Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Buones Aires, një dokument se Mehmet Shehu ishte agjent i CIA-s


(Një cikël me fragmente nga libra të mi, thjesht për pushuesit verorë. Pjesa e mëposhtme është marrë nga libri “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”)

Ajo që i kishte thënë punonjësi i ambasadës amerikane ngjante me akuzën bërë ish-kryeministrit pas vdekjes si agjent i shumë shërbimeve të huaja të fshehta dhe ku CIA dhe ShBA luanin rolin e parë. Kur në orën 20.00 të 18 dhjetorit 1981 nga radio, televizioni dhe agjencia e vetme e lajmeve të Tiranës u shpërnda njoftimi për humbjen e jetës së Mehmet Shehut me shpjegimin se ishte pasojë e një krize nervore, atij, me punë ato çaste në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i ra në sy që media e huaj e riktheu menjëherë jehonën në një reagim tërësisht mosbesues. Asaj iu qe dukur shumë më i mundshëm varianti si ngjarjen e fortë dhe të papritur e komentoi Beogradi: kryeministri qe vrarë në mbledhjen e Byrosë Politike si pasojë e një shkëmbimi zjarri mes tij dhe njerëzve besnikë të Enver Hoxhës.
Kur pak ditë më pas Tirana u hodh në kundërsulm dhe shpërndau interpretimin e saj të dytë, sipas të cilit Mehmet Shehu qe vetëvrarë sepse po zbulohej si agjent i shumëfishtë i disa shërbimeve të fshehta të huaja, kjo për mediat dhe opinionin publik ndërkombëtar nuk solli ndonjë kthjellim. Pothuaj as e përfillën. Veç u duk se ndikoi tek shumica e marksistë-leninistëve të lidhur ideologjikisht me Tiranën si edhe tek një pjesë e simpatizantëve të thjeshtë të saj.
Të paktën u la përshtypja se ky shpjegim i ri e dobësoi disi variantin agresiv dhe triumfues të Beogradit.
Sidoqoftë atë kohë ambasadori pati vënë re se ajo që kishte deklaruar Enver Hoxha nuk ua kishte mbushur mendjen mjaft miqve intelektualë të Shqipërisë. Kur në vitin 1984 nisi punën e diplomatit të parë të vendit të vet në Argjentinë pa se nuk kishte gabuar shumë në arsyetimin e tij të mëparshëm. Vetëhumbja e ish-kryeministrit mbetej një ngjarje thellësisht e ndërlikuar. Ajo zotëronte një forcë të madhe për të krijuar pështjellim të vazhdueshëm. Prej çdo këndi që ta interpretoje ajo asnjëherë nuk dukej tërësisht e sqarueshme. Kishte aq shumë elementë të pashpjegueshëm sa çdo analizë e mëpasshme në vend ta pakësonte e shtonte mjegullën e misterit.
I kujtohej se Enver Hoxha e pati denoncuar ish-shokun e tij të luftës çlirimtare dhe të pothuaj dyzetë viteve të mëpasshme me çdo të dhënë që dukej se e kishte marrë nga burime afër tij apo edhe nga çfarë thuhej se kishin pranuar në seancat gjyqësore bashkëshortja e Shehut e disa të tjerë të arrestuar. Megjithatë ndërsa siguronte se kishte në dorë disa kartela spiunazhi, në të cilat shkruhej se ish-kryeministri fillimisht qe rekrutuar nga britanikët, gjithsesi në akuzë mungonte një dokument themelor që provonte se pat pasur si detyrë të ngarkuar, bashkë me ndryshimin e sistemit politik, edhe eliminimin fizik të Hoxhës
Dhe ja tani, në një mbrëmje të vonë të vitit 1986, ku dhe kur nuk e priste më askush, ndërsa ngjarja qe mbyllur me kohë, ai dokument i shumëkërkuar ishte shfaqur. Madje qe afruar. Kjo donte të thoshte se mund edhe të shtihej në dorë.
Me Farranin u ritakua të nesërmen. Ndërkohë në mbrëmjen e mëparshme i kishte nisur ministrit një teleks të shifruar ku i pati shpjeguar gjithçka dhe i kërkonte udhëzim si të vepronte më tej.
-“Si e quajnë amerikanin?”, - pyeti mikun.
Tjetri ishte gati.
-“Quhet Mendes. Është argjentinas”, - u përgjigj.
Ra heshtje. Të dy dukej sikur kërkonin fjalët që do të përdornin më pas.
-“Përherë e më shumë mendoj se mos është lojë?’’, foli mendueshëm ambasadori. Tjetri nuk reagoi. Në të vërtetë e dalloi se ajo nuk qe një pyetje e drejtpërdrejtë për të, por më shumë për vetë diplomatin e parë të Tiranës. Ky dukej si i zënë në ngërç. Ngjarja për udhëheqjen politike shqiptare ishte aq e papërfytyrueshme dhe e bujshme, aq fort befasuese, për të aq afër një lartimi në karrierë si edhe po aq theqafjes, sa qe i bindur se mund të ecte përpara më i sigurt në rast se ndaj saj do të zgjidhte mosbesimin. Nuk duhej në asnjë mënyrë që pas atij lajmi të sjellë nga Hernando Farrani të linte mendjen e të vraponte verbërisht. Që prej çastit kur e mori, besonte se ekzistencën e dëshmisë dokumentare me provën mbi ish-kryeministrin si një shumëspiun, nuk mund ta kishte vendosur një arkivist i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Buones Aires dhe as pas tij madje edhe vetëm diplomati i saj i parë.
Ja pse ende pa ardhur udhëzimi nga Tirana do të kryente vetë disa verifikime. Pyetjen për emrin e punonjësit të ambasadës amerikane e bëri sepse duhej të depërtonte patjetër në këtë mister. Ai nuk gjente brenda vetes aq forcë sa ta bindte që gjithçka ishte pa në mes asnjë vjegë interesi. Qoftë edhe përfitimi të një shume paresh. Nëse nuk ishte manovër përfitimi privat atëherë kishte shumë të ngjarë që Farrani, pa e ditur as vetë, qe zgjedhur nga CIA të dërgonte në Shqipëri një mesazh. Doemos për të parin e shtetit, Ramiz Alinë. Ndoshta qe shenja e një grishjeje për t’u afruar.
-“E shpjegoi përse e bënte Mendes gjestin e rrëfimit?”
Pyetja e ambasadorit i erdhi Farranit kur edhe ai qe zhytur në mendime. Megjithatë u përgjigj në çast.
-“Jo”.
Pastaj shtoi “Këtë pyetje ja kam bërë edhe vetes. Cili motiv e ka shtyrë?”
Diplomati i parë i Shqipërisë në Argjentinë e uli vështrimin tek duart e tij të kapura aq fort me njëra me tjetrën sa dukej sikur gishtërinjtë e kapërthyer, kur të donte t’i ndante, nuk do të çliroheshin dot.
-“Marrim nga një kafe njëherë”.
Dy minuta më pas e rinisën bisedën nga po i njëjti lëmsh: një dokument aq shumë sekret përse arkivisti i ambasadës amerikane donte tua bënte të ditur autoriteteve shqiptare. Nuk i dhanë dot një shpjegim edhe kur takimi i tyre e mbushi një orë dhe më në fund vendosën të ndaheshin e iknin. Sidoqoftë oferta nga njëra palë qe bërë dhe të dy ishin të të njëjtit mendim se nuk kishte asnjë arsye, edhe pse nuk e zbulonin dot motivin, të mos e vijonin ndjekjen e ngjarjes më nga afër. Ambasadori nuk ja tha Hernando Farranit se ai e kishte informuar menjëherë Tiranën dhe më pas do të veprohej siç porosiste ajo. I la të kuptojë se ndërkohë, po të ndodhte që Mendes t’i shfaqej sërish dhe t’ia hapte të njëjtën temë bisede, ai nuk duhej ta refuzonte.
U ndanë duke i shtrënguar fort duart njëri-tjetrit, por pa e përcaktuar ditën e ritakimit.
U mbyll ajo javë pune, po ashtu edhe e diela. Ambasadori e priti me durim reagimin nga Tirana. Duke qenë punë e ndërlikuar para se nga ministria do t’i vinin udhëzimet me siguri eprorët do të këshilloheshin në Komitetin Qendror të Partisë, mbase edhe me vetë Ramiz Alinë.
Kur e hëna kaloi në rutinë, e marta po ashtu dhe e njëllojtë mbërriti edhe e mërkura ambasadori ndjeu ankth. Përse po vonohej përgjigja?
Të enjten e mbytën parandjenjat se në ministri teleksi i shifruar për dokumentin sekret në ambasadën amerikane të Buones Airesit më shumë po i prishte punë se i ndreqte. Nuk e donin të gjithë, veçanërisht një zëvendësministër. Pse jo edhe ndonjë tjetër nga ata të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët i kishin zyrat në katin e fundit të godinës së Shërbimit të Jashtëm dhe të dy palët bashkëpunonin për punët e fshehta të shtetit. Prej tyre jo të gjithë nostalgjikët e Mehmet Shehut qenë zbuluar e spastruar.
Të premten prej një radiogrami të hapët të ardhur nga qendra mësoi se ministri Reiz Malile prej disa ditësh nuk ndodhej në Tiranë, por në Nju Jork. Kryesonte delegacionin shqiptar në sesionin e radhës të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ndjeu një farë qetësimi. Teleksi ishte adresuar ekskluzivisht për të dhe me siguri nuk i kishte rënë në dorë. Përveç detyrimit që si ambasador të komunikonte vetëm me ministrin vetë çështja e ndërlikuar e të dhënës se ishin gjetur gjurmët e një prove dokumentare që dëshmonte profilin agjenturor të Mehmet Shehut do të kalonte medoemos nga duart e Maliles. Ndërkohë përveç arsyes shtetërore ambasadori kishte edhe një shtysë tjetër që e siguronte se eprori i tij, po t’i kishte hyrë në zyrë, nuk do ta anashkalonte lajmin e ardhur nga Buones Airesi. Bashkëshortja e parë e Reiz Maliles, humbur jetën në një aksident tragjik avioni në vitin 1963, kishte qenë motra e Ramiz Alisë.
Tashmë ishte i qartë që teleksi kishte mbetur në ndonjë nga dosjet e zëvendësministrit që nuk e donte dhe hë për hë duhej të mos shkaktonte asnjë shamatë. Ta zgjonte problemin kur të rikthehej në Tiranë titullari.
Dhe pikërisht atë ditë të premte e ndihmoi fati. U ndje vetë ministri që nga Nju Jorku. Shqipëria nuk kishte lidhje telefonike direkt me jashtë dhe duke qenë se përfaqësitë diplomatike nëpër botë me qendrën e tyre në Tiranë lidheshin nëpërmjet aparaturave me sinjalin Mors, Reiz Malile kur vinte në Nju Jork u bënte nga një telefon të gjitha ambasadave që kishte në kontinentin e Amerikave. I pyeste për shëndetin, familjet e pastaj edhe për punën.
Në fund të bisedës ambasadori i tha “Për ndonjë gjë që pret përgjigje na thoni qoftë edhe një fjalë. Nuk duam vlerësime, por të paktën të dimë nëse jemi në rregull apo jo”.
Tjetri e kuptoi menjëherë dhe e pyeti “Si është puna?”
Ambasadori bëri pauzën e mjaftueshme për t’u kuptuar se ishte një çështje nga ato që nuk mund të thuheshin në telefon.
-“Kam qenë këtej dhe me t’u kthyer do të flasim përsëri”, reagoi menjëherë tjetri.
Reiz Malile u fut në zyrën e tij në Tiranë pas tre ditësh. Me ta lajmëruar se kjo kishte ndodhur ambasadori nisi telegramin e shifruar “Ju lutemi na jepni një mendim lidhur me teleksin tonë të datës....”.
Pak orë në vonë në Buones Aires mbërriti udhëzimi i parë. Këshillohej të bënte kujdes mos gjithçka qe një provokim i rëndomtë, mos ishte montazh fals apo edhe një kurth i tipit agjenturor. Për të shmangur hedhjen e ndonjë hapi bosh porositej që për vërtetësinë e atij lajmi të bindej më së pari vetë. Porositej po ashtu të ritakohej edhe njëherë me njeriun që e kishte sjellë të dhënën e papritur dhe të shkohej më tej, t’i kërkohej të sillte një provë të dytë: të zbulonte se çfarë kishte dokumenti në përmbajtje. Duke filluar nga ky çast, pati shënuar me dorën e tij ministri, duhej të ndiqeshin nga shumë afër veprimet e Hernando Farranit.
Ambasadori tashmë qe i qartë. Më tepër se nga Mendes këto çaste të para dëshminë e besimit duhej ta merrte prej mikut argjentinas. Pastaj do të vinte koha e provës për njeriun që ishte paraqitur si arkivisti i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Tek e rilexoi mesazhin e ministrit lëshoi një si psherëtimë të zgjatur. Kishte hyrë në një valle që duhej çuar gjer në fund. Edhe pse pati shpresuar, thellë brenda vetes e kishte pritur edhe reagimin tjetër të Tiranës: urdhrin e prerë që ta braktiste tundimin për atë lajm. Mehmet Shehu kishte pesë vite që ndodhej nën tokë, në një varr të paditur. Kujtimi i tij nuk kanoste asgjë dhe asnjë.
Ndërkohë Hernando Farrani ende nuk bëhej i gjallë. Ambasadori duroi. Nuk donte të ngutej e kështu të tërhiqte vëmendjen.
Pas çastit që nga Tirana pat mbërritur udhëzimi Miku i tyre argjentinas e tingëlloi zilen ditën e tretë. I tha se të nesërmen shoqata e tyre e biznesit kishte një takim ku pritej të vinin edhe diplomatë të huaj. Atëherë ambasadori shtoi se po të qe i lirë në fillim të javës së pritshme mund të ritakoheshin. “Ku?”, pyeti tjetri. “Ku të duash”, i erdhi përgjigja. “Po vij në ambasadë”, vazhdoi Farrani. “Po të pres të martën pasdite”, mori përgjigjen e dytë.
Ambasadori nuk lëkundej në sinqeritetin e mikut të tyre, tanimë i druhej vetëm ndonjë naiviteti. Duke e dashur shumë Shqipërinë mbase Hernando e zmadhonte ngjarjen që i pat ndodhur.
U ritakuan të martën dhe dalloi tek argjentinasi padurim për ta çuar bisedën tek bashkëkombësi i tij Mendes. Megjithatë në dhjetë minutat e para ambasadori i qëndroi larg asaj teme. Qe Farrani që i tha se në takimin e ri të biznesmenëve arkivisti i ambasadës së Shteteve të Bashkuara nuk kishte ardhur. Atëherë fare shkujdesur diplomati i parë i Tiranës e pyeti në se do të ishte vërtet e dobishme që në rast se ai, i cili e kishte vënë në lëvizje, nuk kujtohej më për të, ta ndiqnin nga pas atë ngjarje. Po ta ngisnin a nuk rrezikonin të binin në ndonjë provokim të rëndomtë. Çfarë kishte dashur të komunikonte Mendes e kishte bërë. Pat folur për një plan operacional që do të kryente ndërrimin e sistemit politik në Shqipëri mote të shkuara e që kishte dështuar. Vetë emrin e politikanit të CIA-s në Tiranë, edhe ajo një punë e shkuar, e dinin. A nuk do të qe më e mira të prisnin në se vetë Mendes do t’i shkonte gjer në fund zellit të tij.
Hernando Farrani ia nguli sytë. Fjalët që shqiptoi, si në ekranin e një filmimi të ngadalësuar, i ndau shumë nga njëra-tjetra: “Mendes më tha saktësisht “Në qoftë se dëshiron të njihesh me këtë gjë, për kuriozitet, mund të të ndihmoj”.
Ambasadori pohoi me kokë: “Saktësisht këtë po them. Në rast se ai pëlqen t’i shkojë gjer në fund sipërmarrjes së tij le të të takojë e të shpjegojë përmbajtjen e atij dokumenti”.
Farrani ende nuk ia kishte larguar vështrimin e tij ngulmues, por tashmë pak të hutuar.
-“Por kjo nuk vete, nuk shkon”, tha me të shpejtë, “Mendes la qartë të kuptojë se ai do të më ndihmonte në rast se unë kisha ndonjë dëshirë të njihesha me atë dokument shumë sekret”.
Ambasadori vuri buzën në gaz. Në analizën që ai i kishte bërë asaj ngjarjeje shprehja “Në qoftë se dëshiron të njihesh me këtë gjë, për kuriozitet, mund të të ndihmoj” ishte kyçi. Në mënyrën se si qe formuluar dallohej silueta e lojës agjenturore. Sipas skemës së parashikuar të saj Hernando Farrani ishte gjetur si përcjellësi më i mirë i montazhit të CIA-s, sepse argjentinasi me siguri do tua thoshte këtë njerëzve të ambasadës shqiptare dhe këta menjëherë Tiranës. Prej saj patjetër do të vinte një reagim. Amerikanët po rrinin në pritje të këtij të fundit. Po të kërkonte Mendes ta ritakonte Hernandon amerikanët jo vetëm do të dëshmonin ngutje të rëndomtë provokatori, por do t’u hiqej mundësia për të kuptuar qëndrimin e drejtuesve politikë të Shqipërisë. Matja e pulsit të tyre niste pikërisht që nga çasti kur do të qe Farrani kërkuesi i ritakimit.
-“Të shohim në se Mendes do të afrohet sërish”, - tha ambasadori.
Tjetri ndihej akoma më shumë i hutuar se më parë. Biseda e tyre po mbyllej e mjegullt. U ndanë shumë shpejt, pa e lënë nëse ritakimi do të qe shumë i afërt.
Në teleksin e koduar që nisi drejt Tiranës i shprehu ministrit mendimin se sipas tij miku i tyre argjentinas qe i pastër dhe se dëshironte ta çonte punën e vet ndihmuese për Shqipërinë gjer në një bisedë të dytë me arkivistin e ambasadës amerikane. Ishte i gatshëm të përpiqej që prej tij të merrte një përmbledhje qoftë edhe të shkurtër të përmbajtjes së dokumentit top sekret.
Nga ministri i Punëve të Jashtme përgjigja mbërriti e shkurtër: Udhëzonte që Hernando Farrani të kërkonte takim me Mendesin, madje që në rastin e parë, po të mundej. Duhej patjetër të siguronte çfarë në vija të përgjithshme thoshte dokumenti i fshehtë. Po të mundeshin më shumë do të qe akoma më e vlefshme.


Këtë herë për ta ritakuar e telefonoi vetë Farranin. Nga e papritura ky e la habinë t’i dukej e gjitha në zërin e emocionuar. “Okej”, u përgjigj, “Jam gati”.
U ulën në kafen afër ambasadës, por jo në qoshen e tyre të pëlqyer. E kishin zënë të tjerë.
Ambasadori i kërkoi menjëherë nëse e kishte të mundur t’i afrohej vetë Mendesit dhe jo të priste çfarë do të bënte ai. Hernando tundi kokën me një buzagaz të çelët. “Avitu tek ai jo vrullshëm”, vijoi diplomati i parë i Shqipërisë në Argjentinë. Farrani dëgjonte sërish buzagaz, përherë duke tundur kokën.
-“Kërkoji qoftë edhe dy-tri fjalë mbi përmbajtjen e dokumentit”, - vazhdoi ambasadori.
Hernando vetëm e dëgjonte.
-“Sidoqoftë”, - nguli këmbë diplomati shqiptar, - “Nëse amerikani do të kërkojë ca kohë për ta hedhur këtë hap, pranoje”.
Tashmë Farranit i përndritnin sytë.
-“Do të bëj të pamundurën”, - premtoi.
Ambasadori deshi t’i merrte dorën e t’ia shtrëngonte fort, por ajo qe larg, matanë syprinës së tavolinës, tek dridhej lehtas nga emocioni.
-“Po sikur...”, - rinisi Hernando, - “Po sikur....”.
-“Çfarë?”, - pyeti tjetri.
-“Po sikur t’i kërkoj Mendesit të ma sigurojë fizikisht atë dokument, pra një kopje të origjinalit?”
Ambasadorit shqiptar iu përplasën në mendje njëherësh dëshira për t’ia miratuar dhe mohuar idenë. Në përgjigje shtegun e gjeti fjala “ndoshta”, por as ajo nuk doli.
-“Tani për tani është shumë”, - nisi të sqaronte, - “Të paktën në fillim duhet të kërkojmë pak. Ai e ka lexuar materialin, le të të thotë cili është thelbi i tij, emri i udhëheqësit agjent dhe çfarë do të synonte misioni i tij kundër Enver Hoxhës”.
Farrani tundi kokën “Dakord, dakord!”
-“Sepse po të veprojmë ndryshe”, - vazhdoi ambasadori, - “druhem se ai do të trembet dhe kështu tërhiqet. Ose hyn në ndonjë lojë me eprorët e tij dhe na vënë në dorë ndonjë lëndë false. Kjo mund të na sjellë e shkaktojë dëme në Shqipëri sepse nuk përjashtohet që materiali i pavërtetë të jetë ndërtuar për të ndikuar e hyrë në punët tona të brendshme”.
-“Ju kuptoj, ju kuptoj”, - pohonte herë pas here Hernando Farrani.
Diplomati i parë i Tiranës në Argjentinë donte ta vijonte edhe më tej arsyetimin, t’i thoshte mikut të vendit të tij se një dokument i sajuar për të destabilizuar udhëheqjen, për ta përçarë unitetin e saj, për të hedhur hije mbi këtë apo atë anëtar, do të ishte shumë e rrezikshme. Ca më tepër po të qe se Mendes do të servirte një gjoja material konspirativ kundër Sekretarit të Parë të Partisë, shokut Ramiz Alia. Por asgjë nga këto mendime nuk i derdhi dhe ngurtësoi në fjalë.
U ndanë për t’u takuar në çastin kur Farrani do të kishte rezultatin e parë. Ky e telefonoi pas katër ditësh. E lanë takimin në një restorant. Ishte drekë. Qerasjen e bëri argjentinasi.
-“Piva një birrë me Mendes”, - shpjegoi sapo u ulën në një tryezë shumë të veçuar nga pjesa kryesore e sallës, - “Por nuk ja hapa bisedën. As ai”.
Tek pa që ambasadori shqiptar priste më shumë, shtoi “Por e lamë që të ritakohemi. Ofertën e bëri ai”.
-“Shkëlqyeshëm!”, brofi tjetri.
Drekën e hëngrën me shije dhe u ndanë gjer në lajmin e dytë. Farrani i bëri një telefon në fund të javës. Takimi i ri me Mendesin pat kaluar shumë mirë, veç as ai dhe as amerikani sërish nuk e kishin prekur çështjen e dokumentit sekret. Telefonatën tjetër e kreu pas dhjetë ditësh. Ja kishte dalë. Ia kishte rikujtuar Mendesit se dikur i kishte dhënë një lajm, por edhe një premtim. Që atëherë megjithëse qe përpjekur shumë ta shuante, e pat ngacmuar mjaft ndjenja e kureshtisë. A nuk mund t’i thoshte ndonjë gjë më të plotë nga brendia e dokumentit sekret? Bashkëkombësi që punonte në ambasadën amerikane nuk pati ngurruar, por i kishte pohuar se udhëheqësi i rëndësishëm i shtetit shqiptar i vënë në shërbim të CIA-s, në atë material nuk kishte emër, por një kod. Ai kishte marrë përsipër likuidimin fizik të Enver Hoxhës dhe ndryshimin e kursit politik të Shqipërisë, duke e bërë atë të ngjashëm me modelin jugosllav. Në rast se ky plan bashkëpunimi mes tij dhe shërbimit të fshehtë amerikan për jashtë do të dështonte atëherë në dokument parashikohej marrja në mbrojtje dhe për të vazhduar jetën në emigrim prej autoriteteve të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të shpërblehej me tre milionë dollarë.
-“Bravo!”, - thirri ambasadori. Nga padurimi nuk e kishin bërë ende porosinë për kafe. Lokali ku qenë ulur qe shumë larg ambasadës, gati një orë me makinë. “Tani na duhet vetë dokumenti”, i tha Farranit. “E di”, u përgjigj ky, “Këtë do ta bëj me doemos”.
Radiogrami që nisi drejt Tiranës e solli në Buones Aires përgjigjen me një frymë. Ishte vetëm një urdhër i prerë: “Duhet siguruar me çdo kusht një kopje e dokumentit sekret dhe sa më parë transportuar për në Shqipëri!”
Nuk kishte asnjë fjalë përgëzuese për çfarë qe kryer deri ato çaste. Ambasadorit iu kujtua fjala “valle”. Iu duk vetja i futur dhe i ngecur në rrethin e saj. Qe një fjalë goje të thoshe “siguroheni dokumentin”, por kjo ishte më e vështira, ndoshta edhe më e pamundura, mbase edhe vetë gracka e ndonjë loje spiunazhi. Mirëpo të mos shtihej ai në dorë në Tiranë jo vetëm do ta shihnin si i pazoti, por edhe si njeri që merrej me fjalë dhe për pasojë ngatërrestar.
Për herë të parë ankthi iu bë pezëm. Ndodhej nën një shtypje të fortë. Nga njëra rrinte udhëheqësi më i lartë i partisë dhe shtetit të tij dhe nga tjetra vetë agjentura më e ashpër kundër komunizmit, CIA.
Informacioni i radhës që erdhi nga Hernando Farrani thoshte se Mendes nuk mund ta merrte dot përsipër një kopje të dokumentit top sekret. “Kjo ishte tepër”, kishte thënë, “Le ta linin me kaq”. Ambasadori ndjeu t’i uturinte diçka në veshë dhe e kuptoi qe ishte një ngritje e beftë tensioni. “Mos u dorëzo!”, i thirri vetes. Ia përsëriti të njëjtën gjë edhe Farranit. Ky dukej akoma entuziast. “Do t’ia dalim një ditë!”, siguroi.
Kapërceu me maraz e ankth një gjysmë muaj i tërë. Gjatë gjithë kësaj kohe ambasadori u takua me mikun argjentinas rregullisht, duke këmbëngulur mosngutje.
Kur një paradite Farrani me një zë të ngazëllyer dhe plot nënkuptim i tha në telefon se po ato çaste qe nisur t’i vinte në zyrë u kuptua që operacioni kishte përfunduar me sukses. E priti tek shkallët e ambasadës. Sapo Hernando kapërceu portën dhe hyri në oborr bëri një shenjë të ngjashme me fjalët “Këtu e kam”.
Kur hynë në zyrë dhe u mbyllën në të ajo që Farrani i lëshoi në dorë qe një trefaqësh. Ishte i shkruar në gjuhën spanjolle.
Diplomati i parë e përpiu me sy.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Buenos Aires – Argjentinë
Përkthim i teletekstit nr. 321-40-60, nëntor 1975.
Objekti: Për t’u vendosur në bibliotekën e ambasadës. Shumë sekret. Vetëm për njohje të zotit Ambasador.
Çështja: Shqipëria.
Në shtatorin që porsa kaloi, u zhvillua në Nju Jork një mbledhje me një mik, të cilin po e quajmë M-008, udhëheqës i qeverisë shqiptare. Me atë u arritën një sërë përfundimesh: M-008 u zotua të marrë pushtetin, të zëvendësojë plotësisht Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij. Agjenti ynë ka vetëm një pjesë të pushtetit.
Propozon të veprojë kështu:
Të ftojë për drekë Hoxhën dhe t’i hedhë në pije helm me veprim të vonuar për të shkaktuar vdekjen e tij. Agjenti ynë na tha se kjo është e vetmja rrugë. Për më tepër është e domosdoshme të bëhet sepse Hoxha jeton duke pasur një dashuri të madhe nga masat, të njëjtë si ajo e Gandit. Miku ynë e konsideron plotësisht të mundshme, se do të zgjidhet për të vazhduar Hoxhën dhe me kohë, afërsisht një vit, do të fillojë të zëvendësojë vazhduesit e Hoxhës, duke vendosur në vend të tyre njerëzit e tij të besuar. Në rast se do të fitojë lëvizja, kemi diskutuar një program minimum, i cili vazhdon si më poshtë:
1. Vendosjen e marrëdhënieve zyrtare me të gjitha vendet e Perëndimit më të rëndësishme: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglinë. Konflikti i arit shqiptar do të zgjidhet nga gjyqi ndërkombëtar i Hagës.
2. Shqipëria do të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare të ekonomisë: Fondit Ndërkombëtar dhe organeve të tjera të krijuara me këtë qëllim.
3. Të bëjë paqe me fqinjët e tij (Jugosllavinë dhe Greqinë) për të zhdukur me të parën të gjitha kundërshtimet e ardhura nga lufta personale dhe ideologjike e Enver Hoxhës dhe e grupit të tij dhe duke firmosur me të dytën një traktat të paqes, miqësisë e kooperimit, që hap kufijtë e vendit.
4. Qeveria do të jetë socialiste, nuk do të kthehet në regjimin e mëparshëm. Nuk do të njihen dëmshpërblimet e pronarëve të mëparshëm të tokave, por Shqipëria do të braktisë politikën e saj të izolimit ndërkombëtar.
5. Qeveria e re do të zgjidhet brenda një kohe prej 3/5 vjetësh duke pranuar rilindjen e të gjitha partive politike, në formë të gjerë. Në qoftë se do të dështojë në tentativën e tij e do të zbulohet, agjenti ka kërkuar dhe për këtë është siguruar se do t’i jepet strehim politik në SHBA, në mungesë të këtij në ndonjë vend mik. Për këtë ai ka kërkuar dhe është siguruar se do t’i jepen 3.000.000 dollarë amerikanë.
Me këtë rast është zotuar të denoncojë të gjithë llojet e krimeve, që ai parashikon se do të zhvillohen në Shqipëri nga ana e Hoxhës e vazhduesve të tij.
Po japim një shpjegim mbi agjentin për ta pasur në kujtesë në të ardhmen:
Bëhet fjalë për një njeri shumë ambicioz. I tillë është edhe plani i tij. Nuk ka ndryshuar në ideologjinë e tij. Ai vetëm na bashkohet me çështjen e bashkekzistencës me Perëndimin dhe me fqinjët e tij. I kemi sugjeruar, që deri sa të kryhen veprimet të jetë i bindur ndaj Hoxhës dhe vazhduesve të tij. Në rast të kundërt mund të zbulohet. Kjo do të ishte fatale për suksesin e planit. Të gjitha këto duhet të mbahen parasysh, në funksion të suksesit të planit. Duhet të përgatitemi të kemi marrëdhënie diplomatike të plota.
Tema është e një karakteri shumë sekret. Nuk do t’i jepet ambasadave të tjera. Ambasadori i Buenos Airesit (për këtë njoftoheni nëpërmjet këtij) do të jetë i caktuar ambasador në Tiranë në rast suksesi”.


E rilexoi disa herë atë trefaqesh dhe Hernando Farrani e la të qetë. Qëndroi me durim në heshtje. Edhe ai kur e pat parë, qe tronditur. Nuk mund ta merrte dot me mend që një politikan i vënë në shërbim të një agjencie të huaj zbulimi të zotohej për ta vrarë nëpërmjet helmimit të ngadalshëm vetë shefin e shtetit. Lufta për pushtet besonte se qe e pranueshme kur bëhej paqësisht, por edhe nëse do të përdorej forca ajo të ishte e përballtë. Në Amerikën Latine qenë përdorur shumë grushtet e shtetit të ushtarakëve, heqja nga posti dhe burgosja e presidentit të padëshiruar, por vrasjet me helm nuk patën ngjarë.
I ndiqte me vëmendje tiparet e fytyrës së ambasadorit, mënyrën se si atij, pasi vështrimi i shkonte gjer në fund të trefaqëshit, përherë e më shumë i shtangur, i kthehej sërish në rreshtat e parë.
Më në fund diplomati shqiptar me një lëvizje të shpejtë, thua i digjte duart, e lëshoi dokumentin mbi syprinën e tryezës së punës.
Ai tekst përherë e më shumë i shkaktonte mundim dhe maraz. Gjithçka vërtetonte atë që kishte arsyetuar me kohë Enver Hoxha. Mehmet Shehu qe njeri i amerikanëve dhe prej tyre kishte pranuar një mëkat të madh, një krim makbethian: t’i merrte jetën. Helm në ushqim, në një drekë a darkë të kobshme në shtëpinë kryeministrore, vrasje e ngadalshme, bllokim enësh gjaku, mungesë e mbushjes me frymë, mbytje, agoni e zgjatur, dhënie shpirt pas disa ditësh, shqiptarët që do të shpërthenin në ngashërime të papërmbajtura dhe ai që do mbante fjalimin funebër duke e quajtur udhëheqësin më të madh të kombit. Pastaj në pikat kyçe të shtetit do të niste zëvendësimi me të besuar prej tij.
Pa nga Farrani dhe tek dalloi pritjen e tij u kujtua se duhej ta falënderonte. Kishte kryer një mision mjaft të vështirë. Shteti shqiptar tashmë zotëronte në duar një dokument shumë të rëndësishëm që sqaronte një pjesë të errët të historisë së tij. Në këtë zbulim ishte edhe vetë ai.
Papritur e përfshiu një gëzim i madh.
-“Sot do të pimë verë shqiptare!”, - iu drejtua mikut argjentinas. Ky kishte vënë buzën në gaz, çiltërsisht.
-“Por si mik të shtrenjtë që të kemi, po të ngarkoj edhe një detyrë të fundit”, - foli pas pak, - “Zotit Mendes do t’i dhurosh një pako me pije, verë dhe konjak “Skënderbeu”.
Hernando Farrani tundi kokën lehtësisht. Tha se ky do të ishte një gjest shumë i sjellshëm.
Për dhjetë minuta diplomati shqiptar mbushi një shportë të madhe me gjashtë shishe vere “Përmeti”, dy “Whisky” dhe një bust të vogël të Skënderbeut. Pastaj duke mbajtur me kujdes në njërën dorë kapi nga gryka dy shishe “Kabërnet”. Një çast më vonë, ndërsa trefaqëshin e mbylli në kasafortë, i bëri shenjë Farranit të dilnin nga zyra.
Qenë të ulur në një tavernë pranë selisë së ambasadës pasi kapërcyen vetëm kthesën e parë të rrugës.
Ajo një orë në intimitet iu duk më e lumtura që pati përjetuar ndonjëherë. Mezet vendase dhe vera shqiptare kishin një shije të rrallë. Hernando Farrani po ashtu iu duk më babaxhani njeri në të gjithë botën.
Kur u kthye në ambasadë orari i zakonshëm i punës ende nuk kishte përfunduar. Duheshin edhe tre orë që dy punonjësit e tjerë të mbyllnin zyrat e tyre e të shkonin në shtëpi. Bashkë me ta do t’i thoshte edhe shoferit të ikte. Po të kishte ndonjë nevojë do ta thërriste vetë me telefon, mbase në mbrëmje. Do të mbeste në dy dhomat e apartamentit të tij të vogël brenda selisë vetëm shifranti. Ai jetonte aty, kodzbërthyes e njëkohshëm roje e përfaqësisë.
Kur të tjerët ikën ambasadori e kërciti çelësin e derës nga brenda. Pastaj nxori nga kasaforta dokumentin e porsamarrë dhe një minutë më vonë prej raftit fundor të një dollapi përballë edhe makinën e vogël të shkrimit. Atë e përdorte vetëm ai. Vuri në rotativ një fletë të bardhë dhe nisi përkthimin e trefaqëshit. Në shqip do të kishte vetëm një kopje. Gjithsej gjashtë faqe do të qenë bashkë me tekstin spanjisht. Me siguri atë paketë të mbyllur e të mbërthyer brenda një zarfi eprorët do ta kërkonin të vraponte sa më shpejt drejt Tiranës. Mjaftonte që ai të dërgonte me radiogram të shifruar lajmin.
Deri sa e përfundoi shqipërimin u ngrit nga tryeza vetëm një herë, kur qe pothuaj në fund. Donte të shuante sa më parë një etje që po ja thante anëbuzët.
Kur tre faqet e reja u vendosën mbi tavolinë ndjeu një lloj dëshire të pushonte sado pak. Pati punuar me aq shumë ethe të brendshme sa që i qe dukur se nuk ishte ngopur fare as me ajër. U ngrit nga poltroni dhe bëri disa hapa drejt një divani të madh që, i futur në mes nga dy kolltukë, rrinte në këndin pranë dritares kryesore. Tek ecte ndjeu se këmbët iu morën. “Më janë mpirë”, qetësoi veten. Kur u lëshua mbi lëkurën e butë dhe ngadalë u zhyt në ndenjësen e gjerë, pati përshtypjen se mungesa e ajrit iu bë akoma më e madhe. U çua dhe hapi njërën kanatë të dritares, pastaj u hodhi trupin sërish mbi sustat fundonjëse të divanit. Tek mbylli sytë për të qenë më intim me veten iu bë se ishte çasti i duhur të analizonte edhe njëherë se si tani do të rridhnin punët. Kishte arritur një sukses të vërtetë karriere. Qe një ambasador me fat, do të shënohej dhe mbeste në kronikat e diplomacisë së vendit të tij. Mjaftonte vetëm të priste kohën kur dokumenti i fshehtë i agjencisë më të madhe të zbulimit në botë do të bëhej publik dhe do ta trondiste nga themelet CIA-n. Qe shumë i bindur se ky çast i jashtëzakonshëm nuk do të vononte. Do të duhej të rridhte vetëm aq kohë sa të çoroditeshin apo humbnin gjurmët e lidhjes mes Mendesit dhe Farranit.
Apo në Tiranë bërjen publike do të vononin dhe gjashtëfaqëshi do të fundosej në kthinat e pjesës tepër sekret të arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme? Mos as atje nuk do të rrinte dot e do të kyçej në kasafortën personale të Ramiz Alisë? Në ato që Enver Hoxha pas jetëhumbjes së Mehmet Shehut pat bërë publike kishte folur për një kasafortë personale të Hysni Kapos, të cilën me sa mbante mend pas vdekjes së këtij të fundit e kishte futur të gjithë në kasafortën e vet. Sa e madhe do të kishte qenë ajo lubi që e pati gëlltitur brenda faqeve të çelikta të saj? Apo Hoxha historinë e atyre dy kasafortave personale e pat rrëfyer ndryshe dhe ai nuk qe i qartë për të gjitha hollësitë?
Tekstin që do të kodohej dhe shkonte po atë ditë në Tiranë, e nisi pa u vonuar më. Ndërkohë shifranti po e priste në kthinën e tij të errët ku larg syve të të gjithëve bënte të kuptueshëm radiogramet që vinin nga qendra dhe fare të pazbërthyeshëm ata që niseshin drejt saj.
Ajo natë qe pothuaj e pagjumë. Në rastet kur binte në dremitje një ndjenjë mpirëse ia mizëronte kokën dhe e zgjonte me rrahje të shpeshta të zemrës. Hamendjet si lajmi i sigurimit të dokumentit tronditës do të pritej në Shqipëri i ndizte nëpër kllapi pamje të çuditshme të imagjinatës. Kur dita u gdhi dhe megjithëse i lodhur nuk mund të rrinte më në shtrat, tek ngrihej kuptoi se shkaku kryesor i pagjumësisë nuk qe jehona që në shkallët e larta të shtetit shqiptar do të shkaktonte zbulimi i materialit akuzues për Mehmet Shehun, por dëshmia e pabesisë së tij të madhe.
Nga Tirana nuk erdhi asnjë përgjigje megjithëse e priti gjatë gjithë ditës. Ajo mbërriti të nesërmen, e nisur nga vetë ministri. Reiz Malile kërkonte që materiali të ishte i plotë, bashkë me stemën amerikane.
Ambasadori u nguros. Vetëm atë çast vuri re se në fotokopjen e sjellë nga Hernando Farrani ishte lënë jashtë stema. Rrëmbyeshëm iu kapërthyen nëpër kokë të gjitha llojet e hamendjeve, por shumë shpejt i zboi të gjitha. Mungesa e rëndësishme e shenjave të plota shtetërore mund të qe shkaktuar nga një shkujdesje teknike.
I telefonoi Farranit dhe tjetrit menjëherë i erdhi për të qeshur. Tha se as atij vetë nuk i kishin shkuar sytë tek ajo mungesë, por përjashtonte që Mendes ta kishte bërë me prapamendim. “Nuk ja kam dhënë ende shportën me pije”, shtoi, “kështu tashmë kam një rrethanë lehtësuese që t’ia përsëris kërkesën bashkë me dhuratën”.
U deshën vetëm njëzetë e katër orë që nga miku argjentinas të vinte lajmi se Mendes po e priste në të dalë të ambasadës me në xhep kopjen e plotë të dokumentit. Kur pasditen e të nesërmes Hernando Farrani e solli në përfaqësi tha se bashkëkombësi i tij ishte prekur nga dhurata dhe i pat shqiptuar shumë herë fjalën “faleminderit’”.
Sapo Farrani iku ambasadori lajmëroi menjëherë Tiranën.
Udhëzimi si do të vepronte i erdhi nga Reiz Malile pas dy ditësh.
E dinte që eprorit do t’i duheshin patjetër dyzetë e tetë orë. Qe një kohë normale për të mos u ngutur në deshifrim, në vajtjen e ministrit tek godina qendrore e partisë, ku rrinte Ramiz Alia, për të kryer me të bisedën kokë për kokë dhe pastaj për rikthimin në katërkatëshin e selisë së shërbimit diplomatik shqiptar. Duhej koha e nevojshme po ashtu për të shkruar radiogramin që do të nisej drejt Buones Airesit si edhe për ta fshehur përmbajtjen e tij nën shifra të shumta.
Ndërsa i lexoi ato dhjetë radhë udhëzuese ambasadori e kuptoi që kishte lindur me fat të madh. E urdhëronin siç e pat imagjinuar e dëshiruar: bashkë me materialin origjinal e përkthimin të nisej urgjentisht në Tiranë vetë ai, asnjë diplomat tjetër. Statusi i tij si ambasador e imunizonte nga të gjitha llojet e kontrolleve fizike në trup apo të valixheve që mbante.
Nuk duhej të vonohej asnjë minutë, asnjë sekondë. Duhej të siguronte fluturim me avionin më të parë që i jepte mundësinë të hynte në Evropë dhe në një nga kryeqytetet e saj të merrte linjën e Romës që e zbarkonte në aeroportin e Rinasit. Kjo donte të thoshte se ai udhëtim nuk duhej të kishte pika të shumta transiti dhe se nuk i lejohej të priste shumë në aeroportet kalimtare. Dokumenti duhej t’i shpëtonte çdo rreziku prej ndonjë aksioni rrëmbimi. Një apo disa shërbime të fshehta njëherësh, pasi ta kishin ndjekur nga afër çfarë pat ndodhur mes Farranit dhe Mendesit, mund të vepronin për ta shkatërruar të gjithë operacionin e ambasadës shqiptare. Të paktën vetë CIA do të bllokonte arritjen në Tiranë të dokumentit komprometues për ndërhyrjen e saj në punët e brendshme të një shteti tjetër. Mund të ndodhte të hidheshin në veprim edhe agjenci të tjera zbulimi. Ndoshta sovjetikët, mbase anglezët, pse jo jugosllavët...
Shqetësimi iu rikthye vrullshëm. Pat kujtuar se e kishte lënë pas më të vështirën, por i rrinte ende para.
Udhëtimi zgjati dy ditë. Gjashtëfaqëshi, i mbuluar brenda një zarfi me nëpër trup disa vula me dyllë të njomë, qe futur në valixhen diplomatike. Atë e mbante me vete. Kur avioni u ul në aeroportin “Sharl De Gol” të Parisit e priste një makinë e ambasadës dhe dy nga zbuluesit e saj. Kur mbërritën në përfaqësi valixhen e mbyllën në dhomën sekrete dhe e nxorën prej andej vetëm të nesërmen kur po e njëjta makinë dhe të njëjtët njerëz e shoqëruan deri sa kaloi pikën doganore dhe ngjiti shkallët e aeroplanit për në Romë. Këtu qe transit dhe nuk lëvizi nga salla e pritjes. Kur hipi në avionin e “Alitalia” dhe ky u nis drejt kryeqytetit shqiptar u çlirua nga trysnia e alarmit. U ndje i lirë të sodiste qetësisht nga dritarja ca maja malesh, shpina të shpupuritura resh dhe cipën e valëzuar të ujërave detare
Në Rinas e priste një nga makinat e ministrisë si edhe dy kolegë të zbulimit. Sapo kaloi portën e madhe të hekurt të hyrjes së saj i thanë se po e priste në zyrën e tij vetë Reiz Malile.
Kur hyri ky qe në këmbë. I dha dorën dhe i bëri menjëherë shenjë të ulej. Ambasadori hapi çantën dhe nxori prej andej zarfin me gjashtëfaqëshin. Ministri e mori në duar, por nuk e hapi. Në vështrim kishte një si mosbesim.
Pastaj tërhoqi një sirtar dhe nxori prej andej një tufë me fletë të bardha. Ia vuri përpara: “Tani ulu dhe përshkruaj hollësisht si e sigurove këtë dokument!”
Hutimin e kapërceu brenda pak sekondave. E kuptoi se ato fletë të zbrazura do t’i mbushte me fjalë aty, pa dalë nga ajo zyrë dhe në prani të Reiz Maliles. Mori tufën e letrave dhe shkoi e u ul në një kënd kolltukësh në anë të zyrës së madhe. Tek shkruante u mundua të mos harronte asnjë hollësi.
Ndërkohë ministri kishte hapur zarfin dhe po shihte materialin e ardhur. Nuk dukej se kishte shumë kureshtje. Shfletoi një kohë tekstin në spanjisht dhe pastaj, si me përtim, filloi leximin e përkthimit. Këtë herë tiparet e fytyrës i treguan shumë përqendrim.
Kur ambasadori e mbaroi përshkrimin e ngjarjes ia dorëzoi letrat e shkruara shefit. Ky e lexoi me vëmendje, pa e ngritur kokën. Kur e mbaroi u çua në këmbë, e pa qetësisht në sy ambasadorin dhe shqiptoi “Shumë mirë!” Pastaj shtoi miqësisht “Përsëri do të flasim”.
Nga zyra dolën të dy në krah të njëri-tjetrit dhe zbritën në kafe. Një çerek ore më vonë Reiz Malile hipi në makinën e tij dhe ajo rendi drejt selisë qendrore të partisë. Ambasadori shkoi në zyrat e kolegëve për t’i takuar. Një gjysmë ore më pas mori rrugën drejt shtëpisë së tij, ku me siguri të tre fëmijët, të cilët ligji i kohës nuk i lejonte të bashkëjetonin me prindërit e ngarkuar si diplomatë në vende të huaja, nuk e dinin që pat ardhur. Sapo ta shihnin të shfaqej tek pragu i derës ata me siguri do tua merrte gojën shtangia dhe pastaj do të klithnin nga gëzimi e hidheshin në qafë.







Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com