Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Ismail Qemali dhe një Ismail tjetër

Botuar në “Tirana Observer”, më 25 shtator 2008

Kur ndodhi historia e heqjes së emrit të Ismail Qemalit nga Universiteti i Vlorës dhe kjo gjë trazoi të gjithë shqiptarët ku në këtë botë të madhe qenë, m’u kujtua Ismail Boçari. Është ndër të paktët të mbetur gjallë prej të ikurve nga Shqipëria komuniste pas mbarimit të luftës. Ai është nga fisi i dëgjuar i Boçarëve, të shumënjohur si luftëtarë lirie dhe pjesëtarë revolucionesh të mëdhenj, si ai i çlirimit të Greqisë nga peradoria osmane. Ismaili jeton në Romë dhe po kapërxen të tetëdhjetë e pestat. Tashmë kanë mbetur në jetë vetëm pak nga këta mospajtuesë me regjimin e Tiranës, guximtarë që zgjodhën ta bënin pjesën tjetër të jetës në Perëndim, por pa e harruar kurrë atdheun e tyre. Në Itali sipas një raportimi që ambasada shqiptare i dërgonte qendrës në vitin …..numri i emigrantëve politikë nuk ishte më shumë se nëntëdhjetë vetë, ndërsa qe dyfishi, ….. , ai i emigrantëve ekonomikë.
Nga Ismail Boçari tek Ismail Qemali rruga mund të duket dhe është e gjatë, të paktën sepse i pari lindi një dyzinë vitesh pasi shpallësi i pavarësisë kishte ndërruar jetë në një mënyrë akoma të diskutueshme në një qytet të Italisë, në Peruxha. Atëhere ishte një ditë e ftohtë fundjanari. Takimin e fundit me Boçarin e bëra, thjesht sepse ashtu ndodhi, në janar të këtij viti. Në fillim të korrikut u gjenda sërish për punë në Romë, por prej kohës së ngushtë vetëm shkëmbyem një telefonatë. Mirëpo të takohesh me këtë burrë shtatlartë dhe që përveç mënçurisë ka të tëra dhuntitë e një diplomati, mbetet përherë një kënaqësi e veçantë. Prej tij kam mësuar shumë jo vetëm për pamje të padukura të disa ngjarjeve kyç në Shqipërinë e luftës antifashiste, por edhe të asaj në vitet e para të diktaturës. Ismail Boçari nuk mund të krahasohet me Ismail Qemalin për shumë gjëra e megjithatë në apartamentin e tij në një nga rrugët më historike të qendrës së Romës, e gjitha e mbushur me flamuj kombëtarë, mund të gjesh të dhëna interesante edhe për Eqerem Bej Vlorën. Siç dihet ky është i biri i Syrja bej Vlorës, kushëririt të parë të Ismail Qemalit. Syrjai dhe Eqeremi janë emra të bërë të njohur për publikun e gjërë vetëm pas rënies së diktaturës. Porse të dy janë protagonistë të mëdhenj të historisë sonë, edhe pse Ismaili dhe Syrjai janë njëkohësisht edhe emra shumë të spikatur edhe në historinë e Turqisë. Të dy kanë shërbyer në Ministrinë e Punëve të Jashtme të perandorisë, qenë deputetë, Syrjai e lartoi karierën deri në president i Senatit turk, kurse Ismaili gjer vali dhe governator. Vlorajt, pas Frashllinjve, ndoshta janë dinastia e dytë më e madhe shqiptare me veçantinë që ja dolën të bëjnë jetë apo karierë diturie dhe politike në Perandorinë Osmane dhe njëkohësisht të luftonin për të bërë Shqipëri.
Ajo që nuk është trajtuar ende posaçërisht dukshëm nga historiografia jonë e specializuar është se të dy kanë qënë edhe rivalë të mëdhenj. Luftonin se cili do të qe shpallësi i pavarësisë dhe kryetari i parë i shtetit. Në të vërtetë konkurenca për të kryer këtë gjest ka qënë shumë e madhe dhe me emra të tjerë, disa nga më intriguesit. Një pjesë jo e vogël e tyre shtyheshin në lojë në favor të këtij apo atij shteti evropian dhe fqinj. Disa nxiteshin dhe financoheshin edhe nga Perandoria Osmane. Vetë Eqerem Vlora, kur flet për flamurin kombëtar me shqiponjën dykrenore, në librin e tij brilant .....shkruan me zemër të hapët dhe humor se “Por natyrisht, pati edhe të tillë si një farë Haxhi Muhamet efendiu, një klerik i rëndësishëm e fanatik në Vlorë dhe ithtar i fortë i tim eti, i cili shprehej me zemërim se Ismail beu kishte zgjedhur një korb si simbol të Shqipërisë së lirë. (Ah ta kishte bërë Shqipërinë Syria beu, ankohej ai, tani do të kishim në flamur syret e bukura të kuranit. Po ç’mund të presësh tjetër nga Ismail beu, që ka e kaluar të gjithë jetën në vendin e frëngjve?)
Rivaliteti mes dy kushërinjve Vlora ka qënë i madh edhe në vetë qytetin e tyre, ato kohë bërthama e Shqipërisë së ardhme. Pas secilit rrinin rreshtime të tëra jo vetëm njerëzish të thjeshtë apo intelektualësh, por edhe bejlerësh. Humori i rektorit të Universitetit të Vlorës, i cili guxoi heqjen e emrit të Ismail Qemalit pasi ishte vënë e bërë publik, vjen i përcjellë brez pas brezi nga ajo konkurencë e ashpër që u zhvillua jo vetëm para vitit 1912, por edhe shumë më pas. Kur në Vlorë u organizua me qëllim shumë të mirë konferenca “Veprimtaria e Eqerem bej Vlorës si patriot, intelektual e burrë shteti i shquar”, kumtesën kryesore e mbajti studiuesi i figurave të historisë së Vlorës, Fahri Shaska.
Nuk është vendi në thjesht një artikull t’i hysh punës përse për atë akt madhor qe më i mirë Ismail Qemali apo do të kishim më tepër fat me Syrja bej Vlorën. Që Ismail Qemali ishte “allafrëng”, pra oksidental, ka qënë punë e mirë. Sidoqoftë ne këtë kohë kemi një të madh e shumë të ditur, i cili në analizën e tij “Çështja shqiptare”, të botuar në 15 janar 1916, pra kur Ismail Qemali ishte gjallë e do të kalonin tre vite sa të mbyllte sytë, shkruan “Shqipëria ra që në fillim në duart e gjashtë burrave, më të korruptuarit, më të poshtrit dhe më të diskretituarit në vend: Ismail Qemali, Syrja bej Vlora, Myfit bej, Esat Pasha, Bib Doda, Filip Noga”.
Që të mos ngatërrohemi edhe më tej në këtë lëmsh rikthehemi tek Ismail Boçari, në apartamentin e kujtimet e tij në Romë. Ai ruan mjaft respekt për Eqerem Vlorën dhe e ka njohur atë personalisht. Pohon atë që tashmë dihet: qe njeri i lidhur me austriakët dhe të paktën kjo qe një ndër arsyet përse pas shumë viteve qëndrim në Romë autoritetet italiane të kohës ia lehtësuan ikjen drejt Vjenës një vit pasi më 1964 do të ndërronte jetë papritur e duke lënë përgjysëm memuaret e tij shkëlqimtare. Ismail Boçari do të njihej nga afër me Eqerem Vlorën vetëm në vitin 1958, sepse pas ikjes nga Shqipëria kohën më të shumtë, pasi u laurua për farmacist në Zagreb, nëntë vite e kaloi me punë në këtë profesion në Pola të Kroacisë.
Jeta e Eqerem Vlorës në Romë është nga më të veçantat, nga më orgjinalet, ndryshe nga mjaft të tjerë. Aty kishte ardhur edhe një njeri i dhunës si Xhaferr Deva, siç ishte aktiv politikisht si antikomunist, por mbi të gjitha si njeri i diturisë, edhe Ernest Koliqi. E megjithatë Eqerem Vlora është i tëri kulturë, maturim, ekuilibër dhe atdhetari me shpirt e mendje të thellë. Është bërë publike se si Kadri Hoxha, pas vitit 1945 përfaqësuesi ushtarak i Shqipërisë komuniste në Itali, të ketë shkruar me dorën e tij se “Një ditë më vjen në zyrë një njeri që m’u prezantua si Eqerem Vlora. Kam lënë në Shqipëri gruan dhe vajzat. I internoni apo i burgosni, por mos prishni Muzeun dhe Bibliotekën, se janë pasuri Kombëtare. Kaq tha dhe iku”. Muzeu dhe Biblioteka ishin të Vlorajve. Ndërkohë në atdheun e tij, ku e patën mohuar, ndodhi e kundërta. Dy makina të ngarkuara me libra të kësaj Biblioteke morën drejtimin e daljes jashtë kufirit.
Në ditët mes të prillit 1948 nga ambasada shqiptare në Romë ndiqte rrugën sekrete edhe një raport, i cili fillonte kështu “Më 10 prill 1948 Eqerem Libohova dhe Eqerem Vlora, me që ishin të thirrur më parë, u pritën në audiencë nga Ministri i Qeverisë Monarkofashiste në Romë, Kapsalis. Në prezencën e të dyve ai u shprehu gëzimin e tij që është i autorizuar t’ju komunikojë se janë të ftuar nga qeveria monarkofashiste për një vizitë në Athinë. Eqerem Libohova, pasi e përshendeti ftesën, bëri një aluzion për simpatinë që ushqen për kulturën helenike mbasi si ay, si e tërë familja e tij kanë mësuar në shkollat greke, por shtoi se më parë është mirë të kthjellohemi mbi disa mosmarrëveshje që ekzistojnë midis nesh si psh kërkesa për Korçën dhe Gjirokastrën...Kapsalis iu përgjegj se “Para dy vitesh ishin kohra të tjera dhe se tani ka ndryshuar krejt gjendja, prandaj duam një bashkëpunim të sinqertë me popullin shqiptar”. Libohova e mori fjalën rishtaz duke thënë se neve jemi një popull i vogël, kështu që po të gjymtohemi është e kotë ekzistenca jonë si shtet, prandaj dëshiroj të na ndihmoni për marrjen e Kosovës që do të jetë mirë edhe për ju, dhe neve jemi gati për lidhje ushtarake-ekonomike-politike, me kusht që integriteti dhe indipendenca e jonë të mbesin të paprekura...Këto ja pata thënë edhe Spiro Milos (ish-sekretar i parë i Legatës monarkofashiste në Romë) që t’ja referonte Kaldarisit, por mjerisht deri sot nuk kemi marë asnjë përgjigje...”.
Sigurisht më pas Libohova etiketohet në raportin e ambasadës si kriminel. Aspak më ndryshe nuk gjykohet edhe Eqerem Vlora, i cili në takim mban të njëjtin qëndrim.
Shumë më pas, në vitin ...., pasi ndoshta kanë qënë më realist në gjykimin e të diturit Vlora, patjetër të bindur se qe antikomunist, por që e donte shumë atdheun e vet, emri i tij hyn papritur në një listë të ambasadës, me rreth tridhjetë të emigruar në Romë, pjesa dërmuese pa ndonjë angazhim agresiv politik kundër regjimit të Tiranës, ku planifikohej t’u dërgohej gratis gazeta “Bashkimi”.
Njeriu i kulturuar di t’i mundë edhe armiqtë ideologjikë.
Eqerem Vlora ka lënë mbresa të bukura tek bashkëatdhetarët e tij në Romë. Prej tyre jeton i fortë vetëm Ismail Boçari. Ky sikur ta ketë përjetuar ato çaste, kujtim që nuk ja ka zbehur koha, përshkruan, mes të tjerash, edhe kur u lajmëruan që ndërroi papritur jetë në Vjenë. Disa miq të tij morën menjëherë trenin në stacionin e Terminit dhe u nisën për në kryeqytetin austriak me qëllim që të mund të ishin të pranishëm në funeral. Mbërritën në kohë.
Qenë pranë tij të gjithë, të tërë ata mospajtuesë e kundërshtarë të diktaturës, por kurrë të atdheut të tyre.
Në varrimin e të madhit të Vlorajve mungonin vetë përfaqësuesit zyrtarë të shtetit të tij.


Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com