Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Tirana nuk është Tirona


(Botuar në gazeta “Shqip”, 9 qershor 2010)

Që si rregull shqiptar një individ nga etnia jonë peshon shumë e më shumë se një grup i tërë i bashkëkombësve, një bashkësi e madhe e tyre apo edhe më tepër se edhe vetë e gjithë shoqëria jonë, mund të gjesh prova sa herë të duash, pra në të gjitha rastet që shfleton historinë tonë. Tek ne individi është i pari, i gjithëfuqishmi, qendra e rëndesës, pika e fillimit dhe e përfundimit të çdo lëvizjeje, kohe, epoke. Vullneti i tij është i hekurt për mjaft gjëra, një pjesë të dobishme siç janë lufta vitale për të mbijetuar e për të arritur çdo qëllim personal. Ndërkohë ky vullnet është i çeliktë për t’i lënë sa më pak hapësirë çdo grupi e kolektivi. Pikërisht në këtë raport të çrregulluar të individit shqiptar me çdo bashkësi të tyre, që nga familja e deri tek parlamenti, i kanë problemet mjaft defekte të rëndësishme të qytetërimit tonë.
Këto kohë nëpër Tiranë po materializohet emërtimi i rrugëve. Është një punë e bukur, tabelat janë fine e të qarta, kështu pak nga pak po i jepet fund amullisë së lagjeve dhe udhëve qytetëse pa emra, së afërmi me siguri edhe banesave pa numra. Duket qartë që ka nisur një punë që do të kryhet gjer në fund dhe përballë vizitorëve të huaj që na shpotitin për anarkinë tonë tipike do të kemi më në fund një argument më tepër për t’u mbrojtur. Sepse pas ironisë së disave prej tyre përvidhet dinakërisht edhe përfolja e njohur se jemi një popull me aftësi të kufizuar shtetformimi.
Megjithatë në këtë punë të vyer të emërtimit të rrugëve kryeqytetase, por me siguri edhe për çdo qytet tjetër shqiptar, na duket se ka një problem. Sërish në to sundojnë emrat e individëve. Kudo ndeshesh dhe përplasesh me një emër dhe mbiemër personi, të cilit edhe në rastin kur ke një jetë të tërë që lexon historinë e vendit tënd, nuk i kujton e nuk i shpjegon dot. Në Tiranë ka shumë të padëgjuar ose fare pak të rëndësishëm. E themi këtë jo sepse ata nuk kanë ekzistuar dhe nuk kanë bërë një punë të mirë, por sepse Tirana nuk është Tirona, ajo është kryeqyteti i Shqipërisë. Këtu rrugëve u duhen vënë edhe emra qytetesh të të gjitha trojeve tona, Gjakovë apo Manastir, të të gjitha kryengjarjeve historike kombëtare, atje ku kontributin e kanë dhënë shqiptarët e bashkuar. Shpërpjestimi mes emrave dhe ngjarjeve të të gjithë shekujve të formësimit tonë etnik e kombëtar me vetëm emrat e protagonistëve të dekadave të fundit është shumë i madh. Ai të kujton logjikën e fitimtarëve të përkohshëm të një periudhe apo epoke historike, siç në rastin më të rëndë na ndodhi në gjysmëshekullin realkomunist, ku lufta nacional-çlirimtare dhe periudha e të quajturës ndërtim i socializmit uzurpuan çdo hapësirë.
Ndërkohë kjo listë e gjatë dhe e lodhshme emrash të përveçëm, dëshmi e tkurrjes së panevojshme të vlerave tona reale, duhet të hapet e të marrë frymë me emërtime që nuk mund të kenë patjetër lidhje me historinë. Gjithkund nëpër rrugët e botës tek tabelat e tyre rrëfyese gjen emra pyjesh e lëndinash, lulesh e zogjsh karakteristikë, fjalën muzg e deri flaut. Nuk është fjala për të fantazuar gjetje absurde, emra për emra, por në fund të fundit le të mbillet një qoshe e Tiranës me pemë portokalli dhe rrugës së saj të mos i mungojë pikërisht kjo fjalë. Në kryeqytet ka rrugë të bukura ku vitet e fundit janë mbjellë kumbulla të kuqe, atëherë përse të paktën në vetëm një rast të mos përdoret ky emërtim?
Doemos që në Tiranën qytet dy-tre shekullor nuk mund të kryhet ajo që realizohet në Berlinin apo Londrën mijëvjeçare. Po ashtu qytetërimi ynë është shumë më minor. Megjithatë ai është mjaft më epror nga sa kupton prej tabelave me vetëm dy fjalë: emër dhe mbiemër individi.
Dhe kur bëhet fjala për t’u vënë rrugëve edhe emra aktorësh teatri apo filmi, çka pjesërisht është e drejta e të gjithë protagonistëve, të politikës, shkencës apo të kulturës, përse të mos krijojmë në Tiranë një kënd të mbjellë me pemë në gjelbërim gjatë gjithë vitit, ku në shesh të shkruajmë nëpër pllaka të mëdha të mermerta emrat e tyre apo mbi piedestale të thjeshtë e intimë pranë njëri-tjetrit t’u rrinë bustet.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com