Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

ARBËRESHËT E NGRITËN TË PARËT FLAMURIN KOMBËTAR


(Botuar në “Gazeta Shqiptare” më 19 shtator 2012)

Nuk mund të jetë vetëm çështje e rreptë protokolli apo thjesht ndjenjë
malli. Arbëreshë të shquar do të ftohen të jenë të pranishëm këtë 28
Nëntor të veçantë. Artistë e shkrimtarë të përndritur si Karmen Abate
apo grupe muzikore të spikatur nuk kanë përse mungojnë. Do të jenë,
sigurisht, të pranishëm shefat e katedrave albanologjike të
Universitetit të Kozencës, studiuesi dhe sidomos organizatori më i
madh arbëresh i veprimtarive shkencore të të gjithë hapësirës
shqiptare, zv.rektori Françesko Altimari; i dituri, i përkushtuari dhe
i palodhuri Italo Fortino, Universiteti Oriental i Napolit;
shkencëtari i mirëfilltë Mateo Mandala, Universiteti i Palermos;
dijetari dhe shqipëruesi fin Elio Mirako, Instituti Shqiptar pranë
Universitetit “La Sapienza” në Romë; albanologet Monika Xhenezin
(Universiteti i Salernos) apo e shumënjohura studiuese nga Venecia,
për disa vite punonjëse në Tiranë e Ministrisë së Jashtme Italiane,
Luçia Nadin...
Ata arbëreshë që kanë aq vepra dhe emër sa nuk mund të mos ftohen
zyrtarisht, por edhe po i harrove, gjithsesi do të vijnë siç përherë
kanë bërë edhe pa pasur patjetër rast festash, janë me dhjetëra e
dhjetëra. Ajo që do ta bënte mjaft origjinale ceremonialin e shekullit
të parë të shtetit tonë do të qe mundësimi i ardhjes së shumë
arbëreshëve nga populli i thjeshtë. Në këtë kohë vështirësish
financiare globale nuk duket e lehtë as për fondet publike të vendit
tonë apo edhe të komunave në Itali sipërmarrja e mbartjes së tyre
këtu. Veç për ta lehtësuar këtë ardhje të gëzueshme popullore mbase
diçka kanë në dorë të bëjnë linjat ajrore, të trageteve apo edhe të
autobusëve, me oferta biletash me çmim të arsyeshëm. Tirana dhe
qytetet e tjera shqiptare, duke filluar nga Vlora, do të përjetonin
një gëzim të paharrueshëm në rast se mes nesh do të qenë të shumtë jo
vetëm të ardhurit nga diaspora e re e viteve njëzetë të shekullit të
shkuar, të asaj pas motit 1944 dhe të tjerë të pas 1990-tës, por edhe
prej bashkëkombësve tanë të vjetër, atyre heronjve që për një gjysmë
mijëvjeçari e më tepër, e kanë ruajtur gjuhën e kulturën amtare.
Të thirrur në Itali arbëreshë apo në tokën helene të quajtur nga
vendasit arvanitas dhe kur u vendosën në veri të gadishullit, në
Kroaci, arbanas, ata janë po të njëjtët. Ndryshimi mes tre emrave
është thjesht çështje e tingëllimit fonetik. Arbëria (Albania
shqiptimi nga të huajt) ka qenë emri i vendit tonë shekuj të shkuara.
Populli i tërë quhej arbër. Me këtë emërtim e gjeti historia edhe në
pikun më të lavdishëm që botërisht kemi pasur deri tani: rezistencës
antiosmane të shekullit të pesëmbëdhjetë, kur patëm në krye
personalitetin gjëmimtar Gjergj Kastrioti Skënderbeun, i cili e
nguliti këtë epokë në kujtesën e të gjithë kontinentit. Kështu në
Itali dhe përtej saj fjala “arbëreshë” u bë shumë e dëgjuar, e
famshme. Ajo jashtë, për vlerën pozitive që mbart, ka sfiduar edhe
fjalën “albanese”. Këtë imazh vezullues të saj ne nuk e ndjejmë, sepse
na ndodhi një çudi, ende e pashpjeguar bindshëm nga mendjet më të
mprehta që studiojnë historinë e popullit tonë. E kishim fort mirë
emrin e bekuar Arbëri dhe ndërsa bota e ruajti po ashtu, Albania, ne
papritur e bëmë Shqipëri. Me këtë rast, sidomos në periudhën e
Rilindjes sonë kombëtare, u gjetën dashamirës nëpër botë që këtë fjalë
të re e shpjeguan me togun “vendi i shqiponjave”, por e gjitha kjo
mbeti një dëshirë e mirë, jo pak edhe propagandë. Tani, sidoqoftë, në
vend të thirremi mes njëri-tjetrit arbër apo arbëreshë, vetëquhemi
brenda trojeve tona etnike shqiptarë. Matanë tyre kjo fjalë nuk
ekziston, nuk përdoret prej kurrkujt.
Ndërkohë paraardhësit tanë të pesë e më shumë shekujve më parë janë
mjaft të vyer për historinë dhe identitetin tonë. Në një farë mënyre
ata e kanë ngritur flamurin dhe e kanë shpallur pavarësinë pesë
njëqindvjeçarë më herët se ne. Kur kaluan detin dhe u vendosën në
gadishullin Apenin, në tokën e lirë të krishterë, të gjithë hapësirës
ku u vendosën, që nga ishulli i Sicilisë e deri në Kalabri e Pulia,
madje deri edhe më në veri, në Molise, ku afro gjashtëdhjetë
vendbanime të tyre kanë rreth 150 mijë arbëreshë, ata nuk përbëjnë
hapësirë gjeografike të vazhduar. Megjithatë prej tyre, pa shkelur
integritetin e territorit italian, përfytyrohet si hapësirë homogjene
e kombit të tyre mëmë. E thërrasin Arbëri që prej një gjysmë
mijëvjeçari. Ky është një emërtim që nuk do të shkruhet ndonjëherë në
hartën e vendit fqinj, sepse nuk përputhet me asnjë kriter zyrtar dhe
shkencor, por gjithsesi ai ekziston. Jeton në mendjet e zemrat e vetë
arbëreshëve dhe kur nuk u shuajt dot në një gjysmë mijëvjeçari, nuk ka
përse t’i ndodhë ky kob tani. Këtë fikje të një Albanie (Arbëria) të
pavarësuar në Evropën perëndimore pesë herë me parë se ne, thesar
historie kombruajtëse kaq e madhe, të cilën nuk e lejojnë të ndodhë
ata njëqind e pesëdhjetë mijë që flasin gjuhën tonë të vjetër dhe
italishten moderne, nuk duhet pandërgjegjshëm ta shkaktojmë edhe ne.
Nuk duhet të rrimë mënjanë në këtë qëndresë të shenjtë, rehatuar në
Shqipërinë tonë, Arbërinë e djeshme.
Njëmijë arsye na imponohen të mos e humbasim rastin e këtij
100-vjetori të kryejmë çfarëdo gjesti për t’i kujtuar njëri-tjetrit se
kur ne ishim kthyer së brendshmi në shqiptarë dhe e patëm harruar se
dikur kishim qenë arbëreshë, por gjithsesi luftonim të shpëtonim nga
robërimi për t’iu rikthyer kontinentit evropian, bashkëkombësit tanë
të përtej detit, që mbetën krenarisht arbëreshë, kanë luajtur një rol
shumë të madh për çlirimin dhe pavarësimin tonë. Pas ruajtjes së
Albania-Arbërisë, të cilën për ta shpëtuar nga dhunimi i pushtimit të
huaj, virtualisht e morën me vete, ky i përkushtimit për ta bërë
mëmëdheun të pavarësohet në 28 nëntor 1912, qe aksioni i tyre i dytë
më i madh. Në një shkrim sot apo qindra të tjerë të botuar më parë nuk
mund t’i transmetohet lexuesit i gjithë dimensioni kolosal i kësaj
vepre vigane të arbëreshëve. Këtë përmasë që mund ta kuptosh sadopak
vetëm pas vitesh të tëra studimi, as si mesazh simbolik nuk e përcjell
dot edhe sikur të rrëfesh se i pari përpjekës për ta ngritur flamurin
kombëtar e shpallur shkëputjen nga Perandoria Osmane, qe një i dërguar
i tyre, Terenc Toçi. Ky arbëresh e bëri këtë që në 1911, në veri të
vendit, mes mijëra malësorëve.
Aq i madh është ky kontribut sa një ide të përgjithshme nuk mund ta
plotësojë jo vetëm një film (të cilin nuk e kemi), një vepër letrare e
famshme dhe e botuar në dhjetëra mijëra kopje (të cilën edhe këtë nuk
e kemi), por që të paktën një libër alternativ shkollor me titullin e
përafërt “Historia e Arbërisë” mund ta kryejë përafërsisht. Mendjet e
mençura për ta hartuar i kemi jo vetëm këtej bregut, në profesoratin e
mes akademikëve tanë, por edhe andej, disa emra të të cilëve i
sipërcituam.
Për ta respektuar gjithë këtë veprimtari kombruajtëse dhe po ashtu
shtetformuese, njëkohësisht edhe gjallëruar që të mos zbehet kurrë,
veç nga viti në vit të rrëzëllejë më shumë, nuk kemi rast më të mirë
se ky njëqind vjetor të mblidhemi së toku me arbëreshët (arvanitasit,
arbanasit po ashtu) në Tiranë apo Vlorë.
Nëse na lejohet, do të propozonim, përveç ofertave nxitëse të
agjencive të udhëtimit, edhe një mënyrë tjetër. Këtë mund ta kryejë
Shteti ynë, në bashkëveprim me shtetin e Kosovës dhe gjithë strukturat
publike që kanë bashkëkombësit tanë në Maqedoni dhe në Malin e Zi. E
gjithë kjo shqiptarì mund në mes të muajit nëntor të dërgojë në disa
nga qendrat kryesore me vendbanime arbëreshe përfaqësues të saj,
politikanë të rëndësishëm nga të gjitha partitë si edhe dijetarë të
njohur, pse jo edhe një shkrimtar të madh si Ismail Kadare (që do t’ua
ngrinte zemrat peshë).
Këta do t’u thoshin bashkëkombësve tanë, heronj të mëdhenj të ruajtjes
së identitetit, fjalë që i dinë vetë shumë mirë t’i gjejnë e shprehin.
Ato mbi të gjitha do të jenë mirënjohëse. Arbëria e tyre dhe e jona
është duke hyrë e tëra në Evropën e Bashkuar. Siç deshën dhe luftuan
ata.
Ky mision për t’u dhënë arbëreshëve “Faleminderit!”, përveç pohimit të
së drejtës historike, do të qe edhe një mënyrë praktike për t’i
grishur, që me kursimet e veta, të jenë të pranishëm në këtë 28
nëntor. Është edhe festë e tyre dhe ndodh vetëm njëherë në njëqind
vjet.

Ylli Polovina

Igallo, Mali i Zi, 11 shtator 2012


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com