Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Dimër 1991 dhe një nënkolonele ruse në Tiranë

Botuar në gazetën “Tirana Observer” më 6 nëntor 2008

Në fund të dhjetorit 1991 mbërriti privatisht në Tiranë nëndrejtori i kompanisë ajrore shtetërore ruse Aeroflot. Shoqërohej nga sekretarja e tij, një ish-kolonele mjaft e bukur, rreth të dyzetave, shtatlartë dhe bjonde.
Një protagonist bisnesi në një shtet në qendër të Evropës ia kishte rekomanduar Shqipërinë si një vend që po delte me shpejtësi nga e kaluara e vetmbylljes dhe se njerëzit, ende të pamësuar me ekonominë e tregut, gjithsesi dëshmonin ndaj saj reflekse mjaft inkurajuese. Organizatori i shkathët që pati të njëjtën intuitë edhe me prishjen e diktaturës në ish-Bashkimin Sovjetik, ja kishte dalë të kapte me çmime të arsyeshme një pjesë të tregut rus të naftës dhe të gazit, disa sektorë të ndërtimit dhe të furnizimit me ushqime si edhe një copëzë të transportit ajror. Pati fituar sepse nuk qe vonuar. Kur rrëzohen diktaturat nuk ka kohë më të mirë për t’i blerë të gjitha me dy-tre kacidhe, u kishte thënë miqve të tij tek u rekomandoi Shqipërinë.
Dërgata e vogël ruse zbriti në Tiranë sepse njeriu i qendrës së Evropës u kishte treguar edhe personat që këtu e pritnin dhe që i gjykonte se në bisnes qenë të zotë të mos linin kohën t’u ikte. Paketa e ofertës që pati sjellë me vete nëndrejtori i Aeroflotit me në shoqëri sekretaren e tij të bukur përfshinte ngritjen e një shoqërie të përbashkët të transportit ajror, ruso-shqiptare ose me çdo emër tjetër, po nuk do të mungonte fjala “shqiptar”. Do të qenë nëntë avionë për transport pasagjerësh dhe mallrash. Bazën kryesore shoqëria do ta kishte në Angli, por të nëntë avionët do të uleshin dhe ngriheshin rregullisht në Rinas, duke përmbushur çdo kërkesë për transport që këtu kishte.
Ndërsa partnerët e ardhshëm të dërgatës euroruse pala private shqiptare i priti në aeroport dhe më pas i strehoi në hotel “Dajti”, që atë natë ajo i ftoi edhe për një darkë në njërin nga apartamentet më të mirëqëna që kishin. Ishte dhjetor 1991 dhe jo vetëm për ata që nuk e kanë jetuar atë kohë, por edhe për këdo tjetër i cili e ka “shijuar” atë, në fund të vitit 2008 e ka disi të vështirë ta rikujtojë të plotë. Apartamentet e mirëqëna të atyre çasteve kishin kolltuqet tip (njëmodelëshe, damask me lule të mëdha), bufe e tavoline buke po ashtu të njëllojtë në çdo shtëpi. E kështu me rradhë. E vetmja gjë “e jashtme” dhe ndryshe në aparamentin pritës ishte një televizor i markës “Philips” si edhe një manjetofon..
Megjithatë ardhësit u entuziazmuan shumë nga mikpritja. Po ashtu edhe nga gatimet. Jo më pak edhe nga humori. Kështu pak ditë se të vinte viti i ri 1992 ai apartament u mbush aq fort me gëzim të sinqertë sa u duk sikur vetëm llamburiste. Shkëlqim gjer në verbim i jepte edhe nënkolonelja ruse. Qe mahnitëse, sidomos kur qeshte. Deheshe më shumë nga ajo se prej rakisë së Skraparit, shtruar miqve me bollëk në tavolinë.
Sa të lumtur do të ishin ftuesit shqiptarë të asaj nate sikur të mos u ndodhte ajo, të cilën e kishin patur shumë frikë që prej çastit kur i pritën dy rusët në aeroport: ikja e korentit. Atëhere në treg nuk kishte fenerë elektrikë me bateri, siç sot ka pa fund. Llamba me vajgur ishte më e përdorshmja, si edhe qiriri. Jo kur qenë të gjithë në tavolinë, por kur pikërisht e bukura nënkolonele shkoi në banjë për një vetshërbim të vogël, paf, dritat ikën. Në dhomë ndezën menjëherë qiririn, por si të bënin që edhe bjondja e pllakosur në banjë nga terri të mund të merrte, për t’u orientuar, një qiri. Kujt ja mbante të hynte! I afrua derës së drunjtë të banjës e zonja e shtëpisë dhe me rusishten e saj të mësuar në gjimnaz dekada më parë e pyeti nëse donte një qiri. Zëri që erdhi nga brenda ishte dhe nuk ishte zë. Qe vetëm panik. Një lloj përçartjeje. Më në fund u ndje një si zhurrmë sendi të rënë përtokë dhe zëri i këputur i nënkololenes së Aeroflotit. Falenderonte, por më në fund pohoi se nuk kishte nevojë për ndihmë, qe rregulluar.
Rregulluar?! Çfarë kuptonte ajo me këtë shprehje? Të zonjës së shtëpisë, edhe pse nuk ishte ajo fajtore për korenti e ikur, sa nuk i ra pika. Diçka arriti të kuptojë. Nënkolonelja nuk kishte shkuar në banjë për një vetshërbim të vogëlth, por për një të madh. Mirëpo në të gjitha masat organizative që patën marë për t’i pritur sa më mirë të dy miqtë e rëndësishëm u kishte shpëtuar një detaj: letra për të fshirë prapanicën. Për vete ata kishin në banjë një raft ku vendosnin në një të ndarë gazetat dhe në tjetrin revistat. Të parat i përdornin për higjenën e paskryerjes së nevojës së madhe (siç themi me elegancë ne shqiptarët), të dytat për të lexuar ndonjë gjë kur atë punë e merrnin me nge. Në errësirë rusja e bukur nuk mund ta gjente dot ku qenë gazetat dhe dora mund t’i kishte zënë ato të mallkuarat, revistat me letër shumë të trashë dhe me lustër. Ajo zhurrma që e zonja e shtëpisë ndjeu prapa derës ishte një revistë e rënë përdhe nga dora e dridhur prej sëkëlldisë së shumëfishtë të nënkoloneles.
Kishte ndodhur pikërisht kështu. E zonja e shtëpisë e vuri re sapo rusja e bukur, e prishur në fytyrë, u rikthye në tavolinën e darkës dhe nën ndriçimin e venitur të qiririt të gjithë bashkë u përpoqën të rikthejnë atmosferën e mëparshme të gëzimit.
Ajo punë bisnesi me nëntë avionë të mëdhenj nuk u bë dhe kjo është një histori tjetër, këto çaste fare e panevojshme për lexuesin. Ajo ku duam të rrimë edhe pak sëbashku ka të bëjë me sistemin shoqëror realkomunist shqiptar dhe një karakteristikë marramëndëse të tij. Ai nuk kishte letër higjenike. As e prodhonte vetë, as e blinte nga jashtë. Për pasojë, përveç disa hoteleve të quajtur turistikë, nuk e përdorte kush.
Punë e ngatërruar dhe absurde duket, sepse një mall i tillë tregëtohej e blihej lirisht në vendet komuniste të kohës, në ish-Bashkimin Sovjetik, në Poloni e Rumani, në Çekosllovaki e Bullgari, në të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë, përfshi edhe Kosovën. Regjimi komunist kudo kishte ndaluar e hequr nga qarkullimi publik mjaft gjëra, por jo letrën higjenike. Sepse thjesht ishte për higjenë.
Porse në Shqipëri nuk u përdor, nuk u ble dhe nuk u shit për njerëzit, sepse ishte gjë “borgjeze”. Prishte proçesin e edukimit proletar të “njeriut të ri”. Dhe a e dini se si i përgjigjej kësaj hataje ky njeri “marksist-leninist”? Përdorte gazetat e vetë partisë, të cilat bashkë me ato të levave propogandistike, bëheshin gjithsej gjashtë apo shtatë. Nuk qenë pak si vëllim karte. Tirazhi i përgjithshëm u shkonte gjer në dyqind mijë kopje. Në këtë mullar të madh kishte të merrje e të lije.
Me durim dhe nga halli njerëzit i prisnin ato në copra me madhësi të imagjinueshme nga të gjithë ne. Pastaj i varnin në banjë, në një gozhdë.
Se si një sistem politik e shoqëror, të cilit nuk i mungonte pasioni dhe vullneti tiranik që jeta e shqiptarit në çdo detaj e minutë të gjendej dinakërisht nën përpunim ideologjik, ta shtrëngonte popullin e vet të përdorte për letër higjenike shtypin e saj doktrinar, mbetet temë për një libër të tërë.
Në një të tillë (Lum kush do ta bëjë në të ardhmen!”, reshti i parë mund të nisë natyrshëm me fjalët “Disidenca më origjinale në vendet ish-komuniste ndodhi në Shqipëri”.


Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com