e ambasadës sonë, tek hapen ngadalë, kryejnë një sugjestion: e tregojnë më dukshëm siluetën e një shqiponje të madhe, të disenjuar hijshëm mbi hekurin e portës. Atë e ka bërë boshnjaku sarajevas Hasan. Në oborrin e përfaqësisë tonë diplomatike pamjet në foto të mëdha të Shqipërisë dhe lulet hapin vend lirshëm për shtizën me sipër flamurin kombëtar. Atë e ka ndërtuar serbi vendas Vukadin.
Për të mbetur i pazbehur nga lëbyrja e diellit, ai flamur ndërrohet çdo gjysmë viti. Është i madh, pothuaj sa një kat godine. Ka një sipërfaqe pesë metra katror. Kur valëvitet duket me sy të lirë që nga shtatë kodrat, të cilat e qarkojnë Sarajevën dhe ku jetojnë shumë prej shtatëqind e pesëdhjetë mijë banorëve të saj.
Për t’u cilësuar për dukshmëri si ambasada me pozicionin më “strategjik” në kryeqytetin boshnjak, ajo ka, përveç flamurit gjigand, edhe një “fat” tjetër. Sigurisht të paramenduar. Gjendet pranë Bibliotekës Vjecnica. Të dyja i ndan vetëm hapësira e rrugës. Ka ndodhur që ndokush prej banorëve, kur adreson ndonjë udhëtar apo turist, duke saktësuar si pikë fillestare orientimi Bibliotekën, shton tashmë, për siguri, edhe një të dytë shenjë: ambasadën shqiptare.
Gjatë gjithë javës së qëndrimit në Sarajevë do të vërtitesha mjaft kurioz përreth asaj godine të famshme në të gjithë kontinentin. Përherë e kam pasur idhull. Por çuditërisht, edhe pse qe një ndërtesë e madhe, më dukej shumë e vogël. Në të vërtetë tejzmadhimi në përfytyrimet tona të gjithçkaje në Sarajevë vjen prej peshës së saj të madhe në histori. Ballkani njihet si një truall i tillë, veç Sarajeva, jo vetëm në fillim të shekullit të mëparshëm, por sidomos pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftës dramatike të viteve 1992-1995, kur serbët ndjekës së Millosheviçit, Karaxhiçit dhe Mlladiçit, e sulmuan dhe e martirizuan në mënyrën më kriminale, prodhoi histori disa herë më shumë se çdo pjesë tjetër e gadishullit.
Edhe shtati i Bibliotekës së njohur për thesarin e saj të botimeve nga më të vjetrat në botë në imagjinatën tonë ishte rritur disa herë prej imazheve televizive, fort tronditëse, kur serbët e bombarduan me egërsi dhe copëra të dy milion e gjysmë librave, të copëtuara, ngriheshin lart të përzhitura dhe shkonin të flakura deri tek kodra Bistrik, mbi të cilën tashmë ka një bar-restorant luksoz “Park Princeva”, prej verandës së madhe të të cilit sheh gjithë Sarajevën. Atje një orkestër i bie melodive vendase. Siç na e shpjegojnë ato janë këngë dashurie, por në to ndjenja duket si e mbajtur ndrydhur. Diku, nëpër nota, mezidallohet një lajtmotiv që ngjan si me një vajtim.
Perceptimin se prej historisë përmasa e hapësirave është shumë më e madhe nga sa realisht ato janë, më qartë se kudo e provuam tek dyqani i haxhi Naser Jabuçar, në krye të rrugës së Kazanxhinjve, në zemër të Bashçarsisë, pjesës së vjetër, më të populluar dhe më të vizituar të qytetit. Haxhi Naseri është kryetar i shoqatës së artizanateve të Bosnjë Hercegovinës, disa herë deputet në kantonin e Sarajevës. Familja Jabuçar ka katërqind vite në po atë dyqan, si edhe edhe në një tjetër, pak më larg. Për hir të atyre katër shekujve dhe personalitetit të tij të rrallë haxhi Naseri është simboli i vetë Bashçarshisë. Nuk ka mbetur kryetar shteti apo politikan e madje aktor i famshëm botëror, i ardhur në Sarajevë që nuk e ka vizituar. Bashkëkombësi ynë me origjinë nga Gostivari, Naser Miftari, miku i tij i madh, për dy dekada edhe lideri i bashkësisë së shqiptarëve në kryeqytetin e BH, na thotë se në atë dyqan kishte hyrë edhe vetë Bill Klintoni. Një çast më pas shton se ai qe ulur aty. “Ku?”, e pyes pa pikasur asgjë. “Bash ku je ulur ti tani”. Nga sikleti i pakrahasueshmërisë me një president amerikan më vjen të çohem menjëherë e ta liroj vendi. Ai poltron qe fare i thjeshtë dhe për t’u ulur atje më ftoi vetë Naser Jabuçar.
Dy Naserët, boshnjaku dhe shqiptari janë shokë për kokë. Miftari e do aq fort sa intimisht, një mbrëmje, teksa pinim bozë në lokalin e tij në të hyrë të Bashçarshisë, më pati pohuar se i vinte shumë inat me veten që edhe pse kishte dashuri të pafund për Naser Jabuçarin, nuk mundte dot ta donte aq shumë sa ky e kishte atë në zemër. Ja pse pa u larguar nga ai truall historie u propozuam të dyve një foto simbolike: secili në kokë do të vinte qylafin e popullit mik. Ishte piktori Fatmir Carkanji (Lordi), pastaj, që e fiksoi në pamjen kuptimplote bashkëngjitur këtij reportazhi.

ooo

Para se të vinin turqit Sarajeva nuk ka qenë ndonjë vendbanim, ca më tepër qytet. Ishte tokë e djerrë, pa frymë njeriu. Qe një luginë me lumë në mes dhe shtatë kodra përreth, numër i shenjtë, me fat, si tek të krishterët e gadishullit ashtu edhe ndër besimtarët e rinj, të porsaardhur si misionarë, myslimanët. Sarajevën e ngritën osmanët. Siç e kishin rregull ndërtuan fillimisht një han, një hamam, një kullë sahati dhe një xhami. Gjithçka tjetër, në popullim e sipër, ndodhi me shpejtësi të rrufeshme. Prej atij qyteti mund të niseshin për beteja armata të tëra perandorake, por njëkohësisht në të të mos kishin fund prehja dhe argëtimet. Kështu jo prej simboleve të luftës, por prej atyre të paqes u zgjodh, për t’i dhënë emrin, fjala turke e shtëpive të rehatshme: saraje.
Kur osmanët vendosën ta krijonin qytetin-plastdarmë të ushtrisë dhe fesë së tyre në luginën mes shtatë kodrinave, kishte aq shumë ujëra termale sa bënin një lumë të dytë, përballë atij, lumit të vërtetë, i cili e kishte emrin Bosna. Prej tij një ditë e mori emrin gjithë krahina e pastaj vetë shteti. Ajo që është tepër interesante ka të bëjë me studimin e një dijetari hungarez. Sipas tij fjala Bosna vjen prej shqipes. Në të vërtetë, po të qëndrojmë fort në këtë përkatësi etnike, do të ngjajë, për ne, me një kapardisje. Shkencëtari sidoqoftë ka argumente. Ai thotë se fjala “bosna” vjen prej “bossn”, me të cilën në veri të vendit tonë i thonë lugut prej druri ku u hidhet kripë deleve. Në mbështetje të kësaj pikëpamjeje dijetari përdor edhe fjalën Tuzlla, emri i një qyteti të rëndësishëm sot në BH, mjaft afër Sarajevës. Rrjedh prej fjalës turke Tuz, çfarë do të thotë kripë. Dihet që miniera e parë e kripës së gurit në Evropë është në Tuzlla.
Por gjithsesi, duke e pëlqyer dhe dëshiruar shumë tezën e mësipërme, mendojmë se fjala Bosna nuk duhet të vijë nga ajo verishqiptare, por të dyja, paralelisht me njëra tjetrën, ka të ngjarë të kenë buruar nga shtrati i lashtë i ilirishtes. Në Bosnjë-Hercegovinë vitet e fundit, përkundrejt teorisë së imponuar prej Jugosllavisë mbretërore apo komuniste për t’u dhënë origjinën sllave të gjithë banorëve të federatës, së fundi mendohet se boshnjakët rrjedhin prej fiseve ilire. Përkatësia ilire ua ka forcuar ndjenjën e identitetit kombëtar, formatimi i plotë i të të cilit përbën për boshnjakët një problem të ngutshëm. Profesori Ismet Dizdareviç, autor e bashkautor i katërmbëdhjetë librave, pohon se në Sarajevë drejtori i Institutit për Krimet e Luftës interesohet posaçërisht për arkivat dhe muzeumet shqiptare. Beson se në to ka shumë të dhëna për boshnjakët si prejardhës nga ilirët.

ooo

Në Bosnjë-Hercegovinë Shqipëria e periudhës komuniste ka lënë një mbresë të trishtë, vend varfërie dhe shtypjeje politike ekstreme. Për ta nxirë më tej këtë imazh kanë peshuar mbi psikikën vendase edhe platforma politike jomiqësore të Jugosllavisë së dikurshme, shpesh kauzë ideologjike e mpiksur, si në një kapsulë helmi, tek fjala pështymëse “shiptar”. Por kjo strategji e tërë urrejtjeje tashmë është bërë copë e çika.
Merita më e parë është e shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi, të cilët bashkëjetojnë këtu me vendasit. Të ardhurit apo të emigruarit nga shteti ynë, sigurisht, në BH mungojnë. Ja pse në Sarajevë themelin e dashurisë së ndërsjellë mes dy popujve e kanë hedhur këta bashkëkombës të florinjtë. Ata kanë frymë të pashuar rilindëse. Tek i njeh e bisedon me ta, të sjellin menjëherë ndërmend vargjet naimjane “Ti Shqipëri me jep nder, më jep emrin shqiptar”. Tek restoranti (qebaptorja) e tij karakteristike “Zheljo” Shahin Memeti, tashmë me moshën e një gjyshi, me të parë shqiptarë të ardhur nga Tirana u bë si fëmijë. Nuk dinte si të na kënaqte dhe nuk ngopej duke na përqafuar. Vërtiste nëpër ajër duart hollake për të na prekur me dorë, ndryshe nuk gëzonte dot sa i deshte zemra. Kur dëshirojnë të hapin një aktivitet, ai është ndihmësi më i madh financiar i bashkëkombësve në Sarajevë. Shahin Memeti qe “banka” e tyre. Tek vëllezërit Fidani, ku më i madhi i tyre, Baftiri, ishte prijës i vërtetë, kurse një nip i ardhur nga Vjena, Rrezaku, me një zotësi të habitshme menaxhimi, mund të shihje se si prej një dyqani fare të ngushtë, vetëm pak metra katror, me një punë vetëmohuese dhe organizim të përsosur familjar, kishin arritur ta shumëfishonin edhe në dy të tjerë të mëdhenj. Madje në Bashçarshi qenë duke rinovuar një mjedis të tretë e shndërruar atë në një motel të këndshëm. Një bashkëkombës i tretë, Fahredin Myftari, zotëronte në të gjithë Sarajevën fabrikën më të çmuar të prodhimit të vajrave kurues prej bimëve popullore. Ndërsa po të dëshiroje të takoje edhe një kapitalist të madh mjaftonte të bëje vizitë tek magazinat e mëdha të Nexhad Selmani-Dandit. Ai administronte disa rrjete të tregtimit në Sarajevë, filluar prej atyre të veshjeve deri edhe të bar-restoranteve. Qe një i pasur me sjellje modeste. Shqipja e tij, edhe pse jo fort e stërvitur, të mallëngjente për dashurinë me të cilën e shqiptonte. Ndërkaq ngashërimin e papritur, nga dashuria e madhe për Shqipërinë, të Daut Cenaj, nuk ke si mund ta harrosh. Qante se ishte shumë i lumtur që i biri i tij, Driloni, një talent i rrallë futbollistik, tani luante me Shpresën tonë Kombëtare. I qe lutur për këtë privilegj mëmëdhetar ambasadorit tonë në Bosnjë Hercegovinë, Flamur Gashi, dhe ky e pati ndihmuar t’i realizohej ëndrra. Drilon Cenaj ka luajtur për të rinjtë e Sarajevës dhe të ekipit kombëtar të Bosnjës. Tani, i përgatitur nga ekipi i akademinë fotbollistike “Pushkash” në Hungari është në trajtimin special të skuadrës Ferencvarosh. U ftua edhe nga akademia e Olimpiakos në Greqi, por për hir të Shpresës së Shqipërisë, e shmangu atë.
Nuk mund të mbesje pa u prekur tek familja Gjuraj, sidomos kur bisedoje me më të madhin e vëllezërve, Fetahun. Ata kishin tre furrtare me nam, të quajtura AS (Has është vendlindja e tyre dhe është shkruar AS pasi në boshnjakisht nuk shqiptohet mirë). Ata prodhonin bukën më të pëlqyer në Sarajevë, pas karakteristikes së tyre me emrin samun. Quhej Nanik(h)leb ose Buka e Nanës. Ishte traditë shumë shekullore hasiane. Boshnjakët bukënanën e kishin përkthyer përgjysëm: bukën (hleb), kurse nanën e kishin lënë në shqip.

ooo

Jam me fat. Në bisedën me Ismet Haxhiç përkthyes kam vetë ambasadorin Gashi. Ai e zotëron shqipërimin si dhunti artistike. Nuk mbart vetëm mesazhin e atij që flet, por edhe gjithë atmosferën që përjeton rrëfimtari. Kështu në mesditën e 30 korrikut gjeneralin boshnjak e kuptova dhe e ndjeva sikur ta kisha njohur një jetë të tërë. Rrallë më qe dhënë rasti të dëgjoja një zë si i tij. Ishte si gjëmim i thellë malesh, si kumbim qielli e toke bashkë. Pati kaluar të pesë vitet e rrethimit të Sarajevës, duke qenë komandanti politik i brigadës speciale të motorizuar të Dobrinjës, njësia më e famshme e kësaj lufte. Boshnjaku Ismet qe prijësi politik i njësisë, gjenerali shqiptar Halil Bicaj ishte komandanti ushtarak dhe njëkohësisht shefi i shtabit. Qenë një dyshe madhështore, mendje e shpirt i njësuar, si dy krerë shqiponje, për të mbrojtur atdheun e tyre të përbashkët. Haxhiç kishte qene myteveli, klerik mysliman. Halili ushtarak profesionist, por ateist. Tre herë i plagos Haxhiç. Shkoi gjer afër vdekjes, por nuk u dha. E gjithë qenia e tij, shumë modeste në mënyrën e rrëfimit, ku mungonte ajo “unë”, të linte përshtypjen se gjendeshe para një heroi. Brigada e motorizuar e Dobrinjës është e famshme botërisht, sepse qe ajo, e cila mbronte aeroportin e Sarajevës dhe çeli një tunel nën aeroport, poshtë këmbëve të serbëve, për t’ia dalë të furnizoheshin me armë e municione, me ushqim dhe të kalonin nën tokë, jo vetëm oficerë të vendeve të Perëndimit, por deri edhe dy ambasadorë me mision ekstra.
Porse ndërsa Ismet Haxhiç është legjendë, Halil Bicaj shumë pak për t’i thënë epos. Kur presidenti Alia Izetbegoviç nxori urdhrin që, për shkak të pamundësisë fizike gjenerali boshnjak duhej t’ia dorëzonte të gjithë komandën kolegut shqiptar, Halili shkoi vetë, mes luftës shtëpi më shtëpi e rrugë më rrugë, deri tek urdhërdhënësi dhe kërkoi anulimin. Shqiptoi vendosmërisht frazën: “Edhe me barelë të jetë, ai mbetet komandanti im”. Presidenti Izetbegoviç e ktheu menjëherë dekretin.
Kërkon një shkrim të veçantë kjo histori e dy gjeneralëve të brigadës së Dobrinjës, siç jemi të shtrënguar, për shkak të përmasave limit të këtij reportazhi, të mos i japim hapësirën e domosdoshme një skene, ku u gjendëm papritur në të njëjtën ditë të 30 korrikut. Pane Shkërbiç, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për Zgjedhjen dhe Promovimin e Menaxherëve të Bosnjë-Hercegovinës, Evropës Juglindore dhe Qendrore, sipas një protokolli të rreptë të institucionit të vet shumë të njohur, i lexoi dhe pastaj i dorëzoi Flamur Gashit një letër vlerësimi për çmimin që i kishin dhënë në 4 korrik, “Ambasadori më i mirë”, në një ceremoni në hotelin më të madh të Sarajevës, “Holiday Inn”, në prani të 200 gazetarëve të akredituar, gjashtë televizioneve nga ish-Jugosllavia që e transmetonin ngjarjen live dhe presidentit të Bosnjë Hercegovinës, Zhelko Komshiç. “Jemi të lumtur, thoshte një frazë e saj, që në këto hapësira ka njerëz të aftë të dhe të zgjuar, me dituri të tillë që rrezatojnë energji pozitive. Janë njerëz të duhur në vend të duhur”.
Do të largoheshim nga Sarajeva, më në fund. Sead Buzar, shoferi boshnjak i Ambasadës, me profesion topograf e që një pjesë të luftës e kishte kaluar i dërguar në një vend mik, prej ku rezistencës heroike të boshnjakëve u vinin mjetet e nevojshme mbështetëse, ndërsa fjalët për çdo pyetje që i bëjmë, i gjen lehtësisht, kur i lutemi të thotë një opinion për shqiptarët dhe Shqipërinë, mezi i gjen. Kërkon më të zgjedhurat. Ka mbetur i mahnitur nga ndryshimi ynë i madh i pas viteve nëntëdhjetë.
Kurse Suada Milla—Axhanela ka dritë të përhershme krenarie shqiptare në vështrim. Ajo është sekretarja e Ambasadës, bashkëkombëse me origjinë nga Ulqini, një grua mjaft inteligjente dhe me poezi në shpirt. Na shpjegon për lulet dhe zogjtë e Sarajevës, trëndafilen dhe orkidenë, pëllumbat e Bashçarshisë që nuk u larguan edhe në pesë vitet e bombardimit të Sarajevës dhe rikthimin e menjëhershëm aty, që në viti 1996, i trumbave të mëdha të dallëndysheve,
Ja edhe një surprizë tjetër. Ndërsa piktori Fatmir Carkanji-Lordi, që e shoqëron këtë reportazh me fotot e tij, dëshiroi të blinte, si kujtim, fishekë lufte të bërë stilolapsa paqeje, shitësja e dyqanit “Babiç” pasi na dëgjoi që flisnim shqip, ngazëlleu dhe tha se edhe ajo e kishte origjinën e largët nga viset tona të Shkodrës. Quhej Jasmina Gegaj dhe në Sarajevë familja e saj pati ardhur dekada më parë prej Drenicës së Kosovës.
Po iknim. Ishte 31 korrik. Gjashtë ditë njohje intensive të vendasve dhe, i sigurt se, me ndihmën e ambasadorit Gashi, ia kisha dalë ambicieve profesionale më kryesore, gati sa nuk klitha me zë, kur, ndërsa kishim dalë nga Sarajeva dhe po dëgjonim nga radio e makinës një melodi të më të njohurit këngëtar boshnjak, Halid Beshlliç, u kujtova që duhej të kisha mbledhur të dhëna edhe për Himzo Polovinën, një këngëtar të famshëm popullor, mbiemri i të cilit prej kohësh më ngacmonte me përkatësinë e tij...

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com