Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PKSH LINDI SI PARTI NACIONALISTE, ENVER HOXHA E MBAJTI FSHEHUR


(Pjesa e dytë)

(Botuar në shtojcën kulturore “Rilindasi” të gazetës “Shqiptarja.com”, nè 28 prill 2013)

Historia nuk ribëhet, edhe pse mund të rishkruhet sa herë t’i mbushet mendja një shoqërie, shteti, aradhe studiuesish apo politikanësh. Në këtë kuptim as që mund të parafytyrohet çfarëdo arsyetim, sipas të cilit “sikur” ngjarjet të zhvilloheshin jo ashtu siç kanë rrjedhur, por pak a shumë ndryshe. Kurrë nuk mund të ketë një variant tjetër të historisë nga ai që realisht ka ndodhur, sepse ajo është zhvilluar ashtu, me “kokë të vet”, jo në mënyrë spontane, për hatër të këtij apo atij shteti të veçantë apo individi të fortë, këtij apo atij lobi ose klase vendase, kontinentale apo globale. Historia merr atë formë që ka për shkak të një mijë rrethanave objektive, të cilat kurrkush nuk mund t’i kombinojë dot veç ajo vetë. Ja pse asnjë vullnet individual nuk mund ta përmbysë e pështjellojë atë. Në fund të fundit, me që disa individë gjithë ditën janë deklaruar dhe mburrur se qenë ata pa ngjau kjo apo ajo gjë, e vërteta përgjigje ka vetëm një: janë ngjarjet që i kërkojnë dhe i tërheqin personat protagonistë pas vetes, duke i lejuar të luajnë dhe të hyjnë natyrshëm në kujtesën kolektive ose duke lënë mënjanë, madje flakur gjer në harrim.
Në rrethana të tilla edhe Enver Hoxha, tepër i angazhuar në kujtimet e tij të shkruara se ishte themeli dhe energjia kryesore realizuese e Partisë Komuniste Shqiptare, kur gjatë 8-14 nëntorit 1941 qe vetëm njëri mes shumë të tjerëve, nuk mund të jetë i akuzueshëm se qe fajtori kryesor për mbajtjen në shurdhëri të tezës nacionaliste. Prandaj edhe hipoteza, sipas të cilës sikur në ditët e themelimit të PKSH-së kjo frymë mund të triumfonte, pra sikur në Rezolucionin e kësaj partie të shpallej edhe objektivi i bashkimit të gjithë shqiptarëve dhe trojeve të tyre, e gjithë historia e Luftës së Dytë Botërore në viset tona do të rendte krejt ndryshe. Për shkak të një pafundësie rrethanash, ndaj të cilave askush nuk kishte fuqi për t’i ndryshuar, në themelimin e PKSH do të kishte brenda patjetër jugosllavë. Nuk është qëllimi i këtij shkrimi të provojmë përse u dështua që nga Kominterni të caktoheshin për në Tiranë përfaqësues ndihmëtarë nga Partia Komuniste Italiane. Përse nuk erdhën nga ajo Greke dhe pse vetë Kominterni, me qendër në Moskë, në Ballkan “kushëri të parë” kishte sllavët dhe sidomos shtyllën e tyre në gadishull, serbët. Vetë Kominterni, sado që hiqej si internacionalist, qe një krijesë e kulturës politike sovjetike, pra sllave. Por edhe në Perëndim, atje ku qenë hedhur bazat e kësaj ideologjie dhe bërë provat e para, deri edhe në mes të Parisit, për të ngritur një shoqëri mbi ato themele modeli, po njëlloj mendonin. Për të mos cituar edhe vetë Karl Marksin, i cili e kishte lënë të shkruar që shqiptarët duhej të edukoheshin nëpërmjet serbëve.
Prania e jugosllavëve në ditëthemelimin e PKSH-së dhe po ashtu më pas, duke e shoqëruar me ta në komandë lëvizjen e armatosur komuniste shqiptare, qe e pandryshueshme, fatale. Megjithatë një “lojë” arsyetimi do ta bëjmë, jo thjesht për të shkathtësuar vëmendjen tonë dhe me këtë rast depërtuar në të fshehta të kësaj ngjarjeje kyç. Ka qarkulluar për disa dekada rresht, por edhe ende lëvrin, një pikëpamje, sipas të cilës në kushtet e atëhershme ndërkombëtare Bashkimi Sovjetik, por edhe angloamerikanët, e kishin bërë ndërkohë deklaratën se nuk do të njihnin asnjë ndryshim të kufijve të kryer prej Italisë dhe Gjermanisë, si edhe çdo shteti mbështetës të tyre. Kjo donte të thoshte se në fillim nëntor 1941 këto tre fuqi të mëdha antifashiste nuk e njihnin bashkimin e disa trojeve të Shqipërisë me Kosovën, të kryer prej strategjisë pushtuese të Benito Musolinit. BRSS, SHBA dhe Britania e Madhe zotoheshin publikisht se problemet nacionale do të zgjidheshin vetëm pas lufte, çfarë donte të thoshte pas likuidimit të fashizmit. Në këtë kuptim komunistët shqiptarë që po themelonin partinë e tyre, sipas arsyetimit disadekadash, mund ta çelnin diskutimin për çështjen e Kosovës, por nuk kishte shumë gjasa të merrnin ndonjë vendim. Të deklaroheshin për bashkimin e trojeve dilnin kundër fuqive që luftonin fashizmin dhe në krahun e të cilëve qenë (!?) Të heshtnin apo të mos shpreheshin për bashkimin me Kosovën do të vepronin më mirë se sa të kryenin të kundërtën, sepse me këtë mënyrë të fundit do t’i jepnin fashistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre një mundësi më shumë për t’i goditur dhe diskretituar para popullit, duke ua dështuar misionin e luftës që i kishin vënë vetes (!?). Gjithnjë sipas këtij arsyetimi veprime të tilla, deklarimi pro bashkimit, do të paralizonte frontin e përbashkët me pjesët dhe shtresat e tjera të popullit, që ata, me direktivë të Kominternit, do të ngrinin kundër pushtuesve fashistë (!?).
Kjo logjikë tani, përveç se tërësisht ideologjike, madje kombëtarisht edhe irrituese, ngjan jo pak edhe si idiote.
Po të ndodhte që PKSH do t’ia delte që në thirrjen e saj të parë gjithë bashkëkombësve, menjëherë pas themelimit, t’u shpallte si objektiv të ardhshëm, vetëm të pasluftës dhe jo gjatë zhvillimit të betejës së armatosur, krijimin e Shqipërisë së para ndarjes padrejtësisht më dysh në 1913, ajo do të kishte vënë në vështirësi të madhe përpjekjet demagogjike të fashistëve italianë, më pas edhe të atyre gjermanë, të cilët e përdorën me shumë efektshmëri kartën nacionaliste në zbutjen e zemërimit popullor kundër tyre. Manipulimi i ndjenjave kombëtare të popujve të pushtuar nuk ndodhi vetëm në rastin shqiptar. Ajo qe platformë themelore e Boshtit Fashist, u përdor maksimalisht, (thjesht për të dhënë një shembull tjetër) edhe në Hungari. Në vendin tonë e sidomos në trojet etnike jashtë, ndjenja e rikthimit në “Shqipërinë e Vjetër”, qe tepër e madhe, e mbushur me pasion të fuqishëm çlirues. Pushtuesve nuk mund e nuk duhej t’ua lije si monopol këtë energji kombëtariste, por tua hiqje, tua merrje sa më shpejt dhe mënçurisht nga duart. Vendimi në mbledhjen themeluese të PKSH-së dhe pastaj shpallja me terma mjaft të kujdesshëm, por me kuptim të qartë, i idesë se pas përfundimit të luftës antifashiste shqiptarët kishin të gjitha të drejtat, në harmoni dhe bashkëpunim me fuqitë fituese, të bashkoheshin në një shtet të vetëm, përmblidhte brenda vetes një forcë të madhe shkatërruese kundër demagogjisë së Musolinit apo të Hitlerit, po aq sa edhe vetë beteja me armë, në të cilën komunistët shqiptarë shkëlqyen. Për shumë arsye që i dimë mirë, tek ne fryma nacionaliste është tejet e spikatur dhe zotëruese aq fort e shpirtrave dhe e mendjeve tona, sa ajo do të shkrihej fare lehtësisht e ngjizej në një trup të vetëm me objektivin natyrshëm të shkallës së parë, çlirimin shtetëror. Madje edhe me atë shoqëror, siç themeluesit e PKSH e premtonin se do të qe “i lirë, demokratik dhe popullor”. Formula e nyjes treshe çlirim shtetëror, kombëtar dhe shoqëror, do të qe fort ndikuese edhe përballë rivalëve të brendshëm politikë, të cilët historia i solli në ballafaqim me emrin Balli Kombëtar. Madje këta konkurrentë, të mbetur në pamundësinë për t’u dalluar në program me zgjidhjen e çështjes gjithëkombëtare, mbase do të kishin një emër tjetër. Duke qenë se kjo pikë e programit do të qe në të dy apo tri partitë rivale, atëherë ato do të kishin shumë arsye të bashkoheshin për luftën e përbashkët me armë. Fronti i tyre, pa dallim ideje, feje, krahine dhe çështjeje kombëtare, duke qenë më i arritshëm, do të ishte edhe më çlirues, si edhe pa dyshim më garantues për një shoqëri shqiptare të pasçlirimit, të orientuar nga modeli i demokracive perëndimore.
Ja pse censura që iu bë këtij objektivi, që në djep, pra që në ditëthemelimin e PKSH-së, ishte jo vetëm një pikëpamje dhe veprim i gabuar, një shfaqje e lakuriqtë e pseudokulturës bolshevike internacionaliste që kufizonte interesat nacionaliste, por edhe një thikë në shpinë për vetë gjithë luftën çlirimtare të shqiptarëve. Për sa kohë gjakrat qenë të nxehtë, në përleshjen fizike kundër armiqve pushtues, ky teh nuk u dallua shumë, sepse edhe komunistët luftuan për çlirim me shumë shpirt dhe përkushtim, por kur ato u ftohën dhe lufta përfundoi, duke nxjerrë për zgjidhje çështjen e rendit të ri botëror dhe të formateve e kufijve të territoreve të shteteve, shqiptarët me kryeqytet Tiranën qenë fare të pamotivuar dhe të papërgatitur për të kërkuar e merituar atë që ndodhi në 1999: me pavarësimin e Kosovës.
Por tani le të rikthehemi në rrëfimin e pjesës tjetër të ngjarjes, themelimit të PKSH-së me në mes, pas dy të parave që i dëshmuam në shkrimin e javës së shkuar, të heshtjes së tretë të Enver Hoxhës për Kosovën.
Në dokumentet e mbetura nga mbledhja nuk ka asnjë gjurmë për debatin me këtë temë. Në të vërtetë procesverbali i mbajtur prej Qemal Stafa në tre fletore me nga njëqind faqe, në rrethana shumë misterioze, ka humbur e thuhet se nuk u gjend më kurrë. Çfarë në thelb është thënë, e ringjall historiani Kristo Frashëri në librin e tij të vitit 2006 “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së, 1878-1941”. Profesori e ka mëkëmbur nëpërmjet një letre që dhjetë muaj më vonë nga ditëthemelimi Koço Tashko i ka dërguar Kominternit. Në të vërtetë ajo nuk mbërriti kurrë në Moskë për arsye thjesht të rrethanave të luftës, jo sepse u pengua prej ndokujt. Ishte Miladin Popoviçi që reagoi për këtë temë pas dy javësh, e cila edhe kjo është një letër për të njëjtin institucion: Kominternin. Ndërkohë për çështjen e Kosovës prej studiuesve nuk është gjendur ndonjë qëndrim i shpallur, në vitin 1941, nga qendra ndërkombëtare e bolshevikëve me seli në Moskë. Po ashtu për të nuk ka asnjë rresht e fjalë në Rezolucionin e PKSH-së, të miratuar në 14 nëntor. Fjala Kosovë mungon në një tekst të saj prej mbi 15 faqesh (në formatin e librave të sotëm) ose në përafërsisht dhjetë mijë fjalë. Madje nuk përdoret asnjë term tjetër i nënkuptueshëm, i përafërt. Në Rezolucion fjala shqiptar konsumohet vetëm për bashkëkombësit brenda kufijve shtetërorë me kryeqytet Tiranën. Të tjerët janë thjesht “populli jugosllav”. Ajo që të lëndon është se, duke përfshirë edhe Thirrjen që kjo PKSH, pas krijimit të saj, ia bëri opinionit publik, kur citon popujt e Jugosllavisë, ajo rreshton malazezët e serbët, kroatët e maqedonasit po ashtu, edhe asnjëherë shqiptarët, të cilët të paktën në Kosovë përbënin shumicën dërmuese.
Sapo në mbledhjen themeluese çështja e Kosovës u ngrit, të dy emisarët jugosllavë qenë të një mendje se ajo ishte pjesë e territorit të Jugosllavisë. Po ashtu vunë përpara vendimet e BRSS, të Kominternit dhe të vendeve perëndimore. Miladini shtoi se ndryshimet e kufijve do të shiheshin pas lufte dhe do të bëheshin me pëlqimin e popullsive. Megjithatë Koço Tashko i kujtoi atij se në vitet njëzetë Kominterni e kishte pranuar këtë çështje, madje bashkë me të kishte mbështetur edhe një lëvizje nacional-çlirimtare në Kosovë. Kominterni, nguli këmbë Tashko, u lidh dhe ndihmoi materialisht edhe grupin e saj udhëheqës, i cili qe organizëm i posaçëm i quajtur Komiteti i Çlirimit të Kosovës. Ky Komitet mbeti i lidhur me Moskën edhe gjatë viteve tridhjetë. Nga kjo ndërhyrje Popoviçi mbeti i shtangur dhe tha e nuk dinte gjë as për ngritjen dhe as për ekzistencën e këtij forumi, ca më pak që ishte drejtuar nga ndërkombëtarja e Moskës. Ai këmbënguli në idenë se PKSH nuk duhej të ndërhynte në juridiksionin e Partisë Komuniste Jugosllave. Mirëpo as Koço Tashko dhe as Anastas Lula, i cili e kishte ngritur këtë temë i pari, nuk ranë dakord. Të dy qëndruan në mendimin se Partia Komuniste Shqiptare nuk mund të rrinte pasive, sepse po të vepronte ashtu, do t’u jepte revansh bashkëpunëtorëve të fashistëve italianë. Këta, duke e luajtur kartën e bashkimit të territoreve të Shqipërisë së Vjetër kishin ngjallur entuziazëm në popull, ndërsa në të vërtetë po e përdornin atë për qëllimet e tyre pushtuese në Ballkan. Ata vunë në dukje se me lojën hipokrite të Romës dhe Berlinit për bashkim të shqiptarëve po manipulohej mendësia e bashkëkombësve të tyre në Kosovë për t’u përdorur jo ndaj fashistëve, por tërësisht kundër komunistëve dhe partizanëve jugosllavë si edhe luftës së tyre çlirimtare. Megjithatë as pas këtij argumentimi dy jugosllavët nuk u dhanë. Më agresiv u bë Dushan Mugosha. Ky sulmoi. Tha se po ndeshte një nacionalizëm shqiptaromadh, i cili nuk i paralizonte, por i inkurajonte kolaboracionistët. Me këtë rast Anastas Lula kërceu përtej. Ai kërkoi që drejtimin e lëvizjes antifashiste në Kosovë ta drejtonte PKSH. Tashko e mbështeti dhe argumentoi se komunistët shqiptarë në këtë drejtim mund të jepnin më shumë se kolegët e tyre jugosllavë. Atëherë Mugosha sulmoi sërish. U kujtoi të dyve se delegatët e Kosovës dhe të Metohisë në Konferencën e Pestë të PKJ-së kishin propozuar që organizata e krahinës së tyre të shkëputej prej komiteti krahinor të Malit të Zi, ku ishte deri ato çaste, dhe të lidhej drejt për së drejti me Komitetin Qendror të PKJ-së. Konferenca e pranoi këtë sugjerim, vijoi fjalën e tij Dushani, dhe kjo u bë që pas lufte t’u njiheshin kosovarëve të drejta të barabarta republikane. Qe ky momenti, sipas Prof. Frashërit, kur Miladin Popoviçi iu drejtua Koço Tashkos me fjalët “Është shumë interesante dhe është për t’u çuditur pse nuk shtrohet edhe çështja e Çamërisë si e shtron ti çështjen e Kosovës”. Pastaj e akuzoi: “Ti ke ngulur këmbë vazhdimisht për kontrollin organizativ dhe politik të Kosovës dhe jo për bashkëpunim politik...”. Pastaj, pothuaj i zëmëruar, shtoi se pas lufte do të qe Jugosllavia vendi që do ta ngrinte një qeveri të vërtetë demokratike më përpara se të njëjtën gjë ta bënte edhe Shqipëria. Në fund të gjithë debatin e mbylli prerë: “Prej kësaj thënieje nuk tërhiqem”.
Në vijim historiani Kristo Frashëri na ndihmon ta kthjellojmë edhe më mirë dinamikën e kësaj ngjarjeje të mbajtur fshehur për më shumë se gjashtë dekada. Në librin “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së 1878-1941”, kur tregon për çështjen e hartimit të Rezolucionit, shkruan se në mbledhje projektit të tij iu bënë disa vërejtje, “në fakt jo thelbësore, por anësore, nga të cilat pak u morën parasysh. Veç kësaj u vendos që rezolucioni të miratohej edhe nga aktivet e pesë Komiteteve Qarkore që priteshin të formoheshin. Vetëm pas miratimit nga këto aktive rezolucioni do të merrte trajtën përfundimtare. Në fakt, diskutimet e zhvilluara nëpër aktive mbetën formale dhe mbasi vërejtjet që u bënë nuk u morën parasysh dhe rezolucioni u miratua pa asnjë ndryshim”.
Por Enver Hoxha tek “Kur lindi Partia” e rrëfen ndryshe këtë moment. Ai ngul këmbë që ky dokument themeltar i PKSH-së as u hartua dhe as u miratua nga mbledhja, por pas saj, u shkrua vetëm prej dorës dhe mendjes së tij bashkë me Qemal Stafën. Këtu do të qëndrojmë këmbëngulshëm, sepse na ndihmon të kuptojmë rolin e tij ndaj çështjes së Kosovës, të paktën në nëntor 1941. E.H. pohon: “Pasi përfunduam Rezolucionin Qemali u nis për në qarqe, për punën e Partisë e të Rinisë. Unë vazhdova hartimin e traktit të parë”. Pastaj E.H. tregon më tej si qe edhe thurrësi i vetëm i këtij dokumenti tjetër themeltar të PKSH-së. Në të vërtetë nuk është saktësisht kështu, por, me që e dëshiron edhe vetë, në një rrethanë të tillë do të mbetet mbi përgjegjësinë e kujtimit të tij historik heshtja e padrejtë dhe mëkatare për Kosovën dhe çështjen e pazgjidhur kombëtare.
Nuk mund të rrimë pa thënë se mburrja që ishte ai personalisht, Enver Hoxha, ideatori, themeluesi dhe arkitekti i vijës politike të Partisë Komuniste Shqiptare, ka shkaktuar një dëm të madh historik: ai ka mbajtur të fshehur një vlerë atdhetare të rëndësishme të komunistëve shqiptarë të asaj kohe. Dhe sikur të mos mjaftonin dy heshtjet e tij të mëparshme, Hoxha kryen edhe heshtjen e tretë, më të madhen dhe më të gjatën prej të gjithave. Sipas Prof. Frashërit diskutimi në mbledhjen themeluese i projekt Rezolucionit bëri të ndizet një debat jo i vogël. Aty PKSH ishte quajtur Partia Komuniste Shqiptare, çfarë i prishi humorin jo vetëm Dushan Mugoshës, por edhe Miladin Popoviçit. Në këtë formë dukej sikur nuk ishte hequr dorë fare nga çështja e Kosovës dhe e tokave shqiptare brenda territorit të shtetit jugosllav, sepse partinë e tyre komunistët shqiptarë po e dëshironin të qe vepruese edhe për bashkëkombësit e tyre përtej kufirit. Prandaj edhe të dy njerëzit e Titos ngulën këmbë që emri të ishte Partia Komuniste e Shqipërisë. Veç e patën të kotë. Dështuan. Bolshevikët vendas nuk u dhanë dhe në fund të debatit mbeti Partia Komuniste Shqiptare. Më pas, butë-butë e dhelpërisht, ai emërtim me mesazh të qartë për të gjithë bashkëkombësit në trojet e tyre, u zëvendësua me formulimin e kërkuar prej dy jugosllavëve. Kjo ndodhi gradualisht pas nëntorit 1941, gjatë gjithë luftës. Dushan-Miladini pas themelimit të PKSH-së mbi çdo veprim të saj kishin ndikim shumë herë më të madh se në ditët apo vitet e para. Por nuk do ta ngasim këtë temë të shndërrimit dhelparak të Partisë Komuniste Shqiptare në Parti Komuniste e Shqipërisë, triller në të gjitha zgavrat e vrimat e saj, sepse lexuesit dhe këtij cikli do t’i merrte shumë kohë.
PKSH si “Partia Komuniste e Shqipërisë” nuk u thirr vetëm pas çlirimit, ku tashmë shtet me të gjitha detyrimet, vendi duhej të respektonte disa rregulla ndërkombëtare. Kur u shndërrua në PPSH (Partia e Punës e Shqipërisë), PKSH tashmë qe transformuar sipas variantit të dëshiruar nga emisarët jugosllavë. Gjykojmë se lexuesit i duhet kumtuar për të ditur edhe një punë tjetër e papastër: sesi personalisht Enver Hoxha e falsifikoi këtë të vërtetë në të gjitha botimet e mëpasshme të kujtimeve të tij si edhe të çdo botimi dokumentar të partisë. Tek libri kryesor për mbledhjen themeluese, “Kur lindi Partia”, në dhjetëra e dhjetëra raste kur e citon, e formulon vetëm “Partia Komuniste e Shqipërisë”. Në asnjë rast nuk ndodh, edhe kur rrëfen 8 nëntorin 1941, të bëjë një “lëshim” të vogël, t’i shkruajë dora vetëm njëherë “Partia Komuniste Shqiptare”.
Ja disa prej pohimeve të tij, duke filluar nga teksti hyrës: “Kur lindi Partia” është libri i parë né serinë e kujtimeve të shokut Enver Hoxha për periudhën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Materialet e këtij libri, të shkruara gjatë viteve 1975-1976, u kushtohen luftës dhe përpjekjeve të komunistëve shqiptarë për krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, kurorëzimit të këtyre përpjekjeve më 8 Nëntor 1941 dhe ngjarjeve kryesore të jetës dhe të veprimtarisë sé Partisë Komuniste të Shqipërisë gjatë viteve të Luftës Nacionalçlirimtare». Në brendësi: “Nuk kaluan as dy javë nga kjo demonstratë dhe na u dha sihariqi: \\\"U krijua Partia Komuniste e Shqipërisë!\\\" Ose «Me shokët e Grupit të Shkodrës, bile kemi arritur në parim në mendimin e përbashkët për shkrirjen e grupeve, e për krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë». Ose «Shoku Miladin, përpara unitetit marksist-leninist të lëvizjes, përpara çështjes së madhe, formimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë nuk kanë vlerë një ose dy persona, - i thashë unë». Tjetër rast: «Vendosëm të shtronim„ në radhë të parë e mbi të gjitha, çështjen që dita e parë e Mbledhjes duhej të konsiderohej si dita historike e shkrirjes së grupeve dhe e Themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë». Po ashtu «Unë e përshëndes këtë vendim dhe mendoj, megjithëse është puna juaj, - theksoi Miladini, - që ta marrësh ti fjalën i pari dhe, midis të tjerash, të propozosh kryesoren, marrjen që në fillim, në parim, të vendimit për shkrirjen e grupeve dhe formimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë». Ose: «Atë natë që do të gdhihej data 8 nëntor ne u drejtuam për në shtëpinë e vogël që po na priste. Në këto kujtime nuk do ta përshkruaj atë, sepse shtëpia ku u Themelua Partia Komuniste e Shqipërisë». Ja çfarë shkruan E.H. se ka shqiptuar në fjalën e tij si përfaqësues GKK : «-Shokë, propozimi i Grupit të Korçës është: Të formojmë Partinë Komuniste të Shqipërisë në bazë të mandateve që na kanë dhënë shokët e grupeve para se të vinim në këtë Mbledhje dhe, pasi të vendosim më parë solemnisht dhe unanimisht Themelimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, të vazhdojmë debatet e diskutimet».
Tek «Jeta ime me Enverin» po kaq e vendosur në emërtimin e mësipërm është edhe Nexhmije Hoxha. Kur shkruan për miqësinë e tij me Qemal Stafën, shprehet “Enveri e pati bashkëpunëtorin më të ngushtë qysh në hapat e para për Themelimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe në luftën e saj revolucionare e patriotike për çlirimin… » Megjithatë drejtoresha e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, në një rast tregon korrektesë historike: «Për të nderuar kujtimin e këtij revolucionari patriot e komunist, një nga udhëheqësit kryesorë të Partisë së re Komuniste Shqiptare, udhëheqës i shquar i Rinisë Komuniste Shqiptare, Enveri propozoi që 5 Maji, dita e vrasjes barbare të Qemal Stafës, të përkujtohej si Dita e Dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë ».
Fshehja e emrit të vërtetë të PKSH-së, fryt jo vetëm i një pasioni kombëtar dhe i një debati, por edhe i një fitoreje në nëntor 1941 përballë trysnisë jugosllave, i shndërruar tashmë për një gjysmë shekulli në një mashtrim, shkon më tej kujtimeve personale të Enver dhe Nexhmije Hoxhës. Ndodhet kudo, në librat shkollorë dhe të vetë historiografisë zyrtare. Në «Historia e Shqipërisë», vëllimi II, 1965, në kapitullin XX, ku flitet për themelimin e PKSH-së, ajo quhet Partia Komuniste e Shqipërisë. Tek 556 faqëshi « Dokumenta e materiale historike nga lufta e popullit shqiptar për liri e demokraci, 1917-1941», publikim i vitit 1959, Rezolucioni firmoset me “Komiteti Central i Partisë Komuniste Shqiptare”. Në një botim qindra faqesh, një përmbledhje të dokumenteve kryesore të PPSH, 1941-1985, shtypur në 1987, i përgatitur nga Universiteti «Enver Hoxha» (i cili qe Universiteti Shtetëror) dhe i miratuar prej Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, teksti i Rezolucionit në fund nënshkruhet me «Komiteti Central i Partisë Komuniste të Shqipërisë». Mirëpo Profesor Kristo Frashëri që ka origjinalin dhe e botoi atë në 2006, dëshmon se ai firmoset me «Komiteti Central i Partisë Komuniste Shqiptare». Me këtë formë është mbyllur në fund edhe «Thirrja» e parë e PKSH-së. Kështu historiani lë të kuptojë se në këtë formë të padeformuar e ka gjetur edhe në faqet 24-28 të botimit më 1960 të «Dokumenta kryesore të PPSH», vëllimi i parë, 1941-1948. Si «Komiteti Central i Partisë Komuniste Shqiptare» ndodhet në këtë botim të fundit edhe tek trakti i Thirrjes. Këtu, në pesë brohoritjet e fundit, e para formulohet “Rroftë bashkimi i popullit shqiptar në luftën nacional-çlirimtare!” Kjo formë të shprehuri të vë në ngasje se mos fsheh nëntekstin e përmallur të komunistëve themelues për çështjen e pazgjidhur kombëtare. Na krijohet kjo hamendje edhe sepse brohoritja e dytë formulohet “Rroftë bashkimi i popujve ballkanikë në luftën kundër fashizmit!”. E pesta dhe e fundit thotë “Rroftë Partia Komuniste Shqiptare!”
Por E.H., sa më shumë vite kanë kaluar aq më shumë përpjekje ka bërë për ta zhdukur përfundimisht nga kujtesa e të gjitha gjeneratave të mëpasshme këtë emërtim dhe dëshmi dashurie kombëtare të komunistëve të parë shqiptarë, të cilëve, thotë, se që para 8 nëntorit u ka qenë prijës, mësues e udhëheqës. Përse e ka kryer këtë vepër të pahijshme? Ngulim këmbë jo sepse nuk kishte në shpirt pasion nacionalist dhe nuk e donte Kosovën. Enver Hoxha veproi ashtu sepse donte më shumë veten. Në 14 nëntor 1941, kur hamendësohet se është bërë debati mes bolshevikëve shqiptarë dhe atyre të ardhur nga përtej kufiri, ai kishte hall t’i hynte në zemër Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës dhe nëpërmjet tyre të kapte kreun e partisë. Me siguri, për rrjedhojë të një logjike të thjeshtë, Hoxha në këtë debat, siç edhe veproi në rastin e parë, kur u polemizua për strukturën organizative të partisë dhe të një degë të mundshme të saj në Kosovë, ai nuk do të jetë rreshtuar me shumicën që i detyruan dy emisarët e Titos të pranonin formulimin “Partia Komuniste Shqiptare”. Në qoftë se ai do të qe bashkuar me ta, me siguri do ta kishte shkruar e në mos fryrë e zmadhuar, thënë e stërthënë.
Ja pse heshtja e fillimit, të cilës i është dukur thjesht një manovër e përkohshme dhe shumë kalimtare, të kryer në rrethanat e një ambicieje për pushtet personal, do ta tërhiqte nga pas për të shkuar gjer në krimin e falsifikimit jo vetëm të historisë, por edhe të imazhit të komunistëve shqiptarë, shokëve të tij ideologjikë, të cilët më pas do të bien në tragjedinë e pasojave të hidhura që dogma marksiste-leniniste u dha popujve të pasluftës. Në këtë defekt të tyre të madh, pa ja kursyer kritikën, le të rrinte e ngrohtë dhe e bukur kjo dritëz e vogël e dashurisë së tyre për Kosovën.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com