Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

NJË BUST I SKËNDERBEUT, SI GJEST I KOMBËTARIZMIT


(Botuar në gazetën “Shqip” më 18 shkurt 2013)

Mesazhi i fundit i arbëreshit Antonio Franko Mirakos, drejtor i bibliotekës në Santa Sofia, përmban këto fjalë: “Ditë më parë erdhën këtu nga Tirana, bashkë me gratë e tyre, dy turistë. Njeri ishte inxhinier dhe tjetri profesor. Shëtitën të gjitha rrugët, kishat, portalet e gurta, muzeun, bibliotekën...qe një ditë e ngrohtë, plot diell...dukej si pranverë. Pasi u thashë se këtu jeton një bashkësi e bukur shqiptarësh të hershëm etj., etj., më pyetën nëse në atë vendbanim të përsosur mungonte ndonjë gjë. Mendueshëm u përgjigja se mungonte një bust i Skënderbeut. Ata u shtangën. Po si është e mundur, pyetën në një gojë. Është një histori tepër e gjatë, u thashë, por gjithsesi jemi duke e menduar...”
Në të vërtetë është një histori tepër e gjatë, me vite, në të cilën mund të gjesh në formën më të pastër dëshminë se si ne shqiptarët e viteve dymijë, si dy shtete e një komb, si etni dhe shoqëri, i kemi lënë pasdore arbëreshët. Autori i këtij shkrimi e di se kjo e thënë, publikisht aspak e para herë për të, do të irritojë ndonjë apo disa. Megjithatë, duke shpresuar se do të gjenden bashkëkombës të arsyeshëm, sipërmarrës të kultivuar dhe atdhetarë, shoqata të mënçura apo qeveritarë që i kuptojnë mesazhet e kohës dhe simbolikat e saj, i fton të kryejnë një akt të thjeshtë dhe kuptimplotë patriotizmi: të dhurojnë një bust të Gjergj Kastriotit për qytezën arbëreshe të Santa Sofisë. Komuna e saj e vogël ka fonde vetëm për rregullimin e sheshit, prej kohësh i caktuar. Për piedestalin po ashtu. Por Skënderbeu duhet të vijë nga atdheu mëmë: Shqipëria. I ardhur prej këtej nuk është ndihmë financiare, fond, monedhë, llogari bankare apo një çek modest. Është kryemesazh. Gjergj Kastrioti vetëm në Arbëri, tek bashkëkombësit tanë në Itali, i ka jetuar të plota në kujtesën kombëtare të gjitha ditët, vitet dhe shekujt e tij. Në anët tona, për njëmijë arsye, veçanërisht prej çensurës së rëndë që iu bë nga perandoria osmane, shkoi gjer në kufijtë e harrimit. E ringjalli Rilindja dhe Evropa. Kjo e fundit e risolli në qendër të lëvizjes nacionaliste shqiptare për pavarësim. Ky mision i madh i inkurajimit të frymës tonë kombëtariste u krye dhe ja doli mbanë edhe në sajë të arbëreshëve, përpjekjes së tyre për ta mbajtur gjallë Skënderbeun si luftëtar të qytetërimit perëndimor.
Që ishte mesazh i madh atdhetarie dhe përkatësie të përbashkët e dinte edhe diktatura që kaluam, madje edhe vetë shumë i kritikueshmi Enver Hoxha. Kur ai drejtonte Shqipërinë është kryer gjesti i vetëm deri tani, i dhurimit të njëzetë busteve të Skënderbeut në shumicën e vendbanimeve arbëreshe. Janë ende atje, mbresëlënës, të paheqshëm, edhe pse në Tiranë, me të drejtë, shtatorja arrogante e nismëtarit të këtij gjesti të bukur, u shemb dhe në vend të tij ka një lulishte shplodhëse për kalimtarët. Nuk është përsëritur më një veprim i tillë i dobishëm nga pas nëntëdhjeta, për plot njëzetë e dy vite.
Po përse duhet dërguar ky bust pikërisht në Santa Sofia? Aspak sepse atje mungon, porse sepse atje duhet të jetë.
Kjo qytezë është vetë një simbol i shpirtit arbëresh, një nga bashkësitë më përfaqësuese të shqiptarizmit. Në rast se diku gjallohet e lëvrin ndonjë paragjykim ndaj etnisë sonë (“albanofobi” kanë filluar t’i thonë, por kërkon shumë kujdes kur e mëshon si dukuri ballkanike) Santa Sofia d’Epiro, ndërtuar mbi kodrinat në afërsi të lumit Crati, në Kalabri, është një shëmbull si të paktën kemi qenë pesë e gjashtë shekuj më parë. Po ta vizitosh këtë vend vëre se shumë shtëpi të saj duken si të ngjyrosura me diell. Atë e përshkojnë mes për mes dy përrenj dhe ka 29 kroje. Nga banorët fjala shqiptohet saktësisht “Kroj”. Kështu në Santa Sofia d’Epiro ndodhet Kroj i Bukur, Kroj Kaciqit, Kroj i Malit. Ka edhe Kroi Piu (pi ujë kroji).
Në Santa Sofia d’Epiro mund të kuptosh sa racë e bukur fizike janë shqiptarët. Banorët e këtushëm mendojnë se fytyra e tyre ka formë ëmbëlsisht të rrumbullakët dhe ndryshe nga kalabrezët, krahina ku prej shekujsh banojnë, nuk janë me lëkurë disi të ngjyrosur në kafen e njohur të italianëve të jugut, por krejtësisht të bardhë, plot rrëzëllim. Ndërkohë flokët arbëreshët e Santa Sofisë i kanë të gështenjtë të errët, ngjyrë që u fërgëllon edhe në sy. Sofiotët janë të vetëdijshëm se kjo pamje e pangjashme me të tjerët u dëshmon gjallëri dhe inteligjencë. Ndërkohë ata pohojnë se vërtet nga bashkëjetesa me italianët arbëreshët i kanë modifikuar tiparet e kahershme me pamje luftarake dhe kryelartësi, por megjithatë ende e ruajnë shumë dukshëm karakterin krenar. Sipas tyre shqiptarët janë punëtorë dhe fitimtarë në çdo sipërmarrje, përherë në kërkim të një fati më të mirë dhe jete ekonomikisht më të mirëqënë, janë mikpritës dhe bujarë, dinë të ruajnë zakonet familjare dhe traditën. Sofiotët shkojnë edhe më tej: thonë se mes arbëreshëve përherë lindin njerëz me shpirt të befasishëm krijues. Temperamente poetikë janë: në këtë qytezë ka një grup folklorik, i cili quhet “Avulli”. Studiuesit e Shën Sofisë dhe të shqiptarizmit të saj të paepur, të mbrojtur me kryelartësi etnike, me një lloj nacionalizmi të ndezur, por edhe me finesë e sqimë aristokratike, dëshmojnë se në traditën e shtëpive ka qenë vendosja në ballë të tyre, sipër harqeve të portave, të stemave ushtarake të legjioneve ku kanë marrë pjesë në motin e tyre heroik të rezistencës ndaj pushtimit osman. Këtë shenjë krenarie ndonjë banesë sofiote e ka ende.
Një gjë tjetër prekëse: në website-n e komunës së Shën Sofisë, dukshëm vendosur, ndodhen edhe vargjet naimjane “O malet e Shqipërisë dhe ju, o lisat e gjatë, fushat e gjëra me lule q’ju kam ndër mend ditë e natë...”. Pastaj: “Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar, dashurinë tënde kurrë zemra ime s’ka për ta harruar. Kur dëgjon zëthin e s’ëmës, qysh e lë qengji kopenë, blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë”. Santa Sofia d’Epiro është katundi bashkëkombës ku identiteti mbrohet me forcën e artit. Në qendër të tij ka një monument shumë origjinal, me autor italianin Anxhelo Alixha (Angelo Aligia). Quhet “Shqiptarët e Italisë“.. Është një rruzull gjysmë i mbështjellë me gurë, tamam si të jetë një meteor i rënë nga ndonjë galaktikë apo ardhur aty, nëpërmjet qiellit, prej andej bregut detar, ku janë viset tona historike. Në një pllakë metalike, shkruar në dy gjuhë, arbërisht dhe italisht, janë vendosur vargjet e këngës së njohur, himnit të arbëreshëve, “Moj e bukura Moré” (“Moj e bukura Moré,
Si të lë u më nëng të pe si të le. Si të le, si të le u më nëng të pe. Atje ku kam u zotin Tatë, Atje ku kam zonjin Mëmë, Atje kam edhe t’im vëlla gjithë mbuluar, Gjithë mbuluar, gjithë mbuluar nën atë dhe...”).
Ja pse këtu, si një mesazh i vërtetë kombëtarist, duhet të shkojë nga Tirana, pse jo edhe nga Prishtina (cili kryeqytet të jetë më pak retoriku dhe më shumë realizuesi), një bust i Skënderbeut në Santa Sofia. Jo për të nxitur apo lënduar ndonjë sedër shtetari, qeverisësi, deputeti, kryetari partie apo drejtues institucioni të rëndësishëm, i bëjmë të ditur opinionit publik se në një katund të famshëm të Arbërisë, Çivita, ka një gjysmështatore të Gjergj Kastriotit, nismë presidenciale e disa viteve më parë. Por ajo që është më prekëse, në një rast, edhe prej një bashkie qyteti shqiptar: Lushnja.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com