Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

ZBULIMI I NJË MOZAIKU NË DITËVDEKJEN E MEHMET SHEHUT


(Botuar në gazetën “Metropol” më 31 tetor 2012)

Historia e shtetit të pavarur shqiptar, vetëm një shekull, është fare pak para historisë së popullit të tij. Në një jubile si i 28 Nëntorit 1912 mund të kujtosh, nxjerrësh nga harresa, rishkruash e revizionosh, me qindra data, ngjarje dhe protagonistë, por gjithsesi një përmasë të saj nuk mund ta lësh mënjanë. Kemi ekzistuar nëpër dhjetëra qindravjeçarë, kemi qënë, ishim, pa u realizuam në njërin prej tyre si identitet shtetëror. Vetë kjo datë e shenjtëruar prej Ismail Qemal Vlorës dhe 39 firmëtarëve të tjerë në Deklaratën e Mëvetësimit, duke qenë vetë një pjesë e të tërë biografisë tonë, ka ringjallur një ngjarje të më shumë se një gjysmë mijëvjeçari më parë: ditëçlirimin e Krujës në 1443.
Në këtë shkrim edhe më larg se kaq po e shtyjmë kronikën, duke vënë në qendër një qytet themel të identitetit dhe historisë sonë, Durrësin. Po shkëputim prej tij një nga ndodhitë më karakteristike dhe më shkëlqyese: zbulimin në të të një kryevepre artistike, Mozaikut të Arapajt. I krijuar në shekullin e gjashtë të Erës së Re ai është ndër më të mëdhenjtë e Ballkanit, art në një sipërfaqe me plot pesëdhjetë e katër metra katrorë. E kryer në kohën e perandorit romak Justinian, i cili sipërmori mjaft ndërtime në “tavernën e Adriatikut”, Durrësin, gjithsesi kjo mrekulli mbetet dëshmi e trashëgimisë së qytetërimit shqiptar. Ky mozaik paraqet vetëm një fragment nga Bazilika e Shën Mëhillit, një tërësi ndërtimore e përbërë nga altari, sallonet, oborri, 2 anekset funerale në veri dhe në jug. Vetë mozaiku gjendet në aneksin funeral. Mes gjithë vizatimeve dhe simboleve të tjera ai ka edhe figura barinjsh, si edhe skena gjuetie. Në mesazhin e vet shumë të njerëzuar mban pranë po ashtu edhe një varr me qemer cilindrikë, të lëmuar butë. Pikërisht aty u gjetën eshtrat e dy personave, mashkull dhe femër, me sa duket burrë dhe grua. Janë durrsakë, mendohet.
Pa dashur të bëjmë ndonjë paralele me dy jetëikur katërmbëdhjetë shekuj më parë, do të tregojmë se dy të tjerë, një çift tjetër durrsakësh, por të gjallë, me shpirt krijues dhe pasionantë e punëdashës, për qytetin e tyre dhe shoqërinë shqiptare mjaft të vyer, janë ata që e kanë zbuluar këtë mozaik dhe tërë kompleksin e Arapajt. Të dy studiues, autorë gjithsecili i mjaft librave. Quhen Sali dhe Hava Hidri. Për të kuptuar volumin e kontributit të tyre si dijetarë do të mjaftonte edhe një shfletimi i shpejtë i një botimi të tyre i vitit 2010. Është një bibliografi shumëgjuhëshe me 318 faqe. Atje ndodhen të dhëna për njëzetë librat e para këtij viti, sepse deri në prag të njëqindvjetorit kanë publikuar edhe tre të tjerë. Duke ardhur deri në ditët e sotme ato nisin që nga shekujt VII-VI para Erës së Re. Ja disa nga më të spikaturit: “Durrësi 1900-1939” (Saliu), “Popullsia e lashtë e Durrësit” (Havaja), “Durrësi”, album (autorë janë të dy), “Shtatë mbretërit taulantë“ (Havaja), “Bazilika e Shën Mëhillit Arapaj (të dy), “Një jetë e jetuar”, kushtuar poetit dhe përkthyesit të mënjanuar nga diktatura Prokop Gjergo (Saliu), “Aleksandër Moisiu” (Saliu), “Nëntoka muze e Durrësit” (Havaja), “Stefan Kaçulini” (Saliu), ”Vazot antike të Durrahut” (Havaja)... Do të veçonim më pas edhe “Die frühchristliche Basilika in Arapaj/Durrës (Albanien), botim i Akademisë së Shkencave të Vjenës, të cilin mund ta gjeni edhe tani në faqen online të saj, duke kërkuar në internet Österreichische Akademie der Wissenschaften. Për studiuesit apo studentët e huaj ai libër kushton 25 euro.
Në kulmin e luftës së klasave dhe të kërkimit shkencor

Jeta është një paradoks. Historia e zbulimit të Mozaikut në Bazilikën e Arapajt nisi në pranverë të vitit 1974. Sa për të kuptuar logjikën e saj kohe i sjellim ndërmend lexuesit se në mbyllje të 1973-tës kishte shkreptirë i quajturi Plenumi i Trembëdhjetë, i cili jo vetëm pati shpërthyer represionin ndaj çdo dëshire për ta liberalizuar kulturën dhe afruar atë me Perëndimin, por nisi edhe një cikël të tërë të pashpirt “zbulimesh” të “armiqve të partisë”, madje në të gjitha sektorët jetikë të vendit: mbrojtje, ekonomi, shërbim të brendshëm e të jashtëm, në çdo cep të administratës dhe skutë të territorit. Stuhia vrastare përfundoi vetëm pas shtatë vitesh, në 1982.
Në të kundërt të këtyre “zbulimeve” partiake zbulimi dhe shpallja si vlerë e shquar kombëtare e Mozaikut ndodhi brenda kësaj hapësire. Kjo histori duket si një fat i dënuar ose si një dënim me fat. Gjithsesi po e tregojmë.
Qe muaji korrik 1974 dhe drejtori e Muzeve të Durrësit, nën varësinë e të cilit ishin shtatë institucione të tilla, që nga vetë qyteti e deri në Kavajë dhe Shijak, i mblodhi punonjësit e vet kërkimorë dhe u tha të zgjidhnin objektet e punës të asaj vere. Kryesisht bëhej fjala për gërmime arkeologjike, sepse qe stina e ngrohtë dhe me pak shira, çka e favorizonte këtë proces pune. Sali dhe Hava Hidri, duke qenë se në zonën kodrinore të Arapajt, Golem, pesë kilometra në jug të Durrësit, patën gjetur më parë disa enë tipike ilire, kërkuan atë territor. Ndërsa shkuan atje, gjatë përshkrimit të terrenit, vendosën ndryshe nga herët e mëparshme. Do të takonin njerëzit. Ngacmuese për këtë zgjedhje metodike iu bë një gjë e çuditshme. Fshati i kishte të përqendruara shtëpitë në faqen e një kodre dhe sipër saj, kurse njëra prej tyre, pothuaj kasolle, gjendej shumë e veçuar. Rrinte e heshtur në fushë. Qe ora tetë e mëngjesit dhe çifti Hidri iu avit kësaj të fundit. Ishte shumë e rrënuar, e tëra me qerpiç. Në oborr kishte të mbjella pak pemë me kumbulla dhe fiq. Duke mos parë shenjë jete të dy studiuesit nuk e kapërcyen deriçkën e gardhit, por vunë re se brenda tij, nëpër tokë, dukeshin copëra të thyera qeramike antike. Kështu Sali dhe Hava Hidri iu ngjitën kodrës dhe e gjykuan me interes të trokitnin në derën e njërës prej shtëpive. Ajo ishte në majë dhe prej saj dukej e tërë fusha poshtë.
I zoti i shtëpisë i priti me mirësjellje dhe u bëri nga një kafe. Pastaj u shpjegoi se aty qe ardhës i vitit 1942, gjatë Luftës. Vendlindje kishte Libohovën. Kur biseda u bë më shoqërore Saliu i bëri pyetjen kryesore: përse ajo shtëpi në fushë qe e vetmuar? Përgjigja i erdhi me ton të sigurt: “Edhe ata kanë ardhur këtu në të njëjtën kohë me ne, por janë nga Myzeqeja”. Pastaj tjetri shtoi: “Veç nuk bënë ndonjëherë prokopi”. “Përse”, këmbënguli studiuesi. “Sepse kanë gërmuar në tokë vakëf”. Kur pa që për dy ardhësit e ditur kaq shpjegim qenë fare pak, i zoti i shtëpisë bujtëse u tha se në atë kasolle të vetmuar jetonte e vetme një plakë dhe se i shoqi, tashmë i vdekur, pati qenë në burg me bixhoz.
Pas pak çifti Hidri e falënderuan njeriun mikpritës dhe zbritën poshtë kodrinës. Shtëpisë vetmitare me qerpiç iu afruan duke bërë kujdes të mos shqetësonin një plakë, e cila kishte dalë në oborr dhe qe mbështetur pas kasolles së rrënuar. Po ngrohej në diell. Qe shumë e rrëgjuar. Kur mbërritën tek gardhi, e përshëndetën miqësisht dhe i kërkuan leje nëse mund ta takonin. U bëri me dorë të vinin. Tek hynë dhe sërish vunë re se mbitoka ishte dukshëm me copëra qeramike antike, shumë e moshuara dhe po aq e varfra, pyetjes se si e bënte gjumin natën i dha përgjigjen “Mos më pyet! Me shumë ëndrra”. “Po çfarë sheh?” “Më bëhen të vdekur, si zjarr para syve, sikur më shndrit oborri”. Ndërkohë çifti Hidri kishte dalluar që në faqe të kasolles, si pjesë e murit, qe vendosur një kolonë mermeri. Në një vend tjetër kishte tulla antike prej atyre që në lashtësi përdoreshin për banjat publike, rrugëkalimet e avullit.
Kur u ndanë me plakën e vetmuar dhe sërish kaluan nëpër mbitokën me aty-këtu mbeturina qeramike, Saliu i tha me zë të ulët të shoqes: “Jemi në vendin e duhur!”
Të nesërmen i kërkuan drejtorit tre apo katër punëtorë dhe ndërsa Havasë iu hap një interes tjetër kërkimi, qe Saliu që u rikthye në vendin e çuditshëm, ku prej shumë shekujve prej nëndheut shfaqeshin në mbitokë imazhe të botës së shkuar. Pasi përcaktoi kuadratin e parë të gërmimit dhe nisi puna, tek këndi perëndimor u ndeshën shenjat e para të një objekti antik. Tek drejtori i tij Sali Hidri raportoi se kishin gjetur shenjat e një godine monumentale. Lajmi më pas shkoi në Tiranë, tek Instituti i Studimeve Historike dhe doli menjëherë në shtyp. Duke qenë se nëpër Shqipëri vijonte tollovia e luftës së klasave, ku përveç dënimeve me vdekje dhe burgim-internimeve triumfonte edhe “vija e masave”, “lufta kundër burokracisë” si edhe “qarkullimi i kuadrove”, studiuesi papritmas përfundoi mësues në një shkollë jashtë qytetit. Kështu u ndërprenë edhe kërkimet në Arapaj. Ajo do të rigjallërohej vetëm pas katër vitesh, kur në 1979 në Durrës do të mbahej një sesion shkencor dhe mes dijetarëve do të referonin Aleksandër Meksi, Neritan Ceka dhe Myzafer Korkuti. Atëherë çifti Hidri mendoi se kumtesa e tyre në këtë kuvend do të ishte me interes në rast se do t’i rikthehej fushës së Arapajt dhe nëntokës së saj. Këtë herë, gjatë rifillimit të përkohshëm të gërmimeve, u ndeshën shenjat e plota se në dyshemenë e një banjë të madhe me avull duhej të ndodhej një mozaik. Kryeakademiku Aleks Buda, i cili merrte pjesë në atë veprimtari albanologjike, tha se me këtë zbulim të ri të porsafilluar kishin të bënin me një objekt të kohës së perandorit Aleks Komneni. Kur, pasi pyeti, mori vesh që Sali Hidri, i cili para vitit 1974, kur fillon kjo histori që tregojmë, pati punuar edhe në Institutin e Studimeve Historike në Tiranë, qe transferuar si mësues i thjeshtë në një fshat të periferisë së Durrësit, kërkoi menjëherë angazhimin e tij me çfarë konkretisht fshihte fusha në bri të Golemit, 5 kilometra në jug të qytetit-port.
Më 22 qershor të atij viti Sali Hidri së bashku me të shoqen dhe dy duzina punëtorësh zbarkoi sërish në Arapaj. Përcaktuan një hapësirë gërmimi mjaft të madhe. Në shtëpi përditë ktheheshin vetëm kur binte nata. Ndërkohë një ekip gjeodezik, i cili ato kohë po merrej me përcaktimin e të dhënave për një hartë të rregullimit territorial njëzetë vjeçar të Durrësit, i ndihmoi që me një sondazh elektromanjetik “të lexonin” nëntokën. Vetëm pas dy vitesh, në 9 tetor 1981 gërmimet kapën murin lindor të Bazilikës dhe dyzetë centimetra më larg dora e Sali Hidrit, duke rindeshur në mozaik, preku konturet e një gërsheti të madh. Zbulimi i plotë i të pesëdhjetë e katër metrave katrorë të mrekullisë artistike u bë më pas me ritëm frenetik. Lajmi i shoqëruar me shpjegimet e plota u botua në “Drita”. Atë të diel e përjavshmja e kulturës shqiptare të kohës u botua me faqe të reduktuara.
Kishte vrarë veten Mehmet Shehu.
Ndërkohë Sali Hidri, pas edhe një bisede televizive prej 18 minutash, mori vesh se për zbulimin e mozaikut qe shprehur me fjalë të mira edhe Enver Hoxha. Ankthi i atyre shtatë viteve me kacafytje të brendshme për të zgjidhur çështjen se cili do të ishte pasardhësi i tij si edhe i trashëgimisë së tij politike, po shkonte drejt fundit. Për një rastësi apo mesazh se realizimet e mëdha të artit apo shkencës dëshirojnë në sfond mote të vështira njerëzorë, historia e zbulimit të Mozaikut të Arapajt zgjati gjithë kohën e luftës për të zëvendësuesin e diktatorit.
Do të qe një ditë e vitit 1996, kur një ekip prej tre vetësh nga Akademia Austriake e Shkencave, pas disa ditëve punë në Tiranë do të vinte edhe në Durrës dhe kështu do të shihte me sytë e tij zbulimin e madh shqiptar. Tre vite më vonë në Vjenë do të mbahej Kongresi i 14 Ndërkombëtar i Krishterimit dhe prej Shqipërisë do të ftoheshin tre vetë. Dy do të prezantoheshin me krijimtari posterash, i treti qe Sali Hidri me bashkëshorten. Kumtesa me autorë dy studiuesit nga Durrësit jo vetëm do të pritej mirë, por do të fiksohej në atë libër, për të cilin më parë ju informuam se gjendet ende në prezantim dhe shitje aktive edhe sot prej njërës nga akademitë më të famshme të kontinentit.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com