Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Libri “Në vetrrethim” i Jorgji Kotes”


Botuar nga “Koha Jonë”, 23 prill 2012

Jetët nuk ngjajnë me njëra tjetrën dhe po qe se të gjithë do ta regjistronin në një libër çfarë kanë parë, njerëzimi do të kishte një thesar me forcë të mahnitshme për të ndryshuar më mirë fatet e vetvetes. Po ashtu edhe shqiptarët vendin e tyre. Një fjalë të urtë të mësosh dhe zbulon një çelës të dobishëm sjelljeje. Përfytyroheni sa nxë prej një libri të urtë.
“Në vetrrethim” është një i tillë. Nuk mund të quhet një krijim fare i përkryer, sepse edhe botimet, si çdo gjë, e kanë të pafund kufirin e përsosjes. Megjithatë ajo që në dyqind e njëzetë faqet ka shkruar Jorgji Kote është një libër i urtë. Më shumë se çdo gjë tjetër që del nga dora e njeriut kjo ka rëndësi, madje edhe më tepër se zanati i hollë për ta bërë lexuesin të joshet nga lodrat mrekulluese që bën me rafinimet e stilit, me thurjen plot befasime të subjektit dhe temperamentet spektakolare të personazheve. Sepse në fund të fundit mjafton një nivel i pranueshëm i mënyrës se si ke shkruar, si e ke materializuar nëpërmjet letërsisë atë që do të thuash, dhe gjithçka lartohet apo bie kokëposhtë prej vetëm peshës së mesazhit përcjellës. Kur nuk ke asnjë të tillë libri është një shportë kotësish. Në e ke një kumt të kuturumtë për egon tende dhe gjithfarë deliresh që ke, mbaje për vete dhe mos na ça kokën. Kur e ke mesazh për të gjithë atëherë këtu ndryshon puna. Nëse e ke plot mosbesim dhe të mbushur me pesimizëm, paralitik, të çalë dhe gjysmak, të dëshpëruar fund e krye, doemos na shkurajon për ta kaluar me dëshirë dhe kuptim të vetmen jetë që kemi. Në ndodhtë që për shkak të shpirtit tënd të gëzuar dhe mendjes me dhuntinë për analizë reale, respektit për të vërtetën dhe qëllimit për ta ndihmuar shoqërinë dhe popullit të cilit i përket, e ke këtë kumt optimist dhe frymëzues, atëherë qofsh i nderuar.
Me “Në vetrrethim” Jorgji Kote i takon këtyre bashkëkombësve të fundit.
Kur tha se po shkruante një libër kujtimesh dhe atë donte ta promovonte me rastin e 60-vjetorit të tij, një moskuptim mes tij dhe meje, të cilin më kishte parazgjedhur si redaktor, qe i natyrshëm. Memuarët sipas një rregulli normal nisin e shkruhen apo të paktën botohen në vitet e fundit të jetës. Sigurisht gjashtëdhjetë vite tek një Jorgji që nuk ka thinja dhe lodhjen ende nuk e ndjen, që ngulet në tavolinën e punës për orë të tëra dhe mezi i jep vetëm disa minuta ndonjë vakti të ngrëni, që edhe kur lëviz dhe kur flet, ka shumëfishim të ritmit të zakonshëm njerëzor, nuk qenë mosha e përshtatshme. Por vendosa që këtë gjë, pra se i duhej të priste edhe ca kohë, se do të jetonte gjatë dhe në librin e kujtimeve i duhej të rrëfente edhe për vitet e tjerë, t’ia thosha me dashamirësi pasi të mbaroja se lexuari atë që kishte shkruar.
Dora e parë e “Në vetrrethim” kërkonte sërish një përpunim të dytë, të cilin vetë e kishte kuptuar dhe po e kryente. Veç atë “vërejtjen” apo këshillën nuk ja thashë kurrë. Ai do ta mësojë vetëm me këtë radhë të kësaj parathënie. Mbeti e panevojshme. Jorgji Kote ishte ngutur pak në lidhje me moshën e tij, por aspak me kohën. Libri për opinionin tonë publik është në momenti e duhur.
Prandaj edhe nuk ngjan shumë me një memuar klasik, me një vetrrëfim jete personale. Është edhe një ese për shoqërinë shqiptare. Unë kam gëzim që do ta mbaj në bibliotekën time.
Jorgji Kote, si shumë nga ne, ka jetuar në dy periudha të rëndësishme politike të vendit tonë, por edhe botës. Aq i vetëdijshëm është për këtë gjë sa e nis librin me rrëfimin e ngjarjeve më kyçe të pas Luftës së Dytë Botërore, kufi kohe ku gjithkush prej nesh, gjashtëdhjetë e më tepër vjeçarëve, ka lindur e nisur jetën e vet. Pastaj ndodhi fillimi i acarit të Luftës së Ftohtë dhe ngritja e Murit të Berlinit. Fëmijëria e tij në Libohovë fillon me përfytyrimin e këtij muri ndarës.
Pak dhjetëra faqe për jetën (jo vetveten) dhe sërish rreshtat e librit “Në vetrrethim” e tërheqin lexuesin tek ajo që ishte për të gjithë shoqërinë e asaj kohe, e organizuar mbi kritere të ashpër ideologjikë dhe si e tillë mjaft e gjymtë dhe e jetueshme vështirësisht, sidomos prej atyre shtresave dhe njerëzve që ishin shpallur si të padëshiruar. Por kjo pleksje, ku gëzimi për disa qe dhimbje për të tjerët, e ku të dy palët ishin po njëlloj të varfër e të mbyllur brenda kufijve hermetikë të shtetit, të qytetit e të fshatit, nuk e bënte më pak interesante atë kohë. Të paktën për t’u rrëfyer më pas. Aq “sukses” pati kjo periudhë jo normale sa ende sot, njëzetë e një vite pas përfundimit të saj me përmbysje, faqet e gazetave akoma mbushen me ndodhitë që mbarti. Nuk numërohen as emisionet televizive dhe as librat. Mes rrëfyesve ndesh pafundësisht dy kategori të tyre. Ata që e sterrojnë atë pa lënë t’i buisë ndonjë fije drite të zbehtë. Kanë kaq shumë inat politik ndaj asaj që iku, sa duket qartë se edhe ata vetë janë njerëz tërësisht të ideologjizuar, njëlloj si punistët apo enveristët, siç mund t’i quajmë komunistët shqiptarë të periudhës 1945-1990. Kur këta vijnë prej të vuajturve të atij gjysmëshekulli diktatorial, janë të mirëkuptuar, edhe pse një shoqëri e hapur dhe me dëshirë pluralizmin ka nevojë më shumë për mospërsëritje të mendësisë bardhë e zi. Mirëpo shumica e nxirësve vijnë prej atyre që nuk e kanë kaluar aspak keq atë periudhë sakate, në mos edhe shumë më mirë se ata që, idealistë prej natyre, i kryen asaj shërbime të pa interes.
Në “Në vetrrethim” Jorgji Kote tregon se i takonte asaj pjese të popullsisë që nuk i ka përkitur të padëshiruarve apo të shpallurve armiq. Hynte tek ata që shiheshin me sy të mirë, tek të besuarit. Vetëm pohimi i kësaj gjëje, madje edhe shkrimi i saj në faqet e një libri, ndërkohë që është një nëpunës i lartë i Shtetit si edhe diplomat shqiptar në mes të kryeqytetit të Bashkimit Evropian, në Bruksel, mund të përbënte rast për t’u sulmuar publikisht. Kështu ai mund të shtrëngohej të gjente mënyra të tjera vetrrëfimi, ku ndonjë “vuajtje” e zakonshme atëherë edhe për vetë komunistët, do të zmadhohej apo shpikej. A nuk janë shtuar gjer në bezdisje të vetëshpallur “disidentë” të regjimit të shkuar, ndërsa ato kohë punonin në ingranazhet kyçe të tij!?
Jorgji Kote nuk vepron kështu. Ai e rrëfen të shkuarën e gjymtë pa asnjë zemërim ideologjik, pa kurrfarë inati. E dëshmon siç e ka ndjerë atë kohë dhe duke pasur respekt për të vërtetën, nuk e mohon. Sepse ndryshe do të mohonte veten, jetën që kaloi në atë kohë të parë. Dhe duke qenë se fati e ndihmoi, si edhe shumë nga ne, të jetonim edhe një kohë të dytë, shumë herë më të mirë se e para, ai tanimë e analizon atë. Nuk e gjykon me qëllimin politik për ta dënuar. Diktaturën bolshevike e ndëshkoi vetë Historia, duke ia prerë të gjitha shpresat të vlerësohet si mirë. Gjyqtarët e saj të shumtë, përshtymësit mbi të, ata bërtitës të mërzitshëm, nuk i duhen kujt më. Jemi në dekadën e tretë të largimit dhe ndarjes nga ajo dhe lypet vetëm e vetëm analiza, zbulimi tërësor i arsyeve përse ra mbi shqiptarët kjo mynxyrë, nxjerrja e shkaqeve, konkluzioni se ishte e mbrapsht dhe vendosmëria për t’i prerë rrugën çdo ringjallje të saj në një formë tjetër.
“Në vetrrethim” nuk anashkalohen, madje spikaten fort me dhjetëra e dhjetëra bashkëkombës që në atë periudhë problematike u shquan për arritje të mëdha profesionale dhe po ashtu kontribut për atdheun. Ka ndërkohë të përshkruara këndshëm me dhjetëra episode e ngjarje optimiste. Gjithçka tjetër, e gabuar dhe absurde, nga Jorgji Kote përfundon e ironizuar gëzueshëm, e përtallur me finesë. Në rast se mund të ekzistojë sot një libër i dobishëm për t’u ndarë bindshëm nga ajo e kaluar dhe kohës së re të pas vitit 1990 t’i shërbesh me përkushtim, por aspak symbyllje, është ky libër.
Fatet e shteteve ndahen në periudha të ndryshme sipas disa kategorive të rrepta shkencore. Jeta e Jorgji Kotes dhe e kujtdo tjetër që ka fatin e tij, ndahet vetëm në ditëlindjet e veta. Me kujtimet “Në vetrrethim” ai mbushi gjashtëdhjetë vitet e pjesës së parë të jetës. Në fund të pjesës së dytë, qoftë kjo sa më e gjatë, me siguri do të ketë, krahas librave të tjerë, edhe një memuar të dytë.
Sepse edhe rrëfimi i një jete të pas vitit nëntëdhjetë gjithsesi është mjaft interesante, plot ngjarje pozitive dhe fakte të gëzueshme, por edhe me pamje të qortueshme, pse jo edhe për t’u përqeshur. Kur në hyrje të këtij libri me fjalët e urta të Edmond Burkes “ka ndodhur diçka për të cilën është e vështirë të flasësh, por dhe e pamundur të heshtësh”, Jorgji i referohet diktaturës bolshevike, e vlen të mos harrohet për t’u pasur si udhërrëfyese edhe kur një shoqëri është në luftën e ndërlikuar, por të bekuar, për liri.

Ylli Polovina

Tiranë, më 5 shkurt 2012


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com