Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISË ITALIANE ME MBIEMRIN ÇIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISË ITALIANE ME MBIEMRIN ÇIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJË PAMJE E PESTË PËR SHPALLJEN E PAVARËSISË DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORÇARËT NË REVANSH PËR PRONËSINË E FLAMURIT TË PAVARËSISË
AS FOTOGRAFI PËR NGRITJEN E FLAMURIT NË 28 NËNTOR 1912, AS AUTORË PËR FOTOT E BËRA EDHE NJË JAVË MË PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Jemi gjaku i një zëmre


Botuar në gazetën “Illyria” të Nju Jorkut më 16 shkurt 2010

Kur para disa vitesh u njoha për herë të parë me kantautorin arbëresh Pino Kakoca (Pino Cacozza) idea e parë që ma sundoi mendjen ishte një ngjashmëri e tij me Jeronim De Radën. Në pamje të parë një krahasim i tillë mund të konsiderohet me të drejtë pa vetëpërmbajtjen e duhur. De Rada është një kolos i madh, tepër gjigand. Dimensioni i tij ende mes shqiptarëve nuk ka fituar përmasat reale, por në këtë temë do të rikthehemi në shkrimin që do të pasojë. Ajo që e bënte të afërt dhe të ngjashëm Pino Kakocën me arbëreshin e shquar të më shumë se një shekulli më parë kishte të bënte me frymën e tyre të përbashkët.
Që të dy janë mbartës të një ideali të veçantë kombëtar.
Tekstet e këngëve të Kakocës i kisha lexuar me kohë nëpërmjet internetit, një nga cd-rom-et e tij dëgjuar po ashtu. Mbresat kantautori që më la atëherë qenë shumë të thella, të ngulitura e të paheqshme. Megjithatë informacioni im deri ato çaste, pasojë e veprimit të ciklit të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, ku gjithnjë merrnin pjesë edhe grupe muzikore nga arbëreshët, për bashkëkombësit tanë, po të flitej për këngë e valle, qe tkurrur dhe mbyllur tek gjinia folklorike. Nuk bëhej fjalë asnjëherë për lloje të tjera të krijimtarisë muzikore të arbëreshëve, përshëmbëll për këngë të lehta, arie, opereta a sinfoni të ndryshme. Ndërkohë Pino Kakoca në dhjetor të vitit 1992 e kishte bërë një dukje të tij në Festivalin e Këngës të Radiotelevizionit Shqiptar, tamam me një gjini moderne, por për fat të keq nuk e pata ruajtur dot ngjarjen në kujtesë. Kështu isha shumë tokë djerrë kur në Romë, në fund të viteve nëntëdhjetë, nga cd-rom-i (nuk qe as origjinal, ishte i kopjuar) dëgjova për herë të parë në një cikël të plotë këngët e tij.
U habita dhe u trallisa pothuaj si fëmijë: Në Arbëri ekzistonin edhe kantautorë?!
Por vetëm kur një mbrëmje fillim vere të shumë pak viteve më parë e dëgjova Pinon tek në sallën e madhe të ndërtesës së bashkisë së Shën Mitrit jepte një koncert të plotë, kuptova se ende nuk i dija përmasat e vërteta të talentit dhe kontributit të tij kombëtar. Ai qe një fenomen. Me këtë fjalë nuk dua të theksoj dhuntinë e tij artistike, sigurisht të veçantë, por dukurinë. Duke qenë më i miri në llojin e vet, megjithatë në Arbëri jo i vetmi, melodia e kultivuar arbërore në formën e gjinisë muzikore moderne dëshmonte forcën e tyre përtëritëse, zhvilluese. Jepte garancinë se nuk do të mpakej e një ditë të vdiste. Ishte po ashtu provë se kishte talentin dhe guximin të depërtonte në kohë, të përshtatej me këtë përmasë shumë të ndërlikuar dhe hegjemonizuese, të ecte në krah të saj si e barabartë.
Sepse në garë me kohën dhe përballë saj shumë gjëra nuk ja dalin dot, lodhen, mbeten mbrapa.
Jo çdo çast je gati të kapësh e kuptosh një mesazh të veçantë. Atë mbrëmje koncertin e kantautorit Pino Kakoca e ndoqa brenda në sallë, për të qenë më i lirë dhe i qetë ulur në një nga rreshtat e fundit. Ndryshe nga emocioni që pata pasur kur nga cd-rom i dëgjova zërin, tek e kisha përballë më bëri përshtypje fjala e drejt për drejtë e tekstit të këngëve të tij, fryma e saj tërësisht mobilizuese, si thirrje për pjesëmarrje. Ngjanin krejtësisht si në vargun tek himni ynë i flamurit ku thuhet “Ejani, ejani, mblidhuni këtu, këtu!”
Më sugjestionuan po ashtu gjestet e tij të duarve. Qenë tamam si të një luftëtari të dikurshëm që në bedenat e një kështjelle jep kushtrimin për t’u mbrojtur nga një hordhi e madhe e porsa shfaqur e një ushtrie të huaj. Pikërisht atë çast kuptova se në magjinë e tij artistike Pino Kakoca kishte të shkrirë harmonishëm në një të tërë melodinë, fjalën dhe gjestin. As më shumë dhe as më pak në krijimin e atij imazhi si kantautor më dukej se ai qe kujdesur vetëdijshëm të përhapte tek shikuesit pamjen e një kështjellari arbër të pesëqind viteve më parë.
Tek e ndiqja interpretimin e tij kur një çast i hapi krahët dhe i nderi sipër, i uli dhe më pas sërish i ngriti lehtësisht në ajër, kapa imazhin e shqiponjës. Kishte gjasa që Kakoca këtë përfytyrim po ashtu dëshironte t’ua jepte në mënyrë të qartë ndjekësve të këngës së tij. E kishte gjetje artistike dhe regjisoriale të paramenduar. Mbase, mendova një çast tjetër i ulur në një nga rreshtat e fundit të sallës së bashkisë së Shën Mitrit, nuk qe fare kështu. Atë siluetë të trupit me duart që ngriheshin dhe uleshin si të qenë krahë shpendi fluturues Pino ndoshta e bënte në mënyrë të pavullnetshme, thjesht e kishte formë të cilën qenia e tij prej shqiptari e merrte instinktivisht. Prej kësaj mbrese, ndërsa shkruaj këto radhë, mund të jem i rënë në ndonjë magji edhe tani, por në rastin e arbëreshit Pino Kakoca pata marrë shumë qartë mesazhin e çuditshëm që silueta fizike e shqiptarit ka diçka prej asaj të shqiponjës.
Atë mbrëmje të një fillimi vere nga që në sallë kishte shumë shikues dhe nën atë sugjestionim të njeriut-shqiponjë nuk ndihesha intim sa për ta shijuar si gjetje artistike, u shkëputa prej gjindjes njerëzore dhe dola jashtë. Bëra disa hapa nëpër një korridor me shikues në këmbë dhe për t’i ikur përfundimisht grumbullimit pashë në të djathtë një shkallare të përthyer si urë me harqe, e cila lidhte godinën kryesore me një aneks të saj, shtëpi karakteristike të qytezës. Prej andej, si të isha i vendosur në një dekor drame epike, nga dritaret e ndriçuara të sallës së koncertit shihja siluetat e përthyeshme të spektatorëve dhe dëgjoja po ashtu vetëm zërin kumbues të Pinos. Nata e butë e Shën Mitrit, e mbushur çuditërisht me një aromë të largët të një pllaje me grurë në prag të pjekjes, arkitektura e çuditshme e urës së shumëpërthyer të shkallëve, hijet e rrëshqitshme të njerëzve dhe zëri i këngëtarit pa vetë pamjen e tij, më dhanë përmasën e të qenit në kozmos.
Pino Kakoca kishte forcën mbinjerëzore të të çonte pesëqind mote të shkuara, të ndiheshe në dekadën e parë të viteve 2006 dhe në përmasën e të ardhmes.
Kjo ishte edhe cilësia e Jeronim De Radës. Në Shën Mitër çdo gjë të duket redadiane. Ose vetë Shën Mitri bën mrekullinë të krijojë brez pas brezi vetëm arbëreshë me shpirt të madh militant për kombin shqiptar, të rikrijojë vazhdimisht dhe brez pas brezi De Rada.

ooo

Në krijimet e shumta të kantautorit Pino Kakoca mes këngëve “Një fjetë jete”, “Këngët e Jurendines”, “Njeriu çë vizatoi qiellin e kaltër”, “Cikamika”, “Dheu mbrënda”, janë edhe “Jemi një kulturë çë ngë mënd vdes”, “Për Kosovën e lirë” dhe “Rrënjat e Arbërisë”. Kakoca ka fituar gjashtë herë çmimin e parë në Arbëri të Festivalit të Këngës. Më 1985 e mori atë trofe pikërisht me “Jemi një kulturë çë ngë ménd vdes” (“Jemi një kulturë që nuk vdes”). Në njëzetë e shtatë vargjet e saj thuhet:

Na jemi aresha çë pret veren sa të zgjohet.
Jemi nusja çë ngé sheh heren të martohet.
Na jemi djali te barku çë ngé di pse lehet.
Jemi burri i humbur çë çon forcen të dehet.
Na jemi i treti çë nëng mënd vdes.
Jemi ajri, suval’e dejtit, jemi lumi arbëresh.

Pastaj vijon refreni:

Mirremi për dora,
Se jemi vëllezër e motra,
Jemi një kulturë çë ngë mënd vdes.

Marrja e duarve të njëri-tjetrit, shumë e ngjashme me njerëz që në një shesh proteste duan të demonstrojnë bashkim kundër një të keqeje që i kërcënon, ngjan po ashtu si me heqjen e një valleje, kryerjen e ritit të shenjtë të saj. Në reportazhet e mëparshme të këtij cikli për Arbërinë kemi pasur rastin të theksojmë se tek bashkëkombësit tanë është ruajtur mjaft mirë dhe është aktive jo vetëm kënga e tyre, por edhe VALLJA. Pa qenë të sigurt se jemi tepër të saktë në shifër, por tek arbëreshët vallja shqiptare ruhet të paktën dhjetë herë më shumë se tek ne, në trojet amtare. Atje me emrin Vallja ka grupe të tëra muzikore, me atë emër jepen çmime dhe për të bëhen konferenca studimore. Në Arbëri mund të kuptosh se vallja shqiptare, pra ajo harmoni njerëzish të kapur dorë për dore, është në thelbin e vet një demonstrim i fuqishëm bashkimi dhe qëndrese për të ruajtur nga çdo kanosje identitetin kombëtar.
Në këngën e tij poezi me metaforë shndritëse, por edhe marrsh luftarak, “Jemi një kulturë çë ngë ménd vdes”, Pino Kakoca thotë në vijim të strofë-refrenit të parë:

Na jemi ata çë fjasën me zëmëren te dora.
Jemi dielli ndë verë, ndë dimer jemi bora.
Na jemi pesëqind vjet storje e kale ndër duar. (kallo nëpër duar-YP)
Jemi shpia e bënë me djers e tue kënduar.
Na jemi buka te tryeza, lulja te muri.
Jemi fara çë lulëzon edhe te guri.

Mirremi për dora/Se jemi vëllezër e motra/Jemi një kulturë çë ngë mënd vdes.

Kur në dhjetor të vitit 1992 kantautori Kakoca pati marrë pjesë në Festivalin e Këngës Shqiptare në Radio Televizion zuri vendin e shtatë me “Jemi gjaku i një zëmre”. E kishte shkruar në bashkëpunim me Alqi Boshnjakun dhe Batista Spozaton. Në 1988 në festivalin-binjak të Tiranës, në atë të Arbërisë, i cili edhe ai bëhet përvit dhe ka si vend organizimi Shën Mitrin, çmimin e parë Kakoca e fitoi me këngën “Kjo është festa më e madhe çë ka Arbëria”. Në 21 nëntor 2008 me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit Pino dha në Tetovë një koncert të madh recital të tij. E quajti “Rrënjat e Arbërisë”.
Nuk mund të dyshohet: Pino Kakoca është një misionar shumë i madh i arbëreshëve.

ooo

Rrija i mbështetur tek parmakët e shkallares që dukej si urë mesjetare me shumë harqe e anëve tona dhe përpija çfarë me nota muzikore dhe zërin e tij pesëdhjetë e tre vjeçari bashkëkombës kushtronte. Po interpretonte “U gjegju e lu lupu”. E kisha dëgjuar edhe më parë tek cd-rom-i i kopjuar dhe më qe fiksuar ideja se ishte kryevepra e tij. Atë mbrëmje të vonë të disa viteve më parë, tek për herë të parë e dëgjoja “dal vivo”, u bëra më i bindur se nuk kisha gabuar. “U gjegju e lu lupu” do të thotë në shqipen e sotme “Shqiptari dhe ujku”. Shekuj më parë, por edhe kohë të gjata më pas, mes shumë italianëve, sigurisht si shprehje përbuzjeje për arbëreshët e ardhur si emigrantë, qarkullonte shprehja se “Po të dolën në rrugë në të njëjtën kohë një shqiptar dhe një ujk, vrit të parin shqiptarin, pastaj ujkun”. E thënë dhe e menduar kështu, kaq shumë fyese, arrogante, raciste dhe antinjerëzore, bashkëkombësit tanë të vjetër e kanë refuzuar e luftuar pa pushim. Ua cenonte rëndë dinjitetin.
Në atë shpirt revolte Pino Kakoca me atë këngë që në të vërtetë është poemë, pesëdhjetë e dy vargje, mes të tjerash i thotë italianit:

Bashkë shkuam luftat më të keqe
Për shpinë, për dheun e për shencen.
Bashkë vumë ngrah malet e rregjevet (veshëm këmishat e mbretërve-YP)
Të Garibaldit e të Rezistences.
....

E bëmë bashkë Italinë.
E thonë librat e skolles, gurat e glorjes.
E na haruan, jashtë na shlluan
Me këpuca qumbi shkeltin historinë.

Dhe shpërthen:

Do të na presin gjuhën! Do të na xhikararjen, (denoncojnë-YP)
Do të na…globallixarnjen. (globalizojnë)
Jemi minoritet, jemi pjuhur ndë botë.
Njo shpirti im! Bënie robot! (Ja shpirti im! Bëheni robot!)

Duke thirrur Pino Kakoca u tregon gjoksin e hapur:

Eni! Xa, eni! Njo stamaqi!U nëng iki, jo
Shkrehmni këtu, se jam arbëresh e jam lëtir…

(Qëlloni në gjoksin tim, thotë kënga, por dijeni se unë jam edhe arbëresh edhe latin, italian). Pastaj kantautori Kakoca kushtron:

Shkrehni! Shkrehni! E per tjeter pesqind vjet
Ju rri te trutë si driza ndër sy.

ooo

Kur në gusht 2003 ishte 100 vjetori i vdekjes së Jeronim De Radës kantautori Pino Kakoca, njëkohësisht edhe i diplomuar në Universitetin e Kalabrisë për gjuhë dhe letërsi të huaja, folës i përsosur i frëngjishtes dhe i anglishtes, përdorues i gjuhës moderne shqipe dhe për këtë i vlerësuar në Tiranë, mbajti një kumtesë të veçantë. Po ashtu i ngarkuar nga Universiteti krijoi dhe interpretoi recitalin “De Rada e Milosao”. Në veprimtarinë jubilare që u bë në oborrin e shtëpisë së De Radës recitoi dy nga poezitë kushtuar tij.
Pino Kakoca ka një vjershë mirëfilli deradiane, të cilën si shumica e poezive të tij, edhe e këndon. Ajo titullohet “Dallanishe çë vjen ka dejti”. Nëpërmjet kësaj dallëndysheje që vjen nga brigjet e Shqipërisë kantautori thotë “Oj dallanishe çë vjen ka dejti/E na sillen eren e lindjes.../Oj fjalë e ëmbel çë vjen ka mëma/E na dritëson udhen e re, More/Arbëri t’e thonë, Arbëria jonë/E bukur si hënza ndër qiell/Si ylez tek nata më e thellë..../E bukur si lumi ndë mal/Ku fjalët fjasen me gura/E vajzat vishen me ngjyra”.
Pastaj për Arbërinë si hapësirë virtuale e shtrirë kudo në të gjithë Italinë, në krahinat e Kalabrisë, Bazilikatës, Siçilisë, Molises, i gurgullon vargjet si ujë kroi: o vend i vogël, aq i madh, aq i fort, vend i dobët si pikëz loti, vendi im aq i lidhur me retë, vendi im aq i puthur me lulet...
Atë mbrëmje të ngrohtë vere në Shën Mitër, ndërsa në ajër ndihej aroma e kallzave të grurit në pjekje, nuk e dija që studiuesit vendas patën zbuluar se mbiemri Cacozza (Kakoca) qe në Shën Mitër që nga viti 1932 dhe pati mbërritur aty prej qytezës Montgrassano. Pesëqind vite të shkuara ai mendohej të vinte ose nga “Kakoz”, fshat në Gjirokastër ose “Kokos”, fshat në Skrapar.
Me këngën e tij mëmëdhetare, kaq shumë fort i lidhur me çdo gjë shqiptare, Pino Kakoca mbetet në llojin e vet kantautori më i madh. Ajo lloj kënge nuk është relike kohësh të vjetra apo frymëzim marshesh nacionaliste. Kakoca është poet e këngëtar i shpirtit të ri dhe modern të arbëreshëve. Pse jo edhe i të gjithë shqiptarëve. Një vit më parë ai mori në Napoli Çmimin Mesdhetar për Arte dhe Krijimtari. Është shumë i njohur dhe konsiderohet “Nobeli i Mesdheut”.
Mëkat që për shkak të një largësie hapësirash dhe thellimës së një distance që duke mos qenë ndarje e qëllimshme shpirtërore vepron po aq dëmshëm sa ajo, nuk kanë rast ta dëgjojnë atë zë e shpirt të ndezur arbëreshi të gjithë shqiptarët kudo ndodhen në botë.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com