Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

1957, AMBASADORI SHQIPTAR ME AUTOMATIK NE BAGAZHET E TIJ PERSONALE
FILIP KASTRIOTI, NJË TELEGRAM URIMI PËR ISMAIL QEMALIN
SKËNDERBEU-AVION
POPA E FUNDIT
TË TJERA HOLLËSI MBI TAKIMIN E KRISTAQ RAMËS ME FAMILJEN POPAJ
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Albanologu hungarez në Tiranë për dosjen e tij komuniste”


Botuar në gazetën “Shqip” më 11 korrik 2009

Ishte një i ftuar zyrtar i Qendrës Albanologjike, madje me ardhjen dhe sistemimin e tij të përkohshëm në Tiranë qe marrë me kujdes dhe dashamirësi edhe një këshilltar në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës. Në tre javë sa Gyorgy Reti qendroi në kryeqytetin tonë u përpoq sa mundi të kryejë takime me persona që i përmbushnin jo vetëm kuriozitetin e ndezur, por edhe grumbullimin sa më të shpejtë e më real të të dhënave më të reja për shqiptarët. Në fund të fundit ky hungarez mbi të shtatëdhjetat është në vendin e vet edhe autor i pesë librave për Shqipërinë.
Ndërkohë ziente edhe nga dy kërshëri të tjera: të gjente dokumente se si ishte shkruar për të nga zyrat e shtetit komunist të kohës, pra të mesit të viteve shtatëdhjetë. Sepse duhet thënë që Gyorgy Reti nuk është vetëm një albanolog, por edhe diplomat, madje karriere. Pasi në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të shkuar pati përfunduar studimet për marrëdhëniet ndërkombëtare në Moskë, Ministria e Punëve të Jashtme e vendit të vet e kishte emëruar në Kinë. Mandati i dytë pati qenë në Vietnam, i treti kishte qenë Tirana dhe i katërti e i fundit, Roma, vitet 1993-1997. Pas këtij çasti pati dalë në pension.
Nga të gjitha këto vite vendi që e kishte befasuar më marramendshëm qe Shqipëria. Kjo jo sepse ishte aq me shumë histori e popull sa Kina, as aq shumë shpirt vetëmohues sa Vietnami, doemos edhe jo i krahasueshëm me Italinë. Hungarezin e etur të mësojë gjëra të jashtëzakonshme Shqipëria e tërhiqte (pothuaj fatalisht) sepse ishte shumë ndryshe nga vendet që kishte parë. Për të qe mjaft tjetër, shumë e allasojtë, vend ku gjërat mund të rrinin me kokëposhtë dhe të dukeshin sikur qenë fare normalisht. Nga që e mendonte që vendi ynë ishte një tokë çudirash prandaj edhe nuk e hoqi kurrë nga goja shakanë se ishte një “revizionist”. Dekada më parë regjimi ynë komunist i kishte shpallur të gjitha vendet e tjera me të njëjtën ideologji si braktisës së marksizëm-leninizmit e tradhëtarë të tij. Duke etiketuar si revizionistë jo pak por afro një miliard njerëz të shteteve me sistemin bolshevik, diplomatin studiues Gyorgy Reti e kishte lenë pa mend sensi i paradoksit të Tiranës, një shtet me vetëm 3 milion banorë dhe që i kishte shpallur luftë gjithë botës. Që atëherë, për ta identifikuar dhe ironizuar këtë habi, mori zakonin e të vetëquajturit revizionist.
Rrallë mund të gjesh një njeri kaq shumë të gëzuar dhe po kaq të natyrshëm në humorin e tij sa Gyorgy. Sepse kishte këtë cilësi të të parit të gjërave, shpirt të ngazëllyer dhe pranim të ëmbël të të gjitha llojet të paradokseve, Reti shkoi edhe në arkivën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u kërkoi kolegëve ta ndihmonin me ndonjë dokument ku flitej e shkruhej për të. Duke qenë se periudha e viteve të qëndrimit të tij në Tiranë në volumin më të madh të dosjeve kishte dalë nga sekreti punonjësit e arkivës i fotokopjuan dhe i dhanë një fije letër ku citohej pikërisht ai. Sqarojmë se për shkak të luftës ideologjike mes Tiranës dhe Budapestit, ku Hungaria shpallej si vend revizionist, niveli i marrëdhënieve diplomatike kishte rënë në nivelin e vetëm të Ngarkuarve me Punë. Në ambasadën e vet në Tiranë Gyorgy ishte këshilltar, por duke qenë se shefi i tij për shkak të disa problemeve shëndetësore nuk ndodhej çdo herë në zyrë, në jo pak raste ishte ai që kryente detyrën e të Ngarkuarit me Punë.
Pikërisht në atë rol, në 18 maj 1979, sipas dokumentit që i dhanë, dega e Protokollit e MPJ shkruante “I Ngarkuari me Punë a.i. i ambasadës së R.P. të Hungarisë Gyorgy Reti, me telefon, kërkoi takim me ministrin e Punëve të Jashtme për në datën 23 maj, për t’i dorëzuar tekstin e komunikatës së mbledhjes së MPJ të vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës që u bë më 14-15 maj si edhe për të dhënë shpjegimet përkatëse, në bazë të udhëzimeve që ka marrë nga qeveria hungareze.
Shoku J. i tha se një takim i tillë nuk mund të bëhet, mbasi vendi ynë nuk ka asnjë lidhje me Traktatin e Varshavës.
I Ngarkuari me Punë i Hungarisë, pas kësaj përgjigje, tha se në rast që nuk mundej të organizohej takimi me ministrin e Punëve të Jashtme, atëherë ai kërkon që të takohet me një nga zëvendësministrat e Punëve të Jashtme.
Shoku J. i tha se për këto çështje ai nuk do të takohet me asnjë shqiptar për të biseduar.
Në fund hungarezi u lut që kërkesa e tij, të paktën, të transmentohet”.
Kjo ishte shkresa dhe gjurma e vetme që pati lenë në Tiranë edhe pse gjithë kohën e qëndrimit Gyorgy Reti ishte i trazuar nga parandjenja se për të duhej të kishte arkiva të tjera shqiptare që ia regjistronin emrin. Gjithë vitet e mandatit të tij katërvjeçar i kishin ndjekur njerëzit e sigurisë së kohës, ç’ka nuk e patën bërë më pak në Budapest për diplomatët e Tiranës edhe përgjuesit e vendit të vet. Madje kryeqyteti hungarez ato kohë përplasjeje nuk qe fare dashamirës me shtetin e shqiptarëve, luante shumë në favor të bllokut lindor komunist. Veçanërisht ata jepnin shumë shenja të pasionit për t’i shërbyer fort Traktatit të Varshavës. Në vitin 1974 pjesëtarët e skuadrës kombëtare shqiptare të basketbollit, të nisur për në një Kupë Kampionësh, duke kaluar e qëndruar transit në Budapest për dy ditë, në një nga sheshet e tij kryesorë, në atë të Pavarësisë, kishin parë të valëvitur, bashkë me të gjithë flamujt e shteteve komuniste anëtare të Traktatit të Varshavës, edhe atë të Shqipërisë. Qenë tronditur dhe indinjuar. Ishte një lojë dinake dhe e pabesë për ta mbajtur në sytë e botës Shqipërinë si pjesëmarrëse në një bllok ushtarak kundërshtar të NATO-s, kur në të vërtetë regjimi i kohës pati zgjedhur një pozicion të baraslarguar nga të dy.
Gyorgy Reti të gjitha këto hollësira të fundit nuk i di, por është tepër i sinqertë në bindjen e vet se si hungarez shqiptarët i do me zemër, madje për ta nuk kursen asnjë lloj qortimi edhe për vendin e vet. Duke qenë, përveç albanolog, edhe një italianist i njohur në qarqet diplomatike dhe që për marrëdhëniet mes Budapestit dhe Romës ka publikuar disa libra e mjaft artikuj, në njërin botim, në kapitullin “Marrëdhëniet italo-hungareze, prill-maj 1939”, mes të tjerash shkruan: “Edhe pse Hungaria ishte e lidhur me Shqipërinë jo vetëm me një miqësi historike, ku shembulli më i bukur qe bashkëpunimi midis Janosh Huniadit dhe Skënderbeut, por edhe në raportet aktuale sepse gruaja e mbretit Zog ishte një aristokrate hungareze, qeveria e Budapestit mbështeti menjëherë agresionin italian kundër vendit të vogël mik. Kjo mbështetje nuk qe vetëm morale dhe politike, por pati edhe karakter ushtarak. Me shpresë mos Jugosllavia përzihej në konfliktin italo-shqiptar dhe kështu ofrohej mundësia për të fituar territore në jug (ose në veri të Jugosllavisë, ku ndodhet Vojvodina, trojet e banuara në shumicë nga hungarezë-shënimi ynë) qeveria e Budapestit zhvendosi gjashtë divizione në kufirin jugor duke mbajtur të gozhduar ato jugosllave. Me gjithë faktin që në momentin e pushtimit të Shqipërisë nuk ndodhi ndonjë luftë kundër Jugosllavisë, udhëheqësit italianë për mbështetjen që patën nga qeveria hungareze i premtuan asaj se “nuk do ta harronin që ajo ishte rreshtuar me kurajë me Italinë“.
Gyorgy Reti, ky i shpallur “revizionist” nga regjimi ynë komunist i kohës, pra armik i vendit tonë, në librin e tij të botuar në Itali në kritikën ndaj qeverisë së vendit të vet, atëhere e drejtuar nga fashisti Horti, shkon edhe më larg. Ai shkruan “Para se të niste aksioni ushtarak italian Çiano i premtoi ambasadorit hungarez në Romë Villani që të sigurohej mbrojtja e çiftit mbretëror shqiptar, por Zogu pëlqeu të largohej për në Greqi dhe më pas në Angli bashkë me të shoqen hungareze dhe djalin të lindur dy ditë para pushtimit italian.
Është karakteristike se si baroni Frigves Villani e vlerësoi pushtimin e Shqipërisë “Është e pamohueshme se si ne hungarezët e ndoqëm me brengë fundin e pavarësisë shtetërore të një vendi të lidhur me ne që prej traditash shumë të lashta, por të gjalla; një komb simpatik dhe dashurues pas lirisë; por ndërkohë duhet të gëzohemi për zhvillimin e hovshëm të perandorisë së madhe italiane, e cila në këtë pjesë të Evropës mund të na çojë më afër për realizimin e aspiratave tona nacionale”.
Kështu me këto dokumenta të zbuluara e të bëra publike për herë të parë diplomati studiues Gyorgy Reti kritikën ndaj qeverisë së vendit të vet e bën shumë therrëse. Ai demaskon ëndërrën e mbrapshtë të Budapestit të vitit 1939, e cila për të siguruar trojet me hungarezë të banuar në Jugosllavi apo Rumani bënte kurban jo pak, por të gjithë pavarësinë e Shqipërisë si edhe kudo trojet e banuara nga bashkëkombësit tanë.
Sigurisht që të bësh këtë duhet t’i duash shumë shqiptarët. Në të tre javët e qëndrimit në Tiranë, me një dëshirë të përhershme për të shkuar deri tek deti, në Durrës, nostalgji përherë përvëluese e një populli që jeton mes tokash, në brendësi të kontinentit, siç janë hungarezët, pasi kishte bërë një vizitë mbresëlënëse tek njeriu me gjak shqiptar dhe hungarez, Leka Zogu dhe papritur një takim për të befasues me një nga djemtë e Enver Hoxhës, Sokolin, me përherë në kokë një kapele të kuqe sportive ku qe vizatuar shqiponja jonë dykrerëshe si edhe fjala gërmëmadhe ALBANIA, me valixhet të mbushura me libra dhe artikuj albanologjikë që mori tek kolegët e vet, Georgy Reti u nis për në Budapest.
Me një ironi të gëzuar prej andej dërgoi një mesazh, fjalët e të cilës mbylleshin me përshendetjen “Nga miku yt revizionist”. Dhe pastaj “Nga Gyorgy, pra si Kastrioti, Gjergji juaj”.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com