Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Nuk jemi më një popull i vogël


Botuar në revistën “Shqip”, tetor 2008

“Vendi ynë i vogël”, “populli ynë i vogël”, “Shqipëria e vogël”, “kombi ynë i vogël”...Formulime të tilla ka më tepër se kaq sa rreshtuam. Thelbi i tyre është cilësori i përsëritur si refren: “i vogël”. Nuk dihet nëse të parët tanë që një shekull më parë u shprehën kështu e bënë këtë përcaktim thjesht sepse donin t’i grishnin në sedër bashkëkombasit për t’u bashkuar më shumë në luftën për çlirim apo se ishte një dinakëri për të prekur dhembshurinë e Evropës dhe mëshirën e fuqive të mëdha të saj. Mbase ishte edhe një shprehje e re e inferioritetit tradicional. Ndoshta qe thjesht një vetndjerje e dimensionit që besonin sinqerisht se e kishin mes të tjerëve në gadishull. Sidoqoftë vetcilësimi si i vogël jo vetëm ka qënë një zakon, por akoma edhe sot ka pushtet mbi mendësinë, sjelljen dhe të folurën tonë.
Fare pak ditë më parë, ndërsa Shqipëria kishte marë pjesë për herë të parë në një mbledhje të ministrave të jashtëm të vendeve të NATO-s, e organizuar me urgjencë prej Aleancës për shkak të zhvillimeve të ndërlikuara në Gjeorgji, në tonin e ndonjë prej qeverisësve të huaj që na shohin jo fort miqësisht, u ndje zbutje. Kuptohej përse: tani ishim realisht anëtarë të aleancës më të madhe politiko-ushtarake të botës. Kësaj radhe na kuptuan si vend i fortë.
Disa ditë më pas kryeministri i vendit mori pjesë në ceremoninë e mbërritjes në portin e Durrësit të anijes së re të Rojes Bregdetare Shqiptare “Iliria”. Atje Sali Berisha shqiptoi edhe këtë frazë: “Ne jemi të vendosur të ndahemi nga teknollogjitë e vjetra dhe të bëjmë çdo përpjekje për të sjellë mjete moderne, si për forcat detare, për këmbësorinë, por edhe për forcat ajrore të vendit”. Aty u bë e ditur që pas anijes luftarake moderne me emrin simbolik “Iliria” do të vijnë edhe simotrat e saj “Orik”, “Lissus” dhe “Butrinti”.
Thua janë marë rastësisht, thjesht në kujtim të historisë sonë antike, emrat e këtyre anijeve të Rojes Bregdetare, apo gjithçka është konceptuar për të mbartur të mënyrë të vetëdijshme një mesazh të qartë për rimëkëmbjen dhe forcimin tonë? Sepse që të largojmë nga mënyra jonë e të menduarit vetcilësorin “i vogël” dhe patjetër në mes të mos na hyjë megalomania fjalë “i madh”, duhet të rikthehet vlera e vërtetë e shqiptarëve.
Në rast se do të rikujtojmë qytetërimin ilir të mbi dymijë vjetëve më parë dhe dhënie-marrjen e hapët me civilizimet e larta helene dhe romane apo ta afrojmë vëzhgimin tonë në periudhën e Bizantit, do të bëhemi dëshmitarë të një fati shumë më të mirë se ai me të cilin nisëm shekullin e njëzetë. Në njëqindvjeçarët e mëparshëm kemi patur si komb hapësira më të mëdha territoriale, po ashtu, brenda limiteve të kohës, edhe jo pak progres e begati individuale. Edhe pse i gjendur më pas nën sundimin turk dhe kështu i detyruar të bëjë disa hapa mbrapa, vendi i shqiptarëve dhe fati i tyre megjithatë akoma qe një dimension i përfillshëm në gadishull. Këtë e vërtetojnë kronikat e kohës, përpjekjet e vazhdueshme të kësaj apo asaj fuqie të madhe të kohës për t’i patur me vete. Ose të paktën për të mos i patur kundër.
Atëhere nuk kishim shtet. Kur u bënë përpjekje që ai të ngrihej qoftë gjatë mesjetës nën sponsorizimin francez apo më pas në sprovën e mundimshme dhe heroike të Lidhjes Shqiptare të Lezhës dhe të Gjergj Kastriotit, nuk iu dol mbanë. Ndërsa më në fund e shpallëm në fundnëntor 1912 dhe pritëm që fuqitë e mëdha, kontinenti dhe bota, ta njihnin, ai ishte vetëm gjysma e asaj që patëm patur. Sepse vërtet nuk kishim patur shtet dhe ndryshe nga fqinjët tanë kjo përbënte një defekt e minus, por kishim komb. Duke mos u lidhur dot me një shtet e gjithë forca jonë e përkatësisë lidhej me kombin, me atë që atëhere thirrej “shqiptaria”. Ç’ka mund të thirret e quhet sot pa patur shqetësim se bëjmë ndonjë gabim.
Kur na e ndanë kombin përgjysëm ishte njëlloj sikur na patën prerë mes për mes vetë trupin e shtetit. Nuk gabonin shqiptarët e një shekulli më parë kur provuan këtë ndjesi dhe u mbeti për gati një shekull brengë e mision i madh për ta kthyer të drejtën e tyre të madhe në vend. Dihet që shteti ngrihet mbi teritorin kombëtar të një populli. Shteti më i plotë është ai që përputhet në hapësirë teritoriale me hapësirën e kombit. Ja pse duke u sakatuar kombin shqiptarët krimin ndaj tyre e kuptuan si gjymtim të shtetit të tyre.
Më 18 nëntor 1912 me raportin 2/2 konsulli italian në Vlorë i dërgonte Ministrisë së Punëve të Jashtme në Romë një përshkrim të hollësishëm të gjendjes së tensionuar në këtë qytet dhe me këtë rast jepte edhe opinionet e tij mbi zhvillimet e pritshme politike të pavarësimit të Shqipërisë. Edhe pse përfaqësonte politikën e një shteti, i cili për shumë arsye qe mjaft i interesuar për mëvetësimin e vendit tonë dhe qëndrueshmërinë e tij ndaj pretendimeve shovene sërbe dhe greke, në një çast ai është shprehur kështu: “...është e drejtë që shqiptarët dhe bashkë me ta edhe fuqitë (e mëdha, shënimi ynë) të ruajnë sa të jetë e mundur integritetin teritorial shqiptar, duke pranuar megjithatë që Greqia të arrijë deri në brigjet e Kallamasit dhe Shkupi t’i kalojë Sërbisë dhe Manastiri të bëjë pjesë në Maqedoni, duke ia mbajtur kufijtë në atë që thuhet Shqipëria e Vogël, duke përfshirë patjetër Shkodrën, që është truri i vendit”.
Kryetari i parë i këtij gjysmëkombi e gjysmështeti, politikani, diplomati e qeverisësi i karrierës, Ismail Qemali, në fundprill të vitit 1913, tek ishte në Londër për t’i tërhequr një konference të fuqive të mëdha vëmendjen rreth të ardhmes së vendit të vet, u shpreh: “Më se gjysma e territorit të vendit tim i është dhënë Sërbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Qytetet më të përparuara dhe krahinat më prodhuese i janë shkëputur. Shqipërisë i kanë mbetur, në përgjithësi, zonat më të thata dhe me më shumë shkembinj”.
Po e citojmë këtë denoncim të Ismail Qemalit jo thjesht për të rikonstatuar të shumëditurën, por për të rinxjerrë në pah se nga ky gjymtim i qëllimshëm na u ngjit nga pas epiteti “i vogël”. Na bënë posaçërisht të vogël, madje siç gjithkush mund ta dijë atë kohë nga fuqitë e mëdha ekzistonte edhe një projekt minishteti ku Shqipëria do të qe vetëm një rrip toke që bashkonte grykën e portit të Durrësit, Tiranën dhe Elbasanin. Siç shumë mirë e di lexuesi ynë nga disa prej këtyre fuqive të mëdha, kur vendosën përfundimisht hapësirën tonë teritoriale nga Konispoli deri në Vermosh, si edhe mënyrën e regjimit të këtij shteti, nuk e shpallën atë si mbretëri, por vetëm si principatë.
Gjithë ironia qe se ato qarqe fqinje që luftuan për shfarrosjen tonë kombëtare, kur nuk ja dolën kësaj edhe në diversionin për të na shndërruar vetëm në një rip toke, përhapën fjalë se kishim në kokë projekte të një Shqipërie të Madhe. Në rrethanat e trysnisë për mpakjen tonë gjer në “i vogël”, një akuzë e tillë është e formuluar aq pacipësisht sa të bën të mendosh se gjithçka prej gatuesve të saj është vënë në funksionim jo vetëm për të shpifur një akuzë e kështu justifikuar urën e zjarrit mbi ne, por edhe me qëllimin djallëzor për të na e ndryrë gjithnjë e më shumë në tru vetndjerjen e të qënit një popull, vend e komb i vogël. Nuk është paradoks, është një kurth i vërtetë, mjaft i sofistikuar. Duke zhurrmëruar nëpër botë se po synonim një Shqipëri të Madhe kërkonin të bëheshim objekt shtrëngimi nga bashkësia ndërkombëtare. Kjo donte të thoshte jo vetëm të mos kishim aspiratë që të bashkonim forcën ekonomike e kulturore, por edhe Shqipërisë, të akuzuarës së madhe, t’i vendoseshin kufizime të rrepta për të rritur forcën e saj. Ankoheshin se Tirana projektonte zmadhimin e teritoreve të saj e ndërkohë çfarë nuk kanë bërë që të shkatërrohej ajo, që të ndihej e dobët. Kur je i dobët, sado teritor të kesh, në të vërtetë je i vogël.
Me sa duket shpifësit e qëllimtë të gjoja Shqipërisë së Madhe e kanë ditur se mjafton një përpjekje e parë për ta sajuar gënjeshtrën, pastaj brenda turmës së të mashtruarve vjen shpejt edhe ai çast kur këta të fundit jo vetëm e besojnë, por edhe e përhapin vetë me zell.
Mirëpo duke na i mbushur mendjen se jemi me të vërtetë të vegjël (dhe për këtë arsye edhe të dëshiruar si shegertë të tyre) këta dashakeqas e dhelparakë kanë vënë re se këtë gjë edhe pse nuk na pëlqen shumë, nuk e kundërshtojmë sa duhet as me fjalë dhe as me vepra. Nuk e shpallim hapët si një paragjykim frenues për emancipimin tonë kombëtar, si pengesë që na mpin energjitë për t’u forcuar.
Drama e vogëlsisë dhe kompleksi i saj është ca më e rëndë po t’i shkojmë pak më tej arsyetimit tonë. Ne shqiptarët jemi një racë e vetmuar në Ballkan, historikisht të veçuar dhe jashtë lidhjeve tradicionale sllave dhe ortodokse, dy formate që akoma kushtëzojnë e ndikojnë zhvillimet në rajon.
Kompleksi i të vetndjerit akoma një vend, popull e komb i vogël ndërsa përbëjmë një ndër tre popujt numerikisht më të mëdhenj të gadishullit, shkakton tek ne edhe një mangësi e padëshirë agresiviteti konkurencial. Mirëpo e ardhmja, pra zhvillimi, vjen nga aftësia për të rivalizuar pozitivisht.


Mirëpo që nga fundvera e vitit 1999, stinë e shenjtë kur me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare të vendeve demokratike dhe NATO-s, Kosova u çlirua, ne nuk jemi më një komb i vogël. Nuk u bëmë dot një shtet, sepse janë kohë të reja dhe duhet të ecim me ritmin e logjikën e tyre. Megjithatë jemi dy shtete. Pak janë dy shtete? Vogëlsi dëshmohet që jemi dy vota në forume të rëndësishme botërore, dy seli ambasadash në kryeqytetet më kryesore të kontinentit dhe të botës?
Është e vërtetë që Shqipëria dhe Kosova nuk janë shtete me teritore të mëdha, por sëbashku nuk janë aspak një komb i vogël. Një nga objektivat më të mëdha që kryengritësit rilindas shqiptarë në vitet e parë të shekullit të shkuar i vinin kusht në memorandume Portës së Lartë ishte ndërtimi i linjës hekurudhore Manastir-Vlorë. Kusht tjetër ishte rruga Prizren-Shkodër. Këto akse komunikimi qenë edhe boshtet e ruajtjes së bashkuar të kombit shqiptar. Asnjë nga këto nuk u realizua dot jo vetëm për faj të Perandorisë Turke, e cila as forcë ekonomike nuk kishte dhe as dëshirë e vullnet politik. Vonuan një shekull e më tepër këto projekte, por nuk u harruan. Po realizohen tani.
Ndërsa Kosova ende nuk ishte çliruar shqiptarët në shtetin e tyre të lirë me Tiranën kryeqytet u bashkuan me projektin e Perëndimit, Bashkimit Evropian dhe me impuls të veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ndërtimin e Korridorit Tetë. Ajo ishte një trajektore e gjatë komunikimi, përtej portit bullgar të Burgasit e shkonte në një burim të madh energjetik naftëmbajtës, por sidoqoftë në një pjesëz të saj përmbushte edhe realizimin e ëndrrës së rilindasve për aksin Manastir-Vlorë. Korridori i Tetë, fati i të cilit jo për faj të shqiptarëve nuk po ecën shpejt, del paralelisht në Durrës dhe shumë shpejt do të hyjë në Vlorë.
Ndërkohë në kahun drejt Maqedonisë etnia shqiptare tashmë është e hapur. Ashtu si maqedonasit sllavë dhe bashkëkombasit tanë qytetarë të atij shteti, si edhe ne, nënshtetasit e Shqipërisë, tani mund të hyjmë në teritorin e secilit vend pa patur nevojë për ndonjë vizë hyrëse apo taksë. Ky është një realizim i madh dhe pothuaj befasues jo vetëm i demokracisë dhe i largpamjes moderne në të dy vendet, por edhe i bashkimit konvencional të shqiptarëve. Kjo është rritje e forcës së tyre, ekonomike, politike dhe kulturore, forcë që në kuadrin e integrimit në Bashkimin Evropian shkon jo vetëm në dobi të tyre, por edhe të popullit e shtetit mik maqedonas.
Autostrada Prishtinë-Durrës është një realizim disa herë më madhështor se ajo që rilindasit tanë, përfshi edhe shpallësin e pavarësisë, Ismail Qemalin, kërkonin me rrugën Prizren-Shkodër. Ky është aksi kryesor i bashkimit të shqiptarëve jo në kuptimin shtetëror, sepse Tirana dhe Prishtina kanë objektiv përparësor bashkimin me Brukselin, por në atë ekonomik e kulturor. Atë që nisi me rezistencë paqësore dhe më pas nëpërmjet kryengritjes me armë vetë populli shqiptar i Kosovës, po e përfundon ky korridor i madh komunikimi mes dy pjesëve deri nëntë vite më parë të ndarë hermetikisht nga njëri-tjetri.
“Rruga e Arbërit”, koridori lidhës që shkon nga Tirana për në Dibër nuk bashkon më pak nga transnacionalja që buzë detit Adriatik do të zbresë prej Malit të Zi në Shqipëri.
Shqipëria jo në kuptimin e vendit që ka kryeqytet Tiranën, por gjithë trojet e saj të natyrshme, tashmë nuk është e vogël. Ajo pak nga pak po rikthehet në shtratin e saj autokton të shqiptarisë. Ka ardhur koha e rritjes së saj ekonomike dhe e rritjes së kontributit kulturor. Po ashtu e vlerës gjeostrategjike në dobi, mbrojtje e mbështetje të Perëndimit. Jo më pak edhe e peshës dhe ndikimit pozitiv politik në rajon. Çdo energji që ajo do të mbledhë dhe rrisë ka vlerë vetëm në rast se i përkushtohet fqinjësisë dhe partneritetit të mirë. Kështu dalngadalë prej jodashamirësve tanë do të hiqet nga fjalori propogandistik sofizmi i gjoja Shqipërisë së Madhe. Po ashtu do të na hiqet nga koka dhe maja e gjuhës sonë edhe shprehja naive e vetdekurajuese se jemi të vegjël.


Nuk është një punë që bëhet brenda një dite, por që sidoqoftë nuk mund të lihet për nesër. Tentativat për të na rikthyer në kompleksin e të qënit një popull i vogël nuk janë zhdukur. Tani ata që nuk kanë kuptuar asgjë nga logjika e pamanipulueshme e historisë përpiqen të na ndryjnë në psikikë sindroma të tjera, të cilat njëlloj e kanë synimin: tek zvogëlimi ynë. Duan si më parë mosforcimin tonë, frenimin e rritjes, mbetjen prapa, mirëqënien e pasigurtë, vendin e pareformuar, ekonominë e mbyllur brenda kufijve të vet, kulturën pasive dhe me ndjenjë inferioriteti. Më shumë se të na i mbushin mendjen ne, ata synojnë që këtë gjë ta arrijnë me popujt e tjerë, fqinjët, por edhe me vendet e zhvilluara të Evropës.
Teknika e re e po asaj teknologjie diversioni akoma shpërndan si trakt poshtë dyerve të kancelerive të kontinentit, redaksive të mediave apo shtëpive botuese, instituteve të ndryshme apo personaliteteve me ndikim shpifjen e shplarë se shqiptarët janë një burim i madh i gjenerimit të mafies në rajon. Sulmi këtu, i marrë shkas nga disa episode krimi, aspak të tilla që të mund ta justifikojnë këtë si ves vetëm të shqiptarëve, ka për objektiv të njëjtën gjë: zvogëlimin tonë. Jo vetëm moral. E keqja e kësaj të fundit është forca e doktrinimit që ka deri edhe mes vetë një grupi bashkëkombasish, të cilët me naivitet besojnë se bota e krimit shqiptar përbën një nga majat më të larta të kontinentit.
Akoma në disa media të Perëndimit, shpesh edhe jo periferike, përhapet opinioni se jemi vend shumë i varfër. Është një lojë me sloganin “Shqipëria vendi më i varfër i Evropës”, kur në të dy mënyrat e shprehjes dhe të konceptimit nuk ka përputhje. Sepse mund të jesh me të vërtetë vendi më i varfër i kontinentit, por njëkohësisht të mos jesh realisht vend i varfër. Statusi i një vendi të varfër në botë nuk është aspak standarti që ne kemi. Por të çudit se si jemi mpirë aq shumë nga ky agresion sa asnjë zyrë statistikore, madje as edhe ato të propogandës, nuk ndërhyjnë me forcë, argument dhe kembëngulje, se jo vetëm tani nuk jemi vend i varfër, por ka shumë të ngjarë që ta kemi lënë prej disa vitesh mbrapa edhe statusin e të quajturit vendit më të varfër të Evropës.
Tentativë zvogëlimi të shqiptarëve është edhe ajo e gjykimit të tyre si vend me demokraci problematike, kur zhvillimet në shoqërinë tonë të hapur pasojnë me jo pak probleme, por aspak niveli i demokratizimit të Shqipërisë, të Kosovës dhe sjelljes së bashkëkombasve tanë në Maqedoni apo Malin e Zi, madje kudo ku janë në të gjithë botën, nuk shprehin defekte të veçanta ndaj sistemit të shoqërisë së hapur. Madje dëshmojnë se përshtaten shumë shpejt me të e sidomos me ekonominë e tregut.
Për të na zvogëluar me çdo kusht mosdashësit shpërndajnë tymin se jemi një ndër mbështetësit e fondamentalizmit islamik, duke na vizatuar si një kërcënim ndaj demokracisë perëndimore. Edhe pse pa ndonjë qëllim të tillë drejt mpakjes synojnë edhe ata që na përshkruajnë sikur qeverisemi nga nyje nenesh të Kanunit të Lekë Dukagjinit.
Fushata për të na lënë të vegjël është transferuar. Ja pse është urgjente të transferojmë edhe ne luftën për ta demontuar këtë fabulë të gënjeshtërt.
Nuk jemi të vegjël: sikur këtë gjë, pa e shqiptuar aspak me zë të lartë, t’ja themi vetes të paktën çdo mëngjez!

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com