Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Debat për një shami koke


(Botuar në gazetën “Shqip”, më 16 janar 2011)

Në fillim ishte tema e projektit muzeal që do të ngrihet nga bashkia e Tiranës në zemër të kryeqytetit shqiptar, deri tani me një emër ende të palidhur mirë: “Muzeu i Tiranës dhe i bashkëjetesës fetare”. Pastaj ndodhi protesta e bashkësisë myslimane dhe asaj e krishtere ortodokse për çështjen e masës së pengimit të veshje-simboleve fetare në shkolla. Qenë ngasje të mjaftueshme për ta shtyrë sedrën e gjithsecilit qytetar të japë një mendim. Ndërkohë autorit të këtyre rradhëve i ndodhi një telefonatë e ambasadorit shqiptar në Bosnjë.
Kur Pashko Vasa mbi një përvojë të tërë historike kombëtare kreu ngjizjen mahnitëse të një kodi të arketipit tonë identitar, “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, sigurisht që e dinte se pothuaj të gjithë udhëtarët e Perëndimit dhe të Lindjes, konsujt apo edhe poetët, pa përjashtuar edhe të dërguarit e shërbimeve të fshehta, tek gjatë udhëtimeve të tyre në trojet tona përshkruanin karakteristikat e shqiptarëve shënonin të njëjtën gjë: besimet fetare nuk qenë shumë të rrënjëzuara. Nuk thanë asnjëherë se ishin të përcipta, të shkulshme. Nuk kryen po ashtu kurrë përhapjen publike të së pavërtetës se paraardhësit tanë nuk patën respekt për fetë. Thjesht kishin dalluar se feve shqiptarët u jepnim një rëndësi të caktuar në përputhje me rolin që ato luanin në mbijetimin tonë nacional. Disa të tjerë kombe në njëjësim me ambiciet e tyre të zgjerimit, të forcimit dhe imponimit, i dhanë rol disi tjetër besimit fetar, pra edhe patën nivel tjetër të rrënjëzimit të tij.
Pashko Vasa kur formuloi atë mendim të urtë patjetër e ka ditur se përparësia e besimit nacional mbi atë shumëfetar, tek shqiptarët rast i vetëm në Ballkan, nuk ndodhte se ne në këtë gadishull përfaqësojmë ndonjë popull të veçantë. Kur grekët e konsiderojnë besimin e tyre të krishterë ortodoks si të vetmen fe që saldon themelin e identitetit, veprat heroike për kombin i kanë kryer në emër të saj po aq lartësisht e vetmoheshëm si ne me shumë fe. Ndërsa për ne Shqipëria është shumëfetaria, për helenët Ortodoksia është Greqia. Midis grekëve në se binte kjo fe e vetme, rrokullisej edhe shteti. Po kështu ka ndodhur me serbët. E tillë ajo perceptohet ende prej tyre. Në të dy vendet e rëndësishëm ballkanikë me një fe në shumicë absolute (“totalitare”) kishat përkatëse duke shkëlqyer në mbrojtjen e identitetit nacional, kanë bërë edhe tejkalime të së drejtës së tyre, siç rëndom ndodh kur në një fushë të jetës shoqërore, siç është edhe ajo e besimit fetar, nuk ka pluralizëm. Sepse në fund të fundit një shoqëri e plotë pluraliste nuk duhet ta ketë këtë virtyt vetëm me tregun e lirë në ekonomi dhe me praninë funksionale të shumë partive në fushën politike. Duhet ta shprehë edhe tek fetë. Besimi në ekzistencën dhe udhëheqjen shpirtërore të një të Plotfuqishmi, i thirrur Zoti apo Allahu, janë e njëjta gjë si me bashkësitë ideologjike, programore apo afërie besimi politik, siç janë partitë. Në Shqipëri mundet që pluralizmi politik të ketë ende mosfunksionim të rrjedhshëm, por ai fetar është mjaft harmonik pikërisht për vlerat e mësipërme. Tepër i zhvilluar është në Greqi shumëpartitizmi, por mendojmë se shumëbesimi fetar qëndron mjaft më pas. Raste të ngjashme gjen në të gjithë Ballkanin, jo pak ndesh edhe në zemër të Evropës.
Në gadishullin tonë popuj me pluralizëm fetar masiv janë vetëm shqiptarët dhe boshnjakët. Në përmasat me të cilat këta dy popuj i kanë ndjekësit e tre apo katër feve, ata bashkë me territoret e tyre përbëjnë “ishuj” edhe në të gjithë kontinentin. Në rast se do ta gjykonim këtë pamje edhe nëpërmjet treguesit të shkallës së bashkëjetesës mes besimeve të ndryshme shqiptarët do të shkëputeshin ndjeshëm nga rasti boshnjak. Mbeten shumë më përpara tyre. Do të gabonim po ta vlerësonim këtë si epërsi identitare apo kulturore. Njëmijë herë absolutisht jo. Populli boshnjak nuk është më i prapambetur. Të dy rastet e ngjashme, por në të njëjtën kohë edhe të diferencuar, janë krijesa rrethanash historike. Ndërsa në rastin tonë jo pak “frute” të këtyre rrethanave janë të athët apo të hidhur, ky i mirëkuptimit fetar u bë i ëmbël. Në mpiksjen e kësaj dukurie me këtë nuk duam të mohojmë edhe një rol shqiptar, por kurrsesi ky nuk është dorëparë.
Ja pse mund të guxojmë të themi se rasti ynë i pluralizmit fetar dhe i nivelit të përparuar të bashkëjetesës mes tyre del përtej gadishullit, spikat në të gjithë hapësirën kontinentale dhe shkon më tutje. Ambasadori ynë në Sarajevë, Flamur Gashi, njohës shumë i mirë i feve dhe i ndikimit të tyre në Ballkan, gjatë bisedës telefonike nguli kembë se shqiptarët këtë cilësi e kanë më të epërme edhe se disa popuj në Lindjen e Afërme apo Afrikën Veriore, ku mes besimtarëve të shumtë myslimanë praktikuesit e fesë së krishterë nuk janë të pakët. Pra ai e shtriu karakteristikën e shumëfetarizmit tolerant shqiptar edhe në kontinentin tjetër. Drejt Perëndimit le ta depërtojë, me aq sa e njeh gjendjen, secili lexues.
Një analizë e tillë do të na çonte tek arsyetimi se tek ne po ra shumëfetaria, bie Shqipëria. Po u dobësua njëra palë ngjan e njëjta edhe me tjetrën. Në rast se do të kemi diturinë të forcojmë pluralizmin fetar Shqipëria do të gëzojë po aq më shumë fuqizim.
Në një terren të tillë shkrepja e debatit rreth një projektligji për ndalimin në shkolla të simboleve fetare, ku prej hartuesve (siç po duket) përfshihet edhe shamia e kokës për femra fytyrëzbuluar apo edhe ndonjë gjerdan i thjeshtë në qafë a byzylyk modest në nyje të dorës, ku mund të gjendet ndonjë kryq i imët, ishte një zhvillim i natyrshëm. Projektiligji, i cili duhet thënë se është serioz, ndalon në shkolla edhe veprimtaritë e partive politike. Askush nuk hapi polemikë për këtë kufizim të tij, edhe pse ka vende perëndimore ku pengesa të tilla nuk ekzistojnë. Kur partitë politike, të cilat janë struktura mjaft influente, nuk bëzanë, kjo do të thotë se ato e mirëkuptuan këtë kufizim si një mënyrë racionale për të mos trazuar stabilitetin dhe lirinë e shkollave për marrjen vetëm të dijeve shkencore. Gjest shumë i bukur i një shteti laik. Ndërkohë udhëheqjet e dy bashkësive fetare, duke e pranuar pa asnjë kundërshtim këtë veprim të shtetit (dëshmi e shkallës së lartë të kulturës së tyre bashkëjetuese) shpjeguan se në projektligj nevojitej një saktësim. Ato kuptuan se ndalimi i drejtë i vendosjes së simboleve fetare në mjedise auditorësh e klasash, moslejimi i veprimtarive të tyre publike, nuk mund të shkojë deri tek shamia e kokës, që edhe pse e mbajnë besimtare të padyshimta islame, nuk përbën imazh apo shembull prapambetjeje, siç janë poshtërrueset e femrës, ferexhetë. Mjedisi ndërfetar shqiptar është mjaftueshëm durues që të mos shqetësohet as nga ato shami dhe as prej ndonjë stolie rinore me imazh të përmbajtur kryqi. Në qytetet historikë të Shqipërisë që nga Shkodra deri në Berat e Gjirokastër me shekuj të tërë ka vepruar rregulli, “ligji i pashkruar”, që çdo i krishterë të kishte mik për kokë apo vëllamë një mysliman dhe e kundërta. Prandaj përderisa mjedisi ynë është miqësor ndaj këtij pluralizmi fetar, duke e mbrojtur shkollën nga prania reale e veprimtarive apo simboleve partiake dhe fetare, këshillat pedagogjikë mund e duhet të inkurajohen të mos e cënojnë këtë liri gjer në shfaqje të pranueshme. Në rast se ligjhartuesit e pastaj ligjmiratuesit, deputetët, do të bënin ndërhyrjet e duhura për ta saktësuar deri ku shkon thelbi i vërtetë i të qënurit simbol fetar dhe mes nxënësve shqiptarë do të mirëpranohej ajo çfarë lusin me shumë dinjitet udhëheqjet e dy bashkësive fetare, jo vetëm opinioni ynë publik, por sidomos ai i huaj do të gjente një dëshmi reale, të dukshme, të prekshme, të dimensionit shumë të përparuar të bashkëjetesës ndërfetare shqiptare. Shtrëngimi i sertë, pedant, jo vetëm do ta ulte sforcueshëm këtë përmasë tolerance, por edhe do ta lëndonte e plagoste shumë. Do të na shkaktohej një veprim i kundërt, do të lindëte një energji për ta shtyrë praptas atë standard që ne e kemi ndër më të zhvilluarit në kontinent.
Ne i heqim kapelen çdo modeli francez, gjerman, britanik apo italian, sepse janë shoqëri mjaft më të zhvilluara se ne. Le të na “i heqin kapelen” edhe neve për këtë fat dhe meritë njëkohësisht: bashkëjetesën e lartë ndërfetare.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com