Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Histori me dy familje jo-akademike maqedonase


Botuar në gazetën “Shqip”, 24 shtator 2009

Ne, shqiptarët, një popull që kemi dalje masive në det, pra brigje sa një e treta e të gjithë kufirit shtetëror, nuk mund ta kuptojmë dot se sa përjetohet rëndë e kundërta, pra mungesa e daljes në det për një popull, komb apo shtet tjetër. Austrohungaria, një nga superperandoritë perëndimore më të fuqishme, për të prekur ujërat e Adriatikut në veri të tij për shumë e shumë vite çau nëpër male tunele të tëra, pafundësisht të gjatë. Në Hungari e para gjë që nënshtetasit e atij vendi bëjnë në verë është që pushimet t’i kalojnë nëpër plazhe ujëkripura, sado larg të jenë. Kush nuk ja del dot merr rrugën për në liqenin Balaton, të cilit i bëjnë dhela duke e thirrur “deti ynë“.
Në gadishullin tonë shteti apo etnia që nuk e ka patur dot daljen në det ka qenë e mbetet Serbia. Kur këtë vend e sundonin regjime të shkuara, përfshi këtu edhe Sllobodan Millosheviçin, çfarë prej tyre nuk bëhej që të dilej në det. Trojet e shqiptarëve qenë një nga mundësitë dhe për këtë gjë (është një histori që dihet) mbi ne është derdhur shumë mllef, mjaft pabesi e jo pak gjak. Pas rënia e Murit të Berlinit dhe ribashkimi i pjesës lindore ish-komuniste me Evropën, familjen e natyrshme të saj, u ka krijuar lehtësitë të gjithë popujve, me dhe pa det, të shkojnë tek ai. U duhet sidomos për lëvizje mallrash, por jo pak edhe për lëvizje të lirë njerëzish. Këtë kahje kanë, për fat, zhvillimet e sotme dhe sigurisht kjo mbarësi dihet edhe në Maqedoni.
Maqedonia është si Serbia, një vend pa dalje në det. Për të shkuar deri atje ajo ka vetëm dy shtigje të favorshme. Njëri prej tyre për zhvillimin ekonomik e çon në portin e Selanikut dhe për pushime në bregdetin grek, për të njëjtat nevoja tjetri në portin dhe bregdetin e Durrësit. Duke qenë se dy vitet e fundit për shkak të ndonjë problemi që lidhet me çështjen e emrit zyrtar të shtetit të tyre, ende mes Shkupit dhe Athinës ka mospërputhje pikëpamjesh, shumë maqedonas sezonin e pushimeve e kaluan në bregdetin tonë. Pëlqyen jugun dhe i gjeje kudo. Ndryshe nga një vit më parë, ku bënë një “bum”, këtë verë erdhën disi më pak. Kjo ndodhi jo sepse nuk i dëshirojnë për pushime këto brigje, por pritja nga strukturat hoteliere, duke u mbajtur më 2008 çmime artificialisht të larta, qe shumë dritëshkurtër dhe me efekt bumerangu për 2009.
Kur në disa ditë pushime të këtij viti, në një hotel të Radhimës në Vlorë, pashë se fqinj kisha jo familje shqiptare, por dy maqedonase, mendova se qe një rast i mirë për t’i njohur nga afër. Kohët në Ballkan po ndryshojnë me shpejtësi dhe për mirë, po shtohen miqtë e një etnie me tjetrën, properëndimorët veçanërisht si edhe ata që i besojnë hapjes dhe shkëmbimit të vlerave njerëzore. Në gadishull po shumohen po ashtu atdhetarët me shpirt internacionalist...Pra, çfarë përfaqësonin ato, dy familjet maqedonase, cilën prirje kishin, ishte për mua më tepër se një kuriozitet.
Familja e parë kishte mbiemrin Stavreska dhe përbëhej nga Bllazhovejiç, e shoqja Ljubica dhe vajza e tyre Natasha. Bllazhojeviç qe pronar i katër kamionëve të mëdhenj transporti dhe punonte me një firmë shqiptare të Tiranës si edhe me Barin e Italisë. Kishte kryer punë edhe në rrugën Durrës-Morinë, kryesisht transport me pjesë urash. Qe shumë i gëzuar që një firmë mjaft e njohur maqedonase kishte fituar të drejtën për të ndërtuar korridorin autostradal të lidhjes së Prishtinës me Shkupin. Bllazhojeviçi dëshironte të blinte edhe një apartament në buzëdetin tonë, në rast se ia lejonte ligji. Vajza e tij, Natasha, qe një ndër studentet më të mira maqedonase në fushën e farmacisë. Një copëzë miqësie të ngushtë e bëri aty, në ato ditë të Radhimës, me një të ri të hijshëm shqiptar.
Të dytët qenë sllavë por çuditërisht nuk kishin emra sipas traditës së kësaj etnie. Burri quhej Zhan, e shoqja Anzhelin, njëri djalë thirrej Martin dhe tjetri Mario.
Një kat më sipër pushonte edhe një familje tjetër maqedonase, por përveç një “dobroje utro”, nuk shkuam më tej në njohje.
Gjatë bisedave me dy fqinjët nuk humba rastin t’u thosha se Shqipëria qe vendi i parë që i njohu si shtet i pavarur dhe se ne i duam të jenë të fortë dhe me rend të brendshëm të qëndrueshëm. Kur një mbrëmje Bllazhojeviç më pyeti se çfarë qenë ato tufa dritash të ndezura në thellësi të gjirit të Vlorës, atje ku binte Pashalimani, iu përgjigja se ishte një bazë ushtarake në të cilën po ngrihej një impiant për ndërtime anijesh. Si përgjigje më dha heshtjen, sepse e kuptoi ku doja të delja. Më pas gjeta rastin t’i thosha se ne, shqiptarët, po bëhemi gjithnjë e më të fortë dhe kjo nuk do të thotë revansh ndaj popujve të tjerë, por e kundërta, miqësim të thellë dhe të fortë me ta. Kur njëherë me maqedonasin Zhan ra fjala për Shën Naumin dhe ai menjëherë u hodh e tha, ndoshta për t’i dalë përpara ndonjë keqkuptimi, se ai manastir qe pjesë e vendit të tij, ia pohova se ishte pikërisht kështu. Mbase priti mos i kthehesha historisë së shkuar, një shkëmbimi të dikurshëm problematik territoresh, por ishte gusht 2009.
Kur të dy familjet maqedonase u larguan bëmë fotografi të përbashkëta. Kur ndodhi që u larguam ne ime shoqeje iu bë peng, dhe vazhdon gjithaq ta vuajë edhe tani, përse përveç një buzëqeshjeje nga larg, prej çadrës sonë të diellit, nuk u ul të rrinte disa çaste me vajzën e vogël, me siguri mbesë, të dy të moshuarve të familjes së tretë maqedonase. Nuk i hiqeshin nga mendja dy sytë e saj që e kërkonin përditë për të shkëmbyer një fjalë. Vogëlushja e vuante shumë vetminë, sepse mbase për shkak të gjuhës të dy gjyshërit e saj nuk u miqësuan dot me vendas.
Po mbushet një muaj nga ato ditë gushti dhe nuk jemi lëkundur e nuk kemi dyshuar që në atë ditë pushimesh në Radhimë të Vlorës i shtuam vetes disa kujtime të bukura. Qemë në këtë gjendje, në këtë kënaqësi të thjeshtë njerëzore, kur dëgjuam çfarë shkruan për shqiptarët disa pjesëtarë të Akademisë së Shkencave të Maqedonisë.
Që vijnë nga kohë të shkuara dhe u takojnë arkivave të pluhurosura, kuptohet. Madje atyre mund t’u thuash gjithçka, t’i akuzosh gjer edhe se janë destabilizuesit më të rrezikshëm të rajonit.
Megjithatë, në përpjekjen për t’u gjetur një emër më të përshtatshëm, nuk e di pse menjëherë më erdhi në kokë një mendim i një dijetari serb të kohëve të sotme. Ai mbetet i bindur se ultranacionalistët me veprimet e tyre të verbra janë tradhtarët më të mëdhenj të interesave të atdheut të tyre.

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com