Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Ndarje me të shkuarën”


Fragment, faqet 70-81 të librit

Burgimi i Tiranës në të vërtetë kishte nisur si edhe ky i Bolonjës,
me një artikull.
Për aq sa i kujtohej, ishte i njëjti muaj, dhjetor, viti 1995.
Pas disa përpjekjeve në biznese të ndryshme, të gjitha, ose të
pafata ose që ishin mbyllur shpejt, i ishte dhënë më në fund tregtisë së
cigareve, përvojë që e kishte nga vitet kur si zëvendësministër i Punëve
të Brendshme mbulonte edhe aktivitetin ekonomik të dikasterit. Në atë
fillimdhjetori 1995, pas një suksesi disa mujor, gjendej në vështirësi
për të shitur ngarkesën e fundit, një maune të marrë që në muajin
shtator. Konkurrenca qe e madhe dhe po aq i madh edhe kalimi ilegal
në doganë. Ai ishte një nga ata që i paguante taksat, por disa të tjerë
qenë përfshirë e bashkëvepronin të lidhur ngushtësisht në sistemin e
korrupsionit. Kështu konkurrentët e nxirrnin në treg paketën e duhanit
më lirë se ai.
Kjo pasiguri ia kishte vënë në krizë ardhmërinë e atij biznesi dhe
po mendonte se cila do të ishte zgjedhja e re. Lëkundej mes tregtimit
dhe hapjes së ndonjë linje të re prodhimi. Për këtë vendosi të bënte
një udhëtim sa më të shpejtë në Zvicër e në Gjermani, ku prej shumë
kohësh kishte miq që mund ta ndihmonin.
Artikulli tronditës doli në të përditshmen e partisë antikomuniste
pikërisht këtë moment udhëkryqi.
Ishte kërkesa e një grupi personash, të cilët bënin thirrje të
ndëshkoheshin nga drejtësia ata drejtues të lartë të diktaturës që ishin
përgjegjësit kryesorë për vrasjet, burgimet dhe internimet e mijëra të
pafajshmëve. Firmëtarët, kryesisht të njohur si të lidhur me partinë që
kishte rrëzuar diktaturën, kishin mendimin se në Shqipëri ishte kryer
një gjenocid politik dhe se emrat që denonconin patën kryer veprën e
rëndë penale të krimit kundër njerëzimit.
Pikërisht për shkak të kësaj akuze, për të cilën, edhe pse për
disa kohë funksionar i regjimit komunist, nuk kishte asnjë lidhje të
drejtpërdrejtë, Shahu nuk do t’i kishte dhënë rëndësi atij artikullithirrje,
sikur dikush të mos i thoshte se mes emrave të kallëzuar si
fajtorë ishte edhe i tiji.
Bleu menjëherë gazetën dhe pa se lista përbëhej nga afro
gjashtëdhjetë vetë. Emri i tij gjendej andej nga fundi. E, megjithatë
ishte.
Do të qe akoma paradite kur letra nisi të lexohej nga Radio-Tirana
dhe pas pak edhe nga televizioni i vetëm i vendit.
Ndjeu ankth. U shqetësuan edhe gruaja e dy fëmijët. Pas asaj dite,
citimi i atij artikulli u bë më i shpeshtë dhe media, e lidhur me partinë
në qeverisje, shtoi presionin që gjykatat të mos rrinin indiferente, por
të vepronin pa u vonuar.
Shahu bëri analizën e vetme që mund të kryente ato çaste. Letra
publike ishte e inkurajuar nga partia politike në pushtet dhe dukej qartë
se bënte pjesë në një projekt të hartuar që më parë. Pas disa muajsh do
të ndodhnin zgjedhjet e reja dhe në atë fushatë antikomunizmi do të
përbënte për qeverinë motivin kryesor elektoral.
Në mes të dhjetorit iku në Gjermani. Prej aty shkoi në Zvicër, në
Lugano. Atje gjendej edhe miku i tij, Korradua i Bardhë.
Kur Shahu e vuri në dijeni për çka po i ngjante, madje i tregoi
edhe gazetën me letrën-apel, Korradua i tha prerë të mos kthehej për
disa kohë. “Ti qenke gati për t’u arrestuar” -këmbënguli. Megjithatë
Shahu vazhdoi në të tijën: “Nuk kanë si të më arrestojnë, nuk kanë
bazë. Nuk e kam patur në varësi sektorin e dëbim-internimeve, kam
qenë larg këtij problemi. Unë kam mbuluar zbulimin jashtë vendit dhe
jo sigurimin e brendshëm”.
Korradua i Bardhë më në fund nuk nguli këmbë. Po qe se ishte
kështu, pra qe i pafajshëm për ushtrimin në vendin e tij të një politike
gjenocidi ndaj kundërshtarëve të regjimit, më mirë të qëndronte në
Shqipëri e të vetëmbrohej. Duke mos u kthyer do të jepte përshtypjen
se kishte qenë vërtetë i ndëshkueshëm.
Me italo-zviceranin Korrado gjithnjë Shahu qe ndjerë mirë.
Miqësia e ngushtë për njëri-tjetrin pati ndodhur në vitin 1982. Ende
nuk kishte nisur vera dhe kishte vetëm katër muaj që pati filluar punën
e zëvendësministrit.
Qe informuar me kohë për të gjithë rrjetin e bashkëpunëtorëve të
huaj në sektorin ekonomik dhe sidomos për sistemin e tranzitimit në
duhanit drejt brigjeve pulieze e rajonit të Salentos në Itali. Ky qe edhe
aktiviteti kryesor i këtij sektori, duke i siguruar ministrisë një të ardhur
prej afro tre milionë dollarësh në vit.
Ndër emrat që tashmë njihte, Korradua i Bardhë qe më i
rëndësishmi. Ai ndodhej në Zvicër me banim dhe zyra e prej andej
organizonte korridorin e lëvizjes së cigareve të ardhura nga portet
gjermano-veriore, sidomos nga Hamburgu. Sipas të dhënave që
ministria kishte, Korrado ishte mjaft korrekt në raportet e punës dhe
çdo vit bënte jo më pak se dy udhëtime në Tiranë. Rregulli i qëndrimit
të tij të shkurtër në Shqipëri kishte uljen në aeroportin civil të Rinasit,
sistemimin në hotel “Dajti”, më luksozin e kryeqytetit dhe pastaj
nisjen e takimeve me nëpunësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme
që mbulonin sektorin ekonomik. Pastaj shkonte të inspektonte bazën e
Rrashbullit, në të cilën, duke qenë fare afër portit të Durrësit, gjendeshin
magazinat e mëdha të cigareve.
Dy apo tri ditë me punë të ngjeshur i mjaftonin të rikthehej i qetë
në vendin e tij. Sipas një urdhri të brendshëm në protokollin e takimeve
ishte e palejuar që Korradon e Bardhë dhe secilin prej bashkëpunëtorëve
të huaj ta takonin drejtues të lartë të rangjeve politike, duke filluar nga
zëvendësministri që mbulonte ekonominë.
Por Shahu kur i thanë se italo-zvicerani pati mbërritur i vetëm në
Tiranë dhe ndodhej nën masa të plota sigurie në një dhomë të hotel
“Dajtit”, vendosi ta takonte. Ishte mbrëmje, madje jashtë rigonte edhe
pak shi. Njerëzve, që i pati porositur ta vinin menjëherë në dijeni
sapo Korradua i Bardhë të vinte në Shqipëri, u tha se do ta takonte të
nesërmen. I porositi bashkëpunëtorët që për këtë ta vinin menjëherë në
dijeni të porsaardhurin.
Kur ua tha, për pak çaste vartësit u vështruan në sy dhe më në
fund njëri prej tyre e vuri në dijeni për rregullin që ekzistonte dhe të
cilin e patën respektuar të gjithë zëvendësministrat paraardhës.
Shahu për një grimë u ndje i befasuar, por nuk e la veten që kjo t’i
dallohej. Ripërsëriti se Korradon e Bardhë do ta takonte patjetër dhe
se kjo gjë do të ndodhte të nesërmen. Saktësoi se do të qe më mirë që
vartësit të mos i parathoshin gjë. Takimin do ta bënte si rastësisht.
Të nesërmen gjithçka shkoi siç e kishte dëshiruar. Iu gjet përballë
Korrados së Bardhë në hollin e madh të katit të parë dhe në fillim bëri
sikur nuk e pa. Një nga njerëzit e tij, i cili e shoqëronte italo-zviceranin,
i sajoi tërheqjen e vëmendjes dhe prezantimin.
Korradua ishte një burrë me siluetë imponuese dhe elegante, shtat
rreth një e tetëdhjetë, në pamje simpatik. Fytyrën e kishte të mprehtë
dhe flokët të zinj e të dendur.
Linte të kuptohej se nuk duhej të qe me moshë mbi pesëdhjetë e
pesë vjeç.
Shahu i zgjati dorën. Tjetri ia kapi menjëherë.
“Është hera e parë që një zëvendësministër i jep dorën një të
huaji” - tha Korradua i Bardhë.
Shahu iu përgjigj: “Jeni bërë si një shqiptar. Ndodheni këtu shpesh
dhe më vjen shumë mirë. Jeni përshtatur dhe e shoh që keni kënaqësi
që vini e rrini në vendin tonë”.
Sapo shoqëruesi ia përktheu fjalët, Korradua i Bardhë u mbush
menjëherë me dritë në fytyrë dhe gazmueshëm ia ktheu: “Është shumë
e vërtetë, qenkeni psikolog”.
Nga Lugano Shahu u kthye në Tiranë më 20 dhjetor. Kishin nisur
arrestimet e para. Qenë hierarkët më kryesorë të diktaturës. Midis tyre
kishte nga ata që atëherë i quanin si konservatorë e radikalë, anëtarë
të Byrosë Politike, por dhe ndonjë prej liberalëve. Në listë qe edhe një
sekretar i Komitetit Qendror që njihej për shpirtbutë dhe politikisht
mjaft i moderuar.
Shumë flisnin se prangosja nuk do t’u ndodhte të gjithë emrave të
shpallur në listën e apelit. Mjaft prej tyre, sipas fjalëve që qarkullonin në
mjediset afër qeverisë, ishin cituar thjesht për t’i denoncuar publikisht
dhe se për ta në atë kufi edhe do të qëndrohej. Sipas po këtyre zërave,
gjashtëdhjetë vetë të arrestuar ishin disi shumë për t’u justifikuar para
opinionit ndërkombëtar.
Darkën e pragut të Vitit të Ri, 31 dhjetorin, i gjithë fisi i tyre e
festoi në një klub që përveç restorantit kishte edhe një bilardo. Qe
pronë e një nipi të tij, të cilin e donte shumë.
Gjatë gjithë festimit askush nuk hodhi ndonjë fjalë për listën e
botuar. Me kohë, sapo ajo pati dalë, të afërmit qenë shprehur të sigurt
se Shahu nuk ishte përgjegjës për akuzën që formulohej dhe se patjetër
emri i tij ishte vënë për ndonjë shantazh personal.
Ndërsa më në fund festimi qe mbyllur dhe të gjithë qenë përqafuar
me njeri-tjetrin duke uruar që viti 1996 t’u sillte vetëm gëzime, bashkë
me të shoqen dolën nga klubi dhe u nisën për në shtëpi. Distanca ishte
e vogël, në ecje të lirë jo më shumë se dhjetë minuta.
Rrugës ndjeu sikur qe nën vëzhgim. Ishin sensorët e brendshëm
që po e lajmëronin. Ktheu kokën me kujdes. Në sfond të rrugës
ishin vetëm tre vetë. Ecnin shpenguar dhe dukeshin të rinj, rreth të
tridhjetave. Nuk i lanë përshtypjen se qenë survejues. Pa se mos ata që
e vëzhgonin ndodheshin pas shtyllave të një kompleksi dyqanesh në të
djathtë, por e gjithë hapësira atje ishte e zbrazët. Majtas po ashtu nuk
gjendej frymë njeriu.
Vijoi rrugën. E shoqja kishte rënë në heshtje. Edhe gjatë festës
nuk pati shfaqur ndonjë gëzim. Që kur emri i tij kishte dalë në gazetë
dhe patën nisur arrestimet ajo u mbyll në vetvete dhe të gjithë në shtëpi
e kuptuan se kishte nisur të vuante. Ajo ishte besimtare, dhe Shahu
tashmë e gjente ndërsa belbëzonte lutje.
Sensorët e tij paralajmëruan sërish gjendje vëzhgimi. I paqetë, pas
dy-tri minutave riktheu kokën pas. Në rast se atë pasmesnatë kishte
ndjekës të tij të tillë, duhej të ishin vetëm ata tre të shpenguarit dhe
askush tjetër. Kësaj radhe vërtet dyshoi se qenë pikërisht ata.
Nuk dëshironte ta shqetësonte të shoqen, por nuk pa rrugë tjetër.
E pyeti zëulët, mos ata tre që ndodheshin prapa tyre u ishin qepur dhe
po i ndiqnin. Ajo e ktheu kokën vrulltazi. U zbeh.
Shahu e kapi te bërryli dhe nga asfalti i rrugës u hodhën në trotuar.
Shtëpia ishte menjëherë pas udhëkryqit të parë. Kur ngjitën shkallët për
të shkuar në apartamentin e tyre në katin e tretë u ndjenë më të qetë,
por kur hynë, një kohë nuk dinin çfarë të bënin. Shahu ndjeu tension
të brendshëm. Pastaj ai hoqi pallton, dhe e shoqja, me një ofshamë
munduese, pardesynë.
Kur ranë në shtrat ajo i tha me një zë çuditërisht të qetë, se ata tre
nuk i qenë dukur aspak si njerëz të policisë apo të shërbimit të fshehtë.
Ishin thjesht udhëtarë natë, gëzues edhe ata të Vitit të Ri.
1 janari kaloi me rutinën e zakonshme, disa telefonata urimesh
të ndërsjella, ndjekja në televizion e koncertit tradicional simfonik të
Vjenës, në mbrëmjen e vonë pinë të gjithë nga një gotë verë. 2 janari
kishte vizita, por Shahu pëlqeu të mos delte. Vetëm priti. Kujtimi i
pasmesnatës së Vitit të Ri megjithatë iu duk i largët.
Në datën 3 doli të pinte kafen e zakonshme me mikun e tij, ishzëvendësministër
i policisë në dekadën e fundit të regjimit komunist.
Bari që pëlqenin ishte në mes të një lulishteje dhe pranë kishte një
shatërvan.
Për praninë e ndjekësve kësaj radhe nuk ishte e nevojshme ta
paralajmëronin sensorët e brendshëm. Imazhet i kapi menjëherë me sy
të lirë. Siluetat e tyre në fillim ndenjën para barit, por më pas zunë një
tavolinë jo shumë larg asaj ku po pinte kafe. Kur u sigurua se përgjimi
i tij ishte tashmë një punë e padyshimtë, i tha mikut të tij me emrin e
lashtë ilir “I sheh ato dy fytyra? Më janë bërë refleks. Duket sikur më
ndjekin mua”!
Ish-zëvendësministri, polic mjaft i stërvitur për shkak të natyrës
së tij, por edhe viteve të gjata në karrierë, ktheu kokën në drejtimin
ku Shahu kishte bërë shenjën. Nënqeshi dhe pastaj mblodhi buzët si
të ndjente neveri. Tre përgjuesit në tavolinën nga vëzhgonin, sapo
ndeshën në vështrimet e tyre, ulën menjëherë kokat.
Në një ngjashmëri të plotë të skenës u pi kafja edhe të nesërmen,
më 4 janar.
Më datën 5, në mëngjes, e shoqja i tha se kishte parë një ëndërr
të keqe dhe se ai nuk duhej të delte nga shtëpia. “Rri këtu, mos dil - i
përsëriti me lutje disa herë - shteti po të ndjek hap pas hapi. Do të të
arrestojnë”!
Kësaj radhe, më shumë se të qetësonte shoqen e tij të jetës, kishte
nevojë të fashiste ankthin e vet. Me një shkujdesje të stisur iu përgjigj
se merakun për të e kishte të kotë dhe se nuk duhej të rronin më nën
këtë tension. Shtoi se do të shkonte të pinte kafe si çdo herë tjetër, me
mikun e tij, në po atë orë dhe në të njëjtin bar.
Gjatë gjithë kohës që pinë kafen dhe biseduan, Shahu nuk dalloi
asnjë nga konturet e përgjuesve të tij. E përsëriti këtë hetim disa herë.
As sensorët e brendshëm nuk po bëheshin të gjallë. Kishin rënë në
përgjumje. Kur u sigurua se më në fund ishte jashtë vëzhgimit mori
frymë thellë dhe porositi për vete e ish-kolegun e tij nga një gotë të
vogël me raki.
Jashtë nuk ishte ditë aq e ftohtë, madje nëpër stërkalat e ujit të
shatërvanit rezet e diellit luanin me njëra-tjetrën.
U kthye në shtëpi në orën 11.30, pak më parë se zakonisht. E
shoqja nuk qe në shtëpi dhe, me siguri, si zakonisht, do të vinte disa
minuta para orës së tij të zakonshme të kthimit nga kafja.
Shahu me një lëvizje të shpejtë shtyu shulin e madh të derës. Ajo
u mbyll si portë kështjelle.
Në orën 12.00, asnjë minutë më pak apo më shumë, ra citofoni.
Zilja ishte e shkurtër, si me drojë. Një çast priti që tingëllimi të binte
sërish, por kjo nuk ndodhi. Mbase ndonjë fëmijë çamarrok kishte
shtypur butonin, gjë që nuk ndodhte rrallë.
Pas pak zilja u përsërit, kësaj radhe me një tingëllim edhe më
kohëshkurtër.
U ngrit nga divani. Ndërsa ngriti dorezën e citofonit ishte i
sigurt se pas receptorit nuk do të ndihej asnjë zë njeriu, veç poteres së
zakonshme të rrugës plot me makina e kalimtarë.
Iu duk se ndjeu një frymëmarrje njeriu.
“Urdhëro”! - tha për forcë zakoni.
Në receptor nuk dëgjoi asnjë fjalë, por frymëmarrjen e fortë e
ndjeu sërish.
“Urdhëro|! - përsëriti, por kësaj radhe me zë të fortë. Po bëhej
nervoz.
“Hapeni pak portën”! - u dëgjua një zë. Nuk dukej i sigurt.
“Kush je”?
“Jam një miku tat”.
Zëri me frymëmarrje të pasigurt po fliste në dialektin e rrethinave
të kryeqytetit.
“Po cili je”? - nguli këmbë Shahu. Kishte filluar të mos i pëlqente
ajo që po ndodhte. I qe rikthyer ankthi i siluetave përgjuese.
“Një miku tat” - i rierdhi përgjigja.
Por Shahu nuk e shkeli butonin të çelte derën e poshtme. Shkoi
menjëherë tek dritarja dhe pa jashtë. Tek platforma e citofonit qëndronte
një njeri me uniformë polici, një civil si edhe një grua e lagjes. Diku
më tej, në anë të rrugës, shumë afër pallatit të tyre, rrinte një mikrobus
policie. Në skajin tjetër të rrugës po ashtu, e mbushur me policë, pati
ndaluar një mikrobus i dytë. Një i tretë ishte ngulur afër përmendores
së “Partizanit të Panjohur”.
Gjithçka ishte e qartë. Ëndrra e të shoqes kishte dalë.
Shkoi te citofoni dhe shtypi butonin për të hapur portën.
Pas pak u dëgjuan hapat e tre personave që po ngjitnin shkallët.
Shahu e hapi derën e apartamentit dhe i priti përballë. I pari që iu shfaq
qe oficeri i policisë. Fytyrën e kishte të zbehtë. Mbase ishte ndonjë
prej tyre që në kohën e vet e kishte patur zëvendësministër.
“Më fal”! – tha, dhe bëri përpjekje ta vazhdonte fjalën e tij me
diçka tjetër, por la pas vetëm një pauzë të gjatë. Pastaj i vuri në dorë
një zarf të mbyllur.
Shahu e hapi, i sigurt se e dinte çfarë kishte brenda. Qe një urdhër
arresti nga prokuroria e kryeqytetit.
“Tani patjetër”? - e pyeti.
Oficeri i policisë tundi kokën në mënyrë pohuese.
“Dakord”! - vazhdoi Shahu - por vetëm me një kusht. Unë nuk
lëviz pa më ardhur këtu të gjithë njerëzit.
Oficeri mori në radio dikë, ndoshta eprorë të tij që rrinin në ndonjë
prej mikrobusëve poshtë. U dëgjua qartë që zëri i mbërritur deri aty
tha: “Nuk ka problem, do të presim”!
Nisi t’i marrë në telefon të vetët dhe të gjithë i gjeti në vendet e
punës. Me të shoqen iu desh të provonte disa adresa, gjersa më në fund
e hamendësoi dhe i ra telefonit të shtëpisë, ku mendonte se qe. Kishte
qenë i saktë. Ishte tek e motra. Atë mëngjes ajo kishte pësuar papritur
një krizë tensioni të lartë të enëve të gjakut.
E para që mbërriti në shtëpi qe nusja e të birit. Ishte krejtësisht e
prishur në fytyrë. Merrte frymë me forcë, ndoshta nga që nuk ngopej
dot me ajër.
Shahu e mori prej duarsh dhe nisi ta qetësonte. I tha të mos
mërzitej, do të shkonte me të porsaardhurit dhe me siguri në prokurori
gjithçka do të sqarohej. Çuditërisht, ndërsa shqiptonte ato fjalë, ndihej
i qetë. E keqja kishte ardhur, nuk kishte përse tronditej më prej saj.
Tani duhej ta përballonte dhe kjo sprovë niste prej atij çasti përpara të
vetëve.
Njëri pas tjetrit erdhën e bija, dhëndëri dhe djali.
E shoqja ishte nisur, por qe ende larg.
Që nga dukja e sjellësve të urdhër-arrestit kishte kaluar pothuaj një
orë dhe Shahu filloi të vishej si për burg. Mori gjërat më të nevojshme,
sidomos rroba të trasha e të ngrohta.
Kur shoqja e tij e jetës mbërriti, ai ishte bërë plotësisht gati të ikte.
Ajo sa nuk shkulte flokët. Ishte gati të klithte, por fjalët nuk i nxori
kurrë. Veç i kishte të shkruara në të gjithë shprehjen e fytyrës.
Shahu e mori afër dhe i tha se ëndrra e asaj nate i kishte dalë. Kjo
donte të thoshte se ajo, si të gjithë jetën, e donte shumë. I kishte lexuar
fatin. “Mund të ketë njerëz që kënaqen - vazhdoi t’i thoshte - por nuk
besoj se janë prej këtyre të treve që kanë ardhur bashkë me urdhrin e
arrestit. Atë e kanë dhënë njerëz sipër tyre”.
Fjalët në vijim ishin pak a shumë thelbi i asaj që tashmë dihej, hë
për hë, deri sa kjo çështje të sqarohej, nuk duhej patur ndonjë iluzion.
E shoqja papritmas u bë e gurtë. Të gjitha tiparet i ngrinë. U duk
sikur iu ndal edhe frymëmarrja. Për Shahun, që e njihte mirë, kjo donte
të thoshte se qe bllokuar nga emocionet e forta.
E përqafoi dhe ndjeu se si trupi i saj kishte një të nxehtë përvëlues.
E mbajti pak çaste në krahë dhe pastaj e puthi në ballë. Ky ishte kodi
i tyre i fshehtë, i cili donte të thoshte: “Me ty e kam lidhur të gjithë
jetën”!
Kur u nda nga krahët e të shoqit ajo dukej sikur një buzëqeshje i
kishte bulëzuar si lule.
Ora sapo kishte kapërcyer njëshin e pasdites.
Oficeri i policisë i hapi udhë sapo Shahu doli nga dera. Të katër
zbritën shkallët dhe kur dolën në rrugë ai i pyeti se tek cili furgon do
të shkonte. Iu përgjigjën se nuk do të futej te makina që ishte afër
shtëpisë, por tek tjetra, ajo që gjendej pak më tej. Ndërkohë përreth iu
grumbulluan shumë policë. “Largohuni! - u tha - mos të më rrijë njeri
afër”!
Policët bënë më praptazi, por nuk e lanë vetëm.
Në furgon hipi vetë. Askush nuk e shtyu. Priti një çast t’i vinin
prangat, por sërish askush nuk kreu ndonjë veprim të tillë. Madje asnjë
nuk foli, qoftë edhe me nëntekst për to.
Të tre furgonët u vunë në radhë njëri pas tjetrit dhe pas dhjetë
minutash hynë në kthesën që të çonte në godinën e burgut 313. Kur
hynë në oborr, një njeri i futur në një kostum që nuk i rrinte mirë u
veçua nga pritësit e tjerë. Ishte i zymtë.
Shahu zbriti nga furgoni dhe qëndroi deri sa ta vinin në mes
policët. Tani i duhej të respektonte rregullat e burgut. Ndërsa njerëzit
me uniforma e futën në mes dhe të tjerë, tre gardianë, ndërkohë po i
aviteshin, njeriu i zymtë iu hakërrye:
“Ju keni qenë peshkaqen, por ne jemi balena dhe ju mbysim”!
Shahu e pa me vërejtje. Nuk po e kuptonte përse tjetri po i ulërinte
dhe në fund të fundit cili ishte. Ata që e kishin arrestuar nuk e patën
prekur fare me dorë dhe të dy palët ishin marrë vesh shumë mirë. Ai e
kishte pranuar arrestimin dhe po iu nënshtrohej të gjitha rregullave.
“Cili jeni ju”? - e pyeti duke e vështruar ngultas në sy.
“Cili jam unë!? - ngriti edhe më shumë zërin tjetri - Jam një nga
ata që keni bërë të vuajë një gjysmë shekulli.
Shahu u vetëpërmbajt. Në një rast tjetër do të dinte t’i jepte një
përgjigje, por kur bëhej fjalë për një të vuajtur nga regjimi në të cilin
pati qenë për shumë vite funksionar, i duhej të hapte udhë. Ishte një
kod moral që e kishte zgjedhur me kohë. E konsideronte si shkallën e
parë të vetëkritikës për aq sa faj mendonte se kishte.
“Peshkaqenë keni qenë”! - vijoi tjetri. Dukej shumë i zëmëruar.
“Cili jam unë e cili je ti nuk mund ta sqarojmë këto çaste” - ngriti
zërin edhe Shahu - më kanë arrestuar me një urdhër të një prokurori
dhe që prej këtij çasti unë kam punë me gjykatën. Do ta zgjidh atje
problemin. Ju jeni thjesht një punonjës burgu dhe keni për detyrë të më
mbyllni e siguroni jetën deri sa të vendosë ligji.
Tjetri në fillim u duk sikur u hutua, por menjëherë u rikthye në
sjelljen e mëparshme. U bë edhe më shumë inatçor.
“Ju keni qenë kriminelë”! - thirri.
Shahu një çast kërkoi fjalët më të përshtatshme dhe kur më në
fund iu duk se i gjeti ia lëshoi menjëherë.
“Ti qenke njeri pa karakter dhe do të përfundosh shumë keq”!
Nuk pati dashur plotësisht kështu të shprehej e megjithatë fjalët
e porsadala nga goja qenë një lloj kërcënimi. Ata që në regjimin
komunist kishin punuar në Ministrinë e Brendshme konsideroheshin
akoma si njerëz me hije të rëndë. Sipas fjalënajave urbane të përhapura
gjithkund ata jo vetëm dinin shumë për jetët e fshehta e të dyzuara të
njerëzve, por zotëronin akoma lidhje klandestine të forta dhe, po të
donin e të vendosnin, mund të të bënin gjëmën.
Në të vërtetë Shahu nuk e kishte programuar atë që sapo tha deri
këtu, por drejtori i burgut e mori plotësisht si të tillë.
Aty nuk foli më, por, pas një kontrolli fizik të ashpër, atë e futën
në qelinë numër katër.
Ajo thirrej edhe “biruca e vdekjes”. Ishte gjithë lagështi dhe
akull e ftohtë. Qe një qeli si fund humnere. Dritarja ishte aq lart në
buzë të tavanit sa nuk i dukeshin as hekurat e jo më të mund të shihje
ndonjë copë qiell. Drita që binte prej saj ishte e mugët, vazhdimisht si
e mbështjellë me gjysmëterr të lagësht.
Në buzë të mbrëmjes te sporteli u shfaq shpërndarësi i ushqimit.
Shahu u ngrit dhe u afrua ngadalë tek dera. Nuk kishte asnjë uri, por
dëshironte të qe një i burgosur i rregullt dhe të mësohej sa më shpejt me
regjimin e atjeshëm. E kishin futur brenda kundërshtarët e tij politikë
dhe nuk shpresonte zgjidhje të afërt. Mund të mos e kishin posaçërisht
tek ai dëshirën për ndëshkim, madje mbase e dinin që nuk pati bërë
pjesë në strukturat e drejtpërdrejta të persekutimit të kundërshtarëve
të komunizmit, por duhej të dënohej në emër të ndëshkimit publik të
diktaturës.
“Të hash, se kjo supë do të të mbajë të gjallë”! - dëgjoi jashtë
derës një zë. Ishte një gardian. Qe trupmadh, por nuk arrinte ta mbante
trupin tamam drejt. Ai rrinte pak i anuar nga e majta.
“Për të paktën dhjetë vjet nuk ke për të dalë i gjallë që këtej”!
- vazhdoi gardiani.
Shahu nuk iu përgjigj dhe priti t’i hapnin derën e të merrte racionin
e tij. Pasi mori pjatën, u tërhoq i pafjalë në fund të birucës. Dera u
mbyll me forcë. Me kërcitje të forta lëvizën edhe çelësat në bravë.
Shahu shtrëngoi dhëmbët. Kishte përreth një atmosferë armiqësore
dhe duhej të bënte kujdes. Më së pari, ndaj provokatorëve. Gardiani
duhej të qe i pari i tufës së tyre. Dinte që edhe gjatë diktaturës, kur
dëshironin ndonjë nga të burgosurit politikë ta ridënonin, u vinin nga
pas provokatorë. Nuk ndodhte rrallë që të rënë në grackë ose thjesht të
rraskapitur prej luftës së nervave, viktima lëshonte gojën dhe së paku
mallkonte. Kjo donte të thoshte dyfishim i masës së mbajtjes në burg.
Shahu hodhi sytë mbi pjatë. Sipërfaqja e lëngut të supës lëkundej
lehtë si të qe ujët e një pellgu. Ia nguli vështrimin pamjes së saj të
dyshimtë me mëdyshjen ta linte pa e prekur apo të bënte përpjekjen e
parë të vullnetshme për t’u mësuar me përtypjen symbyllur të saj.
Duhej patjetër të bënte këtë të fundit. E futi lugën bishtshkurtër në
lëng dhe nisi ta trazojë. Ishte një lloj parapërgatitje psikologjike.
E vërtiti lugën një herë, dy herë, tri herë, katër herë dhe, kur më
në fund mbylli sytë që të fuste në gojë kafshatën e parë, bllum, i doli
një si copë e madhe mishi. Në sekondë më vonë pa një bisht të hollë
të zi.
Qe tretur miu në supë.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com