Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Një fustan nuseje në Berlin


Botuar në gazetën “Shqip“, më 10 tetor 2009

Në ballkonin e ambasadës tonë në Berlin flamuri ynë kombëtar, kur për një çast era këtu e kudogjendur pushon, rri i shtrirë hijshëm. Kur era fillon ta rrahë ai shkrifërohet i tëri dhe nis të valëzojë me të gjithë sipërfaqen e mëndafshtë të tij. Disa herë, kur ra shi, edhe pse prej ujit u lag dhe u rendua, sërish e pamë se si i mbajti të hapura palët. Ambasada shqiptare është në qendër të kryeqytetit gjerman dhe prej andej mund të shohësh disa nga ndërtesat simbole të tij, veçanërisht kullën e lartë televizive, krijesë e dikurshme propagandistike e Gjermanisë Lindore.
Në të gjitha përfytyrimet e dijet që ke për këtë vend, të paktën në raportin me Shqipërinë, je i ndërgjegjshëm se ka diçka që nuk është rregulluar sa dhe si duhet. E paqarta, e pa kthjelluara akoma, ka të bëjë me imazhin e gjermanit ndër ne, me pjesën e tij si “i keq” apo si “i mirë“. Duhet të ketë qenë më afër realitetit ky imazh para Luftës së Dytë Botërore, deri sa u përkeqësua kur në formën e fashizmit prej Gjermanisë u sulmua Evropa në Perëndim dhe në Lindje, madje aleanca globale Romë-Berlin-Tokio (ROBERT) iu vërsul të gjithë botës. Pastaj për pesëdhjetë vite, bashkë me të vërtetat e këtij zaptimit fashist të Shqipërisë, tek ne u krye doktrinimi i dyshimit dhe mosdashjes së gjermanëve. Thuhej se qenë “imperialistë“ etj., etj.
Ka shumë të ngjarë që në raport me këtë vend, me gjithë afrimet dukshëm të ngushta me Berlinin zyrtar të qeverive tona të pas vitit 1990, diçka u kemi “hyrë në hak”. Gjermania është vendi që ka bërë për shqiptarët më shumë nga sa është bërë e ditur dhe dimë. Nuk po flasim këtu për Luftën e Parë Botërore, kur në strukturat e Perandorisë Austro-Hungarese gjermanikët u bënë barrierë për të penguar pushtimin serb të territorit tonë. Nuk po rikujtojmë Princ Vidin dhe monarkinë e tij gjashtëmujore. Fuqitë e mëdha të Evropës së atëhershme për të ruajtur shtetin tonë të porsakrijuar na zgjodhën një fisnik gjerman. Ndërkohë përse mos të rikthejmë në mendje faktin që në vitet shtatëdhjetë bashkëkombësit tanë nga Kosova gjetën masivisht në Gjermani jo vetëm rregullimin e jetës së tyre ekonomike, por edhe liri organizimi për çështjen e daljes nga robërimi. Qeveritë gjermano-perëndimore janë kujdesur në mbrojtje të veprimtarëve kombëtarë kur mbi ta, veçanërisht nëpërmjet atentateve prej agjentëve të dërguar nga Beogradi, binin plumba. Për të paraqitur dëshmitë e lidhjes së fortë të gjermanëve me shqiptarët le t’i rikthehemi shkurt një fakti tjetër: dy ardhjet mbresëlënëse në Tiranë, plot mesazhe bashkëpunimi, të Franc Jozef Shtrausit, në mes të viteve tetëdhjetë të shekullit të shkuar. Edhe pse është shkruar e sidomos rrëfyer shumë për 3200 bashkëkombësit tanë që në korrik 1990 hynë në ambasadën gjermane dhe që të gjithë më pas u sistemuan me kujdes të veçantë në këtë vend, shumë pak dihet për rolin e shtetit gjermano-perëndimor për të ndihmuar protestën masive kundër regjimit komunist dhe rrëzimin e tij. Në këto çaste dhe pikërisht në këtë shkrim nuk është aspak vendi për të hyrë në hollësi dhe në “sekrete”, por na takon të kuptojmë se pasi rrëzuan rrethimin e tyre bolshevik, Murin e Berlinit, gjermanët na kanë ndihmuar me shumë shpirt për të shembur tonin. Sepse ne kishim mbetur copa e fundit e atij muri.
Patjetër si dëshmi mund të citosh e kthesh në kujtesë rolin e tyre gjatë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s për çlirimin e Kosovës. Pastaj të mos harrojmë që Kosova për shumë kohë në ish-Jugosllavi ka qenë në zonën e ndikimit të markës gjermane. Kjo nuk ka dëshmuar vetëm mirëdashje reciproke, por edhe provon një tregues të fortë se si duke iu larguar dinarit bashkëkombësve tanë iu ndihmua përpjekja për pavarësi.
Opinionin dashamirës të gjermanëve mund ta prekësh më lehtë në Berlin. Mjafton të takosh disa prej tre mijë e dyqind ikësve të parë, por edhe të ardhurve më pas, deri edhe të studentëve të tanishëm, sigurisht edhe të bashkëkombësve nga Kosova. E gjen këtë frymë edhe tek një libër album me autorë Doris dhe Jurgen Sieckmeyer, i cili titullohet në mënyrë kuptimplote “Shqipëria miqësore”. Mes të tjerash atje shkruhet se “Shqipëria është tërësisht ndryshe nga çfarë mendon një evropian perëndimor i paditur...shumica që imagjinon një shkretëtirë të pluhurosur gabon rëndë”, “Në asnjë vend tjetër evropian paragjykimi nuk qëndron aq larg realitetit sa në rastin kur flitet për Shqipërinë”, “Shqipëria është një vend tërësisht normal, modern dhe evropian, me njerëz që kanë saktësisht të njëjtat dëshira e shpresa si të gjithë evropianët-jetesën në kushte të mira e të qeta”, “Shqipëria për pak vite do të jetë një vend i kamur”.
Në qytetin e Berlinit diaspora jonë është e shumtë, gjallëruese, e inkurajuar nga rrethanat lehtësuese për t’u integruar. Ata të thonë fjalën e urtë vendase se “po pive ujë Berlini e ke shumë të vështirë të largohesh prej tij”. Keti Qafmolla, një nga të ikurat me hyrjen në ambasada, e parë familjarisht me dyshim nga diktatura, punon në një zyrë që merret me integrimin e emigrantëve. Quhet Lotsenprojekt. Por më i befasishmi ndër të integruarit është një shqiptar me pamje tipike gjermane. Ai të dëshmon sa afër janë të dy, po e quajmë, racat tona. Thirret Alfred Lucaj. Punon në Albertstrasse (“Rruga e Albertit”), në hotelin e madh me të njëjtin emër të princit gjerman. Edhe ai është një ndër të ikurit kryengritës të korrikut 1990. Pamja e tij shoqëroi me figurë në të gjithë ekranin apo zhvendosur në skaj, të gjitha lajmet e televizioneve italiane tek i rrëfenin botës perëndimore për mijëra refugjatët politikë të ikur nga diktatura shqiptare. Ajo pamje u përhap me shpejtësi edhe në shumë media të kontinentit. Alfred Lucaj tregon se qe ndër të parët që hyri në oborrin e përfaqësisë diplomatike gjermane dhe për të qenë i pari i zbarkuar në botën e lirë, iu desh të bënte disa lutje me dorë në zemër tek dy murgesha italiane, të cilat me t’u afruar trageti në portin e Barit, bashkë me shoqet e tyre, të kapura dorë për dore, krijuan një kordon pengues për daljen e sforcuar të refugjatëve meshkuj dhe lehtësuar zbritjen në fillim të grave dhe fëmijëve. Pasi i bindi se duhej t’i bënin një lëshim që të ishte pikërisht ai shqiptari i parë i zbarkuar në një vend të Evropës Perëndimore, dy murgeshat “e kompromentuara”, i hapën në kohën e duhur duart dhe më në fund Alfred Lucaj, për shkak të disa rrethanave që iu krijuan në Tiranë edhe i veshur me pantallona të shkurtra, kapi “finishin”. Sapo doli në sheshin e portit ra në gjunjë, bëri një kryq, sepse ishte i krishterë, dhe thirri italisht “Finalmente siamo liberi!” Rrufeshëm iu turrën kamerat dhe kështu ai mekanik i thjeshtë bëri një copëz modeste të historisë së shqiptarëve që kërkonin një jetë më të mirë.
Për ta kuptuar sa larg janë demokracia me realkomunizmin nuk ka vend tjetër në botë më të përshtatshëm se në Berlin. Tani mes dy pjesëve të qytetit Muri i dikurshëm, përveç disa fragmenteve të ruajtura për vlerë muzeale dhe për të bërë fotografi, përfaqëson vetëm dy vija pllakash të ngjyrosura që spërdridhen në dikur trajektoren e tij. Ka njëzetë vite që ish-Gjermania Perëndimore, e fortë dhe e pasur prej jetës së lirë, shpenzon në dikur pjesën bolshevike të saj çdo dymbëdhjetë muaj tridhjetë e gjashtë miliardë euro. Në vitin 1990 në Berlin, tregojnë bashkëkombësit tanë të porsa mbërritur, nuk kishte me qindra por me mijëra vinça. Prej atëherë këtu gjithçka vazhdon të jetë një kantier ndërtimi. Dhe akoma mentaliteti i banorëve të dy pjesëve ka humbella. Çudia është që në pjesën ish-komuniste, deri edhe ndaj fëmijëve të emigrantëve në shkolla, ka më shumë shfaqje të racizmit se në pjesën perëndimore. Është dëshmi e kulturës së antitolerancës që u mëkua nga dogma ideologjike. Ndërkohë mjafton të vizitosh muzeun e dikur të quajturës Republika Demokratike Gjermane për të kuptuar se sa të ashpër dhe të pamëshirshëm e kishte mënyrën e veprimit sistemi i njëjtë shoqëror në Shqipëri. Këtë e vëren edhe në një muze të specializuar për të treguar dhunën ndaj të quajturit “armik klase”. Ai gjendet në ndërtesën e mëparshme të STAS-it, ish-shërbimit sekret gjermano-lindor. Këtu ka edhe një foto të Mehmet Shehut, pamje e një vizite të tij para vitit 1960. Gjetëm një libër në Berlin, botim i vitit 1972. Në kopertinë titulli në gjermanisht qe “Ndërtimi i socializmit në Shqipëri”. Në brendësi, anglisht, janë edhe të gjitha oraret e emisioneve në gjuhë të huaj të Radio-Tiranës. Ato kanë nisur që në pesë të mëngjesit dhe mbylleshin në orën 23.00. Çdo ditë për francezët ka patur shtatë transmetime të tilla, për italianët nëntë, njëmbëdhjetë për botën anglishtfolëse. Tetë llomotitje të përditshme u janë drejtuar gjermanëve.
Kohë e shkuar që megjithatë edhe në Berlin të rikthehet në kujtesë. Për t’i mbajtur larg i përkushtohemi më mirë një motivi të gëzueshëm. Mereme Llubani, një gazetare e dikurshme e Radiotelevizionit Shqiptar, me një veprimtari të tillë edhe në kryeqytetin gjerman, ka dy djem. Quhen Endri dhe Juardi. Ky i fundit, lindur e rritur në Berlin, në makinën e vet mban me mburrje një qylaf tradicional shqiptar, një “plis”. Kur u çlirua Kosova Juardi nderi një flamur të madh në dritaren e veturës dhe manifestoi në të gjitha rrugët e qendrës. Kurse Endri është në prag të martesës dhe ajo është një vajzë nga Kruja, vendlindja edhe e tij. Martesa është lënë të bëhet pasi e fejuara do të japë provimin e njohjes së gjuhës gjermane. Por ky, duke qenë me rregulla shumë të rrepta, është dhe nuk është hall. Preokupimin kryesor të tre Llubanëve e përpin dërgimi në Shqipëri, për këtë ceremoni që do të bëhet në vendlindje, e një fustani nusërie të blerë në Berlin. I madh dhe farfuritës siç është atij nuk i mjafton një sedilje avioni dhe mbi të gjitha duhet mbajtur në duar, i palosur me shumë kujdes.
Pas atij fluturimi nëpër udhën ajrore Berlin-Tiranë, rrugëtim i magjishëm nëpër qiell, fustani nusëror do të zbresë një ditë në Rinas. Pastaj do të niset për në qytetin e Skënderbeut.

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com