Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Loja politike e Enver Hoxhës tek “Tabloja Sinoptike”


(Cikël nga libra të mi, thjesht për pushuesit verorë. Pjesa e mëposhtme është marrë nga libri “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”. Fragmentet e mëparshme mund t’i ndiqni nga rubrika “Politikanët)

Ramiz Alia të lë përshtypjen e parë se ka natyrën e një njeriu i cili nuk e vendos shpejt një opinion të caktuar, që lëkundet e nuk merr dot një pozicion të prerë. Edhe për çështjen nëse Mehmet Shehu qe apo jo agjent i huaj ai rri midis një po dhe jo-je.
Përmasat e vërteta të pavendosmërisë së Ramiz Alisë janë një çështje e ndërlikuar mes njeriut dhe politikanit, temperamentit të tij natyral dhe formës së karakterit që ia nevojit jetesa në mjedise të ashpra e të rrezikshme të luftës për pushtet, por duhet thënë se në çështjen Shehu ai bën balerinin. Në këtë ngjarje Alia është, por njëkohësisht nuk do që të jetë. I rri sa më larg edhe pse ka qenë fare afër. Dëshiron të mbetet duarjashtë ndërkohë që shumë rrethana dhe faktorë e detyronin t’i zhyste krahët gjer në bërryl.
Në 1981 ai nuk ishte në qiell, nëpër re, por në tokë, në ndërtesën e Komitetit Qendror, në “zyrën përballë”. Po ashtu edhe në vitin 1982, më 1985 kur ndërroi jetë Enver Hoxha. Qe aty, tashmë i pari i vendit, edhe në 1986.
Dy herë rresht në intervistat e tij të sipërcituara (2006 dhe 2010) Ramiz Alia nuk ngatërrohet tek “gabimi” i tij për vitin kur i erdhi nga Buones Airesi paketa me gjashtë faqet në spanjisht e të përkthyera shqip. Këmbëngul se ngjarja ka ndodhur në 1987. Kjo mund të interpretohet edhe si një harresë normale, pra si një veprim i pavullnetshëm që provon se për Alinë nuk kishte fare rëndësi ai dokument i ardhur me aq ngut. Ishte, me një fjalë, një e ndodhur rutinë, në dosjen e punës së një njëzetë e katër orëshi një grimcë e saj.
Ndërkohë i ka të gjitha të drejtat edhe interpretimi i kundërt: ai mund ta ketë fiksuar mirë në kujtesë gjithçka, por nuk do që ta japë veten, bën shkujdesjen e qëllimshme.
Ajo “pasaktësi” vitesh mund të jetë një përpjekje për t’i rrëshqitur e shpëtuar një akuze, të cilën gazetari Alfred Peza ia paratha në formë pyetjeje: “Materialin e ardhur e keni lexuar me qëllimin që t\'i mbushnit mendjen shokëve tuaj të Byrosë se Mehmet Shehu ka qenë agjent dhe unë meritoja të isha pasardhësi i Enver Hoxhës?”
Në rast se nuk ka një operacion diversioni të nisur që nga Tirana apo prej një qendre tjetër të huaj, vetë e dhëna që erdhi se në arkivin e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Argjentinë ekzistonte një copë letër që shkruante se Mehmet Shehu qe agjent amerikan, në 1986 ishte një fat për tashmë pasonjësin e vetëm të Enver Hoxhës. Ajo ja rriste besueshmërinë jo vetëm variantit të interpretimit që i bëri diktatori (“Tabloja sinoptike”, botuar tek libri “Titistët”, 1982), por edhe vetë Alisë, si vazhdues i enverizmit. Ato çaste çdo gjë që atë e bënte të ngjashëm me Enver Hoxhën qe jetike. Sigurisht këtë nevojë ai e kishte edhe në vitin 1987, ku e shtyn ngjarjen, por mbi të gjitha i duhej më 1986. Ishte ende i brishtë, ndërsa jo vetëm jashtë vendit, por edhe në disa mjedise brenda, aspak të gjithë simpatizantë krahinorë të Mehmet Shehut apo bashkëpartizanë të tij, por shumë më tepër se kaq, e nëpërgojonin, bënin disa hipoteza të çuditshme, pse jo edhe të frikshme. Ato thonë se ai ka dorë të tërthortë në jetëmarrjen e ish-kryeministrit, të drejtpërdrejtë më pas në fatin e familjes së tij.
Pra në vitin 1986 Ramiz Alia në variantin më të thjeshtë të zhvillimit të ngjarjes, pra kur ai dhe ata të cilët punonin për të, qenë të papërzierë, kishte nevojë për një provë, qoftë edhe propagandistike, se Mehmet Shehu atë vrasje politike dhe fizike ia kishte bërë vetes. Këtë merak pasonjësi i Hoxhës e kishte atëherë, e përjeton fort edhe tani. Jo vetëm në librin “Jeta ime”, të cilin e ka konsideruar si testamentin e vet politik, por edhe në intervistat që me këtë rast ka dhënë, ngul këmbë në këtë shprehje: Ja ka bërë vetes. Pra ishte Mehmet Shehu që me fejesën e të birit në një rreth familjar që nuk i përmbushte kriteret ideologjike dhe klasore të një udhëheqësi të Partisë së Punës, i hapi vetvetes një të çarë të thellë, i vetshkaktoi një plagë. Ishte po vetë ai që e shkrepi revolverin drejt e në zemër.
Vështruar dhe kuptuar kështu Ramiz Alia i ka të gjitha arsyet t’i gëzohet lajmit për praninë e një dokumenti apo të një pseudoje të tij, çka ia pati konfirmuar jo një simpatizant i thjeshtë, por një person i rëndësishëm i administratës shtetërore, një ambasador. Në rastin më ekstrem atij mund t’i mjaftonin edhe vetëm radiogramet me njoftimin e gjetjes, por përse të mos vinte ai material edhe në origjinal? Të rrëmbehej po të ishte e mundur, të punohej ditë e natë që ta shtinin në dorë dhe ai ta kishte në tryezën e punës. Kështu dokumenti i hamendësuar si i CIA-s, të cilin Alia e devijon si “letrën e një amerikani”, erdhi dhe pasi e pa, e quajti të domosdoshme të bënte publik në mbledhjen e një forumi të lartë partiak. Nuk zgjodhi rrethin e ngushtë të Byrosë Politike, veprim që do ta shpëtonte nga akuza që i pohon gazetarit Peza (“Unë e lexova se erdhi, se po ta kisha futur në sirtar,...po të mos e kisha lexuar sot do të ngriheshin të gjithë dhe do të thoshin “Pse e ke fshehur?”). Ramiz Alia pa më të domosdoshme një mjedis më të gjerë, vetë aradhen e madhe të anëtarëve dhe kandidatëve të Komitetit Qendror. Pastaj pohon se nuk pranoi që mbi të të flitej në atë mbledhje, sepse do të qe “diskutim në erë”.
Mirëpo në rast se qe i bindur që dokumenti ishte i tillë Alia nuk duhej ta lexonte. Mjaftonte ta fuste në arkiv. Me kaq ishte korrekt me vetveten, me shtetin, opinionin publik, të vërtetën. Po të hidhte firmën për arkivimin e materialit “diskutim në erë” të ardhur nga Argjentina askush në të ardhmen nuk do ta akuzonte se e kishte fshehur, sepse ia kishte dorëzuar historisë së vendit dhe mospërdorimit të tij për qëllime politike. Përgjegjësi e rëndë mbi të do të binte po qe se dokumentin e ardhur në rrugë sekrete do ta fuste në kasafortën e tij siç Hysni Kapo dhe Enver Hoxha bënë në vitin 1964. Apo në rast se shkonte më tej, ta ruante jashtë zyrës, në një kënd të fshehtë privat.
Bërja publike e trefaqëshit u krye sepse ka mjaft të ngjarë që ai dokument të qe thurur edhe për këtë qëllim, saktësisht për këtë mënyrë përdorimi. Sa herë që e lexon, edhe pse ka forcën për të të zotëruar e mbushur mendjen se ke të bësh me një material agjenturor shumë special, ai duket njëkohësisht si tipik nga ata që synojnë influencimin në një opinion publik të caktuar.
Ramiz Alia e lexoi vetë dhe me tonin e duhur. Nuk kërkoi më pas ndonjë diskutim, sepse qe fare e panevojshme. Po t’i duhej do ta bënte e shumë vite më pas do ta justifikonte këtë me çdo sofizëm, si përshembull “Respektova edhe mendimin e anëtarëve të Komitetit Qendror. Po t’i pengoja të flisnin do të më akuzonin përse ua kisha mbyllur gojën”.
Trefaqëshi nuk u la si objekt debati sepse efekti me atë lexim ishte maksimali i arritshëm. I lexuar me mjeshtërinë e një politikani të stërvitur ai qe një sugjestionim. Po të hynte në mes kori servil i mbështetësve kjo forcë trallisëse do ta dobësonte magjinë e saj.
Që materiali i ardhur nga Buones Aires për Ramiz Alinë qe mjaft i nevojshëm mund t’i drejtohemi edhe një rrethane tjetër: Kongresit të 9-të të Partisë së Punës të Shqipërisë. U mbajt nga 3 deri në 8 nëntor 1986. Nga pasonjësi i Enver Hoxhës ai u quajt edhe Kongresi i Vazhdimësisë. Qe kuvendi i parë i punistëve shqiptarë pa udhëheqësin e tyre historik dhe sigurisht për nga përmasat prijësi i ri qe mjaft më minor, shumë i imtë, i paheqshëm, por i zvogëlueshëm. Kështu atij i duhej që t’i avitej sadopak shtatit të paraardhësit, imazhit të tij, dhe për aq sa kishte mundësi kjo bëhej vetëm nëpërmjet shfaqjes së besnikërisë absolute. Jo duke bërë nxënësin, absolutisht. Kjo do të qe shumë shpejt fatale, por edhe përbuzëse. Nuk do ta ketë pëlqyer edhe emrin Pasues, të paktën si tingëllim fonetik. Kështu projektin e vet politik e shpalli si Vazhdues. Kjo fjalë ruante fare mirë edhe kuptimin e Udhëheqësit.
Në një përmbajtje të tillë të zhvillimit të ngjarjeve edhe çdo sulm ndaj Mehmet Shehut qe i shumëdëshiruar, madje tepër i nevojshëm, në mos i pashmangshëm.
Në Kongresin e 9-të në fjalën e tij të titulluar “Raport mbi veprimtarinë e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe detyrat për të ardhmen”, pasi nis me fjalët e njohura “Të dashur shokë e shoqe delegatë”, paragrafi i parë fillon “Kemi ardhur në këtë Kongres për të bërë bilancin e punës e të luftës sonë...”, pak rreshta më pas i dyti vijon “Pas pak ditësh do të festojmë 45 vjetorin e themelimit të partisë...” dhe paragrafi i tretë rreshton fjalët “Partia vjen në këtë Kongres e bashkuar në radhët e saj…”.
Në librin kapakkuq të botuar e të shpërndarë në Kongres paragrafi i katërt është mezi i faqes së dytë, në krahasim me tre të tjerët edhe pothuaj dy herë më voluminoz. Ai thotë “Një fitore e madhe për Partinë e popullin tonë ishte zbulimi dhe shpartallimi i komplotit të poliagjentit Mehmet Shehu dhe i bandës së tij kriminale. Rreziku që ata përfaqësonin për lirinë e pavarësinë e atdheut dhe për të ardhmen e socializmit në Shqipëri mund të merret vetëm me mend, por nuk mund të llogaritet. Partia e ka analizuar thellë këtë veprimtari armiqësore dhe faktet janë të njohura. Ne mund të themi se tanimë janë likuiduar me sukses pasojat e kësaj veprimtarie në Parti, në ekonomi, në organet shtetërore, në ushtri e në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Shpëtimi nga ky rrezik i madh rriti edhe më shumë vigjilencën revolucionare e frymën luftarake të Partisë e të popullit, i bëri ata më të vendosur e më syhapur në luftën kundër armiqve të brendshëm e të jashtëm, u dha krahë të rinj, i bëri edhe më optimistë, u shtoi akoma edhe më shumë besimin në të ardhmen”.


Për Mehmet Shehun dhe çështjen e tij Ramiz Alia shkruan më gjatë dhe më posaçërisht në “Jeta ime”. Në rast se para këtij çasti, verë e vitit 2010, çfarë ka thënë nëpër intervista një ditë do të konsiderohet si opinion kalimtar, në librin testament besohet se duhet të jetë i shkruar qëndrimi i tij më i plotë. Të paktën për të më i dëshirueshmi dhe më i nevojshmi. Duke qenë se Alia e di këtë, pra domosdoshmërinë prej tij të ngulitjes së interpretimit përfundimtar të ngjarjes, natyrshëm mund të arsyetohet se tek “Jeta ime” e ka formuluar në mënyrën që gjykon se duhet të qëndrojë për të gjitha dekadat e ardhshme.
Njeriu që pati fatkeqësinë të ishte diktatori i dytë i shtetit “socialist” dhe ndërkohë të mbarin fat për të qenë presidenti i parë i Shqipërisë me shumësi partish, në librin e tij mes të tjerash shkruan “Veçse dua të theksoj se, disa vite më vonë, diku nga viti 1987 ose 1988, përsëri në një nga ambasadat tona, kësaj radhë në atë të Argjentinës, një person kishte lënë një letër drejtuar \"Qeverisë e Partisë shqiptare\". Në këtë letër, që ambasadori ynë ia përcolli Tiranës, thuhej se “kartelat që i janë dorëzuar ambasadës në Vjenë ishin të vërteta”.
(Këtë herë Ramiz Alia vitin i ndodhjes së ngjarjes në Buones Aires e largon edhe më nga koha e vërtetë. Vazhdon manovrën: nuk bën praptazi asnjë ditë. E shtyn vetëm përpara. Ndërkohë përbën një përpjekje të re mjegulluese me interpretimin sikur në adresë të “Qeverisë e Partisë shqiptare” nuk kishte mbërritur një dokument zyrtar i arkivës së ambasadës amerikane në Argjentinë, i rrëmbyer me urdhër nga Tirana, por thjesht një letër personale e një individi. Dihet po ashtu që në materialin e ardhur deri në duart e tij nuk thuhet se “kartelat që i janë dorëzuar ambasadës në Vjenë ishin të vërteta”. Tregtari argjentinas Hernando Farrani nuk dinte asgjë për një dokument simotër të vitit 1964).
Sidoqoftë Alia, shumë i pasaktë në vite, është mjaft preciz në mënyrën e njëjtë të rrëfimit të ngjarjes. Edhe në dy nga intervistat e cituara ai ka dhënë përgjigjen: “...një amerikan dorëzon një letër, ku thuhej se: Ato dokumente që ju janë dhënë në vitin 1964, janë të vërteta” dhe “...ambasadori ynë në Argjentinë merr nga një njeri prapë, një amerikan, një letër, në të cilën thotë se dokumentet që u janë dhënë ju në Vjenë janë të sakta”.
Pra për Alinë është e domosdoshme të spikatë idenë se hera e dytë konfirmonte të parën, 1964-tën. Mbi vetëm këtë të dhënë të fundit dhe pa ditur të parën, sipas trefaqëshit të marrë nga ambasada amerikane në Buones Aires marrëveshjen konspirative të ish-kryeministrit me CIA-n në shtator 1960, Enver Hoxha pati ngritur muret e ngrehinës së tij “Tabloja sinoptike...”. Si pasues i tij edhe vetë Ramiz Alia e ruajti dhe e mbrojti për shumë kohë të njëjtën pikëpamje: Mehmet Shehu qe agjent.
Përdorimi i kësaj fjale, agjent, është kyçi i denoncimit.
Në trefaqëshin spanjisht thuhej saktësisht “Në shtatorin që porsa kaloi, u zhvillua në Nju Jork një mbledhje me një mik, të cilin po e quajmë M-008, udhëheqës i qeverisë shqiptare. Me atë u arritën një sërë përfundimesh: M-008 u zotua të marrë pushtetin, të zëvendësojë plotësisht Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij”. Po ashtu në përmbyllje të dokumentit nis kjo frazë: “Po japim një shpjegim mbi agjentin për ta pasur në kujtesë në të ardhmen...”.
Në “Jeta ime” kjo fjalë përdoret po ashtu edhe nga Ramiz Alia. Kur shpjegon ngjarjen e vitit 1964 shkruan: “Ishin disa kartela në gjuhën angleze..., nuk ishte e vështirë të kuptoje se ato ishin kartela të një agjencie spiunazhi, në të cilën emri i M. Shehut përmendej vazhdimisht...Nga leximi i tyre dilte se M. Shehu ishte rekrutuar si agjent i Inteligjent Servisit anglez në një kamp, diku në Francë, ku gjendeshin ish-vullnetarë të Luftës së Spanjës...”.
Jo vetëm këto fjalë, por edhe shumë të formuluara prej Alisë prej prillit 1985 deri në një prill tjetër, atë 1992, kur u dorëhoq nga funksioni i Presidentit të vendit, duan të lënë përshtypjen se ishte apo nuk qe Mehmet Shehu realisht agjent, ishin të vërtetë a falsë materialet e fshehtë të viteve 1964 dhe 1986, të paktën formalisht i fundit vërtetonte të parin dhe për pasojë të dy “Tablonë sinoptike...”.


Për sa i përket marrëveshjes konkrete, kokë më kokë, që kryeministri pati bërë me përfaqësues të CIA-s, në dokumentin e rrëmbyer në Buones Aires shënohet se takimi i njerëzve të agjencisë amerikane të zbulimit me Mehmet Shehun ka ndodhur në Nju Jork. Koha: shtator 1960. Në “Tablonë sinoptike” Enver Hoxha shkruan se momenti i marrëveshjes reale ka ngjarë në vitin 1972. Në këtë rast prej Hoxhës nuk përmendet as muaji.
Ai shkruan “Mehmet Shehu, më 1972, shkoi në Paris për një operacion, i shoqëruar po nga ai ekip që e shoqëronte në OKB dhe me të shoqen, Fiqiret Shehun. Atje mori kontakt me një personalitet të CIA-s amerikane, i cili i tha: \"Ç\'po bën, u plake, duhet të veprosh!\"
Mehmet Shehu i raportoi atij për gjendjen dhe për komplotet që po përgatiteshin (Beqir Balluku e Abdyl Këllezi me shokë). CIA i rekomandoi të veprojë, por pa u komprometuar vetë. I dha tre variante për eliminimin e Enver Hoxhës: 1) me aksident automobilistik; 2) me atentat me pushkë nga larg; 3) me helmim me veprim të vonuar. Iu la në dorë Mehmet Shehut, të vinte në veprim atë variant që do të gjente më të mundshëm.
Nëpërmjet Feçor Shehut, të njëjtat udhëzime i erdhën Mehmet Shehut edhe nga UDB-ja jugosllave, e cila ishte plotësisht në ujdi me CIA-n...
Mehmet Shehu u urdhërua pra nga CIA amerikane, të thurte plane konkrete për përmbysjen e gjendjes në Shqipëri në favor të Perëndimit, të hidhte në veprim e të nxiste në këtë drejtim agjentët e njohur ose të panjohur të tij, pavarësisht se të kujt ishin, jugosllavë, grekë, anglezë, italianë e të tjerë, por duke mos u kompromentuar ai vetë.
Filloi kështu zbatimi i planit të ramifikuar komplotist, i organizuar nën rrogoz nga Mehmet Shehu.
I-Veprimtaria armiqësore e Fadil Paçramit dhe e grupit të tij në fushën e kulturës, të arteve dhe të Radiotelevizionit për degjenerimin e vijës në këto fusha....II-Më 1973 u vu në veprim grupi i Beqir Ballukut, që përgatiste puçin ushtarak me tezat e zeza, me \"teorinë e rrëshqitjes\", për lënien e bregdetit e qyteteve agresorëve imperialistë...III-Mehmet Shehu, dhe këtu më drejtpërdrejt, ndërkohë vuri në lëvizje njerëzit e tij, Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin e Kiço Ngjelën, për të sabotuar në fushën ekonomike, veçanërisht në naftë e në bujqësi, për të çorganizuar ekonominë e vendit, duke filluar organizimin e futjen e formave vetadministruese jugosllave në të”.
Kjo është “Tabloja....” e Enver Hoxhës e bërë publike në vitin 1982, ndërsa materiali i fshehtë që i erdhi në duar Ramiz Alisë në 1986, duke pohuar se marrëveshja me kryeministrin shqiptar kishte ngjarë njëzetë e gjashtë vite të shkuara, në 1960, në Nju Jork, shprehet: “M-008 u zotua të marrë pushtetin, të zëvendësojë plotësisht Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij... Propozon të veprojë kështu: Të ftojë për drekë Hoxhën dhe t’i hedhë në pije helm me veprim të vonuar për të shkaktuar vdekjen e tij. Agjenti ynë na tha se kjo është e vetmja rrugë”.
Tek bën këtë krahasim të dy interpretimeve të vjen natyrshëm dëshira për të bërë e përsëritur pa pushim pyetjet “Në Paris apo në Nju Jork është bërë pakti për ta vrarë Enver Hoxhën? Në vitin 1960 apo 1972?”
Ja pse prej kësaj mospërputhjeje të parë dokumenti i vitit 1986, në cipë sikur e vërteton atë të vitit 1964, në brendësinë e thelbin e vet provon të anasjellën. E kundërshton.
Kështu dyshimi për trefaqëshin spanjisht nis e të bren.







Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com