Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kështjella arbëreshe me emrin “Katundi Ynë”


Botuar në “Gazeta Shqiptare”, 9 janar 2010

Në një shkëmbim mesazhesh online kryeredaktori i gazetës më të madhe shqiptaro-amerikane “Illyria” në Nju Jork, mjaft entuziast që arbëreshët akoma po mbijetojnë, pikërisht sepse dëshiron që kjo të ndodhë edhe në mijëvjeçarët e ardhshëm, na shprehu merakun se ajo dëshmi e jashtzakonshme “druhem që dalëngadalë po zhduket”.
Ai nuk gabon kur thotë se druhet. Kjo fjalë që përmban brënda vetes tërë kujdesin e mundur për të mos shkaktuar përreth alarm dhe ca më pak të mbjellë panik, gjithsesi ka shqetësimin e mjaftueshëm për të nxjerrë këdo prej nesh nga dremitja. Sepse në të vërtetë për fatin dhe përpjekjet titanike të arbërve, pra të bashkëkombësve tanë të emigruar në Itali para pesëqind viteve, shqiptarët e Tiranës dhe të Prishtinës, dhe këtu e kemi fjalën për popullin e thjeshtë dhe jo për një grup gjuhëtarësh apo albanologësh, jo vetëm pak dinë, por akoma më pak kanë vetshtyrje për të mësuar. Ndihen të mjaftuar me aq nga sa nëpër eter shpërndan ndonjë televizion, radio apo edhe një festival tradicional folklorik si ai i Gjirokastrës.
Në këtë sjellje, e cila nuk është indiferencë cinike por gjithsesi ka pasojat e ftohta e të lemerishme të saj, bën peshë edhe të qënit larg, mes nesh dhe arbëreshëve tërë hapësira e një deti. Pastaj që gjithçka të ndryshojë për më mbarë duhen hapur kufijtë, nevojitet liberalizimi sa më i shpejtë i vizave hyrëse për në hapësirën Shengen. Në rast se çlirohet pengesa e rrugëtimit të gjithsecilit shqiptar deri në vendbanimet e arbëreshëve takimi i madh dhe i vazhduar i të dy palëve do t’ua shumojë vitet e mbijetimit. Ndërkohë që të mbërrish deri tek ta duhet ta shmangësh me vullnet të fortë çdo tundim për të shkuar për turizëm apo zbavitje drejt qendrave të mëdha e të zhvilluara të Italisë së veriut. Do të kthehesh në kah të kundërt, drejt jugut. Por edhe në këto anë me më pak magazina e dyqane të mëdha, përshembëll në Kalabri, detyrohesh të marrësh jo rrugët e qyteteve por ato drejt fshatrave, një pjesë e të cilave janë të shtrira buzë luginave, kurse shumica një një grusht shtëpish të mbledhura mbi brinja apo shpina malesh. Po ashtu që të ndodhesh mes vendbanimeve të tjera të arbëreshëve është e domosdoshme të kapërcesh ngushticën e Siçilisë për t’u drejtuar më pas, në një udhëtim shumë orësh, në skajin më jugor të ishullit, në rrethinat e Palermos. Kalabria dhe Siçilia janë dy vatrat më kryesore të ekzistencës në Itali të bashkëkombësve tanë të pesë shekujve më parë. Ndërkohë ata ndodhen edhe në një hapësirë të tretë të tyre, më të rralluar, në krahinën e Pulies. Në vatrën e tyre të katërt, në rajonin Molise, mbijetojnë një pakicë fare e vogël. Ishuj më të vegjël të arbëreshëve, përherë e më shumë duke u tretur, herë pas here shfaqen sa më lart ngjitesh në veri të Italisë. Këtu gjithçka firon nëpër mjegullën e shndërrimit përfundimtar të arbëreshëve në italianë të plotë.
“Druhem se ngadalë po zhduken” qe një frazë tërë merak se mos tingëllonte fataliste. E megjithatë qe e dhimbshme.
Ka shumë prej nesh që nuk e përfytyrojnë dot se ekziston edhe një çështje e tillë, pra “çështja arbëreshe”. Mendojnë se bashkëkombësit tanë të emigruar në bregun tjetër pesë shekuj të shkuara, duke qenë prej kohësh qytetarë italianë dhe njëkohësisht të Evropës së Bashkuar, i kanë të zgjidhura në standarte maksimalë të gjitha kërkesat e tyre, përfshi edhe ruajtjen e gjuhës dhe të traditave që kanë sjellë me vete. Këtu nuk gabojnë, megjithatë dukuria e zbehjes së këtij identiteti po vijon i pafrenuar dot. Nuk ndalet edhe pse është i mbrojtur nga standardet e zhvilluara evropiane. Në rast se deri tani identiteti arbëresh nuk gjendet para një humnere, në buzë të një rruge me gropa përherë e më të mëdha pa tjetër ndodhet.
Pasiguria e udhëtimit të tyre nëpër shekujt e ardhshëm nis që nga numri i arbëreshëve. Tre dekada pa u mbyllur shekulli i nëntëmbëdhjetë regjistrat shumë të rregullta të shtetit fqinj dëshmonin dyqind mijë të tillë. Në mes të shekullit të shkuar shifra humbi me një të katërtën e tyre.
Kjo situatë demografike në rënie ka vijuar edhe në gjysmën e dytë të njëqindvjeçarit të shkuar. Në krahinën e Kalabrisë në qytezën Lungro, një nga kryeqëndrat e arbëreshëve, në vitin 1951 kishte 4830 banorë, në 1991 regjistroheshin 3256, kurse tani ka 3.145 vetë. Civita në për të njëjtat periudha kishte 2041-1291 dhe tani 1035 banorë. Palazzo Adriano në vitin 1951 numëronte 4017 vetë, në 1991 deklaronte 2767 dhe aktualisht ka 2.530. San Demetrio Corone për të të njëjtin grafik vitesh regjistronte 5871-4413 dhe sot 3.944. Qyteza që arbëreshet në gjuhën e tyre e thërresin Frashnjitë për fat reziston. Në 1951 kishte 2591 banorë, dyzetë vite më pas u rrit në 2603, sot është rikthyer në 2.503 banorë. Në rajonin e Molises në qytezën Ururi kishte 4688 vetë (1951), më pas 6219 (1991), aktualisht në të banojnë 3.070. Në hapësirën tjetër të rëndësishme të arbëreshëve, në Siçili, vendbanimi më i madh i tyre, Piana degli Albanesi, në periudhat përkatëse ka patur 7015 dhe 6219 banorë. Sot në të numërohen 6.227 vetë, çka do të thotë se për gëzimin tonë në dy dekadat e fundit ka qëndrueshmëri demografike.
Dhe ndërsa në anët tona, në Shqipëri, ka plogëti problematike për të kuptuar se është ora e ndihmës së madhe, në Itali qëndrat albanologjike dhe dijetarët e saj janë në aktivitet të plotë, përherë në ngritje profesionalie dhe tejpamje. Si po përballet situata prej tyre sërish nuk është tema e këtij shkrimi, siç nuk mund të jetë streha e tij për dëshmitë e pafundme të arbëreshëve të thjeshtë që për t’ia dalë sfidës së humbjes përdorin të njëjtin mjet që prej pesë shekujsh i ka ngadhëngjyer: shpirtin e madh të mos dorëzimit të identitetit të tyre.
Kjo do të thotë se, siç edhe e kanë patur traditë, secili prej tyre kudo që të ndodhet bëhet një kështjellar i paepur i gjuhës arbërore dhe i të gjitha traditave të mbartura prej atdheut ku të parët e tyre kanë lindur. Kjo do të thotë se funksionojnë si kështjella të gjitha fshatrat e qytezat arbëreshe. Si kështjella formohen, rriten e veprojnë të tëra organet e shtypit në gjuhën e vjetër shqipe. Një nga këto, patjetër edhe një prej kështjellave më të mëdha të identitetit arbëror, është revista “Katundi Ynë“.
Më 4 janar të këtij fillim viti, pra vetëm pak ditë më parë, ajo mbushi dyzetë vite. Është më jetëgjata medie e shkruar arbëreshe në të gjithë historinë pesë shekullore të bashkëkombësve tanë të vjetër. “Katundi Ynë” botohet njëherë në tre muaj në qytezën arbëreshe të Çivitit (Civita) të Kalabrisë. Tirazhi i saj është 3.500 kopje dhe të 1900 pajtimet nuk shpërndahen vetëm në Itali, por edhe në Evropë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada. Jo pak prej saj shkojnë deri edhe në Amerikën e Jugut.
“Katundi Ynë“ ka zemër të fuqishme, ajo i rreh pa pushim. Revista me jetë katër dekadëshe nuk e ka ndërprerë publikimin asnjëherë, as nuk e ka shtyrë atë. Botohet me rregullin e një ore zvicerane edhe pse financat e saj jo vetëm nuk janë të pasura, por e rrezikojnë çdo çast.
Merita është e stafit të saj dhe e qytezës aq arbërore, ku ka vendlindjen e ka hedhur shtat. Kanë meritë të madhe edhe bashkëpunëtorët e “Katundi Ynë“. Janë të paepur. Kryesori në këtë sfidë të madhe mbijetuese sidoqoftë mbetet themeluesi i saj, botuesi dhe njëherësh kryeredaktori Demetrio Emmanuele.
Në numërin e fundit të revistës, 136, në faqen e parë ai shkruan “Mosnjerî mund mendonij se K.Y. kish pasur një jetë kështu glat! Po na jemi pa kryelartësi sepse nëng ndihemi si kurrilja, as jemi mendjemadh!” Dhe më pas tregon tërthorazi se cili ka qënë “çelësi” i shpirtit të saj të pavdekur. Shkruan se dyzetvjetori qe një rast tjetër ku të “pirpiqemi, bisedomi dhe mendomi mirë çë bëm, çë mund bëmi nesër”.
Ky shkrim do të mbyllet këtu. Më tepër se të bënte analizë ai kishte dëshirë të jepte për lexuesin e zgjedhur dhe të ditur të “Milosao” dy lajme: Arbëreshëve duhet t’u rrinë sa më pranë dhe me rastin e shënuar të jubileut të dyzetë të “Katundi Ynë t’i dërgojmë asaj nga zemra të gjitha urimet e mundshme. Po ashtu të besojmë se ajo do të jetojë sa më gjatë.
Në faqen e parafundit të saj revista ka një rubrikë me titullin “Shkurtimëz (Lule dhe Glëmba)”. Në të ndarën e saj të parë vendosen emrat e studentëve arbëreshë që diplomohen në universitetet italiane, të Evropës, ShBA e kudo tjetër nëpër botë. Në të ndarën e dytë shënohen lindjet. Ajo titullohet “Culle”, pra djepe. Ndarja e tretë përmban cilët prej arbëreshëve martohen e krijojnë familje të re. Në krye të të katërtës e të fundit pjesë të rubrikës shkruhet “Ndërruan jetë“.
Këtu janë regjistruar gjashtë bashkëkombës të vjetër. Qofshin të paharruar!
Tek “Culle” për të njëjtën periudhë ishin tetë fëmijë.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com