|
Shqipëria është e bërë, shqiptarët ende jo
(Botuar në gazetën “Shqip” më 15 shkurt 2012)
Këto ditë erdhi në Tiranë prej atdheut të vet, Kanadasë, albanologu Robert Elsie. Ngjarja i mbarte brenda të dy pamjet: indiferencën, por edhe tërheqjen pas saj. Ai vjen rregullisht në viset e shqiptarëve që nga viti 1978. Një bashkëkombës për të ka shkruar “Në fillim të viteve 90′ punoja diku dhe shikoja turli matrapazësh që u dyndën nga e gjithë bota në Shqipëri. Kishte edhe njerëz të thjeshtë. Dhe Robert Elsie ishte një ndër ta. Gjithmonë i qeshur, i urtë, me pak fjalë. Mbante veshur një palë sandale lëkure dimër-verë e më bënte çudi”.
Po të shfletosh gazetat e kohës apo arkivat, të bisedosh edhe me ata që e kanë shoqëruar, kupton se ai si çdo dijetar bezdiset nga vëmendja publike dhe si mik i sinqertë i vendit tonë punon pa asnjë shpërblim. Përpiqet të mos prodhojë lajm as me botimet dhe as me praninë e tij. Në vendin tonë herën e fundit pati qenë jo më larg se vjeshta e shkuar dhe si përherë, ngulmues vetëm për objektivat e tij profesionalë, nuk ra fare në sy. Robert Elsie, kjo natyrë njerëzore mjaft e druajtur, bëhet befasisht e shkathët vetëm në se për të mësuar një fakt apo rrethanë historike për shqiptarët, i duhet të hipë menjëherë në një avion, mbi një qerre apo edhe të kalërojë në kurrize vargmalesh.
Ndryshe nga herët e tjera të pa zhurmshme në këtë ardhje të fundit albanologu natyrë mbyllur krijoi efekt. Elsie, jo se ishte këmbëngulja e tij, qe i ftuar zyrtarisht nga Shërbimi i Jashtëm Shqiptar. Mjaftoi kjo të prodhonte jo pak kërshëri të medias. Për ta përfshirë në këtë format vëmendjeje publike shtysë fillestare kishte qenë Visar Zhiti, punonjës i atij Shërbimi, por mbi të gjitha talent i njohur letrar. Pikërisht se këtë herë albanologu kanadez qe i inkurajuar nga shteti ynë dhe veprimtaria u pri prej një eksponenti të lartë të qeverisë, çfarë të kujton rastet më të mira të nismave të tilla, kurorë e të cilave ende mbetet Ahmet Zogu dhe Milan Shuflaj, do të ishte e dobishme t’i bëjmë një këndshikim ngjarjes.
Na jepet mundësia ta vështrojmë posaçërisht, sepse këtë herë ai komunikoi gjerësisht me opinionin publik, madje kumtoi pikëpamje që shkaktuan debat. Ky trazim nuk ra fort në sy, sepse u zhvillua nëpër blogjera, streha kuvendimesh në internet dhe jo në tituj të faqeve të para të gazetave. Të përditshmet tona, disa prej të cilave kaq shumë të gatshme të mbajnë ndezur polemikën ishte apo jo kriminel Xhafer Deva dhe kishte apo jo brekë vipja e skenës filan, nuk i dhanë sipërfaqe botuese mikut. Me siguri për respekt, mbase edhe për ta mbrojtur nga disa nacionalistë të thekur, mjedis i vakët kur e kishim në udhëkryq çështjen kombëtare dhe të gjallëruar shumë çuditërisht sot, kur pjesën më problematike e kemi të kapërcyer.
Ndërkohë qenë dy gazetare ato që e nxitën dhe e ndihmuan kontaktin e Robert Elsie me shqiptarët. Ishte fillimisht Aida Tuçi për një të përditshme dhe menjëherë më pas për televizionin Top Channel, këtë herë duke e shndërruar në një vepër publike mjaft të vyer, Rudina Xhunga.
Mes mjaft mendimeve të tij për historinë tonë, për letërsinë po ashtu sepse për një kohë ka qenë përkthyes i autorëve tanë në botën anglishtfolëse, autori së fundi edhe i dy botimeve enciklopedike për Shqipërinë dhe Kosovën, bëri edhe disa vërejtje për ne, shqiptarët, pra për “homo albanicus”. Dihet që pas Rilindjes, periudhës e cila për qëllime imediate kombëtare na përkëdheli shumë, më i hershmi guximtar për t’i dhënë fund kësaj sherbetosjeje ka qenë Faik Konica me një libër të tërë ironik dhe pothuaj tallës “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit”. Mbahet mend sidomos me shuplakën flakëruese se armiqtë më të mëdhenj të Shqipërisë janë vetë shqiptarët.
Me vetëqortime të forta e shumë qëlluara (për krekosjen tonë, për shembull), kurajozi tjetër është Ismail Kadare. Nga bashkëkombësit ai sot mbetet më i fuqishmi misionar i përhapjes në glob të një imazhi normal dhe të baraspeshuar, madje pozitiv dhe mjaft interesant, të kombit tonë. Ka tashmë edhe jo pak individë të tjerë që kontribuojnë. Ata vijnë kryesisht nga letërsia apo fusha të tjera të artit, prej sporteve patjetër. Tashmë për fat ka edhe media të mëdha botërore dashamirëse për shqiptarët. Për peshën e ndikimit në botë i nderuari Elsie është njëri prej tyre, sigurisht jo i vetmi, jo kryesori, por mjaft i kualifikuari dhe aspak më i papërfillshmi. Ai tashmë zotëron aq shumë besim dhe prestigj për njohjen e problemeve shqiptare sa për të hartuar dy librat për vendin tonë dhe Kosovën e zgjodhi posaçërisht një shtëpi botuese amerikane e specializuar për histori enciklopedike popujsh. Robert Elsie qe edhe përkthyesi në gjyqin publik të Hagës kundër Sllobodan Millosheviçit. Ndërsa gjatë ditës me dhjetëra e dhjetëra milion shikuesve, që i ndiqnin seancat drejt për së drejti në televizion, i kumtonte pamjen e vërtetë të një diktatori të popullit të vet e njëkohësisht një antishqiptari kriminal, në mbrëmje ai përkthente Gjergj Fishtën.
Ja pse kur bëjmë fjalë për kritika të Elsie për ne, ato vijnë prej një kanadezi që me veprën dhe jetën e tij e ka dëshmuar shqipëridashjen. “Thelbi i punës sime”, shpjegoi këtë herë ai, “është t’i prezantoj botës shqiptarët”, “t’i transmetoj gjërat që ekzistojnë këtu”. Pra të tjerëve u paraqit anët pozitive, atë për të cilën ka nevojë tani imazhi ynë ende mjaft i rrënuar. Të metat tona, të cilat nesër nuk ka përse ia kursen edhe anglishtfolësve, sot i ka vetëm për ne. Siç shihet Robert Elsie ndihet sinqerisht si “i shtëpisë”.
Duke qenë se i ka vënë vetes qëllimin të na dojë dhe me dashuri të na popullarizojë nëpër botë, mbetet me mjaft rëndësi se si na gjykon ai. Elsie shqiptoi pikëpamjen se po të jetonte në botën e shqiptarëve do të çmendej. Kjo është një deklaratë po aq e fortë dhe tronditëse sa edhe e Konicës kur po hidheshin themelet e shtetit tonë të pavarur, këtë vit një shekullor. Albanologu kanadez sqaroi edhe psenë. Vuri në dukje se në vazhdimësinë tonë historike disa karakteristika mbeten të njëjta: frustracion në jetën e përditshme, “ky vend është një vend me vuajtje”, “ka një egërsi në marrëdhëniet njerëzore”, e pengoni shumë njëri-tjetrin, ka korrupsioni burokratik, paaftësi administrative, mungesë sinqeriteti, “nëse dikush arrin diçka të madhe, shahet”, “Jeni një popull impulsiv, me shumë kontradikta, me shumë ekstreme”, “Shqipëria është prapa, realisht është prapa në çdo drejtim”, “nuk është si një shtet normal”, “habitem si ka mbijetuar si shtet”. Po ashtu Robert Elsie pohoi “Shqipëria zhvillohet shumë me hap të ngadalshëm, por gjithsesi zhvillohet dhe besoj do vazhdojë të zhvillohet”, “E di që është vetëm një fasadë se brenda e kanë shpirtin e mirë, por ju dini të mbroheni këtu, ndërsa unë këtu jam si lepur, nuk di të mbrohem”, “jam një njeri pakëz i brishtë”, “Ka shumë për të bërë por besoj që do të bëhet dhe gjatë jetës sonë do të shohim një Shqipëri, them një Shqipëri normale”.
Në reagimet ndaj këtij opinioni të parët që shpejtuan të kundërvepronin qenë bashkëkombësit me këtë gjykim: “...mbushem me lumturi kur shof djemtë dhe vajzat e bukura shqiptare që flasin gjuhën e bukur shqipe, të cilën ti për mua nuk e njef mirë”, “Siç thoshte Naimi i madh: “Shqipëri moj zonjë e rëndë që burrat e dheut të thoshin nënë”. A i njef këto vargje more horr”, “Kush të jep të drejtën ty more “albanolog” të ofendosh një vend dhe një popull të tërë? Kush je ti more liliput?”, “Hik ore qelbanik në vendin tënd se asnjeri nuk t’u lut të vije në Shqipëri?”, “Ti mund të njohësh gjuhën shqipe, por nuk njeh historinë e Shqipërisë”, “Zemra more mik dhe jo mendja është ajo që ti duhet të njohësh”, “mik” shporru dhe mos ardhsh kurrë në vendin tonë”, “Go to hell!!”, “nuk dinte më tepër i shkreti që gjithë gjuhët duhet të përulen para shqipes ose të thoshte se mitologjia greke deshifrohet vetëm nëpërmjet ilirishtes”, etj, etj.
Ndërkohë në debat e kapën kohën e humbur edhe ata që mendonin ndryshe. U futën furishëm: “Ky zotëria, që e flet shqipen nja 10 herë më mirë se 50% e Shqipove”, “I ka thënë ca të vërteta të hidhura”, “realitetit nuk i fshihemi dot”, “ky Roberti nuk i ofendon shqiptarët, por thotë një të vërtetë të madhe, nëse na vjen keq, kjo është çështje tjetër”, “Rrofsh z. Elsie!”, “Ju jam mirënjohës”, etj, etj.
Kur në dy blogjera përplasja e mendimeve mbylli dallgën e njëzetë e katër orëve të para ndodhi një gjë mjaft e gëzueshme. Të zemëruarit nga qortimet e albanologut kanadez mbetën në minoritet. Epërsia e mbështetësve të tij qe e dukshme. Shumë prej debatuesve janë bashkëkombës në diasporë, jetojnë në mjedise të qytetëruara, ku vetëqortimi konsiderohet shenja e parë e zhvillimit dhe jo e kundërta. Veç gjithsesi qenë masivë edhe ata që linin të kuptohej se jetonin në ambientin e vështirë, në atë natyral, në trojet shqiptare.
Është kumt ky se pas një mos shpëtimi nga qerthulli i vetvetes jemi në prag të daljes prej tij?
Është sinjal ky se pa mundur të ndryshojmë dot temperamentin tonë impulsiv dhe të ndikuar tepër shumë nga emocionet, as karakterin personal se ai vjen me ne kur lindim dhe ja mbath vetëm kur ndahemi nga kjo jetë, mund të reformojmë mendësinë, mënyrën e të jetuarit, përgjegjësinë për të mëkëmbur një shoqëri të dobishme për të gjithë?
Kjo epërsi e shqiptarëve për të kritikuar veten ndaj atyre që na thonë se jemi trim mbi trima apo se nga zotësia e lëmë dynjanë pa gojë, edhe pse vetëm një fillim për të zotëruar të gjithë forcën e vetkoregjimit, a mos është paralajmërim se tashmë ka një çast X, kur, duam apo nuk duam, jemi të detyruar të ndryshojmë, pra të përmirësohemi? Se do të jetë fatlum ai që e kupton këtë apo e anasjella, cili e shpërfill?
Njëqind mote shtet i pavarësuar na japin të drejtë që këtë vit të gëzohemi, por në rast se është e mundur, të bëjmë më pak propagandë dhe festivitet, më shumë reflektim për veten. Të paktën një herë në shekull mund t’ia vëmë mirë gishtin kokës.
Shqiptarët duhet të bëjmë, sepse Shqipërinë e kemi të bërë që prej 28 nëntorit 1912. Patriotë, sigurisht kemi qenë dhe mbetemi, por kur nga pabesia e ndonjë fqinji dhe nga inatet e brendshme për pak sa Shqipëria nuk na u prish, qe bota ajo që nuk e lejoi. Ka treçerek shekulli që para se të na i thoshte një dashamirës i huaj si Robert Elsie qe bashkëkombësi i ditur, por edhe ai me jo pak vese shqiptare, Faik Konica, që na i tha në rrëzë të veshit të vërtetën pse e fusim mëmëdheun në ca siklete ciklike.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|