|
E dashura e Ahmet Zogut, pse e vrau veten baronesha de Roop
(Pjesa e parë, botuar në 19 korrik 2013 tek gazeta “Shqiptarja.com”)
Ishte 2 prilli i vitit 1934 kur Legata Jugosllave njoftoi Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë dhe me këtë rast qeverinë shqiptare si edhe vetë mbretin Zog se pati mbërritur në selinë e saj atasheu ushtarak i ri. Quhej Ljubomir Petroviç. Qe nëkolonel. Kjo Legatë informonte gjithashtu se atasheu i mëparshëm, nënkoloneli Bozhidar Boziç, po bëhej gati të largohej.
Qe klimë e mirë mes dy vendeve dhe mund të dyshohej fare pak se këto lëvizje ishin jashtë rutinës së ndërrimit për shkak të mbarimit të mandateve. Gjithsesi edhe njerëzit e shërbimit sekret të Zogut i mbanin sytë hapur. Siguria e tij fizike mbetej përparësi absolute. Pastaj edhe e vetë shtetit, sovranitetit territorial. Nga Jugosllavia, si rregull, vinin veprime destabilizuese, por gjatë pranverës së 1934 raportet me Beogradin gjallëroheshin pothuaj çdo javë prej lajmeve të ngrohta. Në mes të muajit mars qe firmosur mes dy vendeve edhe një traktat tregtie. Në 14 prill shtypi i kryeqytetit të sllavëve të jugut e priti me humor të mirë njoftimin e shpërndarë prej agjencisë shtetërore çekosllovake, sipas të cilës edhe mes qeverisë së Pragës dhe asaj të Tiranës qe firmosur një marrëveshje e njëjtë për shkëmbimet tregtare. Prej një entuziazmi që dukej sheshit, kësaj teme i hapi vend, në 23 prill, edhe gazeta “Makedonia”.
Të nesërmen qe e përditshmja “Pladné”, e cila publikoi shkrimin “Nënministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë në Beograd”. “Zoti Dhimitër Berati, nënministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, njoftonte ajo, duke ardhur nga Praga qëndroi në Beograd. Zoti Berati përfundoi në Pragë një Traktat Tregtar në bazë kompensimi. Deri tani Shqipëria ka importuar nga Çekosllovakia disa mallra industrialë, pa mundur dot të eksportojë asgjë. Pas traktatit Çekosllovakia do të blejë në Shqipëri prodhime të ndryshme bujqësore, kryesisht duhan dhe vezë. Para redaktorit të gazetës “Vreme” zoti Berati deklaroi që në Beograd do të zhvillojë bisedime për të thjeshtuar shërbimin e pasaportave në kufi dhe për çështjen e peshkimit në liqenin e Shkodrës. Çështja e kalimit më të lehtë të kufirit ka një rëndësi të madhe për popullsinë shqiptare sepse....banorët shqiptarë mund të shesin prodhimet e tyre në qytetet e afërt të kufirit jugosllav.
Zoti Berati shpreson që këto bisedime janë të dobishme për të dy vendet… Për çështjen e pjesëmarrjes eventuale të Shqipërisë në Paktin Ballkanik, zoti Berati u përgjigj se ai, gjatë kohës që ishte në Tiranë, qeveria ende nuk kishte marrë ndonjë vendim për këtë çështje dhe se qeveria shqiptare përpiqet që në radhë të parë të rregullojë me fqinjët çështjet ekonomike”.
Dhimitër Berati po atë ditë që shihte të botuar intervistën në “Pladné” gjeti edhe këtë njoftim tek e përditshmja jugosllave me tirazh ndikues, “Politika”. “Italianët përgatisin harta të reja ushtarake të Shqipërisë” e titullonte ajo lajmin e marrë nga Tirana, por pa e shpjeguar se vinte prej burimeve zyrtare të këtij vendi apo nga legata e saj. Teksti qe i shkurtër, por i pamëdyshtë: “Në Shqipëri ka mbërritur një mision i ri kartografik ushtarak italian, i cili përbëhet prej disa oficerëve dhe civilëve të specializuar për hartografi. Misioni do të ketë për detyrë përgatitjen e hartave të reja ushtarake, përfshi në to edhe seksionet e kufijve të krahinave të Shqipërisë”.
Ishte e natyrshme që italianët, të cilët në 1913 kishin marrë nga Fuqitë e Mëdha të drejtën e përkujdesjes mbi vendin e vogël përtej detit, të shqetësoheshin për depërtimin e vrulltë të jugosllavëve. Mirëpo në atë prill marrëdhëniet e Tiranës me Romën qenë mjaft nervoze.
Tre javë më pas nga suksesi i Dhimitër Beratit në Pragë dhe në Beograd si edhe prej ngutjes së delegacionit ushtarak të gadishullit Apenin për ta hedhur në hartë cep më cep Shqipërinë, në 13 maj, do të ishte gazeta bullgare “Makedonska Pravda”, e cila në faqen e parë do të botonte shkrimin sfidues për Romën “Shqipëria po lirohet prej influencës italiane”. Sipas kësaj të përditshmeje “Ka bërë përshtypje të madhe një intervistë e Ministrit Shqiptar të Punëve të Jashtme, z. Xhaferr Vila, të cilën fletorja gjysmë zyrtare “Besa” e ka publikuar në shqip dhe frëngjisht. Në këtë intervistë nënvizohet se mbrojtja xheloze e Sovranitetit Shqiptar është pika themelore e politikës shqiptare. Me këtë deklaratë Qeveria Shqiptare rrëfen lirimin e saj nga çfarëdo tutele të huaj.
Gjithë po në këtë kohë Qeveria Shqiptare po afrohet tepër e më tepër me Jugosllavinë dhe Francën.
Gjatë këtij muaji Mbreti Zog do të vizitojë Parisin për ta forcuar politikën e re të Jashtme të vendit të vet dhe për të kqyrur fushën për lidhjen e një huaje të jashtme.
Në këtë ndryshim me rëndësi në politikën shqiptare, Italia po humbet një pozitë me rëndësi në gadishullin Ballkanik dhe po zhduket ideja e krijimit të një perandorie, e cila kish për qëllim të pushtonte Dalmacinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë. Shqiptarët kanë ndër mend të kërkojnë një shumë prej dyqind mijë frangash për të ndërtuar nëndetëse dhe torpedinierë me qëllim që të mbrojnë bregdetin nga sulmet e mundshme të Italisë.
Mund të thuhet, në përfundim, se Italia e quan lojën e saj me Shqipërinë të humbur. Tani kjo e ka drejtuar vështrimin nga Afrika, sidomos te Abisinia.
Ditët e afërme do ta rrëfejnë në se ne kemi të drejtë në këto konstatime”.
Një javë më pas nga ky artikull i “Makedonska Pravda”, më 20 maj, “La Volonté” e Selanikut spikati lajmin befasues “Shqipëria do të blejë nëndetëse”. E përditshmja pohonte se informacionin e kishte marrë një ditë më parë në Tiranë. Njoftimi i bujshëm, që linte të kuptohej për një armatosje të madhe të Shqipërisë nga Franca, përballë dhe kundër Italisë, thoshte se “Mbreti Zog ka menduar të bëjë këtë muaj një udhëtim në Paris me qëllim që të forcojë politikën e jashtme të vendit të tij dhe të marrë një hua. Kjo hua në pjesën e saj më të madhe është destinuar për blerjen e nëndetëseve, të cilat do ta ndihmojnë Shqipërinë të mbrojë brigjet e saj”.
Të nesërmen e pohonte këtë lajm të potershëm edhe “Le Soleil” e qytetit francez të Marsejës. Qe edhe i njëjti titull, madje edhe me germa shumë më të mëdha.
Në Tiranë, në 22 maj, në Drejtorinë Politike të Ministrisë së Punëve të Jashtme pati mbërritur një notë e Legatës angleze. Ajo e vinte në dijeni se në 20 korrikun e ardhshëm në portin e Vlorës do të vinte një anije lufte e shtetit të tyre dhe do të qëndronte aty deri në datën njëzetë e pesë. Ajo lutej që institucionet qendrore shqiptare të kishin mirësinë t’u jepnin autoriteteve kompetente porositë e nevojshme për t’i krijuar luftanijes dhe personelit të saj, gjatë kohëqëndrimit, të gjitha lehtësirat e mundshme. Në fund të notës legata britanike shpjegonte se do t’ua komunikonin më vonë se cili do të qe ai kryqëzor, destrojer e torpedinier apo lloj tjetër vapori ushtarak, të cilin do ta kishin mik për pesë ditë të fundkorrikut.
Për këtë ngjarje të pritshme, duke rënë dakord si për një gjë të shumëdëshiruar, Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë u bëri një shkresë informuese Ministrive të Punëve të Brendshme, të Financave si edhe Komandës së Mbrojtjes Kombëtare.
Në 23 maj qe gazeta bullgare “Vreme” që u rrëmbente vëmendjen lexuesve të saj me titullin e një lajmi ekstra: “Shkatërrim i misionit ushtarak italian në Shqipëri”. Burimi i të dhënës shte Parisi i një dite më parë. Në trup të njoftimit shumë marramendës thuhej se gazeta “Information” sapo kishte bërë publik një telegram të ardhur nga Tirana, sipas të cilit për së shpejti aty do të shkatërrohej misioni ushtarak italian. Kryetari i këtij grupi, Gjeneral Pariani, qe kthyer me kohë në Romë dhe brenda pak ditësh do të ikte në po të njëjtin drejtim edhe Shtabi Madhor së bashku me të parin e tij, kolonel Gabrielin.
Me sa duket ishte forca sensansionale e këtij lajmi që e kishte shtyrë interesimin e medias së huaj për mosnënshtrimin e Shqipërisë ndaj Benito Musolinit dhe Italisë së tij fashiste që të mbërrinte deri në atë 23 maj, sepse kish pesë ditë që gazetat po i rendnin pas një tjetre temë nga vendi i vogël. Para nëndeteseve franceze për t’u mbrojtur nga Du]ja ky qe akoma më i bujshëm, madje ishte pothuaj trullosës.
Bëhej fjalë për një skandal dashurie ku ishte pleksur edhe vetë Ahmet Zogu, mbreti i Tiranës.
Çfarë pati ndodhur në 17 maj e shpjegonte, një ditë më pas, gazeta e Athinës, “Eleftheros Anthropos”. Gjithçka në atë kronikë ekstra e pati marrë shkakun prej gjetjes së një kufome. Sipas policisë bëhej fjalë për një grua shumë të njohur në rrethet aristokratike të kryeqytetit grek. Thirrej Baronesha Dorethé von de Ropp. Trupi i saj i pajetë ishte parë në një kënd të vetmuar në buzëdetin e Faleron-it, afër Athinës. Qe i mbështetur kundrejt një shkëmbi përballë detit. Në korsenë e petkës së baroneshës ndodhej një letër dashurie drejtuar Qemal Bej Mesarés, Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. Me pak fjalë ishte shefi i Legatës.
“Eleftheros Anthropos”, e cila ishte e përditshmja e parë që ra në gjurmë të asaj kronike dhe për të mësuar sa më shumë mbi vdekjen misterioze u lidh menjëherë me policinë, shkruante se “Ministri i Oborrit, ministri tashmë i Shqipërisë në Athinë, Qemal bej Mesareja, e dashuronte Dorothenë, të cilën do ta merrte për grua, por një dekret i Mbretit ndalonte të merrnin gra të huaja nëpunësit diplomatikë. Baronesha iku për Evropë dhe porsa erdhi në Korfuz mori vaporin për në Piré. Qemali kur e pa befas në Legatë, e humbi krejt! E dashuronte pa masë, por pozita e tij kundrejt Mbretit e pengonte të deklarohej. Kështu kaloi një vit. Dorothea shpresonte, por Qemali qe i pabindur.
....Filluan shëtitjet e saj romantike me kuaj, e vetme. Pastaj u pa që e shoqëronte një diplomat. Shëtitja romantike me kuaj kish tërhequr interesimin e atyre që i shikonin dhe të cilët nuk vonuan të vinin re se shoqëruesi i “amazonës flokëverdhë” qe një nga pjesëtarët e trupit diplomatik, Ministri i Shqipërisë në Athinë Qemal Mesareja. Nga sjelljet e çiftit elegant nuk ishte zor të kuptohej se e adhuronin njëri-tjetrin. Njëri shikonte në sytë e tjetrit dhe kur kuajt ecnin pranë e pranë, shtrëngonin duart. Herë pas here diplomati i dashuruar mbështeste buzët në gishtat e saj...Disa na thoshin dje se shumë herë i kishin parë të bashkonin buzët dhe t’i linin pastaj kuajt të vraponin me nxit. Dashuroheshin. Qenë të lumtur”.
Më 19 maj ishte e përditshmja tjetër athinjote, “Proia”, e cila i ngacmonte fort të gjithë nervat më të ndjeshëm të opinionit publik rreth kësaj ndodhie të mbushur me energji kronike për ta mbajtur të ndezur vëmendjen për javë të tëra. Që në fillim të artikullit shkruante: “Para dhjetë ditësh, në një bisedë të saj, baronesha de Ropp e shfaqi të gjithë dëshpërimin e saj për braktisjen nga ana e Ministrit dhe për një moment tha: historia ime një ditë do të mbarojë. Në çantë kurdoherë më gjendet një revolver i bukur...Zonja Garsi (emta e Baroneshës) rrëfeu: “Shihej rregullisht me Mesarenë. Edhe ditët e fundit u pa me të. Qe takuar me Ministrin”. Më pas “Proia” ngulmonte të binte në sy, me këtë rast, edhe një kërshëri shumë ngacmuese për athinasit: a ishte De Ropp dashnore e mbretit shqiptar. “Zonja Stoltz (pronarja e pensionit ku banonte baronesha), vijonte e përditshmja, kur u pyet, tha se e vetëvrara i kish kallzuar se në Tiranë Zogu i bëri deklarime dashurie dhe kjo ia refuzoi, pse dashuronte Ministrin e Shqipërisë, z.Mesaré, me të cilin do të martohej. Për shpagim Mbreti Zog dekretoi një ligj, i cili i ndalonte nëpunësit diplomatikë të martoheshin me gra të huaja”.
Megjithatë, çuditërisht, në fund të shkrimit, ndërsa pritej që ta mbante pezull frymëmarrjen e lexuesve nëse baronesha pati qenë ose jo e dashura e monarkut të Tiranës, “Proia” komunikonte opinionin e prerë të saj: “Informatat se e vetëvrara ka qenë mikesha e Mbretit Zog nuk u vërtetuan...”
Por që lexuesi të dinte sa më plotë ]farë kishte ndodhur, historinë e të vetvrarës e shpjeguan fare qartë dy raportime “Krejt Rezervat” (çfarë do të thotë “Tepër Sekret”), të nisura në 19 maj nga titullari i Legatës së Mbretërisë Shqiptare në kryeqytetin grek, Qemal Mesaré drejt ministrit të Jashtëm në Tiranë, Xhaferr Vila. I pari mban numrin 232, shifër që do të përdoret më pas, në të gjithë korrespodencën e Legatës me qendrën, si kodi kryesor i çështjes De Ropp. Raportimi i dytë, krejtësisht telegrafik, numërohet me shifrat 232/1.
“Zoti ministër, sot gazetat e këtushme botuan lajmin e vetëvrasjes së një zonje, nënshtetase letone, e quajtur Barronne Dorothé de Ropp, e cila mbasi kishte shëtitur me kalë pranë anës së detit në Faliro, kishte qëndruarë në vendin (Ajo Kosmoas) dhe aty i kishte dhënë funt jetës duke qëlluarë me revolver në kokë.
Gazetat dyke bërë fjalë mbi këtë ngjarje tragjike kanë shtuarë se zonja e naltpërmendurë kishte qëndruarë më parë në Tiranë dhe kishte patur gjoja marëdhënje intime me Suvranin t’onë Augustë dhe mbi këtë temë kanë redizhuarë një romane imazhinare me hollësira absurde. Gjithashtu kanë botuarë edhe një fotografi të Nalt Madhnis së Tij-gjoja e nënshkruar prej Sovranit-dhe që u gjent në dhomën e fjetjes së Zonjës në fjalë dhe kanë shtuarë se janë gjendur dhe fotografira të Pallatit Mbretënor dhe të Z. Sotir Martini.
Njëkohësisht kanë botuar edhe një fotografi ku zonja në fjalë duket e rrethuar prej disa ushtarë të Gardës Mbretënore.
Gjithashtu kanë shkruar se në trupin e saj është gjetur dhe një letër e mbyllur dhe e adresuar titullarit të kësaj Legate.
Deri në këtë minutë nuk ishte e mundur të dihet në se ekziston një letër e tillë, mbasi autoritetet nuk na kanë lajmëruar zyrtarisht mbi atë letër...”
Në vijim raporti 232 informonte se nëpërmjet Zyrës së atjeshme të Shtypit Mesaré pati shpërndarë këtë komunikatë: “Legata Mbretnore e Shqipërisë komunikon se lajmet e dhënë me rastin e vetvrasjes të një zonje të huaj dhe që i përkasin personin August të Lart Madhërisë së Tij Mbretit të Shqiptarëvet, janë të pathemelta krejt dhe të rema. Sa për fotografin e Sovranit të botuar me këtë rast, ajo është një fotografi që cilido njeri munt të ketë posibilitet të blerë në libreritë e Shqipërisë”.
Ishte ky njoftim zyrtar, i shpërndarë me shpejtësinë më të madhe, i cili pati ndikuar në 19 maj në vetëpërmbajtjen e shtypit athinas, tepër i etur për bujë.
Raportimi i diplomatit të parë të Shqipërisë në kryeqytetin grek nuk ndalet këtu. Ai, pasi gjykonte se kishte zgjidhur çështjen e agresionit publik kundër eprorit të tij të lartë, Ahmet Zogut, do të hidhej në hallin e vet: “Gjithashtu në mungesën e Zotit Ministër të P. të Jashtme, protestova në mënyrën më kategorike, pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Ministris së P. të Jashtme për botimet e gazetave duke shtuarë se Qeveria Helenike kishte për detyrë të ndërhyjë me energji për të ndaluarë ato pralla që nuk pajtohen me seriozitetin e shtypit të një shteti që ka marëdhënie miqësore me Mbreterinë t’onë.
Zoti Sekretar i Përgjithshëm duke çfaqur hidhërimin e tij mbi sa kishin shkruarë dhe duke shtuarë se fatkeqësisht shtypi në Greqi kishte një liri mbi të cilën qeveria s’kishte asnjë të drejtë, më tha se do të bëheshe ç’të jetë e mundur për ndalimin e botimeve dëmprurëse për marëdhëniet miqësore t’ona.
Mbas dreke pata një pjekje dhe me Zotin Maksimos, Ministrin e P. të Jashtme...I përsërita Zotërisë së Tij hidhërimin....me këtë rast për rellatat se gjoja ajo zonjë ka patur kur qëndronte në Pallatin Mbretënor në Tiranë me titullarin e kësaj Legate, i cili mbas thënies së gazetave përmbushte n’atë kohë detyrën e Ministrit të Pallatit.
Me të vërtetë i kam thënë zotit Maksimos se kam marë vesh që zonja në fjalë ka qëndruar një kohë të shkurtër në Tiranë, ku për shkak shëndetësore banonte në spitalin e Shtetit; unë n’atë kohë jo vetëm që nuk isha Ministër i Pallatit, por as bile nuk gjendesha në Tiranë. Zonja në fjalë nuk ka patur-dhe nuk mund të kishte posibilitet-të jetojë në Pallat, as që të ketë marëdhënie intime me Suveranin.
Kishte njohje me Zotin Sotir Martini, nëpunës i Pallatit dhe mund që kjo gjë ka shkaktuar në imagjinacionin e sëmurë të saj një ëndër pshihike në të cilën ajo ka devellopuar një roman fantasmagorikë.
Sa për relatat që ka pasur ajo Zonjë me Legatën e këtushme, ato kufizohen me një demarshe që kishte bërë pranë meje që të interesohem për sjelljen e disa plaçkave personale që kishte lënë pranë një modiste Ruse në Tiranë dhe për të cilat-si mbas një telegrami që më kishte treguarë-Zoti Sotir Martini i premtonte të ia dërgonte.
I kisha thënë Zonjës se fatkeqësisht nuk isha në gjendje t’a shërbej për këtë gjë mbasi ishte një çështje që nuk hynte në kompetencën e Legatës. Mbas kësaj ajo ka telefonuar dy herë në Legatë dhe më kishte pyetur në se kisha ndonjë lajmë nga ana e Zotit Sotir Martini për atë...
Zoti Ministër i P. të Jashtme me një fisnikëri tepër të sinqertë më çfaqi gjithë hidhërimin e tij për sa ishin shkruarë, më përsëriti gjithë respektin që ushqente për Suvranin tonë...dhe tha se do të merrte të gjitha masat e rastit për të dezaprovuar qëndrimin e shtypit që për qëllime dhënie lajmesh sensasionale...Më kërkoi ndjesë për këto botime absurde...dhe më premtojë, se në rast se me të vërtetë do kishte një letër e gjetur mbi trupin e vetvrasëses në drejtimin e titullarit të kësaj Legate, do të jepte menjëherë urdhër që letra në fjalë të na dorëzohet. E falënderova...Në rast se letra në fjalë ekziston me ta marë në dorëzim nuk do të mungoj të mbaj në kurent Ekselencën t’Uaj.
Ju lutem përmbajtja e kësaj shkrese të sillet në dijenin e lartër të Suvranit t’onë August dhe të më njoftohet nëse masat e marura në këtë rast nga ana jeme dhe përpjekjet energjike dhe të shpejta që kam zhvilluarë për këtë qëllim aprovohen nga ana e Ekselencës s’Uaj.
Këtu-mbyllur po Ju dërgoj fotografitë që janë botuarë me rastin e vetevrasjes së zonjës Baronne Dorothé de Ropp...”
Atë 19 maj 1934 raportimi i dytë i Qemal Mesaresë për shefin e tij në Tiranë, Ministrin e Punëve të Jashtme, Xhaferr Vila, mbante numrin 232/1. Ai thoshte shkurtimisht: “Mbas demarshevet energjike t’ime të përsëritura, lajmet e shtypit për Mbretin e Shqiptarëve u ndaluan”.
Veç diplomati i parë i Tiranës në Athinë gabohej. Ai nuk do ta fikte dot zjarrin që i ishte ndezur tek këmbët jo vetëm të atij dhe të Ahmet Zogut, por edhe të vetë imazhit të Shqipërisë. Nuk qe hera e parë që njoftimet qëllimisht të liga ose thjesht llafazane lindnin dhe mbaheshin gjallë në kryeqytetin grek. Kishte këtu njëmijë interesa politikë shtetesh të huaja që gëlonin. Pa fund po ashtu lëviznin edhe agjentë. Athina qe mjedisi më i dëshiruar për ta marrë në gojë shtetin fqinj, prej të cilit pretendonte marrjen e një të tretës së territorit.
Kur Mesarè i zënë në grackë prej akuzave personalisht për të, por që hovshëm po i merrnin në gojë edhe sovranin si edhe atdheun, ngutej tërë ethe ta shurdhonte lajmin e vetëvrasjes se baroneshës De Ropp, ngjarja lajmkeqe shpërtheu në Londër. Prej aty çfarë shkruhej nëpër gazeta apo flitej në radio, e kërcente me një shpejtësi të habitshme ngushticën detare të La Manshit, po aq rrufeshëm zbarkonte në brigjet përtej oqeanike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me gjithë botën e madhe kryeqyteti britanik qe mjaft i ndjeshëm për të regjistruar edhe çfarë bënte Shqipëria e vogël.
(Vijon)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|