Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Nga Xhufi tek Berati, nga Berati tek Pëllumbi

(Botuar në shtojcën kulturore “Milosao”, “Gazeta Shqiptare”, 5 shtator 2010)

Me librin e tij të fundit “Nga Paleologët tek Muzakajt” (Berati dhe Vlora në shekujt XII-XV), Pëllumb Xhufi na riktheu në kujtesë një nga ngjarjet më vezëllitëse të mesjetës së ndritur shqiptare dhe veçanërisht Beratin, qytetin që përfaqëson një nga gurët brilant të qytetërimit tonë, tashmë të marrë në mbrojtje nga UNESKO me statusin e pasurisë së gjithë njerëzimit.
Një vit pas vdekjes së carit serb Stefan Dushan, në 1356, në njërën nga kodikët e rrallë të Beratit gjenden këto radhë: “Kujtohu, o Zot, për skllavin tënd Skuribegun, për gruan dhe fëmijët e tij. Etër të shenjtë, ky Skuribegu i fali Manastirit të Theologut të Madh dhe të Shën Gjergjit 27 libra, ndër më të zgjedhurit e më të vyerit. Kur serbët sulmuan Beratin, dhe u derdhën duke kërkuar majtas e djathtas forcomave sipër në kështjellë, at Theodhuli guxoi ta fshehë atë në një skutë të sigurt dhe ta çojë më pas deri tek kulla e portës së madhe të kështjellës. Dhe kështu shpëtuan këto 27 libra, që murgu në fjalë i fshehu brenda në kullë, pasi bëri dy rrugë duke bartur në shpinë e në duar. Ndërkohë shokët e tij ja kishin mbathur dhe nuk e çanë kokën për to, kurse murgjit e tjerë kishin braktisur edhe vetë kështjellën. Dhe tani, ju që e doni zotin tonë Jezu Krisht dhe Theologun e madh e Shën Gjergjin, përsërisni dy herë lutjen “Zoti na mëshiroftë!” Nëse ai sot gjendet akoma në provincën e Beratit, ju, të dashur vëllezër, duhet ta mbani për mik të shtrenjtë, sepse ai veproi që ditën e parë. Sepse edhe sikur të kishte shpëtuar ndonjë nga dita e parë (e sulmit), asgjë nuk do të kishte mbetur, pasi ditën e dytë ia mbërritën nga Tomori Serbët dhe Vllahtë, që nxorën edhe të vdekurit nga varri. Dhe Skuribegu hoqi e vuajti për ditë të tëra. S’mjaftoi kjo, por ditën e katërt të korrikut, në orën gjashtë, ra një tërmet i fortë; kështjella u drodh për pesë ditë me radhë. Beratasit u varën poshtë kështjellës dhe u përhapën në të katër anët”.
Qyteti i cili në kohët moderne u thirr si i “një mbi një dritareve” dhe për dekada të tëra magjepsja e kureshtarëve dhe e vizitorëve u mësua të ngulitej në këtë vlerë, një shkëlqim të tillë e ka vetëm një grimcë të vogël në historinë së vet mbi dymijë e katërqind vjeçare. “Mangalemi”, pra lagja karakteristike me dritaret mbi njëra-tjetrën, është një krijesë e vonë urbanistike, një nga mrekullitë më të fundit të beratasve. Kur në “Nga Paleologët tek Muzakajt” Pëllumb Xhufi përshkruan jetën e qytetit ekzistonte vetëm kështjella, sigurisht e banuar, për nga madhësia e lloji madje një nga më të mëdhatë në Ballkan. Nga ajo kala u shpëtuan ato 27 libra të rrallë, patjetër kodikë e jo shumëfaqëshit e sotëm që lidhen lehtë e lehtë nëpër shtypshkronja. Njëzetë e shtatë libra të mos rëna në duart e pushtuesve të huaj qenë sa njëzetë e shtatë biblioteka të shpëtuara. Ato përmbanin të gjithë themelin e identitetit të shqiptarëve të mesjetës. Kruja mbetet e shquar sepse për një çerek shekulli mbrojti një nga kodet vitale të arketipit tonë: dëshirën për të qenë të lirë ose të paktën të çliruar nga sundimi i një tjetri. Me ruajtjen e librave të shenjtë të Kodikëve Berati mbrojti një tjetër kod vital të trashëgimisë tonë: jetën e zhvilluar shpirtërore, pasurinë e mendimit.
Në rast se Beratin e studion seriozisht dhe me mendje të thellë e largpamëse ai të bën me emër. Ta jep këtë fat ai vetë, me prestigjin ballkanik e kontinental që ka, përse jo edhe me atë botëror. Piktori 81 vjeçar Jak Serreqi, i cili për të ndjekur një shkollim e ka lënë Shqipërinë fare i vogël shumë vite para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, me pjesë të jetës së tij në Itali, Londër dhe tashmë në Vankuver të Kanadasë, na shpjegonte këto ditë se si i pati ndodhur të ndeshë për herë të parë me emrin e Beratit. Kishte qenë një libër i shumëlexuar në anglisht. Atje prej Shqipërisë citohej ky qytet, ekskluzivisht vetëm ai. Konsiderohej mjaft i veçantë. Ndërsa shkëmbenim këtë informacion hamendësuam se depërtimi i famës së Beratit në botën anglishtfolëse duhej të ishte edhe kontribut i piktorit dhe i poetit Edward Lear, i cili ka krijuar dhe përhapur në vendin e vet pamje mahnitëse të tij. Galeria e Arteve Pamore e qytetit të “një mbi një dritareve” e mban këtë emër për ta nderuar e ndoshta këto çaste merr vesh se vepra e Lear-it ka qenë në botën anglofone po aq e rëndësishme sa e Lord Bajronit, i cili tek poema “Çajlld Harold” (“Chidle Harold”) me vargjet për Shqipërinë e bëri vendin tonë shumë më të njohur në botë.
Berati të jep emër edhe thjesht duke thënë se ke lindur atje. Asnjë banor i tij, qoftë edhe më i shquari, nuk ka famë më tepër se qyteti, kështu që në punë të njohjes publike shumë ka marrë se i ka dhënë. Këtë sekret disa bashkëkohës që e dinë mirë, të pajisur me talentin e hileqarit për të përfituar, e kanë shfrytëzuar për t’iu ngjitur Beratit. Pikërisht sepse të jep zëmërgjerësisht mjaft nga emri i tij vezullues ka ndodhur që për banorët autoktonë të tij të bëhet i besueshëm ndonjë emër individi e sidomos ndonjë dokërr e tij.
Mes të “vjetërve” dhe të “rinjve” studiues të qytetit, “vendasve” dhe të “huajve”, pra qindra e qindra emrave, kohët e fundit hyri një tjetër. Është Pëllumb Xhufi. Me librin e tij të fundit “Nga Paleologët tek Muzakajt” (Berati dhe Vlora në shekujt XII-XV), ai zuri menjëherë vend me autoritetin e një vepre që do të mbetet udhërrëfyese. Të gjithë që do të vijnë më pas dhe dëshirojnë të orientohen drejt në studimet e tyre për këto dy qytete e këtë periudhë kyçe historike të shqiptarëve duhet të kalojnë në leximin e vëmendshëm të katërqind e pesëdhjetë e gjashtë faqeve të tij. Historiani i spikatur i mesjetës, diplomat për shumë vite dhe me përvojë aktuale politikani, me “Nga Paleologët tek Muzakajt” ka dëshmuar se të tre këta përbërës të formimit tek një intelektual jo vetëm bashkëjetojnë harmonikisht, por edhe janë mjaft të nevojshëm. Pa qenë edhe diplomat e ushtrues i politikës do të qe më e vështirë për një shkencëtar “të pastër” të kuptonte dhe të interpretonte protagonistët e mëdhenj të historisë sonë. Sipas një logjike të thjeshtë të paktën: në kohën e vet ata qenë politikanë dhe për pasojë diplomacia ishte mjeshtëria kryesore e mbijetimit të tyre.
Pëllumb Xhufi me “Nga Paleologët tek Muzakajt” (Berati dhe Vlora në shekujt XII-XV) ka nxjerrë nga duart një vepër mbresëlënëse dhe që do të mbetet jo vetëm sepse është lartësisht shkencore, por edhe mjeshtërore në stilin e të shkruarit. Shumë historianë të ditur nuk e kanë fatin të zotërojnë edhe talentin e rrëfimit, kështu krijimet e tyre të mençura e të domosdoshme për grupe të mëdha të opinionit publik mbeten vetëm në rrethe të ngushta e të mbyllura akademikësh e profesorësh. Mirëpo shqiptarët në historinë e tyre kanë aq shumë periudha dhe figura origjinale, një pjesë ende në gjysmë terr, sa që është domosdoshmëri e kohës njohja e tyre nga sa të jetë e mundur më tepër bashkëkombës. Po ashtu edhe nga sa më shumë të huaj. “Nga Paleologët tek Muzakajt” është një libër që mund të konkurrojë denjësisht çdo studiues të formuar në qendrat studimore të çështjeve shqiptare në perëndim e lindje të kontinentit. I rishkruar për një lexues të huaj përse të mos përkthehet e t’i paraqitet një shtëpie botuese të kontinentit? Kur sugjestionohemi nga librat e disa studiuesve të huaj përse të mos besojmë se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me botën e madhe përtej kufijve tanë? Jo pak shkrimtarë shqiptarë tashmë prej dekadash janë përfshirë në këtë ballafaqim dhe po ja dalin t’i japin zë Shqipërisë. Edhe historianët tanë duhet të guxojnë.
Duke e lexuar “Nga Paleologët tek Muzakajt” gjithsecili merr disa kumte. Ato prej talentit të rafinuar të autorit në pamje të parë ngjajnë si shtysa spontane, por në të vërtetë janë të qëllimshme. Të parin mesazh të posaçëm të Xhufit do ta përcaktonim me një frazë të urtë, por të keqpërdorur kur lulëzoi, “Shqipëria shqiptarëve!” Përkundrejt prapamendimeve “internacionaliste” të ideologjisë staliniste që depërtoi dhe u bë organizatore e lëvizjes çlirimtare partizane (me yllin e kuq e të huaj në kasketë) rivalët e tyre që nuk rezultuan aq fort largpamës, dy simbole i zgjodhën saktë: shqiponjën në ballë dhe devizën prijëse “Shqipëria shqiptarëve”. Libri “Nga Paleologët tek Muzakajt” me pasionin e aftësinë e vet profesionale kushtron për të ndriçuar gjer në imtësi të gjithë historinë tonë, detyrimisht në një mënyrë të tillë që të mos jetë e ndikuar nga ndonjë ideologji dhe pragmatizëm partie të veçantë.
“Berati si alterego i Vlorës” interpreton në librin e tij autori dhe nuk duket pa vend të shtosh edhe “Vlora si alterego e Beratit”. Këto dy qytete në mesjetë kanë qenë dy binjakë, në mos siamezë. Duket sikur nuk mund të bënin pa njëri-tjetrin. Historiani stilbukur Pëllumb Xhufi e ka vendosur në qendër të librit të tij këtë bosht (Berat-Vlorë) për të gjitha llojet e zhvillimit politik, ekonomik apo kulturor, por veçanërisht për vlerën e posaçme që ky aks në mesjetë ka pasur për të ruajtur integritetin e kombit në fillimet e formatimit të tij. Kjo hapësirë gjeopolitike, ky despotat, u shndërrua në një fidanishte ku u rrit klasa feudale vendase, ajo shqiptare. Pikërisht për këtë dëshmi i është drejtuar Xhufi këtij territori dhe kësaj kohe. Për rrethana të ndryshme qytetet e mëdhenj, të paktën ata në bregdet apo në afërsi me të, u populluan për qindravjeçarë të tërë me venedikas e romanë, me grekë, sllavë dhe hebrenj. Elementi autokton, veçanërisht ai me pushtet, mbeti i lënë mënjanë. Mirëpo pavarësimet e popujve dhe të gjitha liritë e tyre lidhen e kushtëzohen jo vetëm nga kontributi i njerëzve të thjeshtë, por sidomos nga e zotërve dhe e kapitenëve, nga feudalët dhe tregtarët, pra nga ata që grumbullojnë pushtet dhe e ushtrojnë atë. Formësimi i identitetit të një populli nuk mund të kryhet pa klasën e vet pushtet ushtruese. Pëllumb Xhufi dëshmon se si patriotizmi nuk mund të ekzistojë edhe pa zotërit lokalë, pa Muzakajt apo Balshajt, pa Skurrajt, Matrëngat apo Arianitasit, pa Dukagjinët apo Kastriotët. “Historia e rritjes së familjes Muzaka do të ishte pak a shumë edhe historia e zhvillimit dhe e konkretizimit të prirjeve autoktone shtetformuese”, guxon të japë një gjykim shumë të fortë autori. Pastaj nxjerr në pah disa herë atë që albanologu Karl Hopf ka pohuar: libri “Kronika e Gjon Muzakës”, i botuar në Itali në dhjetë vitet e para të shekullit të pesëmbëdhjetë, përfaqëson “perlën e dokumentacionit historik për mesjetën shqiptare”. Një fakt e përmasë e tillë e vlerës së Beratit deri tani qe lënë pas dore, nën rutinë. Pëllumb Xhufi e rikthen në shkëlqimin e vërtetë. Ndërkohë thotë fjalët lapidare “Berati ka lindur për një rol të spikatur historik”.
Me “Nga Paleologët tek Muzakajt” historiani me sharmë shkrimtari mbi të gjitha ka dëshmuar se di ta njohë kodin themelor të qytetit: ai është “pëllumb”. Kjo do të thotë se zotëron mënyrën e butë e virtuoze të kombëtarizmit, atë të ruajtjes së qytetërimit pa bërtitur dhe bërë zhurmë. Berati i mban për vete, “të fshehura”, virtytet e tij. Bën mirë, keq apo as mirë dhe as keq, kjo është një çështje që lë diskutim. Veç ky është beratasi. Këtë kod ka, këtë rregull pranon. Hyre ndryshe në jetën dhe qytetin e tij do të mbetesh përjetë i huaj. Kur ta kuptosh këtë do të jetë vonë.

ooo

Kryetari i bashkisë e ka mandatin e tij të dytë të qeverisjes vendore. Në një farë mënyre Fadil Nasufi është një nga zotërit lokalë të qytetit. Por këtu këta janë të shumtë. Tepria e tyre apo e kundërta, lindja e një shumë të fuqishmi, është karakteristike për qendra banimi të mënjanuara nga korridoret kryesore të jetës e zhvillimit të vendit. Fati i Beratit jo fort afër pushtetit qendror dhe ndikimit maksimal të elitës kombëtare ka rrezikuar herë pas here mos harmoni të brendshme pushtetesh. Kjo nuk dallohet aq lehtë. Në rast se zotërit lokalë, të zgjedhur apo edhe të emëruar rregullisht, ushtrojnë influencën e tyre, kjo në fund të fundit e ka një veshje ligjore. Mirëpo si ta kuptosh që ndodh siç e ka bërë të shumëditur media: inkurajuesi (dhe pronari) i degës së Universitetit UFO, një sipërmarrës mjaft interesant në fushën e arsim dhe kulturimit të shqiptarëve, për të bërë disa punime në një ndërtesë, edhe pse e di që po të paraqesë kërkesë shkresore do t’i hapin rrugë, nuk e bën as këtë formalitet. Vepron nën modelin e më e pakta një anarkisti dhe më e shumta të një të mbipushtetshmi. Beratin me natyrën e tij të “pëllumbit”, pra të mossherrit, e keqkuptojnë shumë. Energjinë e mospajtimit dhe të mos nënshtrimit, cilësi kombëtare e të gjithë shqiptarëve, beratasit e kanë përshtatur sipas stilit të jetës së tyre: nuk e lënë të duket. Mirëpo ajo gjithsesi është energji dhe si e tillë vetëm transformohet. Në qytet, siç ndodh edhe në histori, vendoset në çastin kur personit i formohet gjurma që do të lërë, imazhi i kujtimit. Në këtë çast vendimtar papritmas mbi të “fortin” zullumqar bie një pluhur i tërë përfoljeje që e nxin dhe e bën pis. Në një farë mënyre si edhe për të gjithë njerëzit po ashtu edhe për beratasit hesapet lahen që në këtë dynja.
Fadil Nasufi ka një gjysmë shekulli që jeton në qytet. Ka zbritur aty prej fshatit të Roshnikut, një qendër banimi në lindje të tij, por që në të shkuarën ka luajtur një rol jo të parëndësishëm në historinë e Beratit. Kjo do të thotë se që pa hyrë aty ata mbartin me vete cilësinë e domosdoshme të pranimit në të, “lejen e qëndrimit”: tolerancën, bashkëjetesën, moskonfliktualitetin. Nasufi, siç ndodh normalisht me një zot lokal, i pëlqyer por edhe i qortuar, i ka të modeluara shumë mirë brenda vetes këto karakteristika. Ai e di që Berati në trashëgiminë e vet ruan vlera që, të lëna mënjanë apo të pa spikatura, duhet të rikthehen sa më shpejt me shkëlqimin e dikurshëm. Po tregojmë njërin nga veprimet e tij: traditën e lidhjes me hebrenjtë. Pas një konference dhe një botimi të posaçëm për traditën shekullore të jetesës së përbashkët me ta dhe sidomos mbrojtjen që në qytet gjatë Luftës së Dytë Botërore u është bërë shumë familjeve të tyre, më në fund në hartën urbanistike të Beratit është e “gdhendur” emri i një rruge të re. Në një nga pjesët më të vjetra dhe tërheqëse, tek “Metropolia”, udha me kalldrëm është emërtuar “Rrugica e hebrenjve”. Ndërkohë Berati është binjakëzuar në Izrael me qytetin Karmiel. Një dërgatë pune ka shkuar atje dy herë. E fundit qe këtë verë. Karmieli është në veri të Izraelit, ka 55 mijë banorë, përmbledh në bashkëjetesë shembullore shtatëdhjetë kombësi dhe në kronikën e vet ka të regjistruar vetëm 45 vite jete. Në këtë pothuaj një gjysmë shekulli ka pasur vetëm dy kryetarë bashkie. I dyti, aktuali, ka mbi njëzetë vite që e drejton atë. Por për dërgatën nga Berati Karmieli, qytet që çdo vit në veprimtarinë e një festivali arti nga të ardhurit prej të gjithë botës dhjetëfishohet, është interesant sepse ka një bashkësi shqiptarësh. Janë pesëmbëdhjetë familje, të gjitha shumë të integruara. Vlonjatja Feliçeta, e martuara me hebreun vendas Jakoel, është kryetarja e këtij komuniteti. Sërish nga Vlora është edhe Sem Salamoni. Aty ndodhet edhe Maria, e motra e të paharruarit Robert Shvarc. Nuk mungon pa u spikatur edhe Mustafa Buci, dikur njëzetë vite pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Në këtë bashkësi mjaft aktive ndodhet edhe Zino Matathia, një mjek kirurg mjaft i njohur, për vite të tëra jetuar e punuar në Berat, gjatë luftës së Kosovës në vijë të parë të ndihmës në një spital fushor të dërguar që në çastet e para nga qeveria e Tel Avivit. Në të pesëmbëdhjeta shtëpitë e shqiptarëve hebrenj nuk mungojnë jo vetëm flamuri me shqiponjë, shenjat e mbresave të pashlyera nga qytetet ku kanë jetuar, por edhe të tërë ndjekin përditë në televizion, nëpërmjet satelitëve, çfarë ndodh në vendin tonë. Edhe “beratasi” Zino Matathia i ka të gjitha shenjat e qytetit, foto dhe këngë, piktura në mure e në kompjuter montazhe të tëra pamjesh e melodish. Atë që të gjithë e kanë fituar aty, ndryshe nga sa ndodh me ne, janë pasionet e përmbajtura partiake. U kanë vënë një masë fine, një kufi të butë, larg të trallisurit. Po ashtu merakosen përse nëpër festivale apo programe të shumta televizive muzikore në Tiranë këngëtarët e rinj konkurrojnë me tepri melodish të huaja. Përse të mos ndodhë ky zell me muzikën vendase?
Berati parailir dhe ilir, pjesë e perandorisë romake dhe aq fort i lidhur me Konstandinopojën sa që në kulturën e vet ka të pa heqshme gjurmë të shumta të Bizantit, i vlerësuar nga UNESKO për profilin urbanistik me shije osmane, në lidhjen e veçantë me hebrenjtë ka edhe një shenjë lapidare. Të drejtën e hartimit të planit rregullues të qytetit, pra studimi se ku do të mbetet e restaurohet vazhdimisht pjesa historike, atje ku në të ardhmen do të marrë hov ndërtimi i zonave moderne të banimit si edhe ajo e zhvillimit industrial, me financim të Bankës Botërore i është besuar studios izraelite “Lerman”.
Kështu në Berat po rikthehet një nga traditat më karakteristike dhe më themelore të tij: qytet i hapur.
Ose Qyteti Pëllumb.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com