Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kur të hapen kufijtë


(Botuar në gazetën “Shqip” më 25 mars 2010)

Njeriu me të cilin bisedoj është një burrë rreth të pesëdhjetave, i cili në një bryl rruge të Tiranës shet në trotuar, në “ilegalitetin” e njohur të disa hallexhinjve, dy-tre arka me fruta stine. Ka fatin të jetë pranë një kioske me gazeta dhe përditë i shfleton faqet e tyre në pritje të njoftimit të ditës së liberalizimit të vizave. Sapo të ngjajë kjo thotë se do të ikë menjëherë nëpër Evropë të gjejë ndonjë punë. Ndërkohë ai ka të paktën dy drama. I ka ndërruar jetë e shoqja dhe jeton fillikat. Me siguri për shkak të ndonjë padrejtësie natyrore që prej lindjes ai edhe çalon. Që të mos i ngjajë drama e tretë, të mbesë rrugëve të kontinentit, shumë e vështirë ta bindësh se me liberalizimin e vizave nuk vjen asnjë e drejtë dhe ekziston asnjë leje që një shqiptar të shkojë për t’u punësuar apo jetuar në një vend të BE-së. Tek e sheh që nuk do të të besojë tutesh t’i biesh bisedës më drejtpërsëdrejti: edhe sikur me liberalizimin e vizave ta kishte të drejtën për të jetuar e punësuar, në atë moshë dhe me topalljen e dhimbshme të këmbës së tij cili treg pune e priste nëpër Evropë, sidomos në këtë kohë krize ekonomike? I thua megjithatë se edhe një francez në Itali si edhe një italian në Francë apo në Spanjë e Zvicër duhet të përmbushin një deng me rregulla për t’u punësuar, mirëpo atij i shkëlqejnë sytë nga një zjarrmi e brendshme, e njohur në anët tona. Në vështrimin e tij ëndërrimtar mund të lexosh lehtë ethen e njohur të ikjes drejt një Eldoradoje, një parajse mbitokësore, çfarë ishte e kuptueshme menjëherë pas hapjes së Shqipërisë së kyçur në vetizolim dhe kur ajo dy dekada më parë qe kaq shumë e varfër. Ka tashmë jo pak vite kur nevoja e emigrimit ka rënë ndjeshëm jo thjesht se vendi ynë po zhvillohet, por nga që shumë prej atyre të cilët ikën shumë kohë më parë kanë mbetur larg asaj që patën veselitur nëpër ëndrra e duke rendur drejt skafeve apo rrugëve ilegale të refugjatllëkut.
Këto ditë janë duke u shtuar me shpejtësi shqiptarët që besojnë se edhe në rastin më të skajshëm kohor, pra fundin e këtij viti, vizat hyrëse për në hapësirën Shengen do të liberalizohen. Kjo, fjala liberalizim, është edhe emërtimi i përpiktë i procesit që do të ndodhë. Ndërkohë kur e cek këtë temë me shumë njerëz të thjeshtë sheh se ata i kanë vënë ngjarjes së pritshme një emër tjetër: do të hapen kufijtë. Mjafton kaq për të kuptuar dhe jo vetëm ndjerë se siç edhe shitësi ambulant i disa kilogramëve fruta duke pasur përfytyrime të ndryshme shumë nga bashkënënshtetasit tanë nuk kanë në mendësinë e tyre një pamje reale të asaj që do të ndodhë dhe për pasojë nuk janë plotësisht të përgatitur për ta përballuar me maturi. Nuk duken të bërë gati as psikologjikisht.
Duke mos parashikuar në këtë humbellë pasojat e një problemi tepër serioz megjithatë nuk na duket se çdo gjë mund t’i lihet entuziazmit dhe frymës festive. Ajo që do të ndodhë është vërtet një festë, por që duhet administruar të paktën me rregullat e një dasme. Siç e dimë edhe ky rit mjaft i gëzueshëm familjar, ku nuk mungojnë të gjithë përbërësit e një shthurjeje të papritur, thela mishi dhe raki sa të duash, kontrollohet dhe zotërohet nga kufizues të qartë të ceremonisë. Aq e hollë dhe delikate është ndarja sa një fjalë e urtë popullore thotë “Dasma prishet për një limon”.
Kur jo pak shqiptarë ngulin këmbë se ajo që do të ngjajë është një hapje kufijsh do të thotë se në mentalitetin e tyre sundon përfytyrimi se me t’u shpallur data e fillimit të hyrjes së lirë në vendet e Bashkimit Evropian, ata do të vrapojnë drejt pikave doganore dhe me britma hareje do t’u hipin trageteve, avionëve apo makinave që kanë. Me siguri shumëve prej nesh u ka rënë në sy se kjo dukuri, ndoshta më e përmbajtur nga sa pritet të ngjajë mes nesh, pas liberalizimit të vizave me Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, alarmoi zyrat e larta të Brukselit. Të dërguarit e saj vrapuan menjëherë në kryeqytetet e të tri vendeve për t’i vënë fre pikërisht mendësisë së hapjes së kufijve, të cilën siç deklaruan ata publikisht, e manifestonin shumë dukshëm shqiptarët e këtyre tre shteteve ballkanikë. Deri familjarisht bashkëkombësit tanë qenë zhvendosur në zemër të kontinentit për të kërkuar azil përfundimtar.
Duke besuar se citimi enkas i shqiptarëve si moskuptues të ngjarjes së liberalizimit të vizave nuk ka pas ndonjë paragjykim apo prirje për t’i kompleksuar me ndjenjën e inferioritetit, si paralajmërim ai duhet marrë pa tjetër. Ne vërtet jemi një popull me ndjenjë të fortë atdhedashurie, por dëshirën e të ikurit prej trojeve amtare e kemi më të lartë se shumë popuj të tjerë fqinj. Se si ngjan kjo “kontradiktë” e shpjegon ndonjë studiues perëndimor, por nuk është vendi këtu ta lëshojmë shkrimin në thellësi të këtij misteri. Rëndësi ka që kur të nisë procesi i liberalizimit të vizave për në hapësirën Shengen duhet të jemi të vetëdijshëm se drejt pikave kufitare do të ketë lëvizje jo të vogla shqiptarësh si edhe bashkëngjitur probleme. Shumë prej tyre mund të shmangen që tani. Shoqëria dhe elitat e saj, vetë shteti shqiptar dhe media, i kanë të gjitha mjetet që këtë verë apo pak më pas të mos ndodhë asgjë sadopak e përafërt me pamjet e viteve nëntëdhjetë, për të cilat në të gjithë globin jemi bërë shumë “popullorë” dhe në pjesën dërmuese kemi vuajtur pasoja negative të imazhit.
Edhe kësaj radhe do të jemi nën sytë e kamerave të huaja. Për dreq ato duket sikur i bëjnë lajmet më lehtë me ne se me ballkanasit e tjerë. Përse kësaj here nga një me zero në favor të tyre të mos dalim me rezultatin e kundërt: një me zero për ne. Kjo do të bëjë që shkallët e viteve të ardhshme të hyrjes si vend anëtar në BE të ngjiten dy e nga dy.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com