Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Koha e albanologëve, o sot o kurrë!


(Botuar në gazetën “Shqip” më 18 mars 2009)

Në paraditen e 11 marsit në të dy brigjet, ato shqiptare dhe italiane, vërtiteshin re te dëndura. Duke hipur e zbritur prej tyre sapo ora tetë e mëngjezit la mbrapa minutat e para ulemi në pistën e lagur të aeroportit të Barit. Pas më pak se dy orësh mbërrijmë në Leçe. Këtu shiu i butë shndërrohet në rrebesh. Po ashtu me duhmë shfryn edhe një erë e ftohtë. Gjatë gjithë ditës në hollin e hotelit Ticiano presim të mbarojë ai shi i përzjerë me inat furtune si edhe të mbërrijnë të gjithë të ftuarit e takimit“Skënderbeu është i gjallë”. I organizuar nga Universiteti i Salentos dhe nën kujdesin e Shoqatës Italiane të Studimeve për Jug-Lindjen Evropiane kjo konferencë albanologjike për dy ditë rresht, gjatë 12-13 marsit, do të zhvillohej në një nga sallat e mëdha të Muzeut Provincial “Sigismondo Castromediano”. Në program në të pesë seancat e debatit kishte edhe një sesion për diasporën shqiptare dhe marrëdhëniet e saj me Perëndimin.
Kur më në fund kishte rënë nata e thellë dhe u bë “apeli” i parë nga njëzetë e gjashtë të ftuarit kishin mbërritur pothuaj të gjithë. Prej Venecies bënte prezencë albanologia Luçia Nadin. Për disa vite ajo ka qënë në Tiranë edhe diplomatja që ka drejtuar Institutin Italian të Kulturës. Nga Universiteti i Kozencës, më i madhi i jugut të Italisë, gjendej zëvendësrektori i tij, studjuesi dhe njëkohësisht organizatori më i spikatur arbëresh i veprimtarive gjithshqiptare Françesko Altimari. Nuk mungonte nga Universiteti i Palermos dijetari arbëresh dhe një nga albanologët më aktivë e modernë Mateo Mandalà. Prej Tiranës kishte mbërritur një nga njohësit më të mirë të periudhës së mesjetës shqiptare, për disa vite nënministër i Jashtëm dhe ambasador i vendit tonë në Romë, Pëllumb Xhufi. E ardhur nga Roma ndodhej Maria Adelaide Lala Komneno, një njohëse e arkitekturës shqiptare në kohën e Skënderbeut. Prej Universitetit të Venecies qe i pranishëm Alesandro Skarsela, i përgatitur për pasqyrimin e e heroit kombëtar shqiptar në letërsinë italiane. Nga Universiteti i Tiranës pati ardhur gjuhëtarja Anila Omari. Kjo do të referonte për kontekstin historik dhe rolin e Skënderbeut në “Formulën e pagëzimit” të Pal Ëngjëllit, deri tani dokumenti i parë i shkruar i gjuhës shqipe.
Po ashtu prej Universitetit të Salentos konfirmonin praninë e tyre dekani i Fakultetit Juridik Rafaele De Xhorxhi, dekane e Fakultetit të Gjuhëve dhe Letërsive të Huaja polako-italiania Alicia Romanoviç, dy drejtues katedrash, Françeska Lamberti dhe Xhovani Tateo, profesorët Marko Jaçov (italo-kroat), Franko Meriko, David Lucking (italo-anglez), shqiptaro-spanjolli Diego Simini, profesori shqiptar në Universitetin e Salentos Genci Lafe, botuesi muzikor prej dy dekadash në Leçe bashkëkombasi Edmond Buharaj, vëzhguesi italian i kanuneve të Lek Dukagjinit dhe të Skënderbeut Donato Martuçi, po ashtu studjuesit vendas Mario Kacato, Enzo Ligori, Lorenco Matei, Luiza Cozi.
Do të qe edhe një nga pasardhësit e heroit tonë kombëtar, mjeku shkencëtar Alesandro Kastriota Skanderbej. Madje që në orën tetë të mbrëmjes, kur në stacionin hekurudhor të Leçes do të mbërrinte edhe treni i fundit që mund të sillte udhëtarë nga Vjena prej kryeqytetit austriak erdhi edhe Joakim Macinger, studjues i gjuhës dhe i letërsisë në kohën e Skënderbeut.
Por nuk zbriti prej tij Jens Oliver Schmitt, autorin që shqiptarët tashmë e njohin për shkak të debatit të shkaktuar rreth librit të tij “Skënderbeu”. Gjer në momentin e fundit e kishte premtuar pjesëmarrjen dhe organizatorët e takimit fjalën e tij “Skënderbeu, një riinterpretim”, e kishin vënë të parën, në krye të të gjithë ngjarjes. Shmit në çastet e fundit kishte dërguar një e-mail ku thoshte se qe i sëmurë dhe se bashkëngjitur sidoqoftë po e dërgonte relacionin e tij për t’u bërë publikisht i ditur.
Monika Xhenezin, shefe e katedrës së albanologjisë në Universitetin e Salentos si edhe studjuesi i njohur i familjeve të mëdha shqiptare pas vdekjes së Skënderbeut të emigruara në Pulia, Xhankarlo Valone, dy organizatorët kryesorë të veprimtarisë, në mbrëmjen e vonë të 11 marsit mund të ishin të qetë. Të nesërmen ajo mund të niste. I gjithë impianti i saj qe gati.

ooo

Autori i këtyre rradhëve, i cili e përjetoi ngjarjen të kryhej denjësisht në një qytet të Italisë nuk mund të kuturisë e të thotë se ajo nuk ka krahasim me disa të tilla të mbajtura në dekadën e fundit, përfshi edhe atë të kryer në Tiranë me rastin e Vitit të Skënderbeut, 600-vjetorit të lindjes së tij. Por një gjë e gjen të drejtë ta pohojë: albanologjia është sot drejtimi dhe rregulluesi kryesor i të gjitha parametrave që ne shqiptarët duhet të përmbushim për t’u integruar natyrshëm në Bashkimin Evropian.
Kjo nuk përjashton asnjë nga dhjetra e qindra objektivat politikë, ekonomikë dhe socialë që përcjellin njëra pas tjetrës paketat e standarteve të vëna nga Brukseli. Detyrimisht para se të hyjmë e bashkohemi me të ne duhet ta kuptojmë thellësisht Evropën. Por më së pari na duhet të njohim e kuptojmë vetveten. Kjo, si për çdo popull, është më e ndërlikuara. Mirëpo pikërisht për këtë vështirësi të saj ajo duhet përballuar dhe jo anashkaluar. Identiteti shqiptar, zbulimi i vlerave dhe defekteve që kemi, rilevimi i figurave dhe ngjarjeve të mohuara apo lënë në harresë, pra rikthimi i plotë i historisë, lufta që është bërë për të na asgjësuar dhe ajo e kryer për të mbijetuar, pikat ku kemi forcën dhe dobësitë tona, është “superpaketa”, ajo që nuk duhet pritur të mbërrijë nga Brukseli. Ajo formohet në Tiranë dhe në Prishtinë, hartohet e bashkërendohet kudo ku jetojnë shqiptarë. Se si këtë mision e merr përsipër një katedër albanologjike jashtë vendit tonë, njëra nga disa të tilla që sot janë akoma aktive, madje me financime nga fonde të qeverive të tjera, është një dëshmi se në trojet tona vazhdojmë të jemi mbrapa.
Përpara se të themi se defekti ynë nis që nga pakica e investimeve financiare në këtë drejtim shumë jetik të së ardhmes na duhet të bëjmë një shpjegim. Çdo riorganizim i strukturave akademike, pra i trupës së specializuar të studjuesve të përgatitur e të paguar për këtë mision të madh e ka tentuar çlirimin e energjive të kyçura në mendësi dhe skema të vjetra, por deri tani rezultati nuk i përgjigjet asaj që pritej. Vërtet janë transformime që nuk japin fryte në një apo dy vite e megjithatë çdo ditë që shkon bën të dukshëm një problem: u krye një reformim që nuk ka funksionuar dot gjer në fund. Doemos ishte më mirë më së pari të lehtësoheshin e të zhdërvjelltësoheshin strukturat, por megjithatë nuk duket se po lëviz nga vendi vetë mendësia. Kjo lë të kuptojë sikur e ka të thellë strofkullën e saj të të ndenjurit në dremitje, shumë përtej përshtypjes se parë se forcën për ta zgjuar dhe vënë në punë me ritëm të plotë e ka njëra apo tjetra parti.
Ka pesë vite që debati për identitetin shqiptar, më i madhi i kryer në të gjithë historinë tonë moderne, nuk u çel nga strukturat përkatëse studimore, por prej ballafaqimit spontan të disa personaliteteve si Ismail Kadare, Rexhep Qose, Kristo Frashëri dhe të tjerëve. E shkaktuar nga një përplasje pikëpamjesh sa për arsye të nevojave urgjente të zhvillimit aq edhe prej qejfmbetjesh apo rivalitet për ndikim personal sa më të madh publik, i gjithë debati nuk pati asnjë përmbyllje të tij me një ndërhyrje plotësuese dhe orientuese të albanologëve apo institucioneve të tyre. Këta qëndruan mënjanë. Nuk e nismuan, por as edhe e përmbyllën, as e sistemuan kontributin e kryer, as e konsoliduan dhe as e përhapën. As duke e mbyllur fazën e parë nuk bënë gati të çelnin një të dytë, ta çonin debatin vital deri në kufijtë e një reformimi të madh të mendësisë sonë për identitetin kombëtar.
Shkenca është si politika, ajo udhëheq. Nuk vjen nga pas.
E njëjta gjë ndodhi në çeljen e debatit të dytë të madh, atij për Gjergj Kastriot Skënderbeun, themelin e identitetit të shtetit tonë. Kësaj radhe ngadalësia dhe mospjesëmarrja energjike, stili i vjetër konferencial “akademik”, i lanë shqiptarët nën mëshirën jo vetëm të disa protagonistëve mediatikë të papërgatitur të përballnin tema albanologjike, por në disa raste të tillë që linin përshtypjen se kishin një agresivitet jo në përputhje me të vërtetën e sidomos me interesat kombëtare të eurointegrimit.
Sepse tani, pas çlirimit të Kosovës dhe shpalljes së mëvetësisë së saj, nuk ka interes më të madh kombëtar se ai i përmbyshjes së parametrave të hyrjes në Bashkimin Evropian.
Në dy debate të mëdha dhe kyçe, në atë të identitetit të popullit dhe të vetë shtetit shqiptar, braktisja e opinionit publik nga institucionet e tij të përgatitura dhe të paguara të kryejnë këtë mision ka qënë mbresëkeqlënëse. Të gjendur të pambrojtur në një fushëbetejë të ashpër e të ndërlikuar profesionalisht u sulmuam edhe në vetë pasionin dhe të drejtën e ligjshme që kemi për t’u bashkuar me Evropën. Kështu gjithsecili nga ne u mbrojt me mjetet rrethanore që kishte.

ooo

Në seancën e parë të konferencës albanologjike të mbajtur në Leçe, ndërsa e moderonte debatin profesori Xhankarlo Valone dhe njëra pas tjetrës do të shpalleshin idetë e qarta të Pëllumb Xhufit, Marko Jaçovit, Françesko Altimarit, Jens Oliver Shmitt-it dhe Mateo Mandalasë, do të ribëhej e qartë edhe njëherë tjetër ajo që shumëve prej nesh nuk i bie në sy: të paktën për të njëqind e pesëdhjetë vitet e fundit nuk ka ndryshuar asgjë nga platforma e vjetër për ta kompleksuar opinionin ndërkombëtar me doktrinën se në identitetin e tyre të paformuar dot asnjëherë shqiptarët janë një popull problematik. Dikur barsaleta se kemi qënë me bisht, më pas teza se vijmë vetëm prej malesh dhe nga i vetmi zanat kombëtar, ai i bariut, ka formuar edhe shtratin e platformës së re të viteve dymijë: gjoja jemi pak ose aspak evropianë.
Shqiptarët kanë patur dy Rilindje. Atë që njihet prej të gjithëve dhe gjendet e shkruar qartësisht në çdo libër shkolle, pra lëvizja kombëtare që çoi në pavarësimin e shtetit të parë shqiptar si edhe në të dytën, atë që ende nuk po e konceptojmë akoma të gjithë si një Rilindje të dytë. Ajo nisi në vitet nëntëdhjetë, me rënien e diktaturës dhe brenda tetëmbëdhjetë vitesh jo vetëm shkëputi nga padrejtësia historike Kosovën, por futi edhe Shqipërinë në Aleancën Atllantike dhe po e përgatit atë të hyjë në BE. Kjo periudhë historike që përjetojmë, por që shumëve u duket fare e zakonshme pikërisht sepse është shumë afër dhe nuk e dallojnë dot të jashtzakonshmen e saj, ka rizgjuar dhe hedhur në veprim po ato forca kundërshqiptare që vepronin edhe një shekull e ca më parë. Mjafton të konsultohesh me të dhënat historike, tezat që atëhere kanë qarkulluar, plastdarmet prej ku janë nisur. Ngjajnë si dy pika ujë.
Në kumtesën e Jens Oliver Schmitt, të lexuar me respekt nga profesoresha Monika Xhenezin, jo vetëm nuk kishte asnjë lëvizje nga platforma e tezave të tij të parashtruara në librin “Skënderbeu”, por pati ndodhur edhe formulimi i tyre më i drejtpërdrejtë dhe më i prerë. Albanologu gjermano-zviceran ishte befasues në qëndrimin e tij kembëngulës jo sepse duhej të kishte ndërruar patjetër mendje, ç’ka do të qe e pakuptimtë, por sepse prej të gjithë debatit të shkaktuar në Shqipëri nuk kishte marë e përfituar asnjë ide alternative, qoftë edhe fare të vogël, për të koregjuar apo saktësuar më bindshëm ndonjë nga argumentat e tij. Të provokosh një shkëmbim të madh e të trazuar mendimesh dhe të mos e gjesh veten të hapët të marrësh prej të tjerëve qoftë edhe një sugjerim dashamirës, pra të jesh kaq shumë kokëfortë në të njëqind për qind të tezave të tua, nuk është shenjë e mirë se ke të bësh me një intelektual të hapët dhe me një shkencëtar me mendësi demokratike. Kjo më e pakta, sepse pa e djallëzuar veprën e misionin e tij, pra duke e trajtuar atë si kontribut konstruktiv, po na shfaqet përherë dhe më i qartë meraku se më shumë nga një strukturë tezash albanologjike me “Skënderbeun” kemi të bëjmë me një platformë politike.
Jo pak mendje dhe pena jashtë e brenda trojeve shqiptare janë alarmuar që si njëqind, dyqind, pesëqind apo një mijë vite më parë, ne kemi lënë në minoritet prirjen për t’u lidhur me Lindjen, e cila shekuj të tërë më parë thirrej Bizant, Perandori Osmane apo Bashkimi Sovjetik dhe kemi mbetur një shumicë dërmuese dhe e palëkundur me prirjen për Perëndimin, sot e mishëruar në formën më të qartë e më fatlume të aleancës së Evropës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Asnjëherë si më parë albanologjia nuk është bërë si sot edhe terren përplasjeje politike dhe po kaq gjeostrategjike. Prandaj natyrshëm si çdo pjesë tjetër e shtetit, si çdo ministri apo strukturë e tij aktive, kërkon financim të veçantë. Me përparësi.
Nga albanologët dëshiron mobilizim si në mote të vështira, ku punohet shumë, botohet shumë, debatohet shumë dhe flihet pak, fare pak.


Ylli Polovina



















Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com