Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Treni që do të zgjojë Bukuroshen e Durrësit


Botuar në gazetën “Shqip” më 5 tetor 2008

Udhëtimi nga Tirana për në portin e trageteve të Durrësit, ndërsa këta nisen drejt brigjeve të Italisë në orën njëzetë e tre të natës, kryhet me një linjë autobuzash, i fundit i të cilëve sipas orarit të shpallur zyrtarisht e përfundon shërbimin në nëntëmbëdhjetë e gjysëm. Javën e shkuar, të premten, dhe pse të ardhur atje treçerek ore para, ky shërbim ishte mbyllur. U shqetësuam. Tashmë do të na duhej të merrnim një taksi dhe biletës së shtrenjtuar të tragetit t’i shtonim edhe më e pakta njëzetë e pesë euro të tjera. “Ikja e autobuzave pa respektuar orarin është gjë e zakonshme”, kur na pa në atë gjendje na tha një tridhjetëvjeçar i ulur në një parmak buzë rrugës. “Mos u merakosni!”,vijoi, “Në këtë orë ka furgonë. Ata nuk punojnë vetëm pas njëzetës”. Me sa duket ai vuri re që nuk e besuam plotësisht, sepse shtoi se kishte shtatë vite që bënte këtë rrugë çdo mëngjez e mbrëmje.
Ishte një durrsak i cili punonte në Tiranë.
Që prej rinisë, kur ishim studentë në kryeqytet, këta udhëtarë në trenat e kohës qenë më të shumtët dhe më romantikët. Kishte orare të veçanta të shërbimit hekurudhor pikërisht për ta dhe nëpunësit. Durrsaku që punon në Tiranë dhe çdo mbrëmje kthehet në shtëpinë e tij ka qënë përherë një kategori bashkëkombasish nga më simpatikët. I kemi admiruar gjithnjë jo thjesht se qenë shumë dhe se përherë sapo hipnin në tren hapnin librat e shkollës dhe lexonin, madje kishte edhe që bënin detyrat e ditës, apo sepse me pasagjerët e tjerë nuk krijonin asnjë incident. Ata nuk bënin asnjë lloj zhurrme për të dëshmuar se tani kishin hipur ata, udhëtarët e “pronarët” e përhershëm të asaj linje Durrës-Tiranë. I admironim mbi të gjitha sepse kishin dëshirë të ktheheshin në mbrëmje në folenë e tyre të shtëpisë. Durrësi është një qytet i ëmbël.
Duke i romantizuar edhe unë ata udhëtarë specialë, i ri siç isha, veçanërisht pasi kisha parë filmi “Orient Ekspres”, me historinë e një dashurie mbresëlënëse në trenin e famshëm që përshkron gjithë Evropën Qendrore dhe shkon drejt Stambollit dhe Lindjes së Afërme, ai qe edhe një tren ku dëgjonim se mes të rinjve lindnin dashuri nga më të paharrueshmet. Durrsaket janë vajza të pastra e plot hijeshi në komunikim, shpesh tërë magji për të qënë të buta dhe pa shfrime të tepruara pasionesh, të lidhura fort me familjen dhe më pas po aq me njeriun që zgjedhin për të kaluar jetën. Nuk kam besuar kurrë se ato kanë qënë më të bukurat në Shqipëri e megjithatë që prej çastit kur arkeologët zbuluan mozaikun me portretin e një vajze dhe atë e quajtën “Bukuroshja e Durrësit”, më është mbushur mendja se E Bukura e Durrësit ekziston njëlloj si në fantazinë e të gjitha përrallave të botës, ku nuk mungon asnjëherë personazhi i të Bukurës së Dheut. Vitet që vrapuan njëri pas tjetrit dhe bashkë me ta edhe grumbullimi i dijeve dhe i përvojës më kanë bindur se Bukuroshja e Durrësit ekziston me të vërtetë. Kësaj rradhe nuk e kam fjalën për vajzën apo femrën durrsake, sepse që kur isha i ri njoha mjaft djem të këtij qyteti dhe vura se qenë po kaq të bukur në shpirt e të ngrohtë në miqësi sa edhe ato. Durrsaku është një njeri i qetë dhe zemërhapët, mjaft i përkushtuar për të të dhënë fisnikërisht çdo ndihmë.
Pra kur themi Bukuroshja e Durrësit e kemi fjalën për vetë këtë qytet. Është ai i Bukuri i Shqipërisë. Ka qënë përherë i tillë, i vjetër edhe sa vetë Roma, përherë portë hyrjeje për të gjitha qytetërimet e kulturat,vendpritës i perandorëve romakë dhe strehë e parë e misionarëve të Krishtërimit në Ballkan. Me lidhjen Durrës-Krujë qe për shekuj e shekuj me rradhë boshti kryesor i ruajtjes së identitetit etnik të shqiptarëve dhe i të gjitha përpjekjeve për të bërë shtet. Po ashtu ngritja e flamuri kombëtar në fundnentor 1912 ishte projektuar për atje, veç rrethanat e ndërlikuara që iu avitën ato ditë qytetit e sidomos ushtria serbe tek portat e tij e bënë ngjarjen e madhe të zhvendosej për në Vlorë, ku duhet thënë se pavarësishpallësit gjetën me të vërtetë një atmosferë të ndezur kuraje dhe patriotizmi. Durrësi ka qënë i bukur jo vetëm gjatë periudhës së monarkisë, ku mes të tjerash nisi edhe shfrytëzimi modern i plazhit dhe elita burokratike e kryeqytetit e të pasurit e tij ndërtuan vila të shumta, por edhe gjatë regjimit komunist. Në diktaturë Durrësi qe një ndër qytetet më të hapur. Mbi terracat e shtëpive të ulta apo pallateve shihje me qindra antena të prodhimit të huaj. Bijtë e qytetit ishin marinarë dhe të rrallët nga njerëzit e thjeshtë që kishin lirinë për të udhëtuar në Lindje e në Perëndim e kështu bashkë me botën që shihnin, të sillnin prej andej veshje e veçanërisht aparate televizivë. Madje edhe fabrika shqiptare e montimit të televizorëve, këtyre “kutive të ëndërrave”, u ngrit në Durrës.
Rënia e diktaturës dhe sistemi i hapur shoqëror e bëri më të qartë se ky qytet-port pas Tiranës ishte më i rëndësishmi për ta mbajtur të gjallë e vepruese këtë të fundit, shpresën e shqiptarëve për një jetë më të mirë, vetë demokracinë. Durrësi e ka dëshmuar vlerën e tij të posaçme për Shqipërinë moderne jo vetëm me qarkullimin e madh të njerëzve dhe mallrave, por edhe me mënyrën e tij të ekuilibruar të votimit. Ka qënë zgjedhje e mënçur ajo e ndërtimit të autostradës së parë shqiptare në aksin Tiranë-Durrës, siç është plot inteligjencë vendosja në të e zonës më të madhe dhe më moderne industriale të vendit. Më shumë se çdo periudhë tjetër e historisë së vendit tonë Shqipëria që po synon hyrjen në Bashkimin Evropian ka dëshmuar se ky bosht është themeli i saj. Vetëm në këtë kohë lindën ëndërrat dhe dëshirat për një metropol të ardhshëm të dy qyteteve të bashkuara, madje të lindjes së një qyteti të ri, me një emër tjetër...Por një Tiranë dhe Durrës bashkë, duke u shkrirë tek njeri-tjetri deri në vet’humbjen e emrave të tyre të lashtë do të ishte një punë pa kuptim, sepse secili qytet ka identitetin e tij. Ka bashkim që mund t’i ruajë e zhvillojë të veçantat.
Këto kohë mes të tjerash shqiptarët kanë kryer dy vepra të mëdha kombëtare: korridorin e madh të lidhjes rrugore me Prishtinën, ç’ka do të jetë kryefesta e vitit të ardhshëm, si edhe atë të komunikimit me autostradë mes Tiranës dhe Durrësit. Kjo e fundit në pamje të parë, ndërsa po shkojnë drejt përfundimit edhe rrugët paralelele në të dy anët, duket si punë në prag të përfundimit. Në të vërtetë nuk është kështu. Në këtë aks jetik të zhvillimit të Shqipërisë bashkëkohore mungon një komponent kyç: treni i shpejtë dhe modern vajtje e kthim. Është pikërisht kjo temë që na ngacmoi ta bisedojmë me durrsakun që takuam atë mbrëmje. Ai qe djalë i zgjuar, një krijesë e zhvillimit. Ishte agjent turistik. Punonte me klientë të zgjedhur në një agjensi udhëtarësh tek ish-Blloku.

oooo

Pas Tiranës është Durrësi ai që me të filluar viti 1991 pësoi ndryshim të ethshëm demografik. I realizuar edhe nëpërmjet anarkisë sonë tipike ai qe gati si një përmbysje. Ardhësit që prej jugut të thellë dhe prej veriut më të largët qenë dallgë shumë të mëdha. Jo pak bujtës ishin edhe nga fshatrat. Duke e përmbytur qytetin e mbajtur gjatë diktaturës në pothuaj palëvizshmëri numerike, ato ardhje të papushuara dhe pa as rregullin më të vogël të ekuilibrimit social e mjedisor e tronditën fort psiqikën e qytetarëve vendas, mentalitetin e tyre si edhe veçanërisht zakonet e të jetuarit. Ai qe edhe pasurim kulturor, por në disa raste edhe varfërim. Këtë dukuri kontradiktore, të cilën më të madhe dhe më problematike e kaloi Tirana, Durrësin e kapi në përmasën më kulmore. Ndërsa në kryeqytet prurjet e mëdha të pas nëntëdhjetës dhe trauma e tyre mbi popullsitë vendase kohët e fundit ka nisur ngadalë të bëjë kurbën e uljes, nuk po ngjet kjo me qytet-portin tonë më të madh. Valën e zhvendosjes demografike të pasrënies së diktaturës në Durrës e pasoi një tjetër akoma më e madhe: ajo e bashkëkombasve nga Kosova. Bashkë me çlirimin viti 1999 i hapi rrugët e lëvizjes së banorëve të saj drejt bregdetit shqiptar. Deri tani janë më të shumtë ata që pushojnë në plazhet e Durrësit se sa ata që këtu kanë pronësuar shtëpi për të qëndruar edhe më gjatë, por apartament e vilë blerësit nga Kosova në të ardhmen do të jenë më të shumtë. Në dekadat e ardhme trojet shqiptare do të kenë dinamikë tjetër demografike dhe popullsia do të përzjehet. Sot nuk kemi dot aq imagjinatë sa ta kuptojmë tërësisht këtë fenomen të ri. Në këtë zhvendosje të popullsisë prirja më e madhe do të anojë drejt detit dhe veçanërisht aksit zhvillimor Tiranë-Durrës. Kryeqyteti ynë me mentalitet tradicional më të hapët se kushdo qendër banimi tjetër në Shqipëri nuk ka për ta ndjerë fort këtë ndryshim. Ai përherë e më pak rron me mentalitetin lokal të “tiranasit”, ca më tepër që ky model banori, duke qënë simbol i njeriut babaxhan, me mungesën e pretendimit për të garuar fort në këto kohë konkurence nuk përbën ndonjë shembëll tundonjës për t’u ndjekur. Po ashtu Tirana tashmë edhe numerikisht është metropol dhe në përmasën e saj njëmilionëshe disa dhjetra mijra ardhës nga viset e Kosovës apo të Maqedonisë ndihen pak. Porse Durrësi është gjë tjetër. Ky qytet i vjetër është tepër delikat dhe sqimatar. Ai jeton me mendësinë e “qytetarit vendas”, pra me “durrsakun”, i cili nuk është aspak aq apatik sa modeli i dikurshëm i tiranasit. Ai është më i avancuar dhe më i adoptueshëm për kohët moderne. Një dallgë me disa dhjetra mijra bashkëkombas të ardhur mbi psikologjinë e tyre përbën një shtim të papërmbajtur popullsie dhe prishje baraspeshimi. Një prani më e madhe dhe më e shpeshtë e bashkënënshtetasve nga Tirana do të çonte në një ekuilibrim të dy flukseve.
Bashkëbiseduesi ynë i mbrëmjes së të premtes së kaluar, pra durrsaku që kryen ritin e jetës në qytetin e tij dhe të punës në Tiranë, nuk e mban të fshehur efektin e traumës nga mosbaraspeshimi. Madje ka dëshirë ta demonstrojë. Kjo do të thotë se e vuan si shqetësim social. Ai nuk ka humor të mirë nga kjo prishje e ekuilibrit të tij lokal. Nuk ndihet më si në qytetin e vet. Një çast u ankua se edhe paratë (eurot) që bashkëkombasit sillnin në Durrës për të pushuar në verë apo jetuar aty, nëpërmjet një cikli të mbyllur i rimerrnin sërish. Sipas tij të ardhura financiare nga ky turizëm patriotik Shqipëria kishte shumë më pak nga sa dukej me sy të lirë. Ai këmbëngulte se bashkëkombasit zakonisht pëlqenin të frekuentonin baret, restorantet dhe hotelet e menaxhuara prej vetë kosovarëve. Duke e vlerësuar këtë opinion për vetëm një pjesë të së vërtetës dhe jo për të tërën (nuk janë të pakta hotelet dhe dyqanet tregëtare të shqiptarëve të anëve tona), rëndësi për t’u llogaritur kishte efekti jo tërësisht pozitiv që kishte gërryer mbi të. Një mendësi e tillë e rrënjëzuar nën efektet e një traume zhvendosjeje tepër të madhe demografike, të pashoqëruar me veprim të organizuar amortizues, në rast se nuk vlerësohet për t’u mbajtur në gjendjen e një humori më pozitiv do të prodhojë nesër një të çarë të re mes dy pjesëve të kombit. Kjo pakujdesi në vitet e ardhshëm do të bjerë ndesh me objektivin kombëtar të afrimit më të madh shpirtëror me njeri-tjetrin.
Dhe pikërisht treni i shpejtë modern Tiranë-Durrës e kthim do të jetë një prej zbutësve të kësaj traume, pra njëra prej “kurave” të këtij lëndimi kombëtar.
Nuk e dimë me siguri që projektuesit politikë të para disa viteve të këtij treni patën parasysh edhe këtë mision social të tij, sepse folën për gjithçka ekonomike por jo për këtë gjë, veç në parim ka qënë një punë me mend. Deklaratat e fundit që kanë ardhur nga pasardhësit e tyre në qeverisje dëshmojnë një rizgjim të interesimit dhe të afrimit të një përpjekjeje për t’ja dalë në fund, në kushte të reja, këtij projekti inteligjent.
Autostradat jo vetëm i zhvillojnë shqiptarët, por edhe i bashkojnë ata. Aksi rrugor në përfundim i lidhjes së shpejtë me Kosovën dhe ai Tiranë-Durrës janë dy boshte e dy lëvizje që mund të harmonizohen për të shmangur traumat këtej dhe përtej kufirit. Boll mjaft janë krijuar gjer tani nga ndarja nëntëdekadëshe dhe nga subvencionimi i tërthortë i saj që vazhdon në forma të tjera nga mosdashësit tanë. Po të shihet me kujdes një plan i qeverisë sonë për rrjetin rrugor shqiptar gjen në të qartas kombinimin e harmonizuar të akseve ballkanikë e kontinentalë, të atyre me fqinjët, me teritoret bashkëkombase, atë të brendshëm që afron qendrat më të mëdha të zhvillimit ekonomik e kulturor të vendit si edhe në formë rrethore një rrjet tjetër, i cili bashkon të gjitha qytetet tona kryesore të buzëkufirit. Kjo është shenja më e sigurtë e një vlerësimi të drejtpeshuar të interesave gjithëkombëtarë me ato të vendit dhe shtetit tonë. Pikërisht për plotësuar e përsosur këtë vlerë ka nevojë të shtohet pa u vonuar vënia në jetë e lidhjes hekurudhore shumëfunksionale Durrës-Tiranë.
Tirana ka nevojë për hapësira jetike në Durrës. Atje ka det, ka vende pushimi që do të shtohen, apartamente të shumta të cilat mund të blihen e përdoren si shtëpi të dyta. Durrësi nga ana e vet e ka dëshmuar se ka patur përherë nevojë vitale për Tiranën. Ai njëkohësisht është një qytet dashamirës i kulturës dhe akoma më shumë veprimtari kombëtare mund të zhvendosen për atje. Ndryshe nga kryeqyteti Durrësi ka një histori të fiksuar në kronikat e kontinentit që prej të paktën dymijë e pesëqind vjetësh dhe njihet në Evropë më shumë se çdo qytet tjetër shqiptar. Me emrin e tij përtej detit ka familje të famshme.Në Durrës nuk mungon asnjë objekt i civilizimeve që kanë bërë historinë e botës dhe për këtë të kaluar të shndritshme Tirana nuk mund të thotë se nuk ka emergjencë.
Me trenin që do të lëvizë shpejt dhe në mënyrë komode, me një biletë apo pajtim me çmim të arsyeshëm, po ashtu me mjaft shpeshmëri, ndërsa do të kryhet paralelisht përpunimi i opinionit publik dhe i vetë tregut të lëvizjes së njerëzve, do të ndodhë që popullsia e përbashkët e dy qyteteve, një masë tani për tani mbi një milionëshe e në të ardhmen edhe më e madhe, do të lëvizë edhe shumë e më shpejt brenda vetes. Gjatë ditës, por edhe sidomos gjatë natës, ku në qytetin e Bukuroshes së Durrësit janë mësuar të futen në shtëpi, një pjesë do të presin e kalojnë orët me ata që do të vijnë masivisht nga Tirana për një kafe a darkë buzë detit, për një pjesë teatrore a koncert, për një ndeshje ndërkombëtare sporti.
Durrësi mund e duhet të disafishojë intensitetin e ritmin e jetës së tij. Porta e një koridori strategjik përtejballkanik ai është po ashtu një nga portet më të mëdhenj të Adriatikut. Dekadat që do të vijnë më pas do t’ja konfirmojnë edhe më tepër këtë status historik.
Treni midis Tiranës dhe tij në fund të fundit do të heqë nga autostrada e tanishme, duke ja lehtësuar frymëmarrjen trafikut, qindra e qindra makina. Ato harxhojnë benzinë e naftë dhe sidomos ndotin ajrin.
“Mendoni se këtë do ta lejojnë lobet e karburanteve?”, nënqesh si finok durrsaku agjent i kualifikuar i turizmit, akoma nën pezm por gjithsesi shumë i dëshiruar për t’iu gëzuar ditës kur treni i Shqipërisë moderne do të shfaqet në qytetit të tij, sigurisht një ndërtesë të xhamtë stacioni, si në një ëndërr.
Në të vërtetë ëndërrat ia vlejnë të realizohen. Me siguri prej një ëndërre krijuesi anonim i këtij qyteti formoi butësisht në gurë shumëngjyrësh mozaiku imazhin magjepës të Bukuroshes së Durrësit.

Romë më 2 tetor 2008



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com