Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Nasi Lera dhe mallkimi i Lidhjes së Shkrimtarëve


(Botuar në Gazeta Shqiptare” në 28 janar 2012)

Prej shumë kohësh më mbante vazhdimisht të ngrohtë një mbresë e mirë për Nasi Lerën, por gjeta vetëm një ditë të fundvjeshtës së shkuar për t’ia thënë këtë gjë. Qe një njohje e vjetër, por disi institucionale për kohën. Kur në vitin 1985, pas vdekjes së Enver Hoxhës, ai u zgjodh sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për letërsinë, ndodhesha në kryesim të degës së saj për Beratin. Nasi Lera nuk ishte i vetmi që kur vinte në qytetin tonë linte përshtypje të këndshme. Kanë qenë paharruese takimet me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin, me Zija Çelën po ashtu, edhe ai një yll letrar. Gjurmë të çlirëta linte pas edhe Feim Ibrahimi, të cilit për shkak se vuante nga zemra, i bënim kujdes të mos ecte në rrugë me ngjitje dhe një shëtitje e tij në kështjellë, për shkak të relievit të trazuar me ngritje dhe ulje, na vinte në merak. Linte pas mbresa të mira dhe të zgjuara edhe Kujtim Buza. Teodor Laço, kur dëshironte të shkruante ndonjë gjë të veçantë, zinte një dhomë në Hotel-Turizmin e famshëm të qytetit. Tani në Berat vijnë më shumë diplomatë dhe prej artistëve vetëm piktorë, por shkrimtarë jo.
Në dhjetor 1990 shpërtheu lëvizja demokratike dhe në 20 shkurt u rrëzua monumenti i njeriut, për të cilin tashmë pothuaj të gjithë qemë të bindur se ishte një diktator. Çdo ditë që erdhi më pas, zbuloi të vërteta të dhimbshme. Nuk kishin qenë dy apo tre shkrimtarët dhe artistët e persekutuar, por me qindra. Lidhja e mëparshme, me godinë dhe administratë, me çdo vit pesëmbëdhjetë milionë lekë fond për krijuesit dhe disa qindra muaj leje krijuese me superpagë për kohën, prej tetë mijë lekësh dhe me të drejtë për secilin deri edhe katër mijë për dieta, qenë vetëm njëra pamje. Zyrtarja. Tjetra, e mbajtura fshehurazi, në kthina harrimi, e ndaluara të ekzistonte, në të shumtën e herëve me “zyra” qelitë e burgjeve, pak nga pak nisi të ngrejë shtatin. Mbase që të zbulohet e tëra kërkon edhe shumë kohë tjetër, por që tani është monument.
Pranimi i sinqertë e kësaj Lidhjeje tjetër, të munguarës për një gjysmë shekulli. dhe përpjekja e përditshme që ajo të rikthehet në vendin e saj, si vlerë e madhe kombëtare, u bë guri i provës së vetëqortimit për gjithsecilin nga ne, ish-anëtarët e Lidhjes zyrtare, veprimtarët apo mbështetësit e dikurshëm të saj. Cili qe roli i strukturave të zgjedhura apo i administratës së godinës me zyra, salla mbledhjesh e një kafe të rehatshme, në mes të Tiranës, me atë që niste nga kthinat e qilarëve apo nëntoka, ku ruheshin dorëshkrime, e deri në kampet e punës apo burgjet speciale si i Burrelit, vijon të jetë një temë e domosdoshme për t’u debatuar dhe për të dalë gjithë e vërteta. Ca më shumë që në historinë e Lidhjes zyrtare nuk ishte vetëm pranimi i politikës së dëbimit të kolosëve si Gjergj Fishta dhe Faik Konica, por rëndon edhe pushkatimi i dy poetëve Blloshmi dhe Leka, rast egërsisht kriminal dhe shumë pak i ndodhur edhe historinë e tiranive më të pamëshira të botës.
Pak nga të gjitha kisha këto në kokë atë mbrëmje të fundvjeshtës së shkuar, tek bëra bisedën me Nasi Lerën. Njëzetë e një vitet e tij të pas rënies së diktaturës kishin qenë vijimi i krijimtarisë me po atë stil të mëparshëm rrëfyes, të dhembshur e të butë, të sinqertë dhe kurrë propagandistik. Para nëntëdhjetës qenë librat “Sytë e dashurisë”, “Treni ecte drejt dëborës”, “Nata premierë”, “Baladë për vetveten”, “Orët e qytetit të vogël”. Tani pas vëllimit me tregime “Ulërima e heshtur” sapo kishte nxjerrë romanin “Sytë e Sofisë“, botuar nga Dudaj. Për një rastësi, por mjaft të çuditshme, shkas i largët për lindjen e idesë së tij kishte qenë një banor i Beratit. Emërkeq: Altin Dardha. Shumë vite të shkuara Nasi Lera pati lexuar nëpër gazeta se vrasja e tij nga një rival apo marrës haku, kishte ngjarë në qytetin e Janinës dhe se Dardha ndodhej aty jo për t’u fshehur, por për të kryer një vrasje speciale. Si pasojë e zjarrshkëmbimeve me banda të tjera atij i qe dëmtuar njëri sy dhe për të transplantuar me një të shëndoshë po kërkonte njeriun që do t’ia merrte.
Nasi Lera prej mbase kësaj fantazie shtypi pati ngasjen e thurjes së një subjekti të ri, sipas të cilit janë një qen dhe një njeri që shkëmbejnë nga një sy dhe tashmë botën e shohin ndryshe. Njeriu syqen dhe qeni synjeri! Mahnitës si këndvështrim krijues, sidomos për të vizatuar një tirani politike apo sot dukurinë e përdhunësve të djeshëm që më shumë se të vetëkoregjohen në liri, mbajnë të bezdisshme pa pushim një fushatë të tërë hipokrizie se në diktaturë kanë qenë disidentë ose së paku mospajtues me të. Por Nasi Lera as në variantin si e kishte imagjinuar në bocetin e tij krijues nuk e kishte çuar deri në fund. Patën hyrë në mes dy ndërhyrje autorësh të rinj librash, të cilët i kërkonin nga një parathënie, dhe më në fund, kur kishte dashur ta riniste, ndjeu se qe ftohur. “Sytë e Sofisë“, libri që shkroi më pas, edhe pse i tëri lidhet me thellësitë e kaltra e të zymta të shpirtit të njeriut, nuk ka më asgjë të përbashkët me shtysën e fillimit. Tek e arsyeton braktisjen e subjektit të parë Nasi Lera shpjegon se për disa kohë e kishte simpatizuar realizmin magjik, madje në kohën e diktaturës, pati lexuar shumë për antiromanin ose romanin e ri si edhe prestigjin e tij për shumë vite mes mjaft shkrimtarëve të talentuar francezë, por më në fund në debat kishte fituar romani realist, ala Balzak. Kështu “Sytë e Sofisë“, spikat ai në kuvendim, nuk është një krijesë eksperimentale apo e zhytur në lojë fantazish. Ndërkohë tetë vitet e thurjes së tij “klasike” shkrimtari e pati alternuar me pasionin e përkthyesit. Nasi Lera jo vetëm ka shqipëruar Kamynë, por edhe shtatë romane të Joze Saramango. Pesë prej tyre janë botuar dhe dy të tjerët presin ditën e afërt të paraqitjes nëpër librari.
Në bisedë me shkrimtarin dhe dikur sekretarin e Lidhjes zyrtare të shkrimtarëve dhe artistëve nuk e them atë që hamendësoja në pasionin e tij të pasdiktaturës për novelistin portugez. Saramango, i cili në mes të viteve shtatëdhjetë kishte qenë eurokomunist, por edhe denoncues shumë kurajoz i diktaturës së Salazarit. Më pas shumë shpejt e pati braktisur pjesëmarrjen në politikë dhe qe marrë vetëm me krijimtari. Për një mesazh kuptimplotë se si njerëzit e mirë dhe shkrimtarët e talentuar nuk ka diktaturë që i nënshtron apo që i bën përfundimisht me vete, në Italinë e veriut, në qytetin Belaxho (Bellagio), buzë liqenit të Komos, mbahet konferenca ndërkombëtare e shkrimtarëve të burgosur nga regjimet totalitare dhe se atje deklamohen përherë edhe vargje të Joze Saramangos.
Nasi Lera është vllah, bir shoferi. Asnjë lidhje nepotike nuk kishte kur, ndërsa ndodhej në Rubik, në periudhën trevjeçare që kalonin si stazh të detyruar ata shkrimtarë dhe artistë të cilët dilnin në krijimtari të lirë, e thirri Foto Çami dhe i tha se qe emëruar në postin e lartë të Lidhjes. As e kishte shkuar ndër mend një zigzag të tillë në jetë. E vetmja ndërhyrje e mundshme nga një “i madh”, kishte qenë në vitin 1956, kur ishte në klasën e parë gjimnaz. Në presidiumin e një takimi me shoferë të dalluar të rrethit të Korçës në presidium bashkë me të deleguarën nga Tirana, Liri Belishova, ndodhej edhe i ati i tij, Vasili. Kur sekretarja e Komitetit Qendror për propagandën e pati pyetur për familjen si edhe ndonjë dëshirë, ky i kishte përmendur emrin e të birit dhe dëshirën e tij për të vazhduar shkollën për mjekësi. Belishova pati premtuar. Kur po mbaronte maturën, në 1960, dhe po afrohej çasti i ndërhyrjes, i ati një ditë u kthye në shtëpi me fjalët e trishta “Atë mikun që kishim po e fusin në burg”.
Nasi Lerës nuk i harrohet edhe një episod, por na lutet që emrin e bashkëkombësit protagonist të tij, sot një shqiptaro-amerikan e shkrimtar i nderuar në Nju Jork, të mos e citoj. Është shkruar për këtë rast dhe ai nuk dëshiron të duket shpërdorues i gjoja të mirave apo “trimërive” gjatë diktaturës. Një djalë i ri, stallier në Koplik të Shkodrës, fizikisht mjaft simpatik, por që shkruante edhe poezi të bukura, i trokiti në zyrë dhe iu lut t’i botonin një cikël prej tyre gazeta “Drita” ose revista “Nëntori”, organe të Lidhjes. Bashkë me Nasi Lerën qenë dakord për ta inkurajuar edhe Zija Çela e Ndoc Gjetja Që të nesërmen e publikimit erdhi reagimi i parë kundërshtues. Një zyrë e Shkodrës qe ankuar “lart” dhe e denonconte njërën nga vjershat, atë me titullin “Kuajt”, se ishte kundër partisë. Sipas tyre autori tek njeriu që i vinte në rresht kuajt e u binte me kamxhik e kishte fjalën për Enver Hoxhën. Lera nguli këmbë se ajo qe një vjershë e bukur dhe aspak me atë nëntekst. Nuk kaluan shumë ditë dhe një telefonatë tjetër nga eprori partiak i tha me ton alarmues “Ai vjershëtori u arratis”. Shkrimtari qe përgjigjur se nuk gjente dot lidhje mes botimit të poezive në Organin e shtypit të Lidhjes dhe gjestit të ikjes.
Por si e ka përjetuar ikjen e Ismail Kadaresë në tetor 1990, një nga ngjarjet më shungulluese edhe për vetë Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë? Biseda një çast u përqendrua këtu, por për të në këtë shkrim nuk ka hapësirë të bollshme. Të mbeten në mend fjalët që ai thotë kur përshkruan atmosferën e ditëve të botimit të ndonjë romani të Kadaresë. Ngjarje artistikisht befasuese, por edhe shtysë për gjithë të tjerët që të t’i ktheheshin frymës së krijimit. Si edhe kur botonte Dritëroi, thekson.
Të papritura Nasi Lera ka edhe për Thanas Nanon, dikur drejtorin e Radio-Televizionit Shqiptar, të vizatuar vazhdimisht si ultrakonservator e politikisht dogmatik e të ashpër. Thotë se ndalimi i frymës së nisur me pranverën e vogël të fillimvitit shtatëdhjetë, nismëtar i të cilës qe kolektivi i RTVSh-së, ishte mjaft i gabuar, por nuk qe frut i hidhur i drejtorit të saj të emëruar menjëherë pas heqjes dhe më pas dënimit të Todi Lubonjës. Ishte Enver Hoxha që kishte piketuar purgën e madhe mes bashkëpunëtorëve të tij dhe shpiku serialin e armiqve të popullit. Thanas Nano ishte shumë punëtor, ngul këmbë Nasi Lera, vinte në institucion në orën tetë dhe ikte në mesnatë. Por kjo nuk ka aq shumë rëndësi, sqaron menjëherë, ky nuk është thelbi. Ai e vlerësonte shumë të aftin, i besonte mjaft specialistit të zot. Po Todi Lubonja? Biseda këtu, ishte liberal apo jo dhe pse u nëpërkëmb padrejtësisht, qe një temë tjetër.
Dhimitër Shuteriqi? Për kryetarin e Lidhjes për afro një çerek shekulli, ndërkohë edhe dijetar i rrallë i shkencave albanologjike, Nasi Lera ka opinionin e vet. E ruan në kujtesë gjer në detajet më të vogla kur një ditë e telefonuan dhe i thanë se të nesërmen bashkë me të parin e Lidhjes do të bënin një udhëtim në veri të vendit. Si ja kishin zgjedhur emrin u habit. Qe viti 1971 e ishte fare i ri, deri atëherë autor i vetëm katër tregimeve. Në makinë ndenji i pafjalë, ndërsa Shuteriqi shpjegonte emrat e vendeve ku kalonin dhe historinë e tyre, me një pasion prej shqiptari të madh.
Pas vitit 1990 Nasi Lera ka qenë shumë ngushtë ekonomikisht, pa punë. Tani ndihet “mirë“. Edhe ai dhe e shoqja, e cila herë pas here gjatë bisedës e merr në telefon me merakun e një operacioni të ndërlikuar që ai ka kaluar në zemër, marrin dy pensione modeste. Nuk mund ta lodhim më sekretarin e dikurshëm të Lidhjes zyrtare të Shkrimtarëve dhe Artistëve, prandaj edhe ndahemi. Tek ikën ngadalë nëpër mbrëmjen e potershme të Tiranës të vjen ndërmend ajo e vërtetë që ne, përjetuesit e dy kohëve, diktaturës dhe pluralizmit, tashmë e dimë përmendësh. Njeriun e mirë nuk ka sistem politik i keq që e shtrembëron gjer në thyerje dhe njeriun e keq sistem politik i mirë që e ndreq përfundimisht.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com