Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Përmbytja dhe “Statutet e Shkodrës”


Botuar në gazetën “Shqip”, 22 janar 2010

Ka ngjarje që për të dhënë një mesazh, tamam si të jenë me forcën e një Orakulli, e zgjedhin mënyrën e transmetimit të kumtit të tyre të jashtëzakonshëm nëpërmjet shfaqjes paralele. Këto ditë kur nga drama e përmbytjes së Nënshkodrës, madje edhe të ndonjë lagjeje të qytetit, situata e dhimbshme i tronditi dhe i bëri solidarë shpirtërisht të gjithë shqiptarët, kur politika është e angazhuar dhe e zhytur e tëra në të, në një nga sallat e një hoteli në Tiranë Universiteti Wisdom organizoi konferencën shkencore për librin “Statutet e Shkodrës”. Është fjala për një dokument të dhjetë viteve të para të shekullit të katërmbëdhjetë, dëshmi e një rëndësie kolosale e frymës perëndimore evropiane të qytetërimit shqiptar. Në gjurmë të tij ra një albanologe, italiania Lucia Nadin. Ajo e gjeti këtë provë të rrallë, e kreu këtë zbulim, në një nga bibliotekat e qytetit të Venecias pikërisht kur Shqipëria ndodhej në vitin e saj të trazuar dhe imazhrrënues, 1997. Kur na thanë e na treguan me kamera para gjithë botës se ishim tepër larg të qenit popull me kulturë shtetërore.
Ndoshta pjesë e kësaj logjike të shfaqjeve paralele të një kumti që na dërgoi ditëve kur përmbytja tronditëse e Nënshkodrës vërsheu në televizionet kontinentale e veçanërisht në Euronews, albanologu hungarez Gyorgy Reti. Diplomat karriere dhe për një mandat në mes të viteve shtatëdhjetë të shekullit të shkuar edhe numri dy në ambasadën hungareze në Tiranë, autor i katër librave për Shqipërinë, na u gjet afër me mesazhin “Dhimbje”. Në të thuhej “Të dashur miq shqiptarë! Më lejoni t’ju shpreh dhimbjen time të madhe si edhe solidaritetin për këtë përmbytje që goditi Tokën Shqiptare. Jam i sigurt që Populli Shqiptar, i zoti siç është, do ta përballë edhe këtë fatkeqësi të natyrës! Me urimet më të mira dhe me përshëndetje. Juaji Gjergj Reti”. Fjala Gjergj është emri në shqip i tij dhe e shkruan përherë kështu si një mënyrë për të nderuar Skënderbeun, prijësin tonë që kishte mik dhe aleat të fort udhëheqësin e tyre Janosh Huniad. Pikërisht kur u përjetua e njëjta situatë e dhimbshme, përmbytja, rishfaqja e një albanologeje të dytë, ajo e Lucia Nadin, tregon se cilët në orë të vështira na gjenden në krahë dhe nuk bën t’i harrojmë.
Sigurisht poterja jonë karakteristike dhe zakoni që gjuha të na shkojë edhe tek dhembi që nuk na dhemb bëri të zakonshmen e saj. Ka më shumë se dy vite që zbulimi i botuar i “Statuteve të Shkodrës” të përjetohet si një ngjarje që ngjall kuriozitetin e disa gazetave, por kurrsesi nuk e fitoi dot të drejtën e një ngjarjeje të madhe kombëtare. Edhe kur u bë një promovim i tij në Shkodër, por edhe këto ditë kur u përsërit në Tiranë, u la të ishte çështje e botës akademike. Për pasojë nuk bëri dot lajm, pra edhe nuk i erdhën për ta pasqyruar televizione të rëndësishme. Të nesërmen e asaj konference edhe editorialet e faqeve të para të të përditshmeve tona më me autoritet rrihnin tema të tjera.
Në të vërtetë gjetja e “Statuteve të Shkodrës” nga albanologia veneciane Luçia Nadin dhe përkthimi i tyre (punë shumë e lodhshme profesionale), nga historiani Pëllumb Xhufi, mund të konsiderohet aq fort e rëndësisë kombëtare sa para dy vitesh, kur iu bë paraqitja, dy pjesëmarrës në sallë, njerëz me dije aspak të përcipta, nuk e përmbajtën dot shqetësimin e mbrapshtë se ky libër i bërë publik do të ishte tani e tutje për nacionalizmin shqiptar një rast tjetër vetmburrës, por edhe shpërdorues. Nuk do të qenë ekspozuar në mendimin e tyre të lig po ta dinin se do të binte në rutinë ai zbulim i bërë në Venecie pikërisht në vitin e vështirë 1997, dëshmi kulture organizimi shtetëror kur mori dheun lajmi se shqiptarët me në gen anarkinë po i jepnin goditjen e radhës shtetit të tyre.
Dhe siç ngjarjet kanë rrjedhur deri tani duket sikur zbulimi i “Statuteve të Shkodrës” është më shumë edhe çështje e interesimit të qarqeve shkencore italiane, në mos e vetë shtetit fqinj përderisa në të gjithë këtë histori prania e përfaqësuesve të tij është shumë e dukshme. Që nga viti 1997 dhe deri këto ditë, kur ngjarje me forcën e një mrekullie kombëtare mbushi dymbëdhjetë e më shumë vite, nuk kanë munguar si mbështetës asnjë prej ambasadorëve të Romës në Tiranë.
Në historinë e popullit tonë njihet roli i veçantë i qyteteve bregdetare shqiptare në mbajtjen e një kontakti të përhershëm dhe të pandashëm me Perëndimin. Në të Shkodra ka një rol shumë të spikatur, ka pasur përherë “pjesën e luanit”. Ajo është një qytet me identitetit shumë të fortë shqiptar, por për fat të keq ne ende vuajmë nga disa forma të ngurtësuara me shkencë dhe propagandë bashkë, ku për shembull kemi popullarizuar maksimalisht rrethimin e Krujës dhe kemi lënë mënjanë një kryevepër tjetër rezistence ndaj pushtimit osman, rrethimin e Shkodrës. Me statute të hartuara në dekadën e parë të shekullit të katërmbëdhjetë, kur ndërkohë në Ballkan dhe mbi shumicën e trojeve shqiptare me paketën e tij të ligjeve sundonte mbret-perandori serb Car Dushan, Shkodra ndau prerë dy alternativat e zhvillimit në favor të modelit të Evropës Perëndimore.
Sepse kishte pasur këtë vetëdijë dhe gëzim të sinqertë që nga çastet e para të zbulimit të dokumentit të rrallë albanologia Lucia Nadin në promovimin e kryer këto ditë në Tiranë u detyrua dy herë ta përsëriste mendimin se ekzistenca e “Statuteve të Shkodrës”, popullarizimi i tij në të gjitha shtresat e popullsisë e sidomos mes brezave të rinj, jo vetëm forcon dhe inkurajon prirjen e shqiptarëve për integrimin e tyre në BE, por edhe para elitës politike të Brukselit paraqet një provë me shumë autoritet, një standard ekstra për nga rëndësia se disa gjëra edhe ne, por edhe ata, mund t’i bëjnë më shpejt.
“Statutet e Shkodrës”, ky korpus i madh juridik vetëqeverisjeje me 279 nyje, ku parimi kryesor është ligjshmëria, ku në dënimet penale epërsi e plotë i jepet gjobave dhe deri tek burgimi ka shumë shkallë më të buta shtrënguese e korrigjuese, ku ndëshkimi është i veprues për dymbëdhjetë lloj vjedhjesh dhe është maksimal vetëm për pabesi dhe tradhti ndaj qytetit (shtetit), në faqen e parë ka stemën e Shkodrës. Në qendër të saj rri shqiponja dy krenore, vizatuar me një ngjyrë të artë. Të befason nga hijeshia.
Kurse fjala e parë e të gjithë atij teksti me mijëra të tilla që vijojnë më pas, është “Liria”. Kështu nis. Me këmbë të mbarë për atë kohë, por edhe për sot.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com