Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Ç’deshe në Shqipëri, o moj gjermankë!?


Botuar në revistën “Shqip”, maj 2009

Sot na ndodh shumë herë që, duke patur me qindra mijëra bashkëkombës në emigracion, të provojmë ndjenjë mosmiratimi për ato raste të veçuara kur ndonjë qeveri vendore, media jo serioze apo individë me paragjykime shprehin ndaj tyre qëndrime si t’i konsiderojnë qytetarë të dorës së dytë. Ndërkohë që shqiptarët duke kontribuar dhe u mirintegruar në shifrat demografike të disa vendeve të kontinentit arrijnë tashmë të zënë si diasporë nga 0,5 deri 3 apo 4 për qind të popullsisë.
Mirëpo na ka ndodhur vetë ne, për pothuaj një gjysmë shekulli, të kemi qenë dëshmitarë të qëndrimit më të skajshëm që në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore është mbajtur ndonjëherë ndaj të huajve. Shqipëria gjatë të quajturës diktaturë të proletariatit është purifikuar nga qytetarë të emigruar prej popujve të tjerë. Ka qenë një poces i madh diferencues. Para se ky pastrim të vepronte në shkallë të gjerë u vendosën filtra të panumërt që shqiptarët të shmangnin me çdo kusht që në zanafillë martesat me të huajt. Në të gjitha shkollat e Evropës Lindore ku shkuan të studionin në rikthim në vendin e tyre ata ishin më të mirëpritur në rast se nuk sillnin me vete si bashkëshorte një vajzë të huaj. Qenë parathënë si martesa të mallkuara, siç edhe në të vërtetë dolën.
Duke u prishur me regjimet komuniste të moderuara (“revizioniste”, siç nga Tirana zyrtare quheshin) pas vitit 1961 mbi familjet e krijuara prej lidhjeve të një shqiptari me një ruse, polake, çeke, bullgare apo hungareze u ndërtua një politikë e tërë mosbesimi, presioni për ta shpërbërë, largimi nga Tirana, internimi të tërthortë nëpër qyteza të kontrolluara. Në jo pak raste pati burgime të tyre. Goditjet më të mëdha iu dhanë ruseve, por nuk u kursyen edhe të shteteve të tjera të eurolindjes. Përveç ndonjë rasti kur provat dëshmonin për veprimtari agjenturore kundër sigurisë së vendit në shumicën e herëve akuzat dhe proceset gjyqësore u montuan tërësisht. Kjo frymë manipulimi, frikësimi dhe shtypjeje vijoi për tri dekada rresht. Vepronte fort deri edhe në mes të viteve tetëdhjetë. Këtë kohë ka ndodhur që edhe kryemjekut personal të diktatorit, akademikut të njohur Ylli Popa, i ngjau një absurd. Të shoqen e tij, që është rumune, e ftuan prindërit për të qëndruar pranë tyre disa ditë çmallimi. Kështu bënë kërkesë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të kohës për të marrë vizën e daljes nga kufiri që më pas të siguronin nga ambasada e Bukureshtit në Tiranë atë të hyrjes për në Rumani.
Përgjigja erdhi e përgjysmuar dhe jashtë çdo logjike. I lejohej dalja nga kufiri vetëm kryemjekut të diktatorit Hoxha, por jo të shoqes së tij. Për ta zgjidhur u përdor një njohje personale.
Vetëm kur regjimi ra para opinionit publik shqiptar u zbuluan njëra pas tjetrës të gjitha këto drama që patën ndodhur dhe për të cilat deri ato çaste ishte mbajtur sekret i madh. Janë që të gjitha të dhimbshme, shumë tronditëse. Ndërkohë politikisht edhe mjaft absurde, të palogjikta. Qenë akuzuar se mund të ishin, të paktën potencialisht, spiune të vendeve të tyre “revizioniste”, kurse koha vërtetoi se ishin bërë shqiptare mjaft të mira.
Një histori të tillë do të tregojmë në këtë shkrim. E huaja e vështruar me dyshim nga autoritetet e regjimit është një gjermane. Quhet Waltraud. Mbiemrin e prindërve e ka Tunger. Këta qenë një familje punëtore nga Khemnitz, qytet i atëherë Gjermanisë Lindore. Gjatë viteve të studimeve në Moskë Waltraud u njoh dhe u martua me shqiptarin Ilmi Bejko. Jetoi më pas në Shqipëri 37 vite, duke u rikthyer në tokën e vet vetëm në vitin 1996.
Që prej këtij çasti ajo nisi të shkruajë dhe publikojë librat e rrëfimit për jetën e saj. Nisi me “Albanien – Mein Leben (1959 – 1996)”, të botuar fillimisht në Gjermani. Për publikun tonë ai erdhi vetëm në vitin 2000 nën titullin “Çapitjet e mia nëpër Shqipëri ” (1959 – 1996)”. Pastaj Waltraud botoi në të dy gjuhët “Shpirtra shtegtarë“. Kësaj radhe janë rrëfyer vitet e saj të kthimit në atdheun e vet të lindjes. Një muaj më parë gjermania që kaloi në Shqipëri më shumë se gjysmën e jetës së vet botoi librin e tretë “Vjehrra ime Kolja”.
Për të gjithë këtë cikël që është shumë i veçantë, ka dëshmuar kujdes dhe finesë profesionale gazetari Zylyftar Hoxha, mik i Waltraud. Ai njëkohësisht është edhe një njohës mjaft i mirë i jetës dhe dramës së Valës. Sepse gjermanka Waltraud Tunger në Shqipëri u thirr përherë nga njerëzit e thjeshtë vetëm me këtë emër të ngrohtë: Vala.

ooo

“Dy ditët e pushimit të festës së 11 janarit i përdora për mbledhjen e plaçkave. Më 16 janar do të niseshim për në Kukës. Më 15 janar u paraqita te shefi i kuadrit për të marrë librezën e punës”. Kështu shkruan Waltraud në librin “Çapitjet e mia nëpër Shqipëri”, përfunduar në qytetin Gelsenkirchen në 28 janar 2000. Kur ndodh kjo ngjarje është viti 1976. Deri ato çaste kishte punuar në drejtorinë e Botës së Jashtme të Radio-Tiranës. Tanimë të shoqin e saj e kishin transferuar nga një zyrë e Komisionit të Planit të Shtetit për në një degë banke në qytetin e Kukësit. Ky do të ishte çmimi që do të paguante për Waltraud. Ajo nuk duhej të ishte në Tiranë. Madje projekti fillimisht kishte qenë edhe më dinak. I kishin thënë se me gjithë transferimin e të shoqit për në atë qytet të largët të veriut gjermania nuk ishte e shtrënguar vetë ta ndiqte atë nga pas. Mund ta vijonte punën në Radio. Por si do t’u ecte ajo jetë ashtu, të ndarë nga një distancë e gjatë sa një ditë e tërë udhëtim?
Vala refuzoi menjëherë. Një kolege e saj në Drejtorinë e Botës së Jashtme, çekja Vera, që zgjodhi qëndrimin, e provoi atë eksperiencë ndarjeje prej bashkëshortit të vet për plot tre vite.
Porse në Radio-Tirana u ofronin alternativën e qëndrimit edhe sepse, duke përdorur vetëm të huaj, ende nuk qe përgatitur një brez shqiptar përkthyesish. Ky “brez i ri” për pasojë të mbylljes absurde ideologjike kualifikohej në Kinë. “Nuk jam në gjendje të gjej anën logjike të saj”, shkruan Waltraud në librin e vet, “Botë e përmbysur!”
“Po mblidhnin plaçkat e fundit. Librat i kishim mbështjellë thjesht në gazeta dhe i kishim lidhur me spango...”, vijon ta përshkruajë largimin e saj të komanduar nga Tirana, i cili në të vërtetë ishte edhe një lloj dëbimi cinik. “Në fund fare pastruam sobën tonë të thjeshtë ende të nxehtë prej llamarine, sepse duhej ta merrnim patjetër me vete”. Më pas dora e Waltraud vazhdon të fiksojë ngjarjen e vuajtur: “Arritëm në Kukës në errësirë...Rruga s’kishte të sosur. Herë pas here zbrisnim nga makina për të shpirë këmbët, po futeshim përsëri me vrap se nuk duronim dot të ftohtit....Në Kukësin e Ri...ulërinte një furtunë e tmerrshme. Ajo na hapte rrobat, pallton, sikur donte të na zhvishte. Ne kruspulloseshim, mbështilleshim, thuaj në atë çast përlesheshim me të....Kur hapëm spondin e makinës, nga të ftohtit gjethet e të gjitha luleve u zgërlaqën. Unë s’kisha kohë t’i qaja lulet e mia. Tani nevojiteshin krahë të fortë, që të ngrinin plaçkat në apartamentin tonë, në katin e dytë.
...Orenditë tona ishin të thjeshta.... Ne s’kishim komplet kolltukësh, por kishim një televizor, një frigorifer dhe një lavatriçe gjysmë automatike. Kishim një krevat dopio dhe një dollap rrobash si dhe një etazher librash dhe shumë libra. Kisha edhe një makinë qepëse të sjellë nga Moska, një makinë shkrimi, mjeti më i çmuar për mua, që ma kishin sjellë prindërit. Përveç këtyre kishim edhe një bufe të fortë që u mbijetoi 7 transportimeve....Nga korrenti që u krijua prej dyerve të hapura, u thye xhami i derës së dhomës së tharjes. Kjo e bëri tepër të ftohtë shtëpinë dhe të vështirë për të kaluar natën këtu...fqinjët na ofruan për të bujtur në shtëpitë e tyre”.
Njëri vëlla i Ilmiut, Hetemi, atë kohë ishte Hero i Punës Socialiste. I kishte shoqëruar për ndihmë deri aty, në Kukës, dhe kur pa me sytë e tij kushtet e reja të jetës i pati thënë “Si ua punuan kështu, më keq se sa një armiku!”
Pastaj Waltraud ndërhyn për ta shpjeguar atë cinizëm që u kishte rënë mbi shpinë: “Si njeri i thjeshtë, si punëtor, ai nuk e kuptoi dot këtë mënyrë veprimi të “partisë”, që ishte edhe partia e tij. Edhe ne na ishte dashur shumë kohë për ta përtypur këtë kockë. Për familjen e Ilmiut dhe tërë fisin e tij, ky transferim i detyruar, në palcën e dimrit, në skajin verior të Shqipërisë, ishte një goditje e fortë në sytë e njerëzve. Shumë nuk e shpjegonin dot ndryshe. Ata dyshonin, se unë isha agjente”.
Këtë fjalë, “agjente”, Waltraud e përdor vetëm njëherë në të tre librat e saj. Është një fjalë shumë fyese. Waltraud ndjen turp edhe ta shkruajë. Ajo e citon njëherë ndoshta që vetëm ta flakë nga trupi i saj, ku ia kishin ngjitur. Kush e di çfarë peshe të rëndë i ka shkaktuar në tridhjetë e një vite që kaloi në diktaturën shqiptare! U çlirua prej saj, shpëtoi prej asaj shenje përbuzëse vetëm kur regjimi ra dhe nisi pluralizmi.
Në tridhjetë e një vite e dyshuar si agjente si do ta kishte gjendjen shpirtërore Waltraud, kjo gjermane që e donte shumë Shqipërinë, e kemi shumë të vështirë ta kuptojmë sot. Diçka mund të hamendësosh nga ajo që shkruan: “Kur erdhëm në Kukës popullsia ishte disi e shokuar, pasi E.Hoxha kishte dhënë miratimin për dënimin me vdekje të drejtorit dhe shefit të llogarisë të ndërmarrjes bujqësore të Krumës. Masa u morën edhe për kuadro të tjera...Me këto ndëshkime të tmerrshme krijohej një shembull dhe tërhiqej vëmendja e të gjithëve se mosrealizimi i planeve ishte rezultat i ”një punë armiqësore” dhe... kush nuk realizon planet, pëson të njëjtin fat”.


ooo

Në atdheun e saj, ndarë më dysh nga Lufta e Dytë Botërore (pjesa e nxehtë) dhe më pas prej Luftës së Ftohtë, Waltraud Tunger në shkollën tetëvjeçare kishte ëndërruar të bëhej kopshtare ose laborante në uzinën Fettchemie të lagjes së saj në Kappel. Pasi pati bërë një vit shkolle të mesme në Leipzig e dërguan për studime të mëtejshme në Institutin Ekonomik Shtetëror të Moskës, në Fakultetin e Ekonomisë Bujqësore. Po i afrohej realizimit të ëndrrës së saj. Mjaftonte vetëm të mbaronte vitet e shkollimit moskovit dhe menjëherë do të rikthehej në mëmëdhe. Mirëpo i doli përpara një student nga Shqipëria. Ishte nga krahina me emrin Skrapar dhe djalë simpatik. Vazhdonte në Moskë studimet në të njëjtin institut. Të vetëm përballë njëri-tjetrit qenë takuar afër daljes së metrosë “Sokolniki” një mbrëmje dimri dhjetori, viti 1953. Waltraud shkruan “Me etje thitha ajrin e freskët. Në bibliotekën e Institutit kisha ndenjur gjatë mbi libra. Qëndrova e pavendosur me çantën plot libra dhe mendova: të hipi në tramvaj apo më mirë të shkoj më këmbë në konviktin tonë “Stromynka Nr. 32”. Në atë çast u dha Ilmiu, që më përshëndeti dhe më ofroi të më mbante çantën. Dëbora kishte shtruar goxha dhe vazhdonte të binte ngadalë. Ishte një bukuri e vërtetë!”
Gjashtë vite më vonë prej këtij çasti, në 26 gusht 1959, ndërsa qe rikthyer të punonte në vendlindjen e vet, i ati e shoqëroi deri Berlin, ku Waltraud prej aeroportit Schönefeld do të niste fluturimin drejt të panjohurës, Shqipërisë. Ndërsa hipi në avion qe e sigurtë se sidoqoftë vendi për ku po shkonte për të krijuar familjen bënte pjesë në Kampin Socialist, kështu që kufijtë mes shteteve komuniste ishin të hapur për të udhëtuar. Waltraud nuk mund ta dinte se për arsye në pamje të parë ideologjike Shqipëria do të vetëmbyllej hermetikisht dhe ajo nuk do të komunikonte dhe as nuk do t’i shihte dot prindërit e vet deri sa ata të ndërronin jetë. Shenja që po hynte në një pjesë të trazuar të jetës së saj, por edhe të kontinentit, iu paratha që atë ditë. Kishte pothuaj gjashtëdhjetë minuta që po fluturonin, ishte ora 14.00, kur befas avioni filloi të bënte një kthesë të fortë. Për shkak të ndryshimit të shpejtë të drejtimit të fluturimit pasagjerëve iu morën mendtë dhe nga zhurma e sforcuar e motorëve nisën t’u buçitnin veshët. Menjëherë në bord u shfaq stjuardesa që u kërkoi ndjesë. Tha se u duhej te ktheheshim për në Budapest. Duke qenë se po fluturonin drejt Tiranës Jugosllavia nuk u kishte dhënë lejen për të kaluar mbi territorin e saj.
Tensioni i marrëdhënieve Beograd-Tiranë kishte rënë si shkreptimë e parë politike mbi martesën e saj, ngjarjen më të bukur që deri atëherë pati ëndërruar. Mundi të vijë tek bashkëshorti i saj i ardhshëm vetëm të nesërmen, më 27 gusht, dhe pas fare pak kohësh qëndrimi në Tiranë puna e saj e parë që do ta priste, ishte transferimi në Fier. Shkolla ku të dy që do qenë mësues gjendej në periferi të qytetit. Makina nuk kishte, ca më pak nuk funksiononte në atë drejtim ndonjë shërbim urban. Kështu përdorën një biçikletë që kishin. Në fillim hipte mbi të Waltraud dhe pasi bënte një copë udhë e linte buzë rrugës, duke vijuar më tej më këmbë. Ndërkaq i nisur me këmbë pas pak Ilmiu merrte biçikletën dhe e arrinte Waltraud. Bënte edhe njëqind metra më tutje. Pastaj e linte biçikletën buzë rruge dhe vijonte pa të. Kur gjermanka mbërrinte deri tek dyrrotëshi i hipte dhe vraponte me të përpara. Kështu deri sa mbërrinin në shkollë.

ooo

Waltraud mban lidhje dhe ka një korrespondencë të vazhdueshme me Shqipërinë, me miqtë e saj intelektualë, me të afërmit e burrit, me kolegët e saj të dikurshëm, ku shprehet me mall për gjithçka. Ndësa në një letër miku i saj, Zylyftar Hoxha e pyeste se si ia kalonte atje në Gjermani, ajo i përgjigjej: “Unë jam gjermane dhe gjithmonë, edhe në mos kam, i hap vetes punë. Tani jetoj bashkë me Ilmiun këtu. Kur kam Ilmiun dhe një mal me kujtime që andej, kam marrë, siç thotë Koliqi, Shqipërinë me vete, e cila s’më lë rehat, më hap punë, por edhe më lë pa gjumë”.
Dhe shton: “Jeta ime i ngjan një mozaiku të madh prej guriçkash, të bardha dhe të zeza, me ngjyra dhe pa ngjyra, të errëta e me shkëlqim...Me këtë rast m’u kujtua “Bukuroshja e Durrësit”, një mozaik, monument kulture i antikitetit shqiptar”. Waltraud kujdeset të sqarojë se “Nuk më vjen keq që e kam bërë këtë hap të rëndësishëm, se unë respektova jetën time, nuk isha martuar as Ulbrihtin, as me Enver Hoxhën e as me Hrushovin, por me Ilmi Bejkon nga Sevrani i Skraparit, një student shqiptar që studioi bashkë me mua në Moskë”.
Ja përse gjermania Waltraud Tunger (Bejko), nuk u mërzit kurrë nga vendi ynë, por e deshi atë me të gjithë forcën e shpirtit. Ajo, edhe pse prej më shumë se një dekade rikthyer në vendlindjen e saj, e do Shqipërinë edhe më shumë. Tre librat e saj të deritanishëm këtë provojnë, dashurinë e saj të pa pushuar për vendin tonë. Prej dy muajsh nuk i jeton më as shoku i saj i jetës, studenti që takoi në atë mbrëmje të bukur të dhjetorit 1953 para metrosë “Sokolniki” në Moskë. Ilmiu ndërroi jetë prej një sëmundjeje të rëndë, të shfaqur befasisht.
Megjithatë Waltraud ka të gjalla kujtimet e paharrueshme me të, ka djalin që i vunë emrin Ilir si edhe vajzën Aneta. Emrat shqiptarë vijojnë edhe tek nipërit e mbesat.
Kohë të shkuara autoriteteve që e dyshuan, si nuk u erdhi turp që menduan se Waltraud, e thirrura nga të gjithë Vala, nuk i donte shqiptarët, madje mund të qe një agjente e huaj!?
Të paktën duhej të kuptonin se mes shumë provave ajo e kishte dhënë një nga më të shkëlqyerat. Pati përkthyer në gjermanisht mbi njëzetë libra, në shumicën e tyre pa ja vënë as emrin. Dhe nuk qenë libra dosido, por ndër më përfaqësuesit e identitetit dhe të vlerave tona kombëtare. Ishte “Komisari Memo” i Dritëro Agollit, “Nëpër analet e diplomacisë angleze” i Arben Putos, “Skënderbeu” i Sabri Godos, botimi i Akademisë së Shkencave “Shqiptarët dhe trojet e tyre”, “Autobiografia e popullit tim në vargje” e Ismail Kadaresë, “Eqerem Çabej”, biografi e shkruar nga gjuhëtari Shaban Demiraj, “Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës”, libra shkencorë të Myzafer Korkutit, Neritan Cekës...
“Mjerisht nuk e merrja vesh fatin e librave të përkthyera nga unë”, shkruan Waltraud, “Por një herë më ndodhi një ngjarje që më dha hov. Në gusht 1979...takova për herë të parë Dritero Agollin me të shoqen e tij, Sadijen. U gëzova shumë që pata rastin për të parë nga afër shkrimtarin, mendimet e të cilit i kisha njohur gjatë përkthimit të librit “Komisari Memo”. Ai na tregoi se romani i tij ishte pëlqyer në Gjermani dhe se i kishin dhuruar një vëllim të lidhur bukur në gjermanisht. Me tej, ai tregoi se ky roman kishte marrë edhe një çmim si përkthimi më i mirë vjetor për letërsi të huaj. Ai shtoi se vlerat e romanit ishin rritur nga përkthimi im i mirë”.
E mira gjermankë, shpirtmadhja Vala! Mirë që nuk e kishin lënë asnjëherë të shihte prindërit, por ia kishin ndaluar informacionin edhe për një çmim letrar të marrë në vendlindjen e saj!

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com