|
Skënderbeu ka pasardhës të gjallë (Pjesa e tretë)
Pjesa e tretë
Botuar në Gazeta Shqiptare, 16-16 korik 2008
Gjon Kastrioti u martua në vitet 1475 apo 76. I takon të ishte njëzetë e apo njëzetë e një vjeç. Genetikisht prej të jatit dhe të jëmës, Kastriotët dhe Arianitët, kishte traditë për lindje djemsh. Me siguri e jëma, Donika, e cila u kujdes për këtë martesë, nuk pati asnjë merak që të birit do ti ndodhte ndryshe. Kështu edhe ndodhi. Çifti lindi mashkull dhe menjëherë atij iu vu emri i gjyshit të famshëm: Gjergj. Trashëgimia ishte siguruar. Gjoni, i cili edhe vetë, sipas rregullave dinastike feudale pati ringjallur gjyshin e tij, babanë e Skënderbeut, nuk e mbylli këtu çështjen e pasardhësve të vet. Ndërsa Gjergji u lind në fillim të vitit 1477, pothuaj më pak se një vit më pas Erina dhe Gjoni u bënë me djalin e dytë. I vunë emrin Kostandino. Djali i tretë doli në jetë po kaq shpejt. U quajt Federiko. Afërsisht rreth vitit 1495 lindi mashkulli i katërt si edhe pa u vonuar një vajzë,që u pagëzua me emrin Maria. Mund të ketë ngjarë edhe e kundërta: Maria lindur në fillim dhe më pas Federiko. Në kontrollin që disa studjues italianë e veçanërisht Prof. Xhankarlo Valone i kanë bërë librave të famullive të vendndodhjeve të Kastriotëve në Pulia, ku në feudet e veta rrinte shumicën e kohës Gjoni (e jëma, Donika, qëndronte në oborrin mbretëror në Napoli) nuk gjendet asnjë ditëlindje e regjistruar e të katër fëmijve të tij. Sigurisht kjo u ndodhte shumëve atë kohë.
Të bën përshtypje se pas lindjes së menjëherëshme të dy djemve të parë (1477-78) çifti Gjon dhe Erina presin mbi pesëmbëdhjetë vite për të nxjerrë në jetë, sërish fare afër njëri-tjetrit, dy fëmijë të tjerë. Këtë pauzë të padokumentuar mund ta interpretosh në mënyra të ndryshme, por një hamendje hap shteg patjetër: mos ndërkohë, në këtë të quajtur pauzë të gjatë të pajustifikuar, Gjoni ka patur edhe fëmijë të tjerë, natyralë? Emërtimi fëmijë natyralë ka të bëjë me lindjen e tyre nga lidhje jashtëmartesore. Ndërsa të lindurit nga martesa zyrtare quhen juridikisht fëmijë të ligjshëm, ata të krijuar nga marëdhënie dashurore apo seksi me gra të tjera, në vend të cilësimit si fëmijë të paligjshëm, term i pasaktë juridikisht, thirren natyralë. Janë prej gjakut të babait, pasojnë linjën e tij mashkullore.
Gjoni jetonte në kohën kur të paktën për të fuqishmit e të pasurit, veçanërisht me dinastitë, lindja e fëmijëve natyralë ishte gjë e pranuar dhe e justifikuar nga opinioni. Madje në Mbretërinë e Napolit vetë monarku Ferdinand nuk ishte bir i martesës zyrtare të të jatit të tij Alfons. Ishte krijesë lidhjeje jashtëmartesore, të cilin në mungesë të një djali nga martesa zyrtare vetë mbreti Alfons ia kërkoi Papës, siç atëhere ishte rregulli, ta shpallte trashëgimtar të fronit të tij. Dhe kështu ndodhi, edhe pse kundërshtarët e mëvonshëm politikë të monarkut Ferdinand e thërrisnin me përçmim bastardi.
Sidoqoftë ndryshe nga i jati i tij, Skënderbeu, që u martua shumë vonë (afërsisht dyzetë e tetë vjeç) dhe bëri vetëm një fëmijë, i biri vuri kurorë njëzetë e një dhe në fund të jetës së tij të mbyllur më 1505 kishte të ligjshëm katër fëmijë. Ndërsa Skënderbeu ndërroi jetë 63 vjeç dhe për këtë shkak iu bë infektimi nga malarja, i biri jetoi vetëm pesëdhjetë vite. Dhe nuk iu ndanë disa drama që i erdhën njëra pas tjetrës. I biri i tij njëzetëvjeçar, Kostandini, që nga fundviti 1497 ipeshkv i qytezës së Izernias, dy vite më vonë u sëmur rëndë dhe ndërroi jetë, duke tronditur veçanërisht gjyshen e tij, Donika, e cila i ngriti në një nga kishat e Napolit një varr monumental. Të dhëna të tjera jo plotësisht të sigurta dëshmojnë se në vitin 1500, pra kur ndërroi jetë Kostandini, mund të ketë vdekur edhe djali i tretë, Federiko. Secili lexues që po e ndjek me vëmendje këtë shtjellim të pemës gjenealogjike të Skënderbeut, do të thotë: Sidoqoftë është gjallë djali i parë, Gjergji, sipas rregullit dinastik vetë trashëgimtari. Mirëpo këtu pas dy dramave të para do të mbërrinte edhe e treta, më e madhja e tyre. Djalin e madh, pikërisht ngjallësin e emrit të Skënderbeut dhe trashëgimtarin e principatës në Shqipëri dhe të titullit të fisnikërisë, duke filluar nga fillimi i vitit 1501 Gjon Kastrioti nuk e pa më. Ai nën nxitjen dhe në shërbim të Republikës së Venedikut shkoi për mision kryengritjeje në Shqipëri, ku dështoi keq dhe nuk u kthye më. U bashkua me turqit dhe u vendos në Konstadinopojë. Për fat Gjoni iku nga kjo jetë vetëm pak muaj pasi në shtëpi i mbërriti gjëma.
Për pesë vite ishte përmbysur e gjithë qendrueshmëria dhe ardhshmëria e brezit të pestë me emër të Kastriotëve. Shpresa e vetme mbeti vetëm djali i fundit, i vogli Ferrante. Kur i jati u nda nga jeta ai ishte po aq sa edhe vetë Gjoni kur mori rrugën e emigrimit: vetëm trembëdhjetë vjeç. Këtu edhe u kalua trashëgimia e dinastisë. Nuk e bëri dot Gjoni, i cili deri sa mbylli sytë akoma priste të rikthehej në shtëpi djalin e madh, Gjergjin. Kështu të drejtën e trashëgimtarit dinastik e kreu e jëma, Erina.
Ferrante, ky djalë që nuk duhej të ishte më shumë se pesëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë vjeç kur Marin Barleti në krye të librit të tij \"De vita et Gestis Scanderbeghi, Epirotarum Principis\" (Historia e jetës dhe e veprës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, Princi i Epirit) do ti bënte përkushtimin e zjarrtë, mbetet edhe kyçi i të gjithë historisë të mos dhe keqkuptimit. Pikërisht me fëmijët e tij nis pyetja dhe kërkohet përgjigja përfundimtare nëse u shuan apo vijuan pasardhësit në linjë mashkullore të heroit kombëtar shqiptar. Më shumë se në Shqipëri kjo vazhdimësi, e përsërisim, kishte rëndësi tepër të madhe në Itali dhe në të gjithë Evropën, ku Skënderbeu zotëronte famë pothuaj globale.
Viti 1505 do ti sillte trashëgimtarit, Ferrantes ende të vogël, jo vetëm dhimbjen e vdekjes së të jatit, por edhe të gjyshes. Donika ndërroi jetë vetëm pak muaj para të birit, Gjonit. Dha shpirt në Spanjë, në oborrin mbretëror Aragonez. Ajo jetoi edhe tridhjetë e shtatë vite më shumë nga i shoqi, por në vjeshtë 1505 vdekjen e saj e pasoi papritur i biri. Kështu ikën nga kjo botë sëbashku ata dy që sërish sëbashku, nënë e bir, në pranverën e vitit 1468 patën lënë Shqipërinë me shpresë të riktheheshin.
Ferrante ishte me titull të trashëguar nga i jati, Gjoni, dukë i Galatinës dhe kont i Soletos. Sipas sërës së tij u martua me një familje fisnike italiane. Ajo quhej Adriana Akuaviva (Adriana Acquaviva) dhe ishte bijë e dukës së Nardosë, Belisario Acquaviva. Lindja e parë qe sipas traditës: djalë. Pas diçka më shumë se një viti fëmija e dytë. Doli vajzë. Duka Ferrante i vuri emrin e nënës, Erina. Janë afërsisht vitet 1516-18.
Me një djalë u duk sikur problemi jetik i trashëgimit të dinastisë për Ferranten u zgjidh, por nuk është kështu. Këtu nis pjesa më e ndërlikuar e të gjithë historisë gjenealogjike të pasuesve të Skënderbeut në Itali. Është edhe më spektakolarja.
Vijon
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|