Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Të lexosh Dritëro Agollin në trotuar


Botuar në gazetën “Tirana Observer” më 29 maj 2009

Shet në buzërrugë, diku në një kënd të Tiranës. Herë pas here kalimtarët ndalin tek “mallrat” e tij, që nuk janë tjetër gjë veç çikërrima të konsumit të përditshëm, duke filluar nga bojë këpucësh e deri penj e kopsa. Gjithsej ndoshta njëzetë artikuj. Hapësira e ekspozimit të tyre katër a pesë pëllëmbë në brendësi të trotuarit, ku nuk pengon kalimtarët dhe ulur në një stol të vogël të plasmastë vetë lexon pa pushim. Sepse Çobo Veipi këtë punë ka të parë, leximin e librave. Kur shkëputet prej tyre, pra në pauzat e vogla të ndërmjetme, shet.
Portretet e shitësve ambulantë, më shpesh “klandestinë” dhe përherë në manovrim për t’u shpëtuar kontrolleve të Policisë Bashkiake, janë aq shumë të ndryshme, shpesh aq fort të dhimbshëm sa të nguliten në kujtesë. Kam dy vite që nuk ndeshur në një udhëkryq të mbuluar nga pluhuri vrastar i makinave, një grua të moshuar, veshur përherë me të zeza. Shiste papuçe për fëmijë, të cilat i thurte vetë, aty, para kalimtarëve. Para se të mos e shihja më, për shumë kohë u bëra dëshmitar se si prej ndotjes së ajrit ajo u mpak dhe u dobësua, u bë dyll e verdhë. Mungesën e saj një tjetër ambulante pak më tej, edhe ajo një nga “klandestinet” e tregut, e shpjegoi se qe shumë e sëmurë.
Ku punon Çobo Veipi nuk ka pluhur të madh udhëkryqi, por ndotje natyrisht jo pak. Në rrugën e madhe buzë Lanës makinat shfryjnë e shfryjnë smog. Megjithatë ai në këndin e tij vazhdon të rrijë me librin në dorë. Çohet nga shfletimi i faqeve të tyre vetëm kur ndokush nga kalimtarët ndalet tek togu i vockël i çikërrimave dhe dëshiron të pyesë a blejë ndonjë gjë. Kur kuriozi apo blerësi largohet Çobo rikthehet tek leximi.
Duhet të jesh shkrimtar apo studjues me fat në rast se një ditë vë re që të ka në duar e po të shfleton Çobo Veipi.
Më së pari ai është një ish-nënkolonel, dalë në lirim kur në ushtrinë tonë nisi reformimi në kushtet e një vendi që po i afrohej anëtarësimit në NATO. Nuk kishte mbërritur mesi i viteve nëntëdhjetë. Një nga kufijtë e atëhershme të ristrukturimit ishte edhe mosha. Pse jo nëpër të edhe pak kriter politik. Çobua vinte nga koha kur u bënë jo pak gabime edhe pse vetë nuk bëri kurrë. I ati i tij në luftën për çlirim nga pushtimi fashist ka qenë një ndër emrat më të shquar të Shqipërisë së jugut. Kur mbaroi rezistenca me armë ai i rikthye në fshatin e tij, tek punët e bujqësisë. Mjeshtër i përdorimit të armëve, shënjues mahnitës, ai rimori plugun. Nuk pati dalë për karrierë a politikë, atë le ta bënin të tjerët. Kishte dalë për atdhe. Dhe atdhe është edhe ta plugosh tokën e të mbjellësh farën.
Ja përse në shtëpi Çobua i vogël, ndërsa qe agu i viteve pesëdhjetë, gjeti një bibliotekë të vogël, por shumë kuptimplote. I ati shkrim-këndimin e pati mësuar si autodidakt. Edhe atë bibliotekë po ashtu e pati bërë. Gjendej aty Foqion Postoli, Çajupi, Omar Khajami i përkthyer nga Fan Noli, tragjedia Orestia, drama “Besa” e Sami Frashërit, vargjet e Naimit për pyjet me lisat e gjatë...Në ato jo më shumë se njëzetë libra hyri në vitin 1949, kur Çobua qe në klasën e parë fillore, edhe Abetarja. Që prej atij çasti ky libër i vyer do të vazhdonte të qëndronte në bibliotekë. Tashmë e ka në të vetën dhe sa të mbesë në këtë jetë Çobo Veipi do ta mbajë aty. Ruajtjen e kësaj vepre të bukur të mësimit të gjuhës amtare e pati nisur nëna e tij. Ajo e pati ruajtur mënjanë, madje i kishte qepur kapakët e dëmtuar nga përdorimi.
Në vitet pesëdhjetë, ndërsa nga fshati i tij i lindjes nisi shkollën e mesme në Gjirokastër, Çobo Veipit i ndodhën edhe dy nga ngjarjet më të bukura: u njoh me dy veprat e nobelisit sovjetik Mihal Shollohov “Doni i qetë“ dhe “Fati i njeriut”, si edhe me vargjet e Dritëro Agollit. Ndërsa e pyesim rreth kësaj karakteristike, pra që në të njëjtën çast të jetës së tij u “takua” me Shollohovin dhe Agollin, ai nuk bën shumë përpjekje t’i lidhë apo t’i afrojë të dyja ngjarjet. Ndërkohë autorit të këtij shkrimi i ngjajnë se vetëm rastësi nuk janë. Letërsia shqiptare ka patur mote të mirë e të këqinj, të cilat nuk vareshin aq fort nga vetë shkrimtarët apo prej lexuesve. Dekada shumë pjellore kanë qenë ato të viteve tridhjetë të shekullit të shkuar, çka dihet dhe prej shumë vitesh mësohet deri edhe në bankat e shkollave tona. Mirëpo ja që në këto tekste letërsie kemi përshtypjen se mungon theksi i veçantë mbi një dekadë tjetër të lulëzuar të letërsisë sonë (edhe të të gjithë jetës shoqërore): asaj të viteve pesëdhjetë.
Ka shumë mug mbi të, mjaft smog politik, shumë paragjykim e keqdashje, peshon inercia e të quajturës në diktaturë “luftë kundër revizionizmit modern”. Në vitet pesëdhjetë të shekullit të shkuar jo vetëm ka botime nga më të bukurat, por edhe nga më befasueset. Nuk është çështja vetëm tek “Hasta la vista” e Petro Markos, një kryevepër e luftës internacionaliste kundër fashizmit për çlirim e jetë më të bukur, por edhe e formësimit të talenteve më të mëdha që ne kemi. Mes tyre edhe të Ismail Kadaresë e Dritëro Agollit.
Sikur vetëm kaq, pra vetëm këto dy kolosë, të kishin hedhur rrënjë në këtë dekadë, do të qenë të mjaftueshme që ata dhjetë vite në historinë e shqiptarëve të konsideroheshin të artë. Qenë kohë kur fryma staliniste po ikte nga viset e ish-lindjes komuniste dhe një shpirt liberal po përhapej kudo. Në këtë pranverë, në këtë shkrirje akujsh, çelën syth Agolli dhe Kadare, bashkë me ta edhe shkrimtarë të tjerë, jeta e mëpasshme e të cilëve e vërtetoi frytin e mirë të asaj dekade. Dihet që në vitin 1961 nisi prishja e raporteve politike mes Shqipërisë dhe atë kohë Kampit Socialist. Nëpër shkaqet e vërteta të ndarjes janë thurur e pleksur mjaft arsye, deri edhe synime për ta na përdorur si plasdarmë sulmi ushtarak kundër Perëndimit. Po ashtu dihet se radikal apo liberal sistemi shoqëror komunist qe i padrejtë dhe i gabuar, kundër të ardhmes.
Viteve pesëdhjetë të shekullit të shkuar në këtë shkrim po ja vlerësojmë frymën e liberalizmit brenda sistemit të kohës sepse ishte mot kur me qindra e mijëra shqiptarë lexonin “Fatin e Njeriut”. Çobo Veipi përjeton emocion të veçantë, kur tregon se citate të tëra të këtij libri i kishte shkruar në një bllok. Atë libër ja pati sjellë i vëllai më i madh pas studimeve në një shkollë ushtarake aviacioni në Bashkimin Sovjetik. Me ta marrë vrapoi në një kënd të bahçes dhe menjëherë u përkul mbi faqet e tij. “Fati i njeriut”, i librit mesazh që përkundër frymës së luftës mes bllokut komunist dhe atij kapitalist, shpërndante atë të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit, u lexua për vite të tëra dhe u adhurua nga shqiptarët e asaj kohe. Deri sa ndodhi prishja, pastaj nisi heqja e tyre nga bibliotekat publike dhe të institucioneve. Urdhri u dha edhe për t’u zhdukur edhe nga të gjitha bibliotekat personale. Çobo Veipi e përjetoi këtë dëbim të librit të paqes në të tre nivelet e pastrimit. Por atë në shtëpi nuk e largoi dhe as e grisi. Thjesht e vendosi në një qoshe. Për fat ishte i hollë dhe nuk binte në sy.
“Ndoshta jam pak melankolik” përpiqet Çobua të shpjegojë atë mallëngjim që ka për këto kohë dhe se si Agollin e gjen shumë të lidhur me shpirtin e tij. Ai është shpirtbutë, njëlloj si vetë mjeshtri Dritëro që adhuron. Ndoshta mendon se poetit tonë të madh për pasojë të ndonjë rutine apo ende paragjykimi ideologjik nuk ja kuptojmë dot se në kushtet shqiptare shqiptare qe një Shollohov, një liberal i vërtetë, një zemërbutë i madh, një siç i themi “shpirt njeriu”.
Përditë buzë trotuarit, gjer sa mbi Tiranë bie muzgu i mbrëmjes, Çobo Veipi vazhdon të lexojë libra mbi historinë e Shqipërisë e të Ballkanit, shfleton botime mbi diktaturat dhe dëmet e tyre, ndjek me dashuri rikthimin në jetë të të persekutuarve, thotë se nga e kaluara jo të gjitha qenë punë të shëmtuara e pa vlerë, citon Viktor Hugoin dhe Migjenin, “Darka e gabuar” të Kadaresë, thotë se njeriu të ka të drejtë ndryshojë, se letërsia artistike mund ta vendosë në subjekt një ngjarje apo personazh politik, por nuk duhet të merret vetë me politikë, se kur ka ndjekur debatin për Skënderbeun dhe ndonjë atë e ka cilësuar si një luftëtar të vogël, e ka mbyllur menjëherë televizorin, se shoqëria e sotme duhet të bëjë më shumë që të mos jetë “perandoria e parasë“ dhe se menjëherë në vitin 1991 bleu Biblën dhe Kuranin. Me buzë rrugës ato pak çikërrima dhe stolin ku ulet të lexojë pa pushim ish-nënkoloneli beson se libri e bën më të kthjellët për të gjykuar dhe më tolerant, se me çmimet e tyre të tanishme librat janë të shtrenjtë.
Pastaj bie papritmas në kujtime të largëta dhe si të jetë edhe vetë shkrimtar nis të të rrëfejë për gjyshen e të atit të tij, e cila ishte një greke faqe kuqe, me emrin Kristulla dhe që ata e thirrën gjithnjë Kushulla. I kujtohet se si në fshatin e tyre ajo delte mbi një breg, shihte nga atdheu i saj, atje ku kishte prindërit, dhe heshturazi qante.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com