|
Ylli Polovina: E vërteta e Mehmet Shehut si agjent i CIA-s
Oliverta Lila
Gazeta “Shqip” më 18 maj 2011
Përmes dosjes së Mehmet Shehut dhe dokumenteve të arkivave të huaja, Ylli Polovina zbardh ngjarjen e shumë diskutuar të shtatorit të vitit 1960. “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia” vë përballë dokumentet mbi akuzat që Hoxha i bëri Shehut si agjent i CIA-s
“Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia” është romani më i ri i Ylli Polovinës. Nisur nga titulli, autori përpiqet të hedhë dritë përmes dokumentesh arkivore të papublikuara më parë mbi udhëtimin e Mehmet Shehut si Kryeministër i Shqipërisë në mbledhjen e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në shtator të vitit 1960. Pikërisht në këtë rast, Enver Hoxha e akuzoi si poliagjent që kishte vendosur kontakte me CIA-n. Një libër që vjen si në letërsi historike dhe jo në fakte të thata, Polovina tregon me detaje përmes dokumenteve pesë ditët e udhëtimit të Shehut me anijen “Queen Elizabeth” dhe 21 ditët e qëndrimit të tij në Nju Jork, duke e lënë lexuesin ta nxjerrë vetë konkluzionin.
Në fokusin tuaj rikthehen ngjarje të rëndësishme të historisë. Sapo është publikuar libri juaj i fundit, kushtuar dy figurave të njohura politike, si Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia. Si erdhi shtysa për këtë libër dhe çfarë të reje sjell?
Libri “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia” e ka marrë shtysën nga dëshira ime për të vëzhguar në të shkuarën e shtetit shqiptar që nga 28 nëntori i vitit 1912 deri më tani, për të parë se si fuqi të mëdha, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia cariste dhe Bashkimi Sovjetik janë përpjekur për të ndikuar sa më fort në Shqipëri. Historia e shtetit shqiptar provon se është trazuar jo vetëm nga interesat e fqinjëve, por edhe nga fuqitë e mëdha. Duke parë kolanën e të gjitha intrigave deri në vitin 1990, sepse vitet më pas për momentin janë jashtë interesit tim, ajo që quhet “Tabloja sinoptike” e Enver Hoxhës e që lidhet me Mehmet Shehun është “kryevepra” intriguese që mund të prodhojë politika. Duke u kapur pas kësaj nyjë të fortë, nuk mendova gjë tjetër veçse të gjeja prova e dokumente të reja për të kuptuar nëse qëndronte vërtet ajo që thoshte Enver Hoxha te “Tabloja sinoptike” e që Ramiz Alia e mbështeti deri në pluralizëm, se Mehmet Shehu ishte një superagjent i shumë fuqive, aq më shumë i CIA-s. Në këtë këmbëngulje e sipër nuk kishte rrugë tjetër veçse të verifikoja akuzën e Enver Hoxhës, më saktë themelin e saj që lidhet me udhëtimin e Mehmet Shehut si Kryeministër i Shqipërisë në mbledhjen e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, sesioni i 15 që do të mbahej në Nju Jork në shtator dhe gjysma e tetorit e vitit 1960. Hoxha thotë se gjatë udhëtimit në transoqeanikun “Queen Elizabeth”, që ishte nisur nga Londra, vinte në brigjet franceze e pastaj shkonte në drejtim të Nju Jorkut, udhëtim që zgjaste pesë ditë e gjysmë, Shehu është takuar me Josif Boroz Titon, i cili realisht ka qenë në atë anije, me Randolf Çërçillin, djalin e Çërçillit dhe me agjentë të CIA-s. Për të parë takimet agjenturore, marrëveshjet, paktin për eliminimin fizik të tij, për të cilin flet Enver Hoxha, u jam drejtuar arkivave dhe dokumenteve të shumta, kryesisht të huaja. Duke sjellë një sasi të madhe dokumentesh arkivore të papublikuara ndonjëherë, në mënyrë të veçantë për udhëtimin e Mehmet Shehut në vjeshtë të vitit 1960 për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pastaj për 21 ditët e qëndrimit të tij në Nju Jork, unë nuk mbaj qëndrim nëse ai ka takuar agjentë të fshehtë apo jo, por i ofroj lexuesit prova të forta që ai të dalë në konkluzionin nëse Shehu ka bërë veprime agjenturore. I mbetet lexuesit edhe të gjykojë nëse ajo që ndodhi më pas me Kryeministrin shqiptar ishte pasojë e një lufte të brendshme pushteti apo pjesë e një beteje të gjatë agjenturash të huaja.
Një moment i rëndësishëm, të cilit i referoheni gjatë në librin tuaj, lidhet me një dokument sekret të vitit 1986, që flet për lidhjet agjenturore të Mehmet Shehut. Për çfarë bëhet fjalë?
Në shtator të vitit 1986, përmes një burimi, ambasadori ynë në Argjentinë merr të dhënën që në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Argjentinë, në arkivin ose bibliotekën e saj sekrete gjendej një dokument për një person shumë të rëndësishëm të shtetit shqiptar (Mehmet Shehu), i cili ka bërë pakt me CIA-n për likuidimin fizik të Enver Hoxhës kur ishte në mbledhjen e OKB-së në Nju Jork. Këto të dhëna përjashtojnë mundësinë që marrëveshja të ishte bërë gjatë udhëtimit me “Queen Elizabeth”. Kjo ishte shumë e papritur për mua, sepse Enver Hoxha sa ishte i gjallë do ta kishte stërholluar këtë histori. Ai ishte i bindur që Shehu e ka bërë këtë takim në “Queen Elizabeth”. Dokumenti i gjetur, që më në fund pas një operacioni të vështirë u realizua të rrëmbehej i fotokopjuar, jo origjinal, dhe t’i përcillej urgjentisht Tiranës, pra Ramiz Alisë, deklaronte se Mehmet Shehu takimin nuk e kishte bërë as me Titon, as me inteligjencën sovjetike, por me CIA-n, sipas së cilës, Mehmet Shehu do ta eliminonte fizikisht në çastin më të parë Enver Hoxhën, mundësisht me mënyra të buta, sidomos me helmim, kur ta ftonte për një drekë. Dokumenti ndodhet në arkivat shqiptare. Sipas këtij dokumenti, pas eliminimit të Hoxhës, përgjatë një viti, Shehu do të vendoste njerëzit e vet në vendet kyçe dhe do ta mbante Shqipërinë vend socialist, por do ta hapte ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jugosllavisë, Greqisë etj. Në rast se do të dështonte në vrasje, i jepej 1.5 milionë dollarë dhe do të arratisej e do të vendosej në një vend mister të botës. Ky dokument erdhi në Tiranë, pati një jehonë të caktuar që e përshkruaj në libër. Këtu u hap një tjetër tablo, që ishte edhe pjesa më e mundimshme e librit. Tani duhej të gjeja provat në Nju Jork për çfarë ndodhi ato 21 ditë të qëndrimit të Mehmet Shehut atje. Në institucionet tona gjendeshin vetëm 5-6 radiograme dërguar nga Mehmet Shehu dhe 3-4 të tjera që Enver Hoxha kishte botuar në veprat e tij. Në arkivat e huaja, përfshi edhe arkivat e shoqërisë së hapur, arrita të gjeja një fotografi të Mehmet Shehut në seancat e OKB-së së bashku me Reiz Malilen, një personazh tjetër qendror i këtij libri. Gazetat amerikane të asaj kohe më ofruan të gjithë atmosferën, çfarë kishte thënë Fidel Kastro, Hrushovi apo të tjerët, debatet e ashpra të zhvilluara në sallë, por kishte shumë pak për veprimet e Shehut gjatë qëndrimit atje, përveç disa analizave të Reiz Maliles. Në këtë fazë që shënonte udhëkryq për librin, kërkova edhe njëherë në arkivat e Ministrisë së Jashtme dhe për çudinë time gjeta dosjen e plotë të Mehmet Shehut. Radiogramet riprodhoheshin në dy kopje: njëra i shkonte Enver Hoxhës dhe tjetra arkivohej. Këto më dhanë fatin e madh që unë të shpjegoj në hollësi veprimet e Mehmet Shehut në SHBA. Unë nuk them në këtë libër nëse ai ka takuar në Nju Jork agjentë të CIA-s apo gjatë kthimit me “Liberte”. Është një kompleksitet ngjarjesh që gërshetohen, për të cilat lexuesi nxjerr një konkluzion të tijin përmes dokumenteve të ofruara. Vetë Ramiz Alia do të shkonte në Nju Jork në vitin 1990, ku kërkoi edhe të takohet me Xhorxh Bush (plaku). Mehmetin e kishte akuzuar se ishte pro amerikanëve. E vetmja gjë e ditur është që nga familja Shehu humbën jetën tre vetë: Ladi u vetëvra, më pas Mehmeti dhe Fiqiretja vdiq në burg në rrethana të çuditshme.
Ju keni takuar edhe të vetmin dëshmitar të gjallë për ato që ndodhën në shtator të 1960-s. Sa ju ndihmoi ky takim?
Me përkthyesin e Mehmet Shehut në atë shtator shumë të largët të vitit 1960, tashmë dëshmitarin e vetëm të mbetur gjallë, Agim Popën, u takova mesditën e 17 nëntorit 2010 në lagjen e Bllokut. Në pothuajse një orë, sa për një kafe ndenjëm, u kuptua që ai kishte arritur të ruante në kujtesë fare pak. Për fat nuk i kishin humbur gjurmët e disa të dhënave të domosdoshme. Ai pohoi se shoferi i makinës me të cilën Mehmet Shehu udhëtonte në Nju Jork, i shoqëruar përherë prej dy agjentëve amerikanë, ishte shqiptar i ardhur posaçërisht nga Tirana. Pyetjes nëse i biri i Kryeministrit të famshëm britanik, Randolf Çërçilli, ishte ndier më pas gjatë ditëve të qëndrimit në Nju Jork, përkthyesi iu përgjigj vendosmërisht: jo. Në vijim të asaj bisede ai rrëfeu se pas Kongresit të Tetë të PPSH-së, ngjarje e ndodhur prej 1-7 nëntor 1981, pra një muaj e ca para se Mehmet Shehu të humbte jetën, në zyrën e tij ishte ndodhur rastësisht Behar Shtylla dhe një anëtar i Byrosë Politike. Ish-ministri i Jashtëm i kishte thënë njeriut të lartë të udhëheqjes partiake se kur qenë në vaporin anglez i biri i Çërçillit i pati kërkuar takim Mehmet Shehut, veçse kishte qenë jo Kryeministri, por ai që e kishte refuzuar. Rrëfimin përkthyesi e vijoi: “I them sikur nuk ka qenë kështu”. “Kështu ka qenë”, m’u përgjigj Shtylla. Pak ditë më pas shkova në zyrën e Ramiz Alisë dhe ja tregova këtë histori. Ky reagoi me këto fjalë: “Eh, do të shesë mend Behari!”. Përkthyesi menjëherë shqiptoi: “Domethënë Alia e dinte të vërtetën”. Me këtë donte të thoshte se pasuesi i Enver Hoxhës ishte i sigurt se Mehmet Shehu nuk ishte takuar në “Queen Elizabeth” me Randolf Çërçillin.
Ka një pozicionim për këto dy figura në libër?
I lutem çdo lexuesi të më kuptojë që jam neutral ndaj dy figurave, Ramiz Alisë dhe Mehmet Shehut. Ata janë liderë komunistë, stalinistë, njëri më i butë dhe tjetri më i ashpër. Unë nuk e marr në mbrojtje Mehmet Shehun si figurë politike. Ai është një nga këmbët e diktaturës me të gjitha dramat dhe krimet. Dua t’u tregoj njerëzve pamje ende të pazbuluara të jetës së vendit tonë. Ky është edhe qëllimi.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|