Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Bashkëkombës, bëni një udhëtim në Arbëri!


(Botuar në gazetën “Shqip”, më 6 korrik 2010)

Tani jemi Shqipëri, pra thirremi shqiptarë, por pesë shekuj më parë dhe më herët quheshim Arbëri dhe thirreshim arbër. Ky është emri ynë i lindjes si kombësi. E gjithë Evropa dhe tërë kontinentet e botës na regjistrojnë në kronikat e hartat e tyre Albania pikërisht për shkak të këtij emri të fëminisë sonë. Më pas për mjaft arsye, disa ende në debat e sipër, ku nuk mungon edhe kërcëllimi i teorisë se pas vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimit përfundimtar të trojeve tona paraardhësit tanë për të mos u ndëshkuar nga hakmarrja e perandorisë osmane, pra për t’u “fshehur”, kryen një akt konvertimi, e braktisën emrin e vërtetë dhe morën një të dytë, me shqiptim tingëllor krejt tjetër, Shqipëri. Kështu tashmë jemi popull dhe etni me dy emra kombësie, një që e përdorim mes nesh dhe një tjetër të huajt. Fjalën Arbëri e shqiptojmë vetëm kur i drejtohemi shumë qindravjeçarëve të mëparshëm, pra historisë.
Mirëpo e veçanta jonë nuk mbyllet këtu, ajo vazhdon. Emri Arbëri nuk është shuar, zhdukur, harruar. Ekziston, mbahet gjallë, vepron, është në jetë. Arbëria nuk gjendet këtu, në viset tona, por e transferuar përtej detit, në Itali. Ajo ka emigruar. Andej, në gadishullin italik, siç e dimë të gjithë, ekzistojnë që prej pesëqind vitesh bashkëkombësit tanë të emigruar gjatë rezistencës kundër pushtimit islamik osman: arbëreshët. Pikërisht ata kanë kryer edhe një kryevepër, sot në glob një rast tepër i rrallë: kanë ruajtur Arbërinë. E morën me vete tek me aq shumë vuajtje fizike e dhimbje shpirti kapërcyen detin. Nëpër ato barka dhe anije që mund t’i fundoste shtrëngata më e vogël, përveç fëmijëve e prindërve, ikonave të krishtera dhe ndonjë boçeje me veshjet më të ngutshme, morën në zemër këngët e vallet, gjithë kujtesën historike, tërë identitetin e tyre. Qe një pasuri e madhe që nuk ishte lëndë materiale, por frymë shpirti. Sepse ishte e tillë, pra gjithçka që kishin pasur në vendlindjen e tyre, ajo që bartën në territorin e një populli tjetër qe vetë atdheu.
Po të udhëtosh sot në fshatrat e qytezat arbëreshe, të cilat tashmë janë afro pesëdhjetë dhe e gjithë kjo popullsi diçka më tepër se njëqind e pesëdhjetë mijë njerëz, dëgjon të pohohet se realisht ka Arbëri. Ajo nuk është një hapësirë e caktuar territoriale, pra nuk është një shtet klasik, në të nuk ka qeveri dhe nuk ka si të ketë. Arbëreshët janë shtetas italianë, madje nga më korrektët. Megjithatë edhe pse me statusin e pakicës gjuhësore, por në të vërtetë edhe kulturore, ata kanë arritur të mbajnë të gjallë një Arbëri virtuale. Sot shteti modern është kulturë dhe doemos që edhe kultura ka forcë të brendshme të përbëjë një shtet. Sepse e ruajtën për pesëqind vite gjuhën dhe traditën e tyre shpirtërore amtare imazhin e Arbërisë e kanë sot të ngjizur aq fort sa duket sikur këtë vepër e ka kryer një administratë e tërë, struktura të plota të një shteti të fortë.
Sot shqiptarët janë të organizuar në dy shtete. Ka dhjetë vite që tashmë të dy palët e bashkëkombësve shkojnë masivisht tek njëri-tjetri, veçanërisht ata të Kosovës drejt Shqipërisë. Për shkak të një mali me shkaqe dhe (pa) arsye nuk ndodh kjo mes nesh që ndodhemi përkëtej detit, në Ballkan, me Arbërinë. Gjer ditën kur do të shkojmë e vijmë pa pushim nga ky breg tek tjetri dhe anasjelltas, pra kur të rrëzojmë barrierat që na kanë ngritur dhe po ashtu vënë vetes, një prej tyre do të bjerë shumë shpejt. Pas disa muajsh do të çelen kufijtë me vendet e Bashkimit Evropian, për pasojë edhe me Italinë. Në këtë ngjarje të madhe ka diçka që nuk duhet harruar pa u kryer, që bëhet gjest i bekuar: të mos humbasim rastin e të shkojmë në Arbëri. Do të jetë një ngjarje e madhe mbresëlënëse, e paharrueshme, mjaft frymëzuese, që ta bën më të bukur jetën, e mbush atë me shumë kuptim. Veç kush ka shkuar nëpër vendbanimet arbëreshe e di çfarë ndjen në të gjithë qenien e tij kur dëgjon të flitet në gjuhën tonë të pesë shekujve më parë, ndërsa hyn në muzeumet etnografikë dhe sheh si kanë jetuar të parët tanë (çdo fshat apo qytezë ka një të tillë), tek dëgjon këngët dhe të bie të gjendesh para një grupi valltarësh, në një rit dasme apo në një darkë të mbushur me pyetjet e papushuara si i themi të dy palët zogut, lules, lëndinës, ujit, bukës, qengjit, frutave, vesës së mëngjesit...
Jo vetëm në Pulia, në rrethinat e Leçes, por edhe në hapësirat më të ngjeshura arbërore, në Kalabri e deri në periferinë e Palermos në Siçili do të shohësh buzë autostradave në tabela dygjuhëshe emrat Spezzano Albanese, Machia Albanese, San Cosmo Albanese, Vaccarizzo Albanese, San Giorgio Albanese, Santa Caterina Albanese, Falconara Albanese, Piana degli Albanesi, San Costantino Albanese, San Paolo Albanese...Do të bëhesh dëshmitar si qyteza arbërore Lungro quhet në të folmen e bashkëkombësve tanë të vjetër Ungra, Civita thirret Çifti, San Demetrio Corone Shën Mitër....
Përveç vendeve që të rritin krenarinë kombëtare hapësirat e Arbërisë janë edhe troje me një bukuri të madhe turistike. Për këtë secili mund të shohë në internet paketa të tëra promovimi nga sipërmarrës vlonjatë dhe të të gjithë Bregut në jug, krahina të lidhura historikisht me arbëreshët. Mes shumë udhërrëfyesve të krijuara në Arbëri së fundi njëra, ajo e Margarita Çelestinës (Margherita Celestino) ka 13 intenerare vizitash turistike. Në Galatina, në qytezën ka ku jetuar nipi i Skënderbeut, Ferrante, si edhe shumë familje të tjera fisnike janë gjermanët që po blejnë shtëpi të dyta dhe amerikanët turistët më të shumtë në Çift apo në Shën Mitër. Gjithkund mungojnë vetëm shqiptarët, madje edhe prej afro një gjysmë milioni nga të emigruarit tanë në Itali pas vitit nëntëdhjetë.
Sikur të shkonim më shumë në Arbëri, atje ku bashkëkombësit tanë të para pushtimit osman kanë ngritur virtualisht dhe ruajtur me mall të pashuar, por edhe me dije e kulturë, vendlindjen e atdheun e tyre të pesë shekujve më parë! Mbase si fillim, si për ta ndezur këtë lëvizje të madhe, duhet një shtysë, një shëmbëll: të nisej për atje një grup deputetësh, një bashkësi gazetarësh, një grup sipërmarrësish të turizmit, disa politikanë, sepse akademikë e profesorë kanë shkuar. Janë të vetmit që nuk kanë munguar në Arbëri...
Por që të jetë vërtet një akt i madh historik duhet të shkojë populli tek populli. Do t’i ndihmonim shumë me këtë kontakt të përmalluar, do të qe inkurajim i madh për qëndresën e tyre. Në Arbëri një proces i vërtikshëm globalizimi sillet rrotull, herë shpresëdhënës dhe mjaft herë kërcënues për ta shuar këtë pasuri të madhe gjuhësore dhe kulturore, thesar për të cilin jo vetëm shteti italian, por edhe BE investon kujdes, merak dhe fonde. Ne këtej ende jemi në hallet e tranzicionit dhe për fonde akoma ngushtë, edhe pse deri tani ndonjë ministri, bashki si e Lushnjës, disa grupe individësh apo shoqata kanë dhuruar buste të Gjergj Kastriotit apo së fundi në Çift edhe atë të Pal Ëngjëllit, kryepeshkop i shtetit të Skënderbeut dhe kryediplomat i heroit tonë evropian.
Një udhëtim në Arbëri, ah sikur ta bënit!

Ylli Polovina










Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com