Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Letër kryeredaktorit të gazetës “Republika”

Botuar në “Republika” më 27 prill 2008

Kryeradaktorit të gazetës “Republika” dhe stafit të saj
I dashur Nuri Dragoj,

Si i gjithë njerëzimi e si mbarë kombet edhe për ne shqiptarët përherë mund të gjenden arsye, pasione apo edhe motive për ta rishkruar historinë. Ky rishkrim mund të jetë edhe mohim i të parës. Në rast se një regjim antipopullor e një diktaturë, siç edhe ne e kaluam, e ka shtrembëruar të vërtetën e saj që ka ndodhur doemos që në një rast të tillë historia duhet shkruar nga fillimi. Po të ketë ngjarë që një pjese apo periudhe të saj, një ndodhie apo personi, ajo i është përshkruar pa praninë e të gjithë dokumentave të nevojshme e më pas të tilla janë zbuluar rishtaz, patjetër është i detyrueshëm proçesi i rishkrimit. Ky rishkrim nuk mund t’i shmanget edhe sfidës së kohës. Sipas rregullit të rreptë shkencor kjo apo ajo pjesë e historisë ka ndodhur në një kohë të caktuar, shpesh shumë e shumë shekuj shkuar, por brezat modernë gjithsesi kanë nevojë ta mësojnë e sidomos ndjejnë atë nga afër. Kështu në të mirë të të gjithëve është që ajo të rishkruhet për t’iu përshtatur të tashmes.
Ka edhe një histori që i shkruhet të ardhmes, një histori që parashikohet e fantazohet. Duke qënë se ajo nuk mund të rishkruhet, gjithsesi parashkruhet.
Me pak fjalë asgjë nuk mbetet në vend dhe asgjë nuk duhet lënë të ngrijë e të bëhet pjesë e harresës kombëtare dhe e braktisjes. Njohja e mirë e historisë i shërben një kombi e një shoqërie jo thjesht se është pjesë e trashëgimisë së saj, e vlerave dhe identitetit, e kujtesës apo edhe e motivimit për të jetuar si pjesë e qytetërimit botëror. Njohja e mirë e historisë i nevojitet një populli edhe për të shmangur gabimet që ka bërë, i kanë ndodhur apo i janë imponuar.
Ne shqiptarët nuk mund të mburremi se kemi qënë aq fort largpamës apo të pajisur me ndërgjegje kolektive aq fort aktive sa të kemi bërë më pak gabime se popujt e tjerë.
Në këtë kuptim sa herë që na gjallërohet dëshira për ta rishkruar historinë më së pari kemi të drejtë të gëzohemi. Një periudhë e tillë ka ndodhur pas vitit 1990 dhe në më pak se dy dekada ka ngjarë që kemi mësuar të vërteta shumë të mëdha, shumica të mohuara. Ndërkohë nga kjo kohë e trazuar me kërkim e rishkrim kemi parë të kryhen punë shumë të vyera. Janë me qindra e qindra, por unë po kujtoj njërën për të përfituar nga rasti e të të shprehur respektin: Ju në dy vëllime radhasi keni hedhur dritë mbi një nga figurat më interesante të Shqipërisë së rënë nën diktaturë, Kasëm Trebeshinën. Evidentimi më i spikatur dhe më i analizuar i tij i ka rikthyer përfundimisht e në mënyrë tepër bindëse kombit një shkrimtar që ka kryer gjestin më të guximshëm kundër diktaturës së metodës së ashtuquajtur të realizmit socialist.
Kjo punë është e vyer jo sepse nëpërmjet saj shqiptarëve u duhet të mohojnë kontribute të tjera, por sepse duke e rishkruar atë histori ju i keni kthyer kombit një vlerë.
Por a do të ishte punë e mirë, madje e mënçur dhe e arsyeshme, në rast se në pasdiktaturë, pra në këto vite ku ne po rikthejmë në vendin e tyre të merituar gjithçka të shtrembëruar apo të mbajtur fshehur, të godasim vlerat që kemi patur? Mund të pranohen me zemër të hapët vlerat e reja dikur të mohuara po qe se në anën tjetër të shtëpisë së shqiptarëve zbohen prej saj vlerat e tjera, të mëparshmet. Këtu nuk bëjmë fjalë as për luftën antifashiste e çlirimtare, ku pa flakur e nëpërkëmbur kontributin e partizanëve, na duhet të rikthejmë edhe atë pjesë që kanë dhënë nacionalistët e legalistët, demokratët kundërkomunistë e vetë komunistët liberalë. Këtu është e kuptueshme që rishkrimi i historisë të jetë më i nxehtë, më shumë i ndikuar nga emocionet dhe teprimet. Eshtë akoma lëndë në vlim dhe kërkon kohë për t’u ftohur e zënë vend.
Por në rast se jemi të justifikuar në ndonjë pasaktësi apo tejkalim të drejte kur përshkruajmë një histori të afërmë, nuk mud të jetë arsyeja me ne kur bëhet fjala për Gjergj Kastriotin.
Mirëpo këto vite të fundit, madje edhe ca javë apo ditë më parë, kjo dëshirë për ta rishkruar Skënderbeun duke e përmbysur atë apo nëpërkëmbur, është gjallëruar së tepërmi. Ky pasion, ndryshe nga ç’mund të pritej, nuk i ka zënë historianët, pra profesionistët, por amatorët, ata që me jetën e tyre kanë të bëjnë shumë pak me këtë profesion rigoroz. Për fat të trishtë përveç Profesor Kastriot Frashërit, i cili dukshëm i është kthyer pozitivisht rishkrimit të jetës e veprës së Gjergj Kastriotit, pjesa tjetër e elitës sonë të kësaj mjeshtërie nuk ka dalë akoma nga dremitja apo skemat e vjetra.
Mirëpo tek sa është krijuar kjo zbrazësi mbi Skënderbeun i kanë zgjatur duart zellshëm dhe pa asnjë minimum vetëpërmbajtjeje disa rishkruesë të pataksur. Ndërkohë Gjergj Kastrioti nuk është një ngjarje apo një emër i zakonshëm në historinë tonë. Ai është përzgjedhur nga të paktën pesëmbëdhjetë breza shqiptarësh, që nga koha kur jetoi e veproi e deri sot, heroi ynë më i madh kombëtar. Ai tashmë është simbol i identitetit dhe i vetë qytetëtimit shqiptar, është themeli i vetë shtetit e shoqërisë sonë. Do të duheshin të paktën të përmbyseshin njëherësh të gjithë pesëmbëdhjetë brezat që të mund të rishkruhej ai ndryshe nga më parë.
Ishte kjo arsyeja që shkruajta e këto ditë nxora nga botimi librin “Gjysma e harruar e Skënderbeut”. Në të ndryshe nga ata përfaqësues të korenteve të sotme moderniste që merren me analizën e veprës së Gjergj Kastriotit, sipas të cilëve proçesi i rishikimit të tij e bën atë më të vogël nga ai mit madhështor me të cilin na kanë edukuar që nga Rilindja Kombëtare e deri më sot, mendoj krejt të kundërtën. Për shkak të mjaft arsyeve në figurën e Skënderbeut janë krijuar edhe mungesa e zbrazësi, por kjo nuk do të thotë që në çaste të tilla shumë të rëndësishme për historinë e një kombi, madje tashmë të dy shteteve shqiptare, këtë boshllëk të natyrshëm ta mbushim me ngut dhe me çfarë na vjen në dorë. Ca më keq ta mbushim duke hedhur baltë. Në librin tim prej 264 faqesh analizë, me prova, dëshmi dhe veçanërisht interpretime të reja ngul këmbë se tashmë po bëhet një zakon i keq që kohëve moderne disa rishkruesë bashkëkombas t’i përgjigjen duke e përshkruar Gjergj Kastriotin si një njeri që me luftën e tij të rezistencës ekstreme e përgjaku në mënyrë të panevojshme popullin e vet. Në libër denoncoj me emra konkretë ata që kanë shkuar edhe më tej: e kanë shpallur Skënderbeun renegat, njeri që bashkëpunoi me fqinjët shovinistë kundër vetë interesave kombëtare. Për mua nuk përbën as histori dhe as art ta interpretosh Gjergj Kastriotin me shkujdesje deri edhe si hileqar province, gjysëm leshko apo të ngulësh kembë se ishte i shëmtuar dhe i shkurtër. Nga rishkruesit modernistë nuk mund të kuturiset gjer kaq, të paktën për një minimum respekti ndaj të vërtetës, por edhe ndaj historiografisë shqiptare dhe asaj të huaj. Që Skënderbeu ishte burrë i pashëm dhe shtatlartë kjo është e dokumentuar që të paktën pesë dekada më parë.
Në librin e porsabotuar në të kundërt të atij opinioni sipas të cilit gjykohet se për Skënderbeun tashmë është thënë çdo gjë dhe kontributi e madhështia e tij përfundimisht janë fiksuar, ngul kembë se ka ndodhur e anasjellta. Sipas meje veprës së Gjergj Kastriotit i kanë mbajtur të fshehur gjysmën e kontributit. Gjysma e tij herë e fshehur qëllimisht dhe herë e harruar për një pakujdesje karakteristike kombëtare të shqiptarëve ndaj vlerave të historisë, ka qënë dimensioni i tij evropian. Më parë se të ishte një hero lokal, pra hero i shqiptarëve, Skënderbeu është një hero i kontinentit tonë. Sipas meje Gjergj Kastrioti është më i madh si hero evropian se sa si kombëtar. Më parë se t’u takojë shqiptarëve ai u takon evropianëve.
Për këtë gjë jap në libër argumentat e mia. Për më shumë se një shekull të tërë, të njëzetin, veçanërisht në periudhën kur bëmë shtet të pavarur, Gjergj Kastriotit i është bërë një padrejtësi. Ai është devijuar dhe shtrembëruar. Duke e përdorur për qëllime të papastra politike, por edhe sinqerisht patriotike, shtatin real historik të Skënderbeut e kanë mbajtur të ngrirë e të ngulitur në vetëm përmasat lokale, duke fshirë vit pas viti e dekadë pas dekade të vërtetën kryesore: dimensionet e mëdha evropane që ai pati për plot katër shekuj pas vdekjes së tij.
Tani që Shqipëria dhe Kosova, si edhe bashkëkombasit tanë në Maqedoni e Malin e Zi, kanë perpektivë integrimin në Bashkimin Evropian, në librin “Gjysma e harruar e Skënderbeut” kembëngul se ka ardhur çasti fatlum i rishkrimit dhe i ringritjes së veprës së Gjergj Kastriotit në përmasat e tij të vërteta.
Pra mendoj se për të proçesi i rishkrimit mund të ketë kahje jo uljen, por ngritjen.
Gjysma e harruar e Skënderbeut për mendimin e autorit të këtyre radhëve dhe librit do të thotë po ashtu të shpreh edhe një shqetësim. Sipas pikëpamjes time opinioni shqiptar është mbajtur larg një të vërtete tjetër: faktit që në Itali pasardhësit e vërtetë të tij kanë ekzistuar brez pas brezi, pa u shuar, ndërsa në Shqipëri këtë gjë autoritetet e pushtetit, por edhe jo pak nga elita intelektuale e kohës, e kanë mbajtur të fshehur. Janë konformuar me regjimet politike. Kështu njerëz të pushtetit, jo pak edhe të inteligjencës, ose kanë heshtur ose kanë kontaktuar pasasardhës falsë të Gjergj Kastriotit, shpesh mashtruesë e përfituesë të thekur.
Si edhe mjaft kolegë, ti e unë, i dashur kryeredaktor i “Republika”, kemi bërë një provë modeste për të rishkruar historinë e dy bashkëkombasve. Në përfundim të kësaj përpjekjeje të sinqertë i kemi rikthyer shoqërisë sonë vlera më të shumta të tyre.
I dashur Nuri, ja përse t’u drejtova me këtë letër në këtë gazetë, e cila ka një lexues mjaft të pasionuar pas çështjeve kombëtare. Dëshmuam modestisht se tani kemi nevojë për një rishkrim të historisë ku shqiptarët të fitojnë e jo humbin vlera.

Ylli Polovina










Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com