|
A KA TRADHËTI KOMBËTARE TË AHMET ZOGUT NË 7 PRILL 1939?
Sulm në ditëlindjen e një fëmije
(Shkrimi i katërt i ciklit)
(Botuar në gazetën “Metropol”, më 15 nëntor 2012)
Në 28 mars ngjarjet sërish janë në vlim. Atasheu Gabriele pati shkuar tek Zogu për t’i sqaruar edhe njëherë arsyet përse duheshin në Shqipëri trupat italiane. Për t’ju mbrojtur nga çdo sulm, kishte përsëritur disa herë ai. Mbreti le të kishte besim tek vendi i tij, Italia protektore. Kur biseda u bë lodhëse Ahmet Zogu tha se do të shqyrtonte me mirëkuptim të gjitha propozimet e ardhura nga Roma dhe siç vetë koloneli shkruan në një raport të tij për qendrën, “duke përsëritur, nga ana tjetër, se nuk mund të pranonte asnjërën nga kërkesat e tjera”.
Atë 28 mars nga Tirana për në kryeqytetin italian u nis me avion koloneli-agjent Mario de Ferraris. Ndërsa ai ikte, në pallatin mbretëror qenë shtuar ata që hynin e dilnin si edhe posta urgjente. Në një takim me bashkëpunëtorët e vet më të ngushtë Zogu tha se Italia qe e vendosur të përdorte forcën dhe se Britania e Madhe dhe Franca e këshillonin të rrinin urtësisht e të mos i jepnin shkas konfliktit. Jugosllavia është kryekëput me fashizmin, pati shtuar, kurse në Greqi Metaksa qe tërhequr nga premtimet që u kishte dhënë më parë. “Ne e dimë se nuk ka mundësi që ushtria jonë trime të ndalojë forcat fashiste të armatosura me mjetet më moderne, por bota le ta shohë se shqiptari vdes për atdheun e vet”. Kjo qe fraza mbyllëse e atij takimi. Pak çaste më vonë kishte thirrur komandantët Shefki Shatku dhe Xhemal Aranitasi. Këta i raportuan se i kishin marrë të gjitha masat e përballimit të sulmit italian. “Përgjegjësia për mbrojtjen e vendit bie mbi ne!”, paskan shqiptuar këta.
Ndoshta në këtë çast të asaj dite, 28 mars 1939, në Romë Mario de Ferraris i raportoi Musolinit se Ahmet Zogu nuk jepej dhe se rruga e armëve mbetej zgjidhja e vetme.
Në 29 mars gjeneral Alberto Parianit i erdhi urdhri operativ se do të sulmohej Shqipëria. Çuditërisht këtë ditë Andrew Ryan pohon se i ka ardhur në zyrë, në Tiranë, shefi i legatës jugosllave dhe i pati thënë se italianët i kishin kumtuar Beogradit mesazhin e mëposhtëm: Në rast se bini dakord për sulmin tonë, do të kompensoheni me toka në veri të Shqipërisë.
Në 30 mars për një sulm ushtarak të Italisë kundër vendit të vogël buzë Adriatikut nisi të bëjë zhurmë shtypi francez. Nga që nëpër rrugët e Tiranës fryma e zemërimit nuk gjente prehje për t’u shprehur, në orën 10.00, para pallatit doli edhe vetë Ahmet Zogu. Pak a shumë tha se po bënte çfarë qe e mundur për të shmangur atë errësim të ngjarjeve, por “së bashku me çdo sakrificë, do të mbrojmë atdheun”. Në fund pati thirrur “Roftë Shqipëria!”
Të nesërmen, në 31 mars, në mbrëmje, tek sa ishte në udhëtim e sipër për në Romë, ku e kishin thirrur me urgjencë pa i thënë përsenë, gjeneral Guzzoni u takua në stacionin e trenit në Padova me kapitenin S. M. Gualano. Qe ky i fundit që ia tregoi sekretin: po e thërritnin sepse ishte ngarkuar komandant i ekspeditës për pushtimin e Shqipërisë.
Kur mbërriti në kryeqytet gjenerali u gjend menjëherë në një mbledhje me Kontin Çiano, Alberto Parianin si edhe disa ushtarakë të tjerë. Nga atmosfera e saj mund të ravijëzojmë disa hollësi. Në të u ngul këmbë se “Duhej të kishim gjithmonë parasysh, edhe nëse mbreti nuk do të pranonte, se zbarkimi i trupave do të bëhej në një popullsi, që ishte në pjesën më të madhe miqësore ndaj nesh. Duhej vetëm që të shmangnim bombardimet dhe ishte thelbësore që trupat tona të mbanin me popullin një qëndrim të një civilizimi njerëzor”. Po ashtu u bë debat rreth idesë së kolonelit të aviacionit Etore Muti, mik i Çianos, që për t’u hapur rrugën sa më shpejt trupave zbarkuese, të kryhej një bombardim frikësues i Durrësit dhe i Tiranës.
Ndërkaq atë 31 mars Benito Musolini linte të kuptohej se e mbante një fije shprese që nga presioni i fortë Ahmet Zogu do të thyhej dhe do t’i pranonte të gjitha pikat e kushteve të tyre ultimative. Kështu dërgoi në Tiranë mesazhin se “në bashkimin në të njëjtin fat të dy Shteteve dhe të dy popujve”...“Jam i prirë të respektoj siç duhet, me të gjitha format, ruajtjen e dinjitetit dhe mbrojtjen e sovranit dhe të dinastisë së tij”, “E ftoj mbretin Zog që të ketë parasysh se i kam dhënë, gjatë trembëdhjetë vjetëve, prova të sigurta të miqësisë sime. Jam i vendosur që ta vazhdoj në po atë vijë sjelljeje; por, nëse kjo do të jetë e padobishme, pasojat do të bien mbi të dhe mbi popullin shqiptar”.
Qe rrjedhojë e kësaj atmosfere fashitjeje para furtunës, kur nga Tirana diplomati i parë i italianëve, Françesko Jakomoni, e pati pyetur telegrafisht shefin e tij, Kontin Çiano, nëse kishte lejen t’i ofronte mbretit shqiptar garanci dhe siguri për një jetë komode në Itali, për të dhe familjen e tij.
Ministri i Jashtëm, njeriu që jo vetëm nuk e donte Zogun, por qe edhe ideatori e nxitësi i çdo përpjekjeje për likuidimin fizik, pranoi.
Në librin e tij “Politika e Italisë në Shqipëri” Jakomoni shkruan, se kur më 1 prill, pas disa ditëve “konsultim” në Romë, u rikthye në Tiranë, këtu kishte gjetur një gjendje të zymtë: “Më priti në aeroport i ngarkuari me punë në legatën tonë, këshilltari Babushio Riko. Ai më vuri në dijeni se, nga lajmet që vinin prej Ministrisë së Brendshme, kishte krijuar bindjen se mbreti Zog po përgatiste vendosmërisht qëndresën. Thuhej edhe se, po të qe e pamundur kjo gjë në Tiranë, mbreti kishte ndërmend që, bashkë me trupat e tij besnike, të ngjiste malet e Matit, duke marrë me vete si pengje italianë, madje flitej edhe që këta të ishin prej funksionarëve të legatës. Kishim marrë vesh që prej disa ditësh qenë të shpeshta vizitat në pallat të ministrit anglez dhe se shumë telegrame i ishin dërguar Londrës nga legata britanike. Lajmi se në afërsitë e Durrësit qenë vendosur aparate për dhënie sinjalesh ndriçuese, duket se të çonin në mendimin që mbreti kishte besim në një ndërhyrje të anijeve angleze, në rastin e përçapjes sonë për të zbarkuar”.
Të nesërmen, 2 prill, e diel, Konti Çiano në ditarin e tij dëshmon të njëjtën atmosferë: “Nga zyrat telegrafike mësojmë se mesazhet e gjata janë duke shkuar nga Tirana në Zyrën e Jashtme Britanike. Nuk mund t’i ndalim ato. Dhashë urdhër, megjithatë, që të vonohen, dhe të përsëriten shumë gabime në grupet e kodit. Ia vlen të fitojmë kohë, edhe pse Çambërlen i ka dhënë një raport Dhomës së Komuneve mbi atë çfarë ka ndodhur, çfarë është në favorin tonë...”
Episodi në Londër, të cilit i gëzohet aq shumë Çiano, qe mjaft i dukshëm në cinizmin e tij. Kryeministri britanik ishte takuar me ambasadorin amerikan në Londër, Joseph Patrick Kennedy, dhe i pati deklaruar se vendi i tij nuk kishte ndërmend ta pengonte Italinë të pushtonte Shqipërinë. Jozefi, i cili ishte i ati i presidentit të ardhshëm amerikan, Xhon Kenedi, në të vërtetë qe një simpatizant i Hitlerit. Por në ditët e mëpasshme do të rezultojë se Çambërlen nuk i bëri atij qejfin, por i komunikoi qëndrimin e kabinetit të tij qeveritar. Ja pse kjo pak a shumë ishte edhe gjuha e raportit qeveritar, për të cilin italianët kishin marrë të dhënën. Qe e florinjtë, e inkurajonte Musolinin.
Ndërkohë në Tiranë para pallatit mbretëror u mbajt një demonstratë antiitaliane, por ku nuk mungonte edhe ndonjë mosbesim për çfarë Ahmet Zogu nuk po bënte: shpalljen e mobilizimit të rezervistëve dhe armatosjen e të gjithë popullit. Sidoqoftë në zyrën e tij në legatë Françesko Jakomoni mbajti shënim vetëm frymëzimin e saj kundër Romës dhe i erdhi mirë që xhandarmëria shqiptare ndërhyri, duke arrestuar dy duzina prej tyre. Veç nuk mundi t’i gëzohet atij lajmi të parë, sepse një i dytë mbërriti me vrap: të ndaluarit qenë liruar. Kështu atij nuk i mbeti udhë tjetër veç t’i shprehte oborrit mbretëror një protestë për manifestimin dhe keqardhje për qëndrimin ndëshkues të pavendosur. Çfarë kishte ndodhur ishte një precedent i rrezikshëm për hullinë që do të merrnin më pas ngjarjet, të cilat ai i njihte gjer në hollësi. Për të po shtohej shqetësimi mos Zogu përdorte mënyra dinake, të hapëta e të fshehta, për të mbajtur të ndezur mes popullit shpirtin e kundërshtimit ndaj italianëve. Kur të niste zbarkimi i trupave kjo donte të thoshte se përballë do të kishin shqiptarë të armatosur, në mos me pushkë, mundësi që njerëzit e tij kudo në armatën e vendit e kishin kufizuar mjaft, me mjete të thjeshta mbrojtjeje, thika dhe sopata.
Në 2 prill, ende pa rënë përfundimisht nata, u përhapën fjalë se mbretëresha Geraldinë, e cila priste të lindte nga çasti në çast, do të strehohej tek legata amerikane, por afër mesnatës agjentët italianë mblodhën, nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre jo të paktë në oborrin mbretëror, informacion se Ahmet Zogu, nëpërmjet ministrit të Jashtëm Eqerem Libohova, kishte siguruar të gjithë të interesuarit për këtë fjalënajë se bashkëshorten e tij dhe çdo grua tjetër nuk e kanoste asnjë rrezik i afërt. Kështu një ndjenjë paniku, që mund të përhapej me strehimin e Geraldinë Apponyi në legatën amerikane, u fik shumë shpejt. Ajo duhej shuar edhe sepse nga njerëzit e thjeshtë mund të interpretohej si tërheqje shpirtvogël pas shpëtimit të vetvetes. Ndoshta edhe prej kësaj arsyeje mori udhë edhe një fjalënajë e re: Geraldinës i qenë lutur ata të legatës amerikane të strehohej atje, por ajo e pati refuzuar. Do të rrinte pranë të shoqit, në çdo fat që ai të kishte. Doemos që përtej kësaj retorike komentesh politike qëndronte edhe një hall i madh njerëzor: Fëmija duhej të lindte para se të niste sulmi ushtarak.
Në 3 prill, fillimi i javës së re, por zezane në mbyllje të saj, shefi i legatës amerikane Hugh G. Grant takoi për herë të fundit Mehmet Konicën. Ky, tepër i tronditur, i tha se kërcënimi për invadim nuk qe bërë ende haptas, por me kërkesat e saj Roma praktikisht pati urdhëruar mbretin që të linte fronin. “Kjo është sjellje prej brigandësh”, kishte shqiptuar zëmërueshëm ai. Pastaj i pati pohuar Grantit: “Mirëpo ne kemi marrë masa paraprake. Mbreti do të rezistojë. Do të ketë luftë dhe Madhëria e Tij do të tërhiqet në male. Besoj se fqinjët tanë ballkanikë do të na furnizojnë me armë, municione dhe ndihma...”
Konica nuk gabonte në mosdyshimin se sulmi ushtarak do të ndodhte. Në mëngjezin e 3 prillit gjeneral Alberto Pariani, zëvendësministër i Luftës, e kishte konfirmuar me shkrim atë që pati porositur më parë vetëm me gojë: direktivat e pushtimit të Shqipërisë. Në ekspeditë do të merrnin pjesë në skalionin e parë 22 mijë njerëz, të cilët do të mbarteshin nëpër det me dy koracata të tipit “Cavour”, 7 kryqëzorë (katër të rëndë dhe 3 të lehtë), 16 kaçatorperdinierë dhe 14 toperdinierë. Në flotiljen luftarake do të qenë edhe 10 nëndetëse, anija “Miraglia” për transportimin e tankeve, anija “Quarnaro”, 5 motoçisterna, 22 piroskafe dhe 4 skuadrilje për zbulim detar. Nga ajri do të vepronin dy shtorme bombardimi me secili nga 40-50 avionë si edhe tre shtorme transporti me secili 80-90 aeroplanë. Në bregdetin shqiptar do të kishte katër pika zbarkimi dhe për rrjedhojë katër kolona marshuese. Këtyre do t’u jepej si detyrë arritja me shpejtësinë maksimale e qendrave vitale si Tirana, Shkodra, Gjirokastra, Vlora, zona e Devollit dhe Saranda. Më pas, sapo të krijohej mundësia e shtrirjes në terren, ato do të kryenin edhe pushtimin e Elbasanit, të Korçës, Krujës, Kukësit dhe Peshkopisë. Do të qe kolona e Durrësit ajo, e cila do të kapte Elbasanin dhe pastaj Korçën, drejtim ku mendohej që për Ahmet Zogun do të ishte i vetmi shteg i largimit nga vendi.
Ndërsa në Romë direktivat ushtarake të pushtimit qenë firmosur, në Tiranë Françesko Jakomoni shkoi tek Zogu të merrte një përgjigje për propozimet e bëra. Plotësimit të tyre i qe dhënë edhe një afat: nuk duhej të kapërcente deri tek e enjtja. Por mbreti u mbrojt, duke thënë se demonstrata e ashpër e një dite më parë nuk i kishte dhënë mundësi të shqyrtonte projektin dhe se me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm do ta bënte këtë menjëherë brenda asaj dite. Këtë situatë e pohon edhe Mit’hat Frashëri në kujtimet e tij. Një i dërguar tepër i lartë i rrethit shumë të ngushtë të Ahmet Zogut e kishte kërkuar dhe gjetur në kafen “Bella Venezia”. E pati ftuar të vinte sa më shpejt në qeveri. Mbreti e kishte caktuar në grupin e punës për të hartuar një bocet tjetër të marrëveshjes me italianët, një lloj kundërprojekti. Me këtë rast mori vesh se “bisedimet midis mbretit dhe italianëve janë prerë”.
Ndërkaq Zogu në pallat, siç ju treguam pak më sipër, po përballej me Françesko Jakomonin dhe ngulëkëmbjen e tij të butë, por të vendosur, që të pranoheshin kushtet italiane, si e vetmja mënyrë e sigurt për të shmangur rrugën e forcës. Më vonë, në vitin 1965, kreu i diplomatëve fashistë italianë të Tiranës do të shkruante në librin e tij “La politika dell’Italia in Albania”, se Ahmet Zogu në atë takim nuk i dha asnjë garanci dhe ky pati dëgjuar prej tij vetëm “disa shprehje rutine të miqësisë me Duçen”. Ndërkaq një raport i ngutshëm i Jakomonit për Romën thoshte se “Nga të dhënat që vijnë prej Vlorës, del se ministri i Brendshëm e pritka zbarkimin e trupave tona për në 5 apo 6 prill dhe, për një mundësi të tillë, u kishte dhënë porosi të posaçme prefektëve. Mbreti duket se po kërkon të fitojë kohë. Ngjan e besueshme që para se të marrë një vendim, ai po pret plotësimin e mobilizimit të fshehtë, i cili po përshpejtohet dhe shpreson të marrë premtime më të besueshme për ndihmat nga jashtë. Bisedimet, ndonëse formalisht të përzemërta, po bëhen jashtëzakonisht të mundimshme. Më bëri përshtypje lajmi i një rreshtimi të forcave të xhandarmërisë gjatë rrugës Tiranë-Elbasan, e gjer në Korçë e përtej, në kufirin grek. Këto masa policore gjer në këtë shkallë mund të na lejojnë të mendojmë se mbreti po i merr masat për largim”.
Në katër prill shefi i legatës shqiptare në Romë, Dhimitër Berati, i zotëronte të gjitha të dhënat se sulmi ushtarak ishte në proces të pandalshëm dhe këtë lajm nxitoi ta zbarkonte në Tiranë. Qe një ditë ku gjeneral Zef Sereqi bënte të kundërtën: informonte Romën se atë ditë Ahmet Zogu e kishte ashpërsuar shumë qëndrimin e tij ndaj Italisë dhe dukej i inkurajuar se do t’ia dilte mbanë. Sipas njeriut që shpresonte më pas, në rrethanat e reja, të qe ambasadori i Shqipërisë në Itali, ndryshimi i humorit të mbretit qe shkaktuar prej një vizite, një ditë më parë, e kryediplomatit britanik Ryan. Françesko Jakomoni në librin e tij e shpjegon këtë me arsyen se “Ky e paskësh siguruar për një qëndrim të Anglisë në dobi të tij”.
Të mërkurën, në 5 prill, në mëngjes, në Tiranë u dëgjuan 101 të shtëna topash. Po aq sa kishin bërë zhurmë e tym kur u shpall mbretëria. Veç këtë herë u shti në ajër sepse pati lindur Princi. Geraldina kishte bërë djalë. Dinastia Zogu kishte tashmë një trashëgimtar, çfarë donte të thoshte vazhdimësi të saj dhe të vetë mbretërisë. Ahmet Zogut kjo lindje djali iu duk ogur i mirë për t’iu bërë e ditur popullit që jetonte në ankth e dëshironte shpresë, si edhe italianëve për t’i sfiduar. I porsalinduri, i cili kur Radio Tirana e dha lajmin e ardhjes së tij në jetë edhe në gjuhën angleze, nuk qe veç një qenie e brishtë prej pesë orësh, mund ndikonte në fatin e luftës që po afrohej. Në mos ta ndalte, mund ta dekurajonte ushtrinë pushtuese. Italianët nga natyra janë të dhimbsur. Bebja e vogël, në rast se sulmi ndodhte, kishte të ngjarë të frymëzonte shqiptarët për rezistencë. Mbase këtë vetëndjerje kishte edhe Hugh G. Grant kur, bashkë me të shoqen, shkoi në pallat për të marrë pjesë në ceremonialin e hedhjes së firmës në Regjistrin Mbretëror për nder të lindjes së Princit Trashëgimtar.
Por te Françesko Jakomoni ngjarja u përjetua më ftohtë. Në librin e tij ai shkruan se “Në gjendjen e pështjellimit kaloi lajmi i lindjes së djalit nga mbretëresha”. Pastaj përforcon: “Kaloi shumë vakët”. Rreshtin tjetër e ndërton fare shkurt: “Njoftova Çianon”.
I pari i diplomatëve fashistë italianë në Tiranë po atë ditë kishte marrë takim me Ahmet Zogun dhe i pati kërkuar një përgjigje shumë të shpejtë për kushtet e tyre. Tjetri i kërkoi kohë të paktën gjer të dielën në mesditë, për të punuar qeveria dhe, për t’u këshilluar me parlamentin e mbledhur. “Në vendimin tim nuk dua të jem i vetëm”, pati kthjelluar manovrën e tij Zogu. Por Jakomoni, edhe pse premtoi se do t’ia dërgonte këtë lutje Romës, qe tepër i sigurt se kaq shumë kohë Musolini nuk kishte për t’ia dhënë viktimës së tij. Megjithatë në telegramin për Çianon shkroi edhe këtë fjali: ”Kam përshtypjen se mbreti po thyhet”.
Në mbrëmjen e vonë të 5 prillit vetë Benito Musolini i komunikoi telegramin e shifruar: “Shkoni te mbreti për t’i thënë se nuk e kemi të mundur të pranojmë shtyrjen më tej të afateve, pas kaq ditë diskutimesh. Presim përgjigjen e tij negative apo pozitive në Romë, nesër, të enjten, më 6 prill, jo përtej orës dymbëdhjetë”.
Kështu po mbyllej një ditë me gëzimin e lindjes së një fëmije dhe helmin e një pushtimi ushtarak. Mit’hat Frashëri, kur qe takuar me Ahmet Zogun, i pati thënë mënjanë: Largoni familjen një orë e më parë dhe të përgatitemi për luftë!
(Vijon)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|